ATV

Blog

  • Stoltenberg, thirrje për uljen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbi

    Stoltenberg, thirrje për uljen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbi

    Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka bërë sërish thirrje për shtensionimin e situatës mes Kosovës dhe Serbisë.

    Kjo thirrje vjen në mes të rritjes së tensioneve mes dy shteteve pas arrestimit nga forcat serbe të tre policëve të Kosovës javën e kaluar.

    “Forcat tona [të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR] do të vazhdojnë të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të ofruar mjedis të sigurt”, tha Stoltenberg për gazetarët në Berlin pas takimit me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.

    As liderët në Kosovë, e as ata në Serbi duket se nuk janë shprehur të gatshëm të marrin pjesë në takimin e krizës të thirrur nga Bashkimi Evropian për këtë javë.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se nuk do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Bruksel. Megjithatë, ai tha se do të vendosë nëse “teknikisht do të paraqitem në atë takim”, duke shtuar se ky do të jetë një vendim i tij strategjik për të cilin do ta informojë opinionin.

    Ky i fundit, ka deklaruar se pa kuptuar gjendjen e policëve, që sipas Kosovës janë rrëmbyer nga forcat serbe, nuk do të vendosë nëse do të marrë pjesë në takimin e Brukselit./Top Channel

  • Memli Krasniqi: Kryeministër, lëri inatet e bashkëpuno me partnerët ndërkombëtarë për lirimin e policëve tanë

    Memli Krasniqi: Kryeministër, lëri inatet e bashkëpuno me partnerët ndërkombëtarë për lirimin e policëve tanë

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kërkuar nga Qeveria një rol më aktiv, qoftë edhe përmes bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, për lirimin e shpejtë të tre zyrtarëve policor të arrestuar nga Serbia, Rifat Zeka, Beqir Sefa dhe Shemsi Mustafa.

    “Sot janë bërë pesë ditë nga kidnapimi i tre zyrtarëve tanë policor, brenda territorit të Kosovës, nga forcat serbe. Për pesë ditë, nuk kemi asnjë informacion për gjendjen e tyre shëndetësore, trajtimin e tyre nga autoritetet serbe dhe, fatkeqësisht, akoma asnjë vizitë tek ta. Derisa Serbia dhe Vuçiqi po refuzojnë të lirojnë policët tanë dhe kundërligjshëm po i mbajnë në paraburgim, në anën tjetër, Kryeministri dhe Qeveria po na mbajnë në errësirë në lidhje me situatën e tyre”, ka shkruar Krasniqi.

    “Kërkoj nga Qeveria që të luaj një rol shumë më aktiv dhe të përgjegjshëm për rikthimin sa më parë në shtëpi të Rifat Zekës, Beqir Sefës e Shemsi Mustafës. Mbi të gjitha, kërkoj nga Kryeministri që të tejkaloj inatet e tij personale dhe të shtoj bashkëpunimin e koordinimin me partnerët tanë ndërkombëtarë – si mënyra e më e shpejtë dhe efikase për lirimin e tyre”, ka thënë ai.

    Zeka, Sefa dhe Mustafa u arrestuan me 14 qershor nga forcat serbe dhe që nga ajo ditë gjenden në paraburgim në Serbi.

  • Gjyqi i ri ndaj Navalnyt do të nisë brenda burgut

    Gjyqi i ri ndaj Navalnyt do të nisë brenda burgut

    Një gjyq kundërthënës ndaj kritikut të Kremlinit, Aleksei Navalny, pritet të nisë sot, tha avokati i tij. Gjyqi do të mbahet në burgun ku ai aktualisht po mbahet, që gjendet rreth 260 kilometra larg Moskës.

    Navalny tashmë i ka mbajtur dy prej nëntë vjetëve të një dënimi paraprak dhe përballet edhe me akuza të reja, për të cilat mund të dënohet deri në 30 vjet burgim. Gjyqi mbahet në verilindje të Moskës, në rajonin Vladimir.

    Ai përballet me shtatë akuza të reja, përfshirë themelim dhe financim të një organizate ekstremiste dhe minimizimit të nazizmit.

    Kritiku i Kremlinit hedh poshtë të gjitha akuzat, që thotë se janë të motivuara politikisht. Gjyqi aktual ka nisur më 6 qershor, po deri më tani janë zhvilluar vetëm çështje procedurale prapa dyerve të mbyllura.

    Nga sot pritet që gjyqi të jetë publik, megjithatë në të nuk do të lejohen të marrin pjesë gazetarët, thanë avokatët e tij.

  • Ukraina konfirmon çlirimin e fshatit të parë në rajonin e Zaporizhjës

    Ukraina konfirmon çlirimin e fshatit të parë në rajonin e Zaporizhjës

    Zëvendësministrja ukrainase e Mbrojtjes, Hanna Malyar, ka konfirmuar se forcat e armatosura ukrainase kanë rimarrë fshatin e parë në rajonin e Zaporizhjës, pasi Ukraina ka nisur kundërofensivën e saj.

    Një ditë më parë, guvernatori i instaluar nga Rusia në rajonin ukrainas të Zaporizhjës, Vladimir Rogov, dhe mediat pro-Kremlinit, thanë se forcat ruse janë larguar nga fshati Pjatihatki.

    Ndërkaq, Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha se ushtria ruse ka zmbrapsur sulmet ukrainase në këtë fshat.

    Malyar tha më 19 qershor se trupat ukrainase kanë çliruar 113 kilometra katrorë për dy javë.

    Konfirmimi për marrjen e kontrollit në këtë fshat në Zaporizhja vjen disa orë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u zotua se shteti i tij do të rimarrë të gjitha territoret e humbura, teksa Kievi po vazhdon “hapat e çlirimit”.

    Rusia ka akuzuar Ukrainën se ka kryer granatime në një qytet në rajonin rus, Belgorod.

    Sulmet brenda territorit rus janë shpeshtuar së fundi, teksa pushimi i plotë rus i Ukrainës pothuajse ka hyrë në muajin e 16-të./REL/

  • Delegacioni i Kosovës arrin në Këshillin e Evropës

    Delegacioni i Kosovës arrin në Këshillin e Evropës

    Delegacioni i përbërë nga deputetë të Kosovës kanë arritur në Këshillin e Evropës, ku do të qëndrojnë për tre ditë.

    Besnik Tahiri, Ariana Musliu-Shoshi dhe Arben Gashi janë deputetët që do ta përfaqësojnë Kosovën.

    Tahiri tregoi që sot do të kenë disa takime, teksa do të caktohet edhe raportuesi për Kosovën.

    “Sot, së bashku me delegacionin e Kosovës jemi në Këshillin e Evropës, ku do të qëndrojmë tri ditë. Sot, pritet që të kemi disa takime të rëndësishme, njëkohësisht të caktohet edhe raportuesi për Kosovën. Edhe pse në kushte jo të lehta, Kosova dalëngadalë po i bashkohet këtij institucioni”, ka shkruar Tahiri.

  • Gjashtë të vdekur dhe dhjetëra të plagosur nga të shtënat në ShBA

    Gjashtë të vdekur dhe dhjetëra të plagosur nga të shtënat në ShBA

    Gjashtë persona kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur si pasojë e të shtënave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë fundjavës.

    Të shtënat e djeshme ndodhën në periferinë e Çikagos, Washington, Pensilvaninë qendrore, St. Louis, Kaliforninë Jugore dhe Baltimore.

    “Nuk ka dyshim se ka pasur një rritje të dhunës”, tha Daniel Nagin, një profesor i politikave publike dhe statistikave në Universitetin Carnegie Mellon.

    “Disa nga këto raste duket se janë vetëm mosmarrëveshje, shpesh mes adoleshentëve, dhe ato në mosmarrëveshje luhet me armë zjarri, jo me grushte”.

    Nagin theksoi se studiuesit nuk pajtohen për shkakun e rritjes së sulmeve me armë. Teoritë përfshijnë mundësinë që dhuna të nxitet nga përhapja e armëve në Amerikë, ose nga strategjia më pak agresive e policisë ose nga një rënie në ndjekjet penale për kundërvajtje me armë.

    Që nga mbrëmja e së dielës, asnjë nga ngjarjet e fundjavës nuk i përshtatet përkufizimit të një vrasjeje masive, sepse më pak se katër njerëz vdiqën në çdo vend.

  • Zyrtare: Gledi Mici konfirmon largimin nga “Prishtina”

    Zyrtare: Gledi Mici konfirmon largimin nga “Prishtina”

    Pas Krasniqit, Pllanes, Prapashtices dhe Shabanit largimi i pestë i skuadrës së Superligës së Kosovës në Futboll, FC Prishtina është kapiteni Gledi Mici.

    Mbrojtësi i majtë nga Shqipëria ka tre vite që është pjesë e skuadrës më të trofeshme në futbollin kosovar.

    32-vjeçari ka konfirmuar ndarjen me klubin Prishtinas nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij zyrtare në Facebook.

    “Bashkëpunimi me Fc Prishtinën përfundon. Faleminderit për këto tre vite të mrekullueshme”, ka shkruar Mici.

    Mici sezonin e fundit ka mbajtur shiritin e kapitenit te Prishtina.

    Ai pritet së shpejti të vendos për skuadrën e re, ku nuk mungojnë ofertat nga kampionati kosovar dhe ai shqiptar./atvlive.tv/

     

  • Dogana parandalon tri raste të kontrabandës

    Dogana parandalon tri raste të kontrabandës

    Njësit e Doganës së Kosovës kanë parandaluar tri raste të ndara të kontrabandës në vend.

    Siç njofton Dogana në qytetin e Gjakovës, respektivisht në një njësi biznesi që tregtohet cigare pa banderola, njësit relevante të Doganës kanë gjetur një sasi të konsiderueshme të cigareve, cigareve elektronike, dhe produkteve e të tjera të duhanit për të cilat personi përgjegjës, pala nuk ka poseduar dokumente dhe si të tilla janë kontrabanda në Kosovë.

    “Derisa në rastin e dytë zyrtaret Doganore kanë organizuar po ashtu një plan operativ me qëllim të parandalimit të kontrabandës të mallrave dhe me këtë rast është zbuluar dhe parandaluar një rast tentim kontrabandimi një makine hidraulike për prerjen e drunjve”, thuhet në njoftim.

    Sipas Doganës në rastin e tretë është zbuluar në magjistralen Ferizaj-Kaqanik në kuadër të Planit të përbashkët operativ të Doganës, ATK-së dhe Policisë së Kosovës ku është arritur të identifikohet një veturë e cila ishte duke transportuar mall me origjinë të huaj e për të cilën pala nuk posedonte dokumentacion që e dëshmon se ky mall ka hyrë përmes rrugëve ilegale në Kosovë (mall i kontrabanduar).

    “Të gjitha mallrat janë konfiskuar si dhe ka filluar procedura kundërvajtëse ndaj personave përgjegjës”, thuhet në njoftim.

    Dogana e Kosovës ka aplikacionin ‘eDogana’ për pajisjet e mençura android dhe ios, i cili mundëson lajmërim të parregullsive dhe sjelljeve jo profesionale me komunikim të sigurt dhe gjithashtu ofron shërbime tjera me qëllim të shërbimit ndaj qytetarëve dhe komunitetit të prodhuesve dhe tregtisë në përgjithësi.

  • BE pret që Kurti dhe Vuçiq të shkojnë në Bruksel pa kushte, në të kundërtën do të ketë pasoja për palët

    BE pret që Kurti dhe Vuçiq të shkojnë në Bruksel pa kushte, në të kundërtën do të ketë pasoja për palët

    Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që të pranojnë ftesën për pjesëmarrje në takimin e krizës në Bruksel, duke mos vendosur asnjë kusht.

    Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka ftuar Kurtin dhe Vuçiqin për një takim në Bruksel gjatë kësaj jave, në mes të tensioneve të rritura mes dy shteteve.

    BE ka paralajmëruar se mospërfillja e kësaj ftese mund të ketë pasoja për palët.

    Presidenti i Serbisë veçse ka refuzuar të takohet me Kurtin, ndërkaq ky i fundit ende nuk ka vendosur nëse do të marrë pjesë në takimin e Brukselit.

    Vuçiq më 18 qershor deklaroi në Beograd se nuk do të takohet me Kurtin. Megjithatë, ai tha se do të vendosë nëse “teknikisht do të paraqitem në atë takim”, duke shtuar se ky do të jetë një vendim i tij strategjik për të cilin do ta informojë opinionin.

    Kurti ndërkaq, më 19 qershor tha se fillimisht pret që shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd të takojë policët e Kosovës, dhe pasi të kuptojë gjendjen e tyre, do të vendosë nëse do të pranojë ftesën e Borrellit për takim.

    Zëdhënësi i BE, Peter Stano, tha se Borrell ka ftuar dy liderët për t’u takuar në Bruksel “për të gjetur dalje nga kriza që po e shohim dhe për t’u kthyer në rrugën e dialogut”.

    “Data nuk është caktuar ende sepse palët nuk e kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Borrell pret një sjellje më të përgjegjshme nga dy liderët. BE pret që ata të vijnë pa kushtëzime. Blloku evropian po e përcjell situatën për të parë se a janë palët e gatshme për të gjetur zgjidhje”, tha Stano gjatë një konference për media.

    Ai shtoi se të hënën gjatë takimit të ministrave të BE-së çështja e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë në agjendë.

    “Ftesa e Borrellit është ofertë dhe mundësi për ta që të dëshojnë se pas të gjithave mund të jenë konstruktivë. Nuk është ftesë për të kënaqur Brukselin, por është për nevojën që të ulen tensionet dhe për të ardhmen evropiane të qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë. E për këtë, askush tjetër përveç Vuçiqit dhe Kurti nuk është përgjegjës”, tha Stano.

    Që nga fundi i majit, tensionet në veri të Kosovës u rritën pasi pasi kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, me asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve nga serbët lokalë.

    Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan protestuesit serbë u përleshën me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet u lënduan dhjetëra persona nga të dyja palët.

    Më 14 qershor, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u përkeqësuan edhe më tej, pas arrestimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës. Serbia tha se ata u arrestuan “thellë” brenda territorit të saj, por Kosova tha se ata ishin duke patrulluar në territorin e Kosovës, pranë vijës kufitare me Serbinë në Leposaviq.

    Stano u pyet edhe për situatën aktuale dhe fatin e tre policëve të Kosovës që gjenden në paraburgim në Serbi. Ai tha se “për fat nuk ka pasur përshkallëzim të ri fizik në terren, por ende nuk kemi parë as hapa konkretë të menjëhershëm për shtensionim. Prandaj, edhe i kemi ftuar të dy liderët në Bruksel për të punuar në uljen e tensioneve dhe për hapa konkretë”.

    “Deri më tani nuk kemi dëgjuar përgjigje konkrete, përveç deklaratave jokonstruktive publike të tyre2, tha Stano.

    “Në këtë moment po përqendrohemi në thirrjen e Borrellit që liderët të vijnë në Bruksel. Varësisht se si do të shkojë ky takim, do të shohim më pas se si do të veprohet. Veprimet e të dyja palëve do të reflektohen edhe në diskutimin e ministrave, e pastaj edhe në rrugëtimin evropian të tyre”, përfundoi Stano.

    Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania i kanë bërë thirrje Serbisë që të lirojë menjëherë tre policët e Kosovës. /rel

  • Historia e çezmës së Vushtrrisë, burimi i së cilës nuk është ndalur asnjëherë

    Historia e çezmës së Vushtrrisë, burimi i së cilës nuk është ndalur asnjëherë

    E ndërtuar në shekullin XVIII nga Hajredin Pasha, kjo çezme në Vushtrri është e njohur me emrin e ndërtuesit “Çezma e Hajredin Pashës”.

    Çezma ka një koritë të punuar nga guri i latur, i vendosur në tokë si dhe një parmak hekuri.

    Drejtoresha për Kulturë, Tini dhe Sport në komunën e Vushtrrisë, Medina Bunjaku, në një prononcim për ATV-në thotë se kjo çezme është monument nën mbrojtje të përkohshme si objekt profan, jo religjioz.

    “Kjo çezme është ndërtuar qysh në periudhën osmane. Edhe pse është ndërtuar në atë periudhë, gjithmonë është quajtur si çezmja e kalasë, me që kalaja është më e vjetër se kjo çezme. Kjo çezme burimin e ka nga vreshtat. Vlen të theksohet se burimi i saj asnjëherë nuk është ndalur, vetëm gjatë verës ngadalësohet ngopka shtypja e saj. Po
    ashtu, kjo çezme është monument nën mbrojtje të përkohshme si objekt profan, jo religjioz”, tha Bunjaku.

    Ajo tregon se kjo çezme ende nuk ka pasur ndonjë restaurim dhe ka mbetur e njëjta qysh prej asaj periudhe kur është ndërtuar. /atvlive.tv