ATV

Blog

  • Ben White humbet finalen e Ligës së Kampionëve-Goditje e rëndë për Arsenalin

    Ben White humbet finalen e Ligës së Kampionëve-Goditje e rëndë për Arsenalin

    Arsenal është përballur me një goditje të madhe para finales së UEFA Champions League ndaj Paris Saint-Germain, pasi mbrojtësi Ben White do të mungojë deri në fund të sezonit për shkak të një dëmtimi në gju.

    Sipas raportimeve, White dyshohet se ka pësuar një dëmtim në ligamentin MCL. 28-vjeçari u pa duke u larguar nga “London Stadium” me një mbajtëse në gju pas fitores 1-0 të Arsenalit ndaj West Ham United.

    Klubi londinez ka konfirmuar zyrtarisht se mbrojtësi anglez nuk do të luajë më këtë sezon, ndërsa shpresa mbetet që ai të rikuperohet në kohë për fazën përgatitore para sezonit të ri.

    Trajneri Mikel Arteta tashmë përballet me probleme serioze në repartin defensiv, pasi edhe mbrojtësi i djathtë titullar, Jurrien Timber, vazhdon të jetë jashtë fushave për shkak të dëmtimit.

    White kishte nisur titullar në pesë ndeshjet e fundit të Arsenalit, përfshirë të dyja gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve ndaj Atlético Madrid, ku londinezët siguruan kualifikimin në finale.

    Përforcimi i verës, Cristhian Mosquera, tani shihet si alternativa më e mundshme për pozicionin e mbrojtësit të djathtë në finalen që do të zhvillohet këtë muaj në Budapest.

    Dëmtimi i White paraqet gjithashtu një problem edhe për Anglia, pasi mbrojtësi ishte rikthyer në planet e trajnerit Thomas Tuchel për Kupën e Botës këtë verë në SHBA.

    Pas paraqitjeve të mira në muajt e fundit, White po konsiderohej si një kandidat i fortë për t’u përfshirë në listën përfundimtare të Anglisë, por ky dëmtim tani e vë seriozisht në dyshim pjesëmarrjen e tij në turne.

  • Varroset Rifat Stojkaj, zyrtari i AAK-së që humbi tragjikisht jetën në aksident

    Varroset Rifat Stojkaj, zyrtari i AAK-së që humbi tragjikisht jetën në aksident

    Drejtori i Komunës së Deçanit dhe zyrtari i AAK-së, Rifat Stojkaj, është varrosur sot në vendin e tij të lindjes pasi ka humbur tragjikisht jetën në një aksident trafiku.

    Në ceremoninë e varrimit kanë qenë të pranishëm një numër i madh i njerëzve, përfshirë edhe krerët e AAK-së.

    “Familjes Stojkaj, miqve dhe kolegëve, iu shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe uroj të gjejnë forcë e durim për ta përballuar këtë dhimbje të madhe”, ka shkruar Ramush Haradinaj.

  • Adelina Tërshani i bashkohet LVV-së, Kurti: Përfaqëson një zë intelektual dhe kritik

    Adelina Tërshani i bashkohet LVV-së, Kurti: Përfaqëson një zë intelektual dhe kritik

    Aktivistja feministe në Kosovë, Adelina Tërshani i është bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje, njoftoi kryetari i kësaj partie, Albin Kurti.

    Kryeministri në detyrë njoftoi në një postim në Facebook se ajo “do të jetë edhe kandidate për deputete”.

    “Me kënaqësi njoftojmë bashkimin e Adelina Tërshanit me Lëvizjen VETËVENDOSJE!, e cila do të jetë edhe kandidate për deputete në legjislaturën e ardhshme. Si aktiviste e njohur feministe dhe autore, Adelina sjell një përvojë mbi dhjetëvjeçare në mbrojtje të të drejtave të grave, të rinjve dhe komuniteteve të margjinalizuara, duke i bashkuar kauzat sociale me punën konkrete në terren dhe hulumtimin e politikave publike”, shkroi Kurti.

    ​”Me formim akademik në Gazetari dhe Menaxhim të Konflikteve, studime të kryera në Itali, ajo përfaqëson një zë intelektual dhe kritik që e pasuron programin tonë për drejtësi shoqërore. Përmes angazhimit të saj në institucione dhe artit si formë rezistence, Adelina do të vazhdojë betejën për barazi edhe brenda Kuvendit të Kosovës”, shtoi ai.

  • Për herë të parë Specialja publikon pamjet nga brenda burgut në Hagë ku mbahen Thaçi dhe të tjerët

    Për herë të parë Specialja publikon pamjet nga brenda burgut në Hagë ku mbahen Thaçi dhe të tjerët

    Dhomat e Specializuara kanë publikuar pamje nga ambientet ku të paraburgosurit në Hagë kalojnë kohën e tyre, përfshirë fitnesin, këndin e qëndrimit ditor ku mund të socializohen dhe dhomën e dedikuar për takime me familjarë, shkruan Express.

    Sipas njoftimit të Speciales, personat që qëndrojnë në paraburgim kanë qasje në ajër të pastër dhe gjiashtu kanë hapësirë për shërbesa fetare.

    “Të pandehurit që janë të paraburgosur para ose gjatë gjyqit të tyre në Dhomat e Specializuara të Kosovës mbahen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë. Atje, ata kanë qasje në ajër të pastër dhe ushtrime, mund të shoqërohen, të presin vizitorë dhe të marrin pjesë në shërbesa fetare.

    Paraburgimi para ose gjatë një gjyqi bëhet vetëm kur është e nevojshme për të parandaluar një rrezik të konsiderueshëm, p.sh. rreziku që i pandehuri të përpiqet të frikësojë ose të ndikojë në dëshmitarë. Çdo dy muaj, Gjyqtarët e Gjyqit të Specializuar të Kosovës do të rishikojnë paraburgimin për të shqyrtuar nëse paraburgimi është ende i nevojshëm dhe i arsyeshëm”, thuhet në njofitm.

  • IKSHPK: Për një muaj janë konfirmuar 14 raste të fruthit, vaksinoni fëmijët – rreziku për komplikime është serioz

    IKSHPK: Për një muaj janë konfirmuar 14 raste të fruthit, vaksinoni fëmijët – rreziku për komplikime është serioz

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se në periudhën 16 prill – 12 maj 2026, në Kosovë janë konfirmuar katërmbëdhjetë raste të fruthit, dhe se, sipas komunave numër më i lartë i rasteve raportohet nga komuna e Ferizajt pesë raste, Prishtinës tre raste, Kaçanikut tre raste dhe me nga një rast komunat: Lipjan, Fushë Kosovë dhe Gjilan.

    Tutje, shtohet se, të tha rastet e konfirmuara janë të pavaksinuar me vaksinën kundër fruthit, shytave dhe rubellës si dhe kanë marrë trajtim spitalor, që dëshmon për potencialin serioz të komplikimeve të mundshme që mund të shkaktojë fruthi.

    ‘’ Duke marrë parasysh natyrën shumë ngjitëse të fruthit dhe rrezikun për përhapje të mëtejshme, IKSHPK u bën thirrje urgjente prindërve që të kontrollojnë kartelën e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe t’i vaksinojnë fëmijët në qendrën më të afërt të Mjekësisë familjare në komunën përkatëse’’, thuhet në reagim.

    Postimi:

    Situata epidemiologjike me fruth – përditësim

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës njofton se në periudhën 16 prill – 12 maj 2026, në Kosovë janë konfirmuar katërmbëdhjetë (14) raste të fruthit.

    Sipas komunave: numër më i lartë i rasteve raportohet nga komuna e Ferizajt pesë (5) raste, Prishtinës tre (3) raste, Kaçanikut tre (3) raste dhe me nga një (1) rast komunat: Lipjan, Fushë Kosovë dhe Gjilan.

    Të gjitha rastet e konfirmuara janë të pavaksinuar me vaksinën MMR (kundër fruthit, shytave dhe rubellës) si dhe kanë marrë trajtim spitalor, që dëshmon për potencialin serioz të komplikimeve të mundshme që mund të shkaktojë fruthi.

    Duke marrë parasysh natyrën shumë ngjitëse të fruthit dhe rrezikun për përhapje të mëtejshme, IKSHPK u bën thirrje urgjente prindërve që të kontrollojnë kartelën e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe t’i vaksinojnë fëmijët në qendrën më të afërt të Mjekësisë familjare në komunën përkatëse.

    Gjithashtu, rekomandohet që të shmangen kontaktet e panevojshme me persona të dyshimtë në fruth që shfaqin simptoma, si temperaturë e lartë, skuqje, ndryshime në lëkurë, kollë apo rrufë. Çdo person me shenja të dyshimta në fruth, duhet të paraqitet menjëherë në institucionet shëndetësore.

    IKSHPK dhe institucionet shëndetësore janë duke bërë mbikëqyrjen aktive të situatës epidemiologjike dhe në gatishmëri të plotë për të menaxhuar situatën përmes ofrimit të shërbimeve të nevojshme për qytetarët. Paralelisht, po zbatohen masa konkrete në terren, përfshirë identifikimin e fëmijëve të pavaksinuar, kontaktimin aktiv të prindërve për t’i sjellë fëmijët për vaksinim, si dhe angazhimin e ekipeve mobile për vaksinimin me bazë në komunitet (derë më derë), në zonat me mbulueshmëri më të ulët të vaksinimit.

    IKSHPK rikujton se vaksinimi mbetet mënyra më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit dhe mbrojtjen e shëndetit publik. Çdo vonesë në vaksinim e rrit rrezikun për përhapje të mëtejshme dhe komplikime serioze, veçanërisht tek fëmijët dhe personat me imunitet të dobësuar.

    Mbrojtja e shëndetit publik është përgjegjësi e përbashkët, prandaj IKSHPK bën thirrje për bashkëpunim dhe përgjegjësi qytetare me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të fëmijëve.

  • Gashi: Do të garoj me numrin 28 – e rëndësishme është lidhja që krijohet me qytetarin

    Gashi: Do të garoj me numrin 28 – e rëndësishme është lidhja që krijohet me qytetarin

    Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se në këto zgjedhje të kandidojë për deputet, me numrin 28.

    Ai përmes një postimi në Facbook, tha se renditja ka rëndësinë e saj, por sipas tij, në fund më e rëndësishmja është lidhja që krijohet me qytetarin.

    “Sot u publikuan numrat e kandidatëve në listën e Lidhja Demokratike e Kosovës. Renditja ka rëndësinë e saj, por besoj se në fund më e rëndësishmja është lidhja që krijohet me qytetarin, besimi që ndërtohet dhe puna që bëhet me përkushtim”.

    “Demokracia është e bukur sepse i jep secilit mundësinë të zgjedhë me bindje dhe me zemër për Kosovën që dëshiron të shohë nesër. Unë do të garoj me numrin 28. Me shpresë, me energji pozitive dhe me vullnet për të vazhduar punën në shërbim të qytetarëve dhe të Kosovës sonë. Voto me bindje. Zgjedh me besim. Vendos me shpresë”, ka shkruar ai.

  • Një komunë e Malit të Zi me deklaratë ka shfuqizuar vendimin për njohjen e Kosovës

    Një komunë e Malit të Zi me deklaratë ka shfuqizuar vendimin për njohjen e Kosovës

    Kuvendi i Komunës së Zetës të Malit të Zi ka miratuar një deklaratë me të cilën është shfuqizuar vendimi për njohjen e Kosovës.

    Sipas raportimeve të RTCG, këshilltarët e Kuvendit Komunal të Zetës kanë votuar pro kësaj deklarate, duke e konsideruar si një akt politik të bazuar në qëndrimet e tyre ndaj vendimeve të mëparshme shtetërore.

    Në seancë është theksuar se institucionet e mëparshme të Malit të Zi, që nga shpallja e pavarësisë së vendit, kanë injoruar, sipas tyre, vullnetin e një pjese të qytetarëve lidhur me statusin e Kosovës, raporton rtcg.me.

    Deklarata gjithashtu përmban vlerësime politike për situatën e serbëve dhe malazezëve në Kosovë, duke pretenduar se pozita e tyre është përkeqësuar nën institucionet aktuale në Prishtinë.

    Me këtë akt, asambleja lokale e Zetës ka kërkuar simbolikisht anulimin e vendimit për njohjen e Kosovës nga ana e Malit të Zi, ndonëse vendime të tilla i takojnë nivelit shtetëror.

    Ndryshe, Mali i Zi e ka njohur Kosovën më 9 tetor 2008.

    Vendimi u mor nga Qeveria e atëhershme e Malit të Zi, e udhëhequr nga Milo Gjukanoviq, rreth shtatë muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.

  • Pal Lekaj njofton se s’do të jetë kandidat për deputet

    Pal Lekaj njofton se s’do të jetë kandidat për deputet

    Pal Lekaj ka njoftuar se nuk do të garojë për deputet në listën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në zgjedhjet e 7 qershorit.

    Ai tha se vendimi i tij hap rrugë për anëtarë të rinj në parti.

    Lekaj shprehu mbështetje për kandidatin për kryeministër Ardian Gjini dhe për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, ndërsa theksoi se do të vazhdojë angazhimin për fitoren e partisë në zgjedhje.

    Postimi i plotë:

    Të nderuar/a struktura të Aleancës,

    Të nderuar/a simpatizantë të Aleancës,

    Të dashur votues e mbështetës të mi,

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk është thjesht një grupim politik, por që nga themelimi i saj ka qenë dhe mbetet një familje politike që ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në shtetformimin, zhvillimin dhe sigurinë e atdheut.

    Në themel të kësaj rruge qëndron vizioni i Ramush Haradinajt, një burrështetas i cili që nga vitet ’90 artikuloi dhe ndërtoi ideologjinë e një Aleance për Liri dhe Pavarësi. Ai është ndër ideatorët dhe luftëtarët më të mëdhenj të historisë së lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, duke i dhënë drejtim dhe forcë një projekti politik me rrënjë kombëtare dhe vizion shtetndërtues.
    Unë besova në këtë ideologji që nga ditët e para dhe u rreshtova me zemër e mendje në familjen politike të Aleancës. Bashkë me Ramushin dhe shumë burra e gra të përkushtuar, në etapa të ndryshme të shtetit, përballuam sfida të mëdha dhe shpesh të paimagjinueshme për kohën.

    Për më shumë se 26 vite, Ramush Haradinaj ndërtoi një familje të fuqishme politike, duke mbledhur rreth vetes njerëzit më të zotë dhe më të përkushtuar të vendit. Kosova pati fatin që në dy mandate ai, bashkë me familjen politike të Aleancës, të ishte në krye të Qeverisë. Gjatë atyre mandateve u realizuan projekte dhe vendime të rëndësishme, të cilat sot janë pjesë e historisë më të re të Kosovës.

    Personalisht, kam pasur nderin të jem në krah të Ramushit gjatë gjithë rrugëtimit të tij politik. Të jesh pranë një udhëheqësi dhe burrështetasi si ai është fat dhe privilegj i veçantë.
    Sot, pas 26 vitesh, unë kam vendosur që në zgjedhjet e 7 Qershorit të mos garoj në listën e Aleancës, duke hapur dyert për anëtarët e rinj, por duke dhënë mbështetjen time absolute dhe duke u angazhuar edhe më shumë se asnjëherë më parë që Aleanca, bashkë me kandidatin për Kryeministër z. Ardian Gjini, të dalë fuqishëm në këto zgjedhje, me listën dhe emrat më të mirë që mund të ketë një grupim politik.

    Unë besoj se familja jonë politike, bashkë me kandidatin për Kryeministër z. Gjini, me përvojën e akumuluar ndër vite dhe me individët që kanë kaluar nëpër të gjitha etapat e shtetndërtimit, do të dalë faqebardhë në këto zgjedhje dhe do ta kthejë shpresën për qytetarët e vendit.

    Kryetari ynë, Ramush Haradinaj, do të mbetet gjithmonë shtyllë dhe themel i familjes sonë politike, andaj ju ftoj të gjithëve që të punojmë për fitoren e datës 7 Qershor.

  • Lista Serbe dorëzon listën për zgjedhjet e 7 qershorit, këta janë 25 kandidatët e saj për deputetë

    Lista Serbe dorëzon listën për zgjedhjet e 7 qershorit, këta janë 25 kandidatët e saj për deputetë

    Lista Serbe e ka dorëzuar listën e kandidatëve të saj për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit në Kosovë.

    Mediumi lokal Zubin Potok Info e ka publikuar listën e plotë me 25 kandidatë të Listës Serbe, të cilës i prin kryetari i kësaj partie Zlatan Elek.

    Ky medium shkruan se në listë ka edhe emra të rinj, por edhe funksionarë dhe anëtarë të njohur nga më herët.

    Lista e plotë:

    Zlatan Elek
    Igor Simiq
    Ljiljana Stevanoviq
    Slavko Simiq
    Sërgjan Popoviq
    Jovana Radosavljeviq
    Milan Joksimoviq
    Branislav Nikoliq
    Tanja Vujoviq
    Ivica Ceniq
    Zoran Goluboviq
    Verica Geraniq
    Milan Kostiq
    Marko Arsiq
    Ruzhica Bozhoviq
    Nemanja Bishevac
    Violeta Trajkoviq
    Sreten Ivanoviq
    Jelena Maksimoviq
    Mirosllav Vukojeviq
    Mirjana Barah
    Dushan Markoviq
    Filip Gjurgjeviq
    Aleksandra Simonoviq
    Ana Gjuriq

  • Besfort Zeneli ftohet nga Suedia për Botërorin 2026

    Besfort Zeneli ftohet nga Suedia për Botërorin 2026

    Ish-mesfushori i Kosovës U21, Besfort Zeneli, është përfshirë në listën e Suedia për FIFA World Cup 2026, i cili nis më 11 qershor.

    22-vjeçari luan si mesfushor dhe aktualisht është pjesë e Union SG. Ai ishte pjesë e Kosovës U21 gjatë periudhës 2022-2024, ku regjistroi gjashtë paraqitje, përpara se të vendoste ta vazhdonte karrierën ndërkombëtare me Suedinë.

    Kalimi i tij te suedezët është konkretizuar shpejt edhe në nivelin më të lartë, pasi Zeneli tashmë numëron gjashtë paraqitje me kombëtaren A të Suedisë.

    Debutimin e bëri më 22 mars 2025, duke hyrë kështu në planet e trajnerit përpara turneut më të madh të futbollit.

    Pavarësisht konkurrencës së fortë në mesfushë dhe pranisë së disa emrave të njohur nga Liga Premier, Zeneli ka arritur të sigurojë një vend në listën përfundimtare të Suedisë për Botëror.

    Rruga e Suedisë drejt kualifikimit nuk ishte e lehtë. Në grupin kualifikues ku ishte edhe Kosova, suedezët pësuan dy humbje ndaj “Dardanëve”: 2-0 në Prishtinë më 8 shtator dhe 1-0 në Goteborg më 13 tetor të vitit të kaluar.

    Në fund, Suedia e mbylli grupin në vendin e fundit, pas Zvicra, Kosovës dhe Sllovenia.

    Megjithatë, falë suksesit në Ligën e Kombeve, Suedia siguroi një shans të dytë përmes fazës “play-off”. Në gjysmëfinale triumfoi 3-1 ndaj Ukraina në Valencia, ndërsa më pas fitoi 3-2 ndaj Polonia, duke konfirmuar kualifikimin në Kupën e Botës.

    Në Botëror, Suedia do të garojë në Grupin F, ku do të përballet me Tunizinë, Holandën dhe Japoninë.