ATV

Blog

  • Raportohet se është gjetur një pjesë veshjeje pranë Manastirit të Deçanit, vazhdojnë kërkimet për gruan e zhdukur

    Raportohet se është gjetur një pjesë veshjeje pranë Manastirit të Deçanit, vazhdojnë kërkimet për gruan e zhdukur

    Zhdukja e një gruaje e cila është raportuar nga familjarët ditën e djeshme ka tronditur komunën e Deçanit.

    Ndërkohë, operacioni për kërkimin e saj po vazhdon.

    Kështu deklaroi për Klankosova Fadil Gashi, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës.

    “Operacioni i kërkimit po vazhdon. Në terren kanë dal policia dhe ekipet e kërkim shpëtimit. Ende nuk kemi ndonjë gjurmë të saj”, deklaroi Gashi

    Për rastin në fjalë, mbrëmë në Edicionin Special në Klan Kosova ka folur edhe Fidan Abazi nga Kërkim-Shpëtimi Malor i Kosovës.

    Sipas tij, gjatë kërkimeve është gjetur një pjesë veshjeje që dyshohet t’i përkasë gruas së zhdukur, në afërsi të Manastiri i Deçanit.

    “Ne jemi duke i zhvilluar aktivitetet tona të kërkimit edhe krejt çka mundemi me thanë deri më tani në këtë drejtim”, deklaroi ai

    Ndërkaq për gjendjen e saj shëndetësore, thuhet se ajo vuante nga depresioni.

  • BE do të ndalojë importet e mishit brazilian nga shtatori

    BE do të ndalojë importet e mishit brazilian nga shtatori

    Një komitet i BE-së i përbërë nga ekspertë nga shtetet anëtare votoi të martën për të ndaluar importet e mishit brazilian duke filluar nga 3 shtatori për shkak të përdorimit të antimikrobikëve për të stimuluar rritjen e kafshëve.

    Vendimi për të hequr Brazilin nga lista e vendeve që përputhen me standardet e sigurisë ushqimore të BE-së vjen në një kohë kur marrëveshja e tregtisë së lirë BE-Mercosur midis BE-së dhe Brazilit, Argjentinës, Paraguait dhe Uruguait hyri në fuqi përkohësisht më 1 maj.

    Marrëveshja, e cila liberalizon tregtinë e produkteve bujqësore midis të dy anëve të Atlantikut, mbetet e kundërshtuar ashpër nga fermerët e BE-së, të cilët kanë frikë se standardet e ndryshme të prodhimit në të dy anët e Atlantikut do të krijojnë konkurrencë të padrejtë nga importet e Amerikës Latine.

    “Fakti që Unioni është në gjendje të zbatojë rregullat është thelbësor për besimin, një fushë loje të barabartë dhe marrëdhënie të mira me partnerët tanë tregtarë”, tha një diplomat i BE-së për Euronews.

    Një zyrtar me njohuri për dosjen tha se votimi ishte unanim dhe e bën Brazilin vendin e parë të hequr nga lista e shteteve që përmbushin kufizimet e BE-së për përdorimin e antimikrobikëve te kafshët.

    Lista e vendeve të treta që përmbushin kërkesat e BE-së dhe për këtë arsye mund të eksportojnë kafshë prodhuese ushqimore në BE, do të miratohet zyrtarisht në ditët në vijim.

    Komisioni Evropian ka thënë vazhdimisht se rregullat e sigurisë ushqimore të BE-së do të vazhdojnë të zbatohen për produktet bujqësore të importuara nga Amerika Latine pasi marrëveshja të hyjë në fuqi.

    Zëdhënësja e Komisionit, Eva Hrncirova, konfirmoi për Euronews se nga 3 shtatori, Brazili nuk do të jetë më në gjendje të eksportojë në BE mallra të tilla si gjedhi, kuajt, shpendët, vezët, akuakultura, mjalti dhe zorrët.

    “Marrëveshjet tregtare nuk i ndryshojnë rregullat tona”, tha Hrncirova, duke shtuar: “Komisioni përcakton standardet e detyrueshme sanitare dhe fitosanitare të Unionit, dhe si fermerët tanë ashtu edhe eksportuesit nga vendet e treta duhet t’i zbatojnë ato”.

    Brukseli ka negociuar gjithashtu masa mbrojtëse që synojnë mbrojtjen e fermerëve të BE-së, duke përfshirë mekanizmat për të monitoruar ndërprerjet e mundshme të tregut nga një rritje e importeve nga vendet e Mercosur. U futën gjithashtu kuota për produktet e ndjeshme, duke përfshirë shpendët dhe mishin, shkruan Euronews.al.

    Pasi Brazili të demonstrojë pajtueshmëri me rregullat e sigurisë, BE-ja do të jetë në gjendje të rifillojë importet dhe Brazili do të jetë në gjendje të përfitojë nga i njëjti lehtësim tarifor si vendet e tjera të Mercosur.

  • Irani ekzekuton një burrë të akuzuar për spiunazh për Izraelin

    Irani ekzekuton një burrë të akuzuar për spiunazh për Izraelin

    Irani ka ekzekutuar një burrë të dënuar për spiunazh për shërbimin inteligjent të Izraelit, raportoi agjencia e lajmeve e gjyqësorit iranian, Mizan.

    Grupi për të drejtat e njeriut HRANA thotë se Ehsan Afrashteh, 32 vjeç, ishte dënuar me vdekje mbi bazën e rrëfimeve të fabrikuara, raporton skynews, transmeton Sinjali.

    Ai ishte arrestuar në vitin 2024 dhe ishte dënuar në vitin 2025, ndërsa Gjykata Supreme së fundmi kishte lënë në fuqi vendimin ndaj tij.

    Ekzekutimet janë bërë dukuri e rregullt që nga nisja e luftës Iran-Izrael.

  • Banorët e Rugovës protestojnë kundër vendimit për ndalimin e ndërtimeve

    Banorët e Rugovës protestojnë kundër vendimit për ndalimin e ndërtimeve

    Banorët e Rugovës do të protestojnë për të kërkuar pezullimin e vendimit për ndalimin e materialit ndërtimor në këtë zonë.

    Protesta do të mbahet sot, në ora 12:00, në hyrje të Grykës së Rugovës.

    “Rugova nuk është pa zë. Pezullojeni vendimin. Për zhvillimin e Rugovës! Për të drejtat e banorëve”, thuhet në njoftim.

  • Kryesia e Kuvendit të Kosovës mban sot mbledhje

    Kryesia e Kuvendit të Kosovës mban sot mbledhje

    Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mbajë sot mbledhje me fillim nga ora 11:00, në sallën C-301.

    Sipas rendit të ditës, në këtë mbledhje parashihet:

    – Miratimi i procesverbalit të mbledhjes së mëparshme të Kryesisë së Kuvendit;
    – Shqyrtimi i propozimeve dhe i kërkesave.

    Mbledhja mbahet në një periudhë kur Kuvendi i Kosovës tashmë është shpërbërë, pas vendimit të 28 prillit për shkuarje në zgjedhje të parakohshme. Shpërbërja e legjislaturës erdhi si rezultat i mosarritjes së një marrëveshjeje ndërmjet partive politike për zgjedhjen e presidentit të vendit, çka çoi në përfundimin e mandatit të Kuvendit dhe hapjen e rrugës për proces të ri zgjedhor.

    Megjithatë, edhe pas shpërbërjes së Kuvendit, Kryesia mund të zhvillojë mbledhje që lidhen me çështje administrative dhe procedurale deri në konstituimin e legjislaturës së re.

  • Një dekadë nga anëtarësimi i Kosovës në FIFA

    Një dekadë nga anëtarësimi i Kosovës në FIFA

    Si sot para dhjetë vitesh Kosova u bë anëtarja e 210-të e FIFA-s. FFK-ja mori 141 vota për anëtarësim, nga 164 votat valide në Kongresin e 66-të të FIFA-s që u mbajt në Meksiko City.

    Pas thyerjes së izolimit 25-vjeçar me datën 3 maj 2016 me anëtarësim në UEFA, misioni i Federatës së Futbollit të Kosovës u kompletua më 13 maj 2016, kur Kosova u pranua me shumicë votash si anëtare e FIFA-s. Një rrugëtim plotë mund e sakrifica që gjithsesi hapi një faqe të re të historisë së futbollit të Kosovës.

    Në Kongresin e FIFA-s, para votimit për anëtarësimin e FFK-së, të pranishmëve iu pati drejtuar anëtari i Këshillit të FIFA-s, Senesh Erzik, i cili theksoi se Kosova i kishte përmbushur të gjitha kriteret për të qenë pjesë e FIFA-s.

    Më pas një fjalim e mbajti edhe kryetari i atëhershëm i FFK-së, i ndjeri Fadil Vokrri, i cili u sqaroi delegatëve se futbolli në Kosovë ka një historik të madh dhe iu kujtoi se tashmë Kosova ishte pranuar nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe nga shumë federata tjera sportive ndërkombëtare.

    Në fund të fjalimit të tij Vokrri tha se futbolli është për të gjithë dhe të gjithë duhet të jenë për futbollin, duke kërkuar që Kosova të marrë votat e të pranishmëve për anëtarësim në FIFA.

    Pas Vokrrit delegatëve iu drejtua nënkryetari i Federatës së Futbollit të Serbisë, i cili kundërshtoi anëtarësimin e Kosovës, por pas përfundimit të fjalimit të tij presidenti i FIFA-s, Gianni Ifantino theksoi se Kongresi është trupi suprem që vendos për çështjen e Kosovës dhe kërkoi që të kalohet në votimin elektronik, ku Kosova mori 141 vota.

    Në fjalimin e tij para Kongresit pas pranimit Vokrri falënderoi presidentin e FIFA-s, zëvendëpresidentët dhe të gjithë anëtarët e Këshillit të FIFA-s.

    “Kjo është një datë shumë e rëndësishme për ne, pasi sot jemi pjesë e FIFA-s. Të gjithë në Kosovë i gëzohen këtij vendimi të Kongresit të FIFA-s. E kemi pritur një kohë të gjatë këtë vendim dhe jemi shumë të lumtur. Ju premtoj se ne do t’i mbrojmë vlerat e futbollit”, pati deklruar Vokrri, i cili në mënyrë simbolike mori emblemën e FIFA-s si dhuratë nga presidenti Infantino.

  • Gucati: Për herë të parë në Speciale u dorëzuan dokumente me logon e OVL-UÇK-së

    Gucati: Për herë të parë në Speciale u dorëzuan dokumente me logon e OVL-UÇK-së

    Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka deklaruar se peticioni me mbi 200 mijë nënshkrime i cili u dorëzua me 6 maj në Gjykatën Speciale përfaqëson mbështetjen e qytetarëve për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

    Ndërsa tha se për herë të parë në këtë gjykatë është dorëzuar dokumentacion me logon e OVL-UÇK-së.

    Gucati tha se peticioni është dorëzuar bashkë me dokumentacionin përcjellës në gjuhën shqipe dhe angleze, ndërsa tregoi se delegacioni i OVL-UÇK-së është pritur nga administrata e Gjykatës Speciale para terminit zyrtar të takimit.

    “Është e vërtetë, ne si organizatë të veteranëve bashkë me disa studentë nga Prizreni edhe vende të tjera kemi organizuar një peticion ku kemi arritur aty ku kemi menduar, ne kemi menduar pak më shumë të jetë, të jemi të sinqertë, afër 300 mijë po që aq s’kemi mujt me i bë 300 mijë, i kemi bë 200 e diçka mijë janë nënshkrime — edhe i kemi dorëzuar të mërkurën me 6 maj. I kemi dorëzuar direkt në Gjykatën Speciale, ku ka qenë një pritje jashtëzakonisht, na kanë befasuar për të mirë kësaj radhe që s’ka ndodhur përpara”, tha ai për EO.

    Ai tha se administrata e Gjykatës Speciale ka treguar korrektësi të lartë gjatë pranimit të peticionit dhe se ai bashkë me Salih Bislimin nuk janë kontrolluar nga sigurimi, ndryshe nga herët e tjera.

    “Ka qenë një korrektësi shumë e lartë, niveli më i lartë. Nuk ka qenë sigurimi me na kontrollu. Kanë ardhë 30 minuta para kohës na kanë marrë, se ne e kemi pasur terminin në orën 11:00, ata kanë dalë në orën 10:30 na kanë parë kamerat edhe ka ardhë sigurimi. Aty na kanë pyet, ne i kemi tregu që kemi pru peticionet, i lajmëroni dikë, e kanë lajmëru administratën. Administrata ka dalë dhe kemi hyrë brenda në Gjykatën Speciale. Edhe i kemi dorëzuar të gjitha peticionet me një kontroll rutinore që kanë bërë ata që e kanë obligative me i kontrollu, po mua e Salihun nuk na kanë kontrollu. Na ka befasuar hera e parë që ndodh mos me na kontrollu. Edhe i kanë marrë peticionet, i kemi tregu sa faqe janë — na kanë pyet sa faqe i keni ne i kemi thënë janë afër 9 mijë faqe me nga 25 emra”, tha ai.

    Gucati tha se për herë të parë në ambientet e Gjykatës Speciale është dorëzuar dokumentacion me logon e OVL-UÇK-së, gjë që sipas tij ka tërhequr vëmendjen e administratës së gjykatës.

    “Po çka ka qenë aty një interesant për ta, peticioni është i dorëzuar me logon e Organizatës të Veteranëve të Luftës, me ngjyrë të kuqe është Organizata e Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Seli Qendrore, Prishtinë, Kosovë edhe pak ju ka rënë në befasi kur e ka parë, se ato janë të ndaluara rreptësishtë shenjat e çdo ushtrie dhe për të parën herë kjo logo hyn brenda në gjykatë, në Gjykatën Speciale. Ka hyrë logoja jonë këtu dhe e kanë pranuar ata. Edhe ne i thamë: “Kemi bërë dorëzim-pranim në mënyrë zyrtare”. Çdo send ka qenë me protokoll”, tha ai.

    Ai tha se peticioni nuk ka efekt juridik, por sipas tij ka efekt njerëzor dhe human, pasi tregon mbështetjen e qytetarëve për ish-krerët e UÇK-së.

    “Peticioni unë e di që s’ka efekt juridik, jam i vetëdijshëm për këtë punë, shumë e kuptoj se s’ka efekt juridik. Po ka efekt njerëzor edhe efekt që shqiptarët janë në mbështetje të njerëzve që mbahen padrejtësisht në burg në Hagë. Do të thotë e ka efektin njerëzor edhe human që tregojnë që 200 mijë nënshkrime, 200 mijë njerëz kanë nënshkruar që Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka qenë ushtri kriminale”, tha ai.

    Gucati tha se përmes dokumentacionit të dorëzuar në Hagë kanë kërkuar drejtësi, trajtim të barabartë dhe lirimin e ish-krerëve të UÇK-së.

    “Është e padrejtë kjo seancë që po mbahet ne, edhe dokumentin që kemi shkruar aty kërkojmë drejtësi dhe barazi në dokumentacion, është në gjuhën shqipe dhe gjuhën angleze ku është dorëzuar, se bashkërisht me peticionin duhet dorëzuar edhe dokumentacioni se çka po kërkon ju. Dhe ne e kemi dorëzuar dokumentacionin që kërkojmë: kërkojmë lirimin e shokëve tonë, kërkojmë që gjykata mos të jetë e njëanshme, kërkojmë që gjykata mos të jetë politike dhe kërkojmë që çdo provë materiale e tyre të bazohet në realitetin dhe jo në gënjeshtrat e Serbisë, apo me gënjeshtra të disa-disave që kanë shkuar aty dhe kanë gënjyer apo kanë rrejt publikisht. Kështu që kjo është e shkruar në gjuhën shqipe dhe gjuhën angleze, në dy gjuhët është e shkruar, krejt me logon e OVL-UÇK-së dhe me vulën tonë dhe me nënshkrimin tim si kryetar i veteranëve të luftës”, tha ai.

    Ai komentoi edhe shtyrjen për 60 ditë të shpalljes së aktgjykimit për ish-krerët e UÇK-së, duke thënë se rëndësi ka që vendimi të jetë pozitiv për ta.

    “Më e shumta në Hagë ku e dëgjuam lajmin, një lajm shumë të keq që u shty për 60 ditë (shpallja e aktgjykimit). Dhe ne kemi reaguar menjëherë, kemi bërë një reagim si organizatë. Unë pse e kanë shtyrë nuk kam frikë. Edhe po u shty, më mirë ndoshta vonë po me u liru. Me rëndësi me u liru ata, s’më intereson mua sot a nesër, sa më shpejt më mirë gjithmonë, po verdikti të jetë në anën tonë pozitive, të mundshme më të mirë dhe të jetë në realitetin tonë”, tha ai.

    Ai tha se pret që ish-krerët e UÇK-së të shpallen të pafajshëm, duke shtuar se qytetarët shqiptarë po e presin me padurim lirimin e tyre.

    “Kështu që unë e di që ne presim pa durim, jo vetëm unë si kryetar i organizatës edhe si veteran po të gjithë qytetarët shqiptarë kudo jemi e presim pa durim lirimin e tyre. Dhe unë, jo që më ka thënë dikush, po kështu ma ndien zemra edhe kështu mendoj në trurin tim që ata do të lirohen me emër të Zotit. Do të dalin të pafajshëm duke e ditur me kënd kanë të bëjnë me njerëz që kanë shpifur, me njerëz që kanë rrejt, letra apo dokumentacionet që kanë marrë nga Serbisë, nga Vuçiçi e të tjerët që kanë marrë kanë bashkëpunuar e kanë marrë dokumente ku ju e dini edhe raportin e fundit të avokatit të popullit bashkërisht me një organizatë angleze që kanë dalë shkeljet e sendet, edhe këtu besoj se do të dalin të lirë”, tha ai.

    Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka dorëzuar me 6 maj në Gjykatën Speciale peticionin kombëtar për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen atje.

    Kujtojmë se rreth dy muaj para shpalljes së vendimit për katërshen e UÇK-së, Speciales në Hagë u janë dorëzouar mbi 200 mijë nënshkrimet e mbledhura në mbrojtje të vlerave të luftës.

  • Ministri Dukaj: Deklarata kundër Kosovës, sulm ndaj institucioneve dhe tejkalim i kompetencave lokale

    Ministri Dukaj: Deklarata kundër Kosovës, sulm ndaj institucioneve dhe tejkalim i kompetencave lokale

    Ministri i Administratës Publike në Mal të Zi, Marash Dukaj, ka reaguar ndaj vendimit të Kuvendit të Komunës së Zetës, i cili miratoi një deklaratë për “shfuqizimin” e njohjes së Kosovës në territorin e asaj komune, duke e cilësuar këtë veprim si një hap prapa në ndërtimin e së ardhmes evropiane të Malit të Zi.

    Përmes një postimi në rrjetin social X, Dukaj tha se nuk është i befasuar nga deklarata e Kuvendit të Komunës së Zetës për anulimin e vendimit shtetëror për njohjen e Republikës së Kosovës.

    Ai theksoi se, pa hyrë në aspektet kushtetuese dhe juridike që këtij akti politik nuk i japin karakter detyrues, bëhet fjalë për një përpjekje për të marrë kompetenca që nuk i takojnë pushtetit lokal dhe për ndërhyrje në marrëdhëniet e mira fqinjësore, të cilat, sipas tij, janë një nga objektivat kryesore të shtetit.

    “Në vend që komuna më e re të përqendrohet në krijimin e kushteve më të mira për jetën dhe mirëqenien e qytetarëve të saj, po dëshmojmë përpjekje për dobësimin e institucioneve përmes devijimeve brenda sistemit, të motivuara nga interesa të ngushta politike dhe strategji gjeopolitike të lidhura me to”, deklaroi Dukaj.

    Në fund, ai vlerësoi se ky veprim përbën “një hap prapa në ndërtimin e së ardhmes evropiane”, duke paralajmëruar se iniciativa të tilla mund të dëmtojnë orientimin proevropian dhe stabilitetin institucional të vendit.

  • AKR-ja nuk garon në zgjedhjet e 7 qershorit

    AKR-ja nuk garon në zgjedhjet e 7 qershorit

    Aleanca Kosova e Re ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 7 qershor.

    Në një njoftim për media, ky subjekt politik ka thënë se në këtë fazë nuk e konsideron garimin në procese zgjedhore.

    “Ky është një vendim i menduar me përgjegjësi dhe me fokus të plotë tek e ardhmja e AKR-së. Në periudhën në vijim, energjia jonë do të përqendrohet në ristrukturimin e tërësishëm të partisë, riorganizimin e brendshëm, krijimin e një platforme të hapur për ide dhe hartimin e një programi modern që adreson realisht sfidat dhe nevojat e qytetarëve të Kosovës.”, thuhet në njoftim.

    AKR-ja ka deklaruar se qytetarët kanë nevojë për një alternativë serioze, profesionale dhe të besueshme politike.

    “Prandaj, ky proces reformimi synon ta pozicionojë AKR-në si një forcë politike për të gjithë ata që kanë humbur besimin tek politika dhe tek mënyra se si është bërë politika deri më sot.”, thuhet ndër të tjerash në njoftim.

  • Ende pa emra nga PDK-ja, ja kush prijnë në 10-shën e listave të partive tjera

    Ende pa emra nga PDK-ja, ja kush prijnë në 10-shën e listave të partive tjera

    Teksa partitë politike në Kosovë kanë nisur publikimin e listave të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 7 qershorit 2026, Partia Demokratike e Kosovës ende nuk e ka zyrtarizuar listën e plotë, ndonëse në media tashmë kanë qarkulluar emrat e kandidatëve kryesorë të saj.

    Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tashmë kanë publikuar listat e plota me emrat e kandidatëve që do të garojnë për Kuvendin e Kosovës.

    Në top 10 e listës së Lëvizjes Vetëvendosje janë këta emra: Albin Kurti, Glauk Konjufca, Donika Gërvalla, Avndi Dehari, Albulena Haxhiu, Hekuran Murati, Xhelal Sveçla, Mimoza Kusari-Lila, Hajrulla Çeku dhe Shqipe Mehmeti-Selimi.

    Në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në top 10 e parë janë renditur këto figura: Vjosa Osmani, Lumir Abdixhiku, Kujtim Shala, Doarsa Kica-Xhelili, Lutfi Haziri, Jehona Lushaku-Sadriu, Albena Reshitaj, Ukë Rugova, Jeta Statovci dhe Anton Quni.

    Top 10 e listës së tyre janë: Ardian Gjini, Besnik Tahiri, Time Kadrijaj, Bekë Berisha, Arbër Tolaj, Albana Bytyqi, Burim Ramadani, Avni Arifi, Diellza Kukaj dhe Agim Çeku.

    Ndërsa sipas informacioneve të publikuara deri më tani, në listën e Partisë Demokratike të Kosovës pritet të jenë: Bedri Hamza, Uran Ismaili, Vlora Çitaku, Përparim Gruda, Arian Tahiri, Blerta Deliu, Ganimete Musliu e emra të tjerë.

    Afati për dorëzimin e listave të kandidatëve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ka përfunduar mbrëmë.

    KQZ-ja ka bërë të ditur se të gjithë kandidatët që synojnë të garojnë për Kuvendin e Kosovës do t’i nënshtrohen procesit të verifikimit institucional, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.

    Sipas KQZ-së, përmes këtij procesi do të shqyrtohet nëse kandidatët i plotësojnë kriteret ligjore për certifikim, bazuar në nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshëm.