ATV

Blog

  • José Mourinho pranë rikthimit te Real Madrid

    José Mourinho pranë rikthimit te Real Madrid

    José Mourinho pritet të rikthehet në stolin e Real Madrid, në një lëvizje që mund të zyrtarizohet gjatë javës së ardhshme.

     

    Sipas raportimeve të gazetarit Sacha Tavolieri, marrëveshja mes trajnerit portugez dhe klubit madrilen tashmë është arritur, ndërsa mungon vetëm njoftimi zyrtar nga palët.

     

    Mourinho aktualisht është pjesë e Benfica, ndërsa kontrata e tij përfshin një klauzolë largimi prej tre milionë eurosh.

     

    Rikthimi i “The Special One” shihet si një përpjekje e Real Madridit për të rikthyer stabilitetin pas një sezoni të vështirë dhe pa trofe, ku skuadra është përballur me probleme sportive dhe tensione të brendshme.

     

    Për Mourinhon, kjo do të ishte aventura e dytë në “Santiago Bernabéu”, pasi ai drejtoi madrilenët edhe në periudhën 2010–2013. Gjatë asaj kohe, portugezi fitoi La Liga dhe Copa del Rey, duke lënë gjurmë të rëndësishme në klub.

     

    Ai pritet të zëvendësojë Álvaro Arbeloa, i cili nuk arriti të fitojë trofe gjatë drejtimit të skuadrës.

     

    Sipas mediave spanjolle, rikthimi i Mourinhos konsiderohet si një tentativë për të rikthyer disiplinën, karakterin dhe konkurrueshmërinë në ekipin madrilen.

  • Ish-komandant i Brigadës 124 të UÇK-së, Skender Hoxha i bashkohet listës së PDK-së për deputetë

    Ish-komandant i Brigadës 124 të UÇK-së, Skender Hoxha i bashkohet listës së PDK-së për deputetë

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka njoftuar se listës së kandidatëve për deputetë i është bashkuar edhe Kolonel Skender Hoxha, një emër i njohur në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes në Kosovë.

    Hamza vlerësoi lart kontributin shumëvjeçar të Hoxhës, duke theksuar se ai ka shërbyer me dekada për vendin, që nga lufta çlirimtare e deri te ndërtimi dhe forcimi i institucioneve të sigurisë së Kosovës.

    Sipas tij, Skender Hoxha ka mbajtur pozita të rëndësishme, si ish-komandant i Brigadës 124 të UÇK-së, ish-atashe ushtarak i Kosovës në Zagreb dhe Komandant i Gardës Kombëtare. Për kontributin e tij në shërbim të shtetit, ai është nderuar edhe me Medaljen e Karrierës.

    “Në një kohë kur Kosova ka nevojë për njerëz me integritet, përvojë dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie, ardhja e Kolonel Skender Hoxhës është një vlerë e shtuar për ekipin tonë”, ka deklaruar Hamza.

  • Yamal ndez rivalitetin klasik, mesazh provokues ndaj Real Madrid CF në festën e titullit

    Yamal ndez rivalitetin klasik, mesazh provokues ndaj Real Madrid CF në festën e titullit

    Lamine Yamal ka qenë sërish në qendër të vëmendjes gjatë festimeve të titullit të La Ligës, duke ndezur atmosferën në rrugët e Barcelonës me një mesazh që u interpretua si provokim ndaj rivalëve të përjetshëm, Real Madrid CF.

    Talenti i ri i FC Barcelona e ndoqi fundin e sezonit nga stoli për shkak të një dëmtimi në kofshë që e la jashtë fushave në javët vendimtare. Megjithatë, kjo nuk e pengoi aspak që të jetë pjesë e festës madhështore të ekipit katalanas pas sigurimit të titullit.

    Gjatë paradës me autobus të hapur nëpër qytet, Yamal tërhoqi vëmendjen me një detaj që u bë menjëherë viral. Ai mbante një fanellë me mbishkrimin: “Falë Zotit nuk jam madrilen”, një frazë që u pa gjerësisht si thumb ndaj Real Madridit.

    Ndërkohë, sezoni për madrilenët ka përfunduar pa trofe, duke sjellë zhgënjim të madh në “Santiago Bernabéu”. Mediat spanjolle kanë raportuar për tensione të brendshme në skuadër, si dhe për pakënaqësi mes disa lojtarëve.

    Përmendjet për përplasje të mundshme mes Aurélien Tchouaméni dhe Federico Valverde kanë qarkulluar në media, edhe pse të dy futbollistët kanë mohuar se ka pasur ndonjë konflikt serioz.

    Në anën tjetër, tifozët e Barcelonës po e shijojnë maksimalisht momentin e suksesit, ndërsa Lamine Yamal po shihet gjithnjë e më shumë si një nga figurat e reja që nuk ngurron të ndezë rivalitetin klasik mes dy gjigantëve të futbollit spanjoll.

  • Brazili goditet rëndë para Botërorit- Estêvão humbet Kupën e Botës 2026

    Brazili goditet rëndë para Botërorit- Estêvão humbet Kupën e Botës 2026

    Kombëtarja e Brazilit ka marrë një tjetër goditje të rëndë para Kupës së Botës 2026 , pasi talenti brazilian Estêvão Willian nuk do të luajë në turne për shkak të një dëmtimi serioz.

    Sipas ESPN, sulmuesi i ri i Chelsea FC nuk është përfshirë as në listën paraprake prej 55 lojtarësh që trajneri Carlo Ancelotti ka dërguar në FIFA.

    19-vjeçari pësoi dëmtim në muskulin e kofshës së djathtë më 18 prill, gjatë humbjes së Chelseat ndaj Manchester United. Edhe pse fillimisht kishte shpresa për rikuperim, stafet mjekësore të Brazilit dhe klubit anglez nuk mund të garantonin se ai do të ishte gati në kohë për Botërorin.

    Para lëndimit, Estêvão konsiderohej si një nga emrat e sigurt për Kupën e Botës, sidomos pasi Ancelotti vlerësonte shumë cilësitë e tij.

    Problemet për Brazilin nuk ndalen me kaq. Për shkak të dëmtimeve serioze, Ancelotti nuk mund të llogarisë as në dyshen e Real Madrid, Éder Militão dhe Rodrygo, të cilët priteshin të kishin rol të rëndësishëm në ekip.

    Sipas burimeve pranë kombëtares, vetë Estêvão e kishte kuptuar se shanset për të luajtur ishin shumë të vogla dhe mbeti i zhgënjyer kur u rikthye te Palmeiras për të vazhduar rehabilitimin.

    Ndërkohë, tifozët brazilianë kanë pritur mirë rikthimin e mundshëm të Neymar në listën e zgjeruar të ekipit kombëtar. Golashënuesi më i mirë në historinë e Brazilit me 79 gola është një nga emrat që Ancelotti po shqyrton për listën finale prej 26 lojtarësh.

    Megjithatë, mungesa e disa prej yjeve kryesorë mbetet një goditje e madhe për Brazilin në synimin për ta rikthyer titullin e botës, të cilin e pret që nga viti 2002.

  • SHBA planifikon rritjen e pranisë ushtarake në Grenlandë, Danimarka pranon të negociojë

    SHBA planifikon rritjen e pranisë ushtarake në Grenlandë, Danimarka pranon të negociojë

    Shtetet e Bashkuara kanë nisur bisedime me Danimarkën për të rritur praninë e tyre ushtarake në Grenlandë, në një marrëveshje që mbetet më e kufizuar krahasuar me kërcënimet e mëparshme për ta marrë ishullin nën kontroll. Sipas një gjenerali të lartë, Washingtoni po kërkon qasje në tri baza, përfshirë dy ish-baza ushtarake amerikane të braktisura, për të ndërtuar pista ajrore dhe porte.

    Kjo do të ishte zgjerimi i parë i pranisë ushtarake amerikane në Grenlandë pas disa dekadash, por nuk arrin nivelin e planeve të mëparshme të Donald Trump për të marrë kontrollin e ishullit arktik ose për të krijuar baza amerikane me sovranitet të plotë.

    Bisedimet po zhvillohen në kuadër të marrëveshjes së mbrojtjes të vitit 1951 mes Danimarkës dhe SHBA-së, e cila i lejon Amerikës të ndërtojë dhe zgjerojë objekte ushtarake në Grenlandë, territor autonom nën Danimarkë.

    Aktualisht, baza hapësinore Pituffik është e vetmja bazë ushtarake amerikane në Grenlandë, e vendosur në veriperëndim të ishullit. Ajo funksionon që nga marrëveshja e vitit 1951 dhe ka rol kyç në sistemin amerikan të paralajmërimit të hershëm, mbrojtjes raketore dhe mbikëqyrjes hapësinore.

    Zëdhënësja e Komandës Veriore të SHBA-së, nënkolonele Teresa C. Meadows, tha se SHBA dëshiron të zgjerojë praninë pranë qytetit jugor Narsarsuaq dhe në Kangerlussuaq, në pjesën perëndimore të Grenlandës.

    Qeveria daneze nuk komentoi menjëherë raportimin e New York Times, i cili citonte një prezantim të fundit të një gjenerali amerikan para ligjvënësve amerikanë dhe një zëdhënësi të ushtrisë amerikane.

    The Telegraph mëson se për Danimarkën, dorëzimi i sovranitetit mbi Grenlandën në çfarëdo forme është vijë e kuqe. Kjo mund të ketë bërë që Kopenhaga të refuzojë më herët një propozim amerikan për baza sovrane, të ngjashme me modelin britanik në Qipro.

    Sipas New York Times, gjenerali Gregory Guillot, shefi i Komandës Veriore të SHBA-së, u tha ligjvënësve amerikanë në mesin e marsit se ushtria po kërkon “qasje më të madhe në baza të ndryshme në Grenlandë, për shkak të rritjes së kërcënimeve dhe rëndësisë strategjike të ishullit”.

    Danimarka duket se e sheh marrëveshjen me SHBA-në si një zbutje të qëndrimeve të mëparshme amerikane për Grenlandën, por në vetë Grenlandën ka shqetësime për zgjerimin e pranisë ushtarake amerikane dhe pasojat mjedisore që mund të sjellë ndërtimi i bazave të reja.

    Tensionet mes Washingtonit dhe Kopenhagës u rritën në janar, pasi Donald Trump kërcënoi se mund ta merrte Grenlandën me forcë, duke e arsyetuar me interesat e sigurisë kombëtare të SHBA-së. Pas kësaj përplasjeje diplomatike, të dy vendet ranë dakord të zhvillojnë negociata për çështjet e sigurisë dhe për mundësinë e zgjerimit të bazave ushtarake amerikane në ishull.

    Trump kishte deklaruar më herët se SHBA duhet të marrë kontrollin e Grenlandës për shkak të rritjes së pranisë së Kinës dhe Rusisë në rajonin e Arktikut. Ai pretendoi gjithashtu se ujërat përreth Grenlandës ishin të mbushura me anije ruse dhe kineze, por këto deklarata u hodhën poshtë nga autoritetet daneze, ekspertët e sigurisë dhe monitoruesit e trafikut detar, të cilët i cilësuan si të pavërteta.

  • FC Barcelona interesohet për João Pedro-Chelsea heziton ta vë në shitje

    FC Barcelona interesohet për João Pedro-Chelsea heziton ta vë në shitje

    FC Barcelona po shfaq interes gjithnjë e më të madh për sulmuesin brazilian João Pedro përpara afatit kalimtar të verës, sipas raportimeve të El Chiringuito TV.

    Sulmuesi i Chelsea FC vlerësohet shumë nga trajneri i ri i Barcelonës, Hansi Flick, i cili e konsideron atë një profil ideal për forcimin e repartit ofensiv të skuadrës katalanase.

    Sipas raportimeve, Barcelona mund të intensifikojë përpjekjet për transferimin e tij, veçanërisht në një situatë ku emra të tjerë për sulmin, përfshirë Julián Álvarez, janë lidhur me lëvizje të mundshme drejt Paris Saint-Germain.

    João Pedro shihet si një lojtar që përshtatet me kërkesat taktike të Barcelonës, falë lëvizshmërisë, teknikës dhe fleksibilitetit në fazën sulmuese.

    Megjithatë, qëndrimi i Chelseat mbetet i qartë. Klubi anglez nuk ka ndërmend të dëgjojë oferta për brazilianin gjatë kësaj vere, pavarësisht interesimit në rritje nga klubet evropiane.

    Gjithsesi, zhvillimet në merkato dhe interesimi i Barcelonës mund të ndikojnë në të ardhmen e lojtarit në muajt në vijim, sidomos nëse ai kërkon më shumë hapësira ose një sfidë të re në karrierë.

    24-vjeçari ka zhvilluar 48 ndeshje zyrtare në të gjitha garat këtë sezon, duke realizuar 20 gola dhe 9 asistime.

  • Real Madrid në krizë pavarësisht “galaktikëve”, projekti me Mbappenë shihet si zhgënjim

    Real Madrid në krizë pavarësisht “galaktikëve”, projekti me Mbappenë shihet si zhgënjim

    Projekti aktual i Real Madrid, i ndërtuar rreth Kylian Mbappé, Vinícius Júnior, Jude Bellingham dhe Federico Valverde, po konsiderohet si një dështim pas sezonit zhgënjyes 2025/26.

    Katërshja e yjeve ka një vlerë totale tregu prej rreth 610 milionë eurosh, sipas faqes së specializuar Transfermarkt. Mbappé vlerësohet me 200 milionë euro, Vinícius me 150 milionë euro, Bellingham me 140 milionë euro dhe Valverde me 120 milionë euro.

    Pavarësisht talentit të jashtëzakonshëm, madrilenët kanë hasur vështirësi të mëdha kolektive gjatë gjithë sezonit. Mbappé ka realizuar 41 gola, por shumë tifozë besojnë se kontributi i tij nuk është reflektuar në sukses në momentet vendimtare.

    Raportimet flasin edhe për mungesë harmonie brenda dhomës së zhveshjes. Ndërkohë, situata e Viníciusit mbetet e paqartë, pasi braziliani ka edhe një vit kontratë dhe negociatat për rinovim ende nuk kanë përfunduar.

    Edhe Bellingham nuk ka kaluar një sezon të lehtë, pasi dëmtimet ndikuan ndjeshëm në formën e tij. Nga ana tjetër, Valverde raportohet se është i pakënaqur me ndryshimet e vazhdueshme të pozicionit në fushë.

    Shqetësimi më i madh te Real Madridi mbetet fakti se skuadra, megjithëse e mbushur me yje të mëdhenj, nuk ka arritur të krijojë mentalitetin dhe lidershipin e nevojshëm për të dominuar vazhdimisht gjatë sezonit.

  • Gucati: OVL e UÇK-së kërkon kthimin e krahut të luftës në pushtet

    Gucati: OVL e UÇK-së kërkon kthimin e krahut të luftës në pushtet

    Kryetari i OVL UÇK-së, Hysni Gucati, ka deklaruar se kjo organizatë dëshiron kthimin e krahut të luftës në politikë.

    Ai tha se OVL UÇK-ja kërkon të ketë bashkëpunim të ngushtë me secilën parti, megjithatë, ai shtoi se si organizatë dëshirojnë kthimin e krahut të luftës edhe në pushtet.

    “Qëllimi ynë ka qenë gjithmonë që të jemi bashkë në një tryezë”, tha Gucati në Klan Kosova.

    “Ne ende kemi nevojë për liderë të fortë. Mendoj që korriku nuk do të shkojë e ata do të kthehen”, tha ai për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

  • Haxhiu e Kurti bëjnë homazhe te varri i heroit Agron Rrahmani

    Haxhiu e Kurti bëjnë homazhe te varri i heroit Agron Rrahmani

    Në 28-vjetorin e rënies së Heroit të Kombit, Agron Rrahmani, homazhe te varri i tij kanë bërë ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

    Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu tha se Rrahmani ishte luftëtar i guximshëm, por më shumë se kaq ishte edhe njeri i organizimit ushtarak në qytet.

    “Agroni me shokë mori përsipër punë që nuk dukeshin gjithmonë para syve të njerëzve, por pa të cilat lufta nuk mund të ecte: organizim, lëvizje, përgatitje, lidhje mes njerëzve dhe besim të plotë se Kosova duhej të çlirohej”.

    “Agroni ra heroikisht me 12 maj 1998. Ajo ishte javë e kobshme për luftën tonë dhe një nga goditjet më të rënda të organizimit të hershëm të luftës çlirimtare. Para rënies së tij, kishte rënë me 7 maj Bahri Fazliu dhe me 9 maj Ilir Konushevci. Lavdi e përjetshme heroit Agron Rrahmai dhe të gjithë heronjëve dhe dëshmorëve të kombit!”, ka shkruar ajo.

  • Konjufca e Kryenegociatori Bajrami takohen me Sorensenin në Bruksel: Finalja të jetë njohja reciproke

    Konjufca e Kryenegociatori Bajrami takohen me Sorensenin në Bruksel: Finalja të jetë njohja reciproke

    Kryediplomati në detyrë, Glauk Konjfuca, bashkë me Kryenegociatorin, Agron Bajrami, kanë takuar sot në ambasadën e Kosovës në Bruksel, emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

    Konjufca ka thënë se në këtë takim kanë diskutuar për avancimin e dialogut për normalizim me Serbinë.

    Ai ka shtuar tutje se Kosova mbetet e përkushtuar për angazhim kontruktiv dhe synim që dialogu me Serbinë të mbyllet me njohje reciproke.

    “Së bashku me Kryenegociatorin tonë Agron Bajrami, riafirmuam se Republika e Kosovës mbetet plotësisht e përkushtuar dhe e angazhuar në mënyrë konstruktive, me qëllimin e qartë për të përfunduar procesin përmes njohjes së ndërsjellë”, ka thënë Konjufca.