ATV

Blog

  • Dani Carvajal mbetet jashtë listës së Spanjës për ndeshjet e Botërorit

    Dani Carvajal mbetet jashtë listës së Spanjës për ndeshjet e Botërorit

    Mbrojtësi i Real Madrid, Dani Carvajal, nuk do të jetë pjesë e kombëtares së Spanja për ndeshjet e ardhshme të Botërorit.

    Sipas raportimeve nga mediat spanjolle, Carvajal pritet të mbetet jashtë listës së trajnerit Luis de la Fuente, e cila do të publikohet gjatë ditëve në vijim.

    Mungesa e mbrojtësit të djathtë konsiderohet një goditje për kombëtaren spanjolle, duke marrë parasysh përvojën dhe rëndësinë e tij në repartin defensiv.

    Ende nuk janë bërë të ditura arsyet zyrtare të mosftesës, ndërsa pritet që federata spanjolle dhe trajneri De la Fuente të japin më shumë detaje pas publikimit të listës zyrtare.

  • Raportimet se ai dhe Bajrami mbetën jashtë 10-shës së LDK-së, reagon Hoti

    Raportimet se ai dhe Bajrami mbetën jashtë 10-shës së LDK-së, reagon Hoti

    Në media u raportua se Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka lënë jashtë dhjetëshes së parë, Hykmete Bajramin dhe Avdullah Hotin.

    Për këtë të fundit u raporua se ai është pozicionuar me numër 11 si kandidat për deputet nga LDK-ja, ndërsa Hykmete Bajrami me numër 12.

    Për këtë ka reaguar vetë Hoti në Facebook, ku ka shkruar se rëndësi ka numri i LDK-së, pasi numrat tjerë i përcaktojnë qytetarët.

    “Numri i vetëm që ka rëndësi është numri i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Numrat e tjerë i përcaktojnë qytetarët. I juaji, Avdullah Hoti”, ka shkruar Hoti në Facebook.

    Subjektet politike kanë veç edhe sot afat për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë, me të cilët do të garojnë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi bëri të ditur se afati do të përfundojë të martën në mesnatë.

    “Sot, në orën 24:00, përmbyllet afati 11-ditor për subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) për të dorëzuar listën me emrat e kandidatëve për deputetë për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit. Dorëzimi i listës me emrat e kandidatëve për deputetë, duhet të bëhet përmes platformës elektronike dhe procedura është e ngjashme me zgjedhjet e fundit që u mbajtën në dhjetor të vitit të kaluar”, tha Elezi.

  • Inflacioni në Kosovë arrin 7.5 për qind, këto janë produktet më të shtrenjta

    Inflacioni në Kosovë arrin 7.5 për qind, këto janë produktet më të shtrenjta

    Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) bënë të ditur se shkalla vjetore e inflacionit në muajin prill 2026 ka arritur në 7.5 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa inflacioni mujor ishte 1.1 për qind.

    Sipas Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK), rritja më e madhe e çmimeve në baza vjetore është regjistruar te grupi i transportit me 16.1 për qind, pasuar nga strehimi, uji, energjia elektrike, gazi dhe lëndët tjera djegëse me 15.2 për qind.

    Po ashtu, ngritje e çmimeve është vërejtur edhe te restorantet dhe shërbimet e akomodimit me 5.8 për qind, ushqimi dhe pijet joalkoolike me 5.6 për qind, si dhe pijet alkoolike, duhani dhe narkotikët me 5.1 për qind.

    ASK-ja njofton se çmimet janë rritur edhe në sektorët e shëndetësisë me 4.7 për qind, kujdesit personal dhe shërbimeve të ndryshme me 3.6 për qind, mobiljeve dhe pajisjeve shtëpiake me 3.1 për qind, rekreacionit, sportit dhe kulturës me 3.0 për qind, si dhe veshjeve dhe këpucëve me 2.3 për qind.

    “Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të ndikuara te grupet kryesore të COICOP-it: transport (16,1 %); strehim, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë të tjera djegëse (15,2 %); restorante dhe shërbime akomodimi (5,8 %); ushqim dhe pije joalkoolike (5,6 %); pije alkoolike, duhan dhe narkotikë (5,1 %); shëndetësi (4,7 %); kujdes personal, mbrojtje sociale dhe mallra e shërbime të ndryshme (3,6 %); mobile dhe pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje rutinore (3,1 %); rekreacion, sport dhe kulturë (3,0 %); dhe veshje dhe këpucë (2,3 %)”, thuhet në njoftimin e fundit të ASK-së.

    Në anën tjetër, ulje e çmimeve është regjistruar në grupin e informacionit dhe komunikimit me 0.2 për qind dhe në sektorin e arsimit me 0.6 për qind.

    Sa i përket ndryshimeve mujore, krahasuar me marsin 2026, ASK-ja bën të ditur se inflacioni prej 1.1 për qind është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve në transport me 4.9 për qind, pijet alkoolike dhe duhani me 1.2 për qind, rekreacioni dhe kultura me 0.4 për qind, si dhe mobiljet dhe pajisjet shtëpiake me 0.3 për qind.

    Rritje më të lehtë të çmimeve pati edhe te ushqimi dhe pijet joalkoolike, si dhe te veshjet dhe këpucët me nga 0.1 për qind.

    Ndërkohë, rënie mujore e çmimeve është shënuar te grupi i kujdesit personal dhe shërbimeve të ndryshme me 0.2 për qind.

    Ndërkohë, sipas ASK-së, inflacioni vjetor në mars 2026 ishte rritur mesatarisht 6.7%./KP/

  • Komuna e Deçanit mban Akademi Përkujtimore për Rifat Stojkaj

    Komuna e Deçanit mban Akademi Përkujtimore për Rifat Stojkaj

    Komuna e Deçanit ka organizuar Akademi Përkujtimore për vdekjen e drejtorit të Bujqësisë, Rifat Stojkaj.

    35 vjeçari vdiq aksidentalisht pas një aksidenti rrugor.

    Ceremonia e varrimit bëhet sot në ora 17:00 në varrezat e fshatit Lloqan.

  • Zgjedhjet e 7 qershorit: Mbi 59 mijë aplikime për regjistrim nga diaspora

    Zgjedhjet e 7 qershorit: Mbi 59 mijë aplikime për regjistrim nga diaspora

    Po vazhdon periudha e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës, e cila ka filluar më 6 maj dhe do të përfundojë më 17 maj.

    Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka treguar për Klankosova.tv se që nga fillimi i këtij procesi dhe deri më tani janë mbi 59 mijë aplikime.

    “Në bazë të të dhënave, nga fillimi i këtij procesi dhe deri më tani (e martë, 12 maj 2026, ora 10:00, përmes platformës elektronike http://diapsora.kqz-ks.org janë pranuar 59,415 kërkesa për regjistrim, prej të cilave janë aprovuar 49,493, ndërsa 4,944 të tjera janë refuzuar dhe 4,957 janë në pritje për shqyrtim”.

    “Nga 49,493 aplikime të aprovuara, 11,782 shtetas të Kosovës janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike, 1,325 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-në në Kosovë dhe 36,386 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës”, deklaroi Elezi.

    Siç bëri të ditur ai, vendet me numrin më të madh të votuesve të regjistruar për zgjedhjet e 7 qershorit janë: Gjermania pasuar nga Zvicra, Franca e Suedia.

    “Shtetet me numrin më të madh të votuesve të regjistruar janë: Gjermani (24,624), Zvicër (11,063), Francë (2,172), Suedi (2,058), Austri (1,508) dhe Mbretëri e Bashkuar (1,337), ShBA (1,115) dhe Itali (1,046)”.

  • Hansi Flick vazhdon kontratën me Barcelonën deri në vitin 2028

    Hansi Flick vazhdon kontratën me Barcelonën deri në vitin 2028

    Trajneri i FC Barcelona, Hansi Flick, ka konfirmuar se do të vazhdojë kontratën me klubin katalanas edhe për të paktën dy sezone të tjera.

    Tekniku gjerman po feston titullin e dytë radhazi në La Liga me Barcelonën, duke kurorëzuar dy sezone shumë të suksesshme në krye të skuadrës.

    Prej javësh, mediat spanjolle kanë raportuar se marrëveshja mes palëve ishte arritur, ndërsa agjenti i Flick, Pini Zahavi, ka qenë së fundmi në Barcelonë për të finalizuar detajet.

    Kontrata aktuale e trajnerit skadonte në vitin 2027, por marrëveshja e re do ta mbajë atë në “Camp Nou” deri në vitin 2028, me opsion për një sezon shtesë.

    Duke folur para ndeshjes ndaj Deportivo Alavés, Flick u shpreh i kënaqur me marrëveshjen e re dhe theksoi se kjo i jep stabilitet projektit të Barcelonës.

    “Është mirë për ekipin tim dhe për ne që të kemi besimin për të punuar edhe disa vite të tjera së bashku. Për shumë trajnerë një kontratë tre, katër apo pesëvjeçare është ideale, por mendoj se edhe për Barcelonën kjo formulë është e duhura. Do të qëndrojmë deri në vitin 2028 dhe më pas ekziston mundësia për një vit tjetër. Do të shohim nëse gjithçka do të vazhdojë në mënyrën e duhur”, deklaroi Flick.

    Ai shtoi se objektivi kryesor i klubit mbetet rikthimi në majën e futbollit evropian.

    “Kjo është një sfidë për të punuar edhe më fort në dy vitet e ardhshme. Ëndrra e madhe për të gjithë te Barcelona është Liga e Kampionëve”.

    Nën drejtimin e Flick, FC Barcelona ka fituar pesë nga gjashtë trofetë vendorë të mundshëm në dy sezonet e fundit, duke dështuar vetëm në Kupën e Mbretit këtë sezon, ku u eliminua në gjysmëfinale nga Atlético Madrid.

    Tashmë, fokusi i skuadrës katalanase mbetet triumfi në UEFA Champions League, një objektiv që lojtarët dhe stafi teknik e kanë përmendur vazhdimisht gjatë festimeve të fundit për titullin kampion.

  • Sergio Ramos blen Sevillan për 450 milionë euro

    Sergio Ramos blen Sevillan për 450 milionë euro

    Ish-kapiteni i Real Madrid dhe mbrojtësi spanjoll, Sergio Ramos, së bashku me fondin e tij të investimeve Five Eleven Capital, kanë arritur marrëveshje për blerjen e Sevilla FC.

    Lajmi u bë i ditur nga gazetari Victor Fernandez pas një takimi të zhvilluar të martën në mëngjes. Sipas raportimeve, marrëveshja përfshin blerjen e 80 për qind të aksioneve të klubit për rreth 450 milionë euro.

    Ramos synon që procesi i marrjes në pronësi të klubit të përfundojë sa më shpejt, në mënyrë që të marrë përsipër menaxhimin e Sevillas në një moment shumë delikat për klubin andaluzian.

    Që të hënën në mbrëmje, gazetari Fernandez kishte raportuar për optimizmin e madh mes palëve të përfshira, duke paralajmëruar se marrëveshja përfundimtare ishte vetëm çështje orësh, gjë që tashmë është konfirmuar.

    Shitja e klubit vjen në një periudhë të vështirë për Sevillan, e cila po lufton për mbijetesë në La Liga. Klubi beson se 40 pikët aktuale nuk janë të mjaftueshme për të garantuar qëndrimin në elitën e futbollit spanjoll dhe se skuadrës i duhet edhe të paktën një fitore për të siguruar mbijetesën.

    Me tri xhiro të mbetura deri në fund të sezonit, diferenca mes vendit të shtatë dhe vendit të tetëmbëdhjetë në tabelë është vetëm nëntë pikë, duke e bërë garën jashtëzakonisht të ngushtë.

    Sevilla FC do ta ketë mundësinë e parë për të bërë një hap të madh drejt mbijetesës këtë fundjavë në përballjen ndaj Villarreal CF.

  • Luis Enrique mungon në ceremoninë e UNFP-së për të analizuar Arsenalin

    Luis Enrique mungon në ceremoninë e UNFP-së për të analizuar Arsenalin

    Trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique, ka zbuluar se nuk mori pjesë në ceremoninë e çmimeve të UNFP-së të hënën, pasi preferoi të qëndronte në shtëpi për të analizuar Arsenal, në prag të fazës vendimtare të sezonit për PSG-në.

    Tekniku spanjoll foli për mungesën e tij gjatë konferencës për media para ndeshjes ndaj RC Lens, duke theksuar se fokusi i tij i plotë mbetet te përgatitja e skuadrës për sfidat e ardhshme.

    “Unë nuk shkoj kurrë në këso lloj ceremonish. Preferoj të qëndroj në shtëpi dhe të studioj Arsenalin”, deklaroi Luis Enrique.

    Megjithëse mungoi në ceremoninë prestigjioze, ai përgëzoi lojtarët e tij për çmimet e fituara dhe pati fjalë vlerësuese për trajnerin e Lensit, Pierre Sage, pas sezonit mbresëlënës që ka zhvilluar.

    “Ajo që ka bërë Pierre Sage është e jashtëzakonshme. Ai e meriton këtë çmim si trajneri më i mirë i sezonit”, shtoi ai.

    Paris Saint-Germain po përgatitet për finalen e Ligës së Kampionëve që do të zhvillohet më vonë këtë muaj, ndërsa është shumë pranë sigurimit të një tjetër titulli në Ligue 1.

  • José Mourinho pranë rikthimit te Real Madrid

    José Mourinho pranë rikthimit te Real Madrid

    José Mourinho pritet të rikthehet në stolin e Real Madrid, në një lëvizje që mund të zyrtarizohet gjatë javës së ardhshme.

     

    Sipas raportimeve të gazetarit Sacha Tavolieri, marrëveshja mes trajnerit portugez dhe klubit madrilen tashmë është arritur, ndërsa mungon vetëm njoftimi zyrtar nga palët.

     

    Mourinho aktualisht është pjesë e Benfica, ndërsa kontrata e tij përfshin një klauzolë largimi prej tre milionë eurosh.

     

    Rikthimi i “The Special One” shihet si një përpjekje e Real Madridit për të rikthyer stabilitetin pas një sezoni të vështirë dhe pa trofe, ku skuadra është përballur me probleme sportive dhe tensione të brendshme.

     

    Për Mourinhon, kjo do të ishte aventura e dytë në “Santiago Bernabéu”, pasi ai drejtoi madrilenët edhe në periudhën 2010–2013. Gjatë asaj kohe, portugezi fitoi La Liga dhe Copa del Rey, duke lënë gjurmë të rëndësishme në klub.

     

    Ai pritet të zëvendësojë Álvaro Arbeloa, i cili nuk arriti të fitojë trofe gjatë drejtimit të skuadrës.

     

    Sipas mediave spanjolle, rikthimi i Mourinhos konsiderohet si një tentativë për të rikthyer disiplinën, karakterin dhe konkurrueshmërinë në ekipin madrilen.

  • Ish-komandant i Brigadës 124 të UÇK-së, Skender Hoxha i bashkohet listës së PDK-së për deputetë

    Ish-komandant i Brigadës 124 të UÇK-së, Skender Hoxha i bashkohet listës së PDK-së për deputetë

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka njoftuar se listës së kandidatëve për deputetë i është bashkuar edhe Kolonel Skender Hoxha, një emër i njohur në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes në Kosovë.

    Hamza vlerësoi lart kontributin shumëvjeçar të Hoxhës, duke theksuar se ai ka shërbyer me dekada për vendin, që nga lufta çlirimtare e deri te ndërtimi dhe forcimi i institucioneve të sigurisë së Kosovës.

    Sipas tij, Skender Hoxha ka mbajtur pozita të rëndësishme, si ish-komandant i Brigadës 124 të UÇK-së, ish-atashe ushtarak i Kosovës në Zagreb dhe Komandant i Gardës Kombëtare. Për kontributin e tij në shërbim të shtetit, ai është nderuar edhe me Medaljen e Karrierës.

    “Në një kohë kur Kosova ka nevojë për njerëz me integritet, përvojë dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie, ardhja e Kolonel Skender Hoxhës është një vlerë e shtuar për ekipin tonë”, ka deklaruar Hamza.