ATV

Blog

  • Ministria e Jashtme: Mos udhëtoni përmes Serbisë, ka protesta në Jarinje dhe Merdare

    Ministria e Jashtme: Mos udhëtoni përmes Serbisë, ka protesta në Jarinje dhe Merdare

    Sharr Jakupi, shef i stafit në kabinetin e ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, ka dalë me një njoftim të rëndësishëm për të gjithë qytetarët që po udhëtojnë drejtë Kosovës.

    Sipas tij, në territorin e Serbisë, në afërsi të pikave kufitare në Jarinje dhe në Merdare, për shkak të protestave që po mbahen, nuk është i mundur kalimi i autobusëve dhe kamionëve që vijnë nga Kosova.

    Jakupi theksoi se nuk është i sigurt për momentin as kalimi i veturave, transmeton Paparaci.

    Ai i bëri thirrje qytetarëve që t’i përdorin pikat kufitare në Mutivodë, Dheu i Bardhë apo rrugët përmes Maqedonisë Veriore.

    “Nëse keni hyrë tashmë në Serbi, atëherë ju lutemi t’i përdorni pikat kufitare ne Mutivodë, Dheu i Bardhë ose të merrni rrugë përmes Maqedonisë së Veriut (pikë-kalimi kufitar i Preshevës) përmes Shkupit”, shkroi ai në Facebook.

    “Nëse nuk keni hyrë tashmë në Serbi, ju lutemi, mos udhëtoni përmes Serbisë. Duke marrë parasysh faktin që janë në qarkullim shumë lajme të rreme, të cilat synojnë përhapjen e frikës, ju lutemi të ndiqni @Kosovo_Police rreth përditësimeve më të fundit zyrtare në këtë drejtim”.

    Paparaci raportoi sonte se disa serbë i kanë bllokuar rrugët në drejtim të pikave kufitare nga Serbia për në Kosovë.

    Ata e kanë bllokuar edhe rrugën në drejtim të pikave kufitare prej Serbisë në Kosovë. Këtu përfshihen edhe pengesat për automjetet transportuese të mallrave, përveç veturave dhe autobusëve.

    Disa qytetarë, kanë treguar për Paparacin se në pikë-kalimin kufitar në Merdare, serbët nuk kanë lejuar të hynë autobusët dhe disa automjete prej Kosovës.

  • Evropa, kontinenti që po ngrohet më së shpejti në botë

    Evropa, kontinenti që po ngrohet më së shpejti në botë

    Evropa duhet të përgatitet për më shumë valë vdekjeprurëse të të nxehtit, të nxitura nga ndryshimet klimatike, është thënë në një raport të publikuar të hënën.

    Sipas gjetjeve – të raportit të përpiluar nga Organizata Botërore për Mot dhe Shërbimi Evropian për Klimën – ky kontinent ka qenë 2.3 gradë Celsius më i nxehtë vitin e kaluar, në krahasim me epokën para-industriale.

    Thatësia, temperaturat rekorde mbi sipërfaqe të detit dhe shkrirja e pashembullt e akullnajave, janë në mesin e pasojave me të cilat po përballet bota, si pasojë e ngrohjes globale.

    Evropa, e cila është ngrohur dyfish më shumë sesa mesatarja globale, prej vitit 1980, ka regjistruar rekord të temperaturave vitin e kaluar.

    Franca, Gjermania, Italia, Portugalia, Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar, kanë regjistruar vitin e kaluar, verën më të nxehtë ndonjëherë në histori.

    Në raport është thënë se më së keqi do të goditen vendet e varfra, të cilat kanë bërë pak për t’i luftuar emetimet e karbonit, të cilat e rrisin temperaturën.

    Sipas raportit, i nxehti ekstrem i ka lënë më shumë se 16.000 njerëz të vdekur vitin e kaluar, derisa vërshimet dhe stuhitë kanë shkaktuar dëme në vlerë të 2 miliardë dollarëve. /rel

  • Shembja e dheut gati sa nuk e rrënoi një shtëpi në Karaçë

    Shembja e dheut gati sa nuk e rrënoi një shtëpi në Karaçë

    PËRGATITI: KASTRIOT TAHIRI

    Përmbytjeve si rezultat i reshjeve të shiut nuk iu shpëtoi as fshatin Karaçë, i komunës së Vushtrrisë. Në një pjesë të fshatit dheu ka filluar të shembet, duke përfunduar brenda një shtëpie. Pronari i saj thotë se deri në një zgjidhje janë të detyruar që të banojnë te të afërmit. Ai thotë se nga komuna ende nuk kanë ardhur askush për ta parë dëmin.

    Dheu që u shemb për pak sa nuk ia rrënoi gjithë shtëpinë, Arben Fekës, nga fshati Karaçë, i komunës së Vushtrrisë.

    Gurët bashkë me dheun që rrëshqiti si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut, përfunduan brenda shtëpisë.

    Jemi kanë t’u hëngër bukë, ja nisi me ra shi, e nijsha që po kërcet diçka shpija. Kur kemi dalë jashtë e kemi pa që guri e ka godit. E kom marr familjen, kemi dal jashtë, e ma shiu nuk është ndalë kurrë.

    Kjo situatë ka detyruar familjen Feka, që nga e enjtja të shpërndahet nëpër të afërmit e saj, për të banuar derisa komuna t’ia bëjë një zgjidhje.

    Unë kam shku edhe në komunë, në vjeshtë, i kam thanë që hajde të bëjmë një zgjidhje se ja ka nisë me u shemb dheu, por m’kanë thanë që jo, nuk shembet ma. E tash jemi shpërnda kah po mundemi me fjet, e të shohim çka po bohet, se nuk po dimë sen hala.

    Reshjet e mëdha të shiut, gjatë javës së kaluar bënë që shumë shtëpi, shkolla e biznese private, në komunën e Vushtrrisë, të përmbyten nga uji. Por nga komuna,  thonë se nga e mërkura, do të dalin në terren për ta vlerësuar dëmin.

     

     

     

  • Rinis mësimi në shkollat e Vushtrrisë, përmbytjet dëmtuan qendrën e kulturës në Akrashticë

    Rinis mësimi në shkollat e Vushtrrisë, përmbytjet dëmtuan qendrën e kulturës në Akrashticë

    PËRGATITI: DONISA FAZLIU 

    Nga reshjet e pandërprera të shiut gjatë javës së kaluar, shumë fshatra të Vushtrrisë u përmbytën. Si pasojë edhe mësimi në të gjitha shkollat nuk qe i mundur. Uji depërtoi edhe në objektin e qendrës së kulturës të një shkolle dhe pamundësoi mbajtjen e shumë aktiviteteve, që i kishin në plan t’i mbanin që nga kjo e hënë. Ndërkaq, nga komuna e Vushtrrisë thonë se mësimi ka rifilluar këtë të hënë si dhe dëmet e shkaktuara do të vlerësohen.

    Qendra e kulturës në shkollën fillore “Bahri Kuçi”, në fshatin Akrashticë të Vushtrrisë, as këtë të hënë nuk u shfrytëzua nga nxënësit.

    Uji që hyri brenda si pasojë e reshjeve të shiut, është larguar tashmë, ndërsa në oborrin e shkollës ku para disa ditësh nuk pati mundësi askush të kalojë, ka mbetur vetëm llumi.

    Por, për dallim nga e java e kaluar, mësimi në këtë shkollë dhe në shkollat e tjera të Vushtrrisë filloi normalisht.

    “Jemi të shqetësuar pasi që në shtëpinë e kulturës që e kemi në oborrin e shkollës, është dëmtuar çatia për shkak të reshjeve të mëdha. Domethënë e kanë kapluar sallën e madhe reshjet e mëdha të shiut, si dhe ekipet emergjente të komunës kanë konstatuar që duhet të bëhet një vlerësim i dëmeve. Ndërkaq, të enjten dhe të premten ka qenë pushim pasi që ka nxënës përreth që kanë qenë të rrezikuar gjatë rrugës”.

    Pllana për më tepër, thotë se nuk është në dijeni nëse orët e humbura të mësimit do të kompensohen.

    “Për kompensim të orëve nuk kemi njoftim zyrtar, por zakonisht kur humbet procesi mësimor, drejtoria komunale e arsimit e gjen ndonjë ditë që të kompensohen këto orë”.

    Derisa njoftoi se shumë shpejt do të nisë vlerësimi i dëmeve, Kryetari i Komunës, Ferit Idrizi, tha se ende nuk e di nëse Komuna do të mund t’u dalë në ndihmë të gjithë qytetarëve të prekur nga përmbytjet e fundit.

    “Pjesa e gjendjes së jashtëzakonshme ka qenë edhe mbyllja e shkollave, të enjten pasdite dhe të premten, kështu që sot ka rifilluar mësimi në të gjitha shkollat e komunës së Vushtrrisë, disa shkolla kanë qenë plot baltë për shkak të vërshimeve. Do të rishikojmë nga buxheti i komunës si dhe do t’i ndihmojmë qytetarët sa të kemi mundësi, por nëse nuk kemi mundësi t’i plotësojmë kërkesat e qytetarëve, do të kërkojmë ndihmë nga Qeveria”.

    Përveç Vushtrrisë, si pasojë e reshjeve të shiut, edhe Prishtina, Podujeva dhe Mitrovica u përmbytën.

  • Mospërgjigjja për takim, analistët vlerësojnë se po tentohet të sabotohet dialogu

    Mospërgjigjja për takim, analistët vlerësojnë se po tentohet të sabotohet dialogu

    PËRGATITI: DRITON SADIKU

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuqiq, ende nuk i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes për takim në Bruksel. Njohësit e rrethanave politike vlerësojnë se kështu po provohet që të sabotohet dialogu. Sipas tyre, një gjë e tillë do të ishte në dëm të Kosovës, ani pse thonë se dështimin e dialogut nuk do ta lejojnë assesi Shtetet e Bashkuara të Amerikës e as Bashkimi Evropian.

    Mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti e presidentit të Serbisë Aleksandër Vuqiq, duket se nuk ka aq disponim për takim.

    Si njëri ashtu edhe tjetri, nuk i janë përgjigjur ende pozitivisht thirrjes për takim në Bruksel.

    Në këtë mënyrë, sipas njohësve të politikës, po tentohet të sabotohet dialogu.

    “Fatkeqësisht edhe Kosova edhe Serbia, edhe pse janë pajtuar për marrëveshjen, nuk janë të gatshme që ta zbatojnë atë. Kosova në këtë rast Kurti, problem e ka themelimin e asociacionit, pra asociacioni është pengesë që Kurti e ka problem me tejkalu dhe duket që po i kontribuon situatës me veriun, që me e sabotu procesin e dialogut dhe me e ringjallë një dialog të ri, që ndoshta kish me mbërri në një konferencë ndërkombëtare ku kish me u rinegociu komplet marrëveshja”.

    Por një sabotim i tillë i dialogut, sipas Kabashit, nuk do t’i konvenonte Kosovës, pasi që rrezikon të mos jetë më çështje e BE-së.

    “Nëse prolongohet edhe për një kohë, mandej hyjmë në një proces elektoral të Amerikës dhe institucionet e reja që do të themelohen në Bashkimin Evropian kështu që interesi i perëndimit do të bjerë dhe rreziku është që të shkojmë drejt një status-quo-je që më së shumti do ta dëmtonte Kosovën”.

    Politologu Fidan Ukaj vlerëson se as SHBA-ja e as BE-ja nuk do ta lejojnë dështimin e dialogut, pasi thotë se kanë investuar shumë në të.

    “Sigurisht që nuk jemi në fazën më të mirë të procesit të dialogut. Kemi kaluar nga takimet për zbatim të marrëveshjeve për normalizim të raporteve, në menaxhim të krizave, d.t.th është një kthim prapa në dialog. Mirëpo, unë mbes me shpresën se presioni amerikan dhe evropian mbi palët, do ta stabilizojë gjendjen në pjesën veriore të vendit”.

    Kosova e Serbia ndonëse verbalisht, muaj më parë u dakorduan për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara, por që deri me tani asnjëra palë nuk ka treguar interesim në zbatimin e tyre.

     

  • Kërkohet që verifikimi i statusit të viktimave të dhunës seksuale të mos afatizohet

    Kërkohet që verifikimi i statusit të viktimave të dhunës seksuale të mos afatizohet

    PËRGATITI: PRANVERA KRASNIQI 

    Procesi i verifikimit të statusit të viktimave të dhunës seksuale, aktualisht është në vakum ligjor. Plotësim-ndryshimi i ligjit, që mundëson zgjatjen e afatit vetëm për dy vjet, është në proces. Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës dhe organizatat e tjera të licencuara, kanë përsëritur kërkesën që të mos kufizohet afati për verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale.

    Që nga shkurti i këtij viti, asnjë viktimë që ka përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovës, nuk ka pasur mundësi të aplikojë për ta marrë këtë statut pranë Komisionit Qeveritar.

    Qeveria është në proces e sipër të plotësim-ndryshimit të ligjit që mundëson zgjatjen e afatit të aplikimit edhe për dy vjet të tjera.

    Organizatat joqeveritare që merren me këtë çështje kërkuan njëzëri që të mos kufizohet afati për verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale.

    “Krimet e luftës nuk parashkruhen, as e drejta në krimet e luftës nuk duhet të afatizohet. Aq më shumë kur kemi të bëjmë me një grup kaq të ndjeshëm, siç janë viktimat e dhunës seksuale të luftës. Këto gra dhe burra kanë presione, janë të stigmatizuar, të paragjykuar në familje, në shoqëri ende. Edhe pse ka një progres, edhe sot kur po flasim janë rreth 1500 gra dhe burra që përfitojnë dhe e kanë ndier dorën e shtetit që i përkrah në formë të pensionit”.

     “Duke ditur që dy vite kalojnë shumë shpejt dhe nga 25 maji qysh ne e kemi informatën do të fillojë implementimi, sot jemi me datën 19 qershor dhe ende nuk ka filluar dhe dy vjet të plota nuk kanë mbetur. Ne si organizata kërkojmë që ligji të fillojë sa më parë me zbatimin dhe të mos jetë i kufizuar”.

    “Ne sot si shoqëri, si institucione do të duhej të merreshim me punë, me rehabilitimin e të mbijetuarve të luftës, por edhe me përfitimin e benefiteve, siç janë të parapara me ligj, jo sot pas 24 vitesh ende duke kërkuar të zgjatet afati për aplikimin. Ka pasur shumë shqetësime, zhgënjime te komisioni, është pritur me vite të tëra për njohjen e statusit. Kemi kaluar edhe fazën e pandemisë gjatë pesë vitesh sa ka qenë afati. Gjatë këtij afati ka pasur raste që asnjëra nuk ka mundur të aplikojë.”

    E në lidhje me këtë, kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Duda Balje, deklaroi se kufizimi dhe mënyra e funksionimit të komisionit janë probleme të mëdha.

    “Kemi dy probleme të mëdha, problemi i parë është kufizimi kohor, problemi i dytë mënyra e funksionimit të komisionit. Në dy vjet e fundit, katër herë kemi pasur në takim komisionin. Kemi shkuar në Drenas, kemi pasur viktima edhe brenda komisionit edhe për 15 vite ka qenë takimi më i rëndë në karrierën time. Me krejt energjinë kemi provuar të ndihmojmë, por prapëseprapë kemi pasur probleme”.

    Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale ka filluar punën në shkurt të vitit 2018. Aprovimi i statusit të viktimës së dhunës seksuale nga ky komision, u jep të drejtë viktimave që të marrin pagesë mujore prej 230 eurosh në muaj.

     

  • Instituti Albanologjik shënon 70-vjetorin e themelimit

    Instituti Albanologjik shënon 70-vjetorin e themelimit

    PËRGATITI: PRANVERA KRASNIQI

    Në 70-vjetorin e themelimit të Institutit Albanologjik të Prishtinës u vlerësua lart kontributi i atyre që ndihmuan në themelimin e këtij institucioni dhe në punën e tij deri më sot. Kryeministri Albin Kurti vlerësoi rolin, punën dhe kërkimin shkencor ndër vite të Institutit Albanologjik.

    Instituti Albanologjik i Prishtinës ka shënuar të hënën 70-vjetorin e themelimit.

    Duke vlerësuar rolin e këtij instituti, punën dhe kërkimin shkencor për albanologjinë, kryeministri Albin Kurti tha se evidentimi i së kaluarës hedh dritë për të tashmen dhe të ardhmen.

    “E kaluar jonë nuk ishte dokumentuar. Para themelimit, Instituti bëri që të bëhej punë e madhe, të cilën më herët e kishin bërë të huajt. Instituti nuk e ndali punë edhe përkundër vështirësive. Duke filluar nga themeluesit, Esat Mekuli, Rexhep Qosja, Ibrahim Rugova, jo vetëm që paraqesin emrat e studiuesve tonë të famshëm, që kanë kontribuar pa ndalur. Instituti duhet të synojë të jetë në hap me kohën. Ne do ta përkrahim në vazhdimësi”.

    Se instituti ka kaluar nëpër një varg sfidash e tha edhe drejtori i këtij Instituti, Hysen Matoshi.

    “Që nga themelimi, instituti ka pësuar shumë nga popujt e huaj dhe përndjekjet e asaj kohe, ku në disa raste edhe ka qenë i mbyllur për një kohë”.

    Ndërsa, akademik Rexhep Qosja foli për vështirësitë që ka kaluar Instituti Albanologjik nën okupimin serb.

    “Duhet çmuar lart puna e gjithë atyre intelektualëve që kontribuuan në themelimin dhe ngritjen e institucionit”.

    Aktualisht, Instituti ka 34 punëtorë shkencorë dhe 15 administrativë-teknikë.
    Konferenca shkencore, “Albanologjia dje, sot dhe nesër” do të mbahet më 19, 20 dhe 21 qershor 2023, në ndërtesën e Institutit Albanologjik në Prishtinë.

     

     

     

  • Mërgimtari që dhuroi para për familjarët e policëve të rrëmbyer, të cilët po mbahen në paraburgim në Serbi

    Mërgimtari që dhuroi para për familjarët e policëve të rrëmbyer, të cilët po mbahen në paraburgim në Serbi

    Mërgimtari Alfred Dibrani që i dhuroi nga 500 euro për secilën familje të tre policëve të kidnapuar dhe të cilët po mbahen në paraburgim në serbi, në emisionin STUDIO A në ATV, tha se qëllimi i tij ishte më shumë t’ju japë përkrahje morale se sa financiare.

    Ai tha se pamjet e arrestimit të këtyre tre policëve nga xhandarmeria serbe i ka përjetuar shumë rëndë.

    “Ndoshta më keq nuk isha ndierë edhe sikur të kisha pa një anëtar temin të vdekur se sa kur i kam parë këta policë. Ato pamje, ato foto që xhandarmëria serbe i shfaqi, me të vërtetë më kanë tronditur shumë. Kjo ishte një prej arsyeve që unë e mora këtë veprim që këtyre familjeve sado pak, në fakt jo këtyre familjeve, por policët tjerë të cilët gjenden ne vijën kufitare, të iu kthehet një moral që pas arrestimit të këtyre policëve, në rrjetet sociale kishte filluar një nënçmim ose një frymë se pse këta nuk kanë reaguar, pse nuk i kanë përdorur armët, pa e ditur në fakt se si është gjendja ë këtyre policëve, pa e ditur se çfarë kanë përjetuar këta policë, pa dalë policia ende me një njoftim që ta tregoj me të vërtetë çfarë kishte ndodhur, dhe kjo më shtyri mua që të marr një veprim se sado pak policisë së Kosovës t’i ndihmojmë, moralisht se shuma nuk është e rëndësishme”, tha Dibrani. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Kurti: Brenda dy vjetëve e kemi shtuar buxhetin e shtetit për arsim për 26%

    ​Kurti: Brenda dy vjetëve e kemi shtuar buxhetin e shtetit për arsim për 26%

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se brenda dy vjetëve kanë shtuar buxhetin e shtetit për arsim për 26%, por kanë shtuar shumë edhe numrin e bursave për nxënës të komuniteteve dhe për studentë, në veçanti për vajza që studiojnë në degët STEM, ku kanë pasur mbi 1300 bursa për vitin shkollor 2021/2022, e në këtë vit i kanë shtuar edhe 2 mijë bursa të tjera me dy milionë euro.

    Këto komente Kurti i bëri gjatë vënies së gurthemelit të Shkollës Fillore në fshatin Dumosh, si dhe në vënien e gurthemelit të çerdhes në qytetin e Podujevës.

    Në Dumosh të Podujevës, kryeministri Kurti me kryetarin Shpejtim Bulliqi, drejtorin e shkollës vunë gurthemelin e shkollës në vlerë prej 560 mijë euro, financim ky i mundësuar nga buxheti komunal.

    Kjo shkollë ka kapaciteti për 170 nxënës dhe do të përfshijë 8 dhoma mësimi.

    Sipas një komunikate të Qeverisë, qyteti i Podujevës do të bëhet edhe me një çerdhe të re me investim afër 700 mijë euro, gurthemelin e së cilës e vendosi kryeministri Kurti. Me këtë rast, ai njoftoi se objekti i çerdhes me sipërfaqe 1400 metra katrorë është i destinuar për 150 fëmijë.

    Në këtë ambient fëmijët do të zotërojnë 7 dhoma për qëndrim, 3 dhoma të gjumit për fëmijë, hapësirën për shumë qëllime, kuzhinën, trapezarinë, dhomën e mjekut, dhomën e psikologut, administratën, si dhe hapësira teknike. Për këtë çerdhe, sipas kryeministrit do të punësohen 15 edukatore dhe 5 persona staf administrative.

    Tutje në përgjithësi, kryeministri tregoi se çerdhe si kjo janë ndërtuar edhe katër të reja në vitin 2021/2022, përderisa në implementim janë edhe 14 çerdhe të reja në Kosovë e 5 adaptime, ndërkaq në planifikim edhe 17 çerdhe të tjera e 5 adaptime të shkollave në kopshte.

  • Haxhiu: Serbia t’i dorëzojë kriminelët e luftës, nuk mund të falen 20 mijë dhunime seksuale gjatë luftës

    Haxhiu: Serbia t’i dorëzojë kriminelët e luftës, nuk mund të falen 20 mijë dhunime seksuale gjatë luftës

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në Ditën Ndërkombëtare të Eliminimit të Dhunës Seksuale në Konflikt ka thënë së Serbia është adresa ku duhet drejtuar thirrja për drejtësi.

    Sipas të parës së Drejtësisë, dhuna seksuale gjatë luftës, e përjetuar mbi trupat e grave dhe të burrave, është krimi më i rëndë dhe mizoria e cila ende nuk është dënuar e as nuk është vendosur drejtësi.

    Ajo ka thënë se për dhunimet që u shkaktuan ndaj popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë, duhet ti kërkohet Serbisë ti dorëzojë kriminelët e luftës që i mban në Serbi.

    “Në Ditën Ndërkombëtare të Eliminimit të Dhunës Seksuale në Konflikt, bota duhet të flas edhe më shumë për dhunimet që u shkaktuan ndaj popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë, e madje zëshëm duhet t’i kërkohet Serbisë t’i dorëzojë kriminelët e luftës që po mbahen në Serbi”, ka thënë Haxhiu.

    Sipas saj, Serbia është adresa ku duhet drejtuar thirrja për drejtësi, nga bota demokratike që ka për bazë lirinë dhe të drejtat e njeriut.

    Ajo ka thënë se nuk mund të falen e as të harrohen 20 mijë dhunime seksuale gjatë luftës.

    “Do të punojmë çdo ditë që kriminelët të dalin para drejtësisë!”, ka thënë Haxhiu.