ATV

Blog

  • Kurti për median gjermane: Serbia duhet të njohë Kosovën

    Kurti për median gjermane: Serbia duhet të njohë Kosovën

    Në një intervistë për gazetën gjermane “Süddeutsche Zeitung” kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, hedh poshtë akuzat nga Brukseli dhe Uashingtoni.

    Ai mendon se Serbia duhet të përgjigjet.

    Marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës janë më të tensionuara se në vitet e mëparshme. Uashingtoni paralajmëron se kriza mund të përshkallëzojë në një konflikt rajonal, ndërsa Bashkimi Evropian po kërcënon Kosovën me sanksione. Kështu e përshkruan gazeta “Süddeutsche Zeitung” gjendjen aktuale.

    Gazetari Tobias Tzick u shpjegon lexuesve gjermanë se “përpjekjet ndërmjetësuese të BE-së dhe SHBA-së kanë për qëllim të bindin Prishtinën që të formojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, ndërsa Beogradi duhet ta njohë de facto pavarësinë e Kosovës”.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në muajin mars ka paraqitur një draft me kushtet kryesore: “Duhet të njihet kushtetutshmëria e Republikës sonë. Asociacioni nuk mund të ketë pushtet ekzekutiv dhe nuk mund të krijohet nivel shtesë i qeverisjes. Por sapo përmendet Kushtetuta e Republikës së Kosovës, zoti Vuçiq nuk dëshiron të dëgjojë asgjë për të”.

    “Nuk mendoj se jam kokëfortë, jam parimor”

    “Kur e takoj zotin Vuçiq”, thotë Kurti, “më duket gjithmonë se ai dëshiron të kthehet në kohë: herë në vitin 1999 kur u çliruam, herë para vitit 2008 kur shpallëm pavarësinë dhe herë para 27 shkurtit të këtij viti, kur ai i tha ‘Po’ marrëveshjes së paraqitur nga BE-ja në Bruksel, por të cilën nuk e nënshkroi”.

    Vërejtjes së gazetarit gjerman se diplomatët perëndimorë e konsiderojnë atë partner të vështirë dhe e akuzojnë si kokëfortë, Kurti i përgjigjet: “Nuk mendoj se jam kokëfortë, jam parimor”. Politika nuk mund të shihet e izoluar nga etika dhe vlerat”.

    Më pas kryeministri shton se i ka dëgjuar “miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë” kur kanë kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve si dhe për zhvendosjen e vendit të betimit të kryetarëve të bashkive “për të shmangur skenat triumfuese”. Por shton ai, “kryetarët e bashkisë duhet të shkojnë në zyrat e tyre – apo mos vallë duhet ta bëjnë punën përmes zoom-it?”

    “Perëndimi do të arrijë të kundërtën”

    Kryeministri i pyetur se si e vlerëson faktin se “Bashkimi Evropian e kërcënon Kosovën me sanksione, ndërsa është jashtëzakonisht i butë ndaj Beogradit”, Kurti përgjigjet: “Miqtë tanë në BE dhe SHBA kanë pak pritshmëri nga Beogradi”. Kjo është arsyeja pse çdo gjest pozitiv i Beogradit është i mbivlerësuar dhe i fryrë. Në të njëjtën kohë, ata kanë shpresa të mëdha për Serbinë në planin afatmesëm. Një politikë e tillë krijon probleme sigurie për të gjithë fqinjët e Serbisë”.

    Gazetari gjerman thekson se, “sipas një interpretimi, BE-ja dhe SHBA-ja duan të përdorin politikën e tyre me qëllime të mira për të ndarë Vuçiqin nga lidhjet e tij të ngushta me Putinin dhe kështu ta lidhin atë më afër vetes”. Kryeministri i Kosovës vlerëson se “diçka e tillë mund të funksionojë me një demokrat, por jo me një autokrat. Një autokrat do ta shohë çdo akt bujarie ose tolerance si një shenjë frike ose dobësie”. Prandaj, thotë ai, “duke menduar se koncesionet do ta joshin zotin Vuçiq të kthehet drejt Perëndimit – do të arrihet pikërisht e kundërta”.

    “Serbia duhet ta njohë Kosovën dhe të përballet me krimet”

    “Nuk kemi arritur shumë”, thotë Albin Kurti për dialogun e deritanishëm: “Pas disa orë bisedimesh për marrëveshjen bazë, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri (Josep) Borell më 18 mars deklaroi: “Ne kemi një marrëveshje.” Dhe më 24 prill, z. Vuçiq deklaroi në konferencën për shtyp se e pranon marrëveshjen vetëm si koncept dhe jo si përmbajtje. Më vonë ai ka njoftuar Berlinin, Parisin dhe Uashingtonin se synon të zbatojë vetëm disa pjesë të marrëveshjes”, thotë Kurti.

    Dhe së fundi, në pyetjen se a është i mundur besimi i vërtetë mes tij dhe Beogradit, duke pasur parasysh se si lider studentor ka qenë në burg në Serbi për një kohë, Albin Kurti përgjigjet se “nuk mund të ketë besim të plotë derisa Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe derisa nuk përballet me krimet që ka kryer gjatë luftës”. /DW

  • Për të tetën ditë me radhë vazhdojnë kërkimet për gruan që dyshohet se është hedhur nga ura e Fshajt

    Për të tetën ditë me radhë vazhdojnë kërkimet për gruan që dyshohet se është hedhur nga ura e Fshajt

    U bë një javë që po vazhdojnë kërkimet për gruan që është hedhur nga ura e Fshajt, në Gjakovë.

    Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Lumni Graishta për Telegrafin tregoi se ende nuk është gjetur trupi i gruas që ra nga ura e Fshajt.

    Ai tha se kërkimet ende po vazhdojnë.

    “Kërkimet ende po vazhdojnë. Deri më tani nuk ka ndonjë gjetje”, ka thënë Graishta.

    Ndryshe, tri ditë më parë Forca e Sigurisë së Kosovës, patën njoftuar se kërkimet janë duke vazhduar kërkimet për 59-vjeçaren e zhdukur.

    Po ashtu policia pati bërë të ditur se të premten e javës së kaluar një femër e moshës madhore ka rënë nga ura e Fshajt në lumin Drini i Bardhë dhe se të gjitha njësitet e nevojshme policore dhe zjarrfikësit menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes si dhe është njoftuar Njësia për Kërkim Shpëtim.

  • Sot i jepet lamtumira profesorit të artit, Shyqri Nimani

    Sot i jepet lamtumira profesorit të artit, Shyqri Nimani

    Të enjten (22/06/2023) në moshën 82-vjeçare ka ndërruar jetë artisti dhe profesori i artit, Shyqri Nimani.

    Për ta nderuar jetën dhe veprën e tij, sot bëhen homazhe dhe mbahet mbledhje komemorative në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ku më pas bëhet edhe varrimi te varrezat e kryeqytetit.

    Shyqri Nimani njihet si pionier dhe si njëri prej themeluesve të departamentit të dizajnit grafik në Akademinë e Arteve në Prishtinë, ku edhe punoi si profesor deri në pensionimin e tij.

    Për shkak të profesionalizmit të tij dhe karrierës së gjatë, atij iu besua që ta shkruajë me kaligrafi deklaratën e Pavarësisë së Kosovës e cila u shpall më 17 shkurt në Kuvendin e Kosovës.

    Ai ishte edhe muzikant, artist vizual dhe njohës shumë i mirë i historisë dhe trashëgimisë kulturore.

  • Tahiri për Ramën: Është i afërt me Serbinë, ia ka humbur Shqipërisë kredibilitetin në Kosovë

    Tahiri për Ramën: Është i afërt me Serbinë, ia ka humbur Shqipërisë kredibilitetin në Kosovë

    Ish-kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, ka komentuar propozimin e draft-statutit për Asociacionin të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

    Tahiri tha se në negociata, praktikohet që ndonjë palë e tretë dëshiron të japë shërbime të mira, por sipas saj, në ato raste, pala e tretë duhet të jetë e paanshme.

    “Në rastin e Ramës, mendoj se ka menduar në bazën e kësaj linje të ndihmojë procesin. Në këtë situatë, Rama është i anshëm, i afërt me Serbinë, me Vuçiqin”, është shprehur Tahiri për TopChannel.

    Tutje, ajo tha se në Kosovë, Rama s’ka kredibilitet, pasi siç tha, ka hyrë në “lojën e ndarjes së veriut me Vuçiqin”.

    “U bë pjesë e Ballkanit të Hapur. Pra Rama në Kosovë ia ka humbur Shqipërisë kredibilitetin, ka bërë dështime historike”, tha Tahiri.

  • Para mesnatës u dëgjuan dy shpërthime në veri – s’ka dëme

    Para mesnatës u dëgjuan dy shpërthime në veri – s’ka dëme

    Të enjten pak para mesnatës janë dëgjuar dy shpërthime në veri të Kosovës, mirëpo të dyja ato kanë kaluar pa shkaktuar dëme materiale.

    Lajmin e ka konfirmuar zyrtari për Informim i Policisë, Veton Elshani.

    Ai tregon se njëri rast ka ndodhur në rrethinë të Zveçanit, ndërsa tjetri në Mitrovicë të Veriut.

    “Kanë qenë dy detonime mbrëmë që kanë ndodhur, njëra në rrethinë të Zveçanit dhe tjetra në Mitrovicë të Veriut, por nuk ka dëme materiale ose të plagosur. Kanë mundur të jenë shokbomba ose mjete piroteknike”, ka sqaruar Elshani.

    Kujtojmë se gjendja në veri të Kosovës vazhdon të mbetet e tensionuar prej fundit të muajit maj, kur protestuesit serbë nuk i lejuan kryetarët e rinj të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq që t’i ushtrojnë detyrat e tyre në objektet komunale.

  • Borrell: Jemi pajtuar për rrugën përpara, do t’i diskutojmë detajet dhe mënyrat

    Borrell: Jemi pajtuar për rrugën përpara, do t’i diskutojmë detajet dhe mënyrat

    Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell ka folur në konferencë për media pas takimeve që zhvilloi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

    Borrell ka treguar se Kurti është pajtuar për zgjedhje të reja.

    Fillimisht, ai ka thënë se situata ka qenë e tensionuar dhe për këtë ka kërkuar që Kurti dhe Vuçiq të shkojnë në Bruksel për takime.

    “Ju e dini mirë se gati për gati 4 javë, kemi qenë dëshmitar se situata në veri të Kosovës ka qenë e tensionuar me aq sa kuptoj unë panevojshëm. Me protesta dhe përplasje të dhunshme. Trupat e KFOR-it, policët, gazetarët dhe shumë qytetarë janë lënduar dhe ne dëgjuam për incidente çdo ditë. Kjo është e papranueshme, e papërballueshme, kjo nuk mund të vazhdojë dhe kjo është pse kam kërkuar nga Vuçiq dhe Kurti të vijnë në Bruksel për një takim për menaxhimin e krizës. Sërish jemi në gjendje të menaxhimit të krizave”, tha Borrell.

    Më tutje, ai është shprehur se po punohet për deeskalimin e situatës dhe ka thënë që Kosova duhet t’i tërheqë policinë nga objektet komunale, kryetarët të punojnë jashtë objekteve komunale dhe Serbia t’i heqë protestuesit gjithashtu nga rruga.

  • Kurti: Zgjedhje të parakohshme, por që paraprihen nga sundimi i ligjit

    Kurti: Zgjedhje të parakohshme, por që paraprihen nga sundimi i ligjit

    Kurti para gazetarëve bëri të ditur se zhvilloi takime bilaterale me shefin e Politikës së Jashtme e të Sigurisë së BE-së, Josep Borrell, si dhe me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ku sqaroi se takimi nuk ishte trelateral, sepse pala tjetër ka refuzuar një gjë të tillë.

    Tutje, kryeministri Kurti foli për rrjedhën e takimeve që para katër muajsh e deri më tani, kur siç u shpreh ai, u konfirmua që ka marrëveshje, por nuk patën takim, teksa kritikoi sjelljen joserioze të presidentit Vuçiq.

    “Unë kam ardhur për t’u takuar për t’u marrë vesh që të kemi dakordësime e të ecim përpara”, tha kryeministri Kurti, derisa shtoi se jo gjithçka varet prej tij.

    “Në fillim të takimit unë kam prezantuar një dokumentacion Borrell-it e Lajcak-ut lidhur me rrëmbimi n e tre policëve të Kosovës në Leposaviq, më 14 qershor, kur janë bërë më shumë se një javë e që po mbahen peng nga Serbia në burgun e Kralevës”, duke kërkuar që ta dënojnë agresionin e Serbisë ndaj Kosovës publikisht.

    Tutje, kryeministri Kurti tha se është diskutuar edhe për de-eskalimin, ku nënkuptohet largimin e grupeve kriminale që menjëherë do të përcillej me zvogëlimin e trupave të policisë në ndërtesën komunave.

    “Ndërkaq sa i përket zgjidhjes më të qëndrueshme, natyrisht se ka nevojë për zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri me një proces qe i paraprihet nga sundimi i ligjit, nga një fushatë e hapur e fer dhe nga zgjedhjet e lira e demokratike”, tha mes tjerash Kurti.

  • Rama: Pa lirimin e policëve, s’ka përparim – Franca e Gjermania të veprojnë fuqishëm

    Rama: Pa lirimin e policëve, s’ka përparim – Franca e Gjermania të veprojnë fuqishëm

    Kryeministri Albin Kurti ka qëndruar sot në Bruksel, ku ka zhvilluar takime me kreun e diplomacisë evropiane, Josep Borrell dhe emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

    Takime me dyshen evropiane ka zhvilluar edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ndërsa takim mes dy liderëve të Kosovës dhe Serbisë nuk pati.

    Megjithatë, Borrelli doli në konferencë për media pas këtyre takimeve, ku tha se palët kishin qëndrime të kundërta për sa i përket de-përshkallëzimit të situatës mes dy vendeve.

    Por, ai tha t’i ketë thënë Vuçiqit që tre policët e rrëmbyer kosovarë duhet të lirohen menjëherë dhe pa kushte.

    E për këto zhvillime ka reaguar kryeministri shqiptar, Edi Rama. Ai tha se pa lirimin e tre policëve, nuk ka kurrfarë mundësie që të ecet përpara.

    Madje, Rama kërkoi nga Franca dhe Gjermania që të veprojnë fuqishëm.

    “Pa largimin e tre djemve shëndoshë e mirë nga Serbia, nuk ka hapësirë për të bërë asnjë centimetër përparim të vërtetë! Sapo të kthehen në shtëpi, nevojitet një veprim i ri i fortë i Francës dhe Gjermanisë për të ndaluar këtë spirale absurditeti! Por gjëja e parë në radhë të parë: LIRONI 3 POLICËT”, theksoi Rama në Twitter.

    Kurti ndërkaq ende nuk është deklaruar pas dy takimeve që i zhvilloi ditën e sotme me Borrellin e Lajçakun.

    E Vuçiqi tha se nuk është se varet diçka nga Serbia dhe BE-ja, por la të kuptohet se avancimi përpara varet nga Kosova.

  • Kurti për Papa Françeskun: Vështirë që të ketë një tjetër të tillë këtë shekull

    Kurti për Papa Françeskun: Vështirë që të ketë një tjetër të tillë këtë shekull

    Kryeministri Albin Kurti ka lavdëruar Papa Françeskun, të cilin e takoi në Vatikan të enjten. Ai ka thënë se është e vështirë “që të ketë një tjetër të tillë në këtë shekull”.

    Sipas një njoftimi të Zyrës së Kryeministrit, takimi i së enjtes ka qenë “i përzemërt”. E të tillë e ka vlerësuar edhe Kurti, që ka deklaruar të ketë mbetur i impresionuar me njerëzinë e interesimin e Papës.

    “Ndonëse disi ngathët hedhja hapat përpara, ecje e shkurtër m’u duk mua ajo nëpër disa korridore të gjata deri te biblioteka e Atit të Shenjtë. Për shkak të Papa Françeskut doja të mbërrij sa më shpejt tek ai, për shkak të pikturave mahnitëse të Rafaelit nëpër mure e tavan, silueta e shefit të protokollit po zvogëhej teksa më printe. Ekziston dritarja e përsosur për të parë Sheshin e Shën Pjetrit me kupën qiellore sipër. Disa sekonda, jo më shumë, sepse syri im i djathtë tashmë kërkonte derën pas së cilës sakaq u shfaq mikëpritja e bardhë dhe e ngrohtë”, ka shkruar Kurti në Facebook në mbrëmje.

    “Papa Françesku është shumë njerëzor e fort social. Ai bënte pyetje për Kosovën, rininë e fëmijët, arsimin e punën, historinë e kulturën, vlerat dhe të ardhmen. Flet për paqen me dashuri, për popujt me dhembshuri. Interesohet në një mënyrë të angazhuar, dëgjon me një durim që të përvetëson. Shërbimi ndihmon shërbyesin jo më pak se të shërbyerin. E politika është shërbim. Veprimet nuk kanë autonomi nga etika. E politika është veprim. Idetë janë më të rëndësishme se vetja. E populli është edhe më i rëndësishëm se idetë”, ka vazhduar ai.

  • Serbia liron Rrahim Musliun që e arrestoi për shqiponjën dykrenare në veturën e tij

    Serbia liron Rrahim Musliun që e arrestoi për shqiponjën dykrenare në veturën e tij

    Dje është liruar nga arresti Rrahim Musliu, shtetasi i Kosovës i cili ishte arrestuar në Serbi me 24 maj 2023 gjatë kalimit tranzit nëpër Serbi duke u kthyer në Gjermani.

    Kështu kanë bërë të ditur burimet mediatike.

    Ai ishte arrestuar nga policia serbe pasi që në pjesën e pasme të veturës së tij kishte vendosur simbolin kombëtar të Kosovës, shqiponjën dykrenare.

    Gjykata e Lartë e Beogradit, më 26 maj 2023 i kishte shqiptuar masën e paraburgimit për 30 ditë, ndërsa, Prokuroria e Gjykatës së Lartë të Beogradit kishte ngritur akuzë për ‘nxitje të urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare,’ të përcaktuar sipas Kodit Penal të Serbisë.