ATV

Blog

  • ​Shkarkohet kryesuesi Fehmi Kupina, LDK dhe PDK rikthejnë sërish pushtetin në ndërmarrje

    ​Shkarkohet kryesuesi Fehmi Kupina, LDK dhe PDK rikthejnë sërish pushtetin në ndërmarrje

    Me 27 vota për, 1 kundër dhe 1 abstenim, Kuvendi i Prishtinës ka shkarkuar kryesuesin e Kryeqytetit, Fehmi Kupinën.

    Po ashtu partitë që udhëheqin me Prishtinën, LDK dhe PDK kanë rikthyer sërish pushtetin në ndërmarrjet publike në kryeqytet.

    Në mbledhjen e sotme të Kuvendit Komunal të Prishtinës, me 27 vota për gjithashtu u anulua vendimi i datës 8 qershor për shkarkimin e aksionarëve të ndërmarrjeve publike në Prishtinë.

    Këto vendime në Prishtinë u morën pasi braktisen seancënkryesuesi dhe asamblistët e Vetëvendosjes.

    Fillimisht asamblistët e Vetëvendosjes me zhurmë nuk e lejuan kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama të merr fjalën.

    Kryetari Rama duke kërkuar qetësinë e këshilltarëve të Vetëvendosjes, pati një kërkesë tallëse me ta.

    “S’po doni me dëgjuar a? Mbani madje ndonjë ritëm më të mirë, qysh ja keni nisë ju me kërcye, luani Shotën e a naj sen tjetër a… Unë po vazhdoj po bërtas. Prej datës 1 unë si kryetar I kryeqytetit kam qenë këtu dhe do të jem për të mirën e kryeqytetit. Gëzim Sveçla ka ardhur dhe ka thënë se e kam e shumicën, dhe normalisht që i kam thënë atij e ke shumicën, bëje shumicën. Jemi në demokraci. Kush e ka shumicën sot këtu, po me vjen keq për anëtarë të tjerë të Vetëvendosjes që bien pre dhe fore të Gëzim Sveçlës”, theksoi Rama.

    Megjithatë, para se të shkarkohej, kryesuesi Fehmi Kupina e shpalli të mbyllur seancën, duke thënë se nuk ka kushte për punë.

    “Kryetar a ka mundësi ju lutemi, për arse se nuk ka kushte për këtë mbledhje. E shpalli të mbyllur këtë seancë”, theksoi Kupina.

    Por, kryetari i Prishtinës, Rama dhe asamblistët e partisë së tij vazhduan punën duke theksuar se ka kushte për punë.

    “Ka kushte për seancë, sepse ne jemi shumicë këtu”, ka thënë Rama.

    Pasi braktisën seancën kryesuesi, Fehmi Kupina me asamblistët e Vetëvendosjes, seancën e udhëhoqi asamblisti më i vjetër Ajet Brajshori nga radhët e LDK-së.

    Ndërkohë, u fut në rend dite propozimi Jeta Rafunës nga LDK-ja për shkarkimin e kryesuesit Fehmi Kupina.

    27 këshilltarë komunal me vota të fshehta votuan për shkarkimin e Kupinës nga pozita e kryesuesit.

    Asamblisti nga LDK-ja, Sami Salihu në emër të Komisionit për Mbarëvajtjen e procesit të votimit konstatoi shkarkimin e kryesuesit, Kupina.

    “Në emër të Komisionit për Mbarëvajtjen e procesit të votimit për shkarkimin e kryesuesit të kryeqytetit, Fehmi Kupina, konstatojmë se në votim kanë marrë pjesë 28 këshilltarë komunal, prej tyre 27 janë për, 1 kundër dhe asnjë abstenim. Dhe me këtë konstatojmë se miratohet propozimi për shkarkimin e kryesuesit të kryeqytetit, Fehmi Kupina”, theksoi Salihu.

    Pas këtij vendimi, në mbledhjen e Kuvendit të Kryeqytetit, me 27 vota për është miratuar propozim vendimi për anulimin e vendimit të datës 08.06.2023 për shkarkimin e anëtarëve në Komisionet e aksionarëve të ndërmarrjeve publike të Komunës së Prishtinës.

    Këtë votim e konstatoi asamblisti më i vjetër, Ajet Brajshori, i cili e udhëhoqi seancën.

    “Me 27 vota për është miratuar për anulimin e vendimit të datës 08.06.2023 për shkarkimin e anëtarëve në Komisionet e aksionarëve të ndërmarrjeve publike të Komunës së Prishtinës”, theksoi Brajshori.

    Po ashtu me 27 vota për është marrë vendim për caktimin e anëtarëve të Komisionit të Aksionarëve të ndërmarrjeve publike të Prishtinës.

    Ndryshe, në mbledhjen e Kuvendit të Kryeqytetit më 8 qershor, Fehmi Kupina kishte dhënë dorëheqje nga LDK-ja në Prishtinë. /kp

  • Zvogëlimi i policisë në ndërtesat komunale, Kurti: Në proporcion me vendosjen e rendit

    Zvogëlimi i policisë në ndërtesat komunale, Kurti: Në proporcion me vendosjen e rendit

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka biseduar me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, me të cilën ka diskutuar për domosdoshmërinë për deeskalim të situatës në veri. Kurti ka shprehur gatishmërinë e tij për zvogëlimin e pranisë së policisë në ndërtesat komunale në veri gradualisht e në proporcion me vendosjen e rendit dhe ligjit.

    Kurti ka thënë se në këtë mënyrë do të mundësohej fushatë e hapur para zgjedhjeve të parakohshme në këto komuna.

    “Kryeministri Kurti e informoi Presidenten e Komisionit Evropian për konfiskimin e armatimit të shumtë para katër ditëve në Zveçan në një veturë me targa të Beogradit, në vendin ku para katër javëve u ushtrua dhunë brutale mbi ushtarët e KFOR-it, policët e Kosovës dhe gazetarët. Ai shprehu gatishmërinë e tij për zvogëlimin e pranisë së policisë në ndërtesat komunale në veri gradualisht e në proporcion me vendosjen e rendit dhe ligjit, gjë që njëkohësisht do të mundësonte fushatë të hapur dhe fer para zgjedhjeve të parakohshme demokratike në këto komuna”, ka njoftuar Qeveria e Kosovës.

    Në njoftimin e Qeverisë është theksuar se Kurti e ka falënderuar politikanen evropiane për mbvështetje ndaj Kosovës, për zhvillim ekonomik, demokraci moderne dhe drejtësi ligjore.

    “Ai tha se shpreson që të trajtohet sa më parë aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, sepse me padurim presim që t’i marrim pyetjet e shumta nga Komisioni Evropian dhe t’ju përgjigjemi atyre sinqerisht me reforma të thella të brendshme, si shteti më pro-evropian i Ballkanit Perëndimor që jemi”, është theksuar në njoftim.

  • ​Merr mbi 70 mijë euro kredi me dokumente të falsifikuara

    ​Merr mbi 70 mijë euro kredi me dokumente të falsifikuara

    Hetuesit policorë nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike, kanë trajtuar një informatë lidhur me një person i cili dyshohet të ketë aplikuar për kredi-lizing në një bankë me dokumente të falsifikuara.

    Sipas Policisë, gjatë veprimeve hetimore, janë siguruar dëshmi se i dyshuari Sh.Sh., (viti i lindjes 1987, mashkull kosovar), gjatë procedurave të kredi-marrjes, ka paraqitur dokumente si: letërnjoftimin, patentë-shoferi, gjendjen e llogarisë bankare, kontratën e punës dhe kontratën e qirasë, të cilat dokumente është vërtetuar se janë të falsifikuara.

    “I dyshuari ka arritur të marrë aprovimin për kredi në shumën prej 71,250 €uro. I dyshuari pasi që i është aprovuar lizingu nga institucioni bankar, i njëjti e kishte në posedim veturën BMË X7 të cilën e kishte pranuar me lizing për shumën e lartcekur. Pasi është bërë identifikimi i të dyshuarit, nga zyrtarët e institucionit bankar, vetura i është marrë personit të dyshuar. Sot, më 27.06.2023 është arritur të arrestohet ky person i cili më pastaj është intervistuar në prezencën e avokatit të tij mbrojtës dhe ndaj tij është iniciuar rasti karshi veprave penale: ‘falsifikim i dokumenteve’ dhe ‘mashtrim’. I dyshuari me aktvendim të prokurorit kujdestar dërgohen në mbajtje deri në 48 orë”, thuhet në komunikatë.

  • Krasniqi: Sulmi i mbrëmshëm në objektin e Komunës së Mitrovicës Veriore ka pasur qëllim frikësimin e banorëve

    Krasniqi: Sulmi i mbrëmshëm në objektin e Komunës së Mitrovicës Veriore ka pasur qëllim frikësimin e banorëve

    Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka reaguar pas sulmit të mbrëmshëm në objektin e Komunës së Mitrovicës Veriore me granatë dore.

    Sipas Krasniqi, sulmi kishte për qëllim frikësimin e banorëve.

    “Sulmi i mbrëmshëm në objektin e Komunës së Mitrovicës Veriore, me granatë dore është sulm në institucionet e vetqeverisjes lokale, me qëllim të friksimit të banorëve të cilët çdo ditë e më shumë po gjejnë mbështetje për kërkesat e tyre nga autoritetet lokale”, u shpreh Krasniqi.

    Tutje ai ka dënuar fuqishëm sulmin mbi instuticionet dhe tentativat e grupeve kriminale për destabilizim të situatës.

    “Dënojmë fuqishëm sulmin mbi institucionet, pronën publike dhe tentativat e vazhdushme të grupeve kriminale për destabilizim të situatës”, është shprehur Krasniqi.

  • Ministri Sveçla thotë se Rama kontribuoi që tre policët të lirohen

    Ministri Sveçla thotë se Rama kontribuoi që tre policët të lirohen

    Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë se për lirimin e tre policëve kosovarë të kidnapuar nga forcat serbe ka dhënë kontribut Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

    Më tej ai theksoi se faktori evropian dhe rajonal nuk duhet të mjaftohen vetëm me lirimin e policëve pasi sipas tij presioni ndaj Serbisë duhet të shtohet

    “Të gjithë nga pak, presioni për Serbinë ishte shumë i madh. Ne bllokuam të gjitha pikat kufitare për mallrat e Serbisë. Ishin shtetet aleate që u angazhuan që lirimi i policëve të ndodhë sa më shpejt. Ishte dhe Rama që reagoi ashpër për këtë rast. Rama kontribuoi që tre policët të lirohen. Unë besoj se angazhimi i faktorit, qoftë rajonal, qoftë evropian nuk duhet të mjaftohet me kaq”, ka thënë Sveçla për Euronews Albania.

    “Do të duhet që ndaj Serbisë të shtohet presioni, pasi Serbia vazhdon të jetë faktor destabiliteti. Ne mbrëmë kishim një sulm terrorist në oborrin e Komunës së Mitrovicës së Veriut, prodhim i Serbisë”.

  • Del një audio-inicizim i rrejshëm i Kurtit me Hovenierin, reagon Qeveria

    Del një audio-inicizim i rrejshëm i Kurtit me Hovenierin, reagon Qeveria

    Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka demantuar audio-incizimin i cili është publikuar në rrjetin rus Telegram, ku pretendohet për një bisedë që është zhvilluar ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier.

    Kryeziu ka thënë se incizimi në fjalë është “deepfake” (zë i montuar) dhe sipas tij ka për qëllim të mashtrojë publikun.

    “Një audio shqetësuese deepfake po qarkullon aktualisht në kanale dhe media të ndryshme sociale, duke përfshirë Twitter-in, me qëllim për të mashtruar publikun. Edhe një herë rikujtojmë rreziqet që përmbajtja e rreme dhe e manipuluar paraqet për të vërtetën, demokracinë dhe në fund të fundit paqen”, ka shkruar ai në Twitter.

    Edhe Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka bërë thirrje që të mos besohet gjithçka që publikohet në mediet sociale ose në aplikacionet tjera.

  • Rama: Kurti e Vuçiq në konferencë ku s’lejohet të dalin pa marrëveshje

    Rama: Kurti e Vuçiq në konferencë ku s’lejohet të dalin pa marrëveshje

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbajtur sot një konferencë për media bashkë me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borell.

    Rama ka falënderuar Borellin për punën që po e bën lidhur me dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

    Rama ka thënë se rajoni në asnjë mënyrë s’mund të bëj hapa mbrapa.

    “Në të njëjtën kohë ishte ndihmuese që të ndajmë opinionet tona për diçka që është shumë shqetësuese e për të cilën ju po punoni shumë fort, e që ka të bëj me gjithë stabilitetin e rajonit dhe me gjithë progresin rajonal. Ne jemi pjesë e rajonit që ka vuajtur shumë, dhe që s’mundet assesi të bëj kthim mbrapa, e ku ngjarjet s’janë të shkëputura nga njëra-tjetra, e që ne s’mund të shikojmë thjesht për shtëpinë tonë, pa u shqetësuar për atë që po ndodh përreth”, ka thënë Rama.

    Tutje kryeministri i Shqipërisë ka thënë se Borell ka ofruar argumente të qarta se shtetet anëtare po e humbin durimin, dhe këtu shton se shpreson që ideja për konferencë të liderëve ku s’do të lejohet të dalin pa marrëveshje, të merret parasysh.

    Ndryshe thotë se palët duhet të përballen me pasojat, gjë që do të jetë e dhimbshme për të gjithë.

    “Faleminderit që keni ndarë me ne gjithmonë e më shumë prova për humbjen e durimit nga shtetet anëtare dhe rritjen e shqetësimit. Dhe shpresoj shumë që ideja e konferencës së nivelit të lartë do të marr vëmendje e ku do të marrin pjesë liderët e dy palëve dhe ekipet e BE-së dhe SHBA-së, dhe të mos lejohen ata të dalin pa arritur një marrëveshje, ndryshe pastaj për t’u përballur me pasojat e asaj, që do të jetë shumë e dhimbshme për të gjithë”, ka thënë Rama.

  • ​Haxhiu mblodhi grupin ndërministror kundër dhunës në familje, diskutohet rasti i 11 vjecares

    ​Haxhiu mblodhi grupin ndërministror kundër dhunës në familje, diskutohet rasti i 11 vjecares

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka shprehur shqetësim për mos koordinimin institucional dhe mos veprimin e duhur në trajtimin e rastit të vajzës 11 vjecares që ishte dhunuar. Lidhur me këtë është diskutuar në një takim të grupit ndërministror kundër dhunës në familje, të thirrur nga Haxhiu.

    Në këtë takim është diskutuar mbi përgjigjen institucionale dhe mos përgjigjen e disa prej institucioneve përgjegjëse të përmendura në rekomandimet e Institucionit të Avokatit të Popullit për rastin e 11 vjecares.

    “Gjatë takimit të sotëm, ndër të tjera u diskutua për përgjigjet e institucioneve si dhe mos përgjigjet e disa prej tyre. Ministrja Haxhiu ka vlerësuar se është shqetësuese që Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Komuna e Prishtinës, nuk kanë kthyer përgjigje rreth rastit në fjalë, kjo sidomos kur bëhet fjalë për rastin e viktimave të dhunimeve seksuale fëmijë. Për trajtimin e rastit të vajzës 11 vjeçare, Ministrja ka shprehur shqetësimin e saj për mos koordinimin institucional dhe mos veprimin e duhur në këtë drejtim. Andaj, Grupi Koordinues u dakordua për një takim urgjent të personave përgjegjës që të adresohet saktësisht dhe detajisht secili veprim dhe mosveprim i tyre”, ka njoftuar Ministria e Drejtësisë.

    Gjithashtu është theksuar se nga pranimi i planeve të veprimit dhe dokumenteve të tjera relevante për rastin në fjalë, Ministria e Drejtësisë ka shprehur shqetësimin e saj për trajtimin dhe plotësimin shabllon të të gjitha dokumenteve në rastet që trajtohen.

    Në këtë takim është njoftuar se ky format i dokumenteve nuk është përditësuar asnjëherë që nga viti 2003.

  • Kërkohet paraburgim ndaj një personi që dëmtoi një kompani mbi 20 mijë euro

    Kërkohet paraburgim ndaj një personi që dëmtoi një kompani mbi 20 mijë euro

    Prokuroria Themelore në Gjilan, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit, në afat prej 30 ditësh nga Gjykata Themelore në Gjilan, ndaj të pandehurit L.V., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi i besimit’’.

    Sipas kërkesës, i pandehuri L.V., në Qendrën Tregtare ‘’Viva Fresh Store”, në njësinë nr. 2 në Gjilan, në cilësinë e menaxherit, ka keqpërdorur autorizimet e tij që dalin nga kontrata e lidhur me këtë ndërmarrje, duke dëmtuar të njëjtën në vlerë financiare mbi 20,871.24 €, ashtu që artikujt e blerë nga konsumatorët fillimisht i ka regjistruar, por nuk i ka pajisur me kuponë fiskal, ndërsa më pas ka përdorur kartelën ‘’0’’, për të fshirë artikujt e regjistruar.

    Sipas njw komunikate, me këto veprime, dyshohet të ketë kryer veprën e sipërshënuar penale.

  • ​Çeku: Gjurmët e punës së Arsim Fehmiut do të mbesin të pashlyera

    ​Çeku: Gjurmët e punës së Arsim Fehmiut do të mbesin të pashlyera

    Në nderim të jetës dhe veprës së profesorit Arsim Fehmiu, është mbajtur mbledhje komemorative nën patronatin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

    Me këtë rast, ministri i MKRS-së, Hajrullah Çeku tha se kontributi i Fehmiut në zhvillimin e arsimit në Kosovë ishte i jashtëzakonshëm, sidomos në kohërat kur Kosova ishte nën okupim.

    “Sikurse emri që e mbante, profesori i ndjerë ka kaluar një jetë të tërë me arsimin dhe duke kontribuar në zhvillimin e arsimit. Ai ka arritur nivelet e arta të edukimit duke qenë ndër gjeneratat e para të shkolluara në fushën e sportit pikërisht në kohërat kur pothuajse ishte gati e pamundur të ndiqej shkollimi për shkak të shtypjes nga regjimi i asaj kohe. Dijen e tij të fituar me shumë mund, profesori Arsim e ndau tek gjeneratat e reja me shumë pasion dhe dashur për të cilën ai gjithmonë do të mbetet një model shembullor dhe një udhërrëfyez drejt punës dhe suksesit.”, tha Çeku.

    Çeku shtoi se përveç arsimit, kontribut të madh Fehmiu i dha edhe sportit duke ndihmuar shumë klube, federata e sportistë të ndryshëm që të ndjekin rrugën e zhvillimit drejtë sukseseve dhe se gjurmët e tij në këtë fushë do të mbeten të pashlyera.

    “Ai ishte sportit, trajner e punëtor sportiv në disa sporte te ndryshme, por përkushtimi i tij mbi shtatë dekada në sport nuk ishte i kufizuar vetëm në fushat apo palestrat sportive, më shumë se kaq, në një kohë kur nuk kishim as organizata, as institucione e as sistem të organizimit sportiv, ishte ai i cili merrte gjithmonë hapin e parë për të themeluar dhe funksionalizuar këto institucion dhe këto organizata…Gjurmët e profesorit Arsim Fehmiu do të mbesin gjithmonë të pashlyera dhe do të shërbejnë si frymëzim dhe motiv për gjeneratat e reja që do ta ndjekin rrugën e tij.”, theksoi Çeku.

    Njëri nga bashkëpunëtorët e tij, profesori Malsor Gjonbalaj, tha se Kosova ka humbur njërin nga intelektualët më të mëdhenj të saj.

    “Jam thellësisht i bindur që Republika e Kosovës, qytetarët e saj, sportistët, sportdashësit, por edhe të gjithë shqiptarët anë e kënd kanë humbur njërin nga intelektualët më të dalluar në fushën e edukimit fizik dhe sportit…Është vërtetë impresionuese ta kujtosh energjinë e tij, ai edhe pse në moshë të shtyrë, nuk hezitonte të na thërriste e të takoheshim, të na këshillonte për zhvillimin e sportit e sidomos për zhvillimin e gjeneratave të reja.”, the Gjonbalaj.

    Në emër të familjes së Fehmiut, foli djali i tij Agon Fehmiu.

    Ai tha se babai i tij deri në ditët e fundit vazhdoi të kishte kontakte me njerëzit e sportit në Kosovë, derisa shtoi se komuniteti sportiv do të përfitojë viteve në vazhdim nga puna e tij sepse ka lënë prapa shumë projekte të nisura e të cila do të jetësohen viteve të ardhshme. Ai zbuloi edhe amanetin që i la baba i tij para vdekes, e që ishte ruajtja e komunikmit me njerëzit dhe krijimi i urave mes tyre.

    “Gjatë 91 viteve të jetës së tij, prej të cilave 75 i kaloi si sportist, mësues, profesor dhe themelues i shumë institucioneve sportive, babai ka takuar me dhjetëra mijëra njerëz dhe ajo që nga ka fancionuar është fakti që deri në ditët e fundit mbante kontakte me një numë të madh të tyre, çoftë edhe vetëm për të pyetur se si janë më shëndet. Edhe në vdekjen e tij, profesor Arsimi i qëndroi besnik kuptimit të emrit të tij dhe asaj që bëri tërë jetën, na dha një mësim dhe ligjëratë, së paku mua, se sa e rëndësishme është të komunikojmë njëri me tjetrin dhe të ndërtojmë ura, një veti dhe virtyt që sot po zhduket.”, tha Fehmiu.

    Arsim Fehmiu ishte njëri nga themeluesit Fakultetit të Kulturës Fizike, në Universitetin e Prishtinës duke dhënë kontribut të madh në edukimin e shumë gjeneratave në fushën e sportit.

    Ai vdiq më 20 qershor në moshën 91 vjeçare.