ATV

Blog

  • Sulmi ndaj komunës së Mitrovicës së veriut cilësohet terrorist

    Sulmi ndaj komunës së Mitrovicës së veriut cilësohet terrorist

    Pikërisht në këtë skaj të oborrit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, mbrëmë u hodh një granatë dore. Objekti, që ishte cak i sulmit, nuk u dëmtua, veturat e policisë po.

    Sipas policisë, rasti është iniciuar si “kryerje e veprës terroriste”.

    Si i tillë është dënuar edhe nga kryetari Erden Atiq dhe Ministria e Punëve të Brendshme.

    “Sulmet e vazhdueshme terroriste ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, duhet të përballen me reagim të ashpër nga të gjithë. Këto janë tentativa të njëpasnjëshme nga ana e Serbisë, për të eskaluar situatën në veri të vendit”, thuhet në reagimin e MPB-së.

    Të shtunën, ministri i Brendshëm deklaroi se dy organizatat që veprojnë në Veri, Brigadën e Veriut dhe Mbrojtjen Civile, do t’i shpallin organizata terroriste.

    Por, çka në fakt është terrorizmi, dhe kur një organizatë mund të shpallet si e tillë?

    “Veprat penale të terrorizmit janë të caktuara mirë në Kodin Penal. Quhen të tilla kur janë kundër rendit juridik kushtetues. Rasti i fundit, meqenëse ka qëllim të frikësimit dhe politik, mund të quhet vepër terroriste”, Fatmir Qollakaj, profesor i lëndëve të sigurisë.

    Megjithatë, para se të shpallen organizata terroriste, njohës të fushës së drejtësisë, konsiderojnë se duhet të ndërmerren disa hapa.

    “Duhet të bëhet e qartë që shpallja terroriste e këtyre dy organizatave, duhet të bëhet në bashkërendim me partnerët ndërkombëtarë. Kur shpallet terroriste, çdo pjesëmarrës ndiqet sipas ligjeve në fuqi”, tha Lavdim Makshana nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

    Përveç sulmeve të vazhdueshme me shok-bomba drejt stacioneve policore dhe patrullave të policisë në katër komunat veriore, të premten në Zveçan, u gjet dhe u konfiskua sasi e konsiderueshme e armatimit. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Në prag të Kurban Bajramit, Komuna e Lipjanit dhuron 10 banesa për familjet me asistencë sociale

    Në prag të Kurban Bajramit, Komuna e Lipjanit dhuron 10 banesa për familjet me asistencë sociale

    Komuna e Lipjanit sot i ka shpërndarë çelësat e banesave për 10 familje me gjendje të vështirë ekonomike.

    Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, i ka uruar familjet përfituese t’i gëzojnë banesat “me shëndet për familjet e tyre”.

    “Për ne është e rëndësisë së veçantë zgjidhja e çështjes së banimit për familjet në nevojë e sidomos sot që në prag të festës së Kurban Bajramit ta bëjmë shpërndarjen e këtyre banesave”, ka shkruar Ahmeti.

  • Hyn në fuqi vendim i Komunës së Prishtinës: Të gjithë ata që adoptojnë qen do të marrin 50 euro

    Hyn në fuqi vendim i Komunës së Prishtinës: Të gjithë ata që adoptojnë qen do të marrin 50 euro

    Komuna e Prishtinës përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se është miratuar propozim-vendimin për subvencionimin e të gjithë atyre që marrin në përkujdesje dhe mbajtje një apo më shumë qen.

    Sipas komunës, të gjithë personat që marrin në përkujdesje apo mbajtje një apo më shumë qenë do të përfitojnë subvencionim në shumë prej 50 euro.

    Në lidhje me këtë vendim, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se “adoptimi është mënyra më humane e trajtimit të qenve”.

    Ndërsa sipas drejtorit për Siguri dhe Emergjenca, Lulzim Fushtica, qëllimi final i këtij vendimi është zvogëlimi i numrit të qenve endacakë në rrugët e Prishtinës.

    Zbatimi i këtij vendimi, sipas njoftimit, do të nisë pas kalimit të procedurave ligjore të nevojshme.

  • Vuçiq: Ndërkombëtarët do të na sjellin tekstin e Asociacionit, nuk do të na pyesin asgjë

    Vuçiq: Ndërkombëtarët do të na sjellin tekstin e Asociacionit, nuk do të na pyesin asgjë

    Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq ka thënë sot në Beograd se ndërkombëtarët do ta çojnë tekstin e Statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe nuk do të na pyesin asgjë”.

    Vuçiq e ka komentuar shpërthimin e mbrëmshëm në pjesën veriore të Mitrovicës me një pyetje.

    “A është njësoj si me armët e gjetura përballë komunës së Zveçanit në afërsi të NATO-s dhe policisë së Kosovës, dhe ditë më parë kemi raportuar në shërbimet më të mëdha botërore se çfarë kanë planifikuar të bëjnë”, pyeti Vuçiq.

    Vuçiq ka thënë se të gjithë e din se kush po dëshiron ta tensionojë situatën.

    “Të gjithë në botë e dinë se kush po përpiqet të përshkallëzojë situatën, të gjithë në botë e dinë se kush po luan luftë…”, tha Vuçiq.

    “Ne bëmë të pamundurën për të ruajtur paqen, gjithmonë të gatshëm për kompromise – kjo është një fjalë e bukur dhe e mirë, jo një fjalë e keqe, ashtu siç biseda është një fjalë e mirë dhe jo një vepër keqardhjeje”, është shprehur Vuçiq sot gjatë një adresimi publik.

  • Remzi Shala dënohet me 9 vjet e 6 muaj burgim për krime lufte

    Remzi Shala dënohet me 9 vjet e 6 muaj burgim për krime lufte

    Gjykata Themelore në Prizren ka shpllur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Remzi Shala, i njohur si komandant “Molla e Kuqe”, duke e dënuar me 9 vjet e 6 muaj burgim efektiv, lidhur me akuzën për krime lufte kundër popullatës civile.

    Shala, i njohur si komandant “Molla e Kuqe” akuzohej se së bashku me disa pjesëtarë tjerë të paidentifikuar, e kishin marrë H.P nga shtëpia e tij dhe pas disa ditësh trupi i pajetë i të ndjerit ishte gjetur në afërsi të rrugës, afër qendrës së fshatit Duhël.

    Aktgjykimi u shpall të martën, nga kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas aktgjykimit, i akuzuari obligohet që t’i paguajë edhe shpenzimet e procedurës penale në shumën prej 500 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 50 euro për fondin e viktimave të krimit.Pala e dëmtuar, për realizimin e kërkesës pasurore-juridike është udhëzuar në kontest të rregullt civil.

    Palët e pakënaqura, kundër këtij aktgjykimi kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh në Gjykatën e Apelit.

    Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren, në korrik të 2019-ës, kishte marrë aktgjykim, me të cilin të akuzuarin Shala e kishte shpallur fajtor për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”, duke e dënuar me 14 vjet burg.

    Pas ankesës së mbrojtjes, Gjykata e Apelit e kishte ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë, duke ia zbritur dënimin Shalës në 10 vjet burgim.Kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatë Supreme, kishte parashtruar mbrojtësi i të akuzuarit Shala, avokati Natal Bullakaj.

    Gjykata Supreme, në maj të vitit 2020 e kishte kthyer rastin në rigjykim në shkallën e parë.Ish-komandanti i UÇK-së, Remzi Shala, i njohur si komandant “Molla e Kuqe”, akuzohej nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), për vrasjen e një civili gjatë luftës së fundit në Kosovë.

    Shala akuzohej nga PSRK se gjatë kohës së luftës në Kosovë, më 26 qershor 1998, duke vepruar si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), së bashku edhe me disa pjesëtarë tjerë të paidentifikuar, kanë marrë nga shtëpia e tij, viktimën H.P.Gjithnjë sipas aktakuzës, Remzi Shala, i cili ishte i vetmi pa maskë në kokë, së bashku edhe me 5-6 pjesëtarë tjerë të UÇK-së, të maskuar, nën dyshimin se i ndjeri ishte bashkëpunëtorë i forcave serbe, kanë shkuar në fshatin Duhël dhe të njëjtin e kanë dërguar në një vend të panjohur.

    Në aktakuzë thuhet se djali i viktimës, A.P, i kishte parë ata të largoheshin, së bashku me babanë e tij, në drejtim të fshatit Grajqevc dhe pas disa dite trupi i pajetë i të ndjerit ishte gjetur në afërsi të rrugës, afër qendrës së fshatit Duhël.

  • ​Serbët sërish protestojnë në Graçanicë, paraqesin deklaratën e Vidovdanit

    ​Serbët sërish protestojnë në Graçanicë, paraqesin deklaratën e Vidovdanit

    Serbët në Graçanicë janë mbledhur sërish për të kundërshtuar arrestimin e Dragisha Milenkoviq dhe serbëve të tjerë. Për të katërtën herë me radhë, pranë komunës dhe stacionit policor, është protestuar me kërkesën për lirimin e tyre. Aty u paraqit edhe një dokument i quajtur “Deklarata e Vidovdanit”, me pesë pika ku thuhej se në këtë festë duhet të tregohet nëse do të ketë asociacion.

    “Anamorava është me Vuçiqin”, “Prej Anamoravës deri në Leposaviq jena një familje” dhe “Liri për të gjithë serbët e arrestuar”, shkruhej në pankartat e grupit të protestuesve nga Anamorova.

    Në protestë ka marrë pjesë edhe kryetarja e Graçanices, Liliana Shubariq dhe ai i Shtërpcës, Dalibor Jevtiq. Ky i fundit ka lexuar “Deklaratën e Vidovdanit”, derisa tha se bashkësia ndërkombëtare duhet të dëgjojë serbët për gjoja “regjimin aktual në Prishtinë”.

    Jevtiq: Politika e Kurtit, me qëllim që të zhduken serbët nga këto zona
    (Video)
    “Vëllezërit tanë nga Zhupa, të cilëve u shkelen të drejtat elementare të njeriut, por ato të drejta të përcaktuara me ligj këtu në Kosovë, dhe unë dua t/ju drejtohem në emër të të gjithë atyre që janë arrestuar nën drejtësinë e Zotit dhe të ndaluar vetëm pse janë serbë. Ne sot këtu si dhe nga momenti kur Kurti erdhi në pushtet, me protestë paqësore ftojmë bashkësinë ndërkombëtare të na dëgjojë, i ftojmë edhe sot që më në fund të kuptojnë se sa ditët kalojnë terrori i regjimit aktual në Prishtinë tashmë po bëhet më i madh. Ajo që po ndodh nga Shtërpci në Leposaviq, nga Gorazhdeci në Shilovë, ajo që po ndodh këtu në Kosovën qendrore, e gjitha është politikë e Kurtit me qëllim që të zhduken serbët nga këto zona”, pretendoi Jevtiq.

    Bashkimi i serbëve në Graçanicë e veri, siç e quajti Jevtiq, dërgon mesazh të qartë se nuk do të heqin dorë. Ai deklaroi se nuk kanë problem me popullin shqiptar, por me kryeministrin Kurti.

    “Sot dua ta bëj shumë të qartë se ne nuk kemi problem me popullin shqiptar, kemi problem me një njeri që tregon qartë se nuk i do serbët në këto zona, ne kemi problem me Kurtin dhe regjimin e tij në Prishtinë”, tha ai.

    Në prag të festës së Vidovdanit, kryetari i Shtërpcës ka lexuar edhe deklaratën e popullit serb. Aty pretendohet se nga fillimi i vitit, janë plagosur fëmijë e bashkatdhetarë të tjerë për shkak të urrejtjes etnike.

    “I bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndërmarrë hapa vendimtarë për të qetësuar tensionet, sepse ne nuk mund ta tolerojmë më këtë zullum”, pretendoi ai.

    Në këtë deklaratë përmendet edhe çështja e asociacionit, ku kërkohet që të thuhet nëse do të ndodhë një gjë e tillë.

    “Nën dy, njerëzit tanë të vuajtur, besimin në një të nesërme e ka thurur në asociacionin e komunave serbe, të cilën na e garantoi edhe bashkësia ndërkombëtare. Prej 10 vitesh presim të drejtën tonë për një jetë të denjë për njeriun në shekullin e 21-të, për qëndrimin dhe mbijetesën tonë në këto treva. Ka ardhur koha që e vërteta të dalë në dritë dhe kjo në këtë Vidovdan të thuhet qartë nëse do të kemi ZSO, përndryshe e dimë se çfarë duhet të bëjmë”, shtoi ai.

    Po ashtu, Jevtiq gjatë leximit të kësaj deklarate tha se nëse vazhdon një situatë e tillë, do të detyrohen të përgjigjen.

    Ndryshe, për Dragisha Milenkoviq, i cili u arrestua ditë më parë, ekziston dyshimi i arsyeshëm se ka kryer krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës së fundit në Kosovë. /kp

  • Vrasja e dy vëllezërve në Gjakovë, Gjykata ia cakton një muaj paraburgim të dyshuarit

    Vrasja e dy vëllezërve në Gjakovë, Gjykata ia cakton një muaj paraburgim të dyshuarit

    Gjykata Themelore e Gjakovës ka njoftuar se ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit GJ.GJ, i cili dyshohet për vrasjen e dy vëllezërve nga fshati Madanaj dhe mbajtje pa autorizim të armës.

    Sipas kërkesës së Prokurorisë, “me datën 25 qershor 2023 rreth orës 20:20min në fshatin Madanaj të Gjakovës, me dashje ka privuar nga jeta të ndjerin H. I. dhe B. I., nga fshati Madanaj dhe këtë për shkak të një kontesti pronësor”, raporton Express.

    “Gjyqtari i procedurës paraprake Drilon Haraçia, në seancën dëgjimore të mbajtur në ambientet e spitalit ku i pandehuri gjendet për trajtim mjekësor, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, ngase kemi të bëjmë me vepra penale të rënda.

    I pandehur do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 25 qershor 2023 dhe do të zgjasë deri më 25 korrik 2023”, ka njoftuar Gjykata.

    Njoftimi i plotë:

    Një (1) muaj paraburgim ndaj të pandehurit Gj. Gj., për vepër penale të vrasjes së rëndë

    Gjakovë, 27 qershor 2023 – Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një (1) muaj të pandehurit GJ. Gj., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë dhe mbajtjes pa autorizim të armës.

    Sipas kërkesës, “me datën 25 qershor 2023 rreth orës 20:20min në fshatin Madanaj të Gjakovës, me dashje ka privuar nga jeta të ndjerin H. I. dhe B. I., nga fshati Madanaj dhe këtë për shkak të një kontesti pronësor”.

    Me këto veprime i pandehuri dyshohet se ka kryer dy vepra penale, ”Vrasja e rëndë” dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

    Gjyqtari i procedurës paraprake Drilon Haraçia, në seancën dëgjimore të mbajtur në ambientet e spitalit ku i pandehuri gjendet për trajtim mjekësor, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, ngase kemi të bëjmë me vepra penale të rënda.

    I pandehur do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 25 qershor 2023 dhe do të zgjasë deri më 25 korrik 2023.

    Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

  • ​FSK dhe Garda Kombëtare e Ajoas drejt thellimit të bashkëpunimit

    ​FSK dhe Garda Kombëtare e Ajoas drejt thellimit të bashkëpunimit

    Komandanti i Gardës Kombëtare të Ajoas, gjeneral major Stephen Osborn, ka vizituar Forcën e Sigurisë së Kosovës ku është pritur në takim nga komandanti Bashkim Jashari. Ata janë pajtuar që të fillohet me planifikim për Planin Dinamik GK Ajoa-FSK 2024-2025.

    Të dy gjeneralët kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit në mes të FSK dhe Gardës së Ajoas.

    “Gjatë takimit gjeneralët diskutuan për bashkëpunimin e ndërsjellë gjatë UF “Defender Europe 23”, bashkëpunimin në fusha tjera dhe thellimin e bashkëpunimit mes GK Iowa dhe FSK, ku edhe u pajtuan që të fillohet me planifikim për Planin Dinamik GK Iowa-FSK 2024-2025”, ka njoftuar Shtabi i Përgjithshëm i FSK-së.

    Gjenerali Osborn ka vizituar edhe Regjimentin e Parë të Komandës së Forcës Tokësore (R1 KFT).

    Gjatë vizitës në R1K, Gjeneral Osborn, është njoftuar në detaje me misionin, detyrat, pajisjet e R1K dhe është diskutuar më gjerësisht rreth angazhimeve të regjimentit e me fokus gjatë ushtrimit fushor “Defender Europe 23”.

  • ​Qeveria t’i dëgjojë këshillat e Sekretarit Amerikan, kryetarët në veri të dorëhiqen

    ​Qeveria t’i dëgjojë këshillat e Sekretarit Amerikan, kryetarët në veri të dorëhiqen

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që qysh sot të përfillë këshillat e Sekretarit Amerikan, Blinken dhe të gjithë aleatëve për rikthimin e normalitetit në veri.

    Haradinaj ka shkruar në Facebook se zhvillimet po hyjnë në një fazë të rrezikshme dhe koha nuk pret

    “Kjo nënkupton largimin e menjëhershëm të njësive speciale nga objektet e komunave në veri dhe ajo të vazhdojë më detyrat e veta ligjore për ruajtjen e rendit dhe ligjit në këtë pjesë të vendit; që kryetarët e komunave nga zgjedhjet e fundit atje, menjëherë të japin dorëheqje; të shpallen zgjedhjet e lira në këto katër komuna, në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, me pjesëmarrjen e të gjithëve, pa kushte e me garanca ndërkombëtare; që kryeministri Kurti t’i kthehet implementimit të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit, kjo në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, ka shkruar ai.

  • ​Haradinaj: Mirënjohës përjetë Gardës së Iowas për forcimin e Ushtrisë së Kosovës

    ​Haradinaj: Mirënjohës përjetë Gardës së Iowas për forcimin e Ushtrisë së Kosovës

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim Guvernatoren e shtetit të Iowa-s, Kim Reynolds.

    Haradinaj ka falënderuar Guvernatoren Reynolds për kontributin e saj në avancimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

    “Kisha nderin që në vizitën e saj të parë në Kosovë, të zhvilloj një bashkëbisedim të ngrohtë me Guvernatoren e shtetit të Iowa-s, Kim Reynolds. Me këtë rast, shpreha falënderimin për kontributin e jashtëzakonshëm të saj në avancimin e bashkëpunimit të gjithanshëm mes vendeve tona, e veçmas për ndihmën e Gardës së Ioëa-s në forcimin e Ushtrisë së Kosovës”, është shprehur Haradinaj.

    Me këtë rast, Haradinaj ka falënderuar edhe shqiptaro-amerikanim Rrustem Gecaj dhe djalin e tij Avdiun për kontributin e tyre të vazhdueshëm për Kosovën.

    “Gjithashtu, falënderim të veçantë i shpreha shqiptaro-amerikanit shembull, Rrustem Gecaj dhe djalit të tij Avdiut, ku kontributin e tyre të jashtëzakonshëm për Kosovën nuk e ndalën asnjëherë”, ka përfunduar Haradinaj.