ATV

Blog

  • ​Edhe Dybala tundohet nga milionat e arabëve

    ​Edhe Dybala tundohet nga milionat e arabëve

    Sipas Il Corriere dello Sport, klubet saudite po tundojnë edhe Paulo Dybalan, me “Giallorossët” që janë të shqetësuar për humbjen e yllit të tyre duke pasur parasysh klauzolën e tij prej 12 milionë euro.

    “La Joya” ka edhe dy vite në kontratën e tij në me Romën, por çdo klub i huaj mund të sigurojë nënshkrimin e tij në verë duke paguar 12 milionë euro. Dybala gjithashtu ka një klauzolë të vlefshme për klubet e Serisë A, por ajo vlen 20 milionë euro dhe Roma mund ta anulojë duke i ofruar Dybalas një kontratë të re me një pagë më të lartë.

    Sipas gazetës në fjalë,, klubet saudite po monitorojnë nga afër Dybalan, megjithëse ende nuk është bërë asnjë qasje formale, përcjellë KosovaPress.

    Raporti pretendon se Al-Ahli, i cili së fundmi ka nënshkruar me Kalidou Kouliably nga Chelsea dhe është në bisedime me Gennaro Gattuson për t’u bërë trajneri i tyre i ri, po mendon të paguajë klauzolën e Dybalas. Një ofertë që do ta tundonte sulmuesin argjentinas i cili do të mbushë 30 vjeç në nëntor.

    Roma qartësisht nuk dëshiron të ndahet me sulmuesin e saj gjatë verës, duke pasur parasysh se tashmë është në kërkim të një zëvendësuesi për të dëmtuarin Tammy Abraham, i cili do të qëndrojë jashtë fushës deri në vitin 2024 me një dëmtim të rëndë në gju.

  • ​Serbët protestojnë edhe në veri

    ​Serbët protestojnë edhe në veri

    Me tone të forta kundër kryeministrit të vendit, Albin Kurti e muzikë kushtuar Serbisë, serbët e komunave veriore, kanë marrë pjesë sot në siç e quajtën ata, “Tubim i madh i vidovdanit” që u mbajt në sheshin “Vëllezërit Miliq”, në veri të Mitrovicës, raporton KP.

    Dragisha Milloviq, ish kryetar i komunës së Zveçanit, duke lexuar deklaratën pesë pikëshe të vidovdanit, dhe për të cilën u tha se është deklaratë e përbashkët e popullit serb të Kosovës, ka përmendur formimin e Asociacionit, luftën për mbijetesë të serbëve në këto troje, si dhe orientimin drejt paqes, duke potencuar këtu edhe bashkëjetesën me shqiptarë, si kërkesa të përbashkëta të popullit serb të këtushëm.

    Ai ka ftuar bashkësinë ndërkombëtare që të ushtrojë ndikimin e saj dhe të lirojë të gjithë serbët që u arrestuan kohët e fundit.

    Ndryshe, “Vidovdani”, është festë fetare e serbëve e cila përmes gënjeshtrës dhe miteve, Beogradi zyrtar tenton ta mbaj gjallë nervin nacionalist për Kosovën.

  • Trupi gjykues nuk e shtynë datën për mbylljen e çështjes së ZPS-së në rastin kundër Shalës

    Trupi gjykues nuk e shtynë datën për mbylljen e çështjes së ZPS-së në rastin kundër Shalës

    Trupi gjykues në çështjen kundër Pjetër Shalës, nuk e ka pranuar kërkesën e mbrojtjes për të shtyrë mbylljen e paraqitjes së provave nga ana e ZPS, që është planifikuar të ndodh më 6 korrik. Urdhri është marrë në seancën ku ka dëshmuar për të dytën ditë me radhë dëshmitari i prokurorisë, Marek Gasior.

    Kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt Foglia, ka thënë se nuk kanë vlerësuar asnjë arsye për të shtyrë mbylljen e paraqitjes së provave nga ZPS përtej 6 korrikut 2023.

    “Trupi gjykues nuk shikon asnjë arsye për të shtyrë mbylljen e paraqitjes së provave nga ZPS dhe konstaton se kjo nuk është në interes të zhvillimit efektiv të procedurave. Kjo nuk cenon vendimmarrjen e turpit gjykues për kërkesën e ardhshme për leje për apelim nëse kjo do të miratohet dhe nëse Gjykata e Apelit do të tjetërsojë vendimin atëherë do të vendosim se si do të vijomë më tej. Për rrjedhojë kërkesa e mbrojtjes kundërshtohet”, ka thënë kryegjykatësja.

    Megjithatë, trupi gjykues ka miratuar kërkesën e mbrojtjes së Shalës, për të shtyrë kundërpyetjet për dëshmitarin 4823, duke marrë vendim që ato të fillojnë të hënën e 3 korrikut.

    Mbrojtja kishte kërkuar këtë në mënyrë që të mund të përgatisin pyetjet për këtë dëshmitar.

    “Pasi ka marrë parasysh parashtrimet e palëve dhe duke marrë parasysh faktin që salla e gjyqit nuk është e disponueshme të enjten dhe të premten, trupi gjykues vendos të shtyjë kundërpyetjet për dëshmitarin 04826 deri javën që vjen, ne kemi marrë konfirmim se kemi përkthyes të disponueshëm për 3 korrik dhe kjo do të thotë që do të vazhdojmë me marrjën në pyetje të dëshmitarit, nga mbrojtja, të hënën. Gjithashtu për të siguruar kryerjen e efikase dhe të shpejtë të procesit gjyqësor, trupi gjykues i bën thirrje mbrojtjes që të sigurojë një pozitë të tillë që të ketë të disponueshëm ekspertët e vet gjatë gjithë javës që vjen dhe të ketë të disponueshëm dy dëshmitaret ekspertë”, ka thënë kryetarja e trupit gjykues.

    Pas këtyre urdhrave, seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit të ZPS-së, Marek Gasior, në cilësinë e ekspertit mjekoligjor nga Polonia.

    Ai është intervistuar nga prokuroria dhe nga mbrojtësi i viktimave.

    Gjykimi ndaj Pjetër Shalës do të vazhdojë të hënën me 3 korrik.

    Edhe këtë seancë, Pjetër Shala e ka ndjekur nga qendra e paraburgimit, ku ndodhet prej marsit të vitit 2021.

    Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

    Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës./KosovaPress

  • ​Shtëpia e Bardhë thotë se është ende herët të dihet ndikimi i revoltës së Wagnerit në Rusi

    ​Shtëpia e Bardhë thotë se është ende herët të dihet ndikimi i revoltës së Wagnerit në Rusi

    Shtëpia e Bardhë tha të hënën se është “shumë shpejt për të ditur” se çfarë ndikimi do të ketë në rajon revolta e Wagner-it e fundjavës së kaluar në Rusi.

    “Presidenti është i fokusuar në mbështetjen e Ukrainës. Ne nuk po mbajmë anë në këtë çështje të brendshme,” u tha gazetarëve zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, gjatë një konference të përditshme për shtyp.

    Por ai shtoi: “Historia e këtij konflikti ka treguar se ushtria ruse nuk është aq e lavdëruar sa ndoshta ata donin të karakterizoheshin”.

    Duke e kthyer fokusin përsëri te lufta 16-mujore e Ukrainës, ai tha: “Dhe përsëri, të mos tingëllojë si një rekord i thyer, por ajo që ne po përpiqemi të bëjmë është të sigurohemi që ukrainasit të kenë gjithçka që u nevojitet për të qenë të suksesshëm në atë luftë”.

    Kirby gjithashtu nuk pranoi të komentojë nëse qeveria amerikane i konsideron ngjarjet që ndodhën me Grupin Wagner një “kryengritje, një grusht shteti, një tentativë për grusht shteti ose një rebelim të armatosur”.

  • Borrell pas takimit me Ramën: Vendeve të BE-së po u humb durimi nga tensionet Kosovë-Serbi

    Borrell pas takimit me Ramën: Vendeve të BE-së po u humb durimi nga tensionet Kosovë-Serbi

    Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borell, e ka falënderuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama për përpjekjet që po bën për të gjetur zgjidhje, pas rritjes së tensioneve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

    “E kam bërë të qartë edhe pas takimit të djeshëm të ministrave të Jashtëm të BE-së se, palët duhet t’i ulin tensionet dhe të gjejnë zgjidhje, sipas planit të BE-së, që u është prezantuar atyre javën e kaluar në Bruksel. Situata kërkon hapa të shpejtë dhe zgjidhje të shpejtë, dhe mund t’ju them që vendet janë duke humbur durimin, andaj kërkojnë veprime të shpejta”, ka thënë Borrell në një konferencë për media me Ramën në Bruksel.

    Kryeministri Rama, në anën tjetër, ka thënë se është i shqetësuar për tensionet aktuale mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Jam i përkushtuar dhe Shqipëria është e përkushtuar për të punuar që të mos lejojë që kjo situatë të ndikojë keq në rajon”.

    Ai ka thënë se lirimi i tre policëve të Kosovës nga autoritetet e Serbisë përbën lajm të mirë, dhe tani është koha për shtensonim urgjent.

    Tre policët janë liruar nga paraburgimi më 26 qershor do të mbrohen në liri.

    Ata janë arrestuar më 14 qershor.

    Ndaj tyre rëndon vepra penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse, e cila bart dënim me burg deri në 12 vjet.

    Kosova pretendon se ata janë rrëmbyer nga territori i Kosovës, por Serbia deklaron se i ka arrestuar në territorin e saj.

    Arrestimi i tyre përbën vetëm një prej arsyeve të rritjes së tensioneve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

    Atmosfera është përkeqësuar prej 26 majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri – të banuara me shumicë serbe – kanë hyrë në ndërtesat komunale të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

    Popullata serbe, e cila i ka bojkotuar zgjedhjet, ka kundërshtuar veprimin e kryetarëve dhe ka mbajtur vazhdimisht protesta para ndërtesave.

    Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar nga Kosova dhe Serbisë që t’i ulin urgjentisht tensionet dhe që Prishtina t’i organizojë zgjedhjet e reja.

    Çështja e tensioneve në Kosovë do të jetë temë diskutimi edhe në takimet e shefave të shteteve të BE-së, të enjten dhe të premten në Bruksel. /REL

  • Instagram lanson përditësimin e madh për të mos e përdorur gjatë natës

    Instagram lanson përditësimin e madh për të mos e përdorur gjatë natës

    Kur të rinjtë po hasin në telashe për të fjetur, “shpëtimin” po e gjejnë te telefoni dhe rrjetet sociale. Bëhet fjalë kryesisht për Instagramin. Por ditët kur i zë mëngjesi duke shikuar ende në Instagram, mund ta kenë përjetuar fundin me përditësimin e ri të Instagramit.

    Meta, që është pronare e Instagramit dhe Facebookut, ka lansuar dy vegëza për t’i paralajmëruar të rinjtë që të menaxhojnë kohën e tyre nëpër aplikacione.

    “Këto përditësime janë menduar t’u ndihmojnë të rinjve të ndihen më në kontroll të përjetimeve të tyre online dhe t’u ndihmojë prindërve t’i përkrahin adoleshentët e tyre”, ka thënë Meta.

    Veçoria e parë është njoftimi i adoleshentëve se kanë kaluar “kohë të gjatë në Facebook”.

    “Adoleshentët do të njoftohen kur t’i kalojnë 20 minuta në Facebook, duke u rekomanduar të largohen nga aplikacioni e të caktojnë kufizime ditore të kalimit të kohës në to”, ka shpjeguar kompania.

    Ndërsa në Instagram, atyre “do t’u dridhet ekrani” nëse aplikacioni vëren se po rrinë shumë gjatë natës.

    Veçoria vjen pak kohë pas lansimit të “Quiet Mode” në Instagram – veçori që inkurajon përdoruesit të caktojnë kufizime me miqtë dhe ndjekësit e tyre. Ky modalitet hesht njoftimet dhe dërgon auto-përgjigje në mesazhe.

    Veçoritë pritet të jenë gati në gjithë botën së shpejti.

     

  • “Gjatë verës kërkojnë me i humb 10 kg menjëherë, ajo s’është e shëndetshme”, dietologia tregon se çfarë të konsumojmë gjatë verës

    “Gjatë verës kërkojnë me i humb 10 kg menjëherë, ajo s’është e shëndetshme”, dietologia tregon se çfarë të konsumojmë gjatë verës

    Dietologia Vala Pupovci, e ftuar në emisionin “Libero”, në ATV ka folur rreth asaj se çfarë duhet të konsumojmë gjatë sezonës së verës.

    Pupovci numëroi disa nga ushqimet që duhet t’i konsumojmë, në mënyrë që të mos kemi problem me tretjen e atij ushqime apo qoftë edhe me ndonjë problem shëndetësor, që shkaktohet nga kequshqyerja.

    “Ato ushqime që kryesisht duhet të konsumohen gjatë verës, janë frutat dhe perimet për shkak se na japin fibrat, vitaminat, mineralet që janë shumë të rëndësishme por shumicën e kohës këto kanë sasi të ulët të proteinave dhe për këtë arsye duhet të me I zgjedh proteinat prej ushqimeve të tjera dhe nëse mishi është I rëndë me u konsumua atëherë munden me u zgjedhë edhe burimet të cilat janë bazë bimore siç janë: fasulet, thjerrëzat, qiqrat, arroret e ndryshme por edhe drithërat e ndryshme integrale. Pavarësisht që është verë duhet me I konsumua gjitha këto”, tha ajo.

    Pupovci përmendi se edhe çfarë duhet të hamë kur jemi me ankth apo stres.

    “Ka ushqime të shumta që munden me ndikua në këtë pikë mirëpo, një nga ata nutrientët që luan një rol shumë të madhe te ankthi apo stresi është magneziumi… Çokollata ka një sasi të konsiderueshme të magneziumit, por kjo nuk do të thotë që duhet të konsumojmë sasi shumë të madhe të çokollatës në qoftë edhe e zezë”, u shpreh ajo.

    Tutje ajo shtoi se ajo humbja e peshës për një muaj nuk është e shëndetshme.

    “Është shumë më e rëndësishme që këto qëllime që ia vendosim vetës synimet që i kemi me qenë synime të arritshme… Gjatë verës kanë dëshira që sipas atyre dietave që unë i përshkruaj janë të pa arritshme, presin që 10 kg për një muaj të i humbin, por ajo mënyrë nuk është e shëndetshme”, shtoi Pupovci./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

     

  • ​Osmani: Kosova e përkushtuar për të punuar me partnerët për siguri dhe stabilitet

    ​Osmani: Kosova e përkushtuar për të punuar me partnerët për siguri dhe stabilitet

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në Samitin e krerëve të shteteve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), ku ka përsëritur përpjekjet e vazhdueshme të Kosovës për të punuar me partnerët për siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm, si dhe ka theksuar përkushtimin për një të ardhme brenda institucioneve euroatlantike.

    Osmani ka përgëzuar presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatoviq për një organizim të suksesshëm, të këtij samiti në të cilin po marrin pjesë krerët e 13 shteteve. Aty po bisedimet rreth thellimit të bashkëpunimit me vendet e rajonit.

  • Kupa e Botës për Klube 2023 do të mbahet në Xheda të Arabisë Saudite

    Kupa e Botës për Klube 2023 do të mbahet në Xheda të Arabisë Saudite

    Federata e Futbollit të Arabisë Saudite (SAFF) dhe Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) konfirmuan se Kupa e Botës për Klube FIFA 2023 do të zhvillohet në qytetin saudit të Xheda, raporton Anadolu.

    Vendimi erdhi pas vizitës së një delegacioni të FIFA-s në Xheda për të vlerësuar përgatitjet e vazhdueshme për kompeticionin, i cili është planifikuar të mbahet nga 12 deri 22 dhjetor.

    “Jemi të kënaqur që Xheda, me objektet e saj moderne dhe reputacionin për organizimin e ngjarjeve të mëdha sportive ndërkombëtare, është zgjedhur si qyteti ku do të luhet Kupa e Botës për Klube FIFA”, tha Yasser Al Misehal, President i Federatës së Futbollit të Arabisë Saudite.

    “Sporti është shtytësi kryesor i transformimit të vazhdueshëm të Arabisë Saudite sipas Vizionit 2030, të vendosur në Mbretëri si një nga vendet me rritjen më të shpejtë dhe më emocionuese në sportin botëror”, shtoi ai.

    Kjo do të shënojë garën e parë të Kupës së Botës për Klube FIFA që mbahet në Arabinë Saudite.

    E themeluar në vitin 2000, Kupën e Botës për Klube për herë të fundit e fitoi Real Madrid në vitin 2022.

    Kompeticioni direkt me nokaut mbahet midis fituesve të vitit të Ligës së Kampionëve AFC (Azi), CAF Liga e Kampionëve (Afrikë), CONCACAF Kupa e Kampionëve (Amerika e Veriut, Amerika Qendrore dhe Karaibet), CONMEBOL Libertadores (Amerika e Jugut), OFC Liga e Kampionëve (Oqeani) dhe Liga e Kampionëve UEFA (Evropë), së bashku me kampionët kombëtarë të vendit pritës.

  • 200 hektarë kyçen në sistem të ujitjes, investohen rreth 200 mijë € – Peci e Idrizi inspektojnë nisjen e punimeve për ndërtimin e kanalit

    200 hektarë kyçen në sistem të ujitjes, investohen rreth 200 mijë € – Peci e Idrizi inspektojnë nisjen e punimeve për ndërtimin e kanalit

    Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi dhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, kanë parë nga afër nisjen e punimeve për ndërtimin e kanalit të sistemi të ujitjes në fshatin Sfaraqak, raporton EO.

    Ky kanal është rreth 2 500 metra i gjatë që mbulon një sipërfaqe prej 200 hektarë.

    Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, tha se krahas këtij investimi kapital, bujqit në Vushtrri kanë përfituar edhe 2.6 milionë euro grante.

    “Është kënaqësi edhe për mua që si ministër të marrë pjesë në fillimin e punimeve të këtij investimi kapital që përkundër që nuk është një shifër shumë e madhe, efektin në ekonomi do ta ketë të konsiderueshme për shkak se flitet për 200 hektarë tokë bujqësore dhe pjellore, të cilat do ta kenë mundësinë që nga viti i ardhshëm të jenë në sistem të ujitjes”.

    “Mua më gëzon ky fakt aq më tepër që jemi në njërën prej komunave më bujqësore në Kosovë dhe përveç këtij investimi kapital të këtij projekti dhe dje e kam analizuar numrin që kanë përfituar nga Komuna e Vushtrrisë del që përveç këtij investimi kapital janë edhe 2.6 milionë euro grante që janë në proces të implementimit të Komunës së Vushtrrisë”, tha Peci.

    Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, tha se kostoja e këtij projekti kap shifrën e 196 mijë euro dhe se komplet financohet nga Ministria e Bujqësisë, raporton EO.

    “Së pari të falënderoj ministër për këtë donacion që e ke dhënë për Komunën e Vushtrrisë për bujqit vushtrrias, do të futën në sistem të ujitjes rreth 200 hektarë tokë”.

    “Vlera totale e projektit është 196 mijë euro dhe komplet e financuar nga Ministria e Bujqësisë dhe sa herë që kemi pas nevojë, ministrin Peci e kemi pas afër nesh”, tha Idrizi.