ATV

Blog

  • Pse falja në Malin Arafat është maja shpirtërore e pelegrinëve myslimanë

    Pse falja në Malin Arafat është maja shpirtërore e pelegrinëve myslimanë

    Ata vijnë gjatë errësirës së natës, me mijëra, për t’iu ngjitur kodrës shkëmbore të quajtur Mali Arafat.

    Ky vend në juglindje të Mekës është pak i njohur përtej botës islame. Për ata që nuk janë myslimanë, ecja përreth Kabasë – struktura e zezë në formë kubike në qytetin e shenjtë – është momenti vizual më mbresëlënës që shoqëron pelegrinazhin e haxhillëkut.

    Por për myslimanët, është rituali i faljes së të martës në Arafat që përfaqëson thelbin dhe tërësinë e haxhillëkut.

    Kodra në fjalë dhe Dita e Arafatit, siç quhet dita e dytë në pelegrinazhin e përvitshëm, mbartin domethënie të jashtëzakonshme për fenë islame. Arafati përmendet në Kuran si vendi ku Profeti Muhamet thuhet se mbajti predikimin e tij të fundit, gjatë haxhillëkut të tij të fundit. Sipas thënieve tradicionale të profetit, Dita e Arafatit është dita më e shenjtë e vitit, kur Zoti afrohet më pranë besimtarëve dhe fal mëkatet e tyre.

    Momenti i afrimit me Zotin e bën edhe personalisht më të rëndësishme për shumë njerëz këtë pjesë të pelegrinazhit.

    Deri në orën 4 të mëngjesit të së martës, maja 70 metra e lartë ishte e mbushur me besimtarë. Ata u ngjitën në terrenin e saj të ashpër, duke tërhequr pas vetes sendet personale dhe duke kërkuar për një vend të lirë. Ata ulen në grupe në brezaret e gurta dhe në të çarat mes shkëmbinjve.

    Disa falen, duke pëshpëritur lutjet e tyre për Zotin me pëllëmbët e hapura drejt qiellit. Disa shijojnë panoramën ndërsa drita e mëngjesit fillon të përhapet. Të tjerë ngrenë krahët për të bërë një fotografi selfie për të shënuar momentin. Spërkatëse të mëdha në formë rrethore hedhin ujë për të freskuar pelegrinët në vapën që shkon me shpejtësi në 45 gradë Celcius.

    Me kalimin e ditës, zona përreth malit Arafat u mbush me rreth 1.8 milionë pelegrinë. Pa hije apo fllad, njerëzit filluan të përdorin gjithçka që gjenin për t’u mbrojtur nga dielli. Vullnetarët shpërndanë çadra dhe pije, dhe kamionët e mbushur me arka me shishe uji shtuan kaosin e trafikut. Celularët i mbyllnin për shkak të të nxehtit dhe pelegrinët shponin shishet e ujit dhe i përdornin ato për t’u spërkatur me ujë.

    Megjithatë, ata thanë se ishin shumë të lumtur që ishin atje pavarësisht vështirësive.

    Khaled Al-Shannik, pronar dyqani 30-vjeçar nga Jordania, tha se haxhillëku nuk ishte Meka. “Haxhillëku është në Arafat”, tha ai, duke përsëritur një nga thëniet e profetit teksa ishte ulur me familjen e tij në një shkëmb të madh. “Të gjithë muslimanët dëshirojnë të qëndrojnë në pozicionin në të cilin jemi ne tani”.

    Usman Arshad, student pakistanez 26-vjeçar, eci gati 4,700 kilometra për këtë moment. Ai ishte i vendosur të vinte më këmbë. Prandaj ai eci nga qyteti i tij i lindjes Okara në provincën lindore Punjab, përgjatë gjithë vendit të tij dhe Iranit. Në vazhdim, ai mori një varkë për në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe eci përgjatë Gadishullit Arabik për në Mekë.

    “Kishte sfida dhe unë rashë disa herë, por Zoti më ndihmoi të ngrihesha përsëri”, tha ai për udhëtimin, i cili zgjati gjithsej gjashtë muaj.

    Zoti Arshad u rrit duke lexuar për haxhillëkun dhe ai njihte njerëz që e kishin bërë këtë pelegrinazh. Ai bisedoi me ta për situatat që e prisnin dhe se si të përgatitej. Gjithashtu bëri hulumtimet e tij, veçanërisht kur ishte fjala për Arafatin.

    Arafati është vendimtar për pelegrinët, tha ai, momenti për të marrë faljen e Zotit.

    “Kjo nuk është gjë e vogël. Të gjithë besojnë se janë mëkatarë. Nëse na jepet kjo mundësi (për t’u falur), atëherë duhet ta shfrytëzojmë atë”, tha ai. “Arafati është një ditë e bekuar dhe unë ndjej paqe dhe mençuri duke qenë këtu”, raporton VOA.

    Pelegrinëve u kërkohet të falen në Arafat pas mesditës dhe deri menjëherë pas perëndimit të diellit. Ata nuk duhet të jenë medoemos në kodër dhe mund të qëndrojnë kudo në tokat përreth saj.

    Në mesditë, turmat gjigante të pelegrinëve dëgjuan një predikim nga Sheikh Jusuf bin Said në xhaminë e madhe Namirah, e ndërtuar në vendin ku Profeti Muhamed iu drejtua për herë të fundit komunitetit të hershëm mysliman në shekullin e VII. Sheiku përsëriti thirrjen e profetit për unitet.

    “Jemi të urdhëruar të jemi të bashkuar dhe na ndalohet ndarja në të gjitha rrethanat, gjë që është edhe më e rëndësishme gjatë sezonit të Haxhit dhe në vendet e ritualeve”, tha ai.

    Autoriteti i Përgjithshëm për Statistikat i Arabisë Saudite tha të martën se 1,845,045 njerëz morën pjesë në Haxhin e këtij viti, përfshirë 1,660,915 nga jashtë vendit. Është dukshëm shifër më e ulët se 2,489,406 që morën pjesë në vitin 2019, haxhillëku i fundit i madh përpara pandemisë. Numri i pelegrinëve nga jashtë vendit këtë vit ra me 200 mijë krahasuar me vitin 2019, dhe pelegrinët nga brenda Arabisë Saudite janë vetëm sa një e treta e numrit të atij viti.

    Pas perëndimit të diellit të martën, pelegrinët shkojnë në një pllajë në shkretëtirën aty pranë të quajtur Muzdalifa për të mbledhur guralecë, të cilët do t’i përdorin të nesërmen në një ritual simbolik të goditjes me gurë ndaj djallit në Mina.

  • Kryeministri Kurti uron për festën e Kurban Bajramit

    Kryeministri Kurti uron për festën e Kurban Bajramit

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar besimtarët e fesë myslimane për festën e Kurban Bajramit.

    Përmes një postimi në facebook, ai ka bërë thirrje për solidaritet, zemërgjerësi me të tjerët, për të mirën e përgjithshme.

    Urimi i plotë i kryeministrit:

    Gëzuar e me fat Kurban Bajrami!

    Sakrifica gjithmonë ka për synim tjetrin, jo veten. Të mirën e përgjithshme, jo të mirat vetanake. Ajo është shërbim dhe përkushtim, që nganjëherë të pakëson, por gjithmonë të lartëson. Përmes saj heq dorë nga të qenit në qendër, për t’u bërë qendra e të tjerëve.

    Në festën e sakrificës, le të bëhemi edhe më solidarë e më zemërgjerë me të tjerët, për të mirën e përgjithshme, me ata që na rrethojnë. Sot, nesër, çdo ditë të vitit.

  • Falet Kurban Bajrami – Tërnava thërret për qetësi në veri: Kjo festë na bënë bashkë të gjithëve

    Falet Kurban Bajrami – Tërnava thërret për qetësi në veri: Kjo festë na bënë bashkë të gjithëve

    Në Xhaminë e madhe në Prishtinë është bërë falja e namazit të Kurban Bajramit, raporton EO.

    Mesazhin e Kurban Bajramit e mbajti Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ku tha se Festa e Kurban Bajramit është një ndër festat më të rëndësishme për myslimanët.

    Tërnava në mesazhin drejtuar besimtarëve shtoi se kjo festë na bënë bashkë të gjithëve. Sipas tij, këtë festë e karakterizojnë haxhi e prerja e kurbanit, rituale këto që e ofrojnë besimtarin me Zotin.

    Myftiu Tërnava ka shprehur shqetësimin e tij edhe për shtimin e dhunës në familje si dhe për shtimin e divorceve e rënien e lindjeve.

    Myftiu foli edhe për gjendjen e sigurisë, duke kërkuar shtensionim të situatës. Ai ka kërkuar që Qeveria e institucionet ndërkombëtare të punojnë në këtë drejtim.

    “Të nderuar vellezer dhe motra kjo festë është edhe shoqërore ndaj përkushtimi për shoqërinë është obligim i fesë islame ashtuqë askush të mos ndihet i privuar nga të mirat materiale, prandaj të qëndrojmë të solidarizuar dhe në harmoni me njëri-tjetrin”.

    “Veprat e këqija janë ato që e cënojnë fenë islame, dhuna e çdo lloji, tradhëtia bashkëshortore, bixhozi, alkooli, të gjitha këto janë pothuajse të njëjta”.

    Edhe qytetarët patën me mesazhe për paqe, solidaritet, harmoni dhe dashuri ndaj njëri-tjetrit.

    Me rastin e ditës së parë të Kurban Bajramit, Kryesia e BIK-ut, tash e çdo vit organizon pritje përurimi në selinë e Kryesisë, nga ora nëntë.

  • Myslimanët në mbarë botën kremtojnë sot Kurban Bajramin

    Myslimanët në mbarë botën kremtojnë sot Kurban Bajramin

    Myslimanët në mbarë botën festojnë sot Kurban Bajramin.

    Manifestimi qendror për territorin e Kosovës, kushtuar kësaj feste do të mbahet në “Xhaminë e Madhe” në Prishtinë.

    Namazi i Kurban Bajramit falet në orën 5:38, të cilit do t’i prijë Burhanudin ef. Hashani- kryeimam i Prishtinës, ndërsa hytben – mesazhin e Kurban Bajramit do ta mbajë Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava.

    Ligjëratën tematike kushtuar festës së Kurban Bajramit do ta mbajë dr. Selatin Mehani – pedagog në Medresenë “Alaudin” në Prishtinë.

    Po ashtu, Kryesia e BIK-ut, si tradicionalisht organizon pritje përurimi në selinë e Kryesisë, nga ora 9:00-12:00.

  • Lirimi i policëve: Zëdhënësi i DASh-it nuk komenton rolin e ish-zyrtarëve amerikanë

    Lirimi i policëve: Zëdhënësi i DASh-it nuk komenton rolin e ish-zyrtarëve amerikanë

    Lajmi për lirimin e tre policë kosovarë të rrëmbyer nga shteti serb më 14 qershor u shoqërua me shumë reagime, spekulime dhe pretendime të ndryshme lidhur me ndikimin e disa zyratëve apo ish-zyrtarëve në këtë proces. Por çka tha zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit?

    Pas lirimit të tyre, kishe raportime – të pa konfirmuar në mënyrë të pavarur nga Nacionale – se ish i dërguari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Richard Grenell, së bashku me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, kontribuan në lirimin e policëve.

    Në këtë kontekst, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matt Miller, u pyet rreth rolit të ish-zyrtarëve amerikanë dhe ndikimit të tyre në këtë çështje gjatë konferencës së rregullt me gazetarë, e cila u mbajt sot.

    Megjithëse Miller shprehu gëzimin e tij për lirimin e tre policëve kosovarë, ai refuzoi të komentojë rreth kontributit të ish-zyrtarëve të administratës amerikane. “Nuk do ta vendos veten në atë pozicion për të folur për ish-zyrtarët e administratës,” tha ai.

    Miller po ashtu ka theksuar se Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar vazhdimisht lirimin e policëve kosovarë, duke shtuar pak sarkazëm në përgjigjen e tij.

    “Do të flas për qeverinë e Shteteve të Bashkuara dhe ajo që bëmë është që kërkuam lirimin e tre oficerëve të policisë.” – pohoi ai

    “Siç ndodh shpesh, suksesi ka një mijë baballarë, dhe cilado qoftë arsyeja që autoritetet i liruan ata tre oficerë policie, ne jemi të lumtur që e pamë të ndodhë.” – deklaroi Miller.

  • Myslimanët nesër festojnë Kurban Bajramin, lutjet shkojnë për paqe e mirëkuptim

    Myslimanët nesër festojnë Kurban Bajramin, lutjet shkojnë për paqe e mirëkuptim

    Kryetari i Bashkësisë Islame, Naim Ternava, ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit.

    Lutja e myftiut Tërnava ishte që të ketë paqe mes njerëzve dhe jo trazira.

    “Sot po jetojmë në kohë trazirash, luftërash, pasiguri, konflikte e frikë. Në këtë ditë të madhe, në vigjilje të Kurban Bajramit, lutemi që mesazhi dhe porositë që i bart kjo festë, të kuptohen drejt nga të gjithë. Lutemi, po ashtu, që bota të ketë sa më pak konflikte e ngatërresa, luftëra e çrregullime. Festa e Kurban e Bajramit ka edhe domethënien e paqes, drejtësisë, unitetit e mirëkuptimit. Duke iu uruar për festën e madhe të Kurban Bajramit, lus për shëndet, mbarësi, begati, dashuri e harmoni në familjet tona. Me fat e mbarësi festa e Kurban Bajramit!”, tha Tërnava.

    Kreu i BIK-ut kujtoi edhe obligimin për prerjen e kurbanit dhe shpërndarjen e me nevojtarët.

    “Prerja e Kurbanit në Ditën e Bajramit është një ibadet shtesë, ndërkaq argumenton shpirtin e bindjes për Zotin në të njëjtën kohë, ka për qëllim qoftë edhe për një kohë të caktuar, mbylljen e hendekut dhe ndasive mes shtresave të ndryshme shoqërore, duke rritur bashkëpunimin dhe duke afruar ndihmën dhe duke i dhënë dorën njëri-tjetrit!”, tha Tërnava.

    Duke kujtuar haxhilerët kosovarë që janë duke kryer një nga obligimet e fesë myslimane, Tërnava tha se ata së bashku me miliona besimtarë të tjerë po shprehin përkushtimin dhe adhurimin ndaj Zotit, në formën më të mirë.

    Manifestimi qendror kushtuar kësaj feste do të mbahet nesër në “Xhaminë e Madhe” në Prishtinë. Namazi i sabahut falet në orën 4.23 min, ndërsa namazi i Kurban-Bajramit falet në orën 5.38 min. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Në javën e fundit të mësimit, rritet numri i mungesave të nxënësve

    Në javën e fundit të mësimit, rritet numri i mungesave të nxënësve

    Mungesat e nxënësve në javën e fundit të mësimit tashmë kanë filluar të shihen. Madje, edhe prania e të tjerëve po vlerësohet vetëm fizike, pasi interesimi për mësimnxënie është ulur dukshëm.

    Vazhdimi i mësimit edhe gjatë kësaj jave nuk po konsiderohet fare efektiv.

    “Kemi pasur mundësi ta përfundojmë edhe javën e kaluar. Prania e tyre është më shumë fizike, nuk ka interesim, po ndikojnë edhe temperaturat e larta”, tha drejtori i shkollës “Emin Duraku”, Visar Osmani.

    Ndonëse, nuk është bërë asnjë zëvendësim në ditët e shtuna, shpjegimi i njësive mësimore në shumicën e lëndëve ka mbaruar javën e kaluar.

    “Përveç lëndës së matematikës, e cila është më voluminoze, lëndët e tjera pa asnjë problem i kemi përmbledhur, pa pasur nevojë të tejkalohet ndonjë mësim”, tha Naxhije Fejzullahu, mësimdhënëse në shkollën “Emin Duraku”.

    Se kjo javë ka të bëjë më shumë me çështje administrative, e thotë edhe drejtori i shkollës “Pavarësia”, duke shtuar se mësimi ka pasur mundësi të përfundojë edhe javën e kaluar.

    “Mund të ketë ndonjë njësi të mos realizohet, por nuk do të thotë që e ka pasur mundësinë të realizohet për këtë javë se nëse një lëndë mësimore e ka vetëm një orë në javë, ajo i bie të mërkurën, që i bie festë, d.m.th. s’kemi bërë asgjë me këtë punë”, tha drejtori i shkollës “Pavarësia”, Shefki Rusinovci.

    Për shkak të grevës 1-mujore që mbajtën mësimdhënësit vitin e kaluar, me kalendarin e ri shkollor përfundimi i procesit mësimor u shty.

    Klasat e 9-ta deri në të 11-tën mësimin e përfunduan të martën, derisa për nxënësit e klasave nga e para në të tetën, mësimi do të mbarojë të premten e 30 qershorit. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Rama e Borrell kërkojnë deeskalim të situatës në veri të Kosovës

    Rama e Borrell kërkojnë deeskalim të situatës në veri të Kosovës

    Tensionet në veri të Kosovës ishin temë diskutimi në takimin mes kryeministrit shqiptar Edi Rama, e përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell.

    De-eskalim i situatës në veri u kërkua edhe sot nga përfaqësuesi i lartë i BE-së, për të cilën u tha se ka humbur durimi.

    “Gjithashtu, kemi diskutuar edhe për dialogun, për paqen në Prishtinë dhe të falënderoj ty Kryeministër, për përpjekjet për të gjetur një zgjidhje dhe e kam bërë të qartë dje në Luksemburg, që palët duhet të gjejnë një mënyrë për ta evituar përshkallëzimin e situatës dhe të miratojnë udhërrëfyesin që u është vënë në tavolinë. Kjo situatë kërkon që ne të marrim masa në mënyrë të shpejtë, urgjente dhe shtetet anëtare janë dakord me këtë urgjencë. Ato e kanë humbur durimin para kësaj situate që po përkeqësohet gjithmonë e më tepër dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme”, tha Borrell.

    Shtensionim të situatës në veri të Kosovës kërkoi edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama. Sipas tij, normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është detyrim i të dyja vendeve ndaj vendeve të rajonit, e për këtë ai pati një propozim.

    “Unë shpresoj shumë që ideja e një konference të nivelit të lartë, që të sjellim liderët e dy shteteve, liderët e BE-së dhe Amerikës, dhe të mos i lëmë të dalin pa arritur një marrëveshje, ose të ballafaqohen me të gjitha pasojat që do të ishte shumë zhgënjyese për të gjithë”, tha Rama.

    Rama foli edhe për lirimin e tre policëve kosovarë, duke theksuar se tash është koha për vendosjen e qetësisë.

    “Më në fund kemi lirimin e tre policëve dhe tani është koha për de-eskalimin urgjentisht. Po bëhet shumë më shumë urgjent dhe jemi të angazhuar që të vazhdojmë punën bashkë me juve dhe miqtë e tjerë, që të mos lejojmë që kjo situatë të ndikojë keq në rajon. Kemi shumë punë për të bërë, Procesi i Berlinit, kemi bërë shumë progres”, tha Rama.

    Në ditën e dytë të vizitës në Bruksel, kryeministri Rama ka takuar edhe Komisionarin për Zgjerimin Evropian, Olivér VárhelyI, si dhe presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, me të cilët foli për rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në BE. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Serbët mblidhen në Mitrovicë të Veriut dhe në Graçanicë, Shpalosin “deklaratën e vidovdanit”

    Serbët mblidhen në Mitrovicë të Veriut dhe në Graçanicë, Shpalosin “deklaratën e vidovdanit”

    Një ditë para festës së Shën Vidit apo Vidovdanit, Serbët e Kosovës u mblodhën në Mitrovicë të Veriut dhe në Graçanicë, ku edhe nxorën një dokument të quajtur deklarata e Vidovdanit.

    Deklarata e cila përmbante pesë pika, fokus kishte gjendjen e serbëve pas situatës së fundit në veri dhe vendimet potenciale që do të mund të merren ditëve në vazhdim, karshi asaj që do të ngjajë për ta.

    Teksa shprehnin mllefin ndaj institucioneve të Kosovës për siç e quajtën ata, dhunën ndaj serbëve, nuk u la pa u përmendur edhe Asociacioni, që megjithatë do jetë temë ekstra nesër në kremten e ‘Vidovdanit’.

    “Ka ardhur koha që të zbardhet e vërteta dhe të thuhet qartë në këtë Vidovdan: a do të kemi Asociacion? Ndryshe, e dimë çfarë të bëjmë”, tha ish-kryetari i Komunës së Zveçanit, Dragisa Miloviç.

    Duke folur për ngjarët në veri të vendit, teksa institucionet e Kosovës i etiketonin si fashiste, ata kërkuan ndihmë nga ndërkombëtarët, në të kundërtën, siç thanë, do të marrin vetë masa.

    “Për më shumë se dy dekada, e sidomos muajt e fundit, ne serbët nga Kosova dhe Metohia, nga Shtërpca deri në Leposaviq, jemi përballur me dhunë të paparë, e cila, si për motivin ashtu edhe për mënyrën e kryerjes së saj, nuk mund të quhet ndryshe veçse fashiste. I bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndërmarrë hapa të vendosur për të qetësuar tensionet, sepse ne nuk mund ta tolerojmë më këtë mizori”, tha Miloviç.

    E njëjta deklaratë u shpalos edhe para qytetarëve në Graçanicë, me ç’rast u tha se rezistenca e tyre do të vazhdojë përderisa ka presion nga autoritetet e Kosovës.

    “Në prag të Vidovdanit, kur çdo gjë është e dukshme dhe kur çdo fjalë e dhënë bëhet premtim, ne serbët themi se nëse mizoria ndaj popullit tonë vazhdon, do të detyrohemi t’u përgjigjemi të gjithë atyre, të cilët na dëshirojnë të keqen, që ëndërrojnë luftën në vend të paqes dhe ne do të jemi të bashkuar në luftën tonë të drejtë, për të qëndruar e mbijetuar në këto zona dhe për të mbrojtur shtëpitë dhe familjet tona”, tha kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiç.

    Përveç deklaratës për Vidovdanin, si në Mitrovicë të Veriut, ashtu edhe në Graçanicë, pati edhe fjalime të tjera, që kundërshtonin arrestimin e qytetarëve serbë, teksa u dha përkrahje edhe për liderin e tyre nga shteti amë, Aleksandër Vuqiq.

    Ndryshe, përgatitjet veçse janë bërë brenda Manastirit, ku nesër, do të mbahet ceremonia e Vidovdanit. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Shkarkohet Kryesuesi i Kuvendit Komunal në Prishtinë, rikthehen aksionarët e ndërmarrjeve publike

    Shkarkohet Kryesuesi i Kuvendit Komunal në Prishtinë, rikthehen aksionarët e ndërmarrjeve publike

    Edhe pse kishte dhënë dorëheqje nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në seancën e kuvendit komunal të 8 qershorit, kjo parti të martën ka shkarkuar Fehmi Kupinën edhe nga pozita e kryesuesit të kuvendit komunal të Prishtinës.

    Kupina në seancën e kaluar iu bashkua partive opozitare, Vetëvendosjes, AAK-së dhe AKR-së, në shkarkimin e aksionarëve të 20 ndërmarrjeve publike dhe emërimin e të rinjve nga po këto parti.

    Por LDK-ja dhe PDK-ja të cilat udhëheqin Prishtinës në koalicion, kthyen sërish pushtetin në këto ndërmarrje publike.

    “S’po doni me dëgju a? Mbani madje ndonjë ritëm më të mirë, qysh ja keni nisë ju me kërcye, luani Shotën, a najsen tjetër a… Unë po vazhdoj po bërtas. Prej datës 1, unë si kryetar i kryeqytetit, kam qenë këtu dhe do të jem për të mirën e kryeqytetit. Gëzim Sveçla ka ardhur dhe ka thënë se e kam shumicën dhe normalisht që i kam thënë atij e shumicën, bëje shumicën. Jemi në demokraci. Kush e ka shumicën sot këtu, po më vjen keq për anëtarë të tjerë të Vetëvendosjes që bien pre dhe fore të Gëzim Sveçlës”, tha kryetar i Prishtinës, Përparim Rama.

    Megjithatë, para se të shkarkohej, kryesuesi Fehmi Kupina e shpalli të mbyllur seancën, duke thënë se nuk kishte kushte për punë.

    “Kryetar a ka mundësi ju lutemi, për arsye se nuk ka kushte për këtë mbledhje. E shpalli të mbyllur këtë seancë”, tha Kupina.

    Por, kryetari i Prishtinës Rama dhe asamblistët e partisë së tij vazhduan punën duke theksuar se ka kushte për punë.

    “Ka kushte për seancë, sepse ne jemi shumicë këtu”, tha Rama.

    Asamblisti nga LDK-ja, Sami Salihu, konstatoi shkarkimin e kryesuesit Kupina.

    “Në emër të Komisionit për Mbarëvajtjen e procesit të votimit për shkarkimin e kryesuesit të kryeqytetit, Fehmi Kupina, konstatojmë se në votim kanë marrë pjesë 28 këshilltarë komunalë, prej tyre 27 janë për, 1 kundër dhe asnjë abstenim. Dhe me këtë konstatojmë se miratohet propozimi për shkarkimin e kryesuesit të kryeqytetit, Fehmi Kupina”, tha Salihu.

    Po ashtu, me 27 vota për është marrë vendim për caktimin e anëtarëve të Komisionit të Aksionarëve të ndërmarrjeve publike të Prishtinës. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: