ATV

Blog

  • Mbytet në Golem një pushues nga Kosova

    Mbytet në Golem një pushues nga Kosova

    Një pushues nga Kosova është mbytur në detin e Golemit.

    Rreth orës 15:00, në Golem, dyshohet se duke u larë në det, është mbytur aksidentalisht shtetasi R. O., rreth 80 vjeç, nga Kosova.

    Njësitet përkatëse janë duke vazhduar hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

  • Mbyllet për qarkullim bulevardi “Xhorxh Bush”

    Mbyllet për qarkullim bulevardi “Xhorxh Bush”

    Nga sot do të mbyllet për qarkullimin e automjeteve dhe mjeteve tjera të transportit bulevardi “Xhorxh Bush”.

    Sipas njoftimit të komunës, ky bulevard do të jetë i mbyllur deri më 14 korrik.

    Në njoftim thuhet se tani autobusët do të qarkullojnë nga sheshi “Xhorxh Bush” në drejtim të Bulevardit “Bill Kllinton” dhe do të përshkojnë rrugën “Robert Doll” .

    “Ju njoftojmë se bulevardi “Xhorxh Bush” i cili gjendet në qendër të kryeqytetit do të mbyllet për qarkullimin e automjeteve e mjeteve tjera të transportit nga data 03.07.2023 deri më 14 korrik 2023. Kjo do të bëhet për t’i mundësuar Universitetit Ndërkombëtar Veror të zhvillojë aktivitetet në këtë bulevard”.

    “Ndërsa rrjedha e qarkullimit të autobusëve të Ndërmarrjes Publike Komunale “Trafiku Urban” në linjat 1, 1A, 3, 4, dhe 7C do të ndryshojë. Tani autobusët do të qarkullojnë nga sheshi “Xhorxh Bush” në drejtim të Bulevardit “Bill Kllinton” dhe do të përshkojnë rrugën “Robert Doll” , thuhet tutje në njoftim.

  • ​Kurti: Duhet një bashkëpunim i mirëfilltë në mes të sektorit publik dhe privat

    ​Kurti: Duhet një bashkëpunim i mirëfilltë në mes të sektorit publik dhe privat

    Komisioni Ekzekutiv për zhvillimin e sistemit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional, i udhëhequr nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbajti sot takimin e pestë me radhë.

    Në kuadër të këtij takimi në fokus të diskutimit ishin tri çështje, përfshirë atë të qeverisjes së arsimit dhe aftësimit profesional, për të cilin MAShTI, ka themeluar grupin punues për rishikimin e Ligjit për Arsimin dhe Aftësimin Profesional.

    Temë tjetër e diskutimit ishte edhe zbatimi dhe sfidat e arsimit dual gjatë vitit të kaluar shkollor, si dhe për planet të cilat parashikojnë zgjerimin e arsimit dual. Në këtë pikë theks të veçantë iu vu rolit të Odës Ekonomike për të koordinuar zbatimin e arsimit dual, pasi siç tha kryeministri Kurti duhet të ekzistojë një bashkëpunim i mirëfilltë në mes të sektorit publik dhe atij privat.

    Në praninë e Ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, Ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, si dhe anëtarëve të Komisionit Ekzekutiv e përfaqësuesve të ministrive përkatëse, u shpalosën rezultatet, hapat e ndërmarrë dhe planet për përmirësimin e arsimit dhe aftësimit profesional.

    Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

    E nderuara znj. Ministre Hajdari, Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë,

    I nderuar z. Ministër Murati, Ministër i Financave, Punës dhe Transfereve,

    E nderuara znj. Artane Rizvanolli, Ministre e Ekonomisë,

    E nderuara znj. Majlinda Rizvanolli Bajraktari, këshilltare për Arsim dhe Aftësim Profesional, nga MAShTI,

    I nderuari Enis Spahiu, Ushtrues i Detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm, të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve,

    Të nderuar të pranishëm,

    Të nderuar anëtarë të Komisionit Ekzekutiv për Zhvillimin e Sistemit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional,

    Sot, po e mbajmë takimin e pestë me radhë të këtij Komisioni. Gjatë këtij takimi do të shpalosim rezultatet dhe hapat e ndërmarrë për përmirësimin e arsimit dhe aftësimit profesional dhe do të diskutojmë për sfidat që po na shfaqen si pengesë për avancimin e mëtutjeshëm.

    Janë tri çështje që do t’i diskutojmë sot me fokus më të madh: Së pari është çështja e qeverisjes së arsimit dhe aftësimit profesional të cilën ende nuk kemi arritur ta diskutojmë dhe të marrim vendim lidhur me skenarin e propozuar. Për njërin nga skenarët duhet të vendosim sot, për shkak se MAShTI ka themeluar grupin punues për rishikimin e Ligjit për Arsimin dhe Aftësimin Profesional. Është me rëndësi që të ketë orientim për punën e tyre të mëtejme.

    Gjithashtu gjatë takimit do të diskutojmë për zbatimin e arsimit dual, me fillim të vitit të kaluar shkollor, sfidat me të cilat është ballafaquar implementimi i arsimit dual përgjatë këtij viti shkollor si dhe për planet të cilat parashikojnë zgjerimin e arsimit dual.

    Po ashtu, një pikë e rëndësishme për të cilën duhet të diskutojmë dhe të marrim vendim, është roli i Odës Ekonomike për të koordinuar zbatimin e arsimit dual. Arsimi dual nuk mund të mbijetojë dhe ekzistojë pa një bashkëpunim të mirëfilltë në mes të sektorit publik dhe atij privat, andaj edhe nevojitet një bashkëpunim i mirëfilltë në mes këtyre. Ne si Qeveri duhet të kemi vëmendjen e duhur dhe të marrim vendime lidhur me fuqizimin e këtij bashkëpunimi.

    Ideja e themelimit ka qenë që të kemi koordinim më të mirë ndërinstitucional, në mënyrë që të kontribuojmë së bashku për avancimin e arsimit dhe aftësimit profesional. Marrë parasysh këtë kërkoj nga të gjitha institucionet dhe anëtarët që përfaqësojnë ministritë dhe dikasteret e ndryshme të japin informacione lidhur me zhvillimet që i kanë në kuadër të institucioneve të tyre lidhur me zhvillimin e AAP-së. Koordinimi sa më i mirë do të mundësojë shfrytëzimin më efikas edhe të donatorëve, por edhe të buxhetit shtetëror.

  • Ministri gjerman i mbrojtjes i bën thirrje Turqisë që të lejojë Suedinë të anëtarësohet në NATO

    Ministri gjerman i mbrojtjes i bën thirrje Turqisë që të lejojë Suedinë të anëtarësohet në NATO

    Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius i bëri thirrje Turqisë që të pranojë Suedinë në NATO “së shpejti”, gjatë një deklarate të përbashkët për shtyp të hënën me homologun e tij polak Mariusz Blaszczak.

    “Për sa i përket luftës në Ukrainë, situata e re që po përjetojmë, situata e sigurisë, na detyron të flasim përsëri për parandalimin dhe aftësinë mbrojtëse dhe është e rëndësishme që Suedia të bëhet së shpejti anëtare e NATO-s, që Turqia të heqë dorë nga rezistenca e saj. ”, tha Pistorius përpara një vizite në një bazë në Zamosc, Polonia Lindore, ku janë vendosur sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot.

    Si Suedia ashtu edhe fqinji i saj Finlanda deklaruan synimin e tyre për t’u bashkuar me NATO-n përmes politikës së dyerve të hapura në maj të vitit të kaluar, vetëm disa javë pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës.

    Finlanda u pranua përfundimisht në prill të këtij viti, duke dyfishuar kufirin e aleancës mbrojtëse me Rusinë, por pranimi i Suedisë aktualisht është i bllokuar, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.

    Në përgjithësi pranohet se forcat e armatosura të Suedisë janë në përputhje me NATO-n. Suedia ka një delegacion të përhershëm në NATO dhe konsiderohet një partner i ngushtë i aleancës, që do të thotë se anëtarësimi duhet të jetë relativisht i drejtpërdrejtë.

    Por Turqia – një anëtare e rëndësishme strategjike e NATO-s për shkak të vendndodhjes së saj gjeografike si në Lindjen e Mesme ashtu edhe në Evropë, dhe fuqia e dytë më e madhe ushtarake e aleancës – ka bllokuar pranimin e Suedisë për një sërë arsyesh.

    Midis tyre është pretendimi se Suedia lejon anëtarët e grupeve të njohura terroriste kurde të veprojnë në vend, veçanërisht Partinë militante të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).

    Suedia ndryshoi ligjet e saj për terrorizmin në fillim të këtij viti, duke e bërë krim të jesh pjesë e këtyre grupeve, por nuk është e qartë nëse kjo do ta bindë Turqinë që të lejojë vendin të anëtarësohet në NATO.

  • Rama e Sadiku i dorëzojnë QKMF-së pajisje në vlerë prej mbi 283 mijë euro

    Rama e Sadiku i dorëzojnë QKMF-së pajisje në vlerë prej mbi 283 mijë euro

    Komuna e Prishtinës ka blerë pajisje mjekësore për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), në vlerë prej mbi 283 mijë euro, raporton Ekonomia Online. Dorëzimin e tyre e bërën kreu i Prishtinës, Përparim Rama dhe drejtori i Shëndetësisë, Izet Sadiku.

    Me blerjen e këtyre pajisjeve, kryetari Rama tha se do të ofrohen shërbime më të mira për pacientët.

    “Kemi marr tash një numër të madh të aparaturave të cilat do të shfrytëzojmë në sektorin primar. Gjithë ky transformim i kryeqytetit, i shërbimeve duke u fokusuar në sektorin primar është duke ndodhur, kemi aparatura me kosto afër 300 mijë euro, e cila do të shpërndahet në QKMF në pjesë të ndryshme të kryeqytet”.

    “Ultrazërat janë shërbimi i pari në sektorin primar në kryeqytet por edhe gjithë vendin. Do të fillojmë së shpejti që ta bëjmë këtë në të gjitha QKMF. Kjo do t’i ndihmojë shumë gjithë nivelit shëndetësor, për arsyeje se qytetarët do ta mund ta marrin këtë shërbim në sektorin primar pa pas nevojë të shkojnë në atë sekondarin apo terciarin për t’i marrë këto shërbime, kjo është përmirësim i kushteve në të gjitha nivelet. Kjo është risi për kryeqytetin, Kosovën”, tha Rama.

    Me këto para janë blerë; 200 Tensionmetra, 5 Ultrazëra për përdorim gjeneral, 11 Tavolina multifunksionale, 2 Numërues hematologjik, 2 Analizues biokimik me sistem të hapur, 10 EKG- elektrodiagram, 70 copë glikometër, 10 Turbina stomatologjike, 120 Pulksosimetra për tavolina, 50 Otokop/Oftalmoskop, 230 Stetoskopë, 10 Kundërkënde stomatologjike, 4 Pajisje elektronike për kompresion të gjoksit 3 tek RKP.

  • ​Clinton mbërrin në Shqipëri

    ​Clinton mbërrin në Shqipëri

    Presidentit të 42-të të Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton, tashmë ndodhet në Shqipëri, raportojnë mediat shqiptare.

    Sipas agjendës, në orën 19:00, Clinton do të pritet nga kryeministri Edi Rama në një ceremoni të posaçme zyrtare në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përballë kryeministrisë, me pjesëmarrjen edhe të qytetarëve.

    Pas ekzekutimit të himneve kombëtare të SHBA-së dhe Shqipërisë, Rama dhe Clinton do të bëjnë parakalimin ceremonial dhe do të nderojnë flamujt e dy vendeve.

    Në orën 19:05, kryeministri Rama do të mbajë fjalën e rastit dhe më pas do të ftojë presidentin Clinton të marrë çmimin e akorduar.

    Ndërsa, në orën 19:25 do të zhvillohet ceremonia e nderimit të presidentit të 42-të të SHBA-ve, Bill Clinton me “Yllin e Mirënjohjes për Arritjet Publike” që do të pasohet nga fjalimi i presidentit.

    Ndryshe, rrugët e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” janë të mbushura me flamuj amerikanë dhe shqiptarë, sakaq një pankartë e madhe me foton e Clinton dhe mbishkrimin “Mirë se erdhe zoti President!” është varur mbi fasadën e Politeknikut.

  • Qetësohet situata në Francë

    Qetësohet situata në Francë

    Trazirat në mbarë Francën, që u nxitën pas vrasjes së një 17-vjeçari, janë qetësuar në natën e gjashtë. Por, ndërtesat publike, makinat dhe koshat e plehrave kanë qenë cak i zjarrvënieve dhe vandalizmit gjatë natës.

    Ministria e Brendshme franceze tha se gjatë natës janë arrestuar 157 persona. Që nga 27 qershori, kur nisën trazirat, në Francë janë arrestuar 3.354 persona, teksa janë sulmuar edhe dy stacione policore.

    Afër 45.000 oficerë u dislokuan në mbarë vendin ku janë mbajtur protesta kundër diskriminimit ndaj personave që kanë prejardhje nga ish-kolonitë franceze dhe që jetojnë në lagjet me të ardhura të ulëta. Nahel, adoleshenti që u vra të martën e kaluar, ishte me prejardhje algjeriane. Ai u vra nga një polic në Nanterre, në periferi të Parisit.

    Në mbarë Francën, 297 makina janë djegur gjatë natës, ndërkaq zjarrvënie ka pasur edhe në 34 ndërtesa.

    Një zjarrfikës 24 vjeç vdiq pas një sulmi në zemër, teksa po punonte në shuarjen e zjarrit në një garazhë nëntokësore, tha policia në Paris. Shkaku i zjarrit në këtë ndërtesë banimi po hetohet, thanë autoritetet.

    Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka fajësuar rrjetet sociale për përhapjen e trazirave dhe u ka bërë thirrje prindërve që të jenë përgjegjës për fëmijët e tyre adoleshentë.

    Ministri i Drejtësisë, Eric Dupond-Moretti, tha për një radio franceze se prindërit që heqin dorë nga kjo përgjegjësi “ose për shkak të mosinteresimit ose qëllimisht” do të ndiqen penalisht.

    Nahel, 17 vjeç, u vra gjatë një kontrolli në trafik. Familjarët e tij kanë bërë thirrje që të ndalen trazirat. /rel

  • Shtrenjtohen kreditë në Kosovë

    Shtrenjtohen kreditë në Kosovë

    Bankat komerciale në Kosovë kanë shtrenjtuar kreditë për klientët

    Sipas raportit të sistemit financiar për muajin maj 2023, të përgatitur nga Banka Qendrore e Kosovës, norma mesatare e interesit në kredi ka arritur në 6.5%, krahas 6.3 % sa ka qenë në muajin prill 2023.

    Përderisa norma mesatare e interesit në kreditë dhe lizingjet që jepen nga institucionet mikrofinanciare arrinë në 19.1%, raporton Front Online.

    Përndryshe, vetëm në pesë mujorin e parë të këtij viti nga shtrenjtimi i kredive dhe shërbimeve, bankat komerciale në Kosovë kanë arritur fitim të pastër prej rreth 66 milionë euro.

  • Lista Serbe kërkon nga Serbia të shpallë Policinë e Kosovës organizatë terroriste

    Lista Serbe kërkon nga Serbia të shpallë Policinë e Kosovës organizatë terroriste

    Lista Serbe i ka nisur letër Qeverisë së Serbisë, duke i kërkuar që të reagojë ndaj “njësive speciale në veri”, që sipas kësaj partie, po mbahen në mënyrë të paligjshme nga kryeministri Albin Kurti.

    Në letrën e publikuar në Facebook të hënën, Lista Serbe tha që qeveria serbe duhet të merr “një vendim të duhur në përputhje me kompetencat, me procedurë urgjente”.

    “Ju sugjerojmë që të merrni një vendim të duhur në përputhje me kompetencat tuaja, me procedurë urgjente… Baza e këtij vendimi qëndron në aktivitetet e numëruara të kryera nga këto struktura de facto në periudhën e mëparshme, të cilat përmbushen nga parimet dhe standardet ndërkombëtare të agjencive botërore dhe të OKB-së, elementet bazë të përkufizimit të terrorizmit sepse këto aktivitete janë në kundërshtim me parimet dhe qëllimet e OKB-së, të cilat nënkuptojnë veprime në përdorimin e dhunës së paligjshme”, thuhet në njoftim.

    Ky subjekt politik i listoi “shkeljet”, që siç pretendon, janë kryer nga institucionet e Kosovës.

    Lista Serbe akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që nëpërmjet strukturave të caktuara parapolicore “kryen regjim”.

    Ajo tha se për dy vjet, serbët e Kosovës po vuajnë nga terrori dhe represioni “i regjimit antiserb i Albin Kurtit”.

  • PDK: Zgjidhja e vetme është rrëzimi i Qeverisë Kurti

    PDK: Zgjidhja e vetme është rrëzimi i Qeverisë Kurti

    Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë se zgjidhja e vetme për situatën e krijuar në vend, është rrëzimi i Qeverisë Kurti.

    Kështu është shprehur shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

    Tahiri, ka thënë se masat e vendosura nga Bashkimi Evropian të vendosura ndaj Kosovës e dëmtojnë rëndë të ardhmen euroatlantike të vendit.

    “Shpreh shqetësimin që Qeveria dhe kjo mazhorancë tentoj ta mbajë të feshur komunikimin që i kishte bërë BE-ja nga data 28 qershor që këto sanksione kanë hyrë në fuqi. Kemi hyrë në një shkallë të rrezikshme të zhvillimeve me BE-në. Kjo është mjaft shqetësuese, masa të tilla e dëmtojnë rëndë të ardhm3en tonë euroatlantike, e dëmtojnë raportin tonë me secilin shtet të BE-së, konsideroj që si opozitë tashmë jemi në prag të një udhëkryqi ku do të na imponohet të marrim vendime që janë të rëndësishme për të ardhmen e vendit tonë”, tha Tahiri.

    Shefi i deputetëve të PDK-së, më tej theksoi se edhe Kuvendi është i dështuar.

    “Një Kuvend i dështuar që nuk e meriton me vazhdu asnjë ditë të vetme, sepse ka blloku agjendën e vendit, gjithçka ka stagnuar. Jemi në gjendje të mjerueshme si vend si rezultat i kësaj qeverisje. Zgjidhje është rrëzimi i kësaj qeverie. Ne e dimë aktualisht me numra sesi jemi në këtë Kuvend, e rëndësishme është që ne të gjejmë rrugën ta gjejmë drejtimin dhe të mos vuajmë për protagonizëm. Dështimi i mocionit do të thotë që tre muaj të ardhshëm nuk mundemi të bëjmë një mocion të ri, dhe ne nuk duam që ta lëmë këtë qeveri të vazhdoj më tutje”, tha Tahiri.