ATV

Blog

  • Konjufca merr ftesë ta vizitojë Parlamentin e rajonit të Nordrein Westfalisë

    Konjufca merr ftesë ta vizitojë Parlamentin e rajonit të Nordrein Westfalisë

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim një delegacion nga rajoni më i madh i Gjermanisë, Nordrein Westfalisë, të udhëhequr nga deputeti dhe njëkohësisht Shefi i Grupit Parlamentar të SPD-së në Kuvendin e Qarkut Unna, Hartmut Ganzke.

    Kryetari i Kuvendit i shprehu falënderimin e tij delegacionit gjerman për ndihmën e vazhdueshme të Gjermanisë për Kosovën në etapa të ndryshme, që nga vitet ’90-ta të shekullit të kaluar, në fusha të ndryshme.

    Kryetari Konjufca konsideroi të rëndësishëm forcimin dhe thellimin e këtij bashkëpunimi, veçanërisht në rrafshin ekonomik.

    Udhëheqësi i delegacionit gjerman, Hartmut Ganzke, pasi falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen, shprehu gatishmërinë për të vazhdimin e mbështetjes për Kosovën e të bashkëpunimit midis palëve.

    Z. Ganzke i dorëzoi kreut të Kuvendit ftesën zyrtare për vizitën në Parlamentin e rajonit të Nordrein Westfalisë.

    Gjatë takimit deputeti Ganzke shoqërohej nga Këshilltari për Politikë të Brendshme dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Holger Fiedler, asamblisti në Kuvendin Komunal të Komunës Frondenbeg, Arbër Aliu, si dhe kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu.

  • Haliti paralajmëron protesta nëse Kurti nuk “reflekton shpejt”

    Haliti paralajmëron protesta nëse Kurti nuk “reflekton shpejt”

    Deputeti i PDK-së Xhavit Haliti në një intervistë për ABC News ka komentuar vizitën e ish-presidentit amerikan Bill Clinton, në Shqipëri, në mes të krizës në veri të Kosovës, si një mesazh ndaj asaj që po ndodh në Prishtinë.

    “Është vizitë e veçantë e presidentit me të cilin lidhet liria e Kosovë dhe me të cilën shqiptarët frymuan ndryshe nga shekulli i kaluar dhe me të cilat presidenti Clinton në kushtet kur forcat serbe kishin dëbuar më shumë se 1 milionë shqiptarë nga shtëpitë përmes masakrave dhe gjenocidit më të madh u bë edhe ndërhyrja e NATOS dhe e SHBA. Në sajë të negocimit dhe kontributi që ka dhënë Shqipëria për të negociuar drejtpërsëdrejti me strukturat e SHBA. Për ne në Kosovë është zoti në qiell dhe SHBA në tokë.”

    Haliti i kërkon edhe një herë kryeministrit Kurti që të reflektojë mbi qëndrimet e tij, dhe të marrë parasysh këshillat e ndërkombëtarëve dhe në veçanti vizitën e ish-presidentit Clinton.

    “Si zë i opozitës dhe si person i kërkoj që të reflektojë për gjendjen në të cilën ka sjellë Kosovën dhe ndonjë mesazh që mund të bëjë ish presidenti Bill Clinton duhet që ta marrë parasysh ashtu siç duhet që të merrte parasysh këshillat e ndërkombëtarëve të dhëna herë pas here. Unë besoj se nëse mesazhi i Clinton do të jetë i fuqishëm dhe ato që janë të hutuar do të jenë në linjën e shumicës.”

    Sa i takon masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës. deputeti i PDK-së tha se i trembet një vale të dytë sanksionesh, teksa kërkoi gjithashtu që opozita të lërë mënjanë inatet dhe të krijojë një strategji për daljen nga kriza.

    “Unë jam duke u trembur jo vetëm nga sanksionet e BE-së por edhe të SHBA-së dhe po e lus publikisht Kurtin që të reflektojë dhe të na e lërë ne përgjegjësinë e gabimeve. Ne si parti po diskutojmë në lidhje me masat e marra pas sanksioneve nga BE por si opozitë nuk kam parë që mund të ndërtojmë një strategji të përbashkët por për shkak të këtyre politikave po vuajnë gabime tona edhe qytetari i thjeshtë.”

    Haliti tha se nëse Kurti nuk reflekton shpejt do të ketë edhe protesta nga opozita në Kosovë.

  • ​Kurti pret në takim lamtumirës ambasadorin jorezident të Irlandës për Kosovë

    ​Kurti pret në takim lamtumirës ambasadorin jorezident të Irlandës për Kosovë

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim lamtumirës ambasadorin jorezident të Irlandës për Kosovë, Ronan Gargan.

    Në këtë takim miqësor u ritheksuan marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale dhe përkushtimi i dyanshëm për thellim dhe zgjerim të mëtejmë të bashkëpunimit.

    Kryeministri e falënderoi ambasadorin Gargan për bashkëpunimin dhe angazhimin e tij përgjatë misionit, veçanërisht mbështetjen e vazhdueshme të Republikës së Irlandës për Republikën e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar e organizatat evropiane e demokratike ku vendi ynë aspiron të aderojë.

    U tha se marrëdhëniet e dy shteteve tona kanë avancuar gjatë viteve të fundit e janë karakterizuar dhe nga vizita të nivelit të lartë, sikurse vizita e vitit të kaluar në Kosovë e Ministrit irlandez për Çështje Evropiane, z. Thomas Byrne. U theksua se Kosova dhe Irlanda ndajnë vlera e parime të përbashkëta, të cilat lehtësojnë bashkëpunimin në sfera të ndryshme.

    Kryeministri Kurti dhe ambasadori Gargan bashkëbiseduan edhe për situatën në veri të Republikës së Kosovës dhe zhvillimet e fundit.

    Kryeministri Kurti i uroi fat dhe suksese të mëtejme ambasadorit Gargan në angazhimet e tij të radhës.

  • Fier: E vrau dhe e groposi tetëvjeçarin, Klodian Çalamani dënohet me burgim të përjetshëm

    Fier: E vrau dhe e groposi tetëvjeçarin, Klodian Çalamani dënohet me burgim të përjetshëm

    Klodian Çalamani u dënua me burgim të përjetshëm.

    Ai u shpall fajtor për vrasjen e tetëvjeçarit Mateo Vasiut.

    Ngjarja tragjike ka ndodhur më 16 nëntor 2021.

    Mediat shqiptare raportojnë se Çalamani, fillimisht kishte abuzuar seksualisht me tetëvjeçarin, më pas e kishte vrarë duke e goditur me kazmë e lopata.

    Por, ngjarja nuk mbaroi me kaq.

    Autori i krimit e groposi të miturin në oborrin e shtëpisë së tij, duke tentuar për të fshehur gjurmët e krimit.

    Pas raportimit të familjarëve, policia nisi të kontrollonte lagjen derisa gjeti trupin e të miturit të groposur.

  • “45 të dyshuar për sulmet e dhunën në Veri”, kryeministri Kurti jep detajet

    “45 të dyshuar për sulmet e dhunën në Veri”, kryeministri Kurti jep detajet

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, deklaron se deri më tani organet e sigurisë kanë identifikuar 45 persona të dyshuar për sulme e dhunë në Veri, ndaj KFOR-it, policisë e gazetarëve.

    Kurti tha para gazetarëve se këta persona kanë përdorë edhe granata të dorës, shok-bomba por edhe plumba.

    Gjithashtu foli edhe për veturën me targa të Beogradit që u kap me një sasi municioni në Veri dhe tha se del të jetë që vetura “paska qenë i udhëheqësit Paviqeviq të “Brigadës Veriore”.

    “Deri më sot janë identifikuar gjithsej 45 persona që kanë marrë pjesë në sulme e dhune kundër ushtarëve të KFOR-it, policisë e gazetarëve, por edhe që kanë përdorur armë, ju e patë çfarë armatimi u konfiskua me 23 qershor me automjet me targa të Beogradit që i përket Ndërmarrjes Publike të Hekurudhave të Serbisë dhe që paska qenë i udhëheqësit Paviqeviq, të “Brigadës Veriore”, që u shpall organizatë terroriste së bashku me të aushtuquajturën “Mbrojtje Civile”, u shpreh Kurti.

    Kryeministri Kurti tha se popullsia serbe është paqësore, dëshiron jetë të mirë, por janë dhjetëra të tjerë të spikatur.

    “Janë këta dhjetëra kriminelë të spikatur, dhe 45 prej të cilëve janë identifikuar saktë nga organet tona të sigurisë dhe kjo nuk do të thotë që nuk ka më shumë, por minimumi është 45, e as çereku i tyre nuk janë në burg për këtë arsye e kemi këtë situatë”, u shpreh Kurti.

    Ai tha se qytetarët serbë janë të frikësuar nga këta kriminelë.

    “Qytetarët serb janë më të frikësuarit nga këta kriminelë, të cilët na dërgojnë informacion mbështetës e përkrahës çdo herë kur vepron ligji sepse ata e dinë që Policia e Kosovës, është profesionale . Ata na njoftojnë me mesazhe që nuk frikësohen nga Policia e Kosovës, por nga trysnisë, shantazhit, zullumit, kërcënimeve të këtyre kriminalëve të organizatave që u shpallën terroriste”, tha Kurti.

    Në mbledhjen e Qeverisë, javën e kaluar janë shpallur organizata terroriste “Mbrojtja Civile” (Civilna Zastita) dhe “Brigada e Veriut” (Severna Brigada) – organizata këto që operojnë në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe – duke thënë se ato janë përgjegjëse për tensionet e fundit në këtë zonë.

  • El Pais shkruan nga veriu i Kosovës: Kryetarët etnikë shqiptarë të barrikaduar para shumicës serbe

    El Pais shkruan nga veriu i Kosovës: Kryetarët etnikë shqiptarë të barrikaduar para shumicës serbe

    Gazeta prestigjioze spanjolle “El Pais” i ka kushtuar një artikull të gjatë e të detajuar gjendjes paszgjedhore e të tensionuar në katër komunat të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, ku qysh në titull nis me konstatimin se:

    “Kryetarët etnikë shqiptarë kanë barrikaduar veten në zyret e tyre para shumicës serbe”. Gazetari Franciso Peregil ka vizituar të gjitha komunat për të krijuar përshtypjet e tij rreth situatës, teksa ka biseduar edhe me kryetarët shqiptarë atje, por edhe me politikanë serbë lokalë si Zoran Todiq.

    “Erden Atiq dhe Lulzim Hetemi…që vinë nga partia socialiste e Kryeministrit të Kosovës…kanë strategjinë e njëjtë të mbylljes së vetes nëpër zyret e tyre. Por, a mund të udhëhiqen qytete kështu, mbyllure brenda, pa mbështetjen e më shumë se 95% të popullatës”, shkruan në formë pyetje El Pais.

    Shkrimin e tij e nis me Erden Atiqin, kryetarin e Mitrovicës së Veriut nga Lëvizja Vetëvendosje, për të cilin thotë se “preferon të mos i fotografohet dhoma se ku flen” që nga 26 maji. “Nuk ka asgjë aty përpos rafte të zbrazta dhe dy shishe ujë” derisa shpjegon edhe se Atiq vjen nga partia e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, “i cili erdhi në pushtet me një ideologji të fortë nacionaliste”.

    “Që nga 26 maji, Erden Atiq, 40 vjeçar, vështirë se është larguar nga Bashkia e Qytetit të Mitrovicës së Veriut, i mbrojtur rëndë nga policia shqiptare e Kosovës…Lulzim Hetemi, kryetari i Lepposaviqit, sidoqoftë, nuk është larguar fare nga zyrja që nga 26 maji. Nuk i përgjigjet mediave, madje as përmes telefonit”.

    El Pais citon një qytetar serb nga Leposaviqi me emrin Martin, i cili i thotë se duhet larguar njësitet speciale kosovare. “Nuk kemi asgjë kundër policisë së rregulltë. Por, këta agjentë special vinë me autoblinda dhe armë të gjata. Dhe nuk jemi në Irlandën Veriore”.

    Erden Atiq i thotë gazetës spanjolle se “unë kujdesem për çdo kënd që dëshiron të më takojë” kur pyetet se si mund të udhëheq i mbyllur dhe pa mbështetjen e mbi 95% të popullatës lokale.

    “Ka shumë punë”, thotë Atiq, ndërsa thotë se do të flejë në komunë për sa kohë të jetë e nevojshme. “Është një vend shumë i mirë dhe modern, e ndërtuar me para të Bashkimit Evropian. Nuk është asgjë e vështirë. Gjatë 10 viteve në opozitë unë shumë herë kam fjetur nëpër shtëpitë e miqve të mi. Jam aktivist politik. Kam guxim, besim dhe vi nga një parti që beson në barazi”, i thotë Atiqi gazetës.

    Gazeta po ashtu bisedon ish-kryetarin e Leposaviqit, Zoran Todiqit, i cili zgjedhjet e prillit i quajti edhe “të paligjshme” ndërsa atë pjesë vazhdon ta vlerësojë si “pjesë të Serbisë”.

    “Zgjedhjet u mbajtën nëpër kontenjerë, brenda stacioneve policore. Ky njeri (Lulzim Hetemi), ka marrë vetëm 100 vota. Dhe nga ta, vetëm shtatë ishin serbë. Dhe nga ata shtatë, dy ishin të dehur. Unë kam dhënë dorëheqje atë kohë për të drejtat tona kolektive, për të luftuar për Asociacionin e Komunave Serbe. Të gjitha problemet që kemi tani do të zgjidheshin me Asociacionin. Nuk kam dhënë dorëheqje që një kryetar me 100 vota të na qeveris”, ka thënë Todiq.

    Që nga dorëheqja e nëntorit të vitit të kaluar, Todiq i shpjegon El Pais-it se pagat i marrin nga Qeveria e Serbisë. Pyetur se a nuk i bën kjo të varur nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ai ia kthen: “Të gjithë ne këtu besojmë se këtu është Serbi. Në Kushtetutën e Serbisë ky rajon paraqitet si pjesë e Serbisë dhe kështu e shohim ne”.

  • Bota po “digjet” , temperatura rekorde në tokë dhe dete

    Bota po “digjet” , temperatura rekorde në tokë dhe dete

    Synimi që ndryshimet klimatike të mos lejohen të shkaktojnë ndryshime të temperaturës mbi 1.5 gradë Celsius në krahasim me kohën para-industriale është duke u bërë i paarritshëm, thonë ekspertë të ambientit. Ata shprehen të shqetësuar që shtetet nuk kanë arritur të vendosin caqe ambicioze për klimën, pavarësisht se janë shënuar temperatura rekorde në tokë dhe det.

    Teksa përfaqësues të shumë vendeve u mblodhën në Bon të Gjermanisë në fillim të Gjermanisë për t’u përgatitur për negociatat vjetore për klimën, që do të mbahen në nëntor, temperaturat mesatare globale të ajrit ishin, për disa ditë rresht, mbi 1.5 gradë Celsius më të larta se temperaturat e kohës para-industriale, tha Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike Copernicus (C3S) i financuar nga Bashkimi Evropian.

    Megjithëse temperaturat mesatare kishin kaluar përkohësisht pragun prej 1.5 gradëve Celsius edhe në të kaluarën, kjo është hera e parë që ky ndryshim është regjistruar gjatë periudhës së verës në hemisferës veriore të Tokës. Temperaturat në dete gjithashtu thyen rekordet e prillit dhe majit.

    “Neve na ka mbaruar koha sepse edhe ndryshimi kërkon kohë”, tha Sarah Perkins-Kirkpatrick, një klimatologe në Universitetin Australian të Uellsit të Ri Jugor.

    Përderisa të dërguarit e dy shteteve që emetojnë më së shumti gazra serrë, SHBA-së dhe Kinës, përgatiten të takohen muajin e ardhshëm, rekordet për temperaturat më të larta gjatë muajit qershor u thyen në kryeqytetin kinez, Pekin, ndërsa valët ekstreme të të nxehtit kanë goditur Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Pjesë të Amerikës së Veriut ishin rreth 10 gradë Celsius mbi mesataren sezonale në qershor dhe tymi nga zjarret e pyjeve mbuloi Kanadanë dhe bregun lindor të SHBA-së. Emetimet e karbonit vlerësohet se arritën një rekord prej 160 milionë tonë metrikë.

    Në Indi, një nga rajonet më të rrezikuara nga ndryshimet klimatike, vdekjet u raportuan të jenë rritur si rezultat i temperaturave të larta. Nxehtësi ekstreme është raportuar edhe në Spanjë, Iran dhe Vietnam, duke rritur frikën se vera vdekjeprurëse e vitit të kaluar mund të kthehet në një rutinë.

    Liderët e shteteve kishin rënë dakord në Paris në vitin 2015 që të përpiqen t’i mbajnë rritjet mesatare afatgjata të temperaturës brenda 1.5 gradë Celsius, por tani ka një mundësi prej 66 për qind që mesatarja vjetore të kalojë këtë prag, sipas parashikimeve të Organizatës Botërore Meteorologjike në maj.

    Temperaturat mesatare globale të sipërfaqes së detit arritën në 21 gradë Celsius në fund të marsit dhe kanë mbetur në nivele rekorde gjatë gjithë prillit dhe majit. Agjencia e motit në Australi paralajmëroi se temperaturat e deteve të Paqësorit dhe Oqeanit Indian mund të jenë 3 gradë Celsius më të ngrohta se zakonisht deri në tetor.

    Ngrohja globale është faktori kryesor, tha Piers Forster, profesor i fizikës klimatike në Universitetin e Leeds, por El Nino, rënia e pluhurit të Saharës mbi oqean dhe përdorimi i karburanteve të transportit me squfur të ulët kanë ndikuar gjithashtu.

    “Pra, në përgjithësi, oqeanet po sulmohen nga një goditje e katërfishtë”, tha ai. “Është një paralajmërim për gjërat që na presin”.

    Mijëra peshq të ngordhur u shfaqën në plazhet e Teksasit, ndërsa lulëzimi i algave të shkaktuara nga nxehtësia është cilësuar si faktor kryesor i vrasjes së luanëve të detit dhe delfinëve në Kaliforni.

    Detet më të ngrohta mund të nënkuptojnë më pak erë dhe shi, duke krijuar një rreth vicioz që çon në edhe më shumë nxehtësi, tha Annalisa Bracco, një klimatologe në Institutin e Teknologjisë në Gjeorgji./rel

  • Bill Clinton mbërrin në Shqipëri, pritet nga Edi Rama

    Bill Clinton mbërrin në Shqipëri, pritet nga Edi Rama

    Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Bill Clinton, ka mbërritur në Shqipëri.

    Avioni i tij u ul në Rinas.

    Aty ai u prit nga kryeministri Edi Rama.

    Për nder të Clintonit, do të organizohet një ceremoni zyrtare ku të pranishëm do të jenë dhe qytetarë, transmeton Klankosova.tv

    Kjo ceremoni do të zhvillohet pasditen e të hënës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

    Pas ekzekutimit të himnit kombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë, kryeministri Edi Rama dhe ish-presidenti Bill Clinton do të bëjnë parakalimin ceremonial dhe do të nderojnë flamujt e dy vendeve.

    Kryeministri Rama do të mbajë fjalën e rastit dhe më pas do të nderojë Clinton me “Yllin e Mirënjohjes për Arritjet Publike”.

    Pas vlerësimit, rreth orës 19: 25, ish Presidenti amerikan do të ketë dhe një fjalim për të pranishmit.

    Kjo është vizita e parë e ish-kreut të Shtëpisë së Bardhë në Shqipëri.

  • Papa Françesku dënon djegien e Kuranit

    Papa Françesku dënon djegien e Kuranit

    Papa Françesku ka thënë se djegia e një kopjeje të librit të shenjtë të myslimanëve, Kuranit, e ka zemëruar dhe neveritur atë. Ai shtoi se e dënon dhe refuzon lejimin e një akti të tillë si një formë të shprehjes së lirisë së fjalës.

    “Çdo libër që konsiderohet i shenjtë duhet të respektohet për t’i respektuar ata që besojnë në të”, tha Papa Françesku në një intervistë të dhënë për gazetën e Emirateve të Bashkuara Arabe, Al Ittihad, të publikuar më 3 korrik. “Ndihem i zemëruar dhe i neveritur nga këto veprime”.

    “Liria e fjalës nuk duhet të përdoret kurrë si një mjet për t’i përçmuar të tjerët dhe lejimi i kësaj refuzohet dhe dënohet”, shtoi ai.

    Një burrë grisi dhe dogji një kopje të Kuranit në kryeqytetin e Suedisë, Stokholm, javën e kaluar. Ky veprim solli kritika të shumta nga disa shtete, përfshirë Turqinë, mbështetjen e së cilës Suedia duhet ta fitojë për anëtarësim në aleancën ushtarake të NATO-s.

    Policia në kryeqytetin suedez lejoi që demonstrata të vazhdonte, përkundër që veprime të ngjashme ishin ndaluar në shkurt.

    Gjykatat suedeze kishin vendosur që policia nuk kishte të drejtë ta refuzonte lejen për djegien e Kuranit.

    Incidenti shkaktoi protesta në Iran dhe Irak. Teherani zyrtar ka shtyrë marrjen e vendimit për emërimin e një ambasadori të ri në Suedi.

    Më 2 korrik, një organizatë islamike prej 57 shtetesh tha se nevojiten masa kolektive për t’i parandaluar aktet e përdhosjes së Kuranit dhe ligji ndërkombëtar duhet të përdoret për ta ndaluar urrejtjen fetare.

  • Policia kërkon ndihmë për kapjen e një personi për vjedhje në vlerë të 31 mijë eurove

    Policia kërkon ndihmë për kapjen e një personi për vjedhje në vlerë të 31 mijë eurove

    Policia e Kosovës ka publikuar fotografinë e një personi, i cili dyshohet se ka kryer vjedhje në vlerë prej 31.000 euro në një shtëpi në Suharekës.

    Në njoftimin e bërë për media thuhet se, i dyshuari ka vjedhur stoli ari në vlerë prej 20 mijë euro, dhe 11 mijë euro kesh.

    “Më date 21.05.2023 rreth orës 20:05 është raportuar një vjedhje e rëndë në Shirok të Suharekës, është raportuar se persona të panjohur duke tejkaluar pengesa kanë hyrë në shtëpi të viktimës dhe nga aty kanë vjedhur stoli ari me vlerë rreth 20000 (Njëzet mijë ) euro si dhe para të gatshme 11000 (njëmbëdhjetë mijë ) euro. Lidhur me rastin policia ka siguruar video incizime dhe foto të dyshuarit që dyshohet që i ka vjedhë parat, janë bërë hetime te vazhdueshme për I identifikimin e personit të dyshuar”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Policia shton se, përkundër përpjekjeve të bëra, deri më tani nuk është arrit që të identifikohet dhe të lokalizohet vendqëndrimi i të dyshuarit.

    “Me qëllimin që të zbulohet sa më parë vendndodhja dhe identiteti i tij, nga Prokurori i Shtetit lëshohet “Autorizim” për publikimin e fotografive të mara nga kamerat e sigurisë . Andaj kërkojmë bashkëpunim nga të gjithë qytetarët, që nëse kane çfarëdo informate , apo din diçka për vendndodhjen e të dyshuarit në foto, të raportojnë policinë në Suharekë , apo në cilin do stacion të policisë në Kosovë”.