ATV

Blog

  • ​Kurti për masat: Janë ngujuar afër 150 milionë euro, me BE-në jam në kontakt të përditshëm

    ​Kurti për masat: Janë ngujuar afër 150 milionë euro, me BE-në jam në kontakt të përditshëm

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar të hënën se janë paralajmëruar edhe sanksione të tjera nga Bashkimi Evropian, por siç u shpreh ai, aktualisht Kosova i ka të ngujuara afër 150 milionë euro kredi dhe grante, që duhet të kalojnë me 2/3 në Kuvendin e Kosovës.

    Kurti shtoi se këto masa janë të përkohshme e të padrejta.

    “Është e vërtet se janë paralajmëruar masa të cilat edhe janë zbatuar disa prej tyre, si ushtrimi i madh “Defender Europe 2023”, sidomos në Gjakovë kur e kishim të planifikuar çdo gjë, u anulua. Bëhet fjalë edhe për vizitë, por gjithsesi bëhet fjalë për masa të përkohshme e të cilat janë të padrejta për bindjen time, mirëpo ajo çfarë ne duhet të bëjmë është që në Kuvendin e Republikës me 2/3 e deputetëve t’i kalojmë ato kredi dhe grande të cilat kanë ngelur të ngujuara dhe të cilat nuk po mund t’i gëzojë ekonomia e Kosovës në vlerën e përgjithshme prej afër 150 milionë euro, kredi dhe grade që nuk kalojën pa 2/3 në Kuvend. Ne kemi ngujim aktual që mund ta kalojmë bashkë”, tha Kurti.

    Kurti gjatë mbikëqyrjes së punimeve që kanë nisur në magjistralen Prishtinë-Podujevë, theksoi janë identifikuar 45 persona që bëjnë pjesë në dy organizatat e shpallura terroriste nga Qeveria javën e kaluar, “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”.

    “Deri më sot janë identifikuar 45 persona, identifikim i saktë që kanë marrë pjesë në sulme, dhune kundër ushtarëve të KFOR-t policisë e gazetarëve, por njëkohësisht edhe kanë shkaktuar rrezik të përgjithshëm duke përdorur armatim të ndryshëm, prej granatave të dorës tek shok bomba, por edhe te plumbat qofshin ato të automatikeve ose të revolverëve. U pa me datën 23 qershor çfarë armatime dhe municioni u konfiskua në një automjet me targa të Beogradit që i përket ndërmarrjes publike hekurudhat të Serbisë. Është një situatë në të cilën ka shumë kriminel, kjo s’ka të bëjë me popullsinë serbe, popullsia serbe atje është paqësore, ajo dëshiron jetë të mirë në vendin tonë, mirëpo janë këta dhjetëra kriminel të spikatur të cilët dhunën e parë nuk e kanë bërë as me 26 maj as me 29 në Zveçan, por shumë më herët, përveç atyre 45 qe janë identifikuar, kjo nuk do të thotë që s’ka edhe më shumë, por minimumi është 46. Qytetarë serb janë më të frikësuarit prej këtyre kriminelëve, ne na dërgojnë informacion çdo herë kur vepron ligji”, theksoi Kurti.

    Kryeministri Kurti theksoi po ashtu se me Bashkimin Evropian është në kontakt të përditshëm.

    “Me BE-në jam në kontakt të përditshëm dhe me Brukselin. Dje kam biseduar në telefon afër gjysmë ore edhe më përfaqësuesin e lartë për siguri, pra unë jam në kontakt edhe me ndërmjetësin Lajçak, jam i interesuar edhe për deeskalim edhe për normalizim. Deeskalimi nënkupton sundim të ligjit që i zmbraps këta kriminelë duke i detyruar të ballafaqohen më drejtësi ose të shkojnë në Serbi”, theksoi ai.

    Këto komente Kurti i bëri në Podujevë gjatë inspektimit të punimeve që kanë nisur javën e kaluar në magjistralen Prishtinë-Podujevë. /kp

  • ​Tensionet në veri, Abdixhiku do të nisë takimet e paralajmëruara të mërkurën

    ​Tensionet në veri, Abdixhiku do të nisë takimet e paralajmëruara të mërkurën

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka paralajmëruar se nga e mërkura do të nisë takimet e para me profesionistë të ndryshëm për të nxjerrë propozimet për dalje nga kriza e tanishme izoluese dhe tensionuese e Kosovës.

    “Javën e shkuar kam shpalosur idenë e nisjes së artikulimit të një mendimi të përbashkët shoqëror, si rrugë e re e Republikës së Kosovës, përballë politikave përplasëse të Qeverisë së Kosovës me aleatët historikë të saj – dhe së këndejmi, rrezikimit të shtyllave qenësore të sovranitetit dhe vet shtetësisë sonë. Kam ftuar për angazhim të përbashkët të shoqërisë sonë, atyre që besojnë në Republikën e Kosovës dhe rrugëtimin e saj euroatlantik, në artikulimin e qartë të kësaj rruge. Kam ftuar në angazhim mbipartiak e përtejpartiak si thirrje e fundit ndaj zhvillimeve të kohës”, shkroi Abdixhiku.

    Kreu i LDK-së tha se është i lumtur me reagimin e parë publik ndaj vet iniciativës.

    “Jam i lumtur me mbështetjen e gjerë të dhënë nga vet akterët për këtë qëllim. Jam i bindur se shoqëria kosovare ka masën kritike të domosdoshme brenda saj, për të bërë gjënë e duhur në momentin e duhur. Dhe ky është momenti i duhur”, tha ai.

    Sipas tij, nga e mërkura, do të organizojë katër takimet e para me opinionistë, gazetarë, organizata të shoqërisë civile, profesorë universitarë e ish-diplomatë dhe biznese nga sektori privat në vend.

    “Në të katër takimet e para, do të shtrojmë jo vetëm nevojën e ndërtimit të një mendimi e rrugëtimi të përbashkët euroatlantik, por dhe propozimet tona për dalje nga kriza e tanishme izoluese e tensionuese. Këto propozime do të përmbajtësohen nga vet pjesëmarrësit; e rruga e re e Republikës, do të lindë natyrshëm nga angazhimi gjithëshoqëror”, përfundoi Abdixhiku.

  • Rrahje në Prishtinë, arrestohen 6 persona – konfiskohet një armë zjarri

    Rrahje në Prishtinë, arrestohen 6 persona – konfiskohet një armë zjarri

    Policia e Kosovës, në vazhdën e shtimit të aktiviteteve operative në terren, si rezultat i angazhimit të zyrtarëve policorë edhe në rroba civile, me qëllim të identifikimit të kriminalitetit dhe dukurive të tjera negative, ka pranuar informacione se në një lokacion gjendej një veturë në të cilën dyshohet se ndodhej një armë zjarri.

    Me datën 03.07.2023, njësitë policore si rezultat i implementimit të një plani operativ në terren, kanë arritur të sigurojnë informacione se në një parking në Prishtinë gjendet një veturë e dyshuar në të cilën ndodhet një armë zjarri, me ç’rast zyrtarët policorë kanë reaguar menjëherë duke shkuar në vendin e ngjarjes, ku si rezultat në të njëjtin lokacion kanë hasur në një rrahje mes disa personash.

    Lidhur me rastin janë thirrur në asistencë edhe njësi të tjera për intervenim, ku si rezultat janë shoqëruar në stacion policor gjithsej 6 (gjashtë) persona të dyshuar, të cilët më pas janë intervistuar. Po ashtu është bërë edhe kontrolli i veturës së dyshuar, me ç’rast është gjetur dhe është konfiskuar një armë zjarri, si dhe gjatë kontrollit tek i dyshuari mashkull kosovar pronar i automjetit të lartcekur, është gjetur  dhe është konfiskuar një thikë dhe një fishek.

    Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori kompetent ku ndaj personave të dyshuar të lartcekur janë iniciuar rastet ‘lëndim i rëndë trupor’ dhe ‘mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve’, ku 4 (katër) nga 6 (gjashtë) të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa 2 (dy) të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.

  • Qeveria gjeorgjiane synon ndalimin e lindjeve nga nënat surrogate për çiftet e huaja

    Qeveria gjeorgjiane synon ndalimin e lindjeve nga nënat surrogate për çiftet e huaja

    Për më shumë se dy dekada, shteti post-sovjetik i Kaukazit ka qenë pjesë e një liste të vendeve të pakta që e lejojnë lindjen nga nënat surrogate për “altruizëm” apo i përdorin për përfitime, duke përfshirë edhe ato nga prindër biologjikë nga shtetet e tjera, me kosto shumë më të ulëta sesa në vendet më të pasura.

    Mirëpo, më 12 qershor kryeministri gjeorgjian, Irakli Gharibashvili, njoftoi për hartimin e një draft-ligji të ri për ta rregulluar sistemin mbi lindjet nga nënat surrogate, një proces kur një grua lind një fëmijë me fekondim in vitro (IVF) pa pasur lidhje gjenetike.

    Ai paralajmëroi për karakterin e “urdhrit të drejtpërdrejtë” të sektorit të fertilitetit, ofertën e një “të ashtuquajturi biznes të sofistikuar për gratë tona gjeorgjiane dhe rrezikun që ai fëmijë të ketë prindër të së njëjtës gjini jashtë vendit”.

    Sipas blogut Mayo Clinic, fekondimi in vitro nënkupton fertilizimin e spermatozoidit dhe vezës në kushte laboratorike dhe mund të përdoret për të trajtuar të gjitha llojet e infertilitetit, qoftë mashkullor apo femëror.

    “Po flitet se çiftet e së njëjtës gjini janë duke i marrë fëmijët që janë duke i lindur këtu, dhe pastaj kjo mund të sjellë shumë probleme”, tha Gharibashvili.

    Projektligji aktual nga Ministria e Shëndetësisë, Punës dhe Çështjeve Sociale do të ndalonte lindjen nga nënat surrogate për qëllime komerciale, duke e kufizuar atë vetëm në “parimin e altruizmit ” dhe do t’i kufizonte gratë gjeorgjiane të lindin foshnja vetëm për prindër biologjikë të huaj pas vitit 2023.

    Surrogacia komerciale i referohet çdo marrëveshjeje për lindje surrogate, ku nëna kompensohet për shërbimet e saj përtej rimbursimit të shpenzimeve mjekësore.
    Përfaqësuesit e agjencive surrogate dhe dhuruese të vezëve në Gjeorgji shprehën “tronditje” ndaj planit të Gharibashvilit, pavarësisht faktit se ministria ka punuar në projektligje në këtë fushë për më shumë se një vit.

    Ata, gjithashtu, vunë në pikëpyetje arsyetimin e deklaruar të kryeministrit gjeorgjian për kufizimin jashtë shtetit, duke pretenduar se tashmë ekzistojnë masa për të kufizuar lindjen e nënave surrogate gjeorgjiane për prindërit meshkuj dhe femra.

    “Unë nuk e di se nga e mori [Gharibashvili] informacionin e tij. Çështja e birësimit të një fëmije nga një çift i së njëjtës gjini nuk është në rendin e ditës dhe sigurisht nuk mund të jetë arsyeja e ndalimit të ofrimit të shërbimeve për çiftet nga vendet e huaja”, tha për Shërbimin Gjeorgjian të Radios Evropa e Lirë, Natia Janadze, shefe e departamentit ndërkombëtar në klinikën private ReproART dhe menaxhere e përgjithshme e IVF Tours Georgia.

    Thea Tsulukiani, ministre e Kulturës, Sportit dhe Rinisë e Gjeorgjisë, miratoi një ndryshim në ligjin gjeorgjian në vitin 2020 që forcoi kërkesat e licencimit për lindjet me IVF. Tsulukiani deklaroi në atë kohë se masa kishte për qëllim të kufizonte më tej procesin vetëm për “një burrë dhe një grua” dhe për të “parandaluar krimin transnacional të trafikimit të foshnjave”, si dhe për të parandaluar që lindja me nënat surrogate në Gjeorgji të sjellë viktima të “shfrytëzimit seksual, torturë dhe trajtim çnjerëzor, për të parandaluar çiftet fiktive të krijojnë një fëmijë përmes një nëne surrogate për qëllime kriminale” e t’i çojnë jashtë vendit.

    Ajo pretendoi se bizneset “bëjnë miliona” përmes atij që ajo e quajti “krim të organizuar”.

    Analistët kanë parë një rritje në ndikimin e aktivitetit që lidhet me Kishën Ortodokse Gjeorgjiane që bën fushatë kundër komunitetit LGBT, e cila ka kundërshtuar të drejtat e këtij komuniteti dhe ka perceptuar sulme ndaj vlerave tradicionale të familjes në bazë të fesë. Doktrinat e kishës kanë qenë herë pas here shumë të ngjashme me pikat zyrtare të bisedimeve të qeverisë.

    Agjencia e Janadze ka organizuar mbi 1000 lindje surrogate që nga viti 2014 dhe ajo pranon se rregullimi i rreptë është në interesin më të mirë, si të ministrisë, ashtu edhe të sektorit.

    Ajo priste ndryshime në ligj për të përshtatur përgjithësisht legjislacionin gjeorgjian me rregulla ekuivalente jashtë vendit, por ajo nuk e parashikoi ndalimin për çiftet e huaja.

    “Ne prisnim që projektligji të ishte gati deri në vjeshtë, por fatkeqësisht ky largim i papritur na tronditi… Ne ende presim diçka tjetër dhe vazhdojmë të përballemi me një realitet tjetër”, tha Janadze një ditë pas deklaratës së kryeministrit gjeorgjian.

    Klientët e huaj

    Sipas Janadze, rreth 95 për qind e klientëve të saj janë nga vendet e huaja, duke përfshirë Kinën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Izraelin, Turqinë, Azerbajxhanin, Kanadanë, Australinë, Greqinë, Spanjën dhe Indinë.

    Meqenëse kjo procedurë është e lejueshme vetëm për çiftet e martuara ose që bashkëjetojnë meshkuj-femra, me kërkesat e noterizimit për ta konfirmuar atë, çiftet e së njëjtës gjini e kanë absolutisht të ndaluar me ligj që të transferojnë jashtë vendit fëmijët e lindur nga nënat surrogate gjeorgjiane.

    Ministri i Shëndetësisë, Punës dhe Çështjeve Sociale, Zurab Azarashvili, ka kërkuar që “parimi i altruizmit” të kontrollohet me ligj, megjithëse ministria ka mbetur relativisht e heshtur se si duhet të përcaktohet.

    Azarashvili theksoi gjithashtu komponentin demografik të këtij debatit, duke vënë në dukje rregulloret e zëvendësimit dhe IVF-në si “mundësi” për të trajtuar një popullsi në rënie në një vend me më pak se 4 milionë banorë.

    Janadze përmendi pyetjet se si futja e propozuar e një “parimi vetëmohues” do të ndikojë në shpenzimet e nënave me lindje surrogate nëse projektligji miratohet në formën e tij aktuale.

    Surrogatët duhet të marrin kompensim “logjik” për kohën dhe punën e tyre, “por për shkak se kërkesa për nëna me lindje surrogate do të bjerë për shkak të ndalimit të shërbimeve të tilla për çiftet nga vendet huaja, mund t’ju them se shuma e kompensimit gjithashtu do të bjerë”, tha ajo.

    Sipas ekspertëve të kësaj fushe, nënat me lindje surrogate përfitojnë nga 17.000 deri në 23.000 dollarë për shtatzëni e deri në lindje, me më shumë përfitime për binjakët. Ata pretendojnë se shumica e grave që nënshkruajnë këto kontrata kanë vështirësi financiare.

    Dallimet në botë për lindjen me surrogaci

    Që nga viti 1985, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bënë vendi i parë në botë për lindje surrogacie gestacionale, vetëm një grup i vogël i vendeve deri tani kanë legalizuar lindjen me surrogaci.

    Shumë vende i kanë bërë të paligjshme të gjitha format e lindjes me surrogaci, ndërsa të tjera vende kanë lejuar lindje me surrogaci jokomerciale varësisht nga rrethanat ose kanë shmangur legalizimin e kësaj çështjeje.

    Një dekadë pasi ishte një nga vendet e para në botë që vendosi rregulla që lejojnë riprodhimin me përfshirjen e palës së tretë, Gjeorgjia kreu me sukses lindjen me surrogaci të parë gestacionale në vitin 2007.

    Ajo aktualisht lejon si lindje surrogate komerciale edhe të ashtuquajturin surrogaci altruiste, në të cilin nëna surrogate merr trajtim dhe rimbursim për kostot përkatëse, por nuk paguhet më tej.

    Nuk dihet numri i foshnjave të lindura nga nëna surrogate në Gjeorgji dhe më pas të dërguara jashtë.

    Ministria e Drejtësisë e Gjeorgjisë i ka referuar më parë pyetjet e Radios Evropa e Lirë në lidhje me këtë çështje në Ministrinë e Brendshme, e cila tha se nuk përpilon statistika për kalimet kufitare “të fëmijëve të lindur nga nënat surrogate në Gjeorgji”.

    ‘Ne bëhemi nëna surrogate nga nevoja për para’
    Për disa gra që planifikojnë të bëhen nëna surrogate, projektligji në zhvillim, është shqetësues.

    “Kush do të pranonte të jetë një nënë surrogate nëse nuk merr më shumë shpërblim adekuat? Ne e bëjmë këtë sepse gjërat janë të vështira [financiarisht] për ne”, tha Maya, një grua 31-vjeçare me dy fëmijët e saj të vegjël.

    Ajo pohoi se pavarësisht se punonte në punë të ndryshme, pasi bashkëshorti i saj ka vdekur, ajo ka vështirësi ta paguajë qiranë. Përpjekja e saj e parë për lindje si nënë surrogate kishte për qëllim t’i fitonte rreth 18.000 dollarë, por i dështoi.

    Ajo synon të provojë edhe një herë. Megjithatë, ajo deklaroi se tani do të presë të paktën deri në janar 2024, sepse nuk është e sigurt se cili do të jetë interpretimi i ministrisë për shpërblimin bazuar në “parimin e altruizmit”.

    “Shumëçka varet nga shuma që duhet të marr si rezultat i një lindje surrogate… Mirëqenia e fëmijëve të mi është prioritet. Do të ishte bukur të jetosh në një vend ku gratë pranojnë të bëhen nëna me lindje surrogate vetëm për motive altruiste, por ne për fat të keq nuk e bëjmë këtë”, shpjegoi ajo.

    Gjeorgjia ka shënuar një rritje ekonomike relativisht të mirë në pjesën më të madhe të dekadës së kaluar, përveç një viti të dobët për shkak të pandemisë me COVID-19.

    Menjëherë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, Tbilisi shpejtoi aplikimin e saj për anëtarësim në BE. Megjithatë, shqetësimet e bllokut rreth një ndryshimi të supozuar të sundimit të ligjit dhe demokracisë, si dhe kundërshtimi i partisë qeverisëse Ëndrra Gjeorgjiane për t’iu bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë, kanë penguar kandidaturën e saj zyrtare.

    Eka, 30 vjeç, fitoi 20.000 dollarë si nënë me lindje surrogate për prindërit biologjikë kinezë dy vjet më parë. Ajo dëshiron ta provojë përsëri me shpresën për të blerë një apartament. Ajo është nënë e tre fëmijëve. Ajo tha për Radion Evropa e Lirë se “nuk mund të fitosh para të tilla duke punuar si konsulente, në një sallon bukurie apo duke pastruar”. Ajo tha se kishte dëgjuar se mund të kishte ndryshime në rregullat që rregullojnë lindjen me surrogaci të kompensuar.

    “Gratë pranojnë të jenë nëna me lindje surrogate vetëm sepse kanë nevojë për para. Përndryshe, kush do të dëshironte të mbetej shtatzënë për nëntë muaj, kur tashmë ka tre ose katër fëmijë?”, tha ajo.

    Prindërit në pritje

    Ka pyetje të ngjashme që vijnë nga ana tjetër e lindjes me surrogaci, për njerëzit që shpresojnë të bëhen prindër.

    Në mediat sociale, ka pasur shumë spekulime se sa do të kushtojë për të paguar dikë për të mbajtur dhe lindur një fëmijë pasi të huajve u ndalohet shërbimi në Gjeorgji. Por, kjo mund të jetë paksa shumë shpresëdhënëse.

    Vendimi i Qeverisë indiane për t’i dhënë fund lindjes me nënë surrogate komerciale me vlerë 400 milionë dollarë në vit, e frekuentuar nga të huajt në vitin 2015, u akuzua për “shkatërrimin” efektiv të tregut vendas të nënave surrogate.

    Salome, 35 vjeçe, nga Gjeorgjia, zbuloi gjashtë muaj më parë se nuk ishte në gjendje të mbante shtatzëninë për shkak të një gjendjeje mjekësore. Mjeku i saj i sugjeroi asaj të provonte një nënë surrogate pasi kishte parë shumë specialistë, pohoi ajo.

    “Ai ishte i befasuar” që ajo ishte e hapur ndaj idesë, tha ajo. “Ne as që u ofrojmë çifteve gjeorgjiane që të kenë një fëmijë në këtë mënyrë, sepse ata në fakt nuk kanë mjete financiare të mjaftueshme për ta bërë këtë.”

    Megjithatë, Salome deklaroi se për shkak se bashkëshorti i saj mban nënshtetësi suedeze, ata tani janë të shqetësuar se çdo rregullore e ardhshme do t’ua ndalojë atyre të përdorin shërbimet e lindjes me nëna surrogate. Ajo, gjithashtu, vuri në dyshim nëse ata do të ishin në gjendje ta merrnin fëmijën jashtë Gjeorgjisë edhe nëse do t’u lejohej të kishin një fëmijë përmes një surrogate atje.

    Salome tashmë po i nënshtrohet trajtimit mjekësor për të siguruar një embrion për një grua tjetër që ta çojë deri në fund, tha ajo.

    “Ne planifikonim që embrioni do të implantohet dhe një fëmijë do të lindte me ndihmën e një nëne surrogate në vitin 2024”, tha ajo. “Tani, rezulton se duhet të nxitojmë dhe të gjejmë shpejt një nënë surrogate në mënyrë që kjo të bëhet para fillimit të janarit 2024”.

    Ajo vuri në dukje se lindja me surrogate është e ndaluar në vendet skandinave, duke përfshirë edhe Suedinë.

    “Pra, meqenëse ne patëm mundësinë për këtë në Gjeorgji, ne donim ta shfrytëzonim këtë opsion. Por, tani nuk e dimë se çfarë do të ndodhë apo si do të jetë”. /REL

  • Vdes një 26-vjeçar në Ferizaj, viktima ra nga ballkoni i katit të tretë

    Vdes një 26-vjeçar në Ferizaj, viktima ra nga ballkoni i katit të tretë

    Një 26-vjeçar ka vdekur pasi ka rënë nga ballkoni i katit të tretë, të një objekti banesor. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë në Ferizaj, Kanun Veseli.

    Ai tha se i riu ka vdekur në vendin e ngjarjes dhe vdekjen e tij e kanë konfirmuar mjekët.

    “Mbrëmë, rreth orës 19:45 kemi pranuar një informatë se në rrugën “At Nikë Prela” në Ferizaj R.K., 26 vjeç, ka rënë nga tarraca e katit të tretë, të një objekti banesor dhe për pasojë ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Vdekja e viktimës është konfirmuar nga mjekët, ndërsa përveç policëve të rendit, në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit rajonalë, të cilët nën autorizim të prokurorit kujdestar kanë nisur hetimet”, ka njoftuar Veseli.

    Ai tha se rasti është cilësuar si “vdekje e dyshimtë”.

  • Në Hagë hapet zyra ndërkombëtare për hetimin e luftës në Ukrainë

    Në Hagë hapet zyra ndërkombëtare për hetimin e luftës në Ukrainë

    Një zyrë ndërkombëtare që do të hetojë Rusinë për pushtimin e saj të Ukrainës, është hapur më 3 korrik në Hagë. Ky është hapi i parë drejt një tribunali të mundshëm kundër udhëheqjes në Moskë.

    Qendra Ndërkombëtare për Ndjekjen e Krimit të Agresionit ka prokurorë nga Kievi, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Gjykata Ndërkombëtare Penale.

    Kjo zyrë do të hetojë dhe do të mbledhë dëshmi, në një lëvizje që po shihet si hap i përkohshëm para krijimit të një tribunali special, që mund të sjellë para drejtësisë zyrtarët e Kremlinit për nisjen e luftës në Ukrainë.

    Disa zyrtarë të lartë do të mbajnë një konferencë për media më vonë gjatë ditës, ndërsa pritet të flasin edhe prokurori i përgjithshëm ukrainas, Andriy Kostin, ndihmës prokurori i përgjithshëm amerikan, Kenneth Polite, dhe Komisionari i BE-së për Drejtësi, Didier Reynders.

     

  • Wagner pezullon rekrutimin e mercenarëve

    Wagner pezullon rekrutimin e mercenarëve

    Grupi famëkeq rus i mercenarëve Wagner, që kreu rebelimin më 23-24 qershor, ka ndaluar të gjithë procesin e rekrutimit.

    Ky grup njoftoi përmes kanalit në Telegram se “përkohësisht nuk po marrim pjesë në operacionin e posaçëm ushtarak dhe po zhvendosemi në Bjellorusi”.

    Wagner përdori shprehjen që Rusia përdor për t’iu referuar pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.

    Grupi Wagner kreu një rebelimin të shkurtër dhe mercenarët u nisën drejt Moskës. Por, më pas lideri autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, ndërmjetësoi një marrëveshje dhe rebelimi u ndërpre.

    Sipas kësaj marrëveshjeje, shefi i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin, u lejua që të shkonte në Bjellorusi.

    Luftëtarëve të Wagner-it u është dhënë mundësia të zgjedhin nëse duan të ndjekin Prigozhinin apo të integrohen në ushtrinë e rregullt ruse.

    Prigozhin nuk është parë në publik që nga përfundimi i rebelimit. /REL/

  • Kurti i quan “të përkohshme” masat ndëshkuese të BE-së

    Kurti i quan “të përkohshme” masat ndëshkuese të BE-së

    Kryeministri Albin Kurti sërish i ka quajtur të përkohshme masat e paralajmëruar nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës.

    Kreu i qeverisë u shpreh se këto masa janë të padrejta, derisa foli me gazetarët në Podujevë, kur inspektoi fillimin e punimeve në rrugën nacionale Prishtinë-Podujevë.

    Nga Podujeva, ai tha se disa masa kanë filluar që të zbatohen, duke përmendur anulimin e vizitave.

    “Është e vërtetë që janë paralajmëruar masa të cilat disa edhe janë zbatuar. Ju e dini që ushtrimi i madh Defender Europe, sidomos në Gjakovë kur e kishim planifikuar gjithçka, edhe ishte anuluar. Bëhet fjalë edhe për anulim të vizitave, masat janë të padrejta. Për bindjen time ajo çfarë ne duhet të bëjmë është ajo që t’i kalojmë ato kredi e grande në vlere prej 149 milionë euro kredi dhe grande që nuk kalojnë pa 2/3-at në Kuvend. Ne kemi ngujim aktual që mund ta kalojmë bashkë”, ka thënë ai.

    Me këtë rast, ai ka sqaruar se janë identifikuar 45 persona që bëjnë pjesë në dy organizatat e shpallura terroriste nga Qeveria javën e kaluar, “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”.

    “Deri më sot janë identifikuar 45 persona identifikim i saktë që kanë marrë pjesë në sulem dhune ndaj ushtarëve të KFOR-t policisë e gazetarëve, por edhe që kanë përdorur armë, ju e patë çfarë armatimi u konfiskua me 23 qershor. Qytetarë serb janë më të frikësuarit prej këtyre kriminalëve, që na dërgojnë informacion çdo herë kur vepron ligji. Kemi pa numër fakte e dëshmi se bëhet fjalë për organizata terroriste, nëse nuk do ti shpallini do të bënim shkelje dhe dëm”.

    “Me BE jam në kontakt të përditshëm. Dje kam biseduar me Borrellin edhe me ndërmjetësin Lajçak jam interesuar edhe për deskalim edhe për normalizim që nënkupton sundim të ligjit, ose edhe të shkojnë në Serbi”.

  • ​Mbrojtja e Shalës sot parashtron kundra-pyetjet për ekspertin mjeko-ligjor

    ​Mbrojtja e Shalës sot parashtron kundra-pyetjet për ekspertin mjeko-ligjor

    Pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë sot ka vazhduar procesi gjyqësor kundër ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala.

    Në seancën e sotme në gjykatoren e Hagës mbrojtja e Shalës ka nisur parashtrimin e kundra-pyetjeve karshi dëshmitarit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar i cili është eksperti mjeko-ligjor, Marek Gasior.

    Avokati mbrojtës i Pjetër Shalës, Muhamed Hedi Auini deklaroi se brenda një seance do t’i përfundojnë kundra-pyetjet e tyre karshi dëshmitarit të ZPS-së.

    Përpara se të nisi mbrojtja e Shalës me pyetjet e saj, trupi gjykues mori dy urdhra gojor që kanë të bëjë me prova materiale. I pari urdhër gojor ishte për Zyrën Administrative për caktimin e një numri të një prove materiale e cila ishte kërkesë e ZPS-së.

    Ndërsa, me urdhrin e dytë, trupi gjykues aprovoi kërkesën e mbrojtjes së Pjetër Shalës për të shtuar një material në listën e materialeve që do t’i bëjnë pastaj pyetjet karshi dëshmitarit të sotëm i cili është ekspert mjeko-ligjor.

    “Duke qenë se nuk janë ngritur kundërshtime nga ZPS dhe mbrojtja e viktimave trupi gjykues e autorizon mbrojtjen që ta shtojë këtë material në listën e materialeve që do të përdorë gjatë kundra-pyetjeve që do ia bëjë sot dhe udhëzon mbrojtjen që ta ndryshojë listën e materialeve dhe ta përditësojë këtë listë”, tha ajo.

    Eksperti mjeko-ligjor, Marek Gasior dëshminë e tij kundër Pjetër Shalës e ka nisur qysh javën e kaluar dhe pyetjet ndaj tij i kanë përfunduar Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe mbrojtja e viktimave.

    Ndërsa, edhe këtë seancë të sotme, ish-pjesëtari i UÇK-së, i akuzuari Shala po e përcjell nga qendra e paraburgimit përmes video-lidhjes.

    Në mars ka filluar paraqitja e provave të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në rastin e Shalës, ku deri më tani janë dëgjuar gjashtë dëshmitarë.

    Pjetër Shala po qëndron në Hagë prej marsit të vitit 2021.

    Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

    Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, n bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës./kp

  • ​Dy kryeministra evropianë më 3 dhe 4 korrik në Kosovë dhe Serbi

    ​Dy kryeministra evropianë më 3 dhe 4 korrik në Kosovë dhe Serbi

    Kryeministri i Holandës, Mark Rutte dhe kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel do të vizitojnë sot dhe nesër Kosovën dhe Serbinë.

    Vizita e dy kryeministrave evropianë sipas gazetës holandeze, Haarlems Dagblad lidhet me tensionet e fundit në veri të Kosovës.

    Përveç Kosovës, kryeministrat evropianë do të vizitojnë edhe Serbinë.

    Tensionet në veri të Kosovës kanë filluar më 26 maj, kur kryetarët e zgjedhur në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq kanë shkuar në objektet komunale, të asistuar nga Policia e Kosovës. Situata ka eskaluar më datën 29 maj, kur grupet kriminale kanë sulmuar Policinë e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it.

    Sipas agjendës, Rutte dhe Bettel më 4 korrik do të qëndrojnë në Kosovë, ku do të takojnë presidenten Vjosa Osmani e kryeministrin Albin Kurti nga krerët e shtetit, me të cilët do të diskutojnë, “mes tjerash, zhvillimet e fundit në rajon dhe luftën në Ukrainë”.

    Komuniteti ndërkombëtar i ka drejtuar tri kërkesa kryeministrit Kurti, lidhur me situatën në veri: Shtensionimin e situatës atje, mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

    Ditë më parë, kryeministri Albin Kurti ka paraqitur pesë pika për situatën në veri, ku fokus sipas tij, duhet të jetë sundimi i ligjit në katër komunat veriore.

    Ndërkaq, më 29 qershor, Kurti ka paraqitur propozimin e ri për shtensionimin e situatës në veri. Ai ka paraqitur katër hapa konkretë që Qeveria e Kosovës është e gatshme t’i ndërmarrë për t’i kontribuar rikthimit të stabilitetit në veri. Mirëpo, ka thënë se presin edhe nga Serbia që të zotohet për tërheqje të protestuesve të dhunshëm nga ndërtesat komunale dhe të bashkëpunojë për paraburgimin dhe procedimin gjyqësor të kryesve të dhunës nga ana e Kosovës.

    Megjithatë, BE ka vendosur disa sanksione për vendin tonë.