ATV

Blog

  • Ambasadori Italian: Masat e BE-së ndaj Kosovës janë të kthyeshme

    Ambasadori Italian: Masat e BE-së ndaj Kosovës janë të kthyeshme

    Nëse pas prezantimit të draftit të Asociacionit nga ana e Kosovës, Serbia nuk i përmbush angazhimet të cilat i ka marrë përsipër, atëherë Bashkimi Evropian do të ndërmarrë masa edhe ndaj saj.

    Kështu deklaroi ambasadori Italian në Kosovë, Antonello De Riu, sipas të cilit, masat e marra ndaj palës kosovare nga BE-ja janë të kthyeshme.

    “Këto masa janë bërë në mënyrë që ti nxisin të dy qeveritë që ti përmbyshin angazhimet e tyre. Angazhimi i Qeverisë së Kosovës ka qenë që ta paraqes sa më shpejt një statut të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe gjë që nuk është bërë nga Qeveria e Kosovës. Në atë moment kur Kosova të përmbush angazhimin e saj dhe ta prezantojë një statut për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, Serbia nëse nuk i përmbush angazhimet e saj të cilat i ka marrë përsipër, atëherë masat analoge do të merren edhe për Serbinë në të njëjtën mënyrë nga Bashkimi Evropian”, ka thënë ambasadori Italian, Antonello De Riu.

    Diplomati Italian theksoi se të gjitha ligjet e një vendi duhet të respektohen, por për disa çështje duhet të merren vendime politike që të ecet përpara. De Riu ritheksoi kërkesën ndaj Kosovës që të ulen tensionet në mënyrë që të mënjanohen faktorët të cilët mund të shkaktojnë përkeqësim të gjendjes në veri.

    “Dialogu Kosovë-Serbi është ajo paradigmë çka ndodh në Ballkan. Ndonjëherë bëhen çështje parimore disa çështje që nuk janë të rëndësishme për jetën e njerëzve që jetojnë në këto vende. Nëse kishte pasur njerëz që janë më konkret, më racional në vendimet e tyre, nuk kishim ardhur në këtë pikë, dhe çështjet do të ishin zgjidhur shumë më shpejt. Kur flas për pragmatizëm nuk e kam fjalën për mosrespektimin e kushtetutshmërisë së një vendi, por flasim për vendime politike nga të cilat do të kishin përfitime vetëm popullsia që jetojnë këtu. Të gjitha ligjet e një vendi duhet të respektohen, por duhet të merren vendime politike për disa çështje që nuk janë aq shumë parimore sa po duken, dhe nga këto ecim tutje dhe përfiton popullata”, ka thënë ambasadori Italian, Antonello De Riu.

    Këto deklarata ai i bëri pas një vizite në Radiotelevizionin e Kosovës, me ç’rast u prit nga drejtori gjeneral Shkumbin Ahmetxhekaj. Gjatë takimit u bisedua për mundësitë e bashkëpunimit në mes RTK-së dhe ambasadës italiane në Kosovë.

    Ambasadori Italian i shoqëruar edhe nga zëvendës shefi i misionit, Ugo Ferrero, premtoi mbështetje konkrete për RTK-në, me ofrimin e përmbajtjeve të ndryshme programore, marrëveshje kjo e cila pritet të formalizohet javëve të ardhshme.

  • ​Osmani: Shtetet e Bashkuara, një udhërrëfyes për Kosovën

    ​Osmani: Shtetet e Bashkuara, një udhërrëfyes për Kosovën

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në shënimin e 247-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk janë thjesht një aleat, por një udhërrëfyes për Kosovën.

    Ajo tha se mbështetja që SHBA-ja ka dhënë historikisht për Kosovë, jo vetëm ka pasur rëndësi vendimtare, por ka qenë një dimension ekzistencial.

    “Ne do të vazhdojmë gjithmonë të shikojmë lart nga Shtetet e Bashkuara, unë gjithmonë them se ne në fakt jemi një zgjatim i vlerave amerikane. Pra, kur themi se Kosova është edhe shtëpia juaj, me të vërtetë shpresoj që ju ta ndjeni këtë fort çdo ditë. Për ne, Shtetet e Bashkuara nuk janë thjesht një aleat, por më tepër një udhërrëfyes, një udhërrëfyes dhe një udhëheqës në përpjekjet tona globale për të mbrojtur lirinë, demokracinë dhe drejtësinë për të gjithë. Mbështetja që SHBA-ja ka dhënë historikisht për ne, jo vetëm ka pasur rëndësi vendimtare, por ka qenë një dimension ekzistencial. Unë kam besim se shumë kapituj mbeten për t’u zbuluar midis dy vendeve tona, por është shtylla e kësaj aleance që na bën të jemi të sigurt se rruga përpara është ajo e duhura. SHBA qëndron si sinonim i lirisë sonë, për shkak të vendosmërisë suaj, lufta jonë çlirimtare kulmoi me të drejtën për të zgjedhur vetë rrugën tone”, theksoi Osmani.

    Në këtë manifestim kanë marr pjesë edhe kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

  • Nënshkruhen 13 marrëveshje mes Kosovës dhe Shqipërisë

    Nënshkruhen 13 marrëveshje mes Kosovës dhe Shqipërisë

    Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Shqipërisë kanë nënshkruar të enjten 13 marrëveshje, memorandume bashkëpunimi e deklaratë, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit në mbrëmje.

    Në mëngjes, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi se i janë dorëzuar Qeverisë së Kosovës nënshkrimet e ministrave të Shqipërisë, për t’i finalizuar marrëveshjet, që kishin ngelur pezull nga muaji i shkuar, kur Rama anuloi mbledhjen e dy qeverive. Në mbrëmje, Qeveria e Kosovës ka njoftuar se janë nënshkruar të 13 marrëveshjet.

    Për dy vjet, në dy mbledhjet e shkuara janë nënshkruar 41 marrëveshje qeveritare, ndërministrore e ndërinstitucionale.

    Për dy vjet, në dy mbledhjet e shkuara janë nënshkruar 41 marrëveshje qeveritare, ndërministrore e ndërinstitucionale.

    Në këto marrëveshje përfshihet ajo e njohjes reciproke të profesionit të avokatit dhe ndërmjetësit; ajo për bashkëpunimin në bujqësi për lehtësimin e procedurave të kontrollit të produkteve të origjinës joshtazore; për fushën e inspektimeve dhe dhurimi i Shqipërisë për Kosovën i portalit e-inspection.

    Është nënshkruar edhe deklarata e përbashkët e ministrive të Brendshme për “intensifikimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, kryesisht duke u fokusuar në lehtësimin e qarkullimit ndërkufitar dhe avancimin e shkëmbimit të informacioneve përmes sistemeve të Menaxhimit të Kufirit, avancimin e Qendrës së Përbashkët për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, si dhe avancimin e bashkëpunimit në parandalimin dhe luftimin e krimit”.

    “Marrëveshjet, së bashku me ato të nënshkruara në dy mbledhjet e mbajtura në dy vitet e fundit mes qeverive, i sjellin vendet e qytetarët tanë më pranë njëri-tjetrit dhe ritheksojnë fuqizimin e bashkëpunimit të Republikës së Kosovës me Republikën e Shqipërisë. Qeveria e Republikës së Kosovës mirëpret mbledhjet e ardhshme të përbashkëta, të cilat duhet të mbahen mes vendeve tona, për diskutime të frytshme e dhënie hov të punëve të mira dhe bashkëpunimit”, thuhet në njoftim.

    Nënshkrimi disa javë pasi Rama anuloi organizimin e mbledhjeve në Gjakovë. Si arsyetim pati përdorur tensionet në veri dhe “mosdëgjimin e Kosovës” përballë kërkesave të ndërkombëtarëve. Ai pati kërkuar takim sy më sy me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, por homologu nga Kosova refuzoi duke thënë se s’mund të ketë takim pa mbledhjen e qeverive. Si pasojë, të enjten Rama vizitoi Kosovën dhe u takua me presidenten dhe kryeparlamentarin, por jo edhe kryeministrin e Kosovës.

  • Konjufca: Kosova gjithmonë është më e fuqishme kur e ka Shqipërinë në krah

    Konjufca: Kosova gjithmonë është më e fuqishme kur e ka Shqipërinë në krah

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Në takim u zhvillua një bashkëbisedim i hapur dhe i sinqertë, i fokusuar kryesisht në situatën politike në Kosovë, veçanërisht problemet në katër komunat veriore.

    Kryetari Konjufca shprehu bindjen se roli i Shqipërisë mund të jetë shumë ndihmues në kuptimin e pozicionit të Kosovës, e cila është në të drejtën e saj kur insiston në zbatimin e shtetit ligjor dhe funksionalizimit të demokracisë në krejt territorin e Kosovës.

    Kryeministri Rama paraqiti pikëpamjen e tij mbi pozicionin që Kosova sot ka kundrejt aleatëve të saj.

    Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan që situata është shqetësuese dhe se sa më parë duhet të shkohet drejt një zgjidhjeje që do mundësonte zhvillimin e zgjedhjeve në komunat veriore dhe kthimin e serbëve në institucione përmes proceseve dhe procedurave demokratike.

    Kryetari Konjufca theksoi nevojën që bashkësia ndërkombëtare të ushtrojë presion mbi Serbinë që marrëveshja e Ohrit të zbatohet në plotni dhe raportet mes Kosovës dhe Serbisë të futen në shtegun e normalizimit si dy subjekte shtetërore sovrane dhe respektuese ndaj njëra-tjetrës.

    Për kryetarin Konjufca mbështetja e Shqipërisë ndaj Kosovës është gjithnjë e nevojshme dhe e çmuar dhe Kosova gjithmonë është më e fuqishme kur e ka Shqipërinë në krah.​

  • Shtatë persona arrestohen në Gjermani

    Shtatë persona arrestohen në Gjermani

    Zyra e Prokurorit të Shtetit e Gjermanisë njoftoi se shtatë persona janë arrestuar në shtetin Rajna Veriore Vestfalia nën dyshime për terrorizëm.

    Sipas Zyrës së Prokurorit, të dyshuarit tentonin të themelonin një grup terrorist për të përkrahur organizatën terroriste ISIS.

    Ministrja e Brendshme e Gjermanisë, tha se arrestimi paraqet goditje të madhe kundër terrorizmit duke shtuar se Gjermania do të tregohet e pamëshirshme ndaj ekstremizmit.

    Gjermania vazhdon të jetë shënjestra direkte e organizatave terroriste islamike dhe autorëve individualë të motivuar nga islamistët,” tha ajo.

    Lidhur me të arrestuarit, zyra e Prokurorit njoftoi se njëri është nga Turkmenistani, një nga Kirgizia dhe pesë nga Taxhikistani. Ata kishin hy në Gjermani shkurt pas luftës në Ukrainë në 2022-n.

    Sipas Zyrës së Prokurorit qëllimi i këtyre shtatë personave ishte kryerja e sulmeve të profilit të lartë terroriste në gjithë vendin derisa tashmë kishin siguruar armët dhe caqet.

    6 prej tyre ishin duke grumbulluar para për ISIS-in që nga viti 2022, megjithatë, ata nuk besohet se kanë arritur të zhvillonin ndonjë plan konkret për sulme. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Vëllezërit Lushtaku deklarohen të pafajshëm për sulmin ndaj policëve

    Vëllezërit Lushtaku deklarohen të pafajshëm për sulmin ndaj policëve

    Vëllezërit Nuredin, Faton dhe Arif Lushtaku krah njëri-tjetrit u paraqitën në Gjykatën Themelore të Prizrenit.

    Ata akuzohen se mu kështu pranë njëri-tjetrit, mbrëmjen e 2 korrikut të 2022, sulmuan dy zyrtarët policorë: Mërgim Geci dhe Enver Berisha, të cilët kishin shqiptuar dënim ndaj Arbër Lushtakut, të birit të Nuredinit për mosvendosje të rripit të sigurisë.

    Arbër Lushtaku kishte thirrë në telefon prindin e tij Nuredin Lushtaku, i cili menjëherë vjen me automjetin e tij, së bashku me dy vëllezërit e tij Faton e Arif Lushtaku, ku i pandehuri Nuredin kishte filluar të fjaloset me zyrtarin policor Enver Berisha. Lushtaku: pse e ke ndalë këtë djalë, çka është problemi, çka ka bërë djali’ dhe kur i dëmtuari-polici i është përgjigjur se e kemi ndal për shkak të mosvendosjes së rripit të sigurisë, i pandehuri Nuredin i drejtohet policit: ‘djali dhe shokët e tij e kanë pasë’, ‘ti je një idiot’. I dëmtuari E.B i përgjigjet me fjalët: ‘unë kam respekt për ty’, ndërsa i pandehuri Nuredin ia kthen me fjalët: ‘nuk më duhet respekti juaj… ta q* nanën”, tha prokurorja e Shtetit, Sahide Sefa.

    Gjatë përleshjes, u plagos njëri polic.

    “Vëllezërit Llushtaku kanë nxjerrë armët duke ua drejtuar Policëve. Pastaj edhe Policët kanë nxjerrë armët. Polici Enver Berisha ka urdhëruar verbalisht që t’i ulin armët dhe ka shtënë me armë dy herë në ajër. Pastaj ka fillu përleshja. Vëllezërit kanë tentu me ia marrë armën policëve. U plagos njëri polic”, tha Sefa.

    Lidhur me akuzat për sulm ndaj personit zyrtar”, “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ish-kryetari i Skenderajt, Nuredin Lushtaku, dhe vëllai i tij Fatoni u deklaruan të pafajshëm.

    Vëllezërit Lushtaku që jetojnë në Skenderaj, vazhdojnë të mbrohen në liri. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Qëllimet e njëjta nuk e largojnë ngërçin për mënyrën e deeskalimit

    Qëllimet e njëjta nuk e largojnë ngërçin për mënyrën e deeskalimit

    Deeskalimi i situatës si hap i parë, përcjellë nga zgjedhjet e reja në katër komunat në veri dhe kthimi te dialogu për normalizim, janë pika të njëjta në udhërrëfyesin e Bashkimit Evropian dhe të propozimit të kryeministrit Albin Kurti.

    Por, ende nuk ka pajtueshmëri për mënyrën dhe veprimet sipas radhës.

    Fitim Mulolli nga POLCON vlerëson se kjo situatë është ngërç i qëllimshëm dhe përpjekje nga të dyja palët, për t’i ikur zbatimit të marrëveshjes bazë dhe shtojcës.

    “As kryeministri Kurti as presidenti serb Vucic nuk e duan marrëveshjen e Ohrit, nuk e duan zbatimin e saj. Prandaj, të gjitha këto tensione, gjithë kjo stërzgjatje janë tentim për t’iu shmangur zbatimit të atyre dispozitave. Tani, sa më i madh të jetë presioni për të zbatuar marrëveshjen e Ohrit, aq më shumë do të ketë stërzgjatje të hapave drejt deeskalimit të situatës në veri”, tha Mulolli.

    Teksa pajtimin në thelb për tri pikat e vlerëson pozitiv, Arbër Fetahu nga GLPS vë në dyshim strategjinë e Qeverisë për këmbëngulje në modalitete.

    “Kjo lloj strategjie nuk po del e suksesshme në aspektin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe ka dalë, deri në këtë moment, e dështuar në kuptimin e pozicionit të Kosovës në arenën ndërkombëtare”, tha Fetahu.

    Rezistencën e Qeverisë karshi kërkesave të BE-së ai e lidh me disa kërkesa.

    “Kërkohen garanca të mëdha që komuniteti serb të marrë pjesë në zgjedhje, përfshirë partitë politike serbe, në kuptimin që procesi të mos dështojë dhe të kemi zgjedhje që shkojnë në mënyrë efikase… Të ketë garancë edhe për implementimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit”, tha Fetahu.

    Duke iu referuar ngecjeve eventuale, Mulolli përmend dorëheqjet nga kryetarët dhe peticionet nga qytetarët, si forma të shkaktimit të zgjedhjeve.

    “Mendoj se opsioni i dytë është më i arsyeshëm edhe në qoftë se serbët e veriut e kanë me seriozitet se do të marrin pjesë në zgjedhjet që do të organizoheshin më vonë. Atëherë ky është një indikator se a kanë seriozisht pjesëmarrjen në zgjedhje apo jo”, tha Mulolli.

    Si shkak i dështimit të Qeverisë për të vepruar menjëherë në raport me udhërrëfyesin e propozuar, BE-ja i ka vendosur masa ndëshkuese Kosovës. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Projektligji për skemat pensionale ngjall reagime

    Projektligji për skemat pensionale ngjall reagime

    Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e ka detyruar Qeverinë e Kosovës që ta miratojë plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale, thonë njohës të fushës.

    “Projektligji për skemat pensionale është planifikuar në vitin 2021, pastaj në vitin 2022, por nuk është bërë. Vetëm pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese projektligji është miratuar në Qeveri. Hipotetikisht nëse nuk do të kishte një aktgjykim që do ta shfuqizonte ligjin më 15 korrik 2023, atëherë Qeveria ndoshta nuk do ta kishte sjellë këtë vit. Do të kishim diskriminim të mijëra pensionistëve edhe këtë vit. Ndoshta vitin e ardhshëm do të miratohej, por detyrimisht jemi edhe 10 ditë para datës 15 korrik 2023 dhe sot po miratohet projektligji”, tha Naim Jakaj, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi.

    Por Jakaj nuk pret që ky projektligj të kalojë shpejt edhe në Kuvendin e Kosovës, për shkak të bojkotit të punës së Kuvendit nga partitë opozitare.

    “Duke ia shtuar kësaj faktin që tashmë opozita ka lajmëruar bojkotin nga ana e saj dhe kjo do ta pamundësojë ndoshta kalimin e këtij projektligji në procedurë të rregullt, edhe në procedurë të përshpejtuar, në mënyrë që ligji të hyjë në fuqi sipas Kushtetutës”, tha Jakaj.

    Deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, tha se ky projektligj është shumë i paqartë, meqenëse, sipas tij, nuk u është nënshtruar të gjitha procedurave.

    “Vendimi i djeshëm nuk ka të bëjë asgjë me vullnetin praktik dhe premtimin e dhënë në kampanjat zgjedhore, por ka të bëjë me një imponim nga Gjykata Kushtetuese. Ky ligj, sipas rregullës, është dashur t’iu nënshtrohet të gjitha procedurave legale, të hartimit, të debatit publik, debatit parlamentar, të debatit në komisione funksionale të Kuvendit për shëndetësi dhe mirëqenie sociale, dhe pastaj të vihet për aprovim. Të gjitha këto procedura kanë shkuar me një rrugë të torturuar, madje as debat publik fare nuk kemi pasur”, tha Dreshaj.

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha të mërkurën, pas mbledhjes së qeverisë, se me këtë vendim do të përfitojnë rreth 70 mijë pensionistë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Kyçje ilegale në rrjetin elektrik, KEDS aksion në Prizren e Suharekë

    Kyçje ilegale në rrjetin elektrik, KEDS aksion në Prizren e Suharekë

    U nisën nga Prishtina e destinacion e kishin Prizrenin.

    Ekipet e KEDS-it, ditën e filluan me aksion në qytetin e Prizrenit, për t’i shkyçur nga rrjeti elektrik, konsumatorët që janë të kyçur ilegalisht.

    Intervenimi i parë u bë në një lokal afarist.

    “Konsumatori në fjalë, e ka njehsorin smart, i cili është i shkyçur për shkak të borxhit, e gjatë kontrollit e kemi pa që ai ka anashkaluar njehsorin elektrik dhe është kyçur me një kabllo, që do të thotë se e gjithë energjia që është duke u shfrytëzuar nga ky objekt është duke u vjedhur”, tha Fatos Çeku, menaxher në KEDS.

    Aksione të ngjashme nga KEDS-i, kohëve të fundit janë shtuar.

    “KEDS-i ka intensifikuar së fundmi aksionet për kontroll te konsumatorët, të cilët dyshohet që po e keqpërdorin energjinë elektrike. Në mbarë Kosovën, janë bërë mbi 45 mijë kontrolle, 2300 keqpërdorime, e vetëm në qershor mbi 6 mijë, e qëllimi është që me ua bë me dije që keqpërdorimi nuk lejohet, është i papranueshëm dhe i dënueshëm”, tha Lulzim Krasniqi, zëdhënës në KEDS.

    Mirëpo, veç shkyçjeve, KEDS-i ka bërë të ditur se një numër i lartë i konsumatorëve do të përballen edhe me organe të drejtësisë.

    “Këtë vit në gjashtëmujorin e parë, kemi dorëzuar në gjykatat përkatëse më shumë se një mijë lëndë, për keqpërdorim të energjisë elektrike. Dënimi që e bën KEDS-i është në suaza të kompetencave, pra konsumatori shkyçet dhe detyrohet ta paguajë borxhin që ka”, tha Krasniqi.

    Veç Prizrenit, aksioni vazhdoi edhe në Suharekë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Krivaqa mbrohet në heshtje, Sejdiu deklarohet për vrasjen e Marigona Osmanit

    Krivaqa mbrohet në heshtje, Sejdiu deklarohet për vrasjen e Marigona Osmanit

    I akuzuar për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit, Dardan Krivaqa, nuk ka pranuar të deklarohet para trupit gjykues lidhur me akuzat duke shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje.

    Krivaqa tha se nuk është në gjendje të sqarojë çfarë ka ndodhur në ditën kritike.

    Por, ndryshe veproi i akuzuari tjetër, Arber Sejdiu. Sejdiu për rreth 3 orë u deklarua para trupit gjykues lidhur me ngjarjen e 21 gushtit.

    Sejdiu deklaroi se e kishte dëgjuar Krivaqën, duke e kërcënuar Marigonën por edhe e kishte parë duke e goditur me shkop.

    “E ka marr shkopin ka hy në dhomë unë kom shku jak om largu shkopin..”, ka deklaruar Sejdiu.

    Sejdiu shtoi se gjendjen e vërtetë të viktimës e kuptoi kur i akuzuari i parë i kërkoi për të parë nëse e ndjera ishte gjallë.

    “I jepte frymë prej gojës, më duket ndihmën e parë, ajo qitke gjak, zi ka qitë dhe i kam thënë Dardanit veshe e ço në spital”, deklaroi Sejdiu.

    Sejdiu po ashtu tha se nuk qëndron prapa deklaratës që e ka dhënë në polici, pasi ishte nën ndikimin e substancave narkotike.

    Krivaqën prokuroria e ngarkon me veprën penale “vrasje e rëndë” dhe “dhunim”, kurse Sejdiu po akuzohet për veprën penale “vrasje e rëndë” dhe “ndihmë në kryerjen e dhunimit”.

    Pas më shumë se një vit që nga fillimi i procesit gjyqësor, në fillim të gushtit pritet që Gjykata në Ferizaj të marrë vendim lidhur me vrasjen e Marigona Osmanit. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: