ATV

Blog

  • Ky është personi i parë me 1 milion ndjekës në Threads

    Ky është personi i parë me 1 milion ndjekës në Threads

    MrBeast është shpallur personi i parë që ka arritur 1 milion ndjekës në aplikacionin e ri të quajtur Threads.

    Ky mjet i komunikimit i cili u lansua për të rivalizuar Twitterin, doli në përdorim më 5 korrik.

    Youtuberit, emri i vërtetë i të cilit është Jimmy Donaldson, iu deshën vetëm disa orë për t’u ndjekur nga një milion njerëz, raportoi të enjten “GuinnessWorldRecords”.

    Teksa teknikisht llogaria e tij nuk ishte e para që e arriti këtë numër, të tjerat i përkisnin organizatave si Instagram dhe National Geographic.

    Ai i ka bërë vetëm tri postime në Threads. Në postimin e tij të parë, pak pasi aplikacioni doli në internet, MrBeast ka shkruar: “Pra, sa kohë do të ndodhë që të jemi të varur nga ky aplikacion?”.

    Ai gjithashtu ftoi fansat e tij ta pëlqejnë një postim nëse mendojnë se Mark Zuckerberg i Metës duhet ta bëjë atë drejtor ekzekutiv të aplikacionit.

    MrBeast gjithashtu bëri shaka duke thënë: “Më duket sikur po e tradhtoj Twitterin duke e përdorur këtë aplikacion”.

    Aplikacioni Meta Threads u prezantua si një alternativë “miqësore” ndaj Twitterit. Ashtu si Twitter, përdoruesit mund të postojnë duke përfshirë foto dhe video, dhe të tjerët mund t’i pëlqejnë, t’u përgjigjen dhe t’i ndajnë ato me ndjekësit e tyre.

    Postimet janë të kufizuara në një maksimum prej 500 karakteresh. Dhe për t’i bërë gjërat më të lehta për përdoruesit e rinj, njerëzit mund të identifikohen përmes Instagramit, të importojnë fotografitë e profilit dhe biografitë e tyre, dhe madje të ndjekin të gjithë ata që ndjekin tashmë në Instagram me një klik të një butoni.

    Raportohet se Threads se ka tërhequr më shumë se 10 milionë përdorues nga grupi i tij prej 2 miliardë llogarive ekzistuese në Instagram.

    Jimmy Donaldson, i njohur si MrBeast, është Youtuberi burrë me më së shumti ndjekës, gjithsej 162 milionë.

    Ai ka bërë famë me videot e tij në të cilat ndihmon njerëzit. Ai në disa raste ka ndarë shifra deri në miliona, vetëm që njerëzit të kryejnë sfida, të cilat nuk janë të paarritshme.

  • Mblidhen dy Komisione Parlamentare

    Mblidhen dy Komisione Parlamentare

    Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale shqyrton Projektligjin për çmimin e produkteve medicinale do të mblidhet sot me fillim nga ora 10:00.

    Në rend të ditës janë disa tema të rëndësishme,

    1. Miratimi i rendit të ditës;
    2. Shqyrtimi i Draft Raportit për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit 04/L-156 për kontrollin e duhanit dhe ligjit 08/L-040 për ndryshimin e plotësimin e ligjit nr. 04/L-156 për kontrollin e duhanit;
    3. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 08/L-220 për çmimin e produkteve medicinale.
    4. Të ndryshme.

    Ndërsa, Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturё, Rini dhe Sport mblidhet prej orës 11:00.

    Në rend të ditës është dëgjim publik lidhur me Projektligjin nr.08/L-205 pёr të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta.

  • Ambasadori Italian: Masat e BE-së ndaj Kosovës janë të kthyeshme

    Ambasadori Italian: Masat e BE-së ndaj Kosovës janë të kthyeshme

    Nëse pas prezantimit të draftit të Asociacionit nga ana e Kosovës, Serbia nuk i përmbush angazhimet të cilat i ka marrë përsipër, atëherë Bashkimi Evropian do të ndërmarrë masa edhe ndaj saj.

    Kështu deklaroi ambasadori Italian në Kosovë, Antonello De Riu, sipas të cilit, masat e marra ndaj palës kosovare nga BE-ja janë të kthyeshme.

    “Këto masa janë bërë në mënyrë që ti nxisin të dy qeveritë që ti përmbyshin angazhimet e tyre. Angazhimi i Qeverisë së Kosovës ka qenë që ta paraqes sa më shpejt një statut të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe gjë që nuk është bërë nga Qeveria e Kosovës. Në atë moment kur Kosova të përmbush angazhimin e saj dhe ta prezantojë një statut për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, Serbia nëse nuk i përmbush angazhimet e saj të cilat i ka marrë përsipër, atëherë masat analoge do të merren edhe për Serbinë në të njëjtën mënyrë nga Bashkimi Evropian”, ka thënë ambasadori Italian, Antonello De Riu.

    Diplomati Italian theksoi se të gjitha ligjet e një vendi duhet të respektohen, por për disa çështje duhet të merren vendime politike që të ecet përpara. De Riu ritheksoi kërkesën ndaj Kosovës që të ulen tensionet në mënyrë që të mënjanohen faktorët të cilët mund të shkaktojnë përkeqësim të gjendjes në veri.

    “Dialogu Kosovë-Serbi është ajo paradigmë çka ndodh në Ballkan. Ndonjëherë bëhen çështje parimore disa çështje që nuk janë të rëndësishme për jetën e njerëzve që jetojnë në këto vende. Nëse kishte pasur njerëz që janë më konkret, më racional në vendimet e tyre, nuk kishim ardhur në këtë pikë, dhe çështjet do të ishin zgjidhur shumë më shpejt. Kur flas për pragmatizëm nuk e kam fjalën për mosrespektimin e kushtetutshmërisë së një vendi, por flasim për vendime politike nga të cilat do të kishin përfitime vetëm popullsia që jetojnë këtu. Të gjitha ligjet e një vendi duhet të respektohen, por duhet të merren vendime politike për disa çështje që nuk janë aq shumë parimore sa po duken, dhe nga këto ecim tutje dhe përfiton popullata”, ka thënë ambasadori Italian, Antonello De Riu.

    Këto deklarata ai i bëri pas një vizite në Radiotelevizionin e Kosovës, me ç’rast u prit nga drejtori gjeneral Shkumbin Ahmetxhekaj. Gjatë takimit u bisedua për mundësitë e bashkëpunimit në mes RTK-së dhe ambasadës italiane në Kosovë.

    Ambasadori Italian i shoqëruar edhe nga zëvendës shefi i misionit, Ugo Ferrero, premtoi mbështetje konkrete për RTK-në, me ofrimin e përmbajtjeve të ndryshme programore, marrëveshje kjo e cila pritet të formalizohet javëve të ardhshme.

  • Parashikimi i motit për sot

    Parashikimi i motit për sot

    Dita e sotme në vendin tonë pritet të mbizotërohet kryesisht me kthjellime, ndërsa gjatë pas ditës, pritet të ketë vranësira dhe reshje të shiut.

    Temperaturën minimale për ditën e sotme e ka shënuar Gjakova me 15 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 29 gradë Celsius.

    Ndërkohë, që nga dita e nesërme pritet të kemi përmirësime të motit, ku do të mbizotërohet kryesisht nga kthjellimet dhe rrezet e diellit.

    Temperaturën minimale për ditën e nesërme do ta mbajë qyteti i Gjakovës me 11 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prishtina me 29 gradë Celsius. /atvlive.tv

    Parashikimin e plotë të motit me Diellza Dakën, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • Rama sot viziton Sarajevën

    Rama sot viziton Sarajevën

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të vizitojë sot Bosnje e Hercegovinën, në kuadër të turit të tij ballkanik në përgatitje për Procesin e Berlinit.

    Rama, i cili dje qëndroi në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën, ka njoftuar se sot do të jetë në Sarajevë.

    Gjatë qëndrimit në vendin tonë ai u takua me presidenten Vjosa Osmani dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.

    Një takim me kryeministrin Albin Kurti mbeti pa u realizuar, ani pse Rama u shpreh optimist se do të ketë një të tillë, pas nënshkrimit të marrëveshjeve mes dy vendeve, veprim ky përmes të cilit, siç tha ai, ia ka hequr ‘merakun’ homologut të tij.

    “MIRËMËNGJES

    dhe me një përshëndetje për krejt Kosovën, vazhdojmë drejt Sarajevës për ditën e dytë të takimeve në rajon”, ka shkruar ai në Facebook.

  • Dinosaurët nga data 9 korrik në Albi Mall!

    Dinosaurët nga data 9 korrik në Albi Mall!

    Diçka e re dhe shumë atraktive po vjen në Albi Mall.

    A keni rastisur ndonjëherë në ndonjë muze të gjindeni përballë formave të dinosaurëve, specieve që tashmë janë në zhdukje por që dita ditës po bëhen ndër figurat më të pëlqyera në botë.

    Kërkesat e mëdha kryesisht të fëmijëve që të përjetojnë botën në çdo shekull, janë bërë detyrim për qendrën tregtare Albi Mall, që medoemos të plotësojnë çdo ëndërr të fëmijëve.

    Dhe ja ku janë përsëri, të gatshëm për të nisur një aventurë të re, dinosaurët nga data 9 korrik do të jenë pjesë e Albi Mall.

    Arratisuni duke filluar nga kjo fundjavë në planetin e një shekulli tjetër dhe përjetoni aventurën e vërtetë!

    Albi Mall vendi i familjes suaj!

  • Edi Rama sot takohet me Vuçiqin

    Edi Rama sot takohet me Vuçiqin

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është duke zhvilluar një tur nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor.

    Pjesën e parë të ditës së enjte ai e kaloi në Maqedoninë e Veriut, ndërsa pjesën e dytë e kaloi në Kosovë, me ç’rast u takua me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca.

    Sot në mëngjes ai do të udhëtojë për në Bosnje dhe Hercegovinë, pastaj do të shkojë në Mal të Zi, ku do të takohet me kryeministrin Dritan Abazoviq.

    Në mbrëmje, ai do të shkojë në Serbi për t’u takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

    Kujtojmë se këto vizita Rama po i zhvillon për t’u konsultuar me përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor para Samitit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë më 16 tetor.

    Më poshtë e gjeni agjendën për sot të kryeministrit Rama.

  • 13 deputetë zviceranë, letër KiE-së: Ndaloni masat ndaj Kosovës

    13 deputetë zviceranë, letër KiE-së: Ndaloni masat ndaj Kosovës

    Deputetët zviceranë janë kundër masave të Bashkimit Evropian (BE) ndaj Kosovës.

    Kështu thuhet në një letër të cilën e ka publikuar deputeti i Këshillit Nacional të Zvicrës nga Partia Social-Demokrate, Cedric Wermuth.

    “Letër e disa parlamentarëve zviceranë nga Liberalët e Gjelbër, EVP, Të Gjelbrit, Socialdemokratët, ndaj Ursula von der Leyen, në lidhje me qëndrimin e pabalancuar të Komisionit të BE-së, Miroslav Lajçkuat e Josep Borrellit në konfliktin mes Serbisë dhe Kosovës”, ka shkruar deputeti Ëermuth në Twitter, i cili etiketoi edhe Ministrinë e Jashtme të Zvicrës.

    Në letër, të cilën e kanë nënshkruar 13 deputetë, kritikohet ashpër qasja e BE-së ndaj konfliktit të fundit Kosovë-Serbi.

    Parlamentarët zviceranë, letrën e kanë dërguar te Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

    Sipas letrës, ata janë të “merakosur” dhe të shqetësuar për veprimet e BE-së në konfliktin e ndezur mes dy vendeve.

    “Politika e BE-së ndaj Kosovës duket arbitrare dhe e vështirë për t’u kuptuar”, thuhet në këtë letër.

    Letra është një reagim ndaj zhvillimeve të fundit në konfliktin rreth Kosovës veriore, e cila është e banuar kryesisht nga serbë.

    Bashkimi Evropian ka njoftuar se masat ndëshkuese ndaj Kosovës kanë hyrë në fuqi më 28 qershor.

    Në një përgjigje nga Bashkimi Evropian thanë se tashmë është pezulluar puna e organeve të MSA-së dhe programi i fondeve IPA.

  • Paralajmërimet për arrestime dhe listat e rreme frikësojnë serbët e Kosovës

    Paralajmërimet për arrestime dhe listat e rreme frikësojnë serbët e Kosovës

    Pohimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se janë identifikuar dhjetëra serbë që dyshohen për shkaktimin e dhunës dhe të tensioneve në pjesën veriore të Kosovës, ka rritur shpërndarjen e informacioneve të pavërteta në platforma të komunikimit, ku anëtarët janë kryesisht serbë të Kosovës.

    Ditëve të fundit, në vazhdimësi janë publikuar lista me emra dhe me fotografi të, siç pretendohet, serbëve që pritet të arrestohen nga institucionet e sigurisë në Kosovë.

    Qytetarët serbë të Mitrovicës së Veriut thonë se janë të frikësuar nga listat e ndryshme, që po qarkullojnë nëpër rrjete sociale.

    “Thuajse çdo ditë ndodh nga një arrestim. Mendoj se ata po arrestohen pa bazë. Ata po arrestohen, e pastaj po krijohen provat. Nuk ndodh kështu askund në botë”, shprehet Dushan Vukoviq.

    Njëjtë pohon edhe Savo Lomigora. “Si qytetar, jam i shqetësuar, dhe frika po rritet. Njerëzit me të vërtetë humbën besimin, dhe shumë prej tyre po largohen, pasi janë të frikësuar për fëmijët e tyre, për sigurinë e tyre”, thotë ai.

    Ndërkaq, Sinisha Vukojeviq tregon se si gjithmonë është i frikësuar se mund të arrestohet, teksa kalon kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. “Së pari të arrestojnë, pastaj e vërtetojnë nëse je fajtor apo jo”, shprehet ai.

    E, qytetarët serbë që jetojnë në jug të lumit Ibër thonë se nuk janë të frikësuar nga arrestimet që kryejnë institucionet e Kosovës dhe se nuk iu “interesojnë” listat eventuale, pasi, siç thonë ata, “janë të sigurt se nuk kanë asgjë për të fshehur”.

    Në Graçanicë pohojnë se kanë më shumë frikë se mund të arrestohen padrejtësisht, mbi bazën e akuzave për krime lufte.

    “Unë e di që zemra ime është e pastër dhe se duart e mia janë të pastra. Nuk më intereson se çfarë do të bëjë Policia e Kosovës. Nuk jam i frikësuar nga asgjë, sepse nuk e kam prekur askënd”, thotë Nebojsha Mirkoviq.

    Sikur ai deklarohet edhe Ljubisha Niçiq. “Unë e di që nuk jam fajtor për asgjë. S’kam pse të frikohem”, shprehet ai.

    Çfarë tha Kurti?

    Kreu i ekzekutivit kosovar, Kurti, ka deklaruar se institucionet e sigurisë kanë identifikuar me sukses gjithsej 45 persona, që, sipas tyre, kanë marrë pjesë në sulmet kundër ushtarëve të misionit paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë – KFOR, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve, që nga ngritja e tensioneve në veriun e Kosovës.

    Në atë pjesë të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, tensionet janë të larta që nga fundi i majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave hynë në zyrat e tyre, me gjithë rezistencën dhe protestimin e banorëve serbë.

    “[Ata] njëkohësisht edhe kanë shkaktuar rrezik të përgjithshëm, duke përdorur armatim të ndryshëm, prej granatave të dorës deri te shok bombat dhe plumbat, qofshin ato edhe të automatikëve ose të revolverëve”, pohoi Kurti më 3 korrik.

    Kur përmendi këta 45 persona, Kurti tha se kjo nuk ka të bëjë me popullsinë serbe, pasi, siç deklaroi ai, “popullsia atje është paqësore”.

    “Qytetarët serbë janë më të frikësuarit prej këtyre kriminelëve”, deklaroi Kurti.

    Por, qëndrimin e kryeministrit Kurti, politikani opozitar serb nga Graçanica, Branimir Stojanoviq, e sheh si “instrument” për të ushtruar presion ndaj qytetarëve serbë të Kosovës.

    “Kur dikush mund të të arrestojë arbitrarisht, në bazë të një fotoje nga një protestë, pavarësisht të gjitha rregullave dhe procedurave, të urdhërosh paraburgim, të vendosësh politikisht se kush shkon në burg dhe kush jo, kur dikush i thotë Kuvendit emrat e njerëzve për të cilët tashmë praktikisht është vendosur se janë fajtorë pa asnjë procedurë [gjyqësore], në një situatë të tillë të gjithë kanë frikë se do të jenë të radhës”, thotë Stojanoviq.

    Ai shton se, pikërisht për shkak të listave të supozuara të arrestimit të serbëve, një numër i madh i pjesëtarëve të komunitetit serb vendosin të largohen nga Kosova, gjë që, sipas tij, është “pasojë fatale”.

    E, Oliver Vujoviq nga Forumi Joqeveritar për Zhvillim dhe Bashkëpunim Multietnik, me bazë në Graçanicë, vlerëson se pjesëtarët e komunitetit serb në veri dhe në jug të Ibrit u frikësohen “fletarrestimeve të supozuara” që po qarkullojnë, sepse, sipas tij, ata pyesin veten se, “kush është në radhë?”.

    Vujoviq beson se tensionet e fundit në veri të Kosovës dhe arrestimet ndikojnë në largimin e serbëve, por edhe në përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe në një “ndarje” më të madhe mes serbëve dhe shqiptarëve.

    “Sado që organizatat e shoqërisë civile, të cilat merren me proceset e pajtimit dhe demokratizimit, përpiqen të bëjnë diçka, e gjithë kjo po na kthen prapa, nuk ka përparim. Kemi 20 vjet që ngecim, ende ‘kemi urrejtje ose frikësohemi’ nga njëri-tjetri”, tha Vujoviq.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë më 6 korrik se autoritetet e Kosovës dyshohet se kanë marrë një vendim, një vit më parë, për të “arrestuar, vrarë ose dëbuar çdo serb që mund të ishte pikë rezistence në çfarëdo mënyre”.

    “Aksioni i pogromit apo persekutimit, i kryer nga regjimi i Prishtinës kundër popullit serb në Kosovë dhe Metohi, është i organizuar mirë, i planifikuar dhe i mbështetur në thelb nga qarqe të caktuara të bashkësisë ndërkombëtare”, deklaroi Vuçiq, pavarësisht se nuk paraqiti ndonjë provë për këto pretendime.

    Çfarë janë listat dhe ku po qarkullojnë ato?

    Institucionet e Kosovës, të paktën zyrtarisht, deri më tani nuk kanë publikuar ndonjë listë me emrat e personave, të cilët dyshohet se kanë shkaktuar dhunë në pjesën veriore të Kosovës, më 26 si dhe më 29 qershor, kur u lënduan 30 ushtarë të KFOR-it, dy prej të cilëve me armë zjarri.

    Mirëpo, kryeministri i Kosovës, Kurti, ka lexuar në Kuvendin e Kosovës emrat e serbëve, për të cilët pretendoi se qëndronin pas trazirave në veri, ndërsa disa prej tyre u arrestuan.

    Partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Serbe, e ka cilësuar këtë lexim publik të emrave si “vizatim i një shenje”.

    Pavarësisht se opinioni publik ende nuk ka parë ndonjë listë zyrtare me emrat e të dyshuarve, serbët dhe përfaqësuesit e tyre politikë insistojnë se Qeveria e Kosovës në vazhdimësi krijon lista të tilla.

    Por, në të njëjtën kohë, institucionet e Kosovës kanë vazhduar arrestimin e serbëve të dyshuar për shkaktimin e dhunës në pjesën veriore të Kosovës.

    Disa u arrestuan për sulm ndaj institucioneve të sigurisë, të tjerë për sulm ndaj ushtarëve të KFOR-it, por edhe për sulme ndaj gazetarëve.

    Në platformën Telegram, në grupet “Bunt je stanje duha” [shqip: Rebelimi është gjendje shpirtërore] që ka rreth 90 mijë anëtarë, si dhe “Patriotizam” [shqip: Patriotizmi], ditëve të kaluara janë shpërndarë disa lista me fotografi të turbulluara, ku pretendohej se ishin emrat e serbëve që pritej të arrestoheshin.

    Shumë prej këtyre listave janë të rrejshme.

    Lista e vitit 2016, më 45 personat më të kërkuar nga Agjencia e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Zbatimin e Ligjit – EUROPOL.

    Në disa raste, lista e mësipërme është publikuar e turbullt edhe në grupet “Rebelimi është gjendje shpirtërore” si dhe “Patriotizmi”.

    “Patriotizmi” është emërtim i ri i grupit “Brigada e Veriut”. Ky grup ndërroi emrin e tij, pasi Qeveria e Kosovës e shpalli organizatë terroriste, sikurse edhe grupin “Mbrojtja Civile”.

    Radio Evropa e Lirë ka verifikuar listën dhe ka gjetur se personat që janë në këtë listë kanë qenë në kërkim nga Agjencia e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Zbatimin e Ligjit – EUROPOL, në vitin 2016. Një listë e njëjtë përditësohet rregullisht edhe sot, në ueb-faqen “Më të kërkuarit e Evropës”, eumostwanted.eu.

    Një rezultat tjetër çon tek një “cicërimë” në rrjetin social Twitter, nga Xhandarmeria e Francës, ku shihen personat.

    Kjo listë rezulton se është manipuluar në disa raste, duke ndërruar pozitën e vendndodhjes së fotografive, e po ashtu duke shtuar e hequr ndonjërin nga lista.

    Lista e publikuar nga grupi “Patriotizëm” në Telegram, ku thuhet se janë 45 personat që Kosova ka thënë se i ka identifikuar si pjesëmarrës në sulmet kundër ushtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve, që nga ngritja e tensioneve në veriun e Kosovës.

    Kërcënimi i serbëve me listat e “spiunëve të Kosovës”

    Në të paktën tri raste janë publikuar tri lista në Telegram, ku personat që fshihen prapa publikimit pretendojnë se kanë identifikuar dhe se kanë fotografi të agjentëve sekretë të Kosovës, të bashkëpunëtorëve të tyre si dhe të automjeteve dhe të targave që ata i përdorin në katër komunat veriore të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

    Lista e publikuar më 3 korrik, në grupin “Rebelimi është gjendje shpirtërore”, në Telegram.

    Në përshkrimin e kësaj liste, të publikuar në grupin “Rebelimi është gjendje shpirtërore”, në Telegram, thuhet se në të janë emrat, mbiemrat dhe fotografitë e spiunëve shqiptarë.

    “Listat i publikojmë të turbullta, sepse nuk do t’i ndihmonte në asnjë mënyrë popullit tonë nëse publikohen të gjithë emrat, të gjitha fytyrat, të gjitha makinat dhe të gjitha targat, sepse ata [agjentët] vetëm do të zëvendësoheshin – do të dërgonin agjentë tjerë, makina tjera, dhe do të përdornin targa tjera. Ne e publikojmë këtë tani, vetëm për t’u treguar atyre se nuk kemi pse të shpikim lista false, sepse ka lista të vërteta”, thuhet në përshkrimin e kësaj liste, të publikuar më 3 korrik.

    Verifikimi i këtyre listave të turbullta ishte i pamundur të bëhej në mënyrë të pavarur nga Radio Evropa e Lirë, për shkak të paqartësisë së fotografisë.

    Një listë tjetër, që përmban vetëm emra, përfshirë ata të përfaqësuesve politikë të serbëve të Kosovës, ka qarkulluar, po ashtu, nëpër rrjete sociale, dhe në disa media në gjuhën serbe.

    Mes të tjerëve, aty ishte edhe emri i ish-kryetarit të Mitrovicës së Veriut, njëherësh kryetar i Listës Serbe, Goran Rakiq. /rel/

  • Hovenier: Presim që Kosova të përmbushë idealet e Deklaratës së Pavarësisë së saj

    Hovenier: Presim që Kosova të përmbushë idealet e Deklaratës së Pavarësisë së saj

    Në shënimin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ambasadën amerikane në Prishtinë, ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier e nisi fjalimin e tij duke cituar një pjesë të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.

    Në këtë pjesë të deklaratës thuhet se: “Kosova [shpallet] një Republikë demokratike, laike dhe multietnike, e udhëhequr nga parimet e jodiskriminimit dhe mbrojtes së barabartë sipas ligjit. Ne do të mbrojmë dhe promovojmë të drejtat e të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe krijojmë kushtet e nevojshme për pjesëmarrjen e tyre efektive në proceset politike dhe vendimmarrëse”.

    “Ky tekst elokuent është pjesë e premtimit të Kosovës dhe bazë e pavarësisë së saj”, tha Hovenier.

    Megjithatë, tha ai, “shpresoj se mund të pajtohemi që ndonjëherë Kosova nuk i ka përmbushur premtimet e këtyre idealeve”.

    Ai tha se Shtetet e Bashkuara janë krenare për mbështetjen që i kanë dhënë popullit të Kosovës në konceptimin, dhe më pas realizimin e vizionit të pavarësisë së saj, dhe se do të mbeten të palëkundur për të vazhduar këtë mbështetje.

    “Në këtë frymë dua të pohoj se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë qëndrojnë përkrah popullit të Kosovës në avancimin dhe arritjen e vizionit të saj themelues: shtetin demokratik, sovran, laik, multietnik”, tha Hovenier.

    Ambasadori theksioi se SHBA dhe partnerët perëndimorë mbështesin Kosovën duke ofruar këshilla, e edhe pse kërkojnë “gjëra që duken ose janë vërtet të vështira për t’u bërë”, por se këtë e bëjnë në përputhje me “përkushtimin afatgjatë për të mbështetur popullin e Kosovës dhe për t’iu afruar atyre idealeve shumë ambicioze që ata kanë krijuar për veten e tyre”.

    “Kështu që, teksa ne festojmë 247 vjetorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës si një shtet i lirë, sovran, i pavarur, ne gjithashtu duam të festojmë së bashku, pasi Kosova arriti pavarësinë e saj të merituar; përparimin e jashtëzakonshëm që populli i Kosovës ka bërë në këtë periudhë të shkurtë kohore, dhe premtimin për përparim të mëtejshëm në dobi të të gjithë popullit të Kosovës”, u shpreh ai.

    Fjalimi i ambasadorit amerikan në këtë frymë, vjen në kohën kur raportet mes Kosovës dhe partnerëve të tjerë ndëkombëtarë janë në një pikë të ulët.

    Kjo çarje u ndodhi si pasojë e tensioneve në veri të Kosovës, i cili është i banuar me shumicë serbe, që u shkaktuan kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

    Serbët kundërshtuan këtë dhe që atëherë po zhvillojnë protesta duke kërkuar tërheqjen e kryetarëve të rinj dhe të njësive speciale policore.

    Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të ndërmarrin hapa për uljen e menjëhershme të tensioneve dhe në veri të mbahen zgjedhje të reja lokale.