ATV

Blog

  • Gjermania shqyrton dërgimin e trupave shtesë në Kosovë

    Gjermania shqyrton dërgimin e trupave shtesë në Kosovë

    Gjermania mund të dërgojë trupa shtesë për të përforcuar misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, pas rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

    Kështu deklaroi më 7 korrik ministri i Mbrojtjes së Gjermanisë, Boris Pistorius.

    “Pas kërkesës nga kolegia ime austriake Klaudia [Tanner], ne po shqyrtojmë nëse mund të rrisim pak angazhimin tonë brenda mandatit aktual [parlamentar] që t’i lehtësohet barra Austrisë”, tha ai për gazetarët pas takimit me homologët e tij nga Austria dhe Zvicra në Bern.

    Pasi në fund të majit, tensionet në veri të Kosovës u rritën, NATO angazhoi 700 trupa shtesë në Kosovë, përveç 4.000 trupave që veçse janë të dislokuar në Kosovë.

    Aktualisht, në kuadër të KFOR-it janë 70 trupa gjermane.

    Që nga fundi i majit, serbët në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok po kundërshtojnë që kryetarët e rinj shqiptarë të punojnë nga ndërtesat komunale. Ata po ashtu po kërkojnë tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.

    Që nga ajo kohë, në veri janë shënuar disa incidente me shok-bomba dhe granata dore si dhe më 29 maj në Zveçan protestuesit serbë janë përleshur me pjesëtarët e KFOR-it. Nga këto përleshje kanë mbetur të lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.

    Bashkimi Evropian i ka paraqitur tri kërkesa Kosovës dhe Serbisë për të ulur tensionet.

    Për shkak të mospërmbushjes së tyre, BE-ja nga fundi i qershorit ka nisur të zbatojë disa masa ndëshkuese.

    Ambasada gjermane në Prishtinë më 6 korrik konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, se ka ndërprerë përkohësisht bashkëpunimin me Kosovën në disa fusha të caktuara, shkaku i mospërmbushjes së kërkesave të BE-së.

  • Twitter ‘kërcënon’ aplikacionin rival Threads

    Twitter ‘kërcënon’ aplikacionin rival Threads

    Kompania prapa rrjetit social Twitter po shqyrton mundësinë për veprim ligjor ndaj kompanisë Meta Platformës, pas lëshimit të aplikacionit rival, Threads.

    Threads, që u lëshua për përdorim publik të mërkurën, dhe në të cilin u regjistruan miliona përdorues që në orët e para, është i ngjashëm me Twitter-in – dhe nga Meta është vlerësuar si një alternativë “miqësore” ndaj Twitter-it.

    Twitter, që është në pronësi të Elon Muskut, ka thënë se “konkurrenca është në rregull, por mashtrimi jo”. Por, Meta, përmes një letre, hodhi poshtë këto pretendime se ish-shefi i stafit të Twitter-it ka ndihmuar në krijimin e Threads-it.

    Mbi 30 milionë persona janë regjistruar në rrjetin e ri social, ka thënë Meta.

    Threads edhe nga pamja është i ngjashëm me Twitter-in, si dhe ka veçori të ngjashme me aplikacionin që është në pronësi të Muskut.

    Avokati i Twitter-it, Alex Spiro, i kishte dërguar të mërkurën një letër shefit të Meta-s, Mark Zuckerberg, duke e akuzuar Meta-n për “keqpërdorim sistematik, të qëllimshëm dhe të paligjshëm të sekretareve tregtare të Twitter-it dhe pronës intelektuale të Twitter-it” për të krijuar Threads.

    Spiro ka pretenduar se Meta ka punësuar dhjetëra ish-punonjës të Twitter-it të cilët “kishin vazhduar të kishin qasje në sekretet tregtare të Twitter-it dhe informacioneve të tjera konfidenciale” që ndihmuan Meta-n të krijonte aplikacionn Threads.

    “Twitter planifikon të zbatojë rreptësisht të drejtat intelektuale dhe kërkon nga Meta që menjëherë të ndërmarrë hapa dhe të ndalojë së përdoruri sekretet tregtare të Twitter-it dhe informacionet e tjera jashtëzakonisht konfidenciale”, u tha në letër.

    Në Threads, zëdhënësi i Meta-s, Andy Stone, postoi një deklaratë ku thuhej se “askush në ekipin e inxhinierëve në Threads nuk është ish-punonjës i Twitter-it”.

    Si Musk, ashtu edhe Zuckerberg, e kanë pranuar se kanë rivalitet sa i përket Threads-it, aplikacion që është i lidhur me Instagram-in, por funksionon edhe si aplikacion më vete.

  • Miratohet raporti për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për kontrollin e duhanit

    Miratohet raporti për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për kontrollin e duhanit

    Komisioni për Shëndetësi miratoi sot raportin për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për kontrollin e duhanit.

    Mes tjerash, në këtë raport kërkohet edhe plotësim-ndryshimi i këtij projektligji, ku do të përfshihen edhe cigaret elektronike, po ashtu edhe përcaktimi i ambienteve të mbyllura dhe të hapura.

    Në anën tjetër, anëtarët e komisionit, përfshirë edhe deputetët e mazhorancës shprehën mospajtime për Projektligjin për çmimin e produkteve medicinale.

  • Guler prezantohet te Reali, ky është numri që do ta bartë

    Guler prezantohet te Reali, ky është numri që do ta bartë

    Real Madridi e ka prezantuar sot transferimin më të ri të klubit, Arda Guler.

    Guler lë Fenerbahcen për Real Madridin, ku ky i fundit do t’i paguajë gjigantit turk 20 milionë euro dhe 10 milionë euro në formë të bonuseve, raporton KosovaPress.

    Reali tani e ka prezantuar Guler si lojtarin më të ri të klubit, ndërsa edhe ka zbuluar se cilin numër ia ka dhënë yllit turk.

    Guler, i cili po cilësohet si “Messi turk”, do ta bartë numrin 24 në fanellën e tij te Reali.

    Kjo nënkupton se Jesus Vallejo, për të cilin e ardhmja mbetet ende e paqartë te Reali, do të ndryshojë sërish numër në fanellë te gjiganti spanjoll.

    Në të kaluarën, Vallejo kishte mbajtur numrin 5 në fanellë, por atë e morri yllin anglez, Jude Bellingham. Pas Bellingham, Vallejo morri numrin 24 në fanellë, por tani ka ndryshuar sërish numrin pasi që Arda Guler është numri 24 i ri i Realit.

  • Kurti priti në takim shefin e ri të EULEX-it: Jemi të përkushtuar për shtet ligjor e demokraci

    Kurti priti në takim shefin e ri të EULEX-it: Jemi të përkushtuar për shtet ligjor e demokraci

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim shefin e ri të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX, Giovanni Pietro Barbano, me rastin e fillimit të mandatit të tij.

    Duke e falënderuar për mikpritjen, Barbano e përgëzoi Kryeministrin Kurti për progresin mbresëlënës ekonomik dhe demokratik që ka shënuar Kosova.

    U bisedua për bashkëpunimin ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe institucioneve të rendit dhe sigurisë me misionin EULEX me qëllim të forcimit të sundimin të ligjit, si dhe për zhvillimet në vend.

    Kryeministri Kurti theksoi përkushtimin e Qeverisë për shtet ligjor, demokraci dhe mbrojtje të lirive dhe të drejtave të njeriut të të gjithë qytetarëve që jetojnë në Republikën e Kosovës.

    Në takim ishte i pranishëm edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha dhe Koloneli i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ejup Maqedonci.​

  • Murtezaj: ATK shënoi rritje në të hyrat tatimore për 68 milionë

    Murtezaj: ATK shënoi rritje në të hyrat tatimore për 68 milionë

    Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka shënuar rritje në të hyrat tatimore për 68 milionë më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

    Në një konferencë për media, drejtori i këtij institucioni, Ilir Murtezaj tha se në periudhën janar-qershor të këtij viti të hyrat e grumbulluara nga tatimet janë 423.2 milionë euro, ose 19 për qind më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

    Murtezaj tha se pavarësisht sfidave që po ballafaqohet vendi nga ana ekonomike, falë punës që po bëjnë kanë arritur të shënojnë progres në këtë drejtim.

    Mes tjerash, duke folur për inkasimin e borxheve, Murtezaj tha se ka ulje të borxheve në këtë drejtim.

    Ai ka theksuar se sfidë kryesore e ATK-së është identifikimi dhe trajtimi i personave, të cilët nuk deklarojnë të ardhurat e tyre personale.

  • Begaj në Azerbajxhan, pritet nga homologu Aliyev

    Begaj në Azerbajxhan, pritet nga homologu Aliyev

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj gjendet për vizitë në Azerbajxhan me ftesë të homologut të tij, Ilham Aliyev.

    Begaj u prit nga Aliyev sot në mëngjes.

    Ndërsa pas takimit, Begaj u shpreh se bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë dhe Azerbajxhanit është më i fortë se kurrë.

    “Faleminderit miku im President Aliyev për pritjen shumë miqësore! Teksa Shqipëria dhe Azerbajxhani festojnë 30 vjet marrëdhënie diplomatike, bashkëpunimi mes dy vendeve është më i fortë se kurrë!”, shkroi Begaj në Facebook.

  • Policia kërkon bashkëpunim për identifikimin e këtij personi

    Policia kërkon bashkëpunim për identifikimin e këtij personi

    Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunim nga qytetarët për identifikimin e të dyshuarit që i shkaktoi lëndime të rënda trupore një të mituri.

    Sipas njoftimit të policisë, rasti kishte ndodhur me 7 qershor 2023, rreth orës 20:15, në rrugën “Hadi Kantarxhiu”, në Prizren, ku i dyshuari ka sulmuar të dëmtuarin te mitur me ç ’rast i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore.

    Sipas policisë, sektori i hetimeve ka bërë përpjekje maksimale në ndriçim të veprës penale dhe ka siguruar fotografi dhe video të të dyshuarit, mirëpo deri tani nuk ka rezultuar në identifikim e tij.

    “Me qëllim të ndriçimit të rastit nga Prokuroria Themelore në Prizren, kemi marr Autorizimin në pajtim të dispozitave të nenit 76 prag 2 te KPPRK-së, për publikimin e fotografive të dyshuarit në mediume televizive dhe media sociale, ku kërkohet bashkëpunim-ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, që do të na ndihmonin në identifikim dhe arrestimin e te dyshuarit”, ka njoftuar policia.

    Për këtë arsye, policia ka kërkuar bashkëpunim nga qytetarit për identifikimin e të njëjtit.

    “Andaj kërkojmë bashkëpunim nga të gjithë qytetarët, që nëse kanë çfarëdo informate, apo din diçka për vendndodhjen e të dyshuarit në foto, të raportojnë policinë në Suharekë, apo në cilin do stacion të policisë në Kosovë”, thuhet në njoftim të policisë.

  • Hoti: Viti 2023 do të jetë i humbur, Qeveria po grumbullon para e po u’a bllokon komunave investimet

    Hoti: Viti 2023 do të jetë i humbur, Qeveria po grumbullon para e po u’a bllokon komunave investimet

    Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se viti 2023 do të jetë vit i humbur në investimet kapitale si në nivelin qendror, ashtu edhe në nivel lokal, sipas trendit aktual.

    Hoti ka thënë se në gjashtë muajt e parë të këtij viti, po vazhdojnë investimet e ulëta kapitale dhe grumbullimi i mjeteve në llogarinë bankare të Qeverisë, derisa ka thënë se po vazhdon edhe bllokada e investimeve kapitale në komuna, meqë Qeveria s’po ua alokon mjetet nga të hyrat vetanake të komunave.

    “Sipas të këtij trendi, edhe viti 2023 do të jetë vit i humbur në investimet kapitale, si në nivel qendror, ashtu edhe në nivel lokal”, ka shkruar Hoti.

  • Aksident i rëndë në Podujevë, vdes një grua dhe lëndohen tre persona

    Aksident i rëndë në Podujevë, vdes një grua dhe lëndohen tre persona

    Një person ka vdekur dhe tre të tjerë janë lënduar si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur dje në Podujevë.

    “Si pasojë, lëndime trupore kanë pësuar katër persona dhe të njëjtit janë dërguar për tretman mjekësor. Rreth orës 01:30 e datës 07.07.2023 në QKUK si pasojë e lëndimeve të marra ka ndërruar jetë viktima femër kosovare dhe e njëjta me vendim të prokurorit dërgohet në IML për obduksion.”, ka informuar Policia.

    Aksidenti ka ndodhur në mes të dy veturave.