ATV

Blog

  • Djegia e veturave të autosallonit në Vushtrri, policia del me detaje

    Djegia e veturave të autosallonit në Vushtrri, policia del me detaje

    Një autosallon është përfshirë nga zjarri në Vushtrri ditën e diel. Sipas policisë, aty janë djegur gjashtë vetura tërësisht dhe disa të tjera janë dëmtuar pjesërisht nga zjarri.

    Sipas ankuesit, persona të panjohur i kanë vënë zjarrin veturave. PK-ja ka bërë të ditur se s’ka të lënduar nga incidenti.

    Rasti po hetohet.

    Njoftimi i plotë i policisë:

    ZJARRVËNIE/Vushtrri 16.07.2023 – 00:57. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se persona të panjohur i kanë djegur gjashtë (6) vetura tërësisht dhe disa të tjera janë dëmtuar pjesërisht nga zjarri. Njësitet policore dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë lokalizuar zjarrin. Të lënduar nuk ka, lidhur me rastin është informuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin.

  • Përmbytjet në Korenë e Jugut u marrin jetën të paktën 40 personave

    Përmbytjet në Korenë e Jugut u marrin jetën të paktën 40 personave

    Numri i të vdekurve nga shiu i dendur në Korenë e Jugut është rritur në 40, dhe presidenti i vendit Yoon Suk Yeol fajësoi të hënën autoritetet duke thënë se kanë dështuar të ndjekin protokollet e reagimit ndaj fatkeqësive.

    Mes viktimave ishin dymbëdhjetë individë që humbën jetën tragjikisht në një nënkalim që u përmbyt.

    Që nga e enjtja e javës së kaluar, rajonet qendrore dhe jugore të vendit janë goditur nga reshjet e shiut, duke arritur kulmin e sezonit të shirave që nisi në fund të qershorit.

    Ministria e Brendshme ka raportuar gjithashtu nëntë persona të zhdukur dhe 34 të plagosur në të gjithë vendin.

    Dymbëdhjetë persona humbën jetën në një nënnkalim në qytetin qendror të Çeongju. Incidenti ndodhi të shtunën kur një përmbytje e menjëhershme përfshiu 15 automjete, duke përfshirë një autobus.

    Nëntë presona të tjerë pësuan lëndime.

    Incidenti ka ngritur shqetësime për aftësinë e Koresë së Jugut për të parandaluar dhe reaguar në mënyrë efektive ndaj dëmeve nga përmbytjet.

    Disa përdorues të rregullt të rrugës kritikuan qeverinë për mos ndalimin e hyrjes në nënkalim, pavarësisht parashikimeve për përmbytje.

    Vitin e kaluar, kur reshjet më të mëdha në 115 vjet që shkatërruan Seulin, duke përfshirë distriktin e pasur Gangnam, rezultuan me vdekjen e të paktën 14 personave dhe përmbytje të metrove, rrugëve dhe shtëpive, qeveria u zotua të marrë masa për të trajtuar më mirë fatkeqësitë e shkaktuara nga ndryshimet klimatike.

    Presidenti Yoon, i cili kohët e fundit u kthye nga një udhëtim jashtë shtetit, bëri thirrje për një takim brenda agjencisë për reagimin ndaj fatkeqësive të hënën. Ai pranoi se situata ishte përkeqësuar për shkak të menaxhimit të dobët të zonave me ndjeshmëri të lartë.

    “Ne kemi theksuar vazhdimisht rëndësinë e kontrollit të aksesit në zonat e rrezikshme dhe zbatimin e evakuimeve parandaluese që nga viti i kaluar. Megjithatë, nëse parimet themelore të reagimit ndaj fatkeqësive nuk respektohen në vend, garantimi i sigurisë publike bëhet i vështirë,” tha Yoon gjatë takimit.

    Ai u kërkoi autoriteteve të bëjnë përpjekje maksimale në shpëtimin e viktimave dhe premtoi mbështetje për përpjekjet e rimëkëmbjes dhe familjet e prekura.

    Ai gjithashtu propozoi përcaktimin e zonave të prekura nga përmbytjet si zona të veçanta të fatkeqësive./REL/

  • Nga Berlusconi tek…/ Miliarderët që u ndanë nga jeta në vitin 2023

    Nga Berlusconi tek…/ Miliarderët që u ndanë nga jeta në vitin 2023

    Sado para të grumbulloni në jetë, një ditë do të vdisni ashtu si gjithë të tjerët. E në vitin 2023 ndërruan jetë disa nga njerëzit më të pasur në botë.

    Megjithatë, nëse ndiqni vetëm ato që raportohen në internet, do të mendonit se kanë vdekur shumë më shumë miliarderë sesa numri aktual.

    Marrim shembull, Hamish Harding, një nga pesë viktimat e shpërthimit të nëndetëses Titan. Pothuajse çdo artikull për vdekjen e tij e quan atë një miliarder.

    Ai ishte i pasur, sigurisht, por Forbes, e cila mban një listë në kohë reale të çdo miliarderi në planet, shkroi se sasia aktuale e pasurisë së tij nuk dihet. Dhe pavarësisht se disa media britanike i referohen si “miliarder”, Forbes në thelb nuk e njeh atë si të tillë.

    Në raste të tjera, si Roberto Ongpin dhe Mario Lopez Estrada, ata ishin padyshim miliarderë në një moment, por vlera e tyre neto kishte rënë në kohën kur vdiqën.

    Dhe disa, si oligarku rus Sergey Grishin, kishin financa kaq të errëta saqë, megjithëse ka shumë të ngjarë që ata të ishin miliarderë, nuk ka asnjë mënyrë reale për ta provuar këtë.

    Ne ju sjellin ata që kishin një pasuri të verifikueshme prej 1 miliard dollarësh në emrin e tyre (dhe shumë më tepër) që vdiqën në 2023.

    Lista:

    -JOSEPH HARDY III

    -TED LERNER

    -BILLY JOE ‘RED’ MCCOMBS

    -THOMAS LEE

    -TOM LOVE

    -MASATOSHI ITO

    -GORDON MOORE

    -SILVIO BERLUSCONI

    -JAMES CROWN

  • Ardhja e mërgimtarëve, kjo është gjendja në pikat kufitare

    Ardhja e mërgimtarëve, kjo është gjendja në pikat kufitare

    Tashmë është koha kur mërgimtarët vijnë për pushime në Kosovë. Zakonisht në këtë kohë, në pikat kufitare krijohen kolona, mirëpo gjendja sot është më e qetë.

    Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, nuk ka kolona as në hyrjet e as në daljet e të gjitha pikave kufitare, përveç në hyrje të pikës kufitare Dheu i Bardhë, 200 metra.

    Në pikat tjera pritjet janë 3 deri 5 minuta, ndërsa te Dheu i Bardhë është 60 minuta.

     

  • Arrestohen dy të dyshuar për vrasje në tentativë

    Arrestohen dy të dyshuar për vrasje në tentativë

    Policia e Kosovës mbrëmë ka njoftuar se ka arrestuar dy persona të dyshuar për vrasje në tentativë.

    “Ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 10:30, në lagjen “Përroi i njelmët” në Prishtinë , me ç’ rast, viktimat kishin pësuar lëndime trupore nga një mjet i mprehtë që dyshohet të jetë përdorur nga të dyshuarit e përfshirë në rast”, thuhet në njoftim.

    V.S 27 vjeç dhe A.Z 22 vjeç janë dërguar në mbajtje.

    Njoftimi i plotë:

    Arrestohen dy të dyshuar për rastin vrasje në tentativë

    Prishtinë, 16 korrik 2023 – Zyrtarët policor nga stacionit policor Jugu në Prishtinë, kanë arrestuar dy persona të dyshuar për rastin “Vrasje në tentativë”.

    Ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 10:30, në lagjen “Përroi i njelmët” në Prishtinë , me ç’ rast, viktimat kishin pësuar lëndime trupore nga një mjet i mprehtë që dyshohet të jetë përdorur nga të dyshuarit e përfshirë në rast.

    Ndërkohë që kanë vazhduar veprimet hetimore të policisë, janë identifikuar dhe arrestuar të dyshuarit;

    ▪︎ V. S, mashkull, 27 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, si dhe

    ▪︎ A. Z, mashkull, 22 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës,.

    ndaj të të cilëve policia ka iniciuar një hetim në drejtim të veprës penale “Vrasje në tentativë” dhe me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar, të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit, të njëjtit janë dërguar në mbajtje prej 48 orësh.

  • Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Dita e sotme në vendin tonë pritet të mbizotërohet kryesisht me kthjellime dhe mot me diell.

    Temperaturën minimale për ditën e sotme e ka shënuar Prishtina me 17 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 35 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme pritet të jetë me kushte të njëjta atmosferike.

    Temperaturën minimale për ditën e nesërme do ta mbajë qyteti i Gjakovës me 16 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Gjilani me 36 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me diell dhe kthjellime. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 16 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Gjirokastër me 41 gradë Celsius. /atvlive.tv//atvlive.tv

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • Liderët e rajonit bashkohen në një takim joformal në Tiranë

    Liderët e rajonit bashkohen në një takim joformal në Tiranë

    Liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, do të marrin pjesë në takimin joformal në Tiranë, të ftuar nga kryeministri, Edi Rama.

    Liderët e rajonit së basku me komisionerin për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, do të drekojnë në mesditën e të hënës, në takimin joformal, ku do të diskutohet për Procesin e Berlinit.

    Pjesëmarrjen në takim e kanë konfirmuar presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, si dhe kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Borjana Kristo, kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Ndërkohë, sipas burimeve të RTSH-së, Kosova do të përfaqësohet nga një zëvendëskryeministër.

    Kryeministri Kurti, sipas një komunikate të Qeverisë së Kosovës, nga dje po merr pjesë në edicionin e 25-të të Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI, që mbahet në Greqi e ku po marrin pjesë politikanë progresistë e akademikë të shquar.

    Aty theksohet se kjo është hera e gjashtë që kryeministri Kurti është pjesëmarrës në këtë organizim.

    Përndryshe, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama pak ditë më parë kishte një vizitë në të gjitha vendet e rajonit, qëllimi i këtij takimi është për të diskutuar për planin e ri dhe për të ndërtuar së bashku një qëndrim për procesin e Berlinit.

    “Në tetor Shqipëria pret për herë të parë që kur në 2014-tën Angela Merkel hapi procesin, Samitin e Berlinit në Ballkan, në Tiranë dhe është një samit jashtëzakonisht i rëndësishëm sepse ne jemi përgatitur për një hap të madh përpara, po punojmë me Bashkimin Europian për një plan të ri financimi dhe mbështetje ekonomike të gjithë vendeve të rajonit që duam shumë ta konkretizojmë në Samitin e Berlinit në tetor dhe është një plan real. Ursula Von der Leyen në Bratislavë e dha një mesazh të parë lidhur me planin për të rritur financimin, për të rritur aksesin e Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët europian. Ndërkohë që duhet të merremi me këtë, natyrisht që Procesi i Berlinit është aksi ynë kryesor. Ballkani i Hapur ishte një iniciativë që lindi nga nevoja për ta shtyrë përpara Procesin e Berlinit dhe e ka kryer atë mision për të cilin lindi. Ne duhet të futemi me kokë tani në Procesin e Berlinit sepse e kemi këtë mundësi, e kemi Procesin e Berlinit në Tiranë. Kemi mundësi ta zotërojmë si proces me mbështetjen e madhe që kemi nga Gjermani, nga kancelari Scholz dhe nga gjithë të tjerët dhe në ndërkohë e kuptoni se çfarë do të thotë? Tetori erdhi, korriku hyri, si mundet ne ta mbajmë të bashkuar Bashkimin Europian? Se jo të gjithë aty janë të vëmendshëm, jo të gjithë aty e kanë interesin që kanë këta kryesorët për të na mbështetur ne, për të mbështetur Ballkanin Perëndimor, nëse ne merremi me Oso Kukën,” – u shpreh Rama duke iu referuar kështu kryetarëve të komunave në Veri që po qëndrojnë prej tensioneve të krijuara atje me Serbinë..

    Rama nuk është pritur vetëm nga kryeministri Kurti, për shkak të anulimit të mbledhjes së përbashkët të paraparë të mbahet në Gjakovë. Kurti ka thënë se me Ramën takohet vetëm në një mbledhje të dy qeverive shqiptare.

    Por çfarë është Procesi i Berlinit

    Iniciativa synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor. Kjo është një nismë e vitit 2015 për të mbështetur integrimin në Bashkimin Evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor: Bosnje Hercegovina, Mali i zi, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria.

    E prezantuar me 28 gusht nga kancelarja Anglea Merkel, Procesi i Berlinit po zhvillohet me mbështetjen e Komisionit Evropian, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe shteteve anëtare, bazuar në miratimin e akuis komunitar, apo tërësia e të drejtave dhe e detyrimeve të përbashkëta që i bashkon të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

  • Dy të vdekur pas një “emergjence” në Urën e Krimesë

    Dy të vdekur pas një “emergjence” në Urën e Krimesë

    Zyrtarët rusë kanë thënë që dy njerëz kanë vdekur pas një emergjence në një urë në gadishullin e pushtuar të Krimesë.

    Incidenti nuk është quajtur sulm, mirëpo raportime të pakonfirmuara thonë që kanë dëgjuar eksplodime herët gjatë së hënës, shkruan BBC-ja.

    Ura e Kerchit qe hapur më 2018 dhe lidh transportin rrugor dhe hekurudhor midis Moskës dhe Krimesë, territorit ukrainas që është në duar të Moskës që nga viti 2014.

    Në tetor të vitit të kaluar, ura ishte mbyllur pjesërisht pas një eksplodimi të madh, për t’u rihapur në shkurt.

    “Trafiku është ndalur në urën e Krimesë. Një emergjencë ngjau në zonën e 145-të [ana ruse e urës]”, ka shkruar kreu i administratës ruse në Krime, Sergey Aksyonov në Telegram.

    “Po ndërmerren masa për ta rregulluar situatën. Kërkoj nga banorët dhe mysafirët e gadishullit që të ndalojnë së udhëtuari përmes urës së Krimesë, dhe për shkaqe sigurie, ta zgjedhin ndonjë rrugë alternative tokësore përmes rajoneve të reja”.

  • ​Euro U20/ Kosova e 11-ta në kampionatin e basketbollit

    ​Euro U20/ Kosova e 11-ta në kampionatin e basketbollit

    Kosova U20 është renditur në vendin e 11-të në Kampionatin Evropian, Divizioni B.

    Dardanët në ndeshjen për vendin e 11-të ka mundur Austrinë pas vazhdimeve me rezultat 78:67 (13:16, 20:12, 7:19, 20:13, 18:7).

    Në periudhën e parë, austriakët për një nuancë ishin më të mirë, duke e fituar këtë pjesë 13:16, por Dardanët e rinj u rikthyen në çerekun e dytë, për të shkuar në pushim me rezultat 33:28.

    Por, në periodën e tretë, austriakët u rikthyen sërish, ku e fituan këtë pjesë 7:19, por në dhjetë minutat dhe vendimtare, Kosova u rikthye dhe pas një fundi dramatik rezultati ishte 60:60. Në vazhdime, basketbollistët e Kosovës ishin shumë më të mirë dhe triumfuan 78:67.

    Te Kosova u dallua Jon Ismajli me 19 pikë e pesë kërcime, ndërsa u ndihmua nga Bardh Istrefi me 14 pikë e tetë kërcime, Olsi Kurtaj me 13 pikë e gjashtë kërcime dhe Jon Ukaj me 14 pikë e tetë kërcime.

  • ​Zëdhënësi i Qeverisë arsyeton mospjesëmarrjen e Kurtit në takimin në Tiranë

    ​Zëdhënësi i Qeverisë arsyeton mospjesëmarrjen e Kurtit në takimin në Tiranë

    Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka sqaruar se kryeministri Albin Kurti e ka njoftuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama se nuk do të mund të shkojë në takimin joformal të liderëve të rajonit në Tiranë, meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë e ku paneli për Ballkanin Perëndimor, është saktësisht në ditën e njëjtë e në kohën e njëjtë.

    Kryeziu ka shkruar në Facebook se para një jave Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është ftuar nga Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama për një drekë joformale me Komisionerin Evropian Oliver Varhelyi në Tiranë e ku janë ftuar të marrin pjesë edhe kryeministrat e tjerë të Ballkanit Perëndimor.

    “Kryeministri Kurti e ka njoftuar Kryeministrin Rama që nuk do të mund të shkojë kësaj radhe meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë e ku paneli për Ballkanin Perëndimor është saktësisht në ditën e njëjtë e në kohën e njëjtë. Natyrisht Kryeministri Kurti do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë, data e të cilit dihet: 16 tetor 2023”, ka shkruar ai.