ATV

Blog

  • Këshilltari i Bislimit: Zv/kryeministri s’ka planifikuar të shkojë në Tiranë, janë spekulime

    Këshilltari i Bislimit: Zv/kryeministri s’ka planifikuar të shkojë në Tiranë, janë spekulime

    Klinsman Kadiu, këshilltari i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se numri dy i qeverisë nuk ka pasur plane të shkojë në Tiranë të hënën.

    Rrjedhimisht, ka thënë ai, lajmi i publikuar sot nga mediumi Abc News në Shqipëri për refuzimin e pranisë së zëvendëskryeministrit Bislimi në samitin joformal të udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë është i “pavërtetë”.

    “Lajmi i djeshëm për pjesëmarrjen e zëvendëskryeministrit Bislimi në takimin joformal në Tiranë nuk është i vërtetë. Nuk ka qenë i planifikuar e aq më pak i konfirmuar”, ka thënë Kadiu.

    Sipas tij, meqë nuk ka patur asnjë konfirmim nga Bislimi për pjesëmarrje në samitin në Tiranë, atëherë edhe lajmi për refuzimin e pranisë së tij nuk qëndron.

    “Meqë nuk ka patur asnjë konfirmim nga zëvendëskryeministri Bislimi, atëherë nuk ka mundur as t’i refuzohej pjesëmarrja apo prania e tij”, ka deklaruar ai. “Prandaj edhe raportimet nga disa media shqiptare në lidhje me refuzimin nuk janë gjë tjetër veçse spekulim dhe duke qenë i tillë veç mund të spekulojmë për origjinën e tij”.

  • Arrestohet një person në Gjakovë, dyshohet për sulm seksual

    Arrestohet një person në Gjakovë, dyshohet për sulm seksual

    Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Gjakovë, i cili dyshohet për sulm seksual.

    Rasti është raportuar të dielën ndërsa viktima ka pranuar tretman mjekësor.

    Sipas njoftimit të Policisë, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • Më shumë se gjysma e familjeve në Kosovë nuk mund t’i përballojnë shpenzimet për pushime

    Më shumë se gjysma e familjeve në Kosovë nuk mund t’i përballojnë shpenzimet për pushime

    Këtë vit çmimet janë ngritur edhe në sektorin e turizmit, çka ka bërë që shumë qytetarë të mendojnë që mos të shkojnë në bregdet fare. Sipas raportit të fundit të ASK-së, rreth 60 për qind e familjeve në Kosovë nuk mund t’i përballojnë shpenzimet për pushime.

    Në raportin “Të ardhurat dhe kushtet e jetesës“, thuhet se për mbi 40% prej tyre shpenzimet për strehim janë paraqitur si barrë e rëndë financiare.

    “57.3 për qind e ekonomive familjare nuk mund të përballojnë shpenzimet e një jave pushimi larg shtëpisë. Për 40.7 për qind të ekonomive familjare, shpenzimet për strehim janë paraqitur si barrë e rëndë financiare. Në shpenzimet për strehim janë përfshirë: pagesa e kredisë hipotekare, qiraja, sigurimet dhe pagesat për shërbime, shpenzimet për mbledhjen e plehrave, kanalizimet e ujërave të zeza, mirëmbajtja e rregullt, riparimi dhe shpenzime tjera”.

    Ndërsa mbi 40 për qind e ekonomive familjare thuhet se mund të përballojnë një shpenzim të papritur prej 100 euro dhe të paguajnë prej burimeve vetanake, por 57 për qind e tyre nuk mund të përballojnë këtë shpenzim.

  • ​Programi i shkëmbimit kreativ, nënshkruhet marrëveshja Kosovë-SHBA

    ​Programi i shkëmbimit kreativ, nënshkruhet marrëveshja Kosovë-SHBA

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, së bashku me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier dhe Leutrim Fishekqiu, drejtor i Organizatës Joqeveritare “Autostrada Biennale”, kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për projektin “Ndërtimi i urave përmes artit dhe kulturës: Programi i shkëmbimit kreativ ShBA – Kosovë”, raporton EO.

    Përmes kësaj marrëveshje, artistë botërorë do të vijnë në Kosovë për t’i promovuar veprat e tyre.

    Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, tha se artistë të mirënjohur nga Amerika do të performojnë në Prishtinë, duke e quajtur këtë diplomaci kulturore.

    “Sot e kemi një ditë me interes të veçantë ku po e nënshkruamë një marrëveshje ‘Autostrada Biennale’. Kjo kontratë nënkupton se bashkëpunimet që i kemi pas do të vazhdojnë edhe më tutje në aspektin e artit dhe kulturës ku do të sjellim artistë të mirënjohur amerikan që do të performojnë në kryeqytet”, tha Rama.

    “Do të bëjnë diplomaci kulturore e kështu do të njihemi me këta artistë botërorë”, tha tutje Rama.

    E ambasadori i ShBA-së, Jeffrey Hovenier, tha se artistët që do të vijnë në Kosovë, me vete do të sjellin edhe këndvështrime të artit të tyre amerikan.

    Madje sipas tij, ata do të mundohen të krijojnë dialog që synon t’i rrënojë të gjitha barrierat, raporton EO.

    “Me të vërtetë jam i lumtur që dua të theksoj së përmes kësaj marrëveshje do të mundohemi të sjellim një mostër të larmishme të artit amerikan. Artistët cilët do të vijnë në Kosovë, me vete sjellin edhe këndvështrime të artit të tyre”.

    “Gjatë qëndrimit në Kosovë do të krijojnë dhe do të ekspozojnë veprat e tyre prandaj e mirëpres këtë sinergji të ndjenjave amerikane me ato kosovare dhe ata do të angazhohen në tërë vendin”, tha Hovenier.

    “Meqenëse po flasim artit ata do të mundohen të krijojnë dialog që synon t’i rrënojë të gjitha barrierat”, tha tutje Hovenier.

    Drejtor i Organizatës Joqeveritare “Autostrada Biennale”, Leutrim Fishekqiu, u shpreh i lumtur me këtë bashkëpunim. Sipas tij, përmes këtyre bashkëpunimeve, po krijohet arti në Kosovë.

  • Festë në familjen Jashari: Diplomon Shaban Jashari i ri

    Festë në familjen Jashari: Diplomon Shaban Jashari i ri

    Pasardhësi i familjes heroike Jashari, Shaban Jashari, ka diplomuar në Fakultetin Juridik të Kolegjit AAB.

    Një student i shkëlqyer si Shabani është motiv shtesë për gjithë studentët dhe angazhimin e pakusht nga stafi akademik dhe administrativ i Kolegjit AAB.

    I lumtur për këtë arritje u shpreh vetë ai, ku ndër të tjera tha se studimet në Kolegjin AAB ishin një përvojë shumë e mirë duke marrë parasysh cilësinë dhe korrektësinë që ofrohet nga institucioni për çdo student, pa dallim.

    Ai falënderoi rektorin e Kolegjit AAB Lulzim Tafa për mbështetjen e vazhdueshme, stafin akademik dhe administrativ.

  • ​Mbrojtja e Veselit përfundoi intervistimin e ish-komandant Remit

    ​Mbrojtja e Veselit përfundoi intervistimin e ish-komandant Remit

    Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, i cili po dëshmon në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, edhe sot ka vazhduar dhënien e dëshmisë së tij para trupit gjykues në Hagë.

    Seanca gjyqësore filloi me parashtrimin e pyetjeve nga mbrojtja e Kadri Veselit, avokati Ben Emmerson, i cili e pyeti atë për anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

    Rrustem Mustafa pohoi se ishte në dijeni se përveç Azem Sylës, ishin edhe disa anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm që qëndronin jashtë Kosovës.

    Emmerson: A ishit në dijeni asokohe që disa nga anëtarët e shtabit të përgjithshëm përveç Azem Sylës për të cilin biseduam qëndronin jashtë Kosovës për pjesën më të madhe të konfliktit veçanërisht nga nëntori 1998 dhe marsi 1999. ‘Të gjithë qëndronin jashtë vendit me përjashtim të Jakup Krasniqit, Ramë Bujës dhe komandantit të zonave, të gjithë të tjerët qëndronin jashtë vendit’. Ju kujtohet që na e dhatë këtë përgjigje, a mund ta e pohoni në seancë publike se përgjigje juaj ishte e saktë dhe unë lexova përgjigje tuaja?

    Mustafa: Po

    Po ashtu, mbrojtja e Kadri Veselit pyeti edhe për pozitën që Azem Syla kishte në UÇK.

    Emmerson: Para Rambujesë, Azem Syla ishte komandanti i përgjithshëm i UÇK-së…

    Mustafa: …..

    Emmerson: Thoni që nuk e dije por a është e vërtetë që Azem Syla qëndronte në Tiranë gjatë gjithë kohës së konfliktit, bazën e ka pas në Tiranë gjatë konfliktit, nuk është dikë që e ke ndeshur në këto gjatë këtyre dy viteve?

    Mustafa: Po

    Emmerson: Dhe nuk ka qenë ushtarak apo jo?

    Mustafa: Ne e kemi llogaritur që ai po punon në logjistikën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Emmerson: Logjistikën, pra si komandant në terren personalisht ju nuk e kishit idenë se kush e kishte marr rolin e komandantit të UÇK-së nga Shtabi i Përgjithshëm…

    Pjesa më e madhe e pyetjeve nga avokati Emmerson është bërë në seancën e së premtes.

    Ndërsa aktualisht, ish-komandant Remi po intervistohet nga mbrojtja e Jakup Krasniqit.

    Kjo është dita e pestë e Rrustem Mustafës si dëshmitar në Gjykatën Speciale, në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.

    Gjykimi kundër tyre ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

    Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020./kp

  • Gjuajtën me armë zjarri në një aheng familjar, arrestohen dy persona në Gjilan

    Gjuajtën me armë zjarri në një aheng familjar, arrestohen dy persona në Gjilan

    Policia në Gjilan ka njoftuar se ka arrestuar dy persona, pasi të njëjtit kanë gjuajtur me armë zjarri në një aheng familjar.

    Nga të dyshuarit janë konfiskuar dy armë zjarri dhe tri gëzhoja.

    Ata janë dërguar në stacion policor dhe janë intervistuar, ndërsa më pas ndaj tyre është ngritur kallëzim penal për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    Njoftimi i plotë:

    Arrestohen dy të dyshuar për gjuajtje me armë zjarri në aheng familjar

    Gjilan, 17 korrik 2023                                                                                                 

    Drejtoria rajonale e Policisë Gjilan, stacioni Policor Gjilan me datën 16.07.2023 rreth orës 14:20 ka pranuar informacion për të shtëna me armë zjarri në një lagje të qytetit të Gjilanit.

    Njësitet policore kanë arritur që të lokalizojnë vendin e ngjarjes ku kanë takuar dy të dyshuar R.I. (viti i lindjes 1955, mashkull, kosovar shqiptar) dhe F.S. (viti i lindjes 1977, mashkull, kosovar shqiptar) të cilët dyshohet se gjatë një ahengu familjar (dasmë) kanë shtënë me armë zjarri.

    Nga dy të dyshuarit janë konfiskuar dy armë zjarri, njëra e llojit Ëalther e kalibrit 9 mm dhe tjetra e llojit Zoraki 917-T si dhe tri (3) gëzhoja të kalibrit 9 mm. Të dyshuarit janë arrestuar dhe shoqëruar në stacionin Policor Gjilan ku janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës.

    Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar që ndaj dy të dyshuarve të ngritët kallëzim penal për veprat penale ,,Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ dhe rasti do të procedohet në prokurorinë themelore.

    Me këtë rast Drejtoria rajonale e Policisë Gjilan me që jemi në sezonin kur jemi të bashkuar për të ndarë kohë të mirë dhe gëzime familjare, u bënë apel të gjithë qytetarëve për mos përdorim të armëve gjatë këtyre evenimenteve. Në të shkuarën ka pasur raste kur përdorimi i armëve në këso raste ka sjellë pasoja tragjike.

    Ne duhet të marrim përgjegjësinë tonë për të mbajtur një mjedis të sigurt dhe paqësor për të gjithë, andaj ,,Festoni me zemër, jo me armë’’.

  • Çitaku i reagon Kurtit për mospjesëmarrje në takimin në Tiranë: Edi Rama nuk të ftoi në dasmë

    Çitaku i reagon Kurtit për mospjesëmarrje në takimin në Tiranë: Edi Rama nuk të ftoi në dasmë

    Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku e ka quajtur fëmijërore dhe të papërgjegjshme sjelljen e kryeministrit Albin Kurti, i cili ka thënë se nuk mund të marrë pjesë në takimin joformal në Tiranë, për shkak të pjesëmarrjes së tij në një konferencë në Greqi.

    Çitaku ka thënë se si qenka më me rëndësi konferenca në ishujt e Greqisë sesa takimi me liderët e rajonit në Tiranë.

    “Fëmijërore dhe politikisht e papërgjeshme sjellja e Kryeministrit Kurti. Si qenka më me rëndësi një konferencë në ishujt e bukur të Greqisë sesa takimi me liderët e rajonit dhe Komisionin Evropian në Tiranë?! Kryeministër, Edi Rama nuk të ka ftuar në darsëm familjare, por në takim me liderët e rajonit, në kuadër të procesit të Berlinit”, ka shkruar Çitaku.

    Ajo ka shtuar se në takime të tilla nuk duhet të ketë asgjë personale.

    “Në takime të tilla mospjesëmarrja juaj nuk është më refuzim personal i juaji karrshi Ramës. Nuk ka asgjë personale këtu. Mosdurimi dhe qasja e juaj idhnake karshi Kryeministrit shqiptar po e dëmton Kosovën”, ka shkruar Çitaku.

    Ndryshe sot në Tiranë do të mbahet një takim joformal i udhëheqësve të Ballkani, ku i pranishëm do të jetë edhe komisionari i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varheyli.

  • Si ndikon moti i nxehtë në trup dhe kush rrezikohet më së shumti?

    Si ndikon moti i nxehtë në trup dhe kush rrezikohet më së shumti?

    Dhjetëra miliona njerëz janë duke u përballur me temperatura shumë të larta në gjithë botën.

    Moti i nxehtë në Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe Azi, konsiderohet një prej shembujve se si rrezikohet bota nga ngrohja globale.

    Temperatura mesatare globale e ka prekur një rekord të ri në javën e parë të korrikut.

    I nxehti mund të ndikojë te secili mirëpo disa grupe janë më të cenueshme, sikurse të moshuarit dhe foshnjat.

    Çfarë i bën i nxehti ekstrem trupit tonë?

    Teksa trupi bëhet më i nxehtë, nisin të hapen enët e gjakut.

    Kjo rezulton me tension më të ulët të gjakut dhe e bën punën e zemrës më të vështirë për ta lëvizur gjakun nëpër trup.

    Diçka e tillë mund të shkaktojë simptoma të lehta, siç janë kruarjet apo këmbët e ënjtura.

    Në të njëjtën kohë, djersitja ndikon në humbje të lëngjeve dhe kripës, prandaj edhe ndryshon balanci i tyre në trup.

    E gjithë kjo, e kombinuar me tension të ulët të gjakut, mund të çojë në dërrmim nga nxehtësia.

    Disa prej simptomave janë:

    • marramendje
    •  të përziera
    •  të fikët
    • ngërçe të muskujve
    •  dhimbje koke
    • djersitje e madhe
    •  lodhje
    •  lëkurë e zbehtë

    Nëse tensioni i gjakut bie shumë shpejt, rritet rreziku për sulm zemre.

    Pse trupat tanë reagojnë në këtë mënyrë?

    Trupat tanë tentojnë ta mbajnë temperaturën në rreth 37 gradë Celsius, qofshim në borë, apo mot të nxehtë.

    Kjo është temperatura në të cilën është mësuar të punojë trupi.

    Mirëpo kur moti të nxehet, trupi duhet të punojë më shumë për ta ulur temperaturën.

    Prandaj i hap enët e gjakut afër lëkurës për ta nxjerrë nxehtësinë dhe nis të djersijë.

    Si të qëndrojmë të sigurt në mot të nxehtë?

    Qendrat për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) në Shtetet e Bashkuara i kanë disa këshilla:

    • Vishni rroba të përshtatshme që janë të lehta dhe të gjera.
    • Qëndroni në vende me kondicionerë, sa të keni mundësi. Nëse shtëpia juaj nuk ka kondicionerë, shkoni në qendër tregtare apo në biblioteka publike.
    • Mund ta telefononi edhe departamentin lokal shëndetësor për të parë nëse kanë vende të lira për t’i ikur vapës.
    • Kufizojeni aktivitetin në ambiente të jashtme apo ndërrojeni orarin kur është më freskët.
    • Pini shumë lëngje dhe mos pini shumë alkool.
    • Qëndroni në hije, përdorni krem kundër diellit me mbrojtës të lartë dhe vendosni kapele me mbulim të gjerë.
    • Keni kujdes që t’iu ndihmoni atyre që kanë nevojë, personave të moshuar, atyre që kanë ndonjë sëmundje, apo atyre që jetojnë vetëm.
    • Mos e lini askënd, sidomos foshnjat, fëmijët e vegjël apo kafshët nëpër makina të mbyllura.

    Si të bëni gjumë të mirë?

    Përdorni mbulesa të holla, ftohni çorapet tuaja në frigorifer para se t’i mbathni dhe krijojeni një orar të saktë të gjumit, sugjerojnë ekspertët.

    Çfarë të bëni nëse e shihni dikë që e ka dërrmuar i nxehti?

    Nëse ata mund të freskohen brenda një gjysme ore, atëherë lodhja e madhe nuk është shumë serioze.

    Por, CDC këshillon:

    • Dërgojini në një vend të freskët
    • Freskojuani lëkurën me ujë të ftohtë
    • U jepni që të pinë shumë ujë

    Megjithatë, nëse nuk e marrin veten brenda 30 minutave, atëherë ajo që pason njihet si goditje nga i nxehti.

    Një situatë e tillë është urgjente dhe duhet të thërrisni menjëherë emergjencën.

    Njerëzit me një gjendje të tillë mund të mos djersijnë më, edhe pse kanë temperaturë shumë të nxehtë në trup.

    Temperatura e trupit mund t’iu shkojë në mbi 40 gradë Celsius dhe mund ta humbin vetëdijen.

    Kush është më i rrezikuar?

    Moshat e shtyra dhe personat me sëmundje kronike, sikurse sëmundje të zemrës, mund ta kenë më të vështirë funksionimin në këto kushte.

    Diabeti mund ta bëjë trupin që të humbë ujin më shpejt dhe disa komplikime të sëmundjes mund t’i ndryshojnë enët e gjakut dhe aftësinë për të djersitur.

    Edhe fëmijët janë të cenueshëm.

    Personat që vuajnë nga harresa rrezikohen, po ashtu, sepse nuk janë të vetëdijshëm se çfarë është nxehtësia dhe si të veprojnë.

    Njerëzit e pastrehë janë po ashtu të ekspozuar shumë ndaj diellit.

    A e rrisin rrezikun disa ilaçe?

    Po – por njerëzit duhet të vazhdojnë t’i marrin ilaçet si zakonisht dhe duhet të bëjnë përpjekje të qëndrojnë të hidratuar.

    Diuretikët – që ndonjëherë quhen edhe “pilula uji” e rrisin sasinë e ujit që trupi e largon. Ato merren në shumë raste, përfshirë ato për komplikime të zemrës. Mirëpo, në temperatura të larta, ato e rrisin rrezikun e dehidrimit dhe çrregullimit të balancit të mineraleve në trup.

    Më pas janë ilaçet për ulje të tensionit të gjakut, pasi në kombinim me enët e gjakut që tentojnë ta nxjerrin nxehtësinë, mund të nxisin ulje të shpejtë të tensionit.

    Disa ilaçe për epilepsi dhe Parkinson mund ta bllokojnë djersitjen dhe mund ta bëjnë më të vështirë uljen e temperaturës trupore.

    A vret i nxehti?

    Më shumë se 700 persona në Shtetet e Bashkuara vriten nga i nxehti ekstrem çdo vit, sipas CDC-së.

    Shumica prej tyre e pësojnë nga sulmi në zemër dhe sulmet e shkaktuara nga përpjekjet e trupit për ta mbajtur temperaturën stabile.

    Shkalla e vdekjeve rritet sapo termometri të tejkalojë temperaturat 25-26 gradë Celsius.

    Megjithatë, të dhënat sugjerojnë se vdekjet shkaktohen më shpesh nga temperaturat e larta në pranverë, apo fillim të verës, sepse në pikun e verës.

    Kjo për faktin se ne nisim të ndryshojnë përditshmërinë dhe nisim të mësohemi dalëngadalë me të nxehtin.

    Të dhënat nga valët e kaluara të të nxehtit tregojnë për rritje të shpejtë të vdekjeve në orët e para të rritjes së temperaturave.

     

  • Ish-komandant Remi po vazhdon të merret në pyetje nga mbrojtja e Veselit

    Ish-komandant Remi po vazhdon të merret në pyetje nga mbrojtja e Veselit

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, dëshmitari Rrustem Mustafa, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Zonën Operative të Llapit, po vazhdon dëshminë e tij, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Veselit.

    Dëshmitari Mustafa në seancën e së hënës ka vazhduar të përgjigjet në pyetjet e avokatit mbrojtës Ben Emmerson, i cili ka filluar ta marrë në pyetje këtë dëshmitar në sesion e pasdites të së premtes, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Mustafa ka filluar dëshminë e tij në seancën e së martës dhe ka vazhduar në seancat e së mërkurës, të enjtes dhe të premtes.

    Ndryshe, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi, janë të pranishëm fizikisht në sallën e gjyqit gjatë seancës së sotme.

    Ndryshe, gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.

    Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.

    Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill,  12 prill,  13 prill dhe më 17 prill.

    Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka përfunduar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë, kurse më 10 maj ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt, dëshmia e të cilit përfundoi më 17 maj.

    Tutje, dëshmitari i pestë ka filluar dëshminë më 17 maj dhe e përfundoi më 22 maj, ku filloi dëshminë dëshmitari i gjashtë i cili përfundoi dëshminë më 23 maj, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e shtatë.

    Kurse, më 12 qershor ka filluar dëshminë e tij dëshmitari i tetë, i cili përfundoi dëshminë e tij më 14 qershor, ndërkaq me 15 qershor ka përfunduar dëshmia e  dëshmitarit i nëntë.

    Më 19 qershor ka përfunduar dëshminë dëshmitari i dhjetë, në ditën ku ka filluar dëshminë dëshmitari i njëmbëdhjetë i cili e ka përfunduar dëshminë e tij më 20 qershor. E më 10 korrik ka filluar dëshminë dëshmitari i dymbëdhjetë, i cili ka përfunduar dëshminë më 11 korrik, në seancën ku ka filluar dëshminë Rrustem Mustafa, ish-komandat i zonës operative të Llapit.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.