ATV

Blog

  • ​Neymar: Kam kontratë me PSG-në, askush nuk më ka kërkuar të largohem

    ​Neymar: Kam kontratë me PSG-në, askush nuk më ka kërkuar të largohem

    Mes raporteve që e lidhin atë me një rikthim të mundshëm në FC Barcelona, ylli i Paris Saint-Germain Neymar ka folur qartë për planet e tij të ardhshme gjatë një interviste me YouTuber-in e njohur brazilian Casimiro .

    Lojtari më i shtrenjtë në botë zbuloi gjithashtu se ai e dinte klubin e ardhshëm të Lionel Messit përpara se argjentinasi t’u thoshte mediave katalanase dhe preku dështimin e përjetuar në një treshe që ai formoi me Messin dhe Kylian Mbappe në “Parc des Princes”.

    Neymar u rikthye në stërvitjet e PSG-së këtë javë pasi sezoni i tij 2022/23 përfundoi para kohe për shkak të lëndimit, përcjellë KosovaPress.

    Para përfundimit të sezonit, dihej tashmë se miku i tij i ngushtë Messi, i cili ishte pranë përfundimit të kontratës, do të largohej nga klubi pas një qëndrimi dy vjeçar në kryeqytetin francez.

    Në mbrëmjen që Messi njoftoi se do të bashkohej me Inter Miami, “SPORT” publikoi një raport duke shpjeguar se Neymari i ishte ofruar Barçës dhe ishte i gatshëm të ulte pagën e tij për të realizuar këtë operacion.

    Por, trajneri i Barcelonës, Xavi i ndali këto spekulime duke thënë se ish-shoku i tij i skuadrës nuk ishte në planet e tij.

    “Unë kam një kontratë me PSG-në, askush nuk më ka informuar për asgjë”, tha së pari Neymar.

    Sa i përket sagës së transferimit të Messit, Neymar shpjegoi se ai e dinte skuadrën e radhës të shtatë herë fituesit të Topit të Artë.

    “Ishte në javët e fundit, ai ishte në dyshim, pastaj në fund më tha se ku po shkonte”, tha Neymar.

    “Messi ka fituar gjithçka tashmë, familja e tij është prekur shumë në këto dy vite në PSG. Unë e kuptoj atë, familjen e tij. Ai shkoi në një vend ku do të pritet mirë, për të jetuar një jetë krejtësisht ndryshe dhe familja e tij do të ndihet shumë mirë në Miami. Kanë qenë disa vite të vështira për ne së bashku, por i uroj atij gjithë të mirat. Ai është një djalë fantastik, madje më tepër jashtë fushës sesa në fushë.”, vazhdoi braziliani.

    Pa blerës serioz të shfaqur deri më tani, siç qëndrojnë gjërat, Neymar duket se do të nisë një sezon të ri në Ligue 1 me PSG-në.

  • ​U dëgjuan 15 dëshmitarë, gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve rikthehet pas tri javësh

    ​U dëgjuan 15 dëshmitarë, gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve rikthehet pas tri javësh

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, e ka përfunduar dëshminë e tij dëshmitari i pesëmbëdhjetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve. Ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë vendosur të mos parashtrojnë kundërpyetje për këtë dëshmitar.

    Avokati i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe në fillim të seancës deklaroi se deri te ky vendim erdhi si rezultat i situatës së djeshme.

    Në seancën e së mërkurës dëshmitari në fjalë shpesh herë nuk i ka kuptuar pyetjet që i ka parashtruar ZPS rreth disa dokumenteve.

    Madje, ai ka thënë se ka probleme pasi sipas tij vuan edhe nga diabeti.

    Kehoe: Ekipet mbrojtëse nuk do të parashtrojnë kundërpyetje për dëshmitarin

    “Sa i takon kundër-pyetjeve të këtij dëshmitari ne u konsultuam me njëri tjetrin dhe bashkë me kolegët në këtë pikë asnjë nga ekipet e mbrojtjes nuk do të bëjë pyetje këtij dëshmitari. Më duhet tu them që ky vendim u morë si rezultat e situatës së djeshme pasi pamë dëshmitarit. Nëse është nevoja mund t’i bëjmë kundër-pyetjet por bashkërisht morëm vendim që askush nuk do t’i bëjë pyetje këtij dëshmitari”, ka deklaruar ai.

    Por, për dallim nga mbrojtja, trupi gjykues ka pasur disa pyetje për dëshmitarin i cili pretendon se vëllai i tij ishte ndaluar nga anëtarë të UÇK-së në vitin 1998, në Drenoc.

    Gjykatësi Metro e ka pyetur dëshmitarin nëse i kanë raportuar diku ato që pretendojnë se u kanë ndodhur.

    Metro: Pasi ndodhën këto ngjarjet kur iu morën vëllain edhe çdo gjë tjetër gjatë asaj periudhe, ti a u përpoqe t’i tregoje ndokujt apo të raportoje ndokujt këtë që i ndodhi të afërmit tuaj?

    Dëshmitari: Po.

    Metro: A mund të na tregosh kujt ia tregova këto ngjarje?

    Përgjigjet e dëshmitarit lidhur me këtë janë transmetuar me përmbajtje të redaktuar për publikun.

    Me përfundimin e kësaj dëshmie, Gjykata Speciale i ka përfunduar seancat për këtë sezon ndërsa procesi gjyqësor do të vazhdojë nga data 14 gusht.

    E ish-krerët e UÇK-së seancën e sotme gjyqësore e kanë ndjekur nga qendra e paraburgimit, përmes video-lidhjes.

    Deri më tani në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve kanë dëshmuar pesëmbëdhjetë dëshmitarë të ZPS-së, pothuajse të gjithë të mbrojtur, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.

    Dëshmia publike dhe pa masa mbrojtëse ka ardhur vetëm nga ish-komandanti i Zonës operative të Llapit, Rrustem Mustafa si dhe një oficer i ushtrisë britanike i cili ka shërbyer gjatë luftës në Kosovë, në kuadër të misionit të OSBE-së.

    Gjykimi kundër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse, ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

    Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020./kp

  • Sulmohet ambasada suedeze në Bagdad në shenjë proteste për djegien e Kuranit

    Sulmohet ambasada suedeze në Bagdad në shenjë proteste për djegien e Kuranit

    Qindra protestues sulmuan ambasadën suedeze në qendër të Bagdadit në orët e hershme të mëngjesit të së enjtes, duke u ngjitur në muret e saj dhe duke i vënë flakën në shenjë proteste kundër djegies së Kuranit në Suedi.

    I gjithë personeli i ambasadës në Bagdad mbeti i padëmtuar gjatë incidentit, siç konfirmohet nga zyra e shtypit e Ministrisë së Jashtme suedeze në një deklaratë për media.

    Ministria dënoi me forcë sulmin dhe theksoi rëndësinë e marrjes së masave të nevojshme nga autoritetet irakiane për të mbrojtur misionet diplomatike.

    Megjithatë, ministria nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese të agjencisë së lajmeve Reuters për informacion shtesë në lidhje me situatën.

    Mbështetësit e klerikut shiit Muqtada Sadr organizuan protestën të enjten kundër djegies së dytë të planifikuar të Kuranit në Suedi brenda pak javësh.

    Njoftimi për protestë u bë përmes postimeve në një grup në Telegram të ndjekur gjerësisht, që është i lidhur me klerikun me ndikim,si dhe në kanale të tjera mediatike që mbështesin atë.

    Si një nga figurat më me ndikim të Irakut, Sadr ka ndikim mbi një numër të madh ndjekësish të përbërë nga qindra mijëra mbështetës.

    Ai ka thirrur më parë ndjekësit e tij për të dalë në rrugë në raste të ndryshme, si në verën e kaluar kur ata pushtuan Zonën e Gjelbër të fortifikuar të Bagdadit, duke çuar në konfrontime fatale.

    Sipas lejes së lëshuar nga policia suedeze të mërkurën, një tubim publik jashtë ambasadës së Irakut në Stokholm u miratua.

    Leja tregonte se vetëm dy persona pritej të merrnin pjesë në këtë tubim. Njëri nga ta është një burrë që i vuri zjarrin një Kuranit jashtë një xhamie të Stokholmit në qershor.

    Policia suedeze refuzoi disa aplikime për protesta në fillim të këtij viti, që do të përfshinin djegien e Kuranit, duke përmendur shqetësimet e sigurisë.

    Gjykatat që atëherë kanë rrëzuar vendimet e policisë, duke thënë se akte të tilla mbrohen nga ligjet e gjera të vendit për lirinë e fjalës.

    Një seri videosh të postuara në grupin Telegram, One Baghdad, treguan njerëz që mblidheshin rreth ambasadës suedeze rreth orës 1 të mëngjesit të së enjtes duke brohoritur parulla pro-Sadr dhe duke sulmuar kompleksin e ambasadës rreth një orë më vonë.

    “Po, po për Kuranin”, brohoritën protestuesit.

    Videot më vonë treguan tymin që ngrihej nga një ndërtesë në kompleksin e ambasadës dhe protestuesit që qëndronin në çatinë e saj.

    Djegia e Kuranit në Suedi

    Në përgjigje të incidentit, ministria e Jashtme e Irakut dënoi sulmin ndaj ambasadës dhe lëshoi një deklaratë duke udhëzuar forcat e sigurisë të kryejnë një hetim të shpejtë për të identifikuar dhe mbajtur përgjegjës autorët.

    Që nga agimi i së enjtes, forcat e sigurisë u vendosën brenda ambienteve të ambasadës dhe dëshmitarët nga Reuters raportuan se panë tym që ngrihej nga ndërtesa, teksa zjarrfikësit punonin për të shuar zjarrin e mbetur.

    Shumica e protestuesve tashmë ishin shpërndarë, por një grup i vogël mbeti jashtë ambasadës.

    Forcat irakiane të sigurisë u përpoqën më vonë të shpërndanin këtë grup të mbetur. Para kësaj, protestuesit kishin hedhur për pak kohë gurë dhe sende të forta drejt forcave të sigurisë të pranishme.

    Muajin e kaluar, Sadr kishte bërë thirrje për protesta kundër Suedisë dhe kishte kërkuar dëbimin e ambasadorit suedez pas incidentit të djegies së Kuranit në Stokholm, i cili u krye nga një shtetas irakian.

    Pas incidentit të djegies, burri u raportua në polici për nxitje të urrejtjes kundër një grupi etnik ose kombëtar.

    Incidenti i djegies çoi në dy protesta të mëdha jashtë ambasadës suedeze në Bagdad.

    Vende të ndryshme myslimane, duke përfshirë Turqinë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Jordaninë dhe Marokun, shprehën keqardhjen e tyre për incidentin dhe dënuan atë, me Irakun që kërkon ekstradimin e burrit për gjykim në vend.

    Shtetet e Bashkuara gjithashtu dënuan incidentin, por sqaruan se lëshimi i lejes për protestë nga Suedia ishte në mbështetje të lirisë së shprehjes dhe jo një miratim i veprimit. /rel

  • Arrestohet një burrë në Obiliq pasi ushtroi dhunë fizike dhe psikike ndaj gruas së tij, shkaku i xhelozisë

    Arrestohet një burrë në Obiliq pasi ushtroi dhunë fizike dhe psikike ndaj gruas së tij, shkaku i xhelozisë

    Një person është arrestuar mbrëmë në Obiliq, pasi dyshohet se ka kryer veprën penale “Dhunë në familje”.

    Siç njofton Policia, i arrestuari dyshohet se shkaku i xhelozisë, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj bashkëshortes së tij.

    Tutje, bëhet e ditur se pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

     

  • Nga sot në qarkullim pulla postare ”Shekulli i teknologjisë’’

    Nga sot në qarkullim pulla postare ”Shekulli i teknologjisë’’

    Posta e Kosovës, nga sot lëshoi në qarkullim postar emisionin e pullave postare ”Shekulli i teknologjisë’’.

    Vet emërtimi i tematikës prezanton zhvillimin e hovshëm të teknologjisë informative, e cila në të përditshmëri është bërë e pazëvendësueshme.

    Qasja e shpejt në informacione të ndryshme dhe përpunimi i tyre ka afruar botën, ndërsa punën e njeriut po e lehtëson përmes inteligjencës artificiale, e cila po e karakterizon të sotmen.

    Pamjet e dy pullave postare prezantojnë pjesën aplikative të teknologjisë në disa sfera të jetës.

    Kosova është një vend ku ka rini të përgatitur dhe sot ofron shërbime të avancuara në fushën e teknologjisë, e është një ndër top shtetet Evropiane që ka arritur mbulueshmëri të 100% të vendit me internet të shpejtë.

    Përpos dy pullave postare me pamje dhe vlera të ndryshme nominale, janë përgatitur edhe Zarfet e Ditës së Parë me vulë adekuate, të cilat tanimë janë në shitje për të gjithë koleksionistët, qytetarët dhe bizneset, që kur dërgojnë zarfe duan ta paraqesin shtetin tonë edhe përmes imazheve të këtyre pullave.

    Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj thotë se vazhdon të jetë promovuese e vlerave të vendit tonë dhe zhvillimeve që karakterizojnë shekullin.

  • 20-vjeçarja në Deçan tenton t’i japë fund jetës së saj, konsumon mbidozë ilaçesh

    20-vjeçarja në Deçan tenton t’i japë fund jetës së saj, konsumon mbidozë ilaçesh

    Vetëvrasja është fenomen shqetësues në rritje në shoqërinë tonë. Faktorë rreziku që shtyjnë drejt këtij veprimi shpeshherë mund të jenë gjendja e rënduar psikologjike dhe emocionale, depresioni, ankthi, bipolarizmi, abuzimi me alkool dhe substanca narkotike e gjendja e vështirë ekonomike.

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në fshatin Dashnioc të Deçanit, ku një vajzë dyshohet se ka tentuar t’i japë fund jetës së saj.

    Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës së Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan kanë bërë me dije se 20-vjeçarja është dërguar atje në gjendje të rëndë, për shkak se dyshohet se kishte konsumuar mbidozë ilaçesh.

    Pas dhënies së ndihmës së parë, viktima është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal në Pejë.

    Sinjali mëson se gjendja e saj vazhdon të mbetet e rëndë dhe e njëjta po trajtohet në repartin intensiv.

    Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

    Në kuadër të veprimeve hetimore është marrë dëshmia e prindërve të vajzës, teksa nuk dihen edhe motivet që shtynë të renë të bëjë këtë veprim.

    Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vetëvrasje në tentativë’.

  • Zhduket një kosovar që u nis për në Gjermani, policia jep detaje

    Zhduket një kosovar që u nis për në Gjermani, policia jep detaje

    Është zhdukur një person që para dhjetë ditësh ishte nisur për punë të përkohshme në Gjermani.

    Rasti është lajmëruar edhe tek autoritet gjermane.

    Që nga nisja, familja e tij nuk ka pasur më kontakt me të.

    “Fsh. Lubizhdë, Prizren 19.07.2023 – 01:35. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se prej datës 10.07.2023 i ka shkëputur lidhjet me vëllain e tij viktimën mashkull kosovar i cili ka shkuar për punë të përkohshme në Gjermani për të cilin rast shokët e viktimës e kanë raportuar te autoritetet Gjermane dhe ende nuk ka ndonjë informatë për të”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Abdixhiku: Kusari ka bërë vepër penale pasi ka biseduar me një terrorist si Radoiçiqi

    Abdixhiku: Kusari ka bërë vepër penale pasi ka biseduar me një terrorist si Radoiçiqi

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, tha se audio-incizimi i publikuar i shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila me Sllavko Simiqin e Listës Serbe dhe kriminelin serb,Milan Radojiçiqit, është pjesë e rrugës së vjetër.

    “Ky audio-incizim është vepër penale, pasi shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ka biseduar me një terrorist. Komunikimi me një terrorist të kërkuar është vepër penale”, tha Abdixhiku.

    “Nëse ndonjë bashkëpunëtor i imi do të bisedonte me një terrorist, do ta shkarkoja”, shtoi ai.

    Abdixhiku ka folur edhe për mundësinë e bashkëpunimit me partitë opozitare. Abdixhiku tha në Rubikon në Klan Kosova se askush nuk duhet të llogarit në LDK-në që të kthehet në formën e vjetër të qeverisjes.

    “Nuk mund të bashkëpunojmë dhe të qeverisim duke thirrur Mimoza Kusarin që ta koordinojë me Milan Radojiçiqin e të formojmë qeverinë e re”, tha Abdixhiku.

  • Gjendet i vdekur një person në banesën e tij në Obiliq

    Gjendet i vdekur një person në banesën e tij në Obiliq

    Një person është gjetur i vdekur në banesën e tij në Obiliq.

    Sipas policisë, dera e banesës së viktimës është hapur nga zjarrfikësit.

    Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.

    “Rr. Adem Jashari, Obiliq 19.07.2023 – 00:20. Njësitë policore pas marrjes së informatës nga dëshmitarja, se viktima mashkull kosovar nuk është duke u përgjigjur në telefon, së bashku me njësinë e zjarrfikësve, me forcë kanë hapur derën e banesës së viktimës dhe të njëjtin e kanë gjetur në shtrat pa shenja jete, vdekjen e të cilit e ka konstatuar mjeku. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Drejtori i Policisë: Mund të kishte viktima në veri, arritëm në njëfarë forme të garantojmë siguri

    Drejtori i Policisë: Mund të kishte viktima në veri, arritëm në njëfarë forme të garantojmë siguri

    Situata e sigurisë në veriun e Kosovës vazhdon të jetë e tensionuar, por pavarësisht kësaj, Policia e Kosovës me përkushtim e profesionalizëm është duke i kryer detyrat e saj ligjore për të siguruar rend e ligj.

    Kështu ka deklaruar në RTK drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, i cili gjithashtu i përshkroi në detaje protestat e dhunshme të qytetarëve serbë në veri.

    “Situata në veri të Kosovës dallon nga pjesa tjetër e Kosovës për shkak të specifikave dhe grupeve kriminale që veprojnë që një kohë të gjatë. Edhe menaxhimi nuk është fare i lehtë, por falë policëve tanë, kemi fituar një betejë të gjatë që po zhvillohet atje. Kemi arritur në njëfarë forme të garantojmë siguri për qytetarët e po ashtu të kemi prezencë të policëve tanë rreth kufirit të Kosovës me Serbinë”, tha Hoxha.

    Sipas drejtorit të Policisë, qytetarët e pjesës veriore kanë filluar të bashkëpunojnë ngushtë me policinë.

    Ai tha se Policia e Kosovës nuk bënë operacione ad-hoc, por e analizon situatën dhe i përgjigjet me plan operativ profesional. Hoxha po ashtu tha se edhe me 26 qershor, policia ka zbatuar Ligjin dhe urdhrin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, për t’i asistuar kryetarët e komunave që të shkojnë në objektet komunale.

    Hoxha përmendi edhe faktin se policia ka qenë në perimetër të komunave, dhe se vazhdimit ishte e rrezikuar.

    “Roli dhe detyrat e Policisë së Kosovës dhe KFOR-it kanë qenë të ndara. A ka pasur rrezik? Ka pasur rrezik për të gjithë. Mirëpo me turma të njëjta ne jemi ballafaquar. Policia e Kosovës ka arritur që në mënyrë profesionale t’i largojë ato turma nga hyrja e objekteve komunale dhe pa asnjë dëmtim tek Policia e Kosovës dhe te qytetarët është kryer detyra. Nuk mund të garantojmë sigurt që nuk mund të kishte pasur viktima ose pasoja të rënda, mirëpo Policia e Kosovës ka qenë e përgatitur profesionalisht për t’i kryer detyrat e saj”, tha Hoxha.

    Komandanti u përgjigj edhe në pyetjen se cila ditë ishte më e rrezikshme për policinë, e premtja kur ishin vetëm Policia e Kosovës, apo dita e hënë kur ndërhyri KFOR-i, i cili edhe u sulmua nga qytetarët e dhunshëm serbë.

    “Ditën e hënë me datë 29 grupet kriminale kanë qenë të përgatitura për të sulmuar qoftë Policinë e Kosovës qoftë KFOR-in. Roli ka qenë i ndarë dhe pastaj KFOR-i ka marrë për detyrë që të sigurojë perimetrin e jashtëm të objektit komunal në Zveçan, pastaj ka ardhur deri te konfrontimi. Edhe pse ka pasur një tentativë të gjatë për negocim me krerët që i kanë prirë protestës, fatkeqësisht nuk kanë arritur të gjejnë një mirëkuptim, andaj është dashur të lëvizë KFOR-i për të krijuar një korridor para objektit të komunës dhe mandej ka ardhur deri te hedhja e koktej mollotovit, bombave dhe shokbombave”, tha Hoxha.

    Ai tha se ka qenë një koordinim i Policisë së Kosovës me KFOR-in, mirëpo KFOR-i ka vepruar në bazë të mandatit të tij.

    ”Sipas komandantit të KFOR-it, ai ka dashur të parandalojë një konflikt të hapur në mes të Policisë dhe protestuesve të dhunshëm atë ditë. Ky ka qenë një vendim i komandantit të KFOR-it për të qenë në mes të policisë dhe protestuesve”, deklaroi Hoxha.