ATV

Blog

  • Aksidenti i rëndë me tre të lënduar në Veternik, dalin pamjet

    Aksidenti i rëndë me tre të lënduar në Veternik, dalin pamjet

    Një aksident i rëndë ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të sotëm në lagjen Veternik, ku për pasojë, janë lënduar tre persona, një femër dhe dy meshkuj, raporton ATV.

    Aksidenti ka ndodhur rreth orës 3:40 të mëngjesit.

    Në videon e siguruar nga ATV, shihen Policia dhe qytetarë të shumtë duke ndihmuar në nxjerrjen e të lënduarve që ndodheshin në veturën e aksidentuar me targa të Shqipërisë.

    ATV, po ashtu mëson së të lënduarit janë shtetas të Shqipërisë. /atvlive.tv

  • Borrell ia zgjat mandatin edhe për një vit Tomas Szunyog si shef i BE-së në Kosovë

    Borrell ia zgjat mandatin edhe për një vit Tomas Szunyog si shef i BE-së në Kosovë

    Tomas Szunyog do të jetë edhe për një vit shef i BE-së në Kosovë.

    Këtë vendim e ka marrë Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, për t’ia zgjatur atij mandatin deri më 31 gusht 2024, thuhet në njoftimin e Këshillit Europian.

    Tomáš Szunyog u emërua Përfaqësues Special për Kosovën më 1 shtator 2020. Mandati i tij përfshin detyrën e ofrimit të këshillave dhe mbështetjes së BE-së në procesin politik dhe promovimin e koordinimit të përgjithshëm politik të Unionit në Kosovë.

    Përveç Szunyog, Këshilli Europian ka miratuar sot një sërë vendimesh për zgjatjen e mandateve ekzistuese edhe të dy përfaqësuesve specialë të BE-së për një vit.

    Johann Sattler në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Toivo Klaar u emërua për Kaukazin e Jugut.

    Përfaqësuesit specialë të BE-së propozohen nga Përfaqësuesi i Lartë për të promovuar politikat dhe interesat e BE-së në rajone dhe vende të veçanta dhe për t’i siguruar BE-së një prani politike aktive në ato zona.

    Aktualisht, dhjetë përfaqësuesit specialë mbështesin punën e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell. Këtu përfshihen tre përfaqësuesit specialë të përmendur më lart, si dhe ai për dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, si dhe të tjerë.

  • Konjufca takon homologen franceze, diskutojnë për situatën aktuale dhe sfidat në Kosovë

    Konjufca takon homologen franceze, diskutojnë për situatën aktuale dhe sfidat në Kosovë

    Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, në kuadër të vizitave zyrtare në Francë, i shoqëruar nga ambasadori Mehdi Halimi, shefi i stafit, Ilir Kërçeli dhe këshilltari Donik Sallova, ka takuar kryetaren e Asamblesë Kombëtare të Francës, Yawl Braun-Pivet, nënkryetaren e Asamblesë Kombëtare, Valérie Rabault, kryetarin e komisionit për punë të jashtme, Jean-Louis Bourlanges, deputetin për francezët që jetojnë jashtë Francës, Frédéric Petit dhe kryetarin e grupit të miqësisë Francë-Kosovë, Jean-Philippe Ardouin.

    Sipas Konjufcës, në këtë takim miqësor dhe të frytshëm është theksuar nevoja për thellim të bashkëpunimit mes dy vendeve, si në rrafshin e raporteve mes institucioneve parlamentare, ashtu edhe në nivel të plotë shtetëror.

    “Republika e Kosovës është shumë e interesuar që partneriteti mes dy vendeve tona të jetë jo vetëm i vazhdueshëm dhe i palëkundur, por edhe të thellohet më tej duke lëvruar gjithë potencialin e vet, nga pikëpamja institucionale, kulturore, ekonomike dhe politike, si përgjigje e domosdoshme ndaj rrethanave ku gjendemi aktualisht si bllok perëndimor, me vlera dhe synime të përbashkëta që i mbrojmë dhe i zhvillojmë”, ka thënë Konjufca.

    Homologen Yawl Braun-Pivet e ka falënderuar për kontributin e Francës në drejtim të Kosovës ndër vite, asistencën e vyer që Kosovës i ka sjellë sot sukses në cilësitë e shtetndërtimit, në sundim të ligjit dhe demokratizimin shembullor në rajon.

    “Arritjet e shtetit tonë janë edhe suksese të aleatëve tanë që na kanë mbështetur dhe kanë dhënë kontributin e tyre, e ndaj të cilëve ne jemi mirënjohës”, ka thënë ai tutje.

    “Diskutuam për situatën aktuale në vendet tona dhe për sfidat nëpër të cilat gjendemi aktualisht. I theksova zj. Yawl Braun-Pivet përkushtimin e plotë të Republikës së Kosovës ndaj angazhimeve tona që në vëmendje kanë shembullin, mjetet dhe frymën e Bashkimit Evropian, unionit të vlerave dhe qëllimeve tona të përbashkëta”, ka përfunduar ai.

  • Van Damme në Kosovë – merr vëmendje me varësen me shqiponjë

    Van Damme në Kosovë – merr vëmendje me varësen me shqiponjë

    Aktori i famshëm, Jean – Claude Van Damme, është aktualisht në Kosovë.

    Ai ka qenë sot (e mërkurë) në ambientet e qendrës Prishtina Mall për të promovuar markën e orëve, ‘Helfer’ nga Zvicra.

    Ylli i filmave aksion mori më së shumti vëmendje me një varëse ari në qafë, në të cilën mbante simbolin e shqiponjës, transmeton Telegrafi.

    Foto: Screenshot/Facebook

    Kjo mbase duket t’i jetë bërë dhuratë, ndonëse ka shumë miq shqiptarë dhe se ruan raporte të mira me ta.

    I njëjti u takua edhe me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinajn, që njihet ndryshe si ‘Rambo’.

    Veç kësaj, Van Damme gjatë ditës u takua edhe me disa sportistë, përfshirë ish-karateistin Enver Idrizi.

    Aktori në fjalë shquhet për paraqitjet në filmat si: “Bloodsport”, “Kickboxer”, “Lionheart”, “Hard Target”, “Double Impact”, “Street Fighter” etj.

  • ​Kosova bie në renditjen e re të FIFA-së, Shqipëria ruan pozitë e njëjtë

    ​Kosova bie në renditjen e re të FIFA-së, Shqipëria ruan pozitë e njëjtë

    FIFA, ka publikuar renditjen e re të përditësuar të ekipeve kombëtare.

    Edhe pse nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje nga përditësimi i parafundit, Kosova ka pësuar rënie në renditjen e FIFA-s.

    “Dardanët” ishin në pozitën e 108-të me 1179.69 pikë, ndërsa tani zënë vendin e 109-të me po kaq pikë.

    Në anën tjetër, kombëtarja e Shqipërisë gjithashtu nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje gjatë kësaj kohe, por nuk ka pësuar asnjë ndryshim në renditje.

    Kuqezinjtë vazhdojnë të renditen në pozitën e 65-të me 1357.39 pikë.

    Top 10-shja ka vazhduar të mbetet i pandryshuar, me Argjentinën, Francën dhe Brazilin në tri pozitat e para. Pas tyre vijnë Anglia e katërta , Belgjika e pesta, Kroacia e gjashta, Holanda e gjashta, Italia e teta, Portugalia e nënta dhe Spanja e 10-ta.

  • ​Krasniqi takoi ambasadorin amerikan: Zgjedhjet e parakohshme janë alternativa e vetme

    ​Krasniqi takoi ambasadorin amerikan: Zgjedhjet e parakohshme janë alternativa e vetme

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka pritur në takim ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier. Ata kanë biseduar për situatën aktuale politike në vend dhe qëndrimet e kësaj partie lidhur me veprimet që i konsideron të nevojshme.

    Sipas Krasniqit, Qeveria Kurti e ka humbur rrugën e duhur andaj zgjedhjet e parakohshme janë alternativa e vetme.

    “Për PDK-në, siç kemi thënë nga fillimi, veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës, të cilat përtej dëmtimit të progresit dhe imazhit të vendit, i sollën Kosovës edhe sanksione nga partnerët kryesorë ndërkombëtare, janë tërësisht të papranueshme. Ky nuk është vullneti i qytetarëve dhe ajo për të cilën ata kanë votuar, rrjedhimisht, Ambasadorit amerikan i shpreha qëndrimin që Kosova të mos vuaj masa ndëshkuese për shkak të kryeneçësisë politike të një individi. PDK vlerëson se kjo Qeveri e ka humbur rrugën e duhur, njëkohësisht edhe kredibilitetin e saj, prandaj, zgjedhjet e parakohshme janë alternativa e vetme”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

    Ai gjithashtu ka thënë se e ka siguruar ambasadorin amerikan se PDK do të angazhohet përmes të gjitha mjeteve demokratike të luaj rolin e saj konstruktiv në shërbim të interesit të qytetarëve.

  • Aktakuzë kundër 12 personave për vepra të ndryshme penale

    Aktakuzë kundër 12 personave për vepra të ndryshme penale

    Prokuroria Themelore në Prizren ka informuar sot se ka ngritur aktakuzë kundër 12 personave për vepra të ndryshme penale.

    Sipas prokurorisë, aktakuza është ngritur ndaj personave me inicalet, Sh.K., V.Gj., B.K., E.K., Z.Xh., Z. (F)Xh., P.Xh., K.Q., G.K., L.K., Q.K., dhe R.K., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Vrasje e rëndë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Lëndimi i rëndë trupor”, “Pjesëmarrja në rrahje”.

    “Sipas aktakuzës, i pandehuri Sh.K., Më datë 07.05.2023 rreth orës 01:23min në rrugën “Ekrem Rexha” në Prizren, përballë njërës prej qendrave tregtare, me dashje fillon kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë të cilën nuk e përfundon ndaj të dëmtuarve Q.K., dhe R.K., dhe me atë rast me dashje e vë në rrezik jetën e personave tjerë siç janë G.K., L.K., B.K., G.K., dhe P.Xh., në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshjeje rreth dyshimeve për vjedhje të një zinxhiri të arit, përfshihet në rrahje një numër i madh personash nga të dyja palët, ku pasi ndërpritet përleshja, i pandehuri Sh.K., paraqitet në vendin e ngjarjes dhe menjëherë hedhet në sulm, i cili nxjerr armën e zjarrit cilën e drejton në drejtim të G.K., aty ndërhynë Q.K., duke ia kapur armën nga dora mirëpo persona tjerë e sulmojnë Q.K., dhe pasi ky i fundit rrëzohet në tokë i pandehuri shtënë me armë në drejtim të tij, të cilit i shkakton dëmtime të lehta trupore, të shkaktuar nga veprimi dinamik i predhës së hedhur nga arma e zjarrit, tek i cili deri në ngritjen e kësaj aktakuze predha metalike ka mbetur në brendi të trupit për shkak të gjakderdhjes gjatë nxjerrjes së saj, pasi i dëmtuari Q.K., largohet me shpejtësi duke u hedhur rreth 2 metra poshtë në oborrin e qendrës tregare që gjindej aty afër, i pandehuri shkon në pjesën tjetër të turmës ku po konfrontoheshin fizikisht me grushte e shqelma dhe shtënë dy herë në drejtim të dëmtuarit R.K., të cilit i shkakton dëmtime të lehta trupore, përkatësisht dy plagë nga veprimi dinamik i predhës së hedhur nga arma e zjarrit.”, ka bërë të ditur prokuroria.

    Me këto veprime, i pandehuri Sh.K., ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë” e ngelur në tentativë dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së.

    “I pandehuri B.K., me qëllim që t’ i shkaktoj lëndime trupore personave tjerë, i sulmon të dëmtuarit V.Xh., dhe Z.(F)Xh, me ç’rast i shkakton lëndime të rënda trupore, të shkaktuara nga veprimi mekanik i mjetit të fortë. Me këto veprime, i njëjti kryen veprën penale “Lëndimi i rëndë trupor” sipas KPRK-së. I pandehuri V.Xh., me qëllim që t’ i shkaktoj lëndime trupore personit tjetër, e sulmon të dëmtuarin/pandehurin L.K., paraqitet në vend të ngjarjes më një thikë me gjatësi tehu prej 9cm, e godet disa herë të pandehurin, m ç’rast i shkakton lëndime të rënda trupore. Me këto veprime, i pandehuri V.Xh. ka kryer veprat penale “Lëndimi i rëndë trupor” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së. Të pandehurit: E.K., L.K., Z.(F)Xh., K.Q., dhe G.K., me qëllim që t’ i shkaktojnë lëndime trupore personave tjerë, marrin pjesë në rrahje, e cila rezulton me lëndim të rëndë trupor, të cilët përdorin mjete të rrezikshme si: brisk, shufra metalike dhe boks hekuri. Me këto veprime, secili veç e veç ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje” sipas KPRK-së. Të pandehurit: Z.Xh., P.Xh., Q.K., dhe R.K., me qëllim që t’ i shkaktojnë lëndime trupore personave tjerë, marrin pjesë në rrahje, e cila rezulton me lëndim të rëndë trupor. Me këto veprime, secili veç e veç ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje” sipas KPRK-së.”, ka bërë të ditur tutje prokuroria.

    Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

  • KMDLNj: ZRRE dhunuesi më i madh i buxhetit familjar

    KMDLNj: ZRRE dhunuesi më i madh i buxhetit familjar

    KMDLNj ka dalur me një reagim në të cilin thotë se ZRRE është keqbërësi dhe dhunuesi më i madh i buxhetit familjar dhe bizneseve duke legjitimuar vjedhjen përmes faturave.

    Sipas KMDLNJ-së, ZRRE është njëri ndër shkelësit më të mëdhenj të të drejtave të njeriut në Kosovë, referuar çështjes së pagesës së faturave të rrymës nga ana e banorëve të veriut.

    Për më shumë, ja reagimi i plotë:

    ”ZRRE, pas përfundimit të luftës, që nga koha kur u themelua ishte keqbërësi dhe dhunuesi më i madh i buxhetit familjar si dhe i bizneseve duke përligjur vjedhjen klasike përmes fryerjes së faturave me ç’rast e pësonin paguesit e rregullt të energjisë elektrike ndërsa përfitonin qytetarët e veriut të Kosovës që deri më sot nuk e kanë paguar asnjë cent për rrymën e shpenzuar.

    Mjetet e grumbulluara përmes veprës penale (vjedhjes përmes fryrjes së faturave) ndaheshin për strukturat paralele në veri ku lulëzonte biznesi me kryptovaluta dhe kultivimi i lëndëve narkotike për çka duhej një sasi e madhe e rrymës. Pas ankesave të shumta të qytetarëve, KMDLNj–ë ka reaguar rregullisht për të sinjalizuar këtë plaçkitje të kundërligjshme duke kërkuar që të ndërpritet me këtë praktikë të mbrapshtë dhe të bëhet zhdëmtimi i qytetarëve për dëmet e shkaktuara.

    Fillimisht nga ZRRE dhe Operatori mohohej ky veprim i kundërligjshëm deri në kohën kur edhe Avokati i Popullit bëri një reagim duke e dërguar lëndën në Gjykatën Kushtetuese. Komisioni përkatës parlamentar pati konstatuar se ka shkelje mirëpo nuk kishte bërë asgjë ta ndërpresë plaçkitjen dhe të propozojë masa kundër keqbërësve. Përveç kësaj, të gjitha qeveritë e pasluftës përfshirë edhe qeveritë Kurti 1 dhe Kurti 2 kanë ndarë mjete të konsiderueshme, dhjetëra miliona euro brenda një viti kalendarik për ta paguar rrymën për veriun e Kosovës.

    Qytetarët e veriut të Kosovës përveç rrymës nuk kanë paguar as faturat e ujit, mbeturinave e as tatimin në pronë e që nuk i paguajnë as sot e kësaj dite. KMDLNj në një takim pati kërkuar nga kryeministri Haradinaj që të ushtrojë autoritetin dhe ta ndërpres pagesën e rrymës për veriun e Kosovës sikur që qytetarët e Kosovës, pagues të rregullt të kompensohen për dëmet e shkaktuara. Ishte një lëvizje e vogël por që shpejtë u harrua duke vazhduar me praktikën e vjetër, pagesën e rrymës për veriun nga Buxheti i Kosovës ndërsa fryrja e faturave ishte ndërprerë.

    Së fundi Gjykata Supreme e Kosovës mori vendim që ZRRE të urdhërojë operatorin aktual të energjisë elektrike të kompensojë qytetarët e dëmtuar për mjetet e plaçkitura dhe Rregullatori i Energjisë Elektrike për të fituar kohë, me një mentalitet prej kusari që e kishte përdorur gjatë tërë këtyre viteve, po përpiqet të gjejë mënyra të shmangë pagesën e kompensimit duke deklaruar se për faktin se nuk e kanë të qartë se si duhet të kompensohen qytetarët, e kanë dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese me të cilën kërkohen sqarime se si do të kompensohen qytetarët.

    Blerje tipike e kohës.

    ZRRE është njëri ndër shkelësit më të mëdhenj të të drejtave të njeriut në Kosovës dhe praktikuesi më i madh i diskriminimit për faktin se qytetarët e Kosovës nuk i trajton si konsumatorë që duhet të paguajnë për rrymën e shpenzuar por i keqtrajton ekskluzivisht në baza etnike dhe sipas oportunitetit politik. Blerja e kohës nënkupton se qytetarët do të lodhen nga kërkesa e tyre e drejtë për kompensim dhe se kjo çështje pas një kohe do të harrohet.

    Caktimi i modalitetit të kompensimit, dinamika e kompensimit i futë qytetarët në një labirint burokratik dhe përfitues të vetëm këtu do të jenë, ZRRE, si organizatë e strukturuar kriminale si dhe Operatori aktual që pamëshirshëm i plaçkitë konsumatorët përmes rritjes së çmimit të rrymës në kohën kur qytetarët e Kosovës po përballen me probleme të mëdha të natyrës ekzistenciale.

    Reduktimet e paralajmëruara që po arsyetohen se janë shkaku i prishje në fakt është se rryma po iu shitet vendeve të rajonit që po kanë mungesë të energjisë elektrike.

    KMDLNj thërret qytetarët e Kosovës të kërkojnë kompensim përmes padive individuale dhe të mos heqin dorë nga realizimi i kësaj të drejte që me vendimin e saj ua ka njohur edhe Gjykata Supreme e Kosovës. KMDLNj –ë do t’i përkrahë qytetarët e Kosovës që kërkojnë kompensim sikur që kërkon përgjegjësi ligjore për abuzuesit me të drejtat e njeriut përmes plaçkitjes së buxhetit familjar në dobi të një pale tjetër, qytetarëve të veriut të Kosovës”.

  • “Rrnoftë Albin Kurti, osht i pakorruptuem, i shkolluem, i ka t’gjitha”, mërgimtarja del jashtë teme, tregon se është fanse e kryeministrit

    “Rrnoftë Albin Kurti, osht i pakorruptuem, i shkolluem, i ka t’gjitha”, mërgimtarja del jashtë teme, tregon se është fanse e kryeministrit

    Emisioni veror i ATV-së, “n’mal An’det”, që nisi transmetimin vetëm tre ditë më parë, vazhdon të sjellë për shikuesit argëtim, intervista dhe eksplorim kulturor.

    Një ndër rubrikat që do ta përcjellin këtë emision është edhe rubrika “Shqipnisht”, përmes së cilës mësohen fjalë dhe shprehje të ndryshme, që përdoren në regjione të rajonit.

    Në kuadër të kësaj rubrike, gazetarja e ATV-së i ka pyetur qytetarët se a e dinë ata kuptimin e fjalës “çarranik”.

    Shumë nga qytetarët e Vushtrrisë nuk e kanë ditur kuptimin e kësaj fjale, por disa nga ta thanë se e kanë dëgjuar këtë shprehje.

    Mirëpo, një mërgimtare shfrytëzoi rastin që para kamerës së ATV-së të dalë jashtë teme. Ajo tregoi se është admiruese e flakët e kryeministrit Albin Kurti.

    “Rrnoftë Albin Kurti, osht i pakorruptuem, i shkolluem, i ka t’gjitha”, dëgjohet duke thënë ajo para kameras së ATV-së.

    Emisioni n’mal An’det, i cili vjen në një format më ndryshe, drejtohet nga yjet e ATV-së, Roberti, Emira dhe Jeta dhe jepet çdo ditë nga e hëna deri të premten prej orës 21:10. /atvlive.tv

    Në videon e më poshtme e gjeni emisionin e plotë që u transmetua të mërkurën mbrëma:

  • Haradinaj: Ikja e përgjegjësisë nga Kurti na solli te sanksionet

    Haradinaj: Ikja e përgjegjësisë nga Kurti na solli te sanksionet

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka nisur tryezën e diskutimit me përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediave, lidhur me situatën politike në vend.

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka deklaruar se takimi është i dobishëm për sensibilizim të brendshëm.

    “Shumë mirë që secili nga ne, veçanërisht të gjithë ata që kanë mundësi të kontribuojmë në një sensibilizim të mëtejmë. Një sensibilizim i brendshëm është i dobishëm, e nxit një ballafaqim qoftë me situatën që krijohet, me vështirësitë që kalojmë. Mirëpres rolin e secilit dhe secilës nga përgjegjësitë tona që ta ndihmojmë një sensibilizim të brendshëm të sfidave që po kalojmë”, ka deklaruar Haradinaj.

    Ai ka shtuar se edhe pse politika nuk i ka dhënë efektet e veta në paralajmërim të rreziqeve, shoqëria civile e ka dhënë provimin.

    “Ne kemi vlerësuar se agresioni i paprovokuar i Rusisë në Ukrainë dhe lufta, një luftë kundër drejtës ndërkombëtare, ka ndërruar edhe mënyrën e të menduarit dhe vepruarit. Detyra e jonë në Kosovë ka qenë se si mund të gjendemi ne pas një situate të reja. Me kujdesin më të madh e kemi marrë një pozicion jo aq të lehtë. Kemi kuptuar që njohja finale në rrethanat të tashme, në kualitetin tonë si palë, është e pamundshme. E kemi përkrahur marrëveshjen e planit franko-gjerman”, ka deklaruar ai.

    Kreu i AAK-së ka shtuar se shefi i ekzekutivit ka ikur nga përgjegjësia.

    “Ajo që ka ndodhur së fundmi shohim një ikje nga përgjegjësia nga kryetari i qeverisë, që na solli te sanksionet. Në kohën kur kemi përkrahur marrëveshjen, ne kemi zhvilluar një dialog me palë, në terren me palë. Tani, diskutimet që po ndodhin tani prej partive të tjera edhe kjo që sot po ndodhë janë ndihmesë për sensibilizim”, ka përfunduar Haradinaj.

    Bashkimi Evropian ka njoftuar të shtunën (1 korrik) se kanë hyrë në fuqi masat ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës. Sipas BE-së, është pezulluar puna e organeve të MSA-së dhe program i fondeve IPA