ATV

Blog

  • “Google” po ofron mundësinë e zëvendësimit të mjekut

    “Google” po ofron mundësinë e zëvendësimit të mjekut

    Google për vite me radhë ka pasur funksion të pa definuar, aty ku janë bërë edhe pyetjet më të sikletshme që ndoshta njerëzit nuk kanë guxuar t’ua bëjnë as mjekëve e personave kompetentë.

    E nga këto kërkime disa njerëz marrin si të mirëqenë çdo informacion që marrin e madje edhe funskionojnë me to, kështu duke u referuar, e lexova në internet.

    Nga koha kur Google prezantoi versionin e tij të Inteligjencës Artificiale, “Bard”, është punuar në heshtje në një tjetër mjet nga Inteligjenca Artificiale që do specializohej për pyetjet e mjekësisë. Dhe kështu lindi Google Med-PaLM 2, një mjet i fuqizuar nga Inteligjenca Artificiale që u përgjigjet pyetjeve mjekësore.

    Kështu sipas gazetës prestigjioze “The Wall Street Journal”, ky mjet është testuar në klinikën e famshme Mayo që në prill ku dhe ka treguar rezultate shumë të mira.

    Google beson se mjeti i tij i Inteligjencës Artificiale mund të jetë i dobishëm sidomos në vendet ku mjekët janë të vështirë për t’u gjetur.

    Njëllojë si mjekët të lexonin literaturë profesionale gjatë jetës së tyre të punës për t’i zgjeruar njohuritë e tyre, ashtu edhe Med-PaLM 2 “mësoi” përmes një sërë demonstrimesh të zgjedhura të kryera nga ekspertë mjekësorë dhe mjekë. E pikërisht për këtë arsye Google mendon se mjeti i tyre i Inteligjencës Artificiale do të jetë më i suksesshëm në mjekësi sesa mjetet e tjera të përgjithësuara si Bard, Bing ose ChatGPT.

    Med-PaLM 2 mund të ketë akoma vështirësi me saktësinë në përgjigje, për të gjitha mesazhet e tjera si të kuptuarit, mirëkuptimin dhe përgjigjen e konsensusit, ishte pikërisht atje me mjekët.

    Megjithëse tregon potencial dhe në të ardhmen mund të luajë një rol të rëndësishëm në punën e përditshme të mjekëve. Ndonëse Med-PaLM 2 ende nuk është gati për përdorim më të gjerë.

    Ende supozohet se duhet të punohet në aftësitë e tij, e patjetër edhe të fillohet të pranohet ideja e zëvendësimit të mjekur nga pacientët apo të interesuarit mbi diagnozat dhe pyetjet që ata kanë.

    Nga aplikacioni Google janë të bindur se mjetet mjekësore të AI do të jenë një ndryshim pozitiv në mjekësi dhe do t’i lehtësojnë vendimet e diagnostikimit dhe trajtimit.

    Mirëpo ende nuk është sqaruar detaji i fundit dhe më i rëndësishmi, se çfarë ndodhë dhe kush merr përgjegjësi në rast të gabimeve./atvlive.tv/

  • Dhurata Hoxha sërish para Gjykatës për korrupsion, konfrontime verbale mes prokurores dhe kryetarit të trupit gjykues

    Dhurata Hoxha sërish para Gjykatës për korrupsion, konfrontime verbale mes prokurores dhe kryetarit të trupit gjykues

    Ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha së bashku me Ekrem Tahirin, Fitim Mustafën dhe Gëzim Dushin janë duke u gjykuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare në seancën e të martës, të mbajtur në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    Ish-ministrja Hoxha akuzohet se kishte përdorë kontratën e MIE-së për të promovuar fushatën në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019, përderisa kjo kontratë shërbente për të informuar qytetarët rreth procesit të liberalizimit të vizave.

    Në seancën e sotme ka filluar dëshminë dëshmitari Ilir Muqaj, i cili deklaroi se momentalisht është duke punuar në Qeveri, ndërsa pritet të dëgjohet edhe dëshmitarja Blerta Verbovci.

    Gjatë deklarimit të dëshmitarit Muqaj kishte edhe një konfrontim verbal në mes prokurores speciale llirjana Tafa Collaku dhe kryetarit të trupit gjykues, Vesel Ismaili lidhur me konstatimet apo jo të deklarimit te dëshmitarit në procesverbal.

    Kryetari i trupit gjykues iu drejtua me fjalët “je ka i përsërit fjalët oj prokurore, seriozisht nuk po të kuptoj prokurore”.

    Tutje prokurorja Tafa Collaku përsëri kërkoi që t’i lejohet vazhdimi i marrjes në pyetje të dëshmitarit pasi që sipas saj ka ndërhyrje nga kryetari i trupit gjykues dhe nga mbrojtësja e të akuzuarit Gëzim Dushi, avokate Kosovare Krasniqi.

    “Unë diktoj jo ti, ti nuk mundesh të merr rolin e gjyqtarit”, deklaroi gjykatësi, Ismaili.

    Ndërkaq, mbrojtësja e të akuzuarit Dushi avokate Kosovare Krasniqi e ka kundërshtuar një pretendim të tillë të prokurores e pas kësaj trupi gjykues mori aktvendim përmes së cilit konstatoi se mbrojtësja e te akuzuarit Dushi nuk ka bërë ndonjë pengese në kryerjen e punës se prokurores në ketë seancë.

    Andaj, edhe seanca është duke vazhduar me marrjen në pyetje të dëshmitarit të lartcekur, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 12 maj 2022, Dhurata Hoxha ngarkohet se në cilësinë e ministres së MIE-së kishte nënshkruar kontratën për Shërbime të Informimit Publik për nevoja të MIE dhe operatorin ekonomik “PR Solution”.

    Në aktakuzë thuhet se edhe pse ky aktivitet i prokurimit kishte qëllim të informonte qytetarët për procesin e liberalizimit të vizave dhe marrëveshjen e stabilizim-asocimit (MSA), e pandehura Hoxha në kundërshtim me ligjin, si ministre kishte shfrytëzuar këtë duke promovuar fushatën e saj zgjedhore si deputete në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 6 tetor 2019.

    Tutje thuhet se promovimi ishte realizuar me publikimin e banerëve, videove që vinin në pah të pandehurën Hoxha, e në kundërshtim me parimet dhe kushtet e kësaj kontrate, duke i mundësuar të pandehurës përfitim të padrejtë në dëm të buxhetit të Kosovës, në shumën prej 143 mijë e 447 euro e 80 centë.

    I pandehuri Fitim Mustafa akuzohet se në cilësinë e zyrtarit përgjegjës i Prokurimit të MIE-së, me dashje kishte keqpërdoruar detyrën zyrtare pasi kishte kontraktuar dy operatorë ekonomikë, “PR Solution” dhe N.Sh “2B”, të përzgjedhur fillimisht nga Komisioni i Vlerësimit si OE që kishin plotësuar kriteret sipas dosjes së tenderit për aktivitetin e prokurimit “Kontrata për shërbime të informimit publik për nevojat e MIE-së”, duke e vënë kriter shtesë të papërcaktuar në dosje të tenderit, e duke ndikuar kështu në mënyrë të kundërligjshme të eliminohet OE, i cili kishte ofruar çmimin për rreth 192 mijë e 700 euro më të ulët në një tender me kriter çmimin më të ulët, ndërsa me kontratën në fjalë të shpërblehej OE “PR Solution”.

    Me këtë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri Mustafa ka kryer veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, par.2 të Kodit Penal.

    I pandehuri Gëzim Dushi akuzohet se në cilësinë e zyrtarit për komunikim dhe informim në MIE, në periudhën kohore gusht 2019- janar 2020, duke qenë menaxher i kontratës: “Shërbime të informimit publik për nevojat e MIE-së”, me dashje nuk kishte zbatuar dispozitat ligjore për menaxhimin e drejtë të kësaj kontrate, me qëllim që të përfitonte e pandehura Dhurata Hoxha.

    Sipas aktakuzës, i pandehuri kishte lejuar të pranoheshin shërbimet dhe të kryheshin pagesa edhe pse ishte në dijeni se shërbimet e pranuara nuk ishin shërbime konform kushteve të kontratës dhe se ishte në dijeni se shërbimet e pranuara që përfshinin publikimin e banerëve, artikujve dhe video-spoteve që vënin në pah të pandehurën Dhurata Hoxha për zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit 2019, në të cilat kishte kandiduar edhe e pandehura Hoxha.

    Me këtë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, par.2 të KPRK-së.

    I pandehuri Ekrem Tahiri ngarkohet se nga muaji gusht deri në tetor 2019 në cilësi të bashkëpronarit dhe drejtorit të kompanisë “PR Solution” Shpk, kompania e të cilit kishte hyrë kontratë me MIE me qëllim të informimit të qytetarëve rreth proceseve të ndryshme të veprimtarisë së MIE-së, me dashje nuk i kishte kryer në përputhje me kontratën edhe pse ishe në dijeni se shërbimet e kryera nuk ishin shërbimet të ofruara konform kushteve të kontratës sipas dosjes së tenderit.

    Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer veprën penale të ndihmës në kryerjen e keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ndërsa Prokuroria ka pushuar hetimet ndaj tij për veprën penale të mashtrimit.

    Prokuroria Speciale ka kërkuar që të pandehurve Dhurata Hoxha, Gëzim Dushi dhe Fitim Mustafa t’iu ndalohet ushtrimi i funksioneve në administratës publike.

    Kurse, ndaj secilit të pandehur ka kërkuar nga gjykata të shqiptojë dënimin plotësues urdhrin për kompensimin e dëmit të buxhetit të Kosovës./BetimipërDrejtësi/

  • Mijëra mercenarë të Wagner-it në Bjellorusi që nga rebelimi i dështuar

    Mijëra mercenarë të Wagner-it në Bjellorusi që nga rebelimi i dështuar

    Mijëra mercenarë të grupit të lidhur me Rusinë, Wagner, kanë mbërritur në Bjellorusi që nga rebelimi jetëshkurtër i këtij grupi, ka thënë të hënën një grup vëzhgues ushtarak.

    Besohet se 3.450 deri në 3.650 ushtarë kanë shkuar në një kamp afër Asipovichy, një qytet 230 kilometra në veri të kufirit ukrainas, sipas Belaruski Hajun, grupit i cili i gjurmon lëvizjet e trupave ushtarake brenda vendit.

    Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, i mirëpriti forcat e Wagner-it në vendin e tij, pasi e kishte ndërmjetësuar një marrëveshje mes Kremlinit dhe shefit mercenar Yevgeny Prigozhin muajin e kaluar, duke i dhënë fund rebelimit të dështuar të grupit kundër liderëve të ushtrisë ruse.

    Shefi i Wagner-it e quajti rebelimin “marshi i drejtësisë” për t’i rrëzuar liderët kryesorë ushtarakë. Mercenarët u përballën me qëndresë të vogël dhe i rrëzuan të paktën gjashtë helikopter ushtarakë dhe një aeroplan luftarak, duke i vrarë një numër ushtarësh rusë.

    Kjo kryengritje ishte kërcënimi më serioz ndaj presidentit rus Vladimir Putin gjatë sundimit të tij 23-vjeçar, duke ia dobësuar autoritetin dhe duke ia nxjerr në pah dobësitë e Qeverisë.

    Imazhet satelitore tregojnë se rreth 700 automjete dhe pajisje ndërtimi kanë mbërritur në autokolona të Wagner-it në Bjellorusi, tha Belaruski Hajun.

    Prigozhini e ka regjistruar një “kompani për menaxhimin e patundshmërisë” në Bjellorusi javën e kaluar me emër Concord Management and Consulting in Belarus. Dokumentet e analizuara nga mediumi i pavarur bjellorus reform.by, tregojnë se kompania është regjistruar në adresën e njëjtë të fshatit ku është i vendosur kampi mercenar Wagner.

    Ndërkohë, zyrtarët vendorë thanë të hënën se mercenarët po vazhdojnë të punojnë me trupat bjelloruse, përfshirë në qendrat stërvitore afër kufirit polak.

    “Luftëtarët e Wagnerit, të cilët kanë qenë në zjarrin e luftës, po u japin informacione dhe përvojë të vlefshme ushtarëve tanë”, tha Ministria e Mbrojtjes e Bjellorusisë në një komunikatë.

    Pas një takimi me presidentin rus të dielën, Lukashenko tha se trupat e Wagner-it po e “stresonin atë” duke i kërkuar ta bëjnë një “ekskursion” në Poloni.

    Këto deklarata janë hedhur poshtë nga ekspertët, me Institutin Amerikan për Studimin e Luftës që tha se trupat e Wagner-it nuk mund ta kërcënojnë Ukrainën dhe Poloninë.

    “Nuk ka indikacione se luftëtarët e Wagner-it në Bjellorusi kanë armatim të rëndë, që është i nevojshëm për të ndërmarrë ofensivë serioze kundër Ukrainës apo Polonisë, pa riarmatim serioz”, tha Instituti amerikan të dielën.

    Nënkryetari i Drejtorisë Kryesore të Inteligjencës së Ukrainës, Vadym Skibitsky, tha se nuk ka “kërcënim direkt” nga mercenarët rusë në Bjellorusi, por se Kievi do t’i mbajë nën vëzhgim luftëtarët e Wagner-it.

    “Vlerësimi ynë është shumë i thjeshtë: Sot nuk ka kërcënim direkt (nga Bjellorusia), por ne jemi gati. Ne po vëzhgojmë çdo gjë që lidhet me të ashtuquajturin sistemin e mbrojtjes raketore Wagner”, tha ai. /REL/

  • Vdes një viktimë e pranuar në gjykimin ndaj krerëve të UÇK-së: Bashkëshortja e tij e zëvendëson në proces

    Vdes një viktimë e pranuar në gjykimin ndaj krerëve të UÇK-së: Bashkëshortja e tij e zëvendëson në proces

    Ka vdekur një viktimë e pretenduar e krimeve të luftës, që ishte pranuar si e tillë në rastin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në gjykimin në Hagë. Kjo është bërë e ditur me një parashtrim nga trupi gjykues.

    Në këtë vendim të publikuar në faqen zyrtare të Gjykatës Speciale, theksohet se bashkëshortja e viktimës është pranuar të jetë pjesë e procedurave të mëtejshme që do të zhvillohen në Hagë.

    “Më 15 shkurt 2023, Trupi Gjykues pranoi kërkesën e V131/06 për të marrë pjesë si viktimë në këtë procedurë Më 6 qershor 2023, avokati i viktimave njoftoi Panelin për vdekjen e V131/06, dhe paraqiti një kërkesë për të lejuar bashkëshorten e V131/06 të marrë pjesë në procedura”, thuhet në hyrje të këtij vendimi fillimisht.

    Sipas vendimit të trupit gjykues, në ligj nuk specifikohet qartë nëse një familjar i një viktime të pranuar mund të vazhdojë të jetë pjesë e procedurave. Megjithatë, një kërkesë e tillë e avokatit të viktimave u aprovua.

    “Në mbështetje të këtij interpretimi është neni 22(3) i ligjit, i cili parashikon se viktimat kanë të drejtën e njoftimit, njohjes dhe dëmshpërblimit. Siç është vënë në dukje nga gjyqtari i procedurës paraprake, e drejta e njohjes kërkon që të njihet dëmi i pësuar nga viktima. Për të garantuar efektivitetin e kësaj të drejte, të afërmit e viktimave të vdekura ose individë të lidhur ngushtë mund të marrin pjesë në vend të tyre nëse plotësohen parametrat specifikë”, thuhet më tutje në vendim.

    “Gjyqtari i procedurës paraprake gjithashtu mbajti qëndrimin në këtë rast se, në mënyrë që një individ të mbrojë viktimën e ndjerë, duhet të sigurohen prova që: a) viktima ka vdekur dhe b) individi që kërkon të rifillojë veprimin në emër të viktimës së ndjerë ka qenë një i afërm ose një person i lidhur ngushtë”, thuhet më tutje.

    Dhe si rezultat, avokati i viktimave kishte dorëzuar certifikatën e vdekjes dhe dokumentet e tjera të këtij rasti.

    “Avokati i viktimave ka dorëzuar certifikatën e vdekjes V131/06 si dhe certifikatën e martesës së V131/06 dhe bashkëshortit të saj, [I REDAKTUAR].11 Çdo dokument ka indikacione të natyrës zyrtare bazuar në letrën e tyre, paraqitjen dhe vulat zyrtare të pranishme në dokumente. Prandaj, Paneli është i kënaqur me autenticitetin dhe besueshmërinë e dokumentacionit të dorëzuar. Rrjedhimisht, Paneli konstaton se parashtresat e avokatit të viktimave plotësojnë kërkesat e nevojshme të përshkruara në paragrafin 7 për bashkëshortin e V131/06, [REDAKTUAR], që të rifillojë veprimin në emër të V131/06”, thuhet në vendim.

    Si rezultat, kërkesa e avokatit të viktimave është pranuar. Në total, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, janë pranuar në procedura 140 viktima.

    Disa prej këtyre vendimeve kanë qenë dhe janë ende subjekt i ankesave në Gjykatën e Apelit të Dhomave të Specializuara të Hagës.

  • Klinasit protestojnë kundër ndërtimit të fabrikës së çimentos në fshatin Dollc

    Klinasit protestojnë kundër ndërtimit të fabrikës së çimentos në fshatin Dollc

    Shoqata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Ambientit në Klinë ka mbajtur protestë kundër ndërtimit të fabrikës së çimentos në fshatin Dollc të kësaj komune.

    Protesta është mbështetu edhe nga tri partitë më të mëdha politike në vend si Lëvizja Vetëvendosje, LDK dhe PDK.

    Ekipi i ATV-së është duke përcjellë nga afër protestën që po mbahet në Klinë, në kundërshtim të ndërtimit të fabrikës së çimentos.

    Protestuesit thanë se me ndërtimin e kësaj fabrike do të shkatërrohej mjedisi, ajri, burimet e ujit, flora dhe fauna.

  • Protesta të dhunshme në Izrael, shkak reforma gjyqësore e miratuar nga parlamenti

    Protesta të dhunshme në Izrael, shkak reforma gjyqësore e miratuar nga parlamenti

    Protestat e dhunshme në Izrael u ndezën sërish, këtë herë për shkak të miratimit të ligjit nga parlamenti për për të kufizuar kompetencat e Gjykatës së Lartë.

    Policia izraelite u përlesh me turmat e protestuesve gjatë natës, ku nuk munguan as arrestimet. Forcat e rendit në Jerusalem dhe Tel Aviv përdorën presionin uji për të shpërndarë protestuesit që bllokonin autostradat. Kritikët deklaruan se reformat e qeverisë së djathtë kërcënojnë demokracinë izraelite.

    Pas muajsh protestash masive në rrugë për reformën në drejtësi, votimi i së hënës në parlament ishte një fitore e rëndësishme për kryeministrin Benjamin Netanyahu. Ky vendim pjesë e një pakete të madhe reformash, do të parandalojë gjykatën të rrëzojë veprimet e qeverisë që i konsideron të paarsyeshme.

    Netanyahu deklaroi se votimi i reformës ligjore ishte hap i domosdoshëm demokratik, ndërsa i oftoi opozitës të diskutojnë.

    “Ne do të vazhdojmë të përpiqemi për negociata dhe arritjen e marrëveshjeve. Nuk po heqim dorë nga shansi për të arritur një konsensus të gjerë dhe po ju them se është e mundur. Në ditët në vijim koalicioni do të kontaktojë me opozitën për të nisur një dialog mes nesh”, tha ai.

    Një grup mbikëqyrës politik dhe kreu i opozitës qendrore Yair Lapid planifikojnë t’i bëjnë kërkesë Gjykatës së Lartë për të anuluar ligjin e ri.

    Nga ana tjetër sindikatat kanë kërcënuar se do të zhvillojnë një grevë të përgjithshme dhe mijëra rezervistë ushtarakë, duke përfshirë pilotët e forcave ajrore, nëse ligji lejohet të zbatohet./Top Channel/

  • ​Therje me thikë në Vushtrri, arrestohet i dyshuari

    ​Therje me thikë në Vushtrri, arrestohet i dyshuari

    Një person për shkaqe ende të panjohura e kishte goditur me një mjet të mprehtë viktimën mashkull kosovar i cili si pasojë ka pësuar lëndime trupore.

    Rasti ka ndodhur mbrëmë në Vushtrri, ku viktima është dërguar në QKUK për tretman të mëtejmë mjekësor.

    Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke e hetuar rastin për të cilin është njoftuar prokurori.

  • Mërgimtari s’e di që ekziston Korça, e përzien emrin e saj me fjalën me diçka tjetër

    Mërgimtari s’e di që ekziston Korça, e përzien emrin e saj me fjalën me diçka tjetër

    Emisioni veror i ATV-së, “n’mal An’det”, që nisi transmetimin javën e kalaur, vazhdon të sjellë për shikuesit argëtim, intervista dhe eksplorim kulturor.

    Një ndër rubrikat që do ta përcjellin këtë emision është edhe rubrika “Shqipnisht”, përmes së cilës mësohen fjalë dhe shprehje të ndryshme, që përdoren në regjione të rajonit.

    Në kuadër të kësaj rubrike, gazetarja e ATV-së i ka pyetur qytetarët se a e dinë ata kuptimin e fjalës “sallanik”, e cila fjalë përdoret në Korçë. Me ndihmën e gazetares, disa nga të intervistuarit e qëlluan përgjigjen e kësaj fjale.

    Edhe kësaj radhe, krahas pyetjes dhe përpjekjes së tyre për të gjetur përgjigjen, shumë qytetarë lëshuan deklarata interesante para kamerës së ATV-së.

    Një mërgimtar duket se për herë të parë e ka dëgjuar emrin Korçë. Madje ajo këtë e ngatërron me një fjalë tjetër.

    Emisioni n’mal An’det, i cili vjen në një format më ndryshe, drejtohet nga yjet e ATV-së, Roberti, Emira dhe Jeta dhe jepet çdo ditë nga e hëna deri të premten prej orës 21:10.

    Në videon e më poshtme e gjeni emisionin e plotë “n’mal A n’det” që u transmetua mbrëmë:

  • ​FFK/ Të premten hidhet shorti për edicionin e ri të garave

    ​FFK/ Të premten hidhet shorti për edicionin e ri të garave

    Komisioni i Garave brenda Federatës së Futbollit të Kosovës ka njoftuar klubet e Superligës dhe Ligës së Parë se në bazë të Rregullores së Garave tërheqja e shortit për edicionin e ri të garave do të bëhet të premten më 28 korrik.

    Tërheqja e shortit do të bëhet sipas orarit të më poshtëm:

    Superliga në orën 12:00

    Liga e Parë – Grupi A në orën 13:00

    Liga e Parë – Grupi B në orën 13:30

  • Mbytet një 20-vjeçar në plazhin e Velipojës

    Mbytet një 20-vjeçar në plazhin e Velipojës

    Një ngjarje tragjike ka ndodhur mëngjesin e kësaj të marte në Velipojë ku është mbytur një 20-vjeçar.

    Nga të dhënat e para mësohet se i riu ka dalë nga uji në gjendje të rënduar shëndetësore.

    Menjëherë ka mbërritur ambulanca e Velipojës duke i dhënë ndihmën e parë, por 20-vjeçari nuk ka mundur dot të mbijetojë.

    Paraprakisht dyshohet se 20-vjeçari ka humbur jetën nga arresti kardiak, ndërsa do të jetë ekspertiza mjeko-ligjore që do të përcaktojë shkakun e vdekjes.

    Ky vit ka shënuar dhjetëra raste të mbyturish në det e liqene, ku jo më larg se në fundjavë u mbytën 4 persona në liqenin e Banjës në Gramsh./Top Channel/