ATV

Blog

  • BE-ja konfirmon mosorganizimin e konferencës së donatorëve

    BE-ja konfirmon mosorganizimin e konferencës së donatorëve

    Janë bërë 130 ditë nga dakordimi për shtojcën e Ohrit, mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Teksti i aneksit parashikonte organizimin e konferencës së donatorëve, 150 ditë pas arritjes së marrëveshjes, me qëllim krijimin e një pakoje financiare për Serbinë dhe Kosovën.

    Por, në një përgjigje për ATV-në, Bashkimi Evropian ka konfirmuar se aktualisht, nuk është në plan organizimi i një konference të tillë.

    “Është e rëndësishme të kujtojmë se marrëveshja lidh konferencën e donatorëve me progresin në implementimin e marrëveshjes dhe aneksit të saj. Për fat të keq, koha e synuar është penguar nga përshkallëzimi i fundit. Fokusi tani është në shpërshkallëzimin e menjëhershëm të situatës në terren dhe të vazhdohet implementimi i marrëveshjeve të dialogut”, thuhet në njoftimin e BE-së.

    Me mosorganizimin e konferencës së donatorëve, vlerësohet se Kosova është pala që humbi më shumë.

    “Fatkeqësisht Kosova e ka një ekonomi më të dobët ka më shumë nevojë për donacione dhe projekte nga shtetet mike të Bashkimit Evropian, projektet e USAID-it e kështu me radhë”, tha Fitim Mulolli nga “Polcon”.

    Sipas Fitim Mulollit, dy liderët, ai kosovar e ai serb, qëllimshëm po e zvarrisin zbatimin e marrëveshjes së 27 shkurtit dhe aneksin e Ohrit.

    “Si presidenti i Serbisë ashtu edhe kryeministri i Kosovës nuk po e duan këtë marrëveshje dhe po kërkojnë arsyetime të vazhdueshme, për ta shtyrë zbatimin e saj”, tha Mulolli.

    Për vazhdimin e diskutimeve apo finalizimin eventual të planit të sekuencimit, i domosdoshëm për nisjen e zbatimit të Marrëveshjes Bazë dhe Shtojcës, do të nevojitet një takim i nivelit të lartë, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Ky takim nuk pritet të mbahet para pushimeve verore. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Mërgimtarët e përkrahin fushatën për parandalimin e përdorimit të armëve gjatë ahengjeve

    Mërgimtarët e përkrahin fushatën për parandalimin e përdorimit të armëve gjatë ahengjeve

    “Festo me zemër e jo me armë”, është motoja e fushatës së përvitshme të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që synon të parandalojë përdorimin e armëve nëpër ahengje e festa.

    Kësaj radhe ishin mërgimtarët në pikën kufitare në Merdare që iu transmetua thirrja se përdorimi i armës për festime është vepër penale.

    “Arsyeja janë shtimi i ahengjeve, shtimi i popullsisë, pra ardhja e mërgatës, e me këtë shtim edhe shtimi i të shtënave. Mendojmë se institucionet mund të arrijnë ndalimin e shtënies së armëve. Policia e Kosovës vazhdimisht punon në këtë drejtim, por e vetme nuk mund të arrijë të ndalojë këtë fenomen”, tha zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani.

    Për shkak të shtimit të ahengjeve gjatë muajve të verës, u tha se Policia do të jetë më aktive në terren, në mënyrë që të parandalojë ndonjë tragjedi.

    “Jemi këtu sot për të përçuar porosinë për parandalimin e të shtënave festive, qëllimi ynë është të parandalohen këto të shtëna, se të shtënat janë vepër penale dhe dënohet me ligj”, tha menaxher i Projektit për Siguri në Kosovë Në UNDP, Mentor Cakolli.

    Ndonëse të lodhur nga rruga e gjatë, mërgimtarët nuk hezituan të ndalen për të mësuar më shumë rreth fushatës.

    Ndërkaq, zhvillimin e këtij aktiviteti e lehtësonte atmosfera e qetë në pikën e kalimit kufitar në Merdar.

    Çdo vit në Kosovë plagosen dhe vriten fëmijë, gra e burra nga të shtënat nëpër festa. Muaj më parë u plagos një vajzë 15-vjeçare dhe dy meshkuj nga plumba qorr, ndërsa 76 persona të tjerë u plagosën nga mjetet piroteknike. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • AGK-ja me telegram ngushëllimi për vdekjen e gazetarit Haqif Mulliqi

    AGK-ja me telegram ngushëllimi për vdekjen e gazetarit Haqif Mulliqi

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka shkruar një telegram ngushëllimi për vdekjen e gazetarit dhe dramaturgut Haqif Mulliqi.

    “Veprimtarinë e tij si gazetar e kishte filluar në gazetën Bota e Re, (1983 – 1990), duke vazhduar në gazetën Fokus në Kroaci (1992), gazetën Potlet në Zagreb (1988 -1991), e më pastaj edhe si redaktor e korrespodent edhe në shumë gazeta e revista të tjera vendore dhe ndërkombëtare”, shkruan AGK-ja.

    Mulliqi gjithashtu ishte profesor në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Filologjisë në Departamentin e Gazetarisë, si dhe në Fakultetin e Arteve.

    “Ai la pas vetes një krijimtari të gjerë në gazetari, publicistikë e dramaturgji. Gjithashtu, kontribut të jashtëzakonshëm, Mulliqi ka dhënë gjatë viteve 1998-99, në raportimin gjatë luftës në Kosovë”, thuhet tutje.

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe kolegët e tij.

  • Shuhet Haqif Mulliqi

    Shuhet Haqif Mulliqi

    Ka vdekur gazetari dhe dramaturgu Haqif Mulliqi. Lajmin për këtë e ka dhënë vajza e tij, Getoarba Mulliqi.

    “Babi na la.
    Dashnise tone ma te madhe iu ndalen dhimbjet, per me na fillu neve dhimbja e perjetshme.
    Per detajet e ceremonise, ju njoftojme me vone”.

  • Ujëvara magjepsëse e Drinit të Bardhë, një perlë natyrore e Kosovës

    Ujëvara magjepsëse e Drinit të Bardhë, një perlë natyrore e Kosovës

    Pa dyshim që Ujëvara e Drinit të Bardhë, e cila gjendet në fshatin Radavc të komunës së Pejës është një ndër burimet më të rëndësishme të vendit tonë dhe një atraksion turistik.

    Burimi krijon ujëvarën e bukur të Drinit me një gjatësi prej 30 metrash. Në territorin e Kosovës, Drini i Bardh gjarpëron për 122 kilometra në drejtim veri-jug.

    Gjithashtu, ky burim furnizon edhe qytetin e Pejës me ujë të pijshëm për të gjithë banorët.

    Peizazhet malore e ajri i pastër që e rrethojnë këtë vend e bëjnë pikën më tërheqëse dhe më turistike në gjithë Kosovën.

    Ujëvara e Drinit buron rreth bjeshkës së Rusolisë, ku loja e egër natyrore mund të vazhdohet në mënyrë mbresëlënëse.

    Madhështia e ujëvarës së Drinit, të gjithëve nga rrëmben zemrat, sidomos gjatë ditëve të nxehta.

    Ekipi i ATV-së ka qëndruar në këtë pikë turistike, ku ka takuar turistë të shumtë që kishin ardhur për të kaluar ditën nga qytete të ndryshme si të Kosovës, ashtu edhe nga Shqipëria dhe diaspora në përgjithësi. /atvlive.tv

    Në videon e më poshtme e gjeni emisionin e plotë “n’mal A n’det” që u transmetua mbrëmë:

  • Dy persona humbën jetën nga stuhia që goditi veriun e Italisë

    Dy persona humbën jetën nga stuhia që goditi veriun e Italisë

    Dy gra humbën jetën dhe një djalë 16-vjeçar u plagos rëndë pasi stuhitë e forta goditën veriun e Italisë gjatë natës, teksa në jugperëndim të vendit, një zjarr i egër në Sicili detyroi mbylljen e përkohshme të aeroportit të Palermos.

    Në kohën kur pjesa më e madhe e Italisë jugore po përballet me një valë të të nxehtit, gjatë natës një stuhi goditi Milanon, ku shembi çatitë dhe shkuli qindra pemë, duke bllokuar rrugët, thyer makinat e parkuara dhe duke ndërprerë transportin mbitokësor të qytetit më të madh financiar italian.

    “Gjithçka ndodhi rreth orës 4 ose 5 të mëngjesit, ishte shumë e shkurtër, por shumë intensive, rrëzoi disa pemë”, tha për agjencinë e lajmeve Reuters, një dëshmitar i quajtur Roberto Solfrizzo, 66 vjeç.

    Dyert e parqeve publike në qytet u mbyllën dhe njerëzve iu ndalua hyrja në zonat e hapura me pemë për arsye sigurie.

    “Kam kaluar 65 vera në jetën time… dhe ajo që po shoh tani nuk është normale, nuk mund ta mohojmë më, ndryshimi i klimës po ndryshon jetën tonë”, tha kryetari i bashkisë së Milanos, Giuseppe Sala në rrjetet sociale.

    Alarm i kuq për nxehtësinë
    Në rajone të tjera të Italisë, vala e vazhdueshme e të nxehtit që ka përfshirë Evropën Jugore ka vazhduar të mbajë kontrollin e saj, duke bërë që 16 qytete italiane të jenë në alarm të kuq të martën për shkak të temperaturave jashtëzakonisht të larta.

    Ndër këto qytete janë Palermo, kryeqytet i Sicilisë dhe qyteti më i vogël i Katanias. Ditët e fundit, këto zona kanë përjetuar ndërprerje të shpeshta të furnizimit me energji dhe ujë, të cilat zyrtarët vendas ia atribuojnë vapës.

    Në pjesë të caktuara të Sicilisë lindore, temperaturat arritën në 47.6 Celsius të hënën, duke iu afruar rekordit më të lartë evropian prej 48.8 Celsius të regjistruar në këtë ishull dy vjet më parë.

    Aeroporti i Palermos u mbyll përkohësisht të martën kur një zjarr në afërsi e detyroi atë të pezullojë funksionimin. Megjithatë, më vonë në mëngjes, avionët ishin në gjendje të ngriheshin dhe të uleshin përsëri pasi zjarri u vu nën kontroll.

    Autoritetet rajonale thanë se një grua vdiq pasi një ambulancë nuk mundi të arrinte në shtëpinë e saj për shkak të zjarrit.

    Fotot në mediat sociale treguan gjithashtu një zjarr që kërcënonte vendin e lashtë arkeologjik të Segesta, në Sicili.

    Autoritetet lokale thanë se zjarri u shua dhe vendi u mbyll përkohësisht për të kryer kontrolle për dëme të mundshme./REL/

  • Opozita kritikon Bislimin: Me kushtëzime nuk komunikohet me aleatë

    Opozita kritikon Bislimin: Me kushtëzime nuk komunikohet me aleatë

    Dy partitë opozitare, PDK dhe AAK, po e shohin të gabuar kushtëzimin e shpalljes së zgjedhjeve të reja në veri me heqjen e masave ndëshkuese të BE-së. Sipas tyre, kjo qasje e eksponentëve të qeverisë ndaj aleatëve ndërkombëtarë është e gabuar.

    Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se kjo qeveri nuk mund t’i heq sanksionet vendit, andaj duhet të shkohet në zgjedhje të reja.

    “Njerëzit që e kanë vendosë vendin nën sanksione, qofshin ato nga BE-ja, apo ShBA-ja, përfaqësuesit e koalicionit ‘Zdravo’ nuk munden me heq vendin nga sanksionet. Andaj ne kërkojmë që sa më shpejtë që vendi të shkojë në zgjedhje të formojë një qeveri të re kredibile që përfaqëson interesat e qytetarëve”, tha ai.

    Kritik për qasjen e qeverisë në raport me situatën në veri dhe dialogun u shpreh edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

    Ai tha se kushtëzimet e tilla ndaj BE-së e kthejnë prapa Kosovën.

    “Në raport me dialogun dhe shtrirjen e sovranitetin në veri, qeveria vazhdon të eksperimentoj dhe taktizoj me qëllimin e vetëm që të blej kohë. Po ashtu, vazhdon që të godet secilin partner ndërkombëtar, duke përfshirë edhe BE-në dhe ShBA-në në qëndrimet që i kanë dhënë. Ata vazhdojnë t’i japin thikë pas shpine partnerëve tanë në çdo aspekt. Nuk komunikohet kështu me BE-në dhe aleatët tanë pasi kjo vetëm e kthehen Kosovën prapa”, theksoi Tahiri.

    Por në anën tjetër, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se para shpalljes së zgjedhjeve të reja në veri duhet të krijohet kushtet në teren, po ashtu edhe forma sesi vlerësohet Kosova nga BE-ja.

    Ajo e konsideroi emergjente që BE-ja të rishikojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, megjithëse tha se ato momentalisht s’kanë efekt real.

    “Qasja e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës ka qenë shumë më e vrazhdë sesa ndaj Serbisë. Kosova s’ka qenë as iniciuesi i dhunës dhe as shkaktare e eskalimit. Ka qenë Serbia që përmes mekanizmave të jashtëligjshme dhe bandave kriminale në veri të orkestruara nga presidenti Vuçiq që kanë parandaluar komunitetin serb në veri të marrin pjesë në zgjedhje. Andaj e konsiderojmë të padrejtë vënien e masave të cilat ende nuk e kanë efektin e vet në kuptimin real…Është racionale dhe logjikshme se duhet rishikuar masat dhe duhet bazuar edhe nga faktet në teren. Asnjë vlerësim deri tani nuk ka thënë se Kosova ka shkaktuar dhe provokuar dhunë…Zgjedhjet e reja me legjitimet të lartë mund të mbahen kur të jenë kushtet normale në raport me rrethanat e sigurisë por edhe formën sesi vlerësohet Kosova nga BE-ja”, deklaroi ajo.

    Këto komente ata i bënë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, të pyetur nga gazetarët.

    Dje në një takim me gazetarë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka deklaruar se Kosova nuk duhet t’i shpallë zgjedhjet në veri pa u larguar masat ndëshkuese të BE-së.

    Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri u pyet edhe për deklaratat e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj se ish-presidenti Hashim Thaçi ka qenë turistë gjatë kohës së luftës.

    “Ajo çka është e rëndësishme se ne sot po e jetojmë lirinë, shtetin e pavarur si rezultat i luftës së lavdishme të UÇK-së dhe çështjet të tjera janë të parëndësishme. Presidenti Thaçi është në një proces gjyqësor dhe nuk është e ndershme as prej juve, as prej meje dhe të tjerëve me fillu një debat të tillë se kush ka qenë si ka qenë. Besoj se historia do t’ia njeh secilit vendin dhe kontributin e tij. Ajo është më e rëndësishmja”, tha ai.

  • MPB-ja aktivitet me mërgimtarët për parandalimin e të shtënave festive

    MPB-ja aktivitet me mërgimtarët për parandalimin e të shtënave festive

    Duke iu dëshiruar mirëseardhje në vendlindje mërgimtarëve që vinin në Kosovë përmes pikës së kalimit kufitarë në Merdare, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani, diskutoi me mërgimtarët për fushatën që është duke e organizuar Ministria e Punëve të Brendshme, kundër të shtënave festive: “Festo me zemër, jo me Armë”.

    Me këtë rast zëvendësministri Gashani kërkoi nga mërgimtarët që bashkë me institucionet të shpërndajë mesazhet kryesore të kësaj fushate, për të gjithë familjarët e tyre për rreziqet dhe pasojat që vijnë nga të shtënat festive.

    “Mërgimtarët janë një aset i madh për shtetin e Kosovës dhe për gjallërinë që sjellin në vendlindje. Ju kemi përzgjedhur ju, me qëllim që të na ndihmoni të shpërndani këtë mesazh për rrezikun që kanë të shtënat festive dhe të raportoni rastet te Policia e Kosovës. Vetëm duke punuar së bashku mund të ndihmojmë në parandalimin e kësaj dukurie negative e cila i përket së kaluarës”, theksoi Gashani

    Koordinatori për Armë të Vogla dhe të Lehta, njëherit zëvendësministër i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani, gjatë bashkëbisedimit me mërgimtarë, vuri në dukje rreziqet që vijnë nga të shtënat me armë, por edhe pasojat juridike që do t’i kenë qytetarët që shtënë me armë, prandaj theksoi ai është e rëndësishme që të festohet pa armë.

    Ndërsa mërgimtarët mirëpriten nismën e Ministrisë së Punëve të Brendshme në parandalimin e të shtënave festive dhe theksuan gatishmërinë e tyre që të njëjtat mesazhe që morën sot, do t’i ndajnë edhe me familjarët dhe të afërmit e tyre.

    Ministria e Punëve të Brendshme, me 30 qershor filloi zyrtarisht  fushatën ‘Festo me zemër, jo me armë’ me aktivitete në shkolla, takime me Këshillat Komunal për Siguri në Bashkësi, institucionet të sigurisë, institucione fetare dhe asamble Komunale në qytete të ndryshme në Kosovë. Aktivitete të tjera do të përcjellin fushatën gjatë ditëve dhe muajve në vijim, për të ngritur ndërgjegjësimin e qytetarëve për të rritur numrin e raportimeve për të shtënat festive.

    Kjo fushatë është duke u mbështetur nga UNDP dhe SEESAC.

  • E preu gati krejt krahun e djathtë me xham, në QKUK kryhet me sukses operimi i 36-vjeçarit

    E preu gati krejt krahun e djathtë me xham, në QKUK kryhet me sukses operimi i 36-vjeçarit

    Një operacion goxha i rrallë dhe i ndjeshëm u krye para disa ditësh në sallën operative të Klinikës Emergjente, të Qendres Klinike dhe Universitare.

    Bëhet fjalë për rastin e A.R, 36-vjeçar i cili kishte pësuar një aksident të rëndë.

    Ai e kishte prerë gati krejt krahun e djathtë me xham në shtëpi.

    “Mjekët kirurgë, me punë ekipore, (ekipa e Kirugjisë Vaskulare që e udhëheqi operimin, e Kirurgjisë Plastike dhe Rekonstruktive dhe ekipa e Neurokirurgjisë), bashkë me Anesteziologë dhe pjesën tjetër të ekipit operativ, kanë kryer operimin te një pacient i moshës 36 vjeç, duke i realizuar dy bypasse (urëzime), në pjesën e mesme të arteries brahiale dhe venës basilica të djathtë, (arterie kryesore që ushqen dorën me gjak dhe vena sipërfaqsore, e cila e kthen gjakun në zemër)”, thuhet në njoftimin e Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës.

    “Si graft për rekostrukcion të enëve të lëndura, ekipa përdori venën sipërfaqësore të këmbës së djathtë; (Vena saphena magna). Po ashtu ekipa operative, kishte përkujdesur dy venat brahiale dhe kishte bërë hemostazë korrekte. Ekipa e Neurokirurgjisë e bëri qepjen e nervit të dorës, ndërsa ekipa e Kirurgjisë Plastike, bëri qepjen e muskujve dhe të tendinave”.

    “Pas operacionit janë kryer ekzaminimet kontrolluese, ku është konstatuar se intervenimi kirurgjik ishte kryer me sukses të plotë dhe pacienti pas 6 ditë hospitalizimi në Kirurgji Vaskulare, u lirua në shtëpi në gjendje shumë të mirë shëndetësore”.

  • “Përpara jena dashtë ma shumë me njëri tjetrin, tash jo”, banori i fshatit Radavac tregon se si kanë ndryshuar njerëzit

    “Përpara jena dashtë ma shumë me njëri tjetrin, tash jo”, banori i fshatit Radavac tregon se si kanë ndryshuar njerëzit

    Fshati Radavac konsiderohet si një nga pikat më atraktive për të gjithë qytetarët brenda dhe jashtë Kosovës, si një destinacion i këndshëm për të kaluar ditët e pushimit.

    I shtrirë në kilometrin e 11-të nga dalja e Pejës, ky fshat është i rrethuar nga malet e Zhlebit në skaj me Drinin e Bardhë.

    Natyra e bukur, ajri i pastër e bëjnë jetës për banorët më të rehatshëm në këtë fshat.

    Banorët e fshatit Radavc janë me fat që kanë këtë mrekulli natyrore, derisa thonë se nuk mund ë jetojnë askund tjetër.

    Banori i këtij fshati, Sahit Sadrijaj, në një bisedë me ATV-në, tregon se ai kishte një fëmijëri tejet të vështirë.

    “Fëmijëria ka qenë e vështirë në atë periudhën kur unë kam lindu. Veç po e tregoj një, në vitin e parë në gjimnaz në Pejë, prej këtu kam shku në këmbë. Llogarit, 12-13 kilometra me shku e me u kthy. mas një viti ma kanë ble një bicikletë edhe ato e kam pru në kerr të kuajve se s’kam ditë me drejtu derisa jam mësu. Fëmijëria ka qenë goxha e vrazhdët. Edhe pse kemi qenë një familje patriarkale, me mulli e tufë të deleve, të lopëve e të gjitha ato, por jeta ka qenë pak më e vrazhdët”, tregon ai.

    Mirëpo, përkundër vështirësive, ai thotë se më parë, njerëzit janë dashtë më shumë me njëri tjetrin dhe se harmonia ka qenë më në nivel.

    “Sigurisht po, kemi qenë më të lumtur. Ka qenë harmonia mes njerëzve, dashuria me njëri tjetrin, dmth vizitat.. gjithçka ka qenë më në nivel”, thotë ai. /atvlive.tv

    Në videon e më poshtme e gjeni emisionin e plotë “n’mal A n’det” që u transmetua mbrëmë: