ATV

Blog

  • Situata me zjarret në Shqipëri, ministri i Mbrojtjes tregon zonat problematike

    Situata me zjarret në Shqipëri, ministri i Mbrojtjes tregon zonat problematike

    Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi, ka thënë se aktualisht nuk ka flakë në vendgrumbullimin e mbeturinave urbane në Vlorë, por vijon të ketë tym për shkak të djegieve të brendshme.

    Ai ka thënë se Forcat e Armatosura dhe helikopteri Cougar, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile janë angazhuar gjatë ditës në aksionin e shuarjes së vatrave të zjarrit në Peshtan, Qafa e Shkozës dhe fshatin Kreshpan në njësinë administrative Cakran, të bashkisë Fier.

    “Efektivë të Forcave të Armatosura dhe 7 mjete u angazhuan krah forcave zjarrfikëse të bashkisë Vlorë për shuarjen e zjarrit në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane. Aktualisht nuk ka flakë, por vijon të ketë tym për shkak të djegieve të brendëshme, pa probleme për qytetin”, ka thënë ai,

    Ministri i Mbrojtjes ka theksuar se po punohet edhe në disa zona të tjera derisa ka theksuar se situatë problematike ka edhe në fshatin Buz të bashkisë Memaliaj.

    “Po punohet ndërkohë në disa zona të tjera të vendit: në fshatin Çeprat, njësia administrative Shushicë, ku era e fortë favorizon përhapjen e flakëve. Në fshatin Kus pranë Liqenit të Thatë në Tiranë po punohet me 20 forca e 4 mjete për izolimin total të flakëve. Situatë problematike ka edhe në fshatin Buz të bashkisë Memaliaj, ku era vështirëson punën. 13 efektivë dhe një mjet janë angazhuar në shuarjen e zjarrit në fshatin Skrevan në bashkinë Dimal, vatër e cila u riaktivizua”, ka shkruar ai në Facebook.

  • EULEX-i reagon pas kërcënimeve ndaj policëve të rinj serbë

    EULEX-i reagon pas kërcënimeve ndaj policëve të rinj serbë

    Shefi i EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano, ka reaguar pas raportimeve se policët e rinj serbë janë kërcënuar pasi kanë filluar punën të hënën në veri të Kosovës.

    74 policë të rinj nga të gjitha komunitetet joshumicë kanë filluar punën të hënën në veri të Kosovës.

    Nga ky institucion kanë njoftuar se 45 prej tyre janë të komunitetit serb, 16 boshnjakë, tre turq dhe tetë pjesëtarë të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian.

    Barbano tha se është i shqetësuar për raportimet e mediave rreth mesazheve kërcënuese ndaj policëve të rinj të Kosovës, që vijnë nga komunitetet jo-shumicë.

    ”Jam shumë i shqetësuar për raportimet e mediave në lidhje me mesazhet kërcënuese kundër policëve të sapo-dislokuar të Policisë së Kosovës nga komunitetet jo-shumicë. Çdo lloj frikësimi është i papranueshëm dhe theksoj rëndësinë që Policia e Kosovës reflekton dhe përfaqëson tërë popullatën e Kosovës”, ka shkruar ai me anë të një postimi në Twitter.

  • “Rruga Komoran-Drenas-Skenderaj po zgjerohet”, Kurti: Po i zgjidhim problemet një nga një

    “Rruga Komoran-Drenas-Skenderaj po zgjerohet”, Kurti: Po i zgjidhim problemet një nga një

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar të martën se rruga Komoran-Drenas-Skenderaj po zgjerohet.

    Ai tha se po po angazhohen që t’i zgjidhin të gjitha problemet një nga një, “përfshirë këtu edhe shpronësimin e pronave, që na solli vonesa në këtë rrugë.”.

    Sipas tij, më e mira është që punimet po zhvillohen për së mbari, teksa shtoi se kështu zgjerimi i rrugës të përfundojnë sa më parë.

    “Për këtë projekt kemi ndarë: – 13 milionë euro për vitin 2024, – 15 milionë euro për vitin 2025”, ka shkruar ai, sipër fotografive të publikuara në Facebook nga punimet që po vijojnë në këtë rrugë.

  • ​Tri shtëpi e hektarë tokë të djegura në Fier, vatra aktive në Vlorë, Tepelenë e Memaliaj

    ​Tri shtëpi e hektarë tokë të djegura në Fier, vatra aktive në Vlorë, Tepelenë e Memaliaj

    Tri banesat në fshatin Kraps në Fier u dogjën këtë të martë si pasojë e zjarreve masive që përfshinë zonën.

    Nga flakët, u shkrumbuan dhe mijëra hektarë me pyje.

    Pavarësisht ndërhyrjes forcat zjarrfikëse e patën të pamundur neutralizimi e vatrave të zjarrit të cilat prej pesë ditësh vijonin të përhapeshin në të gjithë zonën, raporton Top Channel.

    Flakët u aktivizuan fillimisht në pyjet e Peshtanit e më pas të ndihmuara nga temperaturat e larta dhe era u përhapën në të gjithë zonën.

    Zjarret u vendosën nën kontroll pas ndërhyrjeve nga ajri me helikopterë.

    Drejtori i emergjencave civile, Haki Çako tha se situata është tejet e vështirë dhe se të gjitha strukturat janë në gatishmëri të plotë.

    “Është dita e katërt që flakët kanë përfshirë këtë zonë pyjore. Deri ditën e djeshme e kishim pothuajse në kontroll të plotë duke angazhuar të gjitha forcat. Kemi angazhuar Forcat e Armatosura, ndërhyrjen nga ajri me helikopter, janë angazhuar edhe vullnetarë e struktura të tjera. Perfekti i Qarkut ka qenë në krye. Nuk kemi pasur mundësi që ta izolojmë në kohë për të reduktuar këtë dëm masiv që është shkaktuar në pyje. S’kemi pasur dëme në njerëz. Janë dëmtuar dy banesa të braktisura. Jemi duke e vlerësuar situatën. Jemi të gjithë në këmbë. Është situatë që ka përfshirë të gjithë Europën, sot dita ka qenë kritike sa i takon temperaturave, kjo e ka favorizuar gjithë këtë zjarr. Theksojmë se e kemi në kontroll, vazhdon operacioni”, tha Çako.

    Zjarre pati edhe në fshatin Çeprat në Vlorë. Si pasojë, u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me bimë e pemë. Ndërkohë u rrezikuan dhe banesat.

    Nga ana tjetër një vatër zjarri u shfaq dhe në fshatin Risili, ku flakët arritën deri në anë të rrugës. Ndërkohë forcat zjarrfikëse ndërhynë me mjete rrethanore për të fikur flakët.

    Mungesa e rrugëve por dhe e pajisjeve ua vështirësoi punën efektivëve të Forcave Zjarrfikëse.

    Dy vatra zjarri u shfaqën dhe në bashkinë e Tepelenës dhe atë të Memaliaj. Ndërkohë forcat zjarrfikëse ndodhen në terren dhe po punojnë për shuarjen e flakëve.

  • PDK-ja ia “zbulon” një “rast korruptiv” kryetarit të Gjilanit, fton Prokurorinë për hetim

    PDK-ja ia “zbulon” një “rast korruptiv” kryetarit të Gjilanit, fton Prokurorinë për hetim

    PDK-ja në Gjilan ka hedhur akuza ndaj kryetari të Gjilanit, Alban Hyseni për keq-menaxhim dhe dallavere me një tender mijëra eurosh.

    Sipas PDK-së, Hyseni ka blerë një kamion që vlen 47,919.52 euro pa asnjë procedurë tenderimi.

    Më tej, PDK-ja shprehet se Hyseni bashkë me dy drejtorë të Komunës së Gjilant, ka shkuar në Gjermani për ta blerë kamionin. Një gjë e tillë siç pretendon PDK-ja përbën shkelje të rëndë të ligjit të prokurimit.

    Po ashtu, Partia Demokratike e Kosovës u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që të veprojnë menjëherë për këtë rast.

    “Qeverisja e LVV-së në Gjilan ka humbur plotësisht kontrollën, ku ligjet e Republikës së Kosovës nuk respektohen, sistemi i shpenzimit të buxhetit komunal ka rënë nga funksioni dhe nuk dihet më se ku e si po shpenzohet paraja publike e qytetarëve, pra, është krijuar anarki totale institucionale. Dy vizitat e kryetarit të komunës së Gjilanit z. Alban Hyseni bashkë me dy drejtorë komunal në Gjermani, janë realizuar për të blerë një kamion për Ndërmarrjen Publike Lokale “TREGU” në vlerë prej 47,919.52 euro. Ky veprim skandaloz i tyre, është i dokumentuar prej fillimit e deri në përfundim. Ndërsa vetëm për një faturë për Gjermani janë paguar 3,151.52 euro, për udhëtim e dreka zyrtare nga buxheti i NPL Tregu. Ndërsa ka edhe mijëra euro tjera shpenzime që janë paguar nga buxheti i komunës.”, thuhet në reagimin e PDK-së.

    Nga ana tjetër, PDK-ja tregoi se i është drejtuar zyrtarisht menaxhmentit të NPL “Tregu” për t’u informuar se a janë zhvilluar procedurat e prokurimit.

    PDK-ja thotë se kanë pranuar konfirmimin se kompania e tyre nuk ka zhvilluar asnjë procedurë, përveç që janë ekzekutuar pagesat e faturave që i kanë shkuar nga zyra e kryetarit të komunës.

    “Po ashtu edhe nga Zyra e Prokurimit në Gjilan, është konfirmuar se nuk ka pasur tender të shpallur për blerjen e këtij kamioni. Pra, procedurat e vetme që janë zhvilluar i ka bërë personalisht kryetari Hyseni dhe sekserët e tij Gjermani. Fillimisht ky kamion është doganuar në emër të Kuvendit Komunal Gjilan, pastaj është kthyer në emër të NPL Tregu, pas konstatimeve për shkelje ligjore e kaos të procedurave”.

    Sipas PDK-së, LVV-ja në Gjilan, “përveç degradimit të institucioneve komunale edhe Ndërmarrjet Publike Lokale i ka shndërruar në çerdhe të keqpërdorimeve”.

    “Andaj këto veprime janë të dëmshme, të rrezikshme dhe që duhet të merren masa të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse që e kanë për obligim mbikqyrjen, respektimin e ligjit dhe ndalimin e keqpërdorimeve të mëdha që po ndodhin kudo nga kjo klasë qeverisëse”, thuhet në reagimin publik të PDK-së në Facebook.

    Ndër të tjera, PDK-ja po kërkon shkarkimin e Komisioneve Komunale të Aksionarëve nga Kuvendi Komunal.

    “Gjithashtu, po edhe në këtë deklaratë publike vlen të ritheksohet që është urgjente shkarkimi i Komisioneve Komunale të Aksionarëve nga Kuvendi Komunal, në të gjitha ndërmarrjet publike lokale, për ti ndalur keqpërdorimet e jashtëzakonshme që po ndodhin aktualisht aty. Sërish ne si parti shtetformuese e institucionaliste, ju bëjmë thirrje të gjithë zyrtarëve komunal dhe atyre në ndërmarrjet publike lokale, që të jenë të kujdesshëm dhe mos të veprojnë sipas urdhrave të individëve, por të zbatojnë të gjitha procedurat ligjore. Mos lejoni që përmes kërcënimeve, kushtëzimeve e joshjeve që ata u bëjnë të bini pre, sepse para ligjit të gjithë jemi të barabartë”.

  • Çeku: Sot na la një njeri i veçantë që dha kontribut të jashtëzakonshëm

    Çeku: Sot na la një njeri i veçantë që dha kontribut të jashtëzakonshëm

    Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Harulla Çeku, e ka shkruar një telegram ngushëllimi me rastin e vdekjes së gazetarit dhe dramaturgut, Haqif Mulliqi.

    Çeku në llogarinë e tij në Facebook ka thënë se Mulliqi pas vetes la krijimtari plot vlera në të gjitha sferat e tij të angazhimit, raporton Klan Kosova.

    “Sot na la gazetari, dramaturgu e profesori, Haqif Mulliqi. Një njeri i veçantë që me punën e tij ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për shoqërinë tonë”, ka shkruar ai.

    “Pas vetes la krijimtari plot vlera në të gjitha sferat e tij të angazhimit. Në dramaturgji me vepra që do të mbesin gjithmonë në trashëgiminë tonë, në gazetari si publicist e raportues gjatë luftës në Kosovë e po ashtu në sferën akademike, me angazhimin e tij si profesor në Universitetin e Arteve dhe atë të Gazetarisë”, ka shtuar ai.

    Çeku i ka shprehur ngushëllime familjes Mulliqi, komunitetit artistik dhe atij të gazetarëve.

  • Vjosa Osmani: I përhershëm qoftë kujtimi për Haqif Mulliqin

    Vjosa Osmani: I përhershëm qoftë kujtimi për Haqif Mulliqin

    Presidentja Vjosa Osmani i ka shprehur ngushëllime familjes, komunitetit të gazetarëve dhe komunitetit kulturor për ndarjen nga jeta të gazetarit, profesorit e dramaturgut, Haqif Mulliqi.

    Ajo ka thënë se me dhimbje të thellë e ka pranuar lajmin për ndarjen e nga jeta të gazetarit, profesorit e dramaturgut, Haqif Mulliqi, raporton Klan Kosova.

    “Ai la gjurmë jo vetëm në fushën e gazetarisë, sferës akademike, por edhe në atë të dramaturgjisë, ndaj veprat e tij janë testament për brezat e ardhshëm. Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes, komunitetit kulturor dhe atij të gazetarëve”, ka shkruar ajo në Facebook.

    “Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes. I përhershëm qoftë kujtimi për Haqif Mulliqin”, ka thënë ajo tutje.

  • Telashe me regjistrimin e veturave

    Telashe me regjistrimin e veturave

    Veturën e shiti në 2003-tën. Por ajo i nxori problem 20 vjet pas, Fatmir Krasniqit nga Klina.

    Për shkak se atë kohë, nuk e kishte larguar pronësinë mbi veturën e shitur, ai mezi arriti ta regjistrojë veturën e re.

    “Unë kam shku në Pejë, sepse administrata e Klinës më ka thanë shko në Pejë. Kur kam shku atje, më kanë thanë se kjo veturë po figuron se është e shitur në Prizren, pastaj kam ardhur prapë në Klinë, mandej është dashur të pres edhe 3-4 ditë, derisa Prishtina e konfirmoi se është e shitur në Drenas dhe aty është gjetur pronari i saj edhe është shtyp në emrin tim”, tha Fatmir Krasniqi, qytetar.

    Ani pse të njëjtën veturë e posedon tash e 4 vjet, ai thotë se nuk pati problem më herët, por këto vështirësi i erdhën me vendimin e fundit të Agjencisë së Regjistrimit Civil, që specifikon se kushdo që ka në pronësi një veturë të paregjistruar, të mos mund ta regjistrojë një tjetër, pa e shpronësuar të vjetrën.

    “Për çdo vit d.m.th. e kam regjistruar të njëjtën veturë, që 4 vjet, edhe d.m.th. ajo veturë për 5 minuta është regjistruar në Klinë”, tha Fatmir Krasniqi, qytetar.

    Të njëjtin telash e pati edhe Mustafë Hoti, që nuk mundi ta regjistrojë veturën e re, derisa e largoi pronësinë nga ajo e vjetra.

    “I kam pasur dy vetura të regjistruara, por njërës i ka dalë regjistrimi dhe s’e kam përsëritur më regjistrimin dhe tash e kanë pru një rregullore që duhet me i dorëzu tabelat e asaj veture që s’është e regjistruar, përndryshe veturën tjetër s’mund ta regjistrosh”, tha Mustafë Hoti, qytetar.

    Por, krejt kjo është bërë me qëllim që të zvogëlohet numri i veturave që nuk kanë pronarë, pasi që vlerësohet se sjellin dëme të shumta.

    “Gjatë shfrytëzimit të dy veturave, ti po i ikën taksave, në anën tjetër kur shkakton aksident te fondi i kompensimeve te BSK-ja po ka ngarkesa për kompanitë e sigurimeve, dhe në përgjithësi ka edhe raste të kryerjes së veprave penale kur një veturë përdoret për qëllime tjera, tash ka raste ndoshta kur dikush ia shet veturën por nuk e di për çfarë qëllimi e ka”, tha Sami Mazreku nga Byroja Kosovare e Sigurimit.

    Nuk dihet numri i qytetarëve që kanë probleme të tilla, por brenda vitit, llogaritet që rreth 100 mijë veturave iu ndërrohet pronësia. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • “Ulja e prezencës së policisë në veri”, EULEX i pret ftesën për vlerësim të përbashkët

    “Ulja e prezencës së policisë në veri”, EULEX i pret ftesën për vlerësim të përbashkët

    EULEX-i është në pritje të ftesës për të bërë vlerësimin e përbashkët të situatës së sigurisë në veri të Kosovës dhe mundësinë e uljes së mëtejme të prezencës së policisë në dhe përreth ndërtesave komunale.

    Në një përgjigje për ATV-në, Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë lë të kuptohet se ende nuk është bërë vlerësimi i përbashkët – siç parasheh pika e dytë e dakordimit të 10 Korrikut, në Bratislavë, për hapat e parë për shtensionim të situatës në veri.

    “Sipas hapave të dakorduar, Kosova duhet të mbajë rregullisht vlerësime të përbashkëta me EULEX-in dhe me KFOR-in sipas rrethanave, për të vlerësuar mundësinë e uljes së mëtejme të prezencës së policisë. Si reagues i dytë i sigurisë në Kosovë, ne mbesim në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës në këtë çështje, dhe ne presim që të ftohemi nga lidershipi i Policisë së Kosovës për të marrë pjesë në vlerësimin e përbashkët të sigurisë”, thuhet në njoftimin e EULEX-it.

    “E qetë, por ende e brishtë” është përshkrimi që EULEX-i i bën situatës së sigurisë në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

    Në Qeveri nuk treguan specifikisht nëse do të ketë vlerësime të përbashkëta çdo dy javë me EULEX-in dhe KFOR-in.

    “Institucionet tona të sigurisë janë në kontakt, komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm me KFOR-in dhe EULEX-in… Qeveria e Kosovës po e respekton detyrimin e saj që buron nga dakordimi i Bratislavës, ku ulëm për 25% prezencën e policisë në dhe rreth ndërtesave komunale. Megjithatë, ne vazhdojmë të jemi vigjilent mbi zhvillimet atje, me përkushtim maksimal të respektimit e sundimit të ligjit dhe kushtetutshmërisë në njërën anë, dhe ruajtjes së rendit e sigurisë në anën tjetër”, tha Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.

    Jo-zyrtarisht ATV-ja mëson se Qeveria konsideron se vlerësimet e përbashkëta do të bëhen vetëm në varësi të rrethanave dhe jo rregullisht çdo dy javë.

    Qeveria vlerëson se shtensionimi nga ana e Kosovës ka filluar dhe se me uljen e prezencës policore në dhe përreth ndërtesave komunale për 25%, ka përmbushur detyrimet nga dakordimi i Bratislavës. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Banorët e Klinës e kundërshtojnë ndërtimin e fabrikës së çimentos

    Banorët e Klinës e kundërshtojnë ndërtimin e fabrikës së çimentos

    Freskinë në temperatura të larta po e gjen nën hijen e pemëve. Por hijen e tyre banorët e fshatit Dollc kanë frikë se nuk do ta shfrytëzojnë më, nëse komuna e Klinës lejon që fabrika e çimentos të ndërtohet aty.

    Kështu të rinj e të moshuar u bënë bashkë që protestën e së martës ta bëjnë pikërisht para komunës, duke i thënë “jo” ndërtimit të kësaj fabrike.

    “Po i pyes ata që ua kemi dhënë votën, ata që kanë premtuar e që po thonë se e duan vendin e vet. Pse duhet ta bëjmë dikë milioner, pse duhet qytetarët ta falin vendin e vet, pse duhet të ndotet ajri. Nuk po kërkojmë luks, qytetarët po duan rehati, ujë e tokë”, tha Egzona Shala, përfaqësuese e OJQ-ve.

    “Ata që nuk dhanë asgjë për këtë vend, duan t’i marrin të gjitha. Unë fuqishëm jam dhe do jem kundër ndërtimit të kësaj fabrike”, tha Ramadan Gashi, qytetar.

    “Të jetojmë në vendin tonë. Fabrika e çimentos jo dhe duhet të jetë jo. Derisa ne kundërshtojmë, nuk do të ndërtohet kjo fabrikë”, tha Nrec Mirdita, qytetar.

    Ata patën edhe akuza ndaj të parit të kësaj komune, Zenun Elezaj.

    “Në takime që kemi pasë me kryetarin, me shumë bindje na thoshte se derisa të ketë banorë kundër ndërtimit të fabrikës së çimentos, nuk do të lejohet kjo. Për më keq, ai prapa shpine punonte që operatorët të pajisen me dokumentacion dhe këtë e bënte në mënyrë tinëzare. Ai mori përsipër ta mësitnojë këtë punë dhe të arrijë ta pajisë me dokumentacion operatorin ekonomik”, tha Veton Rraci, organizator.

    “Komuniteti jonë nuk është kundër investimeve, por është kundër fabrikave të çimentos që janë ndotësit e tretë në botë. Kryetari na thotë jemi me popullatën e lëshon pëlqime pas shpine”, tha Sylejman Gashi, qytetar.

    Por zyrtarë të kësaj komune nuk ishin të qasshëm as për protestuesit e as për mediat.

    Ndërkohë, ATV-ja ka pyetur edhe Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, në lidhje me atë se cila do të jetë zgjidhja për kërkesat e banorëve të fshatit Dollc, por as ajo nuk ka kthyer përgjigje.

    Gjithashtu, banorët thonë se nëse institucionet nuk gjejnë zgjidhje, ata sërish do t’i bllokojnë rrugët me protesta. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: