ATV

Blog

  • Aksident te rrethi i Spitalit në Prishtinë

    Aksident te rrethi i Spitalit në Prishtinë

    Një aksident mes autobusit të trafikut urban dhe një veture sapo ka ndodhur te rrethi i spitalit në Prishtinë.

    ATV raporton se nga ky aksident, pos dëmeve materiale, nuk ka të lënduar, por që i njëjti ka shkaktuar vështirësi të qarkullimit të automjeteve në këtë rrugë.

    Për më shumë detaje, shikoni videon e më poshtme të siguruar nga ATV. /atvlive.tv

  • Hovenier: Kërcënimet ndaj policëve në veri janë të papranueshme

    Hovenier: Kërcënimet ndaj policëve në veri janë të papranueshme

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, është shprehur i shqetësuar për raportimet se zyrtarët e ri policorë në veri të vendit që vijnë nga komunitetet janë kërcënuar.

    Hovenier, thotë se janë të papranueshme kërcënimet dhe frikësimet ndaj individëve që shërbejnë për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

    “Ndaj plotësisht këto shqetësime. Kërcënimet dhe frikësimet ndaj individëve që shërbejnë për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës janë krejtësisht të papranueshme. Siç e kam thënë edhe më parë, Policia e Kosovës ekziston për t’i shërbyer të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe përbërja e saj duhet të pasqyrojë diversitetin e Kosovës” ka thënë Hovenier.

    74 policë të rinj të hënën morën detyrën e tyre në veri të vendit.

    Nga këta 74 policë, 45 janë të komunitetit serb, 16 boshnjakë, 8 romë, ashkali e egjiptianë, si dhe 3 turq.

    Me të marrë detyrën u raportua se të njëjtit janë kërcënuar disa herë.

  • Borrell dënon djegien e Kuranit në Danimarkë

    Borrell dënon djegien e Kuranit në Danimarkë

    Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka dënuar djegien e Kuranit, pasi një grup i quajtur “Patriotët Danezë” jashtë Ambasadës së Irakut në Kopenhagë të Danimarkës.

    Kryediplomati evropian e ka cilësuar këtë veprim si “ofendues, mosrespektues dhe provokim i qartë” dhe ka thënë se “respekti për diversitetin është një vlerë thelbësore e Bashkimit Evropian. Kjo përfshin respektin për komunitetet e tjera fetare”.

    “Shprehjet e racizmit, ksenofobisë dhe intolerancës përkatëse nuk kanë vend në Bashkimin Evropian. Ne vazhdojmë të mbrojmë lirinë e fesë apo besimit dhe lirinë e shprehjes, jashtë dhe brenda; por jo çdo gjë që është e ligjshme është etike”, thuhet në deklaratën e Borrellit, të publikuar nga shërbimi për shtyp i Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS).

    Në faqen e tij në Facebook, grupi i ekstremit të djathtë, Danske Patrioter, publikoi një video ku një burrë shihej duke djegur atë që dukej të ishte një kopje e Kuranit dhe duke shkelur mbi një flamur të Irakut.

    Zëvendëshefja e policisë së Kopenhagës, Trine Fisker, ka thënë për AFP-në se “jo më shumë se dhjetëra” protestues ishin mbledhur para ambasadës irakiane.

    “Unë, po ashtu, mund të konfirmoj se një libër është djegur. Ne nuk e dimë se cili libër ka qenë”, ka thënë ajo. “[Protesta] ishte mjaft paqësore”, është shprehur Fisker.

    Javën e kaluar, turmat ia kanë vënë flakën Ambasadës së Suedisë në Bagdad, pas planeve për djegie të Kuranit në Stokholm.

    Akti i fundit që ka ndodhur në Kopenhagë ka nxitur marshe edhe në kryeqytetin e Jemenit, Sana, ku është shprehur zemërim i thellë për Danimarkën dhe Suedinë, që kanë lejuar akte të tillë.

    Shumë kombe myslimane e kanë dënuar këtë akt. Turqia e ka konsideruar incidentin si “sulm të neveritshëm” ndaj Kuranit, derisa Ministria e Jashtme e Algjerisë i ka ftuar për intervistë ambasadorët e Danimarkës dhe Suedisë për t’i dënuar aktet.

    Rreth 1.000 protestues në Bagdad kanë tentuar të hyjnë në Ambasadën e Danimarkës, pas incidentit. Edhe në Iran ka pasur protesta të shtunën lidhur me këto akte.

    Mediat lokale në Katar kanë raportuar se tregu më i madh i shtetit, Souq Al Baladi i ka larguar të gjitha produktet suedeze nga vitrinat, si shenjë proteste.

    Danimarka e ka dënuar djegien e Kuranit duke thënë se “këto akte provokative dhe të turpshme nuk e përfaqësojnë Qeverinë daneze.

    Autoritetet e Suedisë e kanë dënuar djegien e librit të shenjtë dhe aktin e kanë konsideruar si islamofobik.

    Myslimanët e konsiderojnë përmbajtjen e Kuranit si fjalë të Zotit, dhe çdo dëm që i shkaktohet librit me qëllim, konsiderohet mungesë respekti dhe ofendim i rëndë për ta.

  • Konjufca priti në takim lamtumirës ambasadorin e Austrisë, Christoph Weidinger

    Konjufca priti në takim lamtumirës ambasadorin e Austrisë, Christoph Weidinger

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim lamtumirës ambasadorin e Republikës së Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger.

    Kryetari Konjufca falënderoi ambasadorin Weidinger për kontributin e tij në fuqizimin e partneritetit dhe thellimin e marrëdhenieve dypalëshe, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme që Austria i ka dhënë Republikës së Kosovës në të gjitha proceset e shtetndërtimit.

    Kreu i Kuvendit vlerësoi lart rolin e Austrisë mike si një partnere e rëndësishme dhe përkrahëse e fuqishme e Kosovës në rrugën e integrimit euroatlantik. Ai po ashtu vlerësoi bashkëpunimin në projekte të përbashkëta, veçmas në sferën e legjislativit dhe të diplomacisë parlamentare.

    Ambasadori Weidinger nga ana e tij e falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen, si dhe rikonfirmoi gatishmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit të ndërsjellë mes dy shteteve tona. ​

  • Infarkti në det, pse po preken edhe moshat e reja? Mjeku kardiolog tregon gabimin që mund të jetë fatal

    Infarkti në det, pse po preken edhe moshat e reja? Mjeku kardiolog tregon gabimin që mund të jetë fatal

    Në këto ditë përvëluese të gjithë i drejtohemi plazhit, por askush nuk është imun nga problemet me zemrën nga temperaturat arrijnë në 43 gradë Celcius.

    Janë pafund lajmet e verës për njerëz që pësojnë arrest kardiak sapo bien në kontakt me ujin gjatë pushimeve, edhe pse e pazakontë, këtu nuk përjashtohen edhe të rinjtë.

    Jo më larg se dje, një djalë vetëm 20 vjeç pësoi arrest kardiak sapo ra në kontakt me ujin në plazhin e Velipojës. Vapa është armiku kryesor jo vetëm i personave që vuajnë nga patologji kardiake, por i kujtdo që ekspozohet gjatë në diell, në orët më të nxehta të ditës.

    Por cilat janë shkaqet, dhe pse gjithnjë e më shumë pushuesit pësojnë infarkt në det?

    Top Channel i është drejtuar mjekut kardiolog Novrus Çaushaj, i cili tregon sesa e rrezikshme është futja e menjëhershme në ujë.

    “Një nga shkaqet kryesore për njerëzit e shëndetshëm, por edhe ata të sëmurë është qëndrimi i gjatë në diell ose lojërat në rërë (futboll, volejboll etj.), që e rrisin shumë temperaturën trupore. Shtojmë këtu edhe temperaturën e mjedisit. Kur futen në ujë menjëherë, diferenca mes temperaturës së ujit dhe trupit është shumë e madhe dhe këtu ndodh tkurrja e menjëhershme e enëve të gjakut, me pasoja katastrofale për zemrën, deri në arrest kardiak. E vetmja metodë për të shmangur rrezikun e një arresti kardiak, është futja me kujdes në përshtatje ndaj temperaturës së ujit, duke e freskuar trupin dhe këmbët për gati 10-15 min, pastaj zhytja e gjithë trupit.”-tha ekskluzivisht për Top Channel, mjeku kardiolog.

    Ai thekson se janë shtuar rastet e sëmundjeve të zemrës edhe te moshat e reja, teksa rendit edhe veset të cilat zemra nuk i do, siç është kequshqyerja, alkooli, duhani, drogat apo jeta pasive.

    “Aktualisht edhe në vendin tonë është vënë re nga kardiologët që është ulur mosha e shfaqjes së shenjave të sëmundjeve të zemrës, ashtu sikundër është edhe infarkti akut i miokardit. Nëse para 25 viteve dhe më tutje kjo sëmundje shfaqej te moshat mbi 55-vjeçe, tani e gjejmë në mosha më të reja nën 40 vjeç, madje edhe te femrat, edhe pse janë të mbrojtura nga prezenca e hormoneve femërore.

    Shkaqet janë disa por po përmend më të rëndësishmet. Ushqyerja pa kriter, jo e kontrolluar dhe aspak e shëndetshme. Përdorimi pa kriter i alkoolit dhe lëngjeve të sheqerosura. Futja te rinia jonë e “kulturës” europiane dhe me tutje e përdorimit të të gjitha llojeve të drogave (të lehta dhe të rënda).

    Këta përdorues janë grupi me moshë akoma më të re të shfaqjes së kësaj sëmundjeje. Fillimi i përdorimit të duhanit në mosha edhe më të vogla, është gjithashtu shkaktar. Ky është një brez pasiv, që rri larg jetës aktive fizike ku aktiviteti i rregullt fizik është një nga “mjekimet” më të mira natyrale të kësaj sëmundje.”-thekson mjeku kardiolog./TCH/

     

  • NLB Banka ndan 100,000€ donacion për bamirësi

    NLB Banka ndan 100,000€ donacion për bamirësi

    Çdo ditë, shumë njerëz rreth nesh përballen me vështirësi të ndryshme, qoftë dhunë, sëmundje, varfëri apo vështirësi të tjera që nuk janë të lehta dhe që nevojitet ndihmë për tejkalimin e tyre.  Kjo është arsyeja pse Grupi NLB ka vendosur të dhurojë 1.35 milionë euro në të gjitha tregjet në rajonin ku operojmë. Punonjësit e Grupit NLB propozuan rreth 100 organizata dhe në fund me votim zgjodhën më shumë se 30 përfitues, duke përfshirë shoqata të ndryshme, organizata humanitare dhe grupe për të cilat do të dhurojmë ndihmë financiare.

    Në ngjarjen e mbajtur sot në zyrën qendrore të Bankës, donacionet iu dorëzuan gjashtë përfituesve  që së bashku do të pranojnë 100,000€ donacion. Organizatat e përzgjedhura sipas votimit nga të punësuarit e Bankës mbulojnë disa fusha siç janë: kujdesi për fëmijët, kujdesi për familjet, kujdesi për të moshuarit, si dhe kujdesi për punonjësit që gjenden në vështirësi për shkak të ndonjë sëmundje të rëndë apo aksidenti.

    “Ne e shohim përgjegjësinë ndaj klientëve, punonjësve dhe shoqërisë si misionin tonë. Në të njëjtën kohë, ne e dimë se nuk mund ta ndryshojmë për mirë shoqërinë vetëm, por së bashku me individë dhe organizata humanitare që tashmë janë duke punuar në projekte të dobishme shoqërore dhe duke përmirësuar cilësinë e jetës në vendin tonë. Ne jemi të lumtur kur ndihmojmë, motivojmë dhe frymëzojmë vepra të mira, dhe jo vetëm këtu po në të gjithë rajonin e Evropës Juglindore ku operon Grupi NLB” tha z. Gazmend Kadriu, Kryetar i Bordit Udhëheqës në NLB Banka.

    “Jam krenar për donacionin e këtij viti, jo vetëm për organizatat e përkushtuara dhe humanitare që pasurojnë shoqërinë tonë, por edhe për kolegët e mi në Grupin NLB, të cilët me shumë përkushtim dhe krenari propozuan dhe votuan për përfituesit e këtij donacioni. NLB ka dëshmuar edhe një herë se është shumë më tepër sesa thjesht një institucion financiar rajonal, pasi rezultatet e saj të biznesit dhe operacionet e qëndrueshme janë shembull edhe për institucionet tjera në rajon” tha Blaž Brodnjak, CEO në NLB d.d.

    Këto janë organizatat përfituese në Kosovë nga ky donacion:

    1. NFK “Ndihmë fëmijëve me kancer”
    2. Hanidkos Podujeva
    3. Shoqata “Autizmi flet”
    4. Shtëpia e të moshuarve në Prishtinë
    5. SOS Fshatrat e fëmijëve
    6. Fondi për të punësuarit në NLB Banka

    Në fjalimet e tyre, përfituesit e donacioneve shprehën mirënjohjen e tyre të madhe për Bankën dhe theksuan se NLB është një shembull i vërtetë i një kompanie të përgjegjshme, me vetëdije për solidaritet dhe ndjeshmëri.

    Mbështetja e aktivitetet të tilla që përkrahin komunitetin do të vazhdoj edhe në të ardhmen, me qëllim të përmirësimit së cilësisë së jetës në vendin tonë për sot dhe për të ardhmen.

  • Kurti: S’i di hollësitë për lirimin e të dyshuarve për sulme në veri, me Prokurorinë s’jam i kënaqur

    Kurti: S’i di hollësitë për lirimin e të dyshuarve për sulme në veri, me Prokurorinë s’jam i kënaqur

    Kryeministri Albin Kurti iu ka kërkuar gazetarëve që të marrin përgjigje nga Këshilli Prokurorial për lirimin e të arrestuarve në veri.

    Kurti tha në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë se nuk është i kënaqur me Prokurorinë dhe se nuk i di detajet e lirimeve të fundit.

    “Unë nuk i kam parasysh hollësitë e lëndëve të veçanta dhe as detajet se qysh është marrë vendimi i tillë. Natyrisht, ju e dini se në përgjithësi me Prokurorinë nuk jam i kënaqur. Besoj që kanë treguar një lloj pasiviteti konstant”, tha Kurti.

    Kryeministri përmendi se institucionet i kanë ofruar “numër të madh të informacioneve” organeve të ndjekjes.

    “Ata do të duhej të japin përgjigje se si bëhet që dikush qëndron në paraburgim për muaj të tërë, e dikush as një muaj ose as tre muaj, siç zakonisht bëhet vazhdimi i paraburgimi”, tha Kurti.

    “Edhe unë nuk jam i bindur për korrektësinë”, theksoi ai.

  • ‘Kthena n’Kosovë për 250 euro’ – Befason mërgimtari, thotë se kthehet për të jetuar në Kosovë nëse ia japin këtë pagë, gazetarja i ofron punë menjëherë

    ‘Kthena n’Kosovë për 250 euro’ – Befason mërgimtari, thotë se kthehet për të jetuar në Kosovë nëse ia japin këtë pagë, gazetarja i ofron punë menjëherë

    Emisioni veror i ATV-së, “n’mal An’det”, që nisi transmetimin javën e kaluar, vazhdon të sjellë për shikuesit argëtim, intervista dhe eksplorim kulturor.

    Një prej rubrikave që u kushtohet mërgimtarëve është rubrika “A më mirë ktu a atje”, ku çdo ditë për mërgimtarët ka pyetje të ndryshme.

    Në emisionin e mbrëmshëm, pyetja për mërgimtarët nga gazetarja e ATV-së ishte: Për çfarë page do të vinin të jetonin sërish në Kosovë?

    Një i ri mërgimtar ka befasuar gazetaren me kërkesën e tij për pagë minimale për të jetuar në Kosovë.

    “Isha kthy në Kosovë me e pasë punën, se vendi është i mirë këtu. Për 250 euro kisha ardh me jetu këtu se vendi i mirë është në Kosovë”, thotë mërgimtari.

    Pas këtyre fjalëve, gazetarja i thotë: “Sot ta gjejmë punën, a kthehesh?”

    “Po kthehna, 100 për qind”, ia kthen mërgimtari.

    Emisioni n’mal An’det, i cili vjen në një format më ndryshe, drejtohet nga yjet e ATV-së, Roberti, Emira dhe Jeta dhe jepet çdo ditë nga e hëna deri të premten prej orës 21:10.

    Në videon e më poshtme e gjeni emisionin e plotë “n’mal A n’det” që u transmetua mbrëmë:

  • Szunyog: Masat janë të përkohshme, por nevojitet angazhim konstruktiv për shpërshkallëzim

    Szunyog: Masat janë të përkohshme, por nevojitet angazhim konstruktiv për shpërshkallëzim

    Ambasadori i Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog ka përsëritur sot se masat e BE-së ndaj Kosovës janë të përkohshme dhe të kthyeshme. Megjithatë, ai ka theksuar se nevoijitet angazhim konstruktiv për të përmbushur shpërshkallizimin e situatës në veri.

    Kështu është deklaruar Szunyog pas takimit me Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme.

    “Patëm një shkëmbim të mirë me Komisionin për Punë të Jashtme për zhvillimet e fundit dhe situatën në veri. I shpjegova se 🇪🇺Masat e BE-së janë të përkohshme dhe të kthyeshme, por nevojitet një angazhim konstruktiv për të përmbushur de-përshkallëzimin siç kërkohet nga deklarata BE27 e 3 qershorit”, ka shkruar ai në Twitter.

  • Aksioni i KRU “Prishtina” në Graçanicë për shkyçje nisë në një biznes borxhi i së cilës kalon 2 mijë euro

    Aksioni i KRU “Prishtina” në Graçanicë për shkyçje nisë në një biznes borxhi i së cilës kalon 2 mijë euro

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” sot ka filluar një aksion në Graçanicë, për shkyçjen e konsumatorëve borxhlinj.

    ATV raporton se aksioni i sotëm i KRU “Prishtina” për shkyqje ka filluar në një biznes në Graçanicë, borxhi i së cilit është 2376 euro.

    Aksioni për shkyçjen e konsumatorëve borxhlinj do të vazhdojë gjatë ditës në këtë komunë.

    ATV është duke përcjellë aksionin e KRU “Prishtina” në vend të ngjarjes dhe për detaje të reja nga ky aksion do t’ju informojmë me kohë.

    Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme, KRU “Prishtina” përmes një njoftimi ka paralajmëruar aksionin e sotëm në komunën e Graçanicës për shkyçjen e konsumatorëve borxhlinj. /atvlive.tv