ATV

Blog

  • KRU “Prishtina” me aksion për shkyçje në Graçanicë

    KRU “Prishtina” me aksion për shkyçje në Graçanicë

    Krejt këtë revoltë e shkaktoi pasi që pronarja e këtij lokali në Graçanicë kuptoi se do t’i ndërpritet furnizimi me ujë në lokalin e saj, për shkak të borxhit mbi 2 mijë euro ndaj Kompanisë Rajonale të ujësjellësit “Prishtina”.

    Por përkundër rezistimit, shkyçja u bë.

    “I kam fëmijët katër vjet dhe gjashtë vjet, mos e dhashtë zoti të më shkyçësh nga uji, se a e di çfarë ndodh më pas. Pse keni ardhur në fshatin tim, kjo s’është e shqiptareve kjo është e serbëve”, thotë një qytetar.

    Aksioni vazhdoi edhe nëpër fshatra. Në Llapnasellë, u shkyç shtëpia e një qytetari tjetër serb me mbi 3 mijë euro borxh.

    Pas aksionit, banorët lokalë akuzuan Kompaninë e ujësjellësit për veprime politike.

    Zëdhënësja e kompanisë rajonale “Prishtina”, tha se ky aksion është vazhdimësi e aksionit që javë më parë filloi në Prishtinë, duke paralajmëruar se shkyçjet do të jenë intensive.

    “Sot jemi në komunën e Graçanicës për t’i shkyçur të gjithë konsumatorët që kanë kyçje ilegale e borxhe ndaj KRU-së. Ky aksion do të vazhdojë deri vonë në Graçanicë e do të vazhdojë edhe në Llapnasellë, shumë prej nesh kanë filluar të politizojnë këtë çështje, por ne s’kemi filluar me këtë komunë por me Prishtinën”, tha Arjeta Mjeku nga KRU “Prishtina”.

    Një aksion i tillë do të vazhdojë edhe ditën e nesërme, kësaj radhe në komunën e Shtimes. Shuma e borxheve ndaj kësaj kompanie kalon vlerën e mbi 45 milionë eurove. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Keqpërdorimet me pensione, projektligji për skemën pensionale nuk ofron zgjidhje

    Keqpërdorimet me pensione, projektligji për skemën pensionale nuk ofron zgjidhje

    Sipas statistikave, në muajin qershor në Kosovë kanë marrë pensionin bazik të moshës, mbi 148 mijë qytetarë.

    Por një numër i konsiderueshëm i tyre, ani pse jetojnë jashtë vendit, përfitojnë edhe pensionin e pleqërisë në Kosovë.

    Këtë keqpërdorim që vazhdon me vite, nuk pritet ta rregullojë as Ligji i ri për skemën pensionale, që tashmë është miratuar në Qeverinë e Kosovës.

    Këtij projektligji i është shtuar vetëm një paragraf, përmes të cilit iu ndalohet qytetarëve që nuk janë rezidentë në Kosovë të marrin pensione, nëse nuk janë të pranishëm fizikisht në vend mbi 183 ditë brenda vitit.

    Kjo praktikë e keqpërdorimit nuk po shihet se do të arrihet të zgjidhet vetëm përmes kësaj pike të ligjit.

    “Duhet një kontroll më i mirë, në vitin 2015 janë larguar më shumë se 10 mijë veta bazuar në një udhëzim administrativ, janë larguar nga skema pensionale. Ky nen mundohet ta përkufizojë më mirë, por te implementimi duhet të gjendet një mënyrë që të identifikohet që në bazë të ligjit nuk i takon pensioni”, tha Selatin Kllokoqi nga organizata “D+”.

    Për zbatimin e mëtejmë të kësaj dispozite, në projektligj thuhet se Ministria përgjegjëse mund të nxjerrë akt nënligjor.

    Deputeti nga partia në pushtet, Eman Rrahmani, beson se më konkretisht zgjidhjen e kësaj do ta mundësojë njëra nga marrëveshjet ndërkombëtare tashmë të miratuara.

    “Para rreth një muaji është kaluar një marrëveshje ndërkombëtare, e cila është financuar rreth 40 milionë euro për reformë në skemën pensionale dhe besoj që me ato reformë do të trajtohet secila problematikë. Edhe çështjen të cilën ju e ngritët, por edhe shumë çështje të tjera do të rregullohen përmes marrëveshjeve ndërkombëtare, që parashihet edhe një konsulent që do të vijë nga jashtë për të ndihmuar në skemën pensionale”, tha deputeti i LV-së, Eman Rrahmani.

    Ndërkohë, projektligji për skemën pensionale do të shqyrtohet në lexim të parë në Kuvend të premten. /atvkuve.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Vdes në moshën 56-vjeçare, legjenda e muzikës Sinead O’Connor

    Vdes në moshën 56-vjeçare, legjenda e muzikës Sinead O’Connor

    Ka vdekur në moshën 56-vjeçare legjenda irlandeze e muzikës, Sinead O’Connor, raportojnë mediat e huaja, transmeton atvlive.tv.

    18 muaj më parë, asaj i kishte vdekur edhe djali i saj 17-vjeçar, Shane.

    Ylli irlandez i muzikës, tash e disa vite ishte në betejë me shëndetin mendor.

    Këngëtarja e mirënjohur nga Dublini publikoi 10 albume në studio, ndërsa kënga e saj “Nothing Compares 2” u u emërua singulli numër një botëror në vitin 1990 nga Billboard Music Awards.

    O’Connor iu dha çmimi inaugurues për albumin klasik irlandez në RTÉ Choice Music Awards në fillim të këtij viti.

    Këngëtarja mori një ovacion të fortë teksa ia kushtoi çmimin, për “I Do Not Want What I Haven’t Got”, “secilit dhe çdo anëtari të komunitetit të refugjatëve të Irlandës”.

    Muzikantja e njohur me famë botërore, në vitin 2018 kishte ndryshuar emrin në Shuhada’ Sadaqat, pasi që ishte konvertuar në fenë islame. /atvlive.tv

  • BE-ja nuk ndryshon mendje, në fuqi masat ndëshkuese ndaj Kosovës

    BE-ja nuk ndryshon mendje, në fuqi masat ndëshkuese ndaj Kosovës

    Masat ndëshkuese ndaj Kosovës, vazhdojnë të jenë në fuqi edhe pas pajtueshmërisë mes Kosovës dhe BE-së në Bratislavë dhe tërheqjes së 25% të forcave policore nga ndërtesat komunale në 4 komunat veriore.

    Që nga 3 qershori, qëndrimi i 27 shteteve anëtare të BE-së nuk ka ndryshuar, konfirmoi ambasadori Tomas Szunyog.

    “Ka kushte dhe kërkesa të caktuara dhe ka edhe një deklaratë që thotë se do të ketë pasoja negative nëse ato lloj kërkesash dhe kushtesh nuk plotësohen. Pra, ne jemi ende të udhëhequr nga deklarata e 3 qershorit… Nuk ka asnjë sanksion… Por, nëse po mendoni për masat, qëndrimi ynë i konfirmuar nga shtetet anëtare i 3 qershorit, është ende i njëjtë”, tha Szunyog.

    Por, kryeministri Albin Kurti pret që masat të hiqen sa më parë.

    “Ne jemi duke u përgatitur që të kemi zgjedhje të parakohshme në veri të Kosovës. Ndërkaq, për këto masat që janë ndërmarrë ndaj neve e të cilat janë quajtur edhe të përkohshme, edhe të kthyeshme, natyrisht që presim që ato të hiqen sa më parë dhe është e logjikshme që kjo do të ndodhë paraprakisht. Pra, nuk bëhet fjalë për kushtëzime, por bëhet fjalë për rendin logjik të gjërave që duhet ta ketë si hap të parë zbatimin e dakordimit ndërmjet Bislimit dhe Lajçakut për 3 qershorin”, tha Kurti.

    Ditë më parë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në një takim me gazetarët tha se Kosova nuk duhet të shpallë zgjedhje në veri, pa u hequr masat ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian.

    Masat ndëshkuese ndaj Kosovës përfshijnë: pezullimin e përkohshëm të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe pezullimin e vizitave dypalëshe, përveç atyre që përqendrohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Dy pushues nga Kosova rrezikojnë mbytjen në Shëngjin, 30-vjeçarja në gjendje të rëndë

    Dy pushues nga Kosova rrezikojnë mbytjen në Shëngjin, 30-vjeçarja në gjendje të rëndë

    Dy pushues nga Kosova, kanë rrezikuar jetën mesditën e sotme në bregdetin e Shëngjinit.

    Një 40-vjeçar dhe një 30-vjeçare nga Kosova kanë rrezikuar të mbyten dhe kanë qenë pushuesit ata që i kanë nxjerr në breg, ku janë marrë menjëherë nga ambulanca dhe transportuar në gjendje të rëndë për jetën.

    40-vjeçari e ka gjendjen më të stabilizuar, ndërsa e reja është në terapi intensive dhe në gjendje të rëndë për jetën, pasi kishte pirë shumë ujë. /tch

  • Ky është filmi që s’duhet ta humbisni për asgjë në botë

    Ky është filmi që s’duhet ta humbisni për asgjë në botë

    Vetëm nëse ke jetuar në Tibet (ose Japoni, ku “Oppenheimer” nuk po transmetohet) mund të të ketë shpëtuar fenomeni global “Oppenheimer”, një film i jashtëzakonshëm, emocionues, që të mban peng para ekranit për plot 3 orë. “Oppenheimer” sjell historinë e Julius Robert Oppenheimer, shkencëtari që drejtoi “Projektin Manhattan”.

    “Projekti Manhattan” – nisma kërkimore dhe zhvilluese që çoi në prodhimin e armëve të para bërthamore, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Projekti u drejtua nga SHBA, me mbështetjen e Kanadasë dhe Mbretërisë së Bashkuar.

    Ai krijoi bombën atomike, e cila u hodh në Hiroshima dhe Nagasaki, duke shkaktuar rreth 220 mijë viktima. Viktimat u llogaritën gjatë kohës kur u hodh dhe pasojave që la rrezatimi dhe ekspozimi ndaj uraniumit.

    Ka pa fund arsye pse duhet ta shohësh “Oppenheimer” dhe 10 prej tyre po t’i themi ne:

    Është një film nga legjendari Christopher Nolan

    Christopher Nolan

    Christopher Nolan është nga ata regjisorë që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kinema dhe mendja gjeniale që qëndron pas kryeveprave: “Inception”, “Interstellar”, “Dunkirk”, “The Dark Knight”, “The Prestige”, “Memento” e shumë të tjerë. Edhe nëse s’i ke parë këta filma, jemi 100% të bindur që ke dëgjuar të flitet për to.

    Nolan njihet si një regjisor kompleks, i cili ka një botëkuptim unik në kinema dhe filmat e tij, shpeshherë janë një ndërthurje e bukur mes filozofisë dhe shkencës.

    Bazohet në histori të vërtetë

    J.Robert Oppenheimer

    Vetë Nolan e ka quajtur J.Robert Oppenheimer si “njeriun më të rëndësishëm në botë” dhe krijimi i tij, së bashku me grupin e shkencëtarëve që e ndihmuan, ndryshoi botën. Filmi bazohet në veprën biografike që ka fituar edhe çmimin Pulitzer, “American Prometheus: The Triumph and Tragedy of J. Robert Oppenheimer”.

    Filmi eksploron në mendjen e shkencëtarit, ideologjitë e tij, pendesat, mendimet dhe mënyrën se si shteti përdor mendjet brilante në interesin e vet. Burri që qëndronte në krye të “Projektit Manhattan” dhe që zhvilloi bombën e parë atomike në botë, u ngrit në qiell dhe më pas u përplas për disa çaste, brutalisht në tokë.

    Do zbulosh se si u krijua bomba e parë atomike

    Ti mund ta dish ndikimin e jashtëzakonshëm që pati bomba e parë atomike që vrau një numër të madh njerëzish në Japoni, por ndoshta nuk e di se si është krijuar ajo. Filmi të tregon pikërisht arsyet se pse Amerika, me mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar dhe Kanadasë, krijoi armën më të fuqishme dhe më të paparashikueshme që shkaktoi një prej tragjedive më të mëdha në histori.

    Do të kuptosh më shumë mbi betejën ndaj nazistëve dhe “luftën e ftohtë” mes Rusisë dhe SHBA-së.

    Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur Gjermania ishte një kërcënim shumë serioz, SHBA konkurroi me nazistët kokë më kokë, për të krijuar armën më të fuqishme që çeli një derë të re në botën e bombës atomike. Në një luftë plot suspancë kundër nazistëve, Oppenheimer duhet të sfidonte kohën dhe shkencëtarët nazistë, për të krijuar atë që mendjet e tjera njerëzore as nuk e imagjinonin.

    Por, më pas, Hitleri vdiq, nazistët ranë dhe bomba ndryshoi trajektoren për t’u hedhur në Hiroshima dhe Nagasaki.

    A kishte ndonjë shans që bomba të dilte jashtë kontrollit dhe reaksioni zinxhir të mos ndalej kurrë dhe të shkatërronte të gjithë botën? “Shanset janë afër zeros”, u shpreh Oppenheimer, por mundësia ekzistonte.

    Vetë kasti e adhuron këtë film

    Në rolin e gjeneralit Leslie Groves, i cili e vendosi Oppenheimer në krye të “Projektit Manhattan”, është Matt Damon. Ai është shprehur se kishte bërë një pauzë nga aktrimi dhe kjo pauzë do të përfundonte vetëm nëse Christopher Nolan do ta merrte në telefon. Fatmirësisht, kjo ndodhi.

    Gjithashtu, Robert Downey Jr, i cili luan rolin e admiralit Lewis Strauss, u shpreh se ky është filmi më i mirë ku ka luajtur.

    Kast i jashtëzakonshëm

    Filmi ka bërë bashkë yje fantastikë, duke nisur që nga Cillian Muprhy, Emily Blunt, Matt Damon, Robert Downey Jr, Florence Pugh, Cassey Affleck, Rami Malek, Kenneth Branagh etj.

    Nuk ka CGI

    Filmi nuk ka CGI (Imazhe të gjeneruara me kompjuter) dhe të dhuron ndjesinë e plotë të kinemasë dhe ngjarjes që ka ndodhur. Siç është shprehur dhe Nolan: “CGI është komode për t’u parë, por realiteti s’është aq i rehatshëm. Duhet të ketë një ndikim, një pickim. Duhet të jetë i bukur dhe kërcënues njëkohësisht”.

    Tregon mendjen e komplikuar të një gjeniu

    Oppenheimer është pa diskutim një karakter dhe personazh shumë i ndërlikuar, i cili nuk bëri kompromis me vizionin e tij, ama pati një gijotinë të tmerrshme: Ndërgjegjjen.

    Sigurisht, “Oppenheimer” mund të konsiderohet si një “film i gjatë”, por na beso, ia vlen në çdo sekondë!

  • Tre të moshuar humbin jetën nga zjarret në Itali

    Tre të moshuar humbin jetën nga zjarret në Itali

    Ishulli jugor italian i Sicilisë është dërrmuar nga zjarret e egra nga të cilat humbën jetën tre të moshuar, bëri të ditur presidenti rajonal.

    Mediat italiane raportojnë se një çift rreth të 70-ave vdiq në shtëpinë e tyre në periferi të Palermos, dhe thanë se trupat e tyre u gjetën të djegur në rrënojat e shkaktuara nga zjarri.

    Një grua e moshës 80 vjeçare vdiq në provincën e Palermos, pasi ambulanca nuk mundi të arrijë në banesën e saj për shkak të zjarreve të mëdha që po digjeshin në afërsi.

    Përmes një mesazhi të postuar gjatë natës në Facebook, presidenti sicilian Renato Schifani tha se “nxehtësia përvëluese dhe zjarret shkatërruese të paprecedentë” e kishin kthyer të martën në “një nga ditët më të vështira në dekada”.

    Zjarrfikësit italianë thanë se luftuan rreth 1,400 zjarre nga e diela deri të martën, duke përfshirë 650 në Sicili dhe 390 në Kalabri. Trupi i pajetë i një burri një 98-vjeçar që kishte qenë i shtrirë në u gjet pasi shtëpia e tij është djegur nga zjarri në Kalabri.

    Të mërkurën, zjarret ishin ende aktive në kodrat përreth Palermos, duke nxitur vendosjen e avionëve zjarrfikës për të luftuar flakët.

    I gjithë rajoni i Mesdheut ka përjetuar një valë të nxehtë të fortë verore të martën, duke çuar në zjarre vdekjeprurëse të përhapura në zona të mëdha.

    Në Sicili, që është një destinacion i famshëm turistik, një zjarr brenda një terminali javën e kaluar rezultoi në mbylljen pothuajse totale të aeroportit të saj më të madh në Katania, që ndodhet në pjesën lindore të ishullit.

    Për më tepër, aeroporti i Palermos duhej të mbyllej për disa orë të martën për shkak të një zjarri aty pranë.

    “Shpresoj që flukset turistike në zonat e prekura nga zjarret të mos pësojnë humbje”, tha ministri i Mbrojtjes Civile Nello Musumeci, me origjinë nga Sicilia, në një intervistë për gazetën La Stampa. Ai pranoi se rreziku i humbjeve të tilla ekziston dhe është i kuptueshëm duke pasur parasysh rrethanat.

    Qeveria do të mblidhet në Romë të mërkurën për të shpallur një gjendje të jashtëzakonshme në rajonet e prekura nga fatkeqësitë natyrore dhe për të futur një skemë të veçantë të pushimit për punëtorët më të ekspozuar ndaj valës së të nxehtit.

    Ndërsa zjarret vazhdojnë të sfidojnë jugun e Italisë, pjesa veriore e vendit po përballet me stuhi të forta që rezultuan në vdekjen e dy personave të martën.

    Një nga viktimat ishte një vajzë 16-vjeçare, e shtypur nga një pemë që i ra përsipër./REL/

  • Djali i Enver Zymberit: Shpresoj që një ditë ta vesh uniformën e Policisë

    Djali i Enver Zymberit: Shpresoj që një ditë ta vesh uniformën e Policisë

    Në 12-vjetorin e vrasjes së pjesëtarit të Forcave Speciale të Policisë së Kosovës, Enver Zymberi, varrin e vizitoi djali i tij, Sokoli.

    Aty, ai rrëfeu për dhimbjen dhe mungesën që e ka për babin e tij, teksa shpreson që një ditë do ta vesh uniformën e Policisë së Kosovës.

    Në një rrëfim për Ekonomia Online, Sokoli tha se vendin e prindit të tij s’mund ta zëvendësoj askush por që po ia del falë të familjarëve të tij.

    “Po normal është e vështirë por falë Zotit nuk jam vet, e kam nënën, i kam motrat e axhallarët dhe normal që vendin e tij nuk mund ta zëvendësojë askush, por jemi bërë të fortë”, u shpreh ai.

    “Padyshim që jam duke punuar në atë drejtim dhe shpresoj që një ditë do ta vesh uniformën e Policisë së Kosovës”, u shpreh ai.

  • Nesër i jepet lamtumira e fundit profesorit Haqif Mulliqi

    Nesër i jepet lamtumira e fundit profesorit Haqif Mulliqi

    Gazetari dhe profesori i dramaturgjisë, Haqif Mulliqi, u nda papritmas nga jeta gjatë ditës së djeshme. Lajmin për vdekjen e tij e dhanë familjarët nëpërmjet postimeve në rrjete sociale.

    Vajza e të ndjerit, Getoarbë Mulliqi, ka dhënë detajet e ceremonisë mortore e cila pritet të mbahet nesër në orën 15:00 në varrezat e kryeqytetit.

    “Mbledhja Komemorative ne nder te bashkeshortit, babit, vellaut, mikut e profesorit Haqif Mulliqi, i cili na la papritur, do te mbahet te Enjten, me 27 korrik 2023, nga ora 13:00 ne Biblioteken Kombetare. Ndersa, ceremonia e varrimit, do te mbahet diten e njejte, nga ora 15:00, ne varrezat e kryeqytetit. Per ngushellime dyert do t’i hapim me 28,29 dhe 30 Korrik – ne Hotel Grand, nga ora 08:00 deri ne ora 13:00”, shkroi ajo.

  • Bie nga ura, vdes 50-vjeçari në Mitrovicë

    Bie nga ura, vdes 50-vjeçari në Mitrovicë

    Një 50-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e rënies nga ura në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Mitrovicë.

    Lajmin e ka konfirmuar Avni Zahiti, zëdhënës në policinë rajonale të Mitrovicës.

    Rasti është hapur në polici si “hetim i vdekjes”.

    “Sot, rreth orës 13:30, është raportuar se në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Mitrovicë, si pasojë e rënies nga lartësia e urës, ka humbur jetën viktima mashkull/kosovar rreth 50 vjeçar. Hetuesit policor kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të rastit. Me urdhër prokurorit trupi i pa jetë dërgohet në IML për obduksion”.