ATV

Blog

  • Vritet me pesë plumba një shqiptar në Greqi

    Vritet me pesë plumba një shqiptar në Greqi

    Një shqiptar është vrarë në Greqi.

    Ngjarja tragjike ndodhi gjatë mesnatës në Selanik.

    Raportohet se 37-vjeçari u qëllua me pesë plumba para banesës ku banonte.

    Policia thotë se viktima ishte duke parkuar automjetin poshtë banesës se tij në kohën që persona ende të pa njohur hapen zjarr duke e lënë të vdekur ne vend. Mbi viktimën u zbrazën 4 plumba. Policia ka nisur një operacion për zbardhjen e ngjarjes. Burime policore thane se rasti është larje hesapesh, por pa përjashtuar edhe ndonjë piste tjetër./TCh/

  • Kurti dënon kërcënimet ndaj policëve të rinj serbë: Të neveritshme, Serbia t’i ndalë ato

    Kurti dënon kërcënimet ndaj policëve të rinj serbë: Të neveritshme, Serbia t’i ndalë ato

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se dënon kërcënimet ndaj policëve të rinj serbë.

    Siç ka thënë ai, përpjekjet e dhunshme të Serbisë për të penguar integrimin e serbëve etnikë në institucionet e Kosovës duhet të ndalen tani.

    “Dënoj kërcënimet e neveritshme ndaj policëve të ri të Policisë së Kosovës, zyrtarë nga komunitetet joshumicë. Përpjekjet e dhunshme të Serbisë për të penguar integrimin e serbëve etnikë në institucionet e Kosovës duhet të ndalen tani. Të gjithë qytetarët e Republikës sonë kanë të drejtë t’i shërbejnë vendit të tyre pa hakmarrje”, ka shkruar ai në Twitter.

    KosovaPress të martën ka raportuar për kërcënime në kanalin rus telegram.

    Zyrtarët nga komunitetet joshumicë kanë filluar punën këtë javë në veri të vendit.

    Veton Elshani zëvendëskomandant i PK për Rajonin e Veriut ka bërë të ditur se policët e rinj serbë në PK janë nga pjesë të ndryshme të Kosovës, përfshirë edhe komunat veriore – Mitrovica, Leposaviqi dhe Zubin Potoku.

    “46 nga oficerët janë serbë, 17 boshnjakë, 8 romë, ashkalinj dhe egjiptianë dhe 3 turq. Të hënën kanë filluar. Tashmë përmes punës praktike aftësohen shtesë për të punuar në patrulla dhe detyra të tjera të nevojshme. Ata do të trajnohen në faza të ndryshme”, ka thënë Elshani për KosovaPress.

    Publikimi e emrave të policëve të rijnë serb është bërë nga kanali serb t.me/BunkerSrb në platformën ruse telegram.

    Aty janë publikuar emrat dhe mbiemrat e pesë serbëve.

    Postimi ka vazhduar me kërcënimin, duke thënë se “kjo nuk është lista përfundimtare, dhe se të tjerat do të publikohen më vonë”.

    KosovaPress nuk e ka bërë publik identitetin e serbëve në mënyrë që mos t’i kontribuojë rritjes së kërcënimit ndaj tyre.

  • Moti për sot dhe nesër

    Moti për sot dhe nesër

    Sot në vendin tonë do të mbahet mot kryesisht i kthjellët dhe temperatura stabile.

    Temperaturën minimale do e mbajë Gjakova me 9 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Peja me 25 gradë Celsius.

    Dita e nesërme në Kosovë do të jetë kryesisht me kushte të njëjta atmosferike. Temperatura minimale do të shënohet në Gjakovë me 14 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale në Prishtinë 29 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me diell dhe kthjellime. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 15 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Berat me 40 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • Ukraina merr përgjegjësi për sulmin ndaj urës së Krimesë në muajin tetor

    Ukraina merr përgjegjësi për sulmin ndaj urës së Krimesë në muajin tetor

    Të mërkurën, shërbimi i sigurisë së Ukrainës pranoi se ishte përgjegjës për një shpërthim që dëmtoi rëndë urën e Kerçit, që lidh gadishullin e Krimesë me Rusinë, në muajin tetor të vitit të kaluar.

    Shpërthimi, i shkaktuar nga një kamioni me bombë, rezultoi në tre viktima.

    Duke folur në televizionin kombëtar ukrainas të mërkurën, kreu i Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës, Vasyl Malyuk tha se agjencia e tij qëndronte pas sulmit.

    “Kishte shumë operacione të ndryshme, operacione speciale. Për disa prej tyre do të mund të flasim publikisht dhe me zë të lartë pas fitores, nuk do të flasim fare për të tjerët”, tha Malyuk.

    “Është një nga veprimet tona, përkatësisht shkatërrimi i urës së Krimesë më 8 tetor të vitit të kaluar”.

    Një anije ushtarake ruse duke lundruar pranë urës së Krimesë, më 17 korrik 2023.
    LEXONI EDHE KËTË:
    Kievi sulmon Krimenë e okupuar, ndërpret trafikun në urë
    Pas këtij incidenti, Rusia rindërtoi urën. Presidenti Putin drejtoi një makinë nëpër strukturën e restauruar pasi u kryen riparime të shumta.

    Javën e kaluar, një tjetër sulm në urë la të vdekur një çift dhe plagosi rëndë vajzën e tyre.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se ura që lidh gadishullin e Krimesë me Rusinë “sjell luftë, jo paqe”, dhe rrjedhimisht është objektiv luftarak.

    Kjo urë ka një rëndësi të madhe për Moskën, duke shërbyer si një rrugë thelbësore për furnizimet ushtarake dhe civile dhe simbolizon kontrollin e Kremlinit mbi gadishullin e aneksuar të Krimesë që nga viti 2014.

    Ura rrugore dhe hekurudhore është e gjatë 19 kilometra.

    Presidenti rus, Vladimir Putin, është zotuar për “përgjigje” ndaj sulmit.

    Krimea u aneksua nga Rusia më 2014, ndërsa Kievi do që ta rimarrë atë, teksa po lufton kundër pushtimit të plotë rus prej 17 muajsh.

    Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022. Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL/

  • O’Brien para Senatit: Gjashtë shteteve të Ballkanit t’u jepen kërkesa të qarta për anëtarësim në BE

    O’Brien para Senatit: Gjashtë shteteve të Ballkanit t’u jepen kërkesa të qarta për anëtarësim në BE

    I nominuari i Presidentit Biden për Ndihmës Sekretar të Shtetit Jim O’Brien për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike ka prezantuar deklaratën e tij para Komitetit për Punë të Jashtme të Senatit Amerikan.

    Aty ka folur për çështje të ndryshme që janë prioritete të politikes së jashtme duke përmendur luftën në Ukrainë dhe ngritjen e Kinës.

    Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka pritje se me konfirmimin e O’Brien në pozitën e Ndihmës Sekretarit Uashingtoni do të angazhohet më shumë në dialog.

    Senatori Chris Murphy theksoi se do të preferonte që SHBA-të të merrnin një rol më aktiv në shtensionimin e situatës në rajon.

    “Dua që ta konfirmojmë sa më parë ndihmës-sekretarin e ri për Evropën, (James O’Brien) pjesërisht për shkak se i emëruari i Presidentit Biden për këtë pozitë ka një përvojë të gjatë në rajon. Shumë shpejt do të kemi një zyrtar të lartë të Departamentit të Shtetit të konfirmuar që e njeh Kosovën, e njeh Serbinë, e njeh rajonin dhe do të mund të mbështes përpjekjet e ambasadës tonë si dhe punën që po bën zoti Escobar. Kemi një mundësi reale që SHBA-të të shtojnë angazhimin pasi i emëruari i ri i Presidentit Biden është emër i njohur dhe me përvojë në rajon”, ka deklaruar Senatori Chris Murphy një javë më parë.

    “Gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor duhet t’u jepen kërkesa dhe stimuj të qartë të ripërtërirë për t’u reformuar, ndërsa ata bëjnë rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian” ka thënë O’Brien në hyrje të paraqitjes së tij para Senatit.

  • Mesazhet kërcënuese ndaj policëve që nisën punën në veri, reagon Ambasadori i Francës

    Mesazhet kërcënuese ndaj policëve që nisën punën në veri, reagon Ambasadori i Francës

    livier Guerot, ambasador i Francës në Kosovë, ka reaguar në lidhje me kërcënimet që kanë marrë serbët e Kosovës që janë bërë pjesë e Policisë së Kosovës.

    Guerot shpërndau postimin e shefit të EULEX’it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano, i cili ka kundërshtuar këto kërcënime, të martën.

    Në këtë linjë është edhe ambasadori francez.

    “Është me të vërtetë e rëndësishme që institucionet e Kosovës të pasqyrojnë diversitetin e shoqërisë. Plotësisht në marrëveshje me EULEX“, ka shkruar Guerot.

    Serbët e Kosovës vitin e kaluar ishin larguar nga institucionet, madje policët serbë në mënyrë demostrative kishin larguar uniformat.

    Por jo të gjithë i janë bindur thirrjeve të Listës Serbe për bojkot të institucioneve.

  • Kuvendi mban dy seanca sot, në rend dite Projektligji për skemat pensionale

    Kuvendi mban dy seanca sot, në rend dite Projektligji për skemat pensionale

    Kuvendi i Kosovës do t’i vazhdojë sot punimet e seancës plenare, ku në rend dite janë pikët që kanë mbetur nga seancat e kaluara.

    Pikat e papërfunduara nga seanca plenare, e mbajtur më 20 prill, 29 qershor dhe 10 korrik 2023 janë: Votimi në lexim të dytë i Projektligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje dhe shqyrtimi i propozim-rezolutës për shpenzimet e parasë publike për dy vite mandat të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

    Kurse pika e papërfunduar nga seanca plenare, e mbajtur më 4 maj dhe 10 korrik 2023 është votimi i rekomandimit lidhur me raportin e auditimit të performancës menaxhimi i projektit “Bashkimi i qytetit të Ferizajt”.

    Ndërkaq pika e papërfunduar nga seanca plenare, e mbajtur më 22 qershor 2023 është votimi i Projekt-Rezolutës nga interpelanca me ministrin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati për çështjen: “Rishikimi i buxhetit të Republikës së Kosovës dhe rritja e pagave në sektorin publik”.

    Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 8 dhe 15 qershor 2023 janë: Votimi për emërimin e dy anëtarëve të Bordit Mbikëqyrës të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës dhe zgjedhja e dy anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

    Pika e papërfunduar nga Seanca plenare, e mbajtur më 6, 7 prill dhe 7 qershor 2023 është votimi i Propozim-Rezolutës për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës.

    Kuvendi Kosovës do të mblidhet edhe në një seancë të jashtëzakonshme, ku në rend dite janë: Shqyrtimi i parë i Projektligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti dhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për zyrtarët publikë.

  • Edi Rama shkarkon të gjithë sekretarët e PS-së

    Edi Rama shkarkon të gjithë sekretarët e PS-së

    Ka zgjatur rreth 1 orë mbledhja e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste në Shqipëri, e cila solli ndryshime të rëndësishme në strukturën e drejtuese të partisë, pasi është shkarkuar sekretariati ekzekutiv.

    Asambleja Kombëtare e PS-së ka zgjedhur si Sekretar të Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Blendi Klosin, i cili më parë ka mbajtur pozicionin Sekretari Organizativ në parti. Vendin e tij më parë e ka mbajtur që nga shtatori 2021 Damian Gjiknuri. Ky i fundit nuk pranoi që të komentojë vendimin e Asamblesë, por shtoi se “më mirë do të bëhet”.

    Rokadë duket se ka ndodhur mes Blendi Çuçit dhe Taulant Ballës. Ish-ministri i Brendshëm do të jetë kryetar i Grupit Parlamentar të PS-së, post të cilin e ka mbajtur më parë Taulant Balla.

    Ndërkohë është konfirmuar se nuk ka pasur ndryshime në kabinetin qeveritar, por gjithsesi mund të ketë, pasi kreu i qeverisë ka paralajmëruar se me këtë do të merret nesër ose pasnesër, thanë burime për Report Tv.

    Asambleja, e cila vjen 1 vit pas mbledhjes më të fundit mes socialistëve, do të pasohet nga një tjetër takim dy ditë më pas.

    Më 28 dhe 29 korrik në Tepelenë, kryeministri Edi Rama do të mbledh qeverinë në një takim informal. Zyrtarisht thuhet se në këtë takim do të shpallen objektiva të reja për ministritë përkatëse. Gjithsesi asambleja mblidhet në një situatë delikate brenda kampit rozë. Socialistë me emër, kryetarë bashkish janë arrestuar, dhe së fundi prej disa ditësh SPAK ka urdhëruar arrestimin e zv.kryeministrit Arben Ahmetaj.

  • Qeveria po përgatitet që zgjedhjet e reja në veri të jenë të pasfidueshme

    Qeveria po përgatitet që zgjedhjet e reja në veri të jenë të pasfidueshme

    Qeveria po përgatitet për zgjedhjet e reja në lokale në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – por, vetëm përmes iniciativës së qytetarëve dhe pas votimit për shkarkim të kryetarëve aktualë.

    Pa dhënë detaje se çfarë saktësisht është duke u bërë, kryeministri Albin Kurti tha se institucionet do të sigurohen që baza ligjore për shkaktimin e zgjedhjeve të reja në këto katër komuna, të jetë gati sa më shpejtë të jetë e mundur.

    Meqë asnjëherë më parë nuk janë shkaktuar zgjedhje referuar Nenit 72 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, kryeministri Kurti tha se nuk e di sa kohë merr plotësimi i bazës ligjore e procedurale dhe procesi zgjedhor.

    “Ne çfarë po punojmë në këto ditë dhe do të vazhdojmë të punojmë edhe gjatë muajve të gushtit, kur është pushim në institucione, është që të sigurohemi që kjo përvojë e re që do të kemi, me ndërprerjen e mandateve të katër kryetarëve në veri, të ketë mbështetjen dhe garancitë ligjore dhe procedurale. Pra, duhet të sigurohemi që procesi i këtillë, që do të jetë përvojë e re për ne, të jetë aq i sigurt sa që i pasfidueshëm në kuptim legal dhe juridik”, tha Kurti.

    Detaje nuk dha as ministri Elbert Krasniqi, i cili iu referua vetëm legjislacionit ekzistues.

    “Baza ligjore, e cila del dhe buron nga Ligji për Vetëqeverisje Lokale, për të cilën unë kam kompetencë të flasë, tjerat pastaj janë në kompetencë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, tha Krasniqi.

    Pasi theksoi se shkaktimi i zgjedhjeve të reja përmes iniciativës qytetare, votimit për shkarkim të kryetarëve merr kohë, Selatin Kllokoqi nga D+, thekson se KQZ-ja duhet të plotësojë disa akte të brendshme para se të shkohet me këtë formë.

    “Mirëpo edhe këtu është një pengesë, sepse parashihet që kjo proceduralisht të rregullohet me rregullore nga KQZ-ja, e cila nuk është e rregulluar. Pra, hipotetikisht nëse do të ndodhte që kryetarët të mos japin dorëheqje, procedura e shkarkimit do të kërkonte kohë… Dhe, pjesa tjetër është edhe KQZ-ja duhet të aktivizohej që të aprovonte rregulloret e caktuara, të cilat e rregullojnë këtë çështje”, tha Kllokoqi.

    Si hap për deeskalim, Qeveria mbështetë zgjedhjet e reja në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – por vetëm në pajtim me kuadrin ligjor dhe kushtetues, jo përmes dorëheqjes së kryetarëve të zgjedhur më 23 Prill.

    Qeveria, po ashtu, e lidhë procesin e ri zgjedhor me heqjen e masave ndëshkuese nga Bashkimi Evropian. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Policët e rinj serb në veri vazhdojnë punën përkundër kërcenimeve

    Policët e rinj serb në veri vazhdojnë punën përkundër kërcenimeve

    Policët e rinj të Veriut po i bëjnë patrullat e para bashkë me kolegët me përvojë.

    76 zyrtarët e sapopranuar, 46 prej të cilëve janë të komunitetit serb, në vitin e parë do të trajnohen, për t’u ndarë pastaj nëpër sektorë.

    “Atëherë dihet saktë se për çfarë statusi aplikojnë. A do jenë hetues, a patrullë apo njësi të specializuara…”, tha zëvendësdrejtori i Policisë në Mitrovicën e Veriut, Veton Elshani.

    Meqenëse shumica janë serbë, zëvendësdrejtori i policisë, Veton Elshani, beson në efekt pozitiv.

    “Ajo që ne besojmë që do të ndodhë është rritja e efektivitetit dhe efikasitetit të patrullimeve. Meqenëse policët e rinj kanë më shumë qasje në komunitet, në problemet e tyre dhe në zgjidhjen e problemeve të tyre”, tha Elshani.

    Ndërkohë në rrjete sociale në Serbi, janë bërë publike fotografitë e disa prej policëve të rinj, të cilët veç tjerash konsiderohen si tradhtarë.

    Kërcënimet e tilla, megjithëse nuk kanë ndikuar në punë, do të trajtohen seriozisht.

    “Kemi pasur diskutime me kolegët tanë. Nuk shohin kërcënime serioze. Janë më shumë komente sociale nga shtete tjera. Por, nëse kemi kërcënime serioze, do ta marrim me seriozitet dhe do t’i trajtojmë seriozisht. Dhe do marrim veprime”, tha Elshani.

    Ndërkohë, për këtë çështje kanë reaguar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Jeff Hovenier.

    “Fushata në platforma sociale që ka për qëllim kërcënimin e frikësimin, janë të papranueshme, edhe pse jemi të bindur se janë të shpërfillura. Ata janë policë të Kosovës sepse janë profesionistë, sepse janë qytetarë që kanë dashurinë për vendin”, tha Kurti.

    “Ndaj plotësisht këto shqetësime. Kërcënimet dhe frikësimet ndaj individëve që shërbejnë për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës janë krejtësisht të papranueshme. Siç e kam thënë edhe më parë, Policia e Kosovës ekziston për t’iu shërbyer të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe përbërja e saj duhet të pasqyrojë
    diversitetin e Kosovës”, tha Hovenier.

    Konkurset për pranimin e policëve të rinj, po bëhen në vazhdën e zëvendësimit të policëve serbë që kishin dhënë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: