ATV

Blog

  • IKD: Numri i lëndëve të pazgjidhura në fushën civile është dyfishuar

    IKD: Numri i lëndëve të pazgjidhura në fushën civile është dyfishuar

    Dyfish më shumë lëndë të pazgjidhura u grumbulluan në gjykata, gjatë vitit 2022, krahasuar me një vit më parë.

    Sipas raportit “Drejtësia civile 2022”, i hartuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, viti 2022 ka shënuar rekord të lëndëve të pazgjidhura, të cilat barten vit pas viti, me 99.407 lëndë të pazgjidhura.

    “Sipas të njëjtës formulë, mesatarja e kohëzgjatjes së trajtimit të lëndëve nga Gjykata e Apelit, është 638 ditë apo 1.7 vjet. Kështu, në total, kohëzgjatja e një lëndë civile nga momenti i parashtrimit në gjykatë e deri në momentin kur ajo përfundon në Gjykatën e Apelit është gjithsej 5.5 vjet. Mesatarja e përgjithshme e kohëzgjatjes së lëndëve gjyqësore, qartazi flet për një trajtim të lëndëve gjyqësore civile, brenda një afati jo të arsyeshëm kohor. Në këtë drejtim, IKD-ja ka gjetur se kanë ndikuar shumë faktorë, duke nisur nga keqadministrimi i institucioneve administrative dhe performanca e gjykatave, e edhe administrimi jo adekuat i drejtësisë”, tha Aurela Mërlaku, hulumtuese në IKD.

    Gjykata më e ngarkuar me lëndë është ajo e Prishtinës me gjithsej 32 mijë e 453 lëndë, ndërsa gjykata më e pak e ngarkuar del të jetë Gjykata Themelore në Mitrovicë, dega në Zubin Potok, me gjithsej 39 lëndë në punë.

    “Për të marrë epilog një lëndë civile, vetëm në shkallë të parë, qytetarët duhet të presin gjithsej 3.8 vjet. Sipas të njëjtës formulë, mesatarja e kohëzgjatjes së trajtimit të lëndëve nga Gjykata e Apelit është 638 ditë apo 1.7 vjet. Kështu, në total, kohëzgjatja e një lënde civile, nga momenti i parashtrimit në gjykatë e deri në momentin kur ajo përfundon në Gjykatën e Apelit, është gjithsej 5.5 vjet”, tha Nuraje Bllaca, hulumtuese në IKD.

    Situatë më e komplikuar paraqitet te kohëzgjatja e trajtimit të lëndëve, lidhur me çështjet pronësore në shkallë të parë.

    “Zvarritja në këto raste është një zvarritje më specifike se zvarritja në përgjithësi e rasteve, për arsye se mesatarja e trajtimit të rasteve pronësore del të jetë 9 vjet e 3 muaj në shkallë të parë, krahasuar me rastet që dalin nga kontratat kolektive, nga analizimi i 20 aktgjykimeve të tilla del të jetë mesatarja e trajtimit 1 vit e 7 muaj. Kjo diferencë e madhe bën që sistemi i drejtësisë në vitin 2022 të anashkalojë trajtimin e rasteve pronësore dhe të fokusohet në rastet e kontratave kolektive”, tha Bllaca.

    Instituti i Kosovës për Drejtësi ka monitoruar gjithsej 492 seanca gjyqësore të natyrës civile, vitin e kaluar.
    Prej tyre, 401 seanca janë mbajtur, derisa 91 të tjera janë shtyrë.

    Arsyeja më e madhe e shtyrjes së seancave gjyqësore ishte mungesa e paditësit, në plot 37 raste pasuar nga mungesa e të paditurit në 35 raste.

    Por, në jo pak raste, edhe vetë gjykatësit kanë qenë arsye pse seancat gjyqësore në rastet civile janë shtyrë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni një videon më poshtë:

  • Fillon rimbursimi për 10%-shin e tërhequr nga TRUST-i

    Fillon rimbursimi për 10%-shin e tërhequr nga TRUST-i

    Në llogarinë e TRUST-it janë transferuar mjetet për rimbursimin e një pjese të kontribuesve, të cilët kanë tërhequr kontributet pensionale gjatë periudhës dhjetor 2021- prill 2022, sipas Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.

    Në njoftimin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve thuhet se ky institucion e ka bërë këtë transferim të parave, duke shtuar se shpërndarja është bërë nëpër llogari të 12,090 kontribuesve, në përputhje me metodologjinë e dakorduar në mes të MFPT dhe TRUST.

    “Rimbursimi këtë vit është bërë për personat të cilët kane dalë apo pritet të dalin në pension deri në fund të vitit 2023. Rimbursimi do të vazhdojë vitin e ardhshëm për personat që pritet të dalin në pension gjatë vitit 2024 e kështu me radhë, deri në përmbylljen e plotë të rimbursimit për të gjitha gjeneratat e tjera deri në vitin 2028”.

    “Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve do të sigurojë shumën vjetore të rimbursimit, ndërsa TRUST do të bëjë shpërndarjen e shumave direkt tek qytetarët. Pra, për rimbursim nuk do të ketë nevojë për aplikim, pasiqë rimbursimi realizohet automatikisht nga TRUST”, thuhet në njoftim.

  • Gjilanit i ikin edhe dy futbollistë

    Gjilanit i ikin edhe dy futbollistë

    Pas largimeve të Albert Dabiqajt, Egzon Sinanit, Arber Prekazit, trajnerit Klodian Duro, nga Gjilani janë larguar edhe dy futbollistë të tjerë.

    Bëhet fjalë për Përparim Islamin dhe Yll Hoxhën, ku dyshja e ka konfirmuar se nga sot nuk do të jenë më pjesë e Gjilanit, raporton KosovaPress.

    “Falenderoj shum stafin të cilët punuam sbashku gjatë kësaj periudhe 1 vit sa isha pjes e Sc Gjilanit sepse kishum shum probleme , nje falenderim shkon për gjithë bashklojtarët e skuadres , E falenderim kan te gjithe tifozat SKIFTERAT të cilët na kan qendruar gjithmon afër dhe na kan përkrah”, shkroi Islami në “Facebook”.

    “Ishin dy vite me shumë mund durim dhe sakrifica të njëpasnjëshme ku arritëm nje herë finalen e Kupës së Kosovës dhe luajtëm per dy vite në garat evropiane me fanellën gjilanase.

    Afër 80 ndeshje me këtë fanellë, mijëra minuta në fushë nëpër ndeshje zyrtare e trefish aq kohë e kaluar në stërvitje më bëjnë krenar dhe të lumtur që dhash çdo gjë që pata mundësi për skuadrën.

    Faleminderit të gjithë atyre që na qëndruan afër mes vështirësive të mëdha që kaluam e poashtu faleminderit edhe Skifterave që ishin çdo herë krahë nesh”, ishin fjalët e Yll Hoxhës.

  • Komuna e Prishtinës bënë teste sigurie, bllokohet një pjesë e rrugës “UÇK”

    Komuna e Prishtinës bënë teste sigurie, bllokohet një pjesë e rrugës “UÇK”

    Zyrtarë nga Komuna e Prishtinës, përmes një komunikate kanë njoftuar se të enjten, nga ora 11:15 deri në 12:45, Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca do të organizojë një ushtrim praktik në objektin e vjetër të komunës me qëllim testimin e gatishmërisë reaguese të pjesëtarëve të personelit komunal dhe qytetarëve.

    Kjo do të bëhet për të testuar ata që gjenden brenda, në rast të zjarrit dhe fatkeqësive tjera natyrore, si dhe koordinimin e institucioneve për reagim në zjarre dhe fatkeqësi tjera natyrore për: shuarjen e zjarrit, kërkim shpëtimin, evakuimin e personelit dhe qytetarëve.

    ”Për shkak të ushtrimit, në koordinim me policinë është marrë vendimi që një pjesë e rrugës “UÇK” (ku gjendet komuna) të mbyllet për qarkullimin e veturave për dy orë”, thuhet në njoftim.

  • Gjykata tregon se si u vra argjentinasja në Fushë Kosovë: I dyshuari e gjuajti nga dritarja e hotelit

    Gjykata tregon se si u vra argjentinasja në Fushë Kosovë: I dyshuari e gjuajti nga dritarja e hotelit

    Dyshohet se për shkak të një mosmarrëveshje kosovari E.N., nga komuna e Drenasit me shtetësi të Zvicrës e ka hedhur nga dritarja e dhomës së hotelit të katit të gjashtë në Fushë Kosovë shtetasen argjentinase M.K.U. Viktima 27-vjeçe ka pësuar lëndime trupore dhe përkundër trajtimit në QKUK e njëjta ka vdekur.

    Këto detaje i ka dhënë Gjykata Themelore e Prishtinës në njoftimin dërguar mediave, në të cilin bëhet e ditur se ndaj E.N., është caktuar masa e paraburgimit prej 1 muaji në drejtim të veprës penale “vrasje”.

    “Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri E.N me datë 01.08.2023 rreth orës 01:59 minuta në rrugën “ Nënë Terezë” në Fushë Kosovë, pas një mosmarrveshje paraprake me të dëmtuarën – tani të ndjerën M.K.U, të njëjtën e privoj nga jeta duke e hudhur nga dritarja e dhomës së hotelit, nga kati gjashtë, me ç’rast e ndjera kishte pësuar lëndime trupore, e që edhe përkundër trajtimit mjekësor e njëjta kishte ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ( QKUK)”, njofton gjykata, transmeton Gazeta Express.

    Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prshtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.N, i dyshuar për veprën penale Vrasje nga neni 172 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    “Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.N dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”, njofton gjyakata.

    Në njoftim thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake ka analizuar të gjitha arsyet mbi caktimin e paraburgimit kundër të pandehurit E.N dhe ka vlerësuar se është përmbushur kriteri nga neni nenit 184 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 dhe 1.2, pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si kusht i veçantë për caktimin e paraburgimit.

    “Nngase ekzistojnë rrethana të cilat tregojnë rrezikun e ikjes së të pandehurit, pasi që i njëjti është shtetas i Zvicrës dhe nëse i pandehuri gjendet në liri i njëjti do të mund të ik me qëllim të fshehjes dhe ikjes nga përgjegjësia penale dhe do të ishte i paarritshëm për organet e ndjekjes, e në këtë mënyrë do të pengohej rrjedha e procedurës penale, andaj konstatoi së masa e paraburgimit në këtë fazë të procedurës penale është e vetmja masë për rrjedhjen e pa penguar të procedurës penale në këtë çështje juridiko – penale”.

    Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

  • ​Zyrtare: Buffon pensionohet nga futbolli

    ​Zyrtare: Buffon pensionohet nga futbolli

    Ish-portieri i Kombëtares së Italisë dhe fituesi i Kupës së Botës, Gianluigi Buffon është pensionuar nga futbolli në moshën 45 vjeçare.

    Buffon njoftoi sot për pensionimin e tij, duke shkuar në rrjetet sociale: “Kjo është e gjitha miq, ju më dhatë gjithçka. Ju kam dhënë gjithçka juve. Ne e bëmë së bashku”, raporton KosovaPress.

    Buffon shijoi një karrierë të suksesshme 28 vjeçare dhe kaloi dy sezonet e kaluara te klubi i tij i fëmijërisë, Parma në Serie B.

    Buffon e shkëputi kontratën e tij me Parman para se ajo t’i përfundonte në qershor të vitit 2024, para se të konfirmojë pensionimin e tij.

  • Sunak këmbëngul se Britania duhet “t’i përmbahet planit” për të ulur inflacionin

    Sunak këmbëngul se Britania duhet “t’i përmbahet planit” për të ulur inflacionin

    Kryeministri Rishi Sunak këmbënguli sot se Mbretëria e Bashkuar duhet “t’i përmbahet planit” për të ulur inflacionin edhe nëse kjo do të thotë pagesa më të larta të hipotekave për pronarët e shtëpive.

    Sunak këmbënguli se kishte “dritë në fund të tunelit” për familjet në vështirësi, ndërsa ai u qortua në një transmetim të drejtpërdrejtë në radio. Kryeministri milioner u kap nga “Jack”, një baba i katër fëmijëve në fillim të të 30-ave nga Guildford, Surrey. Ai tha se po përballet me një rritje prej 87 për qind në pagesat e tij të hipotekës nga 1,500 £ në 2,800 £ kur norma e tij fikse dyvjeçare skadon në fund të vitit.

    Ai pyeti: “Si një person që punon shtatë ditë në javë dhe ka paguar në sistemin e taksave që nga përfundimi i shkollës pa marrë asnjë qindarkë nga ajo, pse ndihem sikur po ndëshkohem padrejtësisht dhe çfarë mund të bëni për të më ndihmuar?”

    Ajo vjen përpara një rritjeje të re të pritshme të normave të interesit që do ndodhë nesër, me Bankën e Anglisë që pritet t’i rrisë ato me një çerek përqindjeje në 5.25 për qind, shkruan DailyMail, përcjell KosovaPress

    Sunak tha se ishte e “dhimbshme” dhe i sugjeroi telefonuesit ‘të fliste me bankën e vet’ dhe të diskutonte zgjatjen e afatit ose kalimin vetëm në interes. Ai sugjeroi që Jack kishte një hipotekë “jashtëzakonisht të madhe”.

    Për inflacionin ai tha gjithashtu: Unë e di që familjet po luftojnë me koston e jetesës dhe kjo është arsyeja pse e vendosa si prioritetin tim të parë përgjysmimin e inflacionit dhe ne po bëjmë përparim.

  • Zbulohet studimi: Inteligjenca artificiale ekzaminuesi më korrekt i kancerit të gjirit

    Zbulohet studimi: Inteligjenca artificiale ekzaminuesi më korrekt i kancerit të gjirit

    Inteligjenca artificiale mund të konstatojë në mënyrë të sigurt imazhet e ekzaminimit të kancerit të gjirit, kështu thuhet në raportin e një studimi suedez.

    Ata zbuluan se me ndihmën e kompjuterit inteligjenca artificiale mund të dallojë kancerin në mënyrë të saktë, por shtuan se nevojiteshin më shumë kërkime për të përcaktuar plotësisht nëse mund të përdoret në programet e shqyrtimit.

    BBC shkruan se nuk është studimi i parë që shqyrton përdorimin e inteligjencës artificiale për të diagnostikuar kancerin e gjirit në mamografi.

    Në hulumtimet e mëparshme, duke përfshirë disa të kryera në Mbretërinë e Bashkuar, teknologjia vlerëson skanimet që tashmë janë parë nga mjekët.

    Studimi përfshin mijëra gra të marra nën mbikëqyrje, ku në gjysmën e skanimeve u vlerësuan nga dy radiologë, ndërsa gjysma tjetër u vlerësuan nga mjeti i shqyrtimit i mbështetur nga inteligjenca artificiale.

    Në total, 244 gra u zbuluan nga aparatura e mbështetur në inteligjencën artificiale, ndërsa 203 u konstatuan nga aparatura e zakonshme.

    Autorja kryesore e studimit doktoresha Kristina Lang tha se inteligjenca artificiale ka potencialin për t’u përdorur në zbulimin e kancerit të gjirit në të ardhmen edhe pse ende nevojiten shumë kërkime. /tch

  • ​Arrestohet një person dhe konfiskohet sasi e narkotikëve

    ​Arrestohet një person dhe konfiskohet sasi e narkotikëve

    Policia e Kosovës, në dy raste të ndara, ka arrestuar një person dhe ka konfiskuar sasi të substancave narkotike.

    Sipas Policisë, rasti i parë ka ndodhur me datë 31 korrik në orët e hershme të mëngjesit kur Njësia Patrulluese në Gjilan, gjatë punës operative, ka konfiskuar një çantë krahu në të cilën janë gjetur dhe konfiskuar në cilësi të provave materiale.

    “Një qese substancë narkotike e dyshuar për marihunë në peshë prej 703.3 gr (shtatëqind e tre pikë tre gramë), 2 (dy )peshore elektrike për matjen e substancës narkotike, 3 pako me substancë të dyshuar të llojit kokainë në peshë prej 5.2 gr (pesë pikë dy gramë), 1 pako mbështjellës për substanca narkotike, 94 qese plasmani të papërdorur (të zbrazura)”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

    Ndërsa lidhur me rastin e dytë, Policia ka bërë të ditur se sot në Prizren, njësiti i antidrogës [përmes realizimit të një urdhër kontrolli nga gjykata kompetente, ka arritur të ndalohet personi i dyshuar me iniciale A.D.

    Gjatë zbatimit të urdhër kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar disa provat materiale.

    Një (1) kavanoz qelqi brenda të cilit ishin 13 doza me substancë narkotike që dyshohet të jetë e llojit heroinë, me peshё të përgjithshme 78.80 gramë, ku vlera e tregut në të holla është rreth 1800 euro, një sasi e substancës narkotike që dyshohet të jetë e llojit marihuanë me peshё 0.98 gram, të holla të gatshme në vlerë dymijë (2000) euro dhe një (1) telefon mobil”, ka njoftuar Policia.

    I dyshuari në këtë rast është ndaluar për 48 orë ndërsa për rastin e pare, njësitet policore janë duke kryer veprime operativo-hetimore intensive, me qellim te arrestimit te personit te dyshuar./kp

  • Eliot Uka, kapiteni i Kombëtares U-15 të Kosovës i cili pritet të transferohet te Hertha Berlin

    Eliot Uka, kapiteni i Kombëtares U-15 të Kosovës i cili pritet të transferohet te Hertha Berlin

    Eliot Uka, futbollisti 15-vjeçar i cili aktivizohet te skuadra e 2 Korrikut, karrierën pritet ta vazhdojë te skuadra gjermane, Hertha Berlin.

    Talenti i Eliotit ra në sy që nga mosha 13-vjeçare, kur edhe ishte përzgjedhur lojtari më i mirë në regjionin e Prishtinës.

    Njëherit, ai është edhe kapiten i Kombëtares U-15 të Kosovës.

    Falë paraqitjeve në edicionin e kaluar me skuadrën e 2 Korrikut, ai ka rënë në sy të skuadrës gjermane, Hertha Berlin ku transferimi i tij pritet të ndodhë gjatë kësaj vere./ATVlive.tv