ATV

Blog

  • Dyshohet se ndërroi pronësinë e një kompanie disa milionëshe, arrestohet 58-vjeçari

    Dyshohet se ndërroi pronësinë e një kompanie disa milionëshe, arrestohet 58-vjeçari

    Një person është ankuar në Policinë e Kosovës se persona të dyshuar përmes dokumenteve të falsifikuara të paraqitura në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, në mënyrë të kundërligjshme dhe pa pëlqimin e tij, i kanë bartur pronësinë dhe aksionet e kompanisë te një person tjetër.

    Policia tha se vlera e aksioneve, apo kapitali i kësaj kompanie, sipas ankuesit është disa milionë euro.

    Policia në koordinim me prokurorinë kompetente, kanë ndërmarr veprime hetimore, janë siguruar prova dhe dëshmi të dokumenteve të falsifikuara siç janë: Një autorizim, një vendim për ndryshim të statutit të biznesit dhe një kontratë për falje të aksioneve, me të cilat është bërë edhe ndryshimi i pronësisë dhe aksionarit të këtij biznesi.

    Lidhur me rastin është intervistuar i dyshuari M.A., viti i lindjes 1965, mashkull kosovar, në prezencë të avokatit mbrojtës.

    Pas përfundimit dhe sigurimit të provave dhe dëshmive është iniciuar rasti “falsifikim i dokumenteve” dhe me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje deri në 48 orë.

  • Moti për sot dhe nesër

    Moti për sot dhe nesër

    Sot në vendin tonë pritet të mbajë mot me diell dhe kthjellime.

    Temperaturën minimale për ditën e sotme e ka shënuar Gajkova me 14 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 34 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme pritet të jetë me kushte të njëjta atmosferike.

    Temperaturën minimale, për ditën e nesërme do ta mbajë qyteti i Pejës me 17 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Gjilani me 35 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me diell dhe kthjellime. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 13 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Berat me 39 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • Papa takohet me viktimat e abuzimit seksual nga klerikët

    Papa takohet me viktimat e abuzimit seksual nga klerikët

    Papa Françesku ka zhvilluar një takim privat me viktimat e abuzimit seksual nga klerikët gjatë qëndrimit në Portugali.

    Vatikani bëri me dije se takimi, i mbajtur në misionin diplomatik të Selisë së Shenjtë në Portugali, përfshiu 13 viktima të abuzimit dhe zgjati më shumë se një orë. Të pranishëm ishin edhe zyrtarë të Kishës Portugeze përgjegjëse për mbrojtjen e të miturve, raportoi BBC.

    Në një shërbim të mbrëmjes në Lisbonë, Papa tha se Kisha duhet të dëgjojë “klithmën e ankthshme të viktimave”, ndërsa shtoi se “skandali na thërret në një pastrim të përulur dhe të vazhdueshëm” dhe se zemërimi i përhapur mbi të kishte kontribuar në një shkëputje në rritje nga praktika e besimit”.

    Në shkurt, një komision i pavarur i ngritur nga Kisha Katolike në Portugali publikoi një raport që dokumentonte përvojat e 564 personave që thanë se ishin abuzuar nga priftërinjtë ose zyrtarë të tjerë të Kishës, teksa u shqyrtuan rastet që datonin nga 1950-ta.

    Një raport i këtij viti arriti në përfundimin se të paktën 4,815 fëmijë ishin abuzuar në Portugali dhe se Kisha kishte kërkuar “sistematikisht” ta fshehë këtë çështje.

    Papa Françesku ndodhet në Portugali për të shënuar Ditën Botërore të Rinisë, një festival njëjavor i ngjarjeve fetare dhe kulturore që organizohet nga Kisha çdo disa vjet në qytete anembanë botës.

  • LDK pret mërgatën, Abdixhiku: Ju ftoj për ringritje të madhe rugoviste

    LDK pret mërgatën, Abdixhiku: Ju ftoj për ringritje të madhe rugoviste

    Në selinë qendrore është organizuar takimi tradicional i LDK-së me mërgimtarët. Deputetë, anëtarë të kryesisë, kryetarë komunash e struktura të tjera partiake kanë hapur dyert për të bashkëbiseduar me bashkatdhetarët. Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka ftuar ata për ringritje të madhe rugoviste, siç e quajti ai, duke shtuar se shtyllë e veçantë mbetet mërgata.

    Teksa u ka uruar mirëseardhje të gjithë pjesëmarrësve nga mërgata, Abdixhiku tha se të njëjtit janë në shtëpinë e tyre.

    “Është nder t’ju kemi këtu, është nder t’ju takojmë sërish çdo verë. Pritja këtu është shumë më modeste se çfarë pritje na bëni ju sa herë që vijmë atje, por me rëndësi është që të jemi bashkë, të qëndrojmë bashkë, të flasim bashkë dhe të takohemi më shpesh gjithherë. Siç e dini LDK është në proces të riorganizimit të brendshëm, jemi në proces zgjedhor. Deri më tani kemi përmbyllur rreth 50 për qind të zgjedhjeve në LDK, në pjesëmarrje rekorde prej 21 mijë anëtarë në këtë proces zgjedhor. Dhe pas këtij procesi zgjedhor tani në gusht do të vazhdojmë dhe zgjedhjet në degët e mbetura, me synim për të arritur në një numër impresiv të 40 mijë anëtarëve që marrin pjesë në festën e madhe të demokracisë”, deklaroi ai para bashkëatdhetarëve.

    Abdixhiku i ka bërë thirrje mërgatës për pjesëmarrje sa më aktive në strukturat partiake të LDK-së.

    Ndërsa shprehu mirënjohjen për bashkëatdhetarët të cilët kanë kontribuar për vendin.

    “Këto procese jetike për ne, shtyllë e veçantë mbetet mërgata. Prandaj ju lus e ju ftojë, e ju bëjë thirrje që në dy muajt e ardhshëm sa pritet të zgjas procesi ynë zgjedhor, të angazhohemi të gjithë bashkërisht për pjesëmarrje sa më aktive në strukturat tona politike, në mënyrë që të japim Kosovës një lëvizje rugoviste, demokratike të vërtetë, një shtëpi për të cilën Kosova po thërret në vazhdimësi. Në këtë rrugëtim ju do të keni vend të veçantë, jo vetëm në mendjet dhe zemrat tona, do të keni vend të veçantë në të gjitha strukturat politike përfaqësuese të LDK-së. Për këtë jemi të interesuar të gjithë, jemi bashkë, kemi një mision, një qëllim, në këtë moment të rëndësishëm politik të Kosovës duhet të kuptojmë dhe pozicionin tonë historik, rolin e madh që e kemi si parti politike më e vjetra në vend por si parti që ka dhënë shumë për vendin dhe që ka nisur procese historike të paimagjinueshme e pa përsëritshme. Kemi bërë angazhimin e përbashkët për liri, kemi bërë angazhimin e përbashkët për demokraci, kemi bërë angazhimin e përbashkët për pavarësi, dhe për këtë Kosova, qytetarët tanë, mërgatës sonë i janë mirënjohës përherë”, shtoi kreu i LDK-së.

    Si partia më e vjetër politike në vend, siç tha ai, kanë zgjedhur rrugën e Ibrahim Rugovës si udha tradicionale e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    “Sot ju ftoj për ringritje të madhe rugoviste, të djathtë, patriotë gjithandej në Kosovë, në mërgatë, në çdo shtet evropian e më gjerë për të bërë rikthimin tonë të madh. Ne do t’ia dalim të gjithë bashkërisht, kemi nisur një rrugë të re politike. Një rrugë e re për Kosovën, një rrugë tradicionale për Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ajo rrugë është rruga e Ibrahim Rugovës dhe nuk do të bëhet ndryshe”, përfundoi ai.

    Zeqir Gjuka, i cili është veprimtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës nga dega në Zvicër, tha se është hera e dytë që merr pjesë në takimin tradicional për mërgatën, të organizuar nga ky subjekt politik.

    “Na shërben për ofrimin tonë si veprimtarë, shkëmbimin e mendimeve dhe ideve, por njëkohësisht edhe paraqitjen e preokupimeve tona si mërgatë pranë Lidhjes Demokratike të Kosovës, subjektit që i takojmë… Ndër preukupimet është që të përpiqemi që bashkë të ruajmë rininë tonë të pastër”, tha ai.

    Arbesa Dermaku nga Gjilani, e cila jeton në Zvicër, u shpreh se është e angazhuar në Forumin e Rinisë, për çka tha se ndihet mirë sa herë që merr pjesë në këto takime.

    “Më pëlqen shumë energjia që e ka LDK… Mua më pëlqen shumë Forumi i Rinisë që e ka LDK dhe Forumi i Grave që e kanë për gratë, jam që një kohë të gjatë… Çfarë do t’i thosha kryetarit Abdixhiku? Do t’i thosha faleminderit, si rini me ardh këtu kënaqem shumë me këtë forumin”, tha ajo.

    Ky takim me mërgatën organizohet për herë të dytë në selinë qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës. /

  • 8 vjet nga miratimi i Gjykatës Speciale

    8 vjet nga miratimi i Gjykatës Speciale

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës, tetë vjet më parë, pikërisht më 3 gusht 2015 kanë votuar pro ndryshimit të amendamentit kushtetues, që i hapi rrugë themelimit të Gjykatës Speciale.

    Ishin 82 vota pro, 5 kundër dhe një abstenim, që i hapën rrugë Qeverisë t’i dërgojë edhe dy projektligje të tjera sa i përket Speciales.

    Opozita e atëhershme ishte ajo që u tregua më e zëshmja në kundërshtimin e themelimit të Gjykatës Speciale, duke e quajtur të padrejtë, selektive dhe e cila do ta cenojë sovranitetin e vendit.

    Qeveria dhe pozita e quajtën të padrejtë këtë votim, por të domosdoshme për t’i hequr dyshimet për çdo pretendim për krime të supozuara nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës në luftën e fundit.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për krime lufte në Kosovë ka ngritur aktakuza ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, ish-kryetarit të Kuvendit dhe ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi e Salih Mustafa, ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, si dhe ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së, Pjetër Shala.

    Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë pjesë e sistemit të drejtësisë të Kosovës, por ndodhen në Holandë dhe kanë staf ndërkombëtar.

  • Raporti i BE-së për Kosovën: Situata në veri mbetet sfiduese

    Raporti i BE-së për Kosovën: Situata në veri mbetet sfiduese

    Situata në veri të Kosovës është duke u konsideruar sfiduese edhe në raportin e Bashkimit Evropian për të drejtat e njeriut.

    Në raport thuhet se dorëheqja e serbëve nga institucioneve publike ka ndikuar negativisht në siguri, sundimin e ligjit dhe sistemin e drejtësisë.

    “Situata në veri të Kosovës mbetet sfiduese, veçanërisht sa i përket gjykimit të korrupsionit, krimit të organizuar dhe kushteve për lirinë e shprehjes, përfshirë sulmet ndaj profesionistëve të medias. Dorëheqja masive e serbëve të Kosovës nga institucionet publike dhe ngritja e postblloqeve pasuese ndikuan negativisht në situatën e sigurisë dhe sundimin e ligjit në rajonin verior, ku sistemi i drejtësisë dhe policia funksionojnë me kapacitet të reduktuar”, thuhet në raport.

    Ndër tjera, është thënë se duhet përmirësim edhe forcim i proceseve zgjedhore.

    “Procesi zgjedhor i Kosovës ende ka nevojë për fuqizim për të adresuar dobësitë gjatë gjithë ciklit zgjedhor, siç janë identifikuar në misionet e njëpasnjëshme të vëzhgimit të zgjedhjeve të BE-së, dhe më së fundi nga Misioni përcjellës i zgjedhjeve të BE-së, i vendosur në Kosovë në nëntor 2022”, thuhet në raport.

    Pa u përmendur nuk ka mbetur as procesi i dialogut për të u tha se në Kosovë zhvillohet një dialog i rregullt politik, në të dy aspektet teknike dhe nivelet politike.

    “BE-ja vazhdon të lehtësojë Dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ka pasur kriza të përsëritura në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë në vitin 2022 dhe situata në terren mbetet e brishtë”.

    Po ashtu, u theksua edhe aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në Këshillin e Evropës.

    BE-ja do të vazhdojë të monitorojë nga afër respektimin e të drejtave të njeriut në Kosovë. Kjo përfshin lirinë e tubimit dhe shoqërimit, lirinë e shprehjes, të drejtat e personave në situata të cenueshme, duke përfshirë personat që u përkasin pakicave; e drejta për barazi dhe mosdiskriminim, fëmijët, personat LGBTI dhe personat me aftësi të kufizuara, si dhe barazinë gjinore, si pjesë e rrugës evropiane të Kosovës.

  • Ministria e Tregtisë paralajmëron padi pas aferave të fundit: Po tentohet denigrimi i figurës së Hajdarit

    Ministria e Tregtisë paralajmëron padi pas aferave të fundit: Po tentohet denigrimi i figurës së Hajdarit

    Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka reaguar pas publikimit të aferës “Vaji” dhe aferës “Gruri”, ku hedhën dyshime për keqpërdorime për blerjen e mallrave në rezervat shtetërore.

    Në një reagim në Facebook, MINT-i i ka quajtur “fryerje” dhe “shpifje” audioincizimet e publikuara nga Nacionale, gjatë ditëve të fundit.

    Sipas MINT, audio-incizimet e transmetuara janë tendencioze dhe të pavërteta. Kjo ministri thotë se po tentohet denigrimi i figurës së ministres Hajdari.

    “Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë njofton opinion publik se, të gjitha procedurat në lidhje me furnizimin me mallra për rezervë shtetërore janë zhvilluar dhe vazhdojnë të trajtohen bazuar në legjislacionin në fuqi, duke përfshirë Ligjin Për Rezervën Shtetërore të Republikës së Kosovës, Ligjin mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikёs sё Kosovёs pёr vitin 2022, Ligjin për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar dhe Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës nr.01/65 të datës 26.02.2022”, thuhet në reagimin e MINT-it.

    Po ashtu, MINT teksa ka mohuar keqpërdorimet, ka paralajmëruar se “ka ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për denoncimin e shpifjeve dhe fyerjeve tek organet e Drejtësisë dhe njëherit ofron bashkëpunimin e plotë me të gjitha institucionet kompetente për çështjen në fjalë”.

    Njoftimi i plotë i MINT:

    Sqarim për publikun:

    SHPIFJET NË DËM TË SIGURISË KOMBËTARE DO TË DENONCOHEN DHE PËRBALLEN ME DREJTËSINË

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, reagon lidhur me shpifjet dhe fyerjet e publikuara në një nga portalet mediatike, përmes përgjimeve të orkestruara dhe të transmetuara gjatë ditëve të fundit.

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) sqaron opinionin publik se, thashethemet e përdorura në audio-incizimet e transmetuara janë tendencioze dhe të pavërteta, duke aluduar për keqpërdorim të Rezervës Shtetërore dhe duke i shërbyer një kauze politike me qëllim të dëmtimit të procesit më të ndjeshëm për mbrojtje dhe siguri shtetërore dhe më qëllim denigrimin e figurës së Ministres Rozeta Hajdari, uljen e reputacionit dhe imazhin publik të saj.

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë njofton opinion publik se, të gjitha procedurat në lidhje me furnizimin me mallra për rezervë shtetërore janë zhvilluar dhe vazhdojnë të trajtohen bazuar në legjislacionin në fuqi, duke përfshirë Ligjin Për Rezervën Shtetërore të Republikës së Kosovës, Ligjin mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikёs sё Kosovёs pёr vitin 2022, Ligjin për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar dhe Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës nr.01/65 të datës 26.02.2022.
    Në vitin 2021, MINT ka shpallur tri herë procedurat e prokurimit për të blerë një sasi të Rezervës Shtetërore, nga të cilat një procedurë e prokurimit ka përfunduar me sukses, ndërsa dy procedura të prokurimit kanë dështuar, për shkak të mos ofertimit nga operatorët ekonomik.

    Në tremujorin e parë të vitit 2022, furnizimi me mallra të Rezervës Shtetërore, bazike për jetën e qytetarëve, është trajtuar si çështje e sigurisë kombëtare, në kohën kur filloi lufta në Ukrainë dhe kur gjendja e furnizimit të Rezervës Shtetërore në vendin tonë gjendej në sasi më të vogël, të nevojshme për jetesën dhe mbrojtjen e popullsisë, në rast të ndonjë krize për furnizim.

    Gjersa lufta në Ukrainë, solli ndërprerje të zinxhirëve të furnizimit dhe mungesë të mallrave bazike, për shkak të ndalesës së eksporteve nga shumë vende, rritjes së inflacionit global dhe çmimeve, Qeveria e Republikës së Kosovës, me kërkesë të MINT, rriti buxhetin për Rezervën Shtetërore dhe mori vendim për përjashtimin nga procedurat e prokurimit për furnizim me produkte të Rezervës Shtetërore të Mallrave, sipas legjislacionit të lartëpërmendur në fuqi.

    Rezervat shtetërore të mallrave krijohen për të ndërhyrë në mënyrë operative për mbrojtjen e popullsisë, ekonomisë në rast të çrregullimit të tregut, mbrojtjes së vendit dhe situatave tjera të përcaktuara në nenin 2 të Ligjit nr. 03/l-244 për rezervat shtetërore të mallrave.

    Përkundër ndikimit të luftës në Ukrainë me ndalesa të eksporteve dhe ndërprerje të zinxhirëve të furnizimit të mallrave bazike për jetesë, MINT, përmes Departamentit të Rezervave Shtetërore dhe Mallrave-DRSHM, ka rritur sasinë e rezervave për 30 fish më shumë, duke rritur kështu sigurinë kombëtare.

    MINT siguron se procesi i furnizimit me mallra për Rezervën Shtetërore, me standarde dhe parametra të përcaktuara të cilësisë, është duke u trajtuar dhe monitoruar sipas legjislacionit në fuqi dhe se nuk ka asnjë keqpërdorim të parasë publike. Kontratat e rezervës shtetërore janë të klasifikuara në nivelin sekret, sipas legjislacionit përkatës në fuqi.

    Ministria është e përkushtuar të vazhdojë me rritjen e Rezervës Shtetërore edhe në këtë vit, sipas Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikёs sё Kosovёs pёr vitin 2023, me qëllim që të sigurojë qytetarët që në rrethana të jashtëzakonshme të kenë përkrahjen shtetërore në tejkalimin e situatave eventuale të krizës.

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për denoncimin e shpifjeve dhe fyerjeve tek organet e Drejtësisë dhe njëherit ofron bashkëpunimin e plotë me të gjitha institucionet kompetente për çështjen në fjalë.

  • Rashiq i tregon pritjet e tij nëse serbët mund t’i “rrëzojnë” kryetarët veriorë në peticion

    Rashiq i tregon pritjet e tij nëse serbët mund t’i “rrëzojnë” kryetarët veriorë në peticion

    Pjesëmarrja e serbëve në peticion dhe zgjedhje, raportet me kryetarët e katër komunave veriore dhe opsioni i dorëheqjes së tyre për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme në Veri, janë disa nga çështjet për të cilat ka folur ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.

    Rreth 20 ditë më parë, Kryenegociatori Besnik Bislimi dhe lehtësuesi i dialogut Miroslav Lajçak u dakorduan për shtensionimin e situatës në Veri. Në njërën prej pikave ata u morën vesh për shpalljen e zgjedhjeve në Veri që do të mbahen pas “stinës së verës”. Pas kritikave të ndërkombëtarëve se nuk po bën lëvizje për të hapur rrugën drejt zgjedhjeve, Qeveria Kurti ka vendosur për hartimin e udhëzimit administrativ për t’i larguar kryetarët e komunave.

    Përderisa Kosova e ka mbështetur peticionin për shpalljen e zgjedhjeve të reja, BE ka thënë se mënyra më e lehtë do të ishte nëse kryetarët japin dorëheqje, gjë të cilën Kurti ka thënë se nuk do e kërkojë.

    Për opsionin e peticionit, ministri për Komunitet dhe Kthim, Nenad Rashiq, tha se në “këtë moment” nuk ka interes të posaçëm nga ana e qytetarëve serbë për të marrë pjesë në peticionin për shkarkimin e kryetarëve të Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit. Kjo për shkak se është kohë pushimesh dhe nuk ka vullnet maksimal.

    Pjesëmarrja e serbëve në peticion, sipas ministrit Rashiq, varet “fatkeqësisht nga një vullnet pozitiv i Beogradit”.

    “Sa e di unë nuk ka interes të posaçëm për këtë peticion në këtë moment tash, por kjo nuk do të thotë që kur të përgatitet ajo si peticion, ndoshta deri në atë kohë ndryshohet me dijeni të qytetarëve atje dhe ndoshta marrin pjesë në peticion. Tash për momentin, po ta kishim organizuar peticionin kish dështu, sepse është koha e pushimeve, vullneti nuk është në nivelin maksimal. Prandaj varet prej momentumit. Fatkeqësisht varet nga një vullnet pozitiv ose të gatishmërisë nga ana e Beogradit që prapë nuk shkon gjithqysh në favor të, qoftë pajtimit mes popujve, qoftë në dizajnimin e politikës autoktone të serbëve të Kosovës. Andaj, fatkeqësisht procesi po komplikohet pa arsye dhe në këtë aspekt, unë absolutisht përkrah, siç ka thënë ministri Krasniqi sot që kjo vjen kur organizohet një udhëzim administrativ i tillë, kjo vjen pastaj për më shumë kohë. Por nga ana tjetër, momentumi tash për tash, nuk është i pjekur për një gjë të tillë, prandaj nuk mund të parashikoj se çfarë mund të ndodh për shembull nëse ndodh në fillim të shtatorit, në këtë moment nuk mund të vlerësoj se a do të marrin serbët pjesë a jo”, ka thënë Rashiq për Express.

    Ministri i emëruar nga Kurti pas dorëheqjes së Rakiqit, është deklaruar edhe për daljen e serbëve në zgjedhjet e parakohshme në Veri. Ai tha se “gjithqysh” do të ketë një nivel të interesimit që ata të marrin pjesë në zgjedhje.

    Ai vlerëson se janë krijuar disa kushte normale që të ketë pjesëmarrje eventuale të serbëve në zgjedhje.

    “Gjithqysh kemi me pasë një nivel të interesimit që të marrin pjesë, nuk mund të them që do të jetë 100 për qind por me siguri që do të ketë organizata politike ose grupacione formale ose joformale që të marrin pjesë në zgjedhje sepse e dimë që në këtë moment janë krijuar disa kushte normale dhe kështu që në disa komuna do të ketë pjesëmarrje eventuale të serbëve. Por prapë, po ritheksoj, që në këtë moment, vullneti ose gatishmëria është e ulët, por kjo nuk do të thotë që do të kemi për një muaj një interes më të madh”, është shprehur Rashiq.

    Rashiq thotë se ka komunikim të mirë me kabinetet e dy komunave në Veri, që udhëhiqen nga kryetaret nga VV, Erden Atiq në Mitrovicë të Veriut dhe Lulzim Hetemi në Leposaviq. Mirëpo, njëjtë nuk mund të thuhet për kryetarët e dy komunave tjera, Izmir Zeqiri në Zubin Potok dhe Ilir Peci në Zveçan, që vijnë nga PDK.

    Ai deklaroi se nuk ka pasur komunikime zyrtare me ta, por shprehu gatishmërinë që të komunikojë me ta.

    “Në Leposaviq kemi qenë pjesë e disa rekomandimeve të emërimit të personave në kabinetin e kryetarit, kemi komunikim të mirë edhe me kabinetin e kryetarit të Mitrovicës së Veriut… Jo nuk kemi pasur komunikime zyrtare, por normalisht që jam i gatshëm që të komunikoj në çdo formë apo në çdo nivel të komunikimit. Unë jam aty që të bashkëpunoj, jo vetëm me komunitetet serbë, por edhe me komunitetet tjera që janë aty”, deklaroi ai.

    Rashiq është pyetur edhe për opsionin favorit të BE-së për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme – dorëheqja e kryetarëve. Këtë opsion, ai e konsideroi si një veprim strategjik.

    “Unë kisha konsideruar si një veprim strategjik nëse kryetarët mund të ofrojnë dorëheqje se atë opsion ne e kemi një iniciativë, ose më mirë të them, institucionet e Kosovës nëse e kemi për qëllim integrimin e serbëve në veri, po të kishin dhënë dorëheqje kryetarët, ne do të kishim pas iniciativë të dizajnimit të skenës politike në Veri”, tha ai.

    Dje u bë publike se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal si përgjegjëse e çështjeve të pushtetit lokal ka filluar me përgatitjen e procedurave që do të mundësonin largimin e kryetarëve nga komunat veriore.

    Kjo ministri tashmë ka caktuar grupin punues për hartimin e Udhëzimit Administrativ për caktimin e procedurave për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave.

    Sipas vendimit të nënshkruar nga ministri, Elbert Krasniqi, ky grup duhet ta finalizojë projekt udhëzimin administrativ deri më 1 shtator 2023.

  • Zelensky shpreson që në vjeshtë të mbahet samiti për paqe

    Zelensky shpreson që në vjeshtë të mbahet samiti për paqe

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se shpreson që një “samit i paqes” i Ukrainës mund të mbahet gjatë vjeshtës së këtij viti, duke shtuar se bisedimet që do të mbahen gjatë kësaj në Arabinë Saudite do të jenë një hap i rëndësishëm drejt arritjes së këtij qëllimi.

    Zelensky u tha diplomatëve ukrainas, sipas një fjalimi të publikuar në ueb-faqen e Presidencës të Ukrainës, se pothuajse 40 shtete do të marrin pjesë në takimin në Xhedah që do të mbahet më 5 dhe 6 gusht.

    “Po punojmë që samiti të mund të mbahet gjatë vjeshtës”, tha ai.

    “Vjeshta është shumë afër, por ende ka kohë për t’u përgatitur për samitin dhe për të përfshirë në të shumicën e shteteve të botës”.

    Zelensky dhe ekipi i tij po punojnë me aleatët për të ndërtuar një mbështetje më të gjerë për “samitin për paqe” në të cilin do të miratoheshin parimet për të mbështetur një zgjidhje për t’i dhënë fund pushtimit të plotë të nisur nga Rusia pothuajse 18 muaj më parë.

    Samiti është paraparë të bazohet në planin 10-pikësh të prezantuar nga Kievi vjeshtën e kaluar, plan që është promovuar në mënyrë aktive nga Zelensky.

    Vizioni i tij për paqe kërkon rivendosjen e plotë të integritetit territorial të Ukrainës dhe tërheqjen e plotë të trupave ruse, mbrojtjen e sigurisë së ushqimit dhe energjisë, sigurinë bërthamore dhe lirimin e të gjithë të burgosurve.

    Ende nuk ka pajtim se ku do të mund të mbahej ky samit.

    Zyrtarët ukrainas dhe perëndimorë kanë thënë se Rusia nuk do të përfshihet në këtë samit. /rel

  • Policia amerikane thotë se nuk kishte sulmues në Kongres

    Policia amerikane thotë se nuk kishte sulmues në Kongres

    Policia amerikane nuk ka gjetur asnjë sulmues dhe asnjë person nuk është lënduar pas raportimeve se mund të ketë pasur një sulmues aktiv në kompleksin e Kongresit amerikan.

    Policia nisi hetimet dhe doli në vendin e ngjarjes pas një telefonate të pranuar më 2 gusht.

    “Na erdhi një telefonatë për një sulmues aktiv. Duket se ishte informacion i rremë. Nuk ka të lënduar dhe asnjë sulmues nuk është lokalizuar”, tha zëdhënësi i policisë në Uashington, Hugh Carew.

    Senati amerikan është në pushim veror dhe shumica e ligjvënësve nuk gjenden në Uashington. Megjithatë, në zyrat e Kongresit ka staf.

    Po ashtu, dhjetëra punonjës në kafiteritë dhe pikat e kontrollit në Senat punojnë gjatë verës, sikurse edhe punonjësit e mirëmbajtjes. Kjo ndërtesë po ashtu vizitohet edhe nga turistë.

    Më herët, policia u bëri thirrje personave që gjendeshin brenda zyrave të Senatit që të mos dilnin.

    “Nëse jeni brenda ndërtesës së Senatit, të gjithë që gjenden brenda duhet të qëndrojnë brenda pasi ka raportim për një sulmues të mundshëm aktiv. Theksojmë se nuk kemi asnjë raport të konfirmuar për të shtëna”, tha policia e Kapitolit përmes një postimi në rrjetet sociale.

    Më herët, një këshilltar i policisë së Kongresit amerikan u bëri thirrje personave që gjenden brenda zyrave të qëndrojnë brenda dhe të pajisjen me pajisje për emergjenca. Po ashtu, ai kërkoi që ata të ndalin zërin e pajisjeve elektronike.

    Jashtë ndërtesës së Kongresit amerikan u pa prani e madhe e forcave policore.