ATV

Blog

  • Si po zhduken gjurmët e luftës?

    Si po zhduken gjurmët e luftës?

    Rreth 100 metra larg varreve të dy djemve të saj, në fshatin Mejë të Gjakovës, në jugperëndim të Kosovës, guri përkujtimor i Pashke Markajt – nënës e cila e dogji veten me benzinë në vitin 2003, katër ditë pasi i varrosi dy djemtë e saj – mbeti i përmbysur.

    Gjevalin dhe Milan Markaj ishin në mesin e 376 civilëve shqiptarë, të vrarë nga forcat serbe, në masakrën e Mejës, në prillin e vitit 1999.

    Trupat e tyre u gjetën në varrezën masive në Batajnicë, në afërsi të Beogradit, në Serbi, në vitin 2001, bashkë me më shumë se 700 trupa të kosovarëve të vrarë nga forcat serbe, gjatë luftës së viteve 1998-’99.

    Në vitin 2004, një vit pasi Pashke Markaj dogji veten, familjarët, në pajtim me pronarin e një toke private në fshatin Korenicë të Gjakovës, vendosën një gur përkujtimor, në vendin ku ajo u vetëflijua.

    Ky gur përkujtimor qëndroi në këtë tokë deri më 21 korrik 2023, kur pronari i tokës vendosi ta largonte atë.

    “Asnjë shenjë nuk ka qenë aty. Vetëm guri. Është vizituar nga njerëzit që e kanë ditur historinë”, thotë nipi i Pashkes, Liridon Marku, për Radion Evropa e Lirë.

    Në mungesë të përkujdesjes institucionale, ky monument, që familjarët thonë se për ta përfaqëson dhimbje e mërzi, u hodh skaj rrugës, pranë një grumbulli mbeturinash, në dalje të fshatit Mejë.

    Pronari i tokës ku ishte i vendosur guri – e me të cilin Radio Evropa e Lirë nuk arriti të kontaktonte – nuk i bëri publike arsyet se pse vendosi ta largonte gurin përkujtimor pas 19 vjetësh.

    Pasi largimi i gurit bëri bujë në media, Agjencia për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale në Kosovë e mori nën përkujdesje këtë monument, dhe e dërgoi atë përkohësisht në kompleksin e martirëve, në Mejë.

    Aty, edhe sot, guri rri i përmbysur.

    U mor në mbrojtje, por u la i përmbysur në Mejë
    Derisa familja Marku mendon se guri përkujtimor i Pashkes do të “peshonte” më së miri në vendin ku ajo vrau veten, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) në Kosovë tha se guri përkujtimor do të qëndrojë përkohësisht në Kompleksin Memorial “27 Prilli”, në Mejë, deri në një zgjidhje të përhershme.

    Agjencia për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale, e cila vepron në kuadër të kësaj ministrie, është zotuar se “do të sigurohet që, në pajtim me ligjin, të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për ofrimin e zgjidhjes së duhur, duke ruajtur vlerat shpirtërore, historike”.

    Memorialet, pa përkujdesje dhe pa informacione për vizitorët
    Guri përkujtimor i Pashke Markajt nuk është monumenti i vetëm pa përkujdesje institucionale në Kosovë.

    Janë edhe dhjetëra objekte dhe monumente të tjera, të lidhura me ngjarjet e luftës së viteve 1998-’99, që nuk gëzojnë kurrfarë përkujdesje.

    Fondi për të Drejtën Humanitare i Kosovës, në një studim të publikuar në vitin 2022, kishte identifikuar 12 vende të krimit, të cilat nuk janë të shënjuara askund, dhe që janë pak të njohura për publikun.

    Aty përmenden: Burgu i Smerkonicës në Vushtrri, Spitali i Prishtinës, Ura e Lluzhanit, Xhamia e Krushës së Madhe, Varrezat masive, Stacioni i autobusëve, Stacioni i trenit në Fushë-Kosovë, Kufiri me Shqipërinë, si dhe disa lokacione të tjera.

    Asnjë nga këto vende, në të cilat janë kryer krime të luftës, si dhe në të cilat janë vrarë civilë, kryesisht shqiptarë, nuk janë të shënuara si monumente që i takojnë trashëgimisë së luftës së fundit.

    Drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare të Kosovës, Bekim Blakaj, thotë se shënimi dhe mbrojtja e këtyre objekteve dhe monumenteve do të ndihmonte në pasurimin dhe ruajtjen e kujtesës kolektive.

    Blakaj sugjeron formimin e një komisioni profesional, që do të duhej t’i vlerësonte të gjitha memorialet që janë ngritur pas luftës.

    “Secili memorial që i plotëson kriteret bazike pastaj do të duhej të merrej në përkujdesje të shtetit”, vlerëson Blakaj.

    Profesori i Departamentit të Historisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Durim Abdullahu, thotë se shoqëria në Kosovë jeton e rrethuar nga trashëgimia e luftës së fundit, por “duke qenë se ajo është pothuajse e kudondodhur, ka ngelur e patrajtuar”.

    Abdullahu e cilëson të rëndësishëm ndërtimin e mekanizmave institucionalë shtetërorë, përmes të cilëve do të mbrohej trashëgimia e luftës, pasi që, siç thotë ai, në shumë pak raste janë shënuar vendet ku kanë ndodhur vrasje e masakra gjatë luftës së viteve 1998-’99.

    “Shteti i Kosovës duhet të krijojë një hartë me të gjitha vendet e masakrave dhe të projektojë një program të integruar të shënimit të vendeve të masakrave dhe të luftimeve”, konsideron Abdullahu.

    Në shumë vende ku kanë ndodhur krime, dhe ku ka memoriale në Kosovë, nuk ka shënime adekuate për ngjarjen.

    Mungojnë tabela me tekst apo versione digjitale, përmes së cilave do të mund të shpjegohej historia e masakrave, viktimave dhe vetë historia e luftës.

    Zhdukja graduale e trashëgimisë së luftës
    Lufta në Kosovë zyrtarisht ka përfunduar në qershor të vitit 1999. Por, që nga kjo kohë, Kosova nuk ka krijuar një bazë të dhënash të sakta të personave të vrarë.

    Bazë të dhënash nuk ka as për shtëpitë e djegura, as për vendet ku janë kryer krimet, e as për dëmet e tjera të luftës.

    Në muajin korrik, Kuvendi i Kosovës miratoi Projektligjin për Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Përmes këtij vendimi, Kosova, për herë të parë, do të themelojë një institut të tillë, i cili ka për qëllim dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, nga 1 janari i vitit 1998 deri më 20 qershor të vitit 2000.

    Dokumentimin e krimeve të luftës, ky institut pritet ta bëjë nga aspekti historik, ushtarak, ekonomik, juridik, ekologjik, kulturor, mjeko–ligjor dhe sociologjik.

    Gjatë luftës në Kosovë, në periudhën 1998-’99, llogaritet se janë vrarë më shumë se 13.500 njerëz.

    Në tërë territorin e Kosovës llogaritet të kenë ndodhur rreth 400 masakra./rel

  • Sabri Fejzullahu e çon në këmbë Lipjanin me hitet e tij, por ka edhe një kërkesë për shikuesit e ATV-së

    Sabri Fejzullahu e çon në këmbë Lipjanin me hitet e tij, por ka edhe një kërkesë për shikuesit e ATV-së

    Në Sheshin “Adem Jashari” në Lipjan po mbahet festivali “Mergata Fest & Sport”, i cili tashmë është tradicional dhe organizohet posaçërisht për diasporën. Festivali mbahen nën patronatin e kryetarit Imri Ahmeti.

    Të gjithë të interesuarit, në këtë festival patën mundësinë të argëtohen me yjet e estradës kosovare në koncertet të cilat u organizuan tri net radhas duke filluar nga ora 20:00.

    Sonte, në mesin e shumë yjeve, në skenë u ngjit këngëtari shumë i njohur dhe i dashur për publik, Sabri Fejzullahu, i cili pa dyshim e çoi në këmbë Lipjanin me hitet e tij.

    Ai, për ATV-në dha edhe një mesazh për të gjithë shikuesit e televizionit.

    Për më shumë, shikoni videon e më poshtme:

    Reportazhin e plotë të ATV-së për aktivitetet e sotme në Lipjan e gjeni në videon më poshtë:

  • Zgjedhjet përmes iniciativës së qytetarëve, si test dhe arsyetim te votuesit

    Zgjedhjet përmes iniciativës së qytetarëve, si test dhe arsyetim te votuesit

    Situata me kryetarët e zgjedhur më 23 Prill në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, u bë shkak që Qeveria të themelojë grupin për hartimin e udhëzimit administrativ për procedurat për largimin e kryetarëve të komunave.

    Por, vendimin për hartimin e këtij akti nënligjor të lidhur me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale – opinionistët e shohin nga pikë-vështrime të ndryshme.

    Pasi shkaktimin e zgjedhjeve përmes mbledhjes së nënshkrimeve të qytetarëve dhe votimit për shkarkim të kryetarëve, e vlerësoi si rrugën më të logjikshme,
    profesori Seb Bytyçi theksoi se një dorëheqje mund të ndryshojë rrjedhën.

    Mbledhja e nënshkrimeve, sipas tij, do të ishte provë për Listën Serbe.

    Teksa vendimin e vlerësoi si iniciativë të pasinqertë të kryeministrit për arsyetim para votuesve, opinionisti Fidan Ukaj tha se barrikadimi nuk i solli Kosovës rezultate pozitive, por masa ndëshkuese.

    Në vend të iniciativës, Ukaj theksoi se kryeministri është dashur t’i inkurajojë kryetarët të japin dorëheqje, për t’i përmbushur kërkesat e SHBA-së dhe BE-së.

    Javën e kaluar, kryeministri Albin Kurti tha se do të punojnë për sigurimin e bazës ligjore për shkaktimin e zgjedhjeve të reja në veri, përmes iniciativës së qytetareve – në pajtim me ligjin. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni një videon më poshtë:

  • Vrasja e Oliver  Ivanoviq, Prokuroria e mbrojtja s’pajtohen për mënyrën e shikimit të video incizimeve

    Vrasja e Oliver Ivanoviq, Prokuroria e mbrojtja s’pajtohen për mënyrën e shikimit të video incizimeve

    Hard-diskun me 63 GB xhirime, nga kamerat e sigurisë që ishin të vendosura në Mitrovicë të Veriut, prokurori special Burim Qerkini ia dorëzon trupit gjykues që po e shqyrton gjykimin për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

    Janë më shumë se 400 GB video-incizime, përfshirë ato në ditën kritike, kur u gjet i vrarë ish-politikani serb para selisë së tij. Por për të kursyer kohën në këtë proces që është afër përfundimit, prokurori tha se kanë ndarë vetëm sekuencat më të rëndësishme.

    Por, me Prokurorinë nuk u pajtuan të akuzuarit, përveç avokati i Rade Basara, Tomë Gashi, i cili tha se ato nuk janë relevante për klientin e tij.

    Megjithatë, Prokuroria Speciale insistoi se këto prova mbrojtja i ka poseduar qysh në fillim të këtij procesi, gjë që u pohua nga një koleg i tyre.

    Rreth shikimit të materialit, Gjykata i ofroi mbrojtjes dy mundësi.

    Kështu u vendos që deri në tetor, kur edhe do të mbahen seancat e radhës, mbrojtja do të analizojë materialin, i cili më pas do të administrohet. Pas kësaj faze pritet fjala përfundimtare, e më pas edhe shpallja e aktgjykimit.

    Gjykimi për vrasjen e Ivanovicit kishte filluar në vitin 2020. Ivanoviq ishte gjetur i vdekur para selisë së partisë që e drejtonte, në janar të 2018-ës. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni një videon më poshtë:

  • Udhëzimi administrativ për zgjedhjet në veri vlen për të gjitha komunat

    Udhëzimi administrativ për zgjedhjet në veri vlen për të gjitha komunat

    Procedura ligjore për organizimin e zgjedhjeve, përmes iniciativës qytetare do të vlejë për të gjitha komunat e Kosovës. Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, një ditë pasi Ministria që ai drejton, njoftoi për themelimin e grupit punues që do ta hartojë udhëzimin administrativ, tha se ka shumë hapësirë për korrigjimin e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale.

    Sipas ministrit, dorëheqja e kryetarëve nuk mund të kërkohet, por duhet ndjekur procedurat ligjore, sikurse peticioni.

    “Kemi formuar një grup punues profesional nga akterët e përfshirë në qeverisjen lokale edhe të shohim se cila do të jetë puna e tyre… Grupi punues ka afat një muaj që ta bëjë draftin e këtij udhëzimi administrativ, faktikisht të përfundojë edhe konsultimet publike dhe mandej të jetë nga 1 shtatori si udhëzim administrativ, në të cilin mund të referohen qytetarët, të cilët kanë për qëllim organizimin e peticioneve apo largimin e kryetarëve”, tha Krasniqi..

    Ai ka theksuar se për shkak të mosplotësimit të kushteve për votim për ndryshimin e ligjit, Ministria ka gjetur udhëzime administrative që mund t’i fusë në funksion.

    “Udhëzimi administrativ përcakton rregullin se si organizohet peticioni, se si një peticion i iniciuar nga qytetarët është i pranueshëm. Mirëpo, përpilimi i peticionit nuk është largimi i kryetarëve nga zyrat, për shkak se pas kësaj ka edhe procedura të tjera… Ne kemi kryetarë të komunave në zyrë, kjo është me rëndësi… peticioni është shprehje e vullnetit të 20 për qind të trupës votuese të një komune”, tha Krasniqi.

    Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, të martën, njoftoi për themelimin e Grupit Punues për hartimin e Udhëzimit Administrativ, për caktimin e procedurave për largimin e kryetarëve të komunave.

    Ky Udhëzim Administrativ shtron rrugën për zgjedhjet e reja lokale në katër komunat e veriut, kërkesë kjo e bashkësisë ndërkombëtare dhe obligim që rrjedh nga marrëveshja mes zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe emisarit për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, për shtensionimin e situatës në veri. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni një videon më poshtë:

  • Të rinjtë e Partisë Demokratike të Kosovës kanë mbajtur një aksion simbolik

    Të rinjtë e Partisë Demokratike të Kosovës kanë mbajtur një aksion simbolik

    Pasi disa incizime në të cilat punëtorët e Ministrisë së Tregtisë dëgjohen duke folur për pagesa prej 200 mijë eurosh, që Ministria i ka bërë nga buxheti i rezervave shtetërore, për vaj, grurë e sheqer, të rinjtë e PDK-së mbajtën një aksion protestues.

    “Përgjimet që lidhen specifikisht me vajin e sheqerin, dëshmojnë se kjo ministri ka blerë vaj e sheqer mbi 300 mijë euro prej një kompanie polake, paret i kanë dhënë por vaji, sheqeri e gruri nuk janë kurrkund. Ne po e zhvillojmë këtë aksion simbolik, sepse kjo ministri në krye me Rozetën nuk ka treguar rezultat deri më tani, por ka treguar vetëm keqmenaxhim e abuzim të parasë publike”, tha Arbnora Salihu nga RDK.

    Këta të rinj kërkuan edhe dorëheqjen e ministres Rozeta Hajdari.

    “Po shihet qartë që Qeveria Kurti me skandale të njëpasnjëshme nuk është duke pasur kohë e as nuk e ka prioritet rininë. Andaj, ne kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të Rozeta Hajdarit dhe kërkojmë nga organet e rendit të hetojnë mbi këto skandale korruptive”, tha Salihu.

    Protesta e organizuar para Ministrisë përfundoi e qetë, por qetësinë dikush ia prishi kryetares së të rinjve të PDK-së, Arbnora Salihu.

    Salihut derisa po merrte pjesë në këtë aksion, dikush ia theu xhamin e veturës dhe i vodhi gjësende personale të saj e të aktivistëve të tjerë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni një videon më poshtë:

  • Shitësit përfitojnë nga 30 centë nga shtrenjtimi i naftës

    Shitësit përfitojnë nga 30 centë nga shtrenjtimi i naftës

    Ani pse Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ditë më parë ka marrë vendim për vendosjen e çmimit tavan për produktet e naftës, vendimi nuk po zbatohet as dy ditë pas publikimit në gazetën zyrtare.

    Kësisoj naftëtarët po shesin naftë deri në 30 centë më shtrenjtë derisa blihet me më pak se 1 euro e 16 centë. Nëpër disa pika të karburantit, çmimi i naftës gjatë ditës ishte 1 euro e 43 centë për litër.

    Shoqata e naftëtarëve, në një përgjigje të shkurtër për ATV-në, tha se janë ankuar në Ministrinë përkatëse.

    “Ne kemi bërë ankesë në MINT dhe për më tutje do të vendosë kuvendi i Shoqatës së Naftëtarëve”, tha kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani.

    Sidoqoftë, një rritje e tillë në çmimin e naftës përkundër se nuk ka rritje në bursë, sipas ekspertëve të ekonomisë, është e papranueshme, pasi naftëtarët fitojnë shumë duke dëmtuar qytetarët.

    Andaj, sipas tij, gjendja dëshmon se ka mungesë të kontrolleve dhe se shfrytëzohet diaspora.

    Ndryshe, në vetëm një muaj, çmimi i naftës është rritur mbi 20 centë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni një videon më poshtë:

  • Nga 1 gushti filloi zbatimi i pajisjeve për matje të zhurmës nëpër lokalet e gastronomisë

    Nga 1 gushti filloi zbatimi i pajisjeve për matje të zhurmës nëpër lokalet e gastronomisë

    Para katër muajsh ka filluar vendosja e pajisjeve për matjen e zhurmës në hapësirat e gastronomisë, derisa projekti i komunës së Prishtinës ka filluar të zbatohet nga 1 gushti.

    Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Arian Vranica, tha se deri më tani rreth 380 lokale të gastronomisë e kanë vendosur këtë pajisje.

    “Deri më tani, rreth 380 lokale të gastronomisë janë bërë pjesë e kësaj rregulle. Dhe kanë vendosur akustikat. Është diçka e re, ne kemi qenë që e kemi propozuar këtë projekt, i cili ka shumë të mira”, tha Vranica.

    Për vonesën në zbatimin e këtij projekti, ka arsyetim.

    “Kemi pasë problemeve me vendosjen e sensorëve në fillim. Problemi ka qenë te kompania e cila ka fitu tenderin për vendosjen e tyre. Megjithatë, pas shumë takimeve që kemi pasur me Komunën e Prishtinës, jemi dakorduar që zbatimi të fillojë nga 1 gusht, i cili ka filluar nga dje”, tha Vranica.

    Nga ana tjetër, drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu, tha se nuk do të mungojnë as gjobat për ata që nuk e respektojnë këtë rregull.

    “Nga fillimi i këtij muaji, pra nga tani do të fillojmë me gjobat. Drejtoria e Inspeksionit do të gjobisë ata që bëjnë shkelje dhe njëkohësisht për ata të cilët ende nuk kanë aplikuar për vendosjen e matësve”, tha drejtori i Shërbimeve Publike në Prishtinë, Ilirik Musliu.

    Në prill të këtij viti, komuna kishte ndarë 180 mijë euro për blerje të sensorëve akustikë për matje të zhurmës në qytet.

    Ndryshe, bizneset në rast të mosvendosjes së këtyre pajisjeve mund të gjobiten deri në 5 mijë euro. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni një videon më poshtë:

  • Kuvendi nuk e ka bërë rishikimin e buxhetit, në mungesë kuorumi

    Kuvendi nuk e ka bërë rishikimin e buxhetit, në mungesë kuorumi

    Nxënësit shkuan në pushim por për shkollën vazhdon të përkujdeset Xhevahire Bojniku.

    Tash e një vit Bojniku është e angazhuar si punëtore teknike në shkollën fillore “Emin Duraku”. Meqë pagën e kishte vetëm 220 euro, miratimi i Ligjit për Pagën Minimale prej 250 eurosh, ju gëzua shumë.

    Por, Bojniku nuk e di se kur do ta marrë pagën me rritje pasi Kuvendi nuk ia doli të rishikojë buxhetin për vitin 2023, gjë e cila do t’i mundësonte më shumë para.

    Më rishikimin e buxhetit për vitin 2023 ishte paraparë edhe rritja e pagave për punëtorët e sektorit publik.

    Rishikimi i buxhetit rëndom bëhet në gjysmëvjetorin e dytë të vitit, respektivisht në muajin qershor.

    Vlera e buxhetit e miratuar për vitin 2023 është 3 miliardë e 212 milionë euro. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni një videon më poshtë:

  • KDI: Kuvendi përmbushi vetëm 13% të agjendës legjislative të vitit 2023

    KDI: Kuvendi përmbushi vetëm 13% të agjendës legjislative të vitit 2023

    Opozita u konsiderua fajtore që plani legjislativ për sesionin pranveror të Kuvendit, u përmbush vetëm 13%. Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti Demokratik i Kosovës, kjo ndodhi për shkak të mospjesëmarrjes së deputetëve opozitarë, si rrjedhojë as pyetje parlamentare nuk u bënë sa duhet.

    Nga 178 pyetje opozita adresoi vetëm 68 karshi ekzekutivit.

    Në përgjithësi deputetët i kanë parashtruar ndaj ekzekutivit 171 pyetje parlamentare, por këtu hynë edhe pyetje të cilat janë përsëritur disa herë, për shkak të mungesës së ministrave në seanca. Deputetët e partisë në pushtet kanë parashtruar më shumë pyetje. Kjo në vetvete paraqet problematikë, pasi tregon se deputetët e opozitës nuk kanë qenë shumë aktiv në parashtrimin e pyetjeve parlamentare gjatë ekzekutivit. Kështu, PDK-ja ka parashtruar 45 pyetje, LDK-ja ka parashtruar 10 pyetje dhe AAK-ja 13 pyetje. Të gjitha pyetjet parlamentare i kanë parashtruar vetëm 38 deputetë të Kuvendit, ndërsa 82 deputetë nuk kanë parashtruar fare pyetje që është shqetësuese”, tha Violeta Haxholli, hulumtuese në KDI.

    Sesioni pranveror i Kuvendit vlerësohet se u karakterizua me shumë të papritura.

    Vetëm 17 nga këto, janë projektligje apo marrëveshje ndërkombëtare, që janë të përfshira në agjendën e këtij viti, të tjerat u takojnë viteve paraprake. Nga problemet të cilat duhet t’i evidentojmë ka qenë mungesa e deputetëve, e cila ka shkaktuar vazhdimisht problemin e mungesës së kuorumit. Në bazë të gjetjeve tona, mesatarisht në secilën seancë 22,5 për qind e deputetëve kanë munguar. Trendet janë varësisht prej partive politike, në këtë rast partitë opozitare tregojnë shifra më të larta të mungesave. LDK-ja ka diku 22 për qind të deputetëve që i mungojnë, PDK-ja ka rreth 19 për qind, LV-ja ka nëntë për qind”, tha Arbër Thaçi, hulumtues në KDI.

    Në raportin e KDI-së për punën e Kuvendit evidentohet edhe gjuha joparlamentare. Rrjedhimisht kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, iu kërkua të jetë më rigoroz.

    Po ashtu, u shprehën shqetësime lidhur me mungesën e transparencës së Kuvendit ndaj publikut, përfshirë mungesën e votimit elektronik, mospublikimin e votave me dorë, dhe mospublikimin e rregullt të procesverbaleve të mbledhjeve të komisioneve parlamentare dhe atyre Ad-Hoc. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni një videon më poshtë: