ATV

Blog

  • Gruri sivjet, pak e me cilësi të dobët

    Gruri sivjet, pak e me cilësi të dobët

    Kosova sivjet nga sezoni i korrje-shirjeve nuk do të mund t’i plotësojë nevojat e saj për grurë. Për më tepër, kjo kulturë bujqësore këtë vit nuk ka as cilësi të mirë.

    Fermeri Korab Sejdiu nga komuna e Podujevës ka korrur mbi 150 hektarë sipërfaqe të mbjellë me grurë.

    Por, këtë vit sasia e grurit që ka siguruar ka qenë më e vogël.

    “Deri 3.000 kilogramë grurë për një hektar të kultivuar kemi arritur të sigurojmë sivjet – gjysmën e sasisë krahasuar me vitin e kaluar”, thotë për Radion Evropa e Lirë fermeri Korab Sejdiu.

    Për shkak të sasisë më të vogël të grurit të korrur, Sejdiu thotë se “sivjet nuk ka bukë dhe kualiteti është i dobët”.

    Për këtë gjendje, fermeri ua lë fajin kushteve klimatike që këtë vit kanë qenë të pafavorshme për bujqit.

    “Ka pasur shumë reshje shiu, mjegull, brymë mëngjesi”, thotë ai, duke sqaruar se kjo ka bërë që gruri të mos fryhet aq sa duhet.

    Për shkak të kushteve jo të favorshme atmosferike, këtë vit fushata e korrje-shirjeve ka nisur më 15 korrik, teksa rëndom nis në fillim të po këtij muaji. Sipas ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, këtë vit kanë qenë të mbjellë me grurë rreth 67.000 hektarë tokë.

    Ndërkaq, fermeri Valon Vehapi nga komuna e Lipjanit thotë se sasia më e vogël e rendimenteve të grurit këtë vit është shkaktuar edhe nga mostrajtimi i duhur i kësaj kulture bujqësore.

    Ai tashmë ka korrur mbi 100 hektarë tokë me grurë.

    Edhe Vehapi, sikurse Sejdiu sivjet ka siguruar më pak grurë sesa ka pritur, pasi ai ka synuar 7.000 kilogramë për një hektar, por ka siguruar deri në 5.000.

    “Kushtet klimatike nuk kanë qenë ideale për bujqësi, as për kulturën e grurit e as për të misrit. Kjo për arsye se muajt maj dhe qershor kanë qenë të ftohtë dhe të lagësht. Për shkak të lagështisë së madhe janë shfaqur shumë sëmundje që i kanë bërë dëm bimës së grurit. Kjo ka ndikuar edhe në tokën time, pasi siç e kam punuar tokën dhe e kam trajtuar bimën duke punuar 12 orë në ditë kam pritur deri në 7.000 kilogramë për hektar, por kam dalë me pak më shumë se 5.000 kilogramë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

    Nga Federata Sindikale e Bujqve të Kosovës thonë se temperaturat e ulëta gjatë pranverës ulën pritjet për prodhim të bollshëm të grurit. Kreu i kësaj federate, Tahir Tahiri, thotë se mesatarja e prodhimit për hektar, këtë vit do të jetë më e ulët krahasuar me vitet e kaluara.

    Megjithatë, ai nuk tregon se sa për qind të nevojave të saj për grurë do të arrijë t’i sigurojë Kosova këtë vit.

    “Kam frikë se do të jetë viti më i dobët dhe më i vështirë sa i përket prodhimtarisë vendore. Unë nuk mbaj mend që në 40 vjet të ketë pasur lagështi nga muaji mars, prill, maj dhe qershor. Kemi pasur vërshime, breshër… Por, më e rënda ka qenë lagështia e stërzgjatur, e cila ka krijuar kushte për paraqitjen e sëmundjeve të ndryshme”, thotë ai.

    Disa zona në Kosovë gjatë këtij viti janë përballur me vërshime. Në janar, komuna e Skenderajt, ajo e Mitrovicës së Jugut, Klinës dhe Istogut u goditën nga vërshimet. Ndërkaq, në qershor, komuna e Pejës u përball me vërshime.

    Zejnullahu: Gruri nuk plotëson kriteret për prodhim të miellit

    Përveç sasisë së pamjaftueshme të grurit që Kosova ka siguruar sivjet, cilësia e tij nuk është e duhur, thotë udhëheqësi i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, Bashkim Zejnullahu.

    Ai shpjegon se cilësia e kësaj kulture bujqësore varet nga rajonet ku mbillet. Rrafshi i Kosovës, ku gjendet edhe komuna e Lipjanit, sipas tij, ka pasur rendiment dhe cilësi të mirë. Por, cilësia e grurit në rajonet e tjera, sipas Zejnullahut, nuk garanton se ai mund të përpunohet dhe të prodhohet miell.

    “Gruri duhet të ketë një cilësi minimale për përpunim të miellit. Gruri i këtij viti ka pasur një kualitet aq të dobët, sa nuk ka mundësi që të prodhohet miell. Ky grurë, i këtij kualiteti, mund të përpunohet si ushqim për kafshë, por jo si ushqim për njerëzit”, thekson ai.

    Gruri është lënda e parë për prodhimin e miellit dhe si i tillë konsiderohet produkt strategjik për sigurinë kombëtare.

    Radio Evropa e Lirë ka pyetur edhe Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për sasinë dhe cilësinë e grurit, por deri në publikimin e këtij teksti, ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.

    Sipas të dhënave zyrtare të vitit 2021, konsumi mesatar i grurit për kokë banori, duke përfshirë edhe produktet me përmbajtje gruri, janë 207 kilogramë, ose mbi 410.000 tonë grurë.

    Por, prodhimi vendor ndër vite ka qenë rreth 300.000 tonë grurë.

    Kjo ka bërë që Kosova t’i përmbushë nevojat me këtë produkt përmes importit.

    Në vitin 2021, nga fermerët e Kosovës kishin prodhuar 280.000 tonë grurë. Sipas të dhënave të Doganave të Kosovës për atë vit, 115.000 tonë lloje të grurit dhe miellit janë importuar nga shtete të ndryshme të Evropës.

  • Gjobitet shoferi që voziti me fëmijën ulur mbi karriget e pasme të veturës, i merret patentë shoferi

    Gjobitet shoferi që voziti me fëmijën ulur mbi karriget e pasme të veturës, i merret patentë shoferi

    Policia e Kosovës ka njoftuar se Njësia për Kontroll të Autostradave kanë gjobitur një shofer, që gjatë drejtimit të automjetit nuk e ka siguruar fëmijën në ulësen për fëmijë.

    Në fotografitë e publikuara, vërehet fëmija i shtrirë mbi karriget e pasme të veturës.

    Policia ka bërë të ditur që shofin e kanë gjobitur me 150 euro gjobë, si dhe i është ndaluar drejtimi i mjetit.

  • Kërkohet ndëshkim maksimal për vrasësit e Marigona Osmanit, thirret protestë për të premten

    Kërkohet ndëshkim maksimal për vrasësit e Marigona Osmanit, thirret protestë për të premten

    Kolektivi për mendim dhe veprim feminist po bën thirrje për protestë, në seancën përfundimtare për rastin e vrasjes makabre të Marigona Osmanit, akt të cilin e kreu i dashuri i saj, Dardan Krivaqa, i shoqëruar nga shoku i tij, Arbër Sejdiu.

    Me këtë veprim synohet që të sigurohet drejtësia duke i dhënë të akuzuarve ndëshkimin maksimal, transmeton klankosova.tv.

    ‘’Për t’u siguruar që kërkesa jonë për drejtësi të jehojë edhe të premten para Gjykatës Themelore në Ferizaj, ne mblidhemi nga ora 10:30 para dyerve të Gjykatës për të kërkuar drejtësi për Marigonën dhe ndëshkim maksimal për vrasësit’’.

    Vrasja e Marigona Osmanit ndodhi në gusht të vitit 2021, ndërsa aktgjykimi ndaj dorasve të këtij akti, do të shpallet më 4 gusht.

  • Konfirmohet puna në udhëzimin administrativ për zgjedhjet në veri

    Konfirmohet puna në udhëzimin administrativ për zgjedhjet në veri

    Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Kosovë, Elbert Krasniqi, ka konfirmuar të mërkurën se një udhëzim administrativ, i cili ua mundëson qytetarëve të komunave shkarkimin e kryetarëve të tyre përmes peticionit, do të jetë gati në shtator.

    Punimi i një udhëzimi të tillë administrativ vjen në kohën kur Kosovës është duke iu kërkuar me ngulm nga Bashkimi Evropian (BE) të shpallë zgjedhje të reja në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit.

    “Grupi punues ka afat një muaj që ta bëjë drafit e udhëzimit administrativ… dhe mandej të jetë gati nga shtatori si udhëzim administrativ në të cilin mund të deklarohen qytetarët të cilët kanë për qëllim organizimin e peticioneve për largimin e kryetarëve”, tha Krasniqi, më 2 gusht, gjatë përurimit të një salle sportive në një fshat të Lipjanit.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha më 26 korrik se autoritetet e vendit janë duke u përgatitur për zgjedhje në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, por se ato nuk mund të mbahen pa u shtensionuar situata në këtë zonë.

    Zgjedhjet janë obligim që dalin nga një marrëveshje mes zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, për shtensionimin e situatës në veri.

    Tensionet në këtë zonë janë rritur qysh në fund të majit, kur kryetarët shqiptarë të komunave, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, kanë hyrë në objektet komunale, përkundër rezistencës së banorëve lokalë serbë.

    Protestat e tyre kanë kulmuar edhe në përleshje të dhunshme me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

    Sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale, në zgjedhje të parakohshme për kryetar të komunës mund të shkohet në rast se kryetari aktual jep dorëheqje; në rast se qytetarët kërkojnë shkarkimin e kryetarit të komunës përmes një peticioni të nënshkruar nga 20 për qind e votuesve të komunës përkatëse; si dhe në rast se kryetari i komunës nuk paraqitet në vendin e punës më shumë se një muaj, pa arsye.

    Krasniqi shtoi se kryetarëve shqiptarë në komunat me shumicë serbe nuk mund t’iu kërkohet të japin dorëheqje “por ata mund ta bëjnë këtë me vendim individual”.

    “Peticioni është shprehje e vullnetit të 20 për qind të trupës votuese të një komune. Nëse në një komunë të caktuar qytetarët e asaj komune arrin t’i kenë 20 për qind të trupës votuese me kërkesën që të largohet kryetari i komunës, atëherë do të trajtohet si kërkesë, nëse nuk do të ketë atëherë kjo mbetet aty, kryetarët e vazhdojnë punën në komunë”, shtoi Krasniqi.

  • Rusia nis manovra ushtarake në Detin Baltik, mes tensioneve me fqinjët evropianë

    Rusia nis manovra ushtarake në Detin Baltik, mes tensioneve me fqinjët evropianë

    Rusia ka njoftuar të mërkurën se ka nisur manovra detare në Detin Baltik, mes tensioneve në rritje me fqinjët e saj evropianë rreth konfliktit në Ukrainë.

    Rusia mban rregullisht ushtrime detare në Detin Baltik, shpesh në kundërpërgjigje ndaj manovrave të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në zonë.

    Marina ruse ka luajtur një rol kyç në luftën e Moskës kundër Ukrainës, duke goditur vendin e mbështetur nga Perëndimi me raketa lundruese të lëshuara nga anijet dhe nëndetëset, përveç me armë të tjera.

    “Ushtrimet detare Mburoja e Oqeanit-2023 kanë nisur në Detin Baltik”, ka bërë të ditur ministria ruse e Mbrojtjes, nëpërmjet një komunikate, raporton AFP.

    Rusia ka njoftuar se 30 luftanije dhe barka, si dhe 20 lundra të tjera mbështetëse, do të marrin pjesë në manovra, bashkë me 6.000 ushtarakë.

    Gjatë manovrave, marina ruse do të ushtrojë mbrojtjen e rrugëve detare, transportimin e trupave dhe ngarkesave ushtarake, dhe mbrojtjen e vijës bregdetare, thuhet në komunikatën e ministrisë ruse.

    “Planifikohet kryerja e mbi 200 ushtrimeve luftarake, ku do të përfshihet edhe përdorimi i armëve”, kanë bërë të ditur autoritetet ruse.

  • BBC rendit fotografinë e super hënës në Prishtinë, si ndër më të bukurat në botë

    BBC rendit fotografinë e super hënës në Prishtinë, si ndër më të bukurat në botë

    Vëzhguesit e yjeve në të gjithë botën panë një Hënë të plotë më të madhe dhe më të ndritshme se zakonisht, të martën mbrëma.

    Hëna e plotë e këtij muaji, e quajtur Hëna e Sturgeon, ndriçoi qiellin e natës ndërsa u ngrit mbi horizont pak pas perëndimit të diellit, shkruan BBC.

    Është e para nga dy superhënat e këtij muaji – hëna e plotë e ardhshme më 30 gusht do të quhet Hëna Blu pasi është hëna e dytë e plotë që shfaqet në një muaj kalendarik.

    Ndërkohë, BBC ka renditur disa nga fotot më të mira të superhënës së të martës nga e gjithë bota dhe në krye të listët qëndron fotografia ku Hëna shkëlqen mbi ndërtesat në Prishtinë, Kosovë.

  • Aprovohet ankesa e avokatit Berisha, Apeli kthen në rivendosje vendimin e Gjykatës në Ferizaj

    Aprovohet ankesa e avokatit Berisha, Apeli kthen në rivendosje vendimin e Gjykatës në Ferizaj

    Gjykata e Apelit ka nxjerrë vendim për aprovimin e ankesës së avokatit, Besnik Berisha, në çështjen penale kundër tij, raporton Gazeta Sinjali.

    Me këtë vendim, Apeli ka kthyer në rivendosje vendimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj në rastin kundër Berishës, ndaj të cilit Prokuroria ka ngritur dyshime për tri vepra penale.

    Gjykata e Apelit pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe ankesave të paraqitura, vlerësoi se aktvendimi i ankimuar duhet anuluar dhe kthyer në rivendosje, për shkak se i njëjti është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, sepse Gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsye lidhur me ekzistimin e dyshimit të bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat ngarkohen.

    Sipas aktvendimit të Apelit, në pjesën arsyetuese nuk janë paraqitur në mënyrë të qartë dhe të plotë vlerësimet se në cilat fakte dhe prova është bazuar Gjykata me rastin e marrjes së aktvendimit me të cilin ka caktuar masat ndaj të pandehurve.

    Gjykata e Apelit vlerësoi se aktvendimi me të cilin të pandehurve iu janë caktuar masat e sigurisë, në mungesë të vlerësimit dhe arsyetimit të nevojshëm, është jo i drejtë dhe si i tillë nuk mund të qëndrojë si i ligjshëm.

  • Policia shpëtoi katër shtetas që rrezikuan të mbyteshin në Vlorë dhe në Dhërmi

    Policia shpëtoi katër shtetas që rrezikuan të mbyteshin në Vlorë dhe në Dhërmi

    Shërbimet e Policisë Kufitare u dolën në ndihmë katër shtetasve, që rrezikuan të mbyteshin në det në Vlorë dhe Dhërmi.

    Në rastin e parë, kërkuan ndihmë tre shtetas, pasi mjeti me të cilin lundronin, kishte pësuar defekt, ndërsa në rastin e dytë, kërkoi ndihmë një shtetas që bënte sërf, pasi për shkak të detit të trazuar, nuk dilte dot në breg.

    Policia e Shtetit njoftoi sot se në rastin e parë, shërbimet e Policisë Kufitare të Vlorës ndërhynë menjëherë dhe bënë të mundur nxjerrjen në breg, në gjendje të mirë shëndetësore, të tre shtetasve që kishin mbetur në det, për shkak se mjeti me të cilin lundronin, kishte pësuar defect, shkruan Atsh. Në rastin e dytë, shërbimet e SPK Dhërmi ndërhynë për të nxjerrë në breg një shtetas të cilit i ishte rrezikuar jeta, teksa bënte sërf, për shkak të detit të trazuar. Ky shtetas është në gjendje të mirë shëndetësore.

    Shërbimet e Policisë Kufitare ftojnë çdo qytetar/pushues që gjendet në nevojë që lidhet me detyrat funksionale të Policisë së Shtetit, të kërkojë ndihmë dhe ndërhyrja nga shërbime të specializuara për secilin rast, do të jetë e menjëhershme.

  • ​Sindikata e punëtorëve të AAC-së kërkon shkarkimin e drejtorit Bujar Ejupi

    ​Sindikata e punëtorëve të AAC-së kërkon shkarkimin e drejtorit Bujar Ejupi

    Shoqatës Sindikale e Punëtorëve të Autoritetit të Aviacionit Civil (“SPAAC”) ka reaguar për veprimet e fundit të drejtorit të përgjithshëm, Bujar Ejupi lidhur me hartimin e rregullores së brendshme të AAC-së. Sindikata e AAC-së kundërshton projekt-rregulloren e brendshme të AAC-së të cilën drejtori Ejupi e ka dërguar në MPB për aprovim, si dhe gjithë procesin që i ka paraprirë këtij dokumenti.

    “Sindikata ka siguruar projekt-rregulloren e brendshme përmes Agjencisë për Informim dhe Privatësi sepse Bujar Ejupi ka refuzuar ta ndajë atë. Projekt-rregullorja të cilën e ka hartuar vet Bujar Ejupi, edhe pse me ligj parashihet që kjo të jetë punë e Grupit Punues, ka për qëllim shkatërrimin e një strukture funksionale e cila ka dëshmuar rezultate të konfirmuara nga vlerësimet ndërkombëtare që nga viti 2011, degradimin e pozitave dhe strukturave ku punojnë anëtarët e Sindikatës dhe avancimin e pozitave dhe strukturave ku ndodhen personat e dëgjueshëm të Ejupit”, thuhet në reagim.

    Kjo sindikatë mbron fuqishëm argumentin se drejtori aktual nuk e ka kredibilitetin që të dizajnojë të ardhmen e AAC-së dhe të ekspertëve brenda saj për shkak të keqmenaxhimit të organizatës të vërtetuar me mosmiratimin nga Kuvendi i Kosovës të dy Raporteve Vjetore të Punës së AAC-së.

    “Për të mos u mjaftuar me kaq, dy raporte nga institucione ndërkombëtare: njëra e mundësuar përmes Agjencisë së Bashkimit Evropian për Sigurinë e Aviacionit (EASA) dhe tjetra nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Islandës (ICETRA) rishtazi kanë konfirmuar atë që SPAAC vazhdimisht e ka sinjalizuar se AAC nën udhëheqjen e Bujar Ejupit nuk është funksionale, gjë që kërkon zgjidhje emergjente. Ndërsa për qasjen jo dinjitoze dhe diskriminuese ndaj stafit flet Raporti i Avokatit të Popullit i publikuar në qershor 2022”, njofton sindikata.

    Po ashtu sipas kësaj sindikate, duhet të largohet vet ose të shkarkohet sa më parë drejtori i përgjithshëm, Bujar Ejupi.

    “Një drejtor i tillë nuk i bën nderë institucionit e as shtetit dhe duhet të largohet vet ose të shkarkohet sa më parë, në mënyrë që t’i jepet mundësi AAC-së të kthejë funksionalitetin dhe profesionalizimin e dëshmuar ndër vite. Apelojmë te ministri Aliu dhe kryeministri Kurti që të angazhohen urgjentisht për ta adresuar situatën në AAC”, thuhet në fund të reagimit.

  • Udhëheqësit e Armenisë dhe Azerbajxhanit thonë se paqja është e mundur

    Udhëheqësit e Armenisë dhe Azerbajxhanit thonë se paqja është e mundur

    Rrjeti televiziv Euronews ka zhvilluar intervista me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, dhe kryeministrin e Armenisë, Nikol Pashinyan.

    Nagorno-Karabakh ka qenë skena e disa prej episodeve më të dhunshme në historinë e fundit të Kaukazit jugor. Pavarësisht nga një marrëveshje armëpushimi e ndërmjetësuar nga Rusia në vitin 2020, tensionet nuk kanë përfunduar, transmeton Klan Kosova.

    Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë luajtur një rol më të madh në ndërmjetësimin e krizës – që nga vakuumi i lënë nga Rusia (një ndërmjetës më tradicional i pushtetit rajonal, tashmë i zhytur në Ukrainë). Dhe bisedimet i kanë mbushur njerëzit me shpresë për paqe të qëndrueshme.

    Por zhvillimet e fundit rreth mosmarrëveshjeve mbi Korridorin e Laçinit dhe pretendimet se Azerbajxhani po bllokon të vetmen kalim që lidh Armeninë me armenët brenda Nagorno-Karabakut, duket se tregojnë se rruga drejt paqes do të jetë e gjatë.

    Euronews negocioi për muaj të tërë për të qenë në gjendje të bisedojë me liderët e Armenisë dhe Azerbajxhanit – të përfshirë në një nga konfliktet më të gjata në botë.

    Euronews u bëri të njëjtat pyetje si Presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, ashtu edhe kryeministrit armen, Nikol Pashinyan – dhe u ofroi atyre një shans për të shprehur pikëpamjet e tyre pa ndërprerje apo kontest.

    Kryeministri Pashinyan tha se “jo vetëm që mundet, por duhet të ketë paqe”, ndërsa presidenti Aliyev tha “Unë mendoj se është e drejtë të kesh shpresë”.

    Ideja ishte t’u jepej të dyja palëve një platformë për të shprehur pikëpamjet e tyre për konfliktin dhe për shanset për paqe.