ATV

Blog

  • Gjenden shpesh në tryezat e kosovarëve: Ushqimet që shkaktojnë kancer nëse i hani në mëngjes

    Gjenden shpesh në tryezat e kosovarëve: Ushqimet që shkaktojnë kancer nëse i hani në mëngjes

    Sigurisht që të gjithë e dimë se të ngrënit mëngjes është e rëndësishme, por ajo që shumë njerëz s’dinë është se si ndihen gjatë ditës kur konsumojnë ushqimet e gabuara për mëngjes.

    Jo vetëm kaq, por të ngrënit shëndetshëm mëngjes redukton mundësinë e zhvillimit të kancerit dhe diabetit. Ja cilat janë ushqimet që duhet të shmangni për mëngjes për të pasur shëndet sa më të mirë.

    Proshutë, sallam dhe salçiçe

    Mishi i përpunuar ka nitrate që lidhen me kancerin kolorektal. Në fakt, Instituti për Kërkime ndaj Kancerit në SHBA, ka publikuar së fundi 10 gjëra që duhet të bëni për të reduktuar riskun e zhvillimit të kancerit. Shmangja e nitrateve është rregulli numër një. Por çfarë do të thotë kjo për ata që hanë mish në mëngjes? Që duhet të ndryshojnë menunë e mëngjesit, sigurisht!

    Drithëra të sheqerosura

    Si mund ta bëjmë diferencën midis sheqerit të keq dhe ati të mirë për shëndetin tonë? Disa drithëra janë përplot me karbohidrate dhe sheqer. Kur i hani, sheqeri në gjakun tonë i thumbon menjëherë ato dhe i dërgon në fund. Nëse doni që energjitë tuaja të mos dërrmohen që në mëngjes, është mirë që t’i shmangni këto drithëra. Në vend të tyre, zgjidhni drithëra me shumë fibra dhe proteina. Nëse doni edhe opsione të tjera, ushqehuni me drithëra që përmbajnë arrorrë për të përftuar më shumë proteina dhe fibra.

    Petulla të paketuara me shurup artificial

    Ndërsa shurupet natyrale kanë ëmbëlsues të shëndetshme, ekzistojnë një sërë shurupesh artificiale nëpër dyqane që e kanë të lartë nivelin e shurupit fruktoz të drithërave. Ëmbëlsuesit që derivojnë nga drithërat janë gjithashtu prezent në të shumtën e ushqimeve të paketuara. Shurupi i tepërt fruktoz i drithërave çon në obezitetin abdominal, i cili ruhet midis organeve. Ky është obeziteti që çon në kancer. Një studim i fundit i publikuar në një revistë për shëndetin, e lidh nivelin e lartë të shurupit fruktoz të drithërave me diabetin.

  • Serbët e veriut me kushte për zgjedhjet e reja

    Serbët e veriut me kushte për zgjedhjet e reja

    Për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme në katër komunat veriore të vendit, popullata serbe që është shumicë në këto zona, ka kushte.

    Ata gjatë një bashkëbisedimi për KosovaPress, thonë se duan që fillimisht të krijohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, pastaj që policia të tërhiqet nga veriu, të lirohen të gjithë të burgosurit serbë, si dhe kryetarët shqiptarë të komunave të tërhiqen, në mënyrë që ata pastaj të marrin pjesë në zgjedhjet që do të organizoheshin nga Qeveria e Kosovës.

    Svetomir Boshkoviq, qytetar nga veriu i Mitrovicës, thotë se mbajtja e zgjedhjeve në veri është e nevojshme, por pasi të plotësohen të gjitha kushtet të cilat serbët ka kohë që po i kërkojnë.

    Ai përmendi krijimin e Asociacionit, tërheqjen e të gjitha forcave policore nga veriu, si dhe lirimin e hapësirave komunale e arsimore, si kusht për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje.

    ‘Është e duhur që zgjedhjet të mbahen, të jenë legale dhe legjitime. Mirëpo ka kushte që së pari duhet plotësuar… Të tërhiqen të gjitha forcat policore, të lirohen hapësirat komunale dhe arsimore…Kusht është poashtu formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe i cili është nënshkruar para njëmbëdhjetë vitesh…Parakushte janë këto, ky është kushti (për të nënshkruar peticionin)’, ka thënë Boshkoviq.

    Edhe Lubomir Miljkoviq, e ka kushtëzuar pjesëmarrjen në zgjedhje.

    Ai veç tjerash, ka përmendur lirimin e të gjithë të burgosurve serbë, si kusht për të dalë në zgjedhje.

    ‘Zgjedhjet duhet të mbahen, por duhet të plotësohen kushtet, të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, të lirohen të arrestuarit, do të thotë të plotësohen të gjitha kushtet… edhe kryetarët e rrejshëm që janë të cilët nuk përfaqësojnë shumicën, ata përfaqësojnë një pakicë… Sipas të gjitha gjasave popullata nuk do të dalë (për të nënshkruar peticionin) … derisa kushtet të mos plotësohen, dyshoj se do të bëhet diçka’, theksoi Miljkoviq.

    Mileva Bashcareviq, po ashtu qytetare nga veriu i Mitrovicës, tha se shqiptarët e serbët duhet të jetojnë së bashku dhe të kenë të drejta të barabarta.

    Mirëpo shtoi se serbët kërkojnë disa kushte tashmë të njohura, pa plotësimin e të cilave ata nuk do të marrin pjesë në zgjedhje.

    ‘Duhet të mbahen zgjedhjet, të formohen komunat me shumicë serbe dhe të jetojmë të gjithë së bashku dhe të kemi të drejta të barabarta… Edhe policët të jenë serbë e shqiptarë… Nuk do të dalin qytetarët në zgjedhje nëse nuk ka Asociacion të komunave me shumicë serbe’, tha ajo.

    Në anën tjetër, Emir Azemi, njohës i zhvillimeve politike nga veriu i Mitrovicës, ka bërë të ditur se për situatën në veri të vendit, duhet patjetër një marrëveshje politike mes palëve në proces, si dhe garanci e fortë nga ana e SHBA-së, për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

    Ai preferon dorëheqjen e kryetarëve si opsion më të lehtë dhe më të mirë, për shkak se, siç u shpreh, procesi i zgjedhjeve përmes peticionit, është shumë i komplikuar dhe i pamundur.

    Azemi ka potencuar se nënshkrimi i peticionit për shkarkimin e kryetarëve nga ana e 20 përqind të votuesve, që nënkupton fazën e parë të procesit, është i mundur dhe mund të realizohet. Mirëpo, siç tha ai, procesi do të komplikohet gjatë fazës së dytë, e cila përfshinë daljen e 50 përqind plus një të votuesve.

    Sipas tij, nëse në komunën e Mitrovicës Veriore janë 20 mijë votues në listën e votuesve, kjo nënkupton se duhet të dalin të nënshkruajnë 10 mijë plus një votues, gjë që është e pamundur.

    Mitrovica e Veriut, shtoi ai, ka rreth 12 mijë banorë rezidentë, dhe nëse në fazën e dytë duhet të votojnë mbi 10 mijë qytetarë, atëherë do të jetë e pamundur ose do të duhej që një person të votojë shumë herë për të arritur pesëdhjetë plus njëshin dhe në këtë mënyrë do të lëndohej procesi zgjedhor.

    ‘Unë mendoj se për situatën në veriun e Kosovës duhet një marrëveshje politike mes palëve në proces, një granci e fortë e SHBA-së se ky proces zgjedhor nuk duhet të dështojë, nuk do të ketë ndërhyrje siç ka pasur në të kaluarën, dhe të ketë zgjedhje të lira, fer dhe demokratike, ku do të marrin pjesë Lista qytetare, subjekte politike, dhe të dalin struktura nga vullneti qytetarë dhe assesi nga presioni, as nga detyrimi që mund të vije nga jashtë ose nga brenda, dhe në një formë të përmbyllet ky proces i riintegrimit të komunave të Kosovës me shumicë serbe… Pra thënë ndryshe, mendoj se peticioni prej 20 për qind mund të jetë një proces ose vullnet politik për të dëshmuar se serbët do të marrin pjesë në zgjedhje, por nëse shkohet në fazën e dytë që është pesëdhjetë plus një, mendoj se këtu do të ngecet, këtu do të dështojë procesi, sepse për mendimin tim është e paarritshme dhe e pamudur, siç shihet nga e kaluara që të dalin mbi 10 mijë qytetarë të votojnë në një proces zgjedhor… Është shumë e vështirë të arrihet që të votohet pesëdhjetë plus një, në një proces pas njëzetë përqindëshit që është paraparë me udhëzimin administrativ’, sqaroi për KosovaPress Azemi.

    Ndryshe, zgjedhjet e parakohshme në komunat veriore të Kosovës përmenden si opsion për shtensionimin e situatës, pasi marrja e detyrës nga kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, ka shkaktuar tensione e trazira që nga 26 maji e tutje, ndërsa në këto zgjedhje do të duhej të sigurohej pjesëmarrja e serbëve si votues, por edhe si kandidatë.

  • Vetaksidenti tragjik në autostradën “Ibrahim Rugova”: Vdes gruaja, shoferi dhe tre fëmijë dërgohen në spital

    Vetaksidenti tragjik në autostradën “Ibrahim Rugova”: Vdes gruaja, shoferi dhe tre fëmijë dërgohen në spital

    Një grua ka vdekur, ndërsa ngasësi i veturës dhe tre fëmijë kanë pësuar lëndime si pasojë e një vetaksidenti në autostradën “Ibrahim Rugova” mëngjesin e së shtunës.

    Një gjë të tillë e ka njoftuar Policia e Kosovës në raportin ditor, teksa njofton se vetura është rrokullisur si pasojë e mos-përshtatjes së shpejtësisë.

    “AKSIDENT TRAFIKU ME FATALITET – Autostrada Ibrahim Rugova (km-24) 02.09.2023 – 06:10. Drejtuesi mashkull kosovar, derisa ishte duke drejtuar veturën, dyshohet nga pakujdesia dhe mospërshtatja shpejtësisë kushteve të rrugës ka shkaktuar vet aksident, duke u rrokullisur me veturë”, thuhet në njoftimin e PK-së.

    Policia njofton se, si shkak i kësaj, një grua nga lëndimet vdekjeprurëse ka vdekur përgjatë transportimit për në spital. Ndërkaq, ngasësi i veturës dhe të tre fëmijët janë dërguar për trajtim mjekësor.

    “Si pasojë, lëndime vdekjeprurëse ka pësuar pasagjerja kosovare, e cila gjatë transportit për në spital ka ndërruar jetë, ndërsa lëndime kanë pësuar vetë drejtuesi, i cili për shkak të lëndimeve serioze është dërguar në QKUK, po ashtu lëndime kanë pësuar edhe tre fëmijë pasagjerë në veturë, të cilët janë dërguar për tretman mjekësor në spitalin rajonal në Prizren”, përfundon njoftimi i policisë.

  • Pacientët spitalor s’presin për rezonancë magnetike – Nuza: Një mjek u largua në sektorin privat e një u pensionua

    Pacientët spitalor s’presin për rezonancë magnetike – Nuza: Një mjek u largua në sektorin privat e një u pensionua

    Tri aparatura sa i ka në dispozicion aktualisht Klinika e Radiologjisë, ka bërë që listë të pritjes të mos ketë për pacientët spitalor. Krahas kësaj, kjo klinikë po e shfrytëzon edhe aparaturën në Pediatri për mosha të reja, e që zakonisht dedikohet për fëmijë, raporton Ekonomia Online.

    Drejtoresha e kësaj klinike, Shkëndije Nuza, ka thënë për Ekonomia Online se edhe Radiologjia është prekur nga ikja e mjekëve por që nuk ka lënë zbrazëtirë të madhe. E një tjetër ka thënë se është pensionuar në fillim të këtij viti.

    Ajo ka thënë për Ekonomia Online, se aktualisht qëndrojnë mirë me infermierë dhe se punësimi i dhjetë të rinjve u ka lehtësuar shumë punën.

    Nuza ka folur edhe për punën që bëhet në këtë klinikë, duke thënë se gjatë sezonit të verës, ka më pak kërkesa për rezonancë magnetike.

    E pikërisht kjo gjë, ka bërë që menaxhmenti ta shfrytëzojë këtë mundësi për të ulur numrin nga lista e pritjes.

    “Në një periudhë gjashtë mujore ne e kemi pasur rezonancën magnetike në Onkologji jashtë funksionit për shkak të vërshimeve dhe ka pësuar defekt aparati dhe kemi funksionuar me vetëm një aparat, dhe për kundër kësaj, asnjë pacientë nga lista e pritjes nuk iu është shtyrë termini dhe funksionalizimi në fillimvit i rezonancës në Onkologji dhe funksionalizimi muajve të fundit i rezonancës në Pediatri, ka ndikuar shumë dhe sidomos është revitimi i listave dhe në përgjithësi çdo pacient që ka ekzistuar në listën e pritjes, thirret dhe vendoset për t’u kryer. Është rritur numri i pacientëve ditor. Përveç rasteve të paradites, gjithmonë është e dedikuar për pacientët spitalor dhe duke pasur parasysh që sezona e verës ka më pak raste, ne e kemi shfrytëzuar këtë rast për ta ulur numrin”, ka thënë Nuza, teksa shtoi se rezonancën në Pediatri po e shfrytëzojnë edhe për mosha të reja.

    “Rezonanca në Pediatri, po ashtu bën pacientë të moshave të reja dhe jo vetëm fëmijë dhe në përgjithësi ka ardh tek ulja e listës së pritjes dhe jemi në fund të dhjetorit”, u shpreh ajo.

    Nuza ka deklaruar se pacientët që janë të shtrirë në QKUK, nuk kanë nevojë për terminë. Ajo ka thënë se renditja bëhet nga klinika përkatëse.

    “Ne e bëjmë një orar të klinikave të cilat kanë kërkesa për ekzaminime me rezonancë magnetike dhe në kuadër të shërbimit është i domosdoshëm ekzaminimi me rezonancë magnetike dhe i caktojmë terminët ditor. Shembull e kemi Neurologjinë dhe Neurokirurgjinë që i kanë çdo ditë terminet e veta dhe i kryejnë pacientët e tyre. Pacientët spitalor nuk bëjnë termine në Klinikën e Radiologjisë. Renditjen e pacientëve apo ekzaminimin në baza ditore të pacientëve në klinikat përkatëse e bëjnë klinikat në bazë të diagnozës së pacientit”, u shpreh Nuza.

    E nga punësimi i infermierëve të rinj në QKUK, Klinika e Radiologjisë ka arritur t’i marrë 10. Me këtë rast, Nuza ka thënë se me pensionimin e një mjeku dhe një largimi për në sektorin privat, aktualisht nuk ka pasur lëvizje të tilla.

    “Me staf për momentin, një mjek është pensionuar në fillim të vitit dhe një mjek ka kaluar në sektor privat, ndërsa teknikë kohëve të fundit 10 teknikë i kemi marrë të rinj që na kanë lehtësuar jashtëzakonisht punën, për arsye se Radiologjia çdo ditë rritet me numër të shërbimeve, ndërsa kemi qenë në numër të paktë me staf teknik e që ne varemi shumë nga puna e tyre dhe tash jemi shumë më mirë në krahasim siç kemi qenë më herët. Nga Klinika e Radiologjisë nuk ka pas që kanë dalë jashtë shtetit”, ka thënë Nuza.

  • Falja e 100 eurove, Murati: U takon komunave nëse duan ta shfrytëzojnë këtë mundësi ose jo

    Falja e 100 eurove, Murati: U takon komunave nëse duan ta shfrytëzojnë këtë mundësi ose jo

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka thënë se Graçanica, Obiliqi, dhe Drenasi janë komunat për të cilat në javën që po lëmë pas është raportuar se kanë miratuar faljen e një pjese të barrës së tatimit në pronë, ashtu siç e mundëson ligji i ndryshuar për tatimin në pronë.

    Ai ka shkruatr në Facebook se si Qeveri, kanë hartuar ligjin e ndryshuar, dhe ligji sipas tij është miratuar në Kuvend.

    Murati shprehet se u takon komunave të vendosin nëse duan ta shfrytëzojnë këtë mundësi ose jo.

    “Një mundësi të tillë për të lehtësuar barrën e tatimpaguesve e patën kërkuar pothuajse të gjitha komunat. Tani, u takon komunave të vendosin nëse duan ta shfrytëzojnë këtë mundësi ose jo”, shkruan Murati.

    Sipas Muratit deri në fund të muajit gusht 2023, nga tatimi në pronë komunat kanë mbledhur mbi 35 milionë euro, që sic thekson ai, e tejkalon me rreth 500 mijë euro nivelin e mbledhur për komplet vitin 2022.

    “Marrë parasysh këtë performancë të mirë, i inkurajoj edhe komunat tjera që të shfrytëzojnë mundësinë e faljes së një pjese të tatimit në pronë që të lehtësojnë barrën e qytetarëve, para datës 15 shtator 2023, kur edhe përfundon afati ligjor”, shkruan Murati.

    Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), ditë më parë e ka çuar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin që mundëson faljen e 100 eurove tatim për të gjithë qytetarët në vitin 2023.

  • FSK-së i kthehen me rezultate të larta ushtarët që shkuan për të diplomuar në Turqi

    FSK-së i kthehen me rezultate të larta ushtarët që shkuan për të diplomuar në Turqi

    FSK ka dalë me njoftim, ku bëri të ditur se ushtarakët nga Kosova kanë treguar rezultate të larta në Akademitë Ushtarake të Turqisë.

    Siç njofton FSK, nëntoger Edison Murtezi ka diplomuar me suksese të lartë në Universitetin e Mbrojtjes Nacionale, pranë Akademisë Tokësore të Forcave të Armatosura të Republikës së Turqisë, si dhe OR3 Sylejman Dalloshi ka përfunduar me suksese Kolegjin profesional të Nënoficerëve (NOF), të Forcave Tokësorë.

    Në ceremoninë shtetërore të organizuar, kanë diplomuar 937 oficerë nga Republika e Turqisë, dhe 76 oficerë ndërkombëtarë nga 15 shtete, ku në mesin e tyre ishte Nëntoger Murtezi.

    “OF1 Edison Murtezi dhe OR3 Sylejman Dalloshi përfunduan me sukses të lartë shkollimin e tyre në Republikën e Turqisë, duke përfaqësuar kështu shtetin e Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës në mënyrën më të mirë, duke treguar rezultate të larta gjatë shkollimit.

    Ata do të kthen në radhët e FSK-së, për të dhënë kontributin e tyre në ngritjen dhe avancimin profesional të FSK-së.

    Ky shkollim është realizuar falë bashkëpunimit që ka Forca e Sigurisë së Kosovës me Republikën e Turqisë, ku një numër i madh i pjesëtarëve kanë ndjekur shkollime e trajnime të shumta në fusha të ndryshme të edukimit ushtarak.

    “Në ceremoninë e diplomimit të oficereve morën pjesë udhëheqësit më të lartë shtetërorë të Republikës së Turqisë, Presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan, Ministri i Ministrisë së Mbrojtjes Nacionale Yasar Guler, përfaqësues shtetërorë, të universitetit të mbrojtjes, atashe ushtarak të shteteve të ndryshme, atasheu i Mbrojtjes nga Kosova në Republikën e Turqisë, familjare dhe të afërm të diplomuarve”, kështu u bë e ditur nga Ministra e Mbrojtjes.

  • ​Tahiri: Rruga qorre e Kurtit në dialog po e dëmton Kosovën

    ​Tahiri: Rruga qorre e Kurtit në dialog po e dëmton Kosovën

    Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për qasje të gabuar në dialog me Serbinë. Pak ditë pas konfirmimit të takimit të radhës Kurti-Vuçiq, më 14 shtator në Bruksel, Tahiri thotë se politika e deritanishme e kryeministrit Kurti e ka kthyer Kosovën në një humbëse në këtë proces dhe të sanksionuar nga Bashkimi Evropian.

    Tahiri në një intervistë për KosovaPress, është skeptik se do të ketë rezultate pozitive nga ky takim, derisa flet edhe për udhëzimin administrativ që mundëson shkarkimin e kryetarëve në veri, përmes peticionit, paralajmërimet për pezullim të vendimit për heqjen e vizave dhe mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.

    “Qasja e deritanishme e qeverisë Kurti në dialog e ka kthyer Kosovën në humbëse dhe ka dobësuar vendin tonë në rrafshin ndërkombëtar por edhe të brendshëm. Në vend që Serbia që është vendi i vetëm në Evropë që nuk i ka vendosur masa Rusisë të sanksionohet, sot e sanksionuar është Kosova për shkak të një politike qorre, jo strategjike dhe kryesisht taktike për interesa të ngushta votuese të Lëvizjes Vetëvendosje e ka sjell Kosovën në humbëse… Kosova sot është më dobët në rrafshin ndërkombëtar. Është më e dobët në sovranitetin e vendit të vet, në rrafshin e brendshëm dhe Kosova është më e dobët në vendimmarrjen e saj. Secili vendim që është marrë prej 31 korrikut të vitit të kaluar, tablat, gjobat të gjitha janë kthyer prapa”, thotë Tahiri.

    Ai konsideron si të gabuar edhe insistimin e Qeverisë së Kosovës që të shkohet në zgjedhje të parakohshme në veri vetëm përmes peticionit. Sipas tij, i njëjti ka disa problematika që mund të jenë në dëm të Kosovës në të ardhmen.

    “Vakumi ligjor me peticion është shumë problematik. Kush e administron peticionin? Kush e vlerëson peticionin? Sa është numri i njerëzve që duhet të nënshkruhen në atë peticion? Apo ia jep Serbisë prapë një letër me thënë qytetarëve serbë mos e nënshkruani peticionin. Problemi në veri të Kosovës është i trashëguar, por gjatë rrugëtimit ka pasur disa aktivitete ku gjyqtarë serbë kanë nënshkruar me logo të Kosovës, policë që kanë nënshkruar kontratën me logon e Kosovës, po ashtu edhe zyrtarë komunal. Por po e shoh se Kurti ka marrë një pozicion tjetër, mirëpo në atë qasje duhet të kesh një pozicion final se deri ku ndalesh dhe ku ecë”, deklaron ai.

    Tahiri kritikon edhe presidenten Vjosa Osmani, e cila sipas tij, bëri një deklaratë joserioze duke iu kundërpërgjigjur presidentit francez, Emmanuel Macron për çështjen e vizave. Ai thekson se dialogun nuk mund të vret askush, pasi s’ka alternativë tjetër përveç tij.

    “Deklarata e presidentit Macron është problematike. Pse duhet ai në një fjalim të tij me trajtu Kosovën e cila e ka rrugën e lirisë dhe shtetndërtimit pro evropian. Ne jemi mbështetës të kauzave evropiane me një kushtetutë që i jep diskriminim pozitiv pakicave dhe një shoqëri multietnike. Pse duhet të na përmend neve ai. Në anën tjetër cili është reagimi jonë, ai është se kjo qasje e vranë dialogun. Cila është alternativa e dialogut? Kjo do të ishte pyetja ime për presidenten. Lufta? Pasi ti ose flet ose lufton. A jeni duke parë sa janë joserioz në këtë qasje”, thekson Tahiri.

    Në anën tjetër, ai rendit ato që sipas tij, dëshmojnë korrupsionin në Qeverinë Kurti.

    “Qeveria Kurti i ka dhënë disa tregues shumë të rëndësishëm. Ka ra miti i pastërtisë. Pse? Thuhet që janë mbi pesë ministra të hetuar për korrupsion. Rasti i Martin Berishajt është serioz, i cili është duke u hetuar dhe ndaj ankesës së të cilit ka pas refuzim prej vendeve ku është diskutu kjo temë për energji. Rasti i rezervave shtetërore është serioz, ku është paguar malli me një kontratë njëburimore, e cila qenka lidh me një mashtrues polak për të cilën janë dhënë 10 milionë euro dhe diku në vlerë 600 mijë euro, nuk ka ardh malli hiç kurrë. Për një diskutim që duhet të jetë sekret shtetëror, ka qenë ndërmjetësues një njeri që s’ka asnjë funksion publik”, shton ai.

    Megjithatë, shefi i deputetëve të AAK-së, pranon se kanë ngecur sa i përket mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, për shkak se dy partitë të tjera opozitare, PDK dhe LDK, për të cilat thotë se nuk janë të interesuara për t’i dhënë nënshkrimet.

    “Me thënë drejtpërdrejtë interesi i dy partive opozitare (PDK dhe LDK) nuk ka qenë me nënshkruar mocionin. Ato janë parti në veti dhe ne jemi parti të ndara. Ka qenë interesimi që me shku në zgjedhje të jashtëzakonshme por jo me peticion. Tash në këtë temë në zgjedhje shkohet në dy forma. Njëra është kur jep dorëheqje kryeministri, tjetra është kur bëhen votat dhe me mocion shkohet në zgjedhje”, thotë Tahiri.

    Ai është i bindur se kurdo që do të mbahen zgjedhjet, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje s’do t’i merr më kurrë 50 për qind të votave.

    “Në Vetëvendosje janë duke menduar që Albini iu fiton prapë votat me i marrë 50 për qind. Ndoshta na befason edhe neve opozitën, por të dhënat, sondazhet, informatat prej tereni, tregojnë një pakënaqësi serioze me këtë qeveri. Si do të jetë qasja jonë sa do të mundemi të mobilizojmë nuk e di, por një e di që kurrë më në jetë 50 për qind. Asnjëherë, një herë i ka marrë duke thënë këta janë garda e vjetër duhet me shku në shtëpi por më nuk ndodh kurrë. Njerëzit kanë me lyp rezultate, të cilat nuk i ka kjo qeveri”, përfundon ai.

  • 78 vjet nga fundi i Luftës së Dytë Botërore

    78 vjet nga fundi i Luftës së Dytë Botërore

    Dy shtatori 1945 konsiderohet si fundi i Luftës së Dytë Botërore pas dorëzimit të trupave japoneze më 15 gusht të po atij viti.

    Më 2 shtator 1945, gjenerali i Ushtrisë amerikane, Douglas MacArthur, kryesoi një ceremoni me rastin e dorëzimit të Japonisë, me çka iu dha fund Luftës së Dytë Botërore.

    Ceremonia e shkurtër u zhvillua në Gjirin e Tokios, në luftanijen Missouri të komandantit të Flotës së SHBA-së për Paqësorin.

    Duke iu drejtuar përfaqësuesve të aleatëve të mbledhur në anije, gjenerali MacArthur tha se sikurse mbarë njerëzimi, ai shpresonte që pas kësaj ngjarjeje kaq të rëndësishme, një botë më e mirë do të dilte nga gjaku dhe tmerret e së kaluarës, një botë që do t’i përkushtohej dinjitetit të njeriut dhe plotësimit të dëshirave më të shtrenjta të njerëzimit, lirisë, tolerancës dhe drejtësisë.

    Lufta e Dytë Botërore (1939-1945) ka qenë njëra ndër luftërat më të përgjakshme gjatë historisë së njerëzimit. Fillimi i saj është i lidhur me hesape të paqëruara mes shteteve të fuqishme nga Lufta e Parë Botërore.

  • Erdogan kërkon një kushtetute të re për Turqinë

    Erdogan kërkon një kushtetute të re për Turqinë

    Turqia ka nevojë për një kushtetutë të klasit të parë që do të plotësojë demokracinë, ekonominë dhe liritë e saj të klasit të parë, tha presidenti i këtij vendi, Recep Tayyip Erdogan.

    “Kur Parlamenti të fillojë punën pas pushimit veror, ne do të rifillojmë nismën tonë për të sjellë një kushtetutë të re në demokracinë turke, e cila është ëndrra jonë që nga viti 2011”, tha ai.

    Ai ftoi ligjvënësit turq, partitë politike, gjykatat e larta, universitetet, institucionet qeveritare dhe shumë juristë që të kontribuojnë në këtë proces.

     

    “Shteti i ligjit është vija jonë e kuqe. Është detyra jonë të rrisim besimin në gjyqësor dhe të parandalojmë dënimin publik”, tha lideri turk.

    Që nga themelimi i tij, shteti modern turk është qeverisur nga katër kushtetuta, e para prej të cilave u miratua në vitin 1921 dhe u ndryshua në 1924 dhe 1961, përpara hyrjes në fuqi të Kushtetutës së vitit 1982.

    Grushti i përgjakshëm i vitit 1980, i cili dërgoi në burgosjen e qindra mijëra njerëzve, së bashku me gjyqet masive, torturat dhe ekzekutimet, ende përfaqëson një periudhë të errët në historinë politike turke.

    Kushtetuta e vitit 1982 që atëherë është modifikuar për të mbajtur ritmin me tendencat gjeopolitike globale dhe rajonale. Ndryshimet më të fundit u prezantuan pas referendumit të vitit 2017, duke përfshirë kalimin nga një sistem parlamentar në një sistem presidencial.

  • Lëkundje tërmeti në Shqipëri, epiqendra në Ersekë

    Lëkundje tërmeti në Shqipëri, epiqendra në Ersekë

    Lëkundje sizmike janë ndjerë rreth orës 08:17 minuta sot në Shqipëri.

    Sipas EMSC , magnituda e tërmetit është 3.9 e shkallës Rihter.

    Epiqendra e tërmetit ishte 15 km në lindje të Ersekës, ndërsa raportohet se lëkundjet janë ndjerë edhe në Elbasan.