ATV

Blog

  • Vdes një burrë nga Podujeva në QKUK

    Vdes një burrë nga Podujeva në QKUK

    Një burrë nga Podujeva ka vdekur derisa ishte duke marrë tretman mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, të shtunën.

    Në raportin 24 orësh të policisë thuhet se me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

    “Është raportuar se viktima mashkull kosovar gjersa ishte në tretman mjekësorë në QKUK ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion”, njofton PK-ja.

  • Grabitje me armë në Prishtinë, të dyshuarit në arrati

    Grabitje me armë në Prishtinë, të dyshuarit në arrati

    Policia e Kosovës ka raportuar për një grabitje me armë në Prishtinë.

    Dy persona kanë deklaruar se tre persona të tjerë të maskuar i kanë kanosur me armë dhe iu kanë grabitur një shumë parash e më pas janë larguar.

    “GRABITJE ME ARMË – Prishtinë. 03.09.2023 – 02:07. Dy viktimat meshkuj kosovarë, kanë raportuar se tre persona të maskuar duke i kanosur me armë iu kanë grabitur një shume parash dhe janë larguar në drejtim të panjohur. Nuk raportohet për të lënduar. Rasti në procedurë hetimore.”

  • “E kam pasur të pamundur të aplikoj për subvencionimin e librave, sistemi nuk funksiononte”, thotë moderatorja Kaltrina Mikushnica

    “E kam pasur të pamundur të aplikoj për subvencionimin e librave, sistemi nuk funksiononte”, thotë moderatorja Kaltrina Mikushnica

    Moderatorja Kaltrina Mikushnica, në emisionin e sotëm në mëngjesit ALARM në ATV, derisa po lexonte titujt e portalit atvlive.tv për ditën e sotme, tregoi se edhe ajo ka pasur problem që të aplikojë për subvencionimin e librave.

    Kjo pasi, siç thotë ajo, për shkak të mos funksionimit të sistemit online për aplikim.

    “Unë personalisht jam munduar të aplikoj për këtë subvencionim të librave, por e kam pasur të pamundur, me qenë se nuk funksiononte e-service në të cilën duhet të aplikojmë. Por, ndoshta nuk është diçka shqetësuese, kohë kemi, presim sa të doni”, tregoi moderatorja.

    Emisionin e plotë të mëngjesit për ditën e sotme e gjeni në videon më poshtë:

  • Sot seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, diskutohet për tekstet shkollore

    Sot seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, diskutohet për tekstet shkollore

    Kuvendi i Kosovës sot duke filluar nga ora 12:00 do të mbajë seancë të jashtëzakonshme. Një gjë e tillë është konfirmuar nga faqja zyrtare e Kuvendit.

    “Kuvendi mban debat parlamentar lidhur me dështimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për sigurimin e teksteve shkollore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe arsimit të mesëm të ulët për vitin shkollor 2023/2024”, njofton Kuvendi i Kosovës.

    Ndryshe deputetët e opozitës, të cilët janë anëtarë të Komisionit për Arsim, të mbështetur nga deputetët e tjerë, të premten e kanë iniciuar iniciuar thirrjen e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit për 4 shtator.

    Arsyeja e thirrjes së seancës ka të bëjë, sipas tyre, me mungesën e furnizimit të mbi 200 mijë nxënësve me tekste shkollore.

    “Pasojat e paaftësisë dhe dështimit të kësaj qeverie, po i vuajnë mbi 200 mijë nxënës, mijëra prindër e mësimdhënës. Gjendja është e jashtëzakonshme dhe kërkon veprime urgjente”, ka njoftuar Eliza Hoxha nga Partia Demokratike e Kosovës.

    Çështje e teksteve shkollore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor, ka qenë temë debati ditët e fundit, për shkak se MASHTI ka vendosur të bëj subvencionimin e librave deri në 80 euro për nxënës.

    Viteve të kaluara, sigurimi i teksteve shkollore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor, është bërë direkt nga qeveria e Kosovës përmes shtëpive botuese.

  • Reshjet e shumta të shiut shkaktojnë përmbytje në Spanjë

    Reshjet e shumta të shiut shkaktojnë përmbytje në Spanjë

    Reshjet e shumta të shiut kanë shkaktuar vërshime të mëdha në disa pjesë të Spanjës, raporton BBC.

    Shkalla më e lartë e paralajmërimit është vendosur në fuqi në rajonet e Madridit, Toledos dhe Cadizit.

    Ndeshja e futbollit e paraparë të luhet të dielën mes Atletico Madridit e Sevillas është shtyrë shkaku i shiut.

    Banorëve në Madrid iu është kërkuar të qëndrojnë në shtëpi për shkak të “reshjeve jonormale të shiut”.

    Vetëm në kryeqendër të Spanjës, Madrid, zjarrfikësit janë telefonuar 190 herë për të intervenuar në rrugët e vërshuara.

    Shumica e shiut, që është sjellë nga stuhia “Dana”, është koncentruar në Cadiz, Tarragona dhe Castello, rajonet bregdetare.

  • Deputeti evropian: Evropa të mësojë nga gabimet me Rusinë në qasjen ndaj Kinës

    Deputeti evropian: Evropa të mësojë nga gabimet me Rusinë në qasjen ndaj Kinës

    Evropa është ende “naive” në marrëdhëniet e saj me Kinën dhe duhet të mësojë nga dështimet e saj në politikat me Rusinë, nëse dëshiron të ketë lidhje të suksesshme me Pekinin në të ardhmen, ka paralajmëruar Reinhard Buetikofer, deputet i Parlamentit Evropian.

    “Ekziston aq shumë naivitet sa i përket Kinës në kryeqytetet evropiane, saqë edhe nëse e zvogëlojmë atë për një kohë, nuk e prekim zeron”, ka thënë Buetikofer në një intervistë për REL në Pragë, ku ka marrë pjesë në samitin Aleanca Ndërparlamentare për Kinën, transmeton KosovaPress.

    Ky samit mbledh politikanë që janë të fokusuar në fuqinë aziatike.

    Buetikofer udhëheq delegacionin e Parlamentit Evropian për Kinën dhe është bërë një prej diplomatëve më të zëshëm të BE-së kur është fjala për çështjet rreth Pekinit, duke folur shpesh kundër politikave kineze ndaj Tajvanit, dhe për mbështetjen e Kinës ndaj Rusisë për luftën e nisur në Ukrainë, ani pse autoritetet kineze pretendojnë se janë neutrale në këtë temë.

    Politikani gjerman, Buetikofer e ka bashkë-udhëhequr Partinë e Gjelbër gjermane, para se të zhvendosej në Bruksel.

    Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai ka thënë se BE-ja duhet të mësojë nga varësia që e ka pasur në energjinë ruse, për ta menaxhuar varësinë ndaj tregjeve kineze dhe ndikimin e saj në industritë strategjike.

    “Mendoj se është e drejtë të them se përvoja me Rusinë na ka mësuar se çfarë duhet të jetë e aplikueshme në marrëdhëniet me Kinën”, ka thënë Buetikofer.

    “Kina është duke e mbështetur Rusinë dhe nuk dëshiron që Rusia të humbë në asnjë mënyrë. Unë nuk e shoh aspak afër neutrales. Ajo është duke tentuar të përfitojë nga lufta në Ukrainë”.

    Disa persona në Hong Kong duke e shikuar transmetimin teksa forcat ushtarake ruse nisen drejt Ukrainës, 24 shkurt 2022.

    Disa persona në Hong Kong duke e shikuar transmetimin teksa forcat ushtarake ruse nisen drejt Ukrainës, 24 shkurt 2022.

    Pyetja se si të menaxhohet marrëdhënia afatgjatë me Kinën e ka marrë një dimension krejt tjetër brenda BE-së, prej nisjes së luftës në Ukrainë dhe nisjes së debatit në Bruksel për marrëveshjet që mund të arrihen në të ardhmen me ekonominë e dytë më të madhe në botë.

    Ndonëse Pekini nuk i ka ofruar zyrtarisht armë vdekjeprurëse Moskës për luftën në Ukrainë, Kina e ka vazhduar bashkëpunimin ekonomik me Rusinë.

    Të dhënat e doganave të Kinës tregojnë se ky vend ka nisur në Rusi mallra që mund t’i përdorë ushtria, dhe që Moskës i janë dërguar armë të vogla nga disa kompani private kineze.

    Mirëpo në skenën botërore, Pekini e ka paraqitur veten si vend që do paqe.

    Në shkurt, Kina e ka prezantuar një plan 12-pikësh për bisedime të paqes në mes të Moskës dhe Kievit, i cili është kritikuar nga Perëndimi si tentim të ngrirje të konfliktit në të mirë të Moskës.

    Në gusht, Kina ka marrë pjesë edhe në bisedime diplomatike në Arabinë Saudite, të cilat e kanë pasur në qendër luftën në Ukrainë.

    “Kinezët nuk mund të përjashtohen dhe ata duan të jenë në tavolinë”, ka thënë Buetikofer.

    “Mirëpo, ata janë aty për interesat e tyre dhe për ta negociuar një zgjidhje nga e cila përfiton [presidenti rus, Vladimir] Putin”.

    Presidenti rus, Vladimir Putin, gjatë një takimi me homologun e tij kinez, Xi Jinping. Fotografi nga arkivi.

    Për politikanët e Evropës, pyetja se si të menaxhohet me Pekinin është e çuditshme.

    Ata janë në presion për t’i mbrojtur ekonomitë e tyre nga ekspozimi para Partisë Komuniste të Kinës dhe për t’i marrë seriozisht rreziqet e sigurisë, që dalin nga aleanca e liderit kinez Xi Jinping me Putinin.

    Në të njëjtën kohë, bizneset e BE-së varen nga Kina për eksporte të vlerë të 230 miliardë eurove në vit.

    Gjermania është duke treguar kujdes në prishje të interesave me Kinën – partneren më të madhe tregtare në gjashtë vjetët e fundit – dhe po e trajton këtë çështje me shumë rëndësi, pas shkatërrimit të bizneseve me Rusinë, për shkak të vendosjes së sanksioneve në shkurt të vitit 2022.

    Franca – tjetër shtyllë e bllokut evropian – ka qenë skeptike ndaj qasjes amerikane, e cila e ka në qendër rritjen e presionit ndaj Pekinit dhe kufizimin e ekspozimit ekonomik të Perëndimit ndaj Kinës.

    “Natyrisht, varësia ndaj Kinës nuk fokusohet në vetëm një aspekt, siç ka qenë puna me energjinë e Rusisë”, ka thënë Buetikofer.

    “Është më e shpërndarë dhe është temë që adresohet më vështirë”.

    Pavarësisht mungesës së kohezionit në bllokun me 27 anëtarë, Brukseli ka qenë shumë aktiv në krijimin e politikave të reja për marrëdhëniet me Kinën.

    BE-ja e ka çuar përpara një strategji të re për rajonin e Indo-Paqësorit, e cila e sheh Pekinin si rival afatgjatë dhe në mars, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka bërë thirrje për rivlerësim të marrëdhënieve të bllokut me Kinën, duke paralajmëruar se “nuk mund t’i mbyllim sytë ndaj faktit se Kina nuk është vetëm partnere ekonomike, por edhe rivale sistematike”.

    Në qershor dhe korrik janë publikuar plani i veprimit të BE-së për siguri ekonomike dhe strategjia e re e Qeverisë gjermane për Kinën, dhe në të dyja është përmendur qasja më e ashpër ndaj Pekinit.

    Brukseli ka arritur pajtueshmëri edhe me qasjen amerikane ndaj Kinës, mirëpo e ka zbutur tonin, duke bërë thirrje për një praktikë që e kufizon varësinë ekonomike nga Kina në disa fusha strategjike.

    Buetikofer ka thënë se ky momentum ka qenë rezultat i veprimeve luftarake të vetë Pekinit ndaj BE-së.

    Në veçanti, ai e ka përmendur një episod të vitit 2021, kur Pekini e ka vënë në listë të zezë një grup ligjvënësish evropianë (Buetikofer në mesin e tyre), ekspertësh dhe diplomatësh, për shkak të vendimit të BE-së për t’i sanksionuar katër zyrtarë kinezë për shkelje të të drejtave të njeriut në Ksinjiang.

    Patrullat kineze në rrugët e qytetit Urumqi të provincës Ksinjiang. Fotografi nga arkivi.

    Ky incident ka rezultuar me ngrirje të traktatit për investime mes BE-së dhe Kinës.

    Kina ka tentuar ta ringjallë paktin, pasi është raportuar se diplomatët e saj kanë bërë ofertë që Kina t’i heqë sanksionet në këmbim të ratifikimit të planit nga Brukseli.

    Buetikofer ka thënë se tentime të tilla janë të dështuara, pasi traktati ka vdekur.

    “Nuk ka iluzione në Bruksel se Kina është vetëm partnere. Në periudhë të shkurtër kohore, Kina ka arritur të nxisë dyshime të mëdha”.

    Buetikofer ka qenë në krye të këtyre ndryshimeve, mirëpo ka përmendur se “askush kurrë nuk e lëviz gjilpërën vetë”, duke përmendur mbështetjen që gëzon për linjën e re ndaj Kinës nga shumë parti politike dhe diplomatë të shumtë në Bruksel.

    Buetikofer nuk planifikon të garojë sërish për postin e deputetit në zgjedhjet e vitit 2024.

    Janka Oertel, drejtorja për Azinë në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë të Këshillit Evropian, dhe eksperte e mirë e Kinës, ka thënë në qershor se do të aplikojë për ulësen që tani e mban Buetikofer dhe ai ka thënë se do ta mbështesë.

    “Ne kemi arritur të krijojmë një botëkuptim për politikën ndaj Kinës”, ka thënë Buetikofer.

    “Jam plotësisht i bindur se kjo nuk është fasadë dhe do të vazhdojë të zbatohet”.

    Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, dhe ministri i Jashtëm i Kinës, Qin Gang, gjatë një konference për media në Berlin, 9 maj 2023.

    Diçka e tillë do të testohet më 2024.

    Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara dhe në Tajvan mund të ndikojnë në politika në të dyja anët e Atlantikut, ndërsa zgjedhjet për Parlamentin Evropian do ta vërtetojnë nëse qasja aktuale e Brukselit do të jetë e përkohshme apo e përhershme.

    Për politikanin gjerman, drejtimi i së ardhmes është i qartë.

    “Nuk do të kthehemi më mbrapa në kohën e iluzioneve”, ka thënë ai.

  • ​Trajneri i Kosovës flet sot në konferencë për media

    ​Trajneri i Kosovës flet sot në konferencë për media

    Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Primozh Gliha do të flas sot për herë të parë si trajner i “Dardanëve” në një konferencë për media.

    Kjo dalje e tij vjen pak ditë pasi ai shpalosi listën pre 27 lojtarëve të ftuar për dy ndeshjet e muajit shtator, atë kundër Zvicrës dhe kundër Rumanisë, raporton KosovaPress.

    Gliha u emërua në krye të Kosovës nga Federata e Futbollit pas shkarkimit të francezi Alain Giresse për shkak të rezultateve të dobëta.

    Po ashtu, sot “Dardanët” do ta kryejnë stërvitjen e parë e cila do të mbahet në Kampin Nacional në Hajvali me fillim nga ora 20:00.

  • QKMF “Nagip Rexhepi” në Gjilan pajiset me aparaturë të re për pacientët me diabet

    QKMF “Nagip Rexhepi” në Gjilan pajiset me aparaturë të re për pacientët me diabet

    Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare “Nagip Rexhepi” në Gjilan, është pajisur ame aparaturë të re për pacientët të cilët vuajnë nga sëmundja e diabetit.

    Kjo qendër për herë të parë ofron shërbime për pacientët me diabet, përmes aparatit për testim të hemoglobinës së glukozuar, e cila mundëson diagnostikimin e sëmundjes së diabetit si dhe tregon nivelin mesatar të sheqerit në gjak gjatë tre muajve të fundit.

    Kështu ka bërë të ditur kryetari i Komunës, Alban Hyseni.

    Ai ka thënë se përpos kësaj, QKMF është pajisur edhe me çanta me pajisje të reja mjekësore si: tensiometër, otoskop, oftalmoskop, termometër, glukometër e dhjetëra pajisje të reja.

    “Vazhdojmë me ndryshime në sistemin shëndetësor”, është shprehur kryetari i Gjilanit. /Telegrafi

  • Gjumi jocilësor – faktori kryesor që i bën njerëzit të plaken më shpejt

    Gjumi jocilësor – faktori kryesor që i bën njerëzit të plaken më shpejt

    Një mjek i njohur thekson se problemi nr. 1 që mund t’ju bëjë të plakeni më shpejt është gjumi me cilësi të dobët.

    Dr. Neil Paulvin, një mjek për mjekësinë rigjeneruese, shpjegoi rëndësinë e gjumit në një artikull për CNBC.

    Pushimi i mirë gjatë natës është thelbësor për ata që shpresojnë të plaken më mirë (dhe më ngadalë), theksoi ai.

    Gjumi është thelbësor për shëndetin, sipas Fondacionit Kombëtar të Gjumit. Fondacioni zbuloi se pothuajse 7 nga 10 persona që raportuan gjumë të dobët përjetuan nivele të buta ose më të larta të simptomave depresive.

    Faktorët gjenetikë dhe zgjedhjet e stilit të jetesës, si pirja e duhanit, dieta dhe konsumimi i alkoolit, gjithashtu mund të ndikojnë në plakje por Paulvin tha se gjumi i keq “është gabimi nr. 1 që do t’ju bëjë të plakeni më shpejt”.

    Pse gjumi është kaq i rëndësishëm?

    Trupi shërohet dhe punon për të ruajtur shëndetin fizik gjatë gjumit, sipas Institutit Kombëtar të Zemrës, Mushkërive dhe Gjakut në Amerikë.

    Me kalimin e kohës, gjumi i keq mund të nxisë probleme kronike shëndetësore dhe të ndikojë në zemrën, metabolizmin dhe sistemin imunitar.

    Mungesa e gjumit mund të shkaktojë rrudha dhe plakje të parakohshme të lëkurës, tha Paulvin, duke shtuar se ai gjithashtu mund të përbëjë rreziqe serioze, siç është një rrezik më i lartë i zhvillimit të demencës.

    Ai rekomandon se mbajtja e një orari të qëndrueshëm të gjumit, ekspozimi ndaj dritës së diellit pas zgjimit dhe kufizimi i kafeinës mund të përmirësojë gjumin e natës.

  • Vrasja që tronditi Prizrenin: Ky është 48-vjeçari që u qëllua për vdekje – I dyshuari akoma në arrati

    Vrasja që tronditi Prizrenin: Ky është 48-vjeçari që u qëllua për vdekje – I dyshuari akoma në arrati

    Një ngjarje e rëndë tronditi të hënën Prizrenin, ku në orët e pasdites, për motive akoma të panjohura, 48-vjeçari Beqir Morina u vra nga i dyshuari Aziz Gashi.

    Krimi ndodhi në lagjen “Arbana” dhe dyshohet se 50-vjeçari përdori një pushkë automatike për ta kryer vrasjen dhe më pas u zhduk nga vendi i ngjarjes. Policia e ka shpallur Gashin në kërkim, kurse trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

    Gjithçka dyshohet se ndodhi pak para orës 19:00, kur u dëgjuan disa krisma armësh nga një veturë në lëvizje. I dyshuari Gashi, i cili është nga fshati Sferkë i Klinës dyshohet se gjuajti shtatë herë në drejtim të viktimës, të cilin e la të vdekur në vend.

    Sipas një dëshmitari të rastit, i cili thotë se e ka parë momentin kritik, 50-vjeçari ka kryer aktin në prani të gruas dhe fëmijës së viktimës.

    “Njëri doli prej Taureg-ut, në sy të gruas e të fëmijës e vrajti njeriun, e la për toke. Nuk po dihet pse, veç atë burrin e njoh, punojke në ndërtim ai, i Malishevës. Në sy të gruas, në sy të fëmijës e ka gjujtë, me kallash. Edhe atë djalin e vet, nëpër mure t’u ikë prej plumbit…”, tregoi njëri nga dëshmitarët e rastit për Sinjalin.

    Teksa hetimet për zbardhjen e rrethanave të vrasjes po vazhdojnë, Policia akoma nuk ka rënë në gjurmët e të dyshuarit, i cili mbrëmë i shpëtoi prangave duke ikur.

    Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar togeri i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

    “Rreth orës 18:46 është raportuar për të shtëna me armë zjarri në lagjen Arbana. I dyshuari nga automjeti në lëvizje ka shtënë me armë zjarri në drejtim të një personi tjetër. Është komnstatuar vdekja e viktimës në vendin e ngjarjes. Viktima është mashkull shqiptar i moshës rreth 48 vjeçar dhe i dyshimti është rreth moshës 50-55 vjeçare. I dyshuari është në kërkim nga Policia. Policia bashkë me njësinë e forenzikës janë në vendin e ngjarjes”, tha Bytyqi.