ATV

Blog

  • Në komunën e Shtimes pushimi veror do të zgjasë për nxënësit deri në njoftimin e radhës

    Në komunën e Shtimes pushimi veror do të zgjasë për nxënësit deri në njoftimin e radhës

    Përgatiti: Nexhmie Hyseni

    Rreth 1200 nxënës në komunën e Shtimes nuk shkuan fare në shkollë, meqë komuna filloi renovimet me vonesë në shkollat “Emin Duraku” dhe “Hasan Prishtina”.

    Meqenëse punimet janë në fazën fillestare, komuna megjithatë është optimiste se procesi mësimor do të fillojë të hënën e 4 shtatorit.

    Drejtori i shkollës, e cila është në rinovim, “Emin Duraku”, në Shtime, thotë se prindërit ishin shumë kritikë për mosfillimin e mësimit.

    Derisa pushteti lokal fajësoi opozitën ngase nuk e votoi buxhetin dedikuar rinovimit, opozita kritikoi pushteti.

    Derisa në dy shkolla pritet që fillimi i mësimit të fillojë më 4 shtator në tri shkolla tjera, me këtë datë do të fillojnë rinovimet.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Komiteti Paralimpik i Kosovës është bërë anëtar i Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar

    Komiteti Paralimpik i Kosovës është bërë anëtar i Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Komiteti Paralimpik i Kosovës është bërë pjesë e Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar me të drejta të plota.

    Kjo po konsiderohet të jetë një hap gjigant për sportistët me aftësi të kufizuara, që tani e tutje do të kenë mundësi të garojnë në kampionate botërore e evropiane.

    “Ky hap gjigant është një arritje e jashtëzakonshme që hap dyert e sportistëve të kësaj kategorie drejt sukseseve ndërkombëtare, gjë e cila deri më tani ishte e pamundur të bëhej, me Lojërat Olimpike “Parisi 2024”, si synimin e parë”, tha presidentja e Komitetit Paralimpik të Kosovës, Njomza Emini.

    Kjo do të mundësojë edhe përfitime të ndryshme financiare nga organizatat ndërkombëtare, që mbështesin këtë kategori për lojërat e ardhshme.

    VOX: DAULINA OSMANI, zv. ministrja për Kulturë, Rini dhe Sport
    “Mbështetja e kësaj Ministrie për Komitetin Paralimpik, do të rritet në vazhdimësi, sidomos për të pasur përfaqësim sa më dinjitar në Lojërat Olimpike ‘Parisi 2024’”, tha zv. ministrja për Kulturë, Rini dhe Sport.

    Të kënaqur nga kjo arritje ndihen pjesëtarët e këtij komiteti.

    “Jemi tejet të kënaqur, sepse edhe ne kemi nevojë për përkrahje dhe jo për lëmoshë dhe natyrisht që presim fitore kudo”, tha Irfan Sopjani, pjesëtar i Komitetit Paralimpik.

    Ndryshe, në Lojërat Olimpike që mbahen vitin e ardhshëm në Paris, Kosova do të përfaqësohet nga dy sportistë paralimpik, Grevist Bytyqi dhe Vjollca Hoxha.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Këtë 1 shtator shumë nxënës e nisën pa tekste shkollore

    Këtë 1 shtator shumë nxënës e nisën pa tekste shkollore

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Dorë për dore me nënën e tyre, Maliku dhe Mubaraku, erdhën në shkollën “Emin Duraku” në kryeqytet, për të nisur një rrugëtim të rëndësishëm për ta.

    Por, në ditën e parë të shkollës, dy vëllezërit Shabani nuk patën gjë me vete.
    Prindërit nuk patën mundësi t’i pajisin ata me tekste shkollore, ndryshe nga nxënësit e tjerë.

    “Nuk kemi mundësi me i ble vetë librat, i kam tre fëmijë që duhet me iu ble”, thotë Ramize Shabani, nënë.

    Për t’u bërë me libra ata do të duhet të presin, derisa Qeveria të ekzekutojë subvencionin e premtuar.

    “Po presim kur të dalin paret, ua blejmë se ndryshe nuk kemi mundësi. Na kemi apliku…” , tha ajo.

    Pa libra për të njëjtën arsye, erdhën në shkollë edhe disa fëmijë të tjerë.

    “Çika në klasë të shtatë i ka marrë, tjetrën e kom në klasë të pestë nuk i ka, po presim me na dalë paret edhe mi ble. Na kemi apliku…”, tha Milot Shulemaja, prind.
    Megjithatë, kishte edhe të atillë që procedurën e blerjes së librave për fëmijët tashmë e kanë përfunduar.

    Mirëpo, mësueset presin që të gjithë prindërit t’i blejnë tekstet shkollore për fëmijët e tyre deri të hënën, ndryshe thonë se do të humbasin në mësim.

    Drejtori i shkollës “Emin Duraku” thotë se nxënësit nga klasa e 6 deri në të 9-tën, janë pajisur me tekste shkollore pothuajse të gjithë, andaj presin që njësoj të ndodhë edhe me nxënësit nga e para deri në të pestën.

    Këtë vit përgjegjësinë për blerjen e teksteve shkollore e kishin prindërit, pasi Ministria e Arsimit nuk arriti marrëveshje me shtëpitë botuese. Megjithatë, ata do të subvencionohen nga Qeveria me nga 50 euro për libra dhe 30 euro për materiale të tjera shkollore.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Edhe në “The British School of Kosova” filloi viti i ri shkollor për nivelin fillor

    Edhe në “The British School of Kosova” filloi viti i ri shkollor për nivelin fillor

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Në një atmosferë festive, në praninë e prindërve, nxënësve e stafit pedagogjik, “The British School of Kosova” nisi sot viti i ri shkollor 2023/2024.

    Një emocion më ndryshe kishin nxënësit e klasës së parë, që sot nisën rrugëtimin e mësim nxënies.

    “Shumë mirë edhe shkolla, klasa, shokët”, tha Lis Canolli, nxënës.

    “Jam në klasë të parë, shumë mirë edhe mësuesja”, tha Kron Krasniqi, nxënës.

    “Shumë mirë ishte dita e parë për mua”, tha Dora Sahiti, nxënëse.

    Ndërsa, prindërit u shprehën të kënaqur me atë që ofron “The British School of Kosova”, për fëmijët e tyre.

    “Është staf mjaft profesional, sot e kemi sjellë vajzën, në klasën e parë ka fillu dhe mbështetemi në vlerat që ofron kjo shkollë”, thotë Paulina Nushi-Muhaxhiri, prind.

    “Kemi emocione, por besoj që kemi bërë zgjedhjen e duhur të shkollës për fëmijët tanë”, tha Albion Muhaxhiri, prind.
    Mësimdhënësit mirëpritën fëmijët me urimet më të mira.

    “Nxënësit erdhën, u bashkuan për të mësuar e ne jemi jashtëzakonisht të kënaqur, e do ta bëjmë maksimumin në punën tonë”, tha Genta Xhoka, mësimdhënëse.

    Duke uruar nxënësit e mësimdhënësit, drejtori i shkollës, Lulzim Tytynxhiu, tha se do të nxitë shkathtësitë e talentet e nxënësve.

    “Jemi shumë të kënaqur për besimin që po na ofroni, shkolla jonë do të jetë model i vlerave të larta të arsimit…”, tha drejtori i “The British School of Kosova”, Lulzim Tytynxhiu.

    Ndonëse, sot ishte dita e parë e mësimit dhe interesimi i prindërve për regjistrimin e fëmijëve në “The British School of Kosova” vazhdon të jetë i madh, menaxhmenti i shkollës njofton se një gjë të tillë mund ta bëjnë edhe gjatë ditëve në vijim.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Arrestohet i dyshuari në Prishtinë, prodhoi dhe shpërndau produkte të dëmshme mjekësore

    Arrestohet i dyshuari në Prishtinë, prodhoi dhe shpërndau produkte të dëmshme mjekësore

    Është arrestuar një person në Prishtinë nën dyshimin për veprën ‘prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore’

    Këtë e konfirmoi Policia e Kosovës përmes një komunikate për media.

    ”Gjatë kontrollit në një barnatore është hasur një sasi barnash (lloje të ndryshme) pa banderola të Republikës së Kosovës, të cilat dyshohet se në vendin tonë kanë hyrë në formë të kontrabanduar andaj të njëjtat janë evidentuar në procesverbalet e Inspektoratit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe janë konfiskuar në bazë të procedurave të tyre të punës”, thuhet në njoftimin e policisë.

    I dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe njëkohësisht është bërë edhe verifikimi i së kaluarës kriminale për të dyshuarin ku rezulton se i njëjti në muajin mars të këtij viti kishte qenë i përfshirë në një rast të njëjtë, për vepër të njëjtë penale.

    Ndërsa me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është ndaluar për 48 orë.

  • Subvencionimi i kopshteve, Krasniqi: Lajm tejet i mirë, për të cilin jemi krenarë të gjithë

    Subvencionimi i kopshteve, Krasniqi: Lajm tejet i mirë, për të cilin jemi krenarë të gjithë

    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar në lidhje me subvencionimin me nga 70 euro për secilën familje të Prishtinës që kanë fëmijë nga 9 muaj deri në 6 vjeç për regjistrim në çerdhet private, të hyrat mujore të të cilave janë nën 500 euro.

    Ai këtë e ka quajtur si lajm të mirë, për të cilin siç u shpreh ai, duket të jemi krenarë të gjithë.

    “Asnjë fëmijë s’duhet të lihet anash! Nga 70 euro subvencionim për secilën familje të Prishtinës që kanë fëmijë nga 9 muaj deri në 6 vjeç për regjistrim në çerdhet private, të hyrat mujore të të cilave janë nën 500 euro”.

    “Ky është vendimi i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prishtinës, udhëhequr nga Besianë Musmurati. Një lajm tejet i mirë, për të cilin jemi krenarë të gjithë, posaçërisht në këtë periudhë të vështirë të keqmenaxhimit të sektorit të arsimit nga Qeveria”, ka shkruar ai.

    Ai është shprehur se ky është vizioni për të ndihmuar familjet kosovare në, siç u shpreh ai, edukimin e hershëm të fëmijëve, përcjell Klankosova.tv.

    “Ky është vizioni ynë për të ndihmuar familjet kosovare në edukimin e hershëm të fëmijëve. Përmes kësaj politike, do të rritet përfshirja e fëmijëve në çerdhe dhe edukim të hershëm, do të shtohet pjesëmarrja e grave në tregun e punës, si dhe do të lehtësohet barra financiare për shumë familje të kryeqytetit”.

    “Prishtina, me angazhimin tonë, nuk do të mbetet qyteti i vetëm i cili përfiton nga kjo politikë mbështetëse dhe lehtësuese për familjet kosovare. Në të ardhmen, do të bëjmë përpjekje maksimale që kjo formë të aplikohet edhe në të gjitha komunat e tjera të Kosovës”, ka shkruar tutje Krasniqi.

  • Fatos Nano futet në operacion, mësohet si është gjendje shëndetësore e ish-kryeministrit

    Fatos Nano futet në operacion, mësohet si është gjendje shëndetësore e ish-kryeministrit

    Ish-kryeministri i Shqipërisë njëherësh lideri historik i Partisë Socialiste, Fatos Nano prej disa ditësh ndodhet i shtruar në spitalin “Hygeia” në Tiranë.

    Burime për AlbEu.com bëjnë me dije se Nano i është nënshtruar ndërhyrjes lehtësuese për frymëmarrjen dhe gjendja e tij shëndetësore aktualisht është e mirë dhe e qëndrueshme.

    Kujtojmë se kryeministri Edi Rama i ka akorduar ditën e djeshme medaljen e mirënjohjes publike ish-kryeministrit Fatos Nano.

    Ndërkohë sot ka qenë edhe ish-kryeministri Sali Berisha që i ka uruar shërim të shpejtë rivalit të tij të dikurshëm, Fatos Nano.

    Berisha ka komentuar dhe dekoratën e dhënë dje nga kryeministri Edi Rama për Fatos Nanon dhe ka thënë se mirënjohja nuk ekziston për Ramën, i cili përdor fatkeqësitë për qëllime të veta.

    “Me gjithë sinqeritetin dhe me gjithë zemër i uroj shërim të shpejtë dhe të plotë. Ta kalojë këtë situatë jo të lehtë dhe të rikthehet në familjen e tij. Nuk dua të shkoj më tej se po të shkoj më tej do të dënoja me ashpërsinë më të madhe fasadën e jagos se në qoftë se kishte një Jago, Edi Rama ishte Jago i Fatos Nanos dhe të të qajë Jagoja Zoti është i madh, nuk kam ç’të them tjetër. Çfarë mirënjohjeje, vetëm mirënjohje mbi tokë nuk ekziston për të. Nuk ka moment fatkeqësie që Edi Rama të mos e përdorë për qëllime të veta. Kur përdor dhe të tjera. Ai përbën një Jago dhe e ka të qartë çdo socialist shqiptar që e ka integritetin të mbetet socialist dhe të mos shndërrohet në rilindës. Rilindësit janë sekt”, deklaroi Berisha.

  • Festivali tradicional “Hardh Fest”, Haradinaj: Vreshtarët me punën e tyre janë shndërruar në storje suksesi

    Festivali tradicional “Hardh Fest”, Haradinaj: Vreshtarët me punën e tyre janë shndërruar në storje suksesi

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në festivalin tradicional të vjeljes së rrushit “Hardh Fest” në Rahovec.

    Haradinaj me këtë rast ka falênderuar vreshtarët që me punën e tyre janë shndërruar në storie suksesi.

    “Falënderim të posaçëm i shpreha vreshtarëve e veçanërisht afaristit të suksesshëm shqiptaro-amerikan, Rrustem Gecaj, i cili gjithë mundin e jetës së tij e të familjes e ka investuar në Kosovë. Kjo është një dëshmi që bashkëpunimi e investimet e përbashkëta janë storje suksesi që e çojnë vendin përpara”, ka thënë mes tjerash Haradinaj.

    Postimi i plotë i Haradinajt:

    Qyteti i Rahovecit bashkon shumë vlera dhe ato vlera na bëjnë krenarë si shqiptarë. Në kohën e perpjekjeve per liri, Rahoveci ka kryer provimin më të vështirë të asaj kohe, angazhimin, sakrificën e luftën për liri. Ky qytet atdheut i dha shumë dëshmorë e martirë. Po ashtu, në periudhën e shtetndërtimit, me kontributin në zhvillim ekonomik ka dhënë mjaft dëshmi se sa i rëndësishëm është ky qytet dhe njerëzit e tij për Kosovën.

    Gjatë fjalës sime në festivalin tradicional të vjeljes së rrushit “Hardh Fest” falënderim të posaçëm i shpreha vreshtarëve e veçanërisht afaristit të suksesshëm shqiptaro-amerikan, Rrustem Gecaj, i cili gjithë mundin e jetës së tij e të familjes e ka investuar në Kosovë. Kjo është një dëshmi që bashkëpunimi e investimet e përbashkëta janë storje suksesi që e çojnë vendin përpara.

    Po ashtu theksova që si Kosovë, i kemi disa synime pa të cilat do ta kemi vështirë ta zhvillojmë çdo sektor të vendit. Synim e kemi anëtarësimin në institucionet euro-atlantike, veçanërisht në NATO. Për ta arritur këtë qëllim, nuk guxojmë të largohemi nga aleatët tanë, por duhet të afrohemi me ta që ta kenë besimin tek ne që bashkërisht t’i arrijmë objektivat. Vreshtarëve, fermerëve dhe afaristëve të Rahovecit, i urova suksese në punën e tyre!

  • McCaul: Aleanca Rusi-Kinë, kërcënimi më i madh që nga Lufta e Dytë Botërore

    McCaul: Aleanca Rusi-Kinë, kërcënimi më i madh që nga Lufta e Dytë Botërore

    Kryetari i Komiteti për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve në SHBA tha se është shqetësues partneriteti midis liderëve të Rusisë dhe Kinës, duke shtuar se “ne nuk kemi parë një kërcënim të tillë në shkallë të gjerë në Evropë dhe Paqësor që nga Lufta e Dytë Botërore.

    Aleanca midis liderit kinez, Xi Jinping, dhe presidentit rus, Vladimir Putin, “paraqet një prej sfidave më të mëdha për botën e lirë në këtë garë të madhe për pushtet në të cilën gjendemi”, tha republikani Michael McCaul gjatë vizitës në Suedi.

    Më herët gjatë këtij viti, administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, paralajmëroi Qeverinë kineze për pasoja – të paspecifikuara – nëse mbështet përpjekjet e luftës së Kremlinit në Ukrainë. Në një raport të inteligjencës amerikane u tha se Pekini ka ofruar pajisje të përdorura në Ukrainë, që mund të kenë pasur aplikime ushtarake. Raporti citoi të dhënat e doganave ruse ku thuhej se kontraktorët ushtarakë shtetërorë të Kinës kishin bërë furnizime me pajisje lundruese, pjesë për aviontë luftarakë, dronë dhe produkte të tjera.

    Kina ka rritur blerjet e naftës dhe gazit rus, të ardhurat e të cilave ndihmojnë Qeverinë e Putinit, pasi SHBA-ja, Evropa dhe Japonia kanë hequr dorë pothuajse krejtësisht nga energjia ruse.

    Kina ka refuzuar që t’i bashkohet Perëndimit në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të luftës së paprovokuar ndaj Ukrainës.

    McCaul është pjesë e një delegacionit të Kongresit amerikan që po viziton Suedinë dhe ai u takua me ministrin e Jashtëm suedez, Tobias Billström, që tha se pret që ky shtet nordik t’i bashkohet NATO-s në tetor.

    Suedia – shtet që për një kohë të gjatë ka mbajtur status neutral sa i përket çështjeve të mbrojtjes – aplikoi për anëtarësim, së bashku me Finlandën fqinje, më 2022, pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.

    Finlanda është bërë pjesë e NATO-s, por Suedia ende po pret që aplikimi i saj për anëtarësim të miratohet nga parlamentet e Turqisë dhe Hungarisë./REL/

  • “Guxo” e shqetësuar me kërcënimet ndaj Kurtit: Vrasjeve politike gjithnjë u kanë paraprirë linçimet publike

    “Guxo” e shqetësuar me kërcënimet ndaj Kurtit: Vrasjeve politike gjithnjë u kanë paraprirë linçimet publike

    Partia e udhëhequr nga Donika Gërvalla dhe Faton Peci, Guxo, ka dalë me një deklaratë rreth kërcënimeve me jetë që iu bënë kryeministrit Albin Kurti.

    Partia thotë se me shqetësim po përcjell zhvillimet e fundit në Republikën e Kosovës të cilat, sipas saj. me ritëm të përshpejtuar po përkeqësojnë situatën e sigurisë, duke kërcënuar madje edhe jetën e bartësve të funksioneve më të larta shtetërore.

    “Partia GUXO dënon ashpër kërcënimet me vrasje që ditëve të fundit po i bëhen Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti. Kërcënimet në varg, që i bëhen z. Kurti, nga eksponentë të, ashtuquajtur, të krahut “radikal”, që mbrojnë “vlerat e luftës”, në emër të mbrojtjes së interesit kombëtar e të Kosovës, nga injorantë e trushplarë, janë veprime të cilave duhet prerë rrënjët menjëherë nga organet e drejtësisë të Republikës së Kosovës. Askush nuk ka tagrin që të ndajë qytetarët në patriotë dhe tradhtarë dhe të lëshojë “fetva” për dënimin me vrasje të “tradhtarëve të atdheut””.

    Guxo thotë se s’janë të rastësishme deklaratat për Kurtin që vijnë nga Kosova dhe ato që vijnë nga Serbia.

    “Koincidenca, kur këto kërcënime bëhen, bashkë me shpalljen e Kurtit si bashkëpunëtor dhe argat i Serbisë nga ndonjë lider partiak dhe nga eksponentë të rëndësishëm politikë e medialë, si dhe deklaratat e krerëve të Serbisë se Kurti rrezikon paqen dhe sigurinë në rajon me luftëra të reja dhe se ai gjoja të vetmin qëllim ka spastrimin e serbëve nga Kosova përmes dhunës dhe kërcënimeve, nuk mund të konsiderohen si të rastësishme dhe të injorohen”.

    Kjo parti thotë se kërcënimet publike mund të shtrojnë terrenin që ato të kthehen në praktikë.

    “Kontaminimi i tillë i opinionit publik krijon terren të përshtatshëm që këto kërcënime të bëhen realitet dhe pastaj të fillojë loja ping pong se krimin e bëri Serbia apo krimin e bënë shqiptarët në emër të mbrojtjes së interesit kombëtar. Vrasjeve politike gjithnjë u kanë paraprirë vrasjet dhe linçimet publike. Eliminimet fizike të kundërshtarëve politikë kanë funksionuar dhe për këtë jemi dëshmitarë. Për fat të keq, deri tash, nuk është zbardhë asnjëra nga to”.

    Partia Guxo thotë se organizatat e dala nga lufta dhe partitë politike duhet që urgjentisht të distancohen nga gjuha kërcënuese e eksponentëve dhe militantëve të vet.

    “Është fat i keq që injorantë të nivelit të z.Klinaku, Gashi e të ngjashëm të dalin si gardianë të mbrojtjes së vlerave sublime kombëtare dhe atyre të luftës. Shkalla e tillë e injorancës na tmerron. Kërcënimet me vrasje nuk mund të tolerohen në emër të lirisë së fjalës dhe të shprehjes së lirë të mendimit. Ato duhet të dënohen dhe të marrin dënimet shembullore me forcën e ligjit. Po ashtu, Partia GUXO e vlerëson si të pajustifikueshme që media të caktuara u japin hapësirë mediatike individëve të tillë me prirje kriminale që mu në mes të emisioneve me shikueshmërinë më të madhe, të kërcënojnë me vrasje Kryeministrin e Republikës”.