ATV

Blog

  • Nagavci për librat e afro 6 vjeçarëve: Pagesa u bëhet pas verifikimit të rasteve

    Nagavci për librat e afro 6 vjeçarëve: Pagesa u bëhet pas verifikimit të rasteve

    Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, u deklarua disa herë mbi procesin e pajisjes me tekste shkollore me vendim të ri, për nxënësit që nisnin vitin e ri shkollor.

    Anise mbi këtë çështje pati mjaftueshëm ankesa, Nagavci specifikisht është përgjigjur edhe për një shqetësim të prindërve të cilët fëmijët e tyre janë afro gjashtëvjeçar, dhe sistemi nuk u pranon aplikimin për rumbursim mjetesh.

    ”Sa i përket rasteve kur nxënësit janë 5 vjeç, pagesa do të bëhet pas verifikimit të rasteve”, është shprehur ajo në një reagim të saj në facebook.

    Madje siç specifikon ministrja, për këtë arsye mundësia e aplikimit për subvencionim, mbetet e hapur deri në fund të muajit shtator.

    ”Mundësia për të aplikuar do të jetë e hapur deri në fund të muajit shtator, me qëllim që asnjë nxënës të mos mbetet pa u pajisur me tekste shkollore”.

  • Kryeministri Rama sot e pret presidenten Osmani në drekë zyrtare

    Kryeministri Rama sot e pret presidenten Osmani në drekë zyrtare

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Shqipëri për vizitë dy ditore.

    Gjatë kësaj vizite, ajo do të takohet edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

    Pas takimit, Osmani me delegacionin e saj do të priten në drekë zyrtare nga Rama.

    Presidentja poashtu do të pritet në takim edhe nga Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla.

  • Presidentja Osmani nesër i dorëzon shkrimtarit Ismail Kadare dekretin e nënshtetësisë së Kosovës

    Presidentja Osmani nesër i dorëzon shkrimtarit Ismail Kadare dekretin e nënshtetësisë së Kosovës

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka udhëtuar sot për në Shqipëri për një vizitë shtetërore dyditore.

    Në kuadër të qëndrimit të saj atje, presidentja Osmani në një ceremoni do t’ia dorëzojë dekretin e nënshtetësisë së Kosovës, shkrimtarit të njohur me famë botërore, Ismail Kadaresë.

    Më 1 gusht të këtij viti, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pati nënshkruar dekretin me të cilin shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, i jepet nënshtetësia e Republikës së Kosovës.

  • Zgjedhjet përmes peticionit nuk pritet të zgjidhin situatën në veri të Kosovës

    Zgjedhjet përmes peticionit nuk pritet të zgjidhin situatën në veri të Kosovës

    Qeveria e Kosovës pritet që gjatë javës së ardhshme të përfundojnë aktet nënligjore që i hapin rrugë peticionit për shkarkimin e kryetarëve në veri të Kosovës dhe shpalljes së zgjedhjeve të reja.

    Nëpërmjet këtij dokumenti pritet të përcaktohen rregullat se si të organizohet peticioni, që do t’u mundësonte qytetarëve të komunave shkarkimin e kryetarëve të tyre.

    Por analistë shqiptarë e serbë thonë se peticioni nuk pritet të zgjidh problemin në veri të Kosovës.

    Politologu serb nga Mitrovica e Veriut, Ognjen Gogiç, thotë për Zërin e Amerikës se serbët nuk do t’i nënshtrohen peticionit pasi sipas tij ata nuk dëshirojnë të marrin pjesë në çfarëdo zgjedhje pa u përmbushur kërkesat e tyre.

    “Pra komuniteti serb në veri nuk dëshiron të marr pjesë në zgjedhjet e reja pavarësisht se në çfarë mënyre do të shkohet qoftë përmes peticionit apo qoftë përmes dorëheqjes së kryetarëve të komunave. Sa i përket peticionit serbët nuk do të marrin pjesë për të mbledhur nënshkrimet sepse kjo do të thotë kthim në institucionet e Kosovës gjë që ende nuk dëshirojnë sespe nuk janë përmbushur ende disa kushte që janë paraqitur”, tha ai.

    Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se dokumenti i qeverisë nuk është i mjaftueshëm për të mundësuar zhvillimin e procedurave dhe se bie ndesh me ligjin për Vetëqeverisje lokale. Ai thotë se shkuarja në zgjedhje përmes peticionit do të zvarrisë procesin e zgjedhjeve në tërësi.

    “Problematikë është fakti që duhet që për të administruar një proces i tillë në tërësi dhe për të pasur kryetarë të rinj në komunat veriore mund të na duhen të paktën katër deri në gjashtë muaj kohë në rast se ndiqen të gjitha procedurat nominale siç parashihen me udhëzim administrativ dhe pastaj në bazë të normave dhe standardeve ndërkombëtare se brenda çfarë periudhe duhet të organizohet procesi i votimit për largimin e kryetarëve”, tha ai.

    Zgjedhjet e reja në veri janë pjesë e hapave për uljen e tensioneve që shpërthyen pasi kryetarët shqiptarë që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit të bojkotuara nga serbët, u dërguan në zyrat e komunave veriore me mbështetjen e policisë.

    Cakolli thotë se zgjidhja më e mirë do të ishte dorëheqja e kryetarëve aktual pasi që përmes peticionit nuk ka asnjë siguri që pjesëmarrja e komunitetit serb për largimin e kryetarëve mund të pasohet edhe me pjesëmarrje në zgjedhjen e kryetarëve të rinj.

    “Kësisoj do të mund të arrijmë në pikën kur edhe pse administrohet një proces i votimit dhe kryhen procedurat në fakt vetëm kthehemi në pikën e njejtë ku potencialisht zgjedhen kryetarët e rinj nga radhët e komuniteteve tjera përveç atyre serbe e që pastaj pritet prapë të shkarkohen nga ana e qytetarëve serbë duke ditur sa kompakt ata janë në aspektin demografik por edhe atë të nxitjes nga ana e Listës Serbe apo Beogradit zyrtarë për të votuar për largimin e kryetarëve aktual të komunave”, tha ai.

    Në fillim të muajit qershor Bashkimi Evropian kërkoi uljen e tensioneve përmes pezullimit të operacioneve policore në veri, zhvendosjes së kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakushtëzuar të serbëve të Kosovës.

    Qeveria e Kosovës tashmë ka përgjysmuar praninë e njësive të policisë në ndërtesat komunale në veri dhe është pajtuar për organizimin e zgjedhjeve të reja.

    Politologu Gogiç thotë se udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë po dëshirojnë të mbajnë sa më gjatë krizën në veri në mënyrë që të mos përmbushin detyrimet për të cilat janë zotuar.

    “Pra edhe njërit edhe tjetrit i konvenon kjo situatë pasi që nuk është më shumë dramatike, kështu që tani është e durueshme, nuk është në atë nivel që mund të ndodhin disa incidente të dhunshme, mendoj se kjo është për Prishtinën, serbët në veri dhe Beogradin situatë më e favorshme sepse kjo situatë në veri u mundëson edhe Beogradit edhe Prishtinës të mos përmbushin detyrimet që dalin nga marrëveshja e Brukselit dhe Ohrit”, tha ai.

    Gogiç thotë se mënyra më e mirë për tejkalimin e krizës në veri të Kosovës është përmes rritjes së trysnisë nga vendet perëndimore duke pezulluar liberalimin e vizave për Serbinë dhe Kosovën.

    Bashkimi Evropian ka paralajmëruar për 14 shtator një takim të nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, ku do të kërkohen zgjidhje për situatën aktuale ndërmjet të dyja vendeve./VOA

  • Analisti Jakshiq: Një Serbi nën drejtimin e Aleksandar Vuçiqit nuk e meriton të jetë pjesë e BE-së

    Analisti Jakshiq: Një Serbi nën drejtimin e Aleksandar Vuçiqit nuk e meriton të jetë pjesë e BE-së

    Kjo lloj Serbie që drejtohet nga Aleksandar Vuçiq nuk e meriton të jetë pjese e Bashkimit Evropian (BE), konsideron analisti serb i politikës së jashtme Boshko Jakshiq.

    Jakshiq shton se Serbia nuk po bën asgjë për t’iu afruar BE-së.

    “Presidenti [Aleksandar] Vuçiq lavdëron BE-në kur vijnë disa investime, por nuk më kujtohet të ketë folur për vlerat e bllokut evropian, demokracinë liberale, sundimin e ligjit apo të drejtat e njeriut”, ka theksuar Jakshiq.

    Ndërsa, koordinatorja e Konventës Kombëtare për BE-në, Bojana Selakoviq vlerëson se Serbia duhet t’i bashkëngjitet vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, për rrugën evropiane.

    Selakoviq duke komentuar deklaratën e presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, për hyrjen e shteteve të Ballkanit në BE deri në vitin 2030, ka thënë se është optimale periudha për negociata kur bëhet fjalë për të gjithë kapitujt.

    “Ky paralajmërim është real, nëse secili do ta bëjë punën e tij, sepse pesë deri në shtatë vjet janë optimale për negociata kur bëhet fjalë për të gjithë kapitujt”, ka përfunduar Selakoviq.

    Ditë më parë, Michel ka bërë thirrje që viti 2030 të caktohet si afati deri kur BE-ja dhe vendet kandidate të jenë të gatshëm për zgjerim.

    Gjatë fjalimit në Forumin Strategjik të Bledit, Michel përsëriti disa herë se tash e tutje vendeve kandidate duhet referuar si “vende të ardhshme anëtare të BE-së”.

    Vendeve të Ballkanit Perëndimor u është premtuar perspektivë evropiane prej vitit 2003, në një samit në Selanik. Nga ajo kohë, vetëm Kroacia nga vendet e rajonit është anëtarësuar në BE, në vitin 2013.

  • Osmani për vizitë nga nesër në Shqipëri, kjo është agjenda

    Osmani për vizitë nga nesër në Shqipëri, kjo është agjenda

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj do të presë me ftesë të tij në Tiranë, në një vizitë shtetërore në datat 4-5 shtator 2023 Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.

    Osmani do të pritet me një ceremoni shtetërore në ambientet e Presidencës së Shqipërisë, derisa lidhur me këtë vizitë është publikuar agjenda e plotë:

    10:00 – Ceremonia Zyrtare e Mirëseardhjes në Institucionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

    Vijohet me takimin mes dy Presidentëve dhe më pas takimin e zgjeruar mes delegacioneve.
    11:40 – 12:05 Konferencë për shtyp e dy presidentëve.

    Përgjatë qëndrimit në Shqipëri, Presidentja Osmani ka parashikuar edhe takime të tjera të nivelit të lartë.

    Kjo është vizita e parë e Presidentes së Kosovës që nga koha kur kreu i shtetit Bajram Begaj mori detyrën./Euronews.al/

  • BQK: Qytetarët e Kosovës rreth 50 për qind të shpenzimeve të udhëtimit i harxhuan në Shqipëri

    BQK: Qytetarët e Kosovës rreth 50 për qind të shpenzimeve të udhëtimit i harxhuan në Shqipëri

    Rreth 50 për qind e shpenzimeve të udhëtimit të qytetarëve të Kosovës u harxhuan në Shqipëri, thuhet në raportin e Bilancit të Pagesave të prezantuar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK).

    Sipas BQK-së, shpenzimet e udhëtimit të kosovarëve jashtë vendit për muajin qershor janë rritur për 18 për qind.

    “Shpenzimet e udhëtimit të kosovarëve jashtë vendit, gjatë muajin qershor kanë arritur vlerën e 58.9 milionë eurove që paraqet rritje prej 18 për qind, prej të cilave rreth 46 për qind janë shpenzimet në Shqipëri”, thekson BQK-ja.

    Për sa i përket shërbimeve, 90 për qind të shpenzimeve të udhëtimit është krijuar nga diaspora e Kosovës.

    “Kategoria kryesore e shërbimeve janë shërbimet e udhëtimi. Vetëm gjatë muajit qershor në Kosovë shërbimet e udhëtimit kanë arritur vlerën 141.3 milionë euro, vitin e kaluar në këtë periudhë kanë qenë 132.3 milionë euro apo 7 për qind më të ulëta se këtë vit. Rreth 90 për qind e shpenzimeve të udhëtimit në Kosovë, përkatësisht 126.6 milionë euro janë shpenzimet e diasporës. Krahasuar me periudhën e njëjtë vitin e kaluar, diaspora këtë vit ka shpenzuar rreth 15 për qind më shumë”, thekson raporti.

    Deficiti i bilancit tregtar deri më muajin qershor arriti në vlerën e 2.1 miliardë eurove, që është niveli më u lartë krahasuar me vitin paraprak, ndërsa shërbimet kanë shënuar bilanc pozitiv, me një rritje prej 36 për qind.

    “Bilanci tregtar në mallra në kuadër të Bilancit të Pagesave, deri në qershor 2023, kishte deficit në vlerë prej 2.1 miliardë euro, që është deficit më i madh tregtar krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Shërbimet, deri në qershor 2023, kanë shënuar bilanc pozitiv në vlerë 553.2 milionë euro, që paraqet rritje prej 36 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022 apo 407.8 milionë euro”, vijon BQK-ja.

    Institucioni më i lartë financiar në vend pohon se investimet e huaja direkte janë rritur për 14 për qind.

    “Bilanci i investimeve direkte në Kosovë deri në qershor 2023 shënoi rezultat prej 271.9 milionë euro, që tregon se vlera e tyre ishte 374.2 milionë euro, është më lartë se të investuara nga kosovarët jashtë që janë 101.9 milionë euro. Investimet direkte arritën vlerën e 374.2 milionë euro e që paraqet rritje prej 14 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit kaluar, prej 327.3 milionë euro deri në qershor 2022”, shton ky institucion.

    Derisa investimet tjera shënuan vlerë negative.

    “Investimet tjera (investimet në depozita, kredi dhe në kredi tregtare) deri në qershor 2023 kanë shënuar vlerë negative prej 135.9 milionë euro dhe cila i atribuohet kryesisht rritjes së borxhit të jashtëm në Kosovë, në vlerë prej 285.4 milionë euro deri në qershor 2022. Bilanci i investimeve në letra me vlerë, pa përfshirë letrat me vlerë në kuadër të aseteve rezervë, deri në qershor 2023 janë rritur për 86.7 milionë euro”, shton BQK-ja.

    Në fund raportit thuhet se asetet rezervë janë rritur për 78.6 milionë euro, ndërsa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak rritja ishte për 171.8 milionë euro.

  • Berisha thotë se “Dardanët” do ti presin me koreografi dhe duartrokije Xhakën e Shaqirin

    Berisha thotë se “Dardanët” do ti presin me koreografi dhe duartrokije Xhakën e Shaqirin

    E shtuna e ardhshme e 9 shtatorit, do të zbresë në fushë, në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës, kombëtaren dardane dhe Zvicrën, në sfidën e vlefshme për kualifikueset e kampionatit europian, “Euro 2024”.

    Brenda 5 orëve, biletat në dispozicion, jo vetëm për të parë nga afër këtë ndeshjes të kombëtares, por edhe yjet shqiptarë të kombëtares zvicerane, Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri, janë shitur të gjitha.

    Por si do të priten në tokën dardane, Xhaka e Shaqiri? Dhe a është menduar dicka speciale për ta?

    “Përgatitjet për Kosovën janë gjithmonë në atë nivelin e vet sepse kur luan kombëtarja jonë, ne nuk veçojmë dikë. Mund ta veçojmë ndonjë shtet mik si Amerikën, Anglinë, pse Gjermaninë, për të tjera nuk kemi diçka të veçantë që duhet ta veçojmë këtë ndeshje me Zvicrën. Ndeshja me Zvicrën është me rëndësi për Kosovën sepse kemi çaluar ne rezultate, përndryshe nuk do të thoja që është ndonjë ndeshje e veçantë. Zvicra përveç që është një shtet që ka votuar kundër Kosovës në pranimi në UEFA dhe FIFA, nuk e shoh që është diçka e veçantë”, u shpreh drejtuesi i “Dardanëve”, Lul Berisha.

    Berisha thotë se interesi për këtë ndeshje ishte i madh, por sipas tij për të parë jo vetëm Kosovën, por edhe Zvicrën e yjet e saj.

    Kosovë-Zvicër, përtej patriotizmit, a do të jetë një ndeshje e luajtur në fushë?

    “Ne do t’i duartrokasim sepse janë pjesë e kombit tonë, janë shqiptar, janë të Kosovës, do t’i duartrokasim aq sa është mundësia jonë, përndryshe ne duhet të luftojmë me ta në fushën e blertë, lojtarët tanë po mendoj…Koreografitë nuk zbulohen në të gjithë botën, kjo është ligj. Po, do të ketë, unë besoj që do të jetë shumë e veçantë, por do të jetë për Kosovën dhe për shqiptarët, jo për dike special”, përfundoi Berisha.

  • Parashikimi i motit për sot

    Parashikimi i motit për sot

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, ka njoftuar se gjatë ditës së sotme do të mbajë mot me diel.

    Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10 dhe 13 gradë celsius, ndërsa ato maksimale do të lëvizin ndërmjet 26 dhe 30 gradë celsius.

    “Të dielen do të mbajë mot me diell. Vranësira të pakta mund të shfaqen rreth relievit malor. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10-13 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 26-30 gradë Celsius. Do të fryjë erë kryesisht nga juglindja e lehtë deri mesatare’’, thuhet në njoftim.

  • Nuk ka më kolona në pikat kufitare

    Nuk ka më kolona në pikat kufitare

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar pak më herët i ka përditësuar të dhënat mbi fluksin në pikat kufitare.

    Sipas këtyre të dhënave, nuk ka kolona në asnjë pikë kufitare, as në hyrje e as në dalje.