ATV

Blog

  • Lansohet platforma: Linku ku mund të aplikoni për subvencionim të energjisë

    Lansohet platforma: Linku ku mund të aplikoni për subvencionim të energjisë

    Ministri i Financave, Punës dhe Transferve, Hekuran Murati, ka njoftuar se është lansuar forma e aplikimit për subvencionim të energjisë elektrike për familjet e cënueshme, derisa ka publikuar edhe linkun ku mund të aplikohet.

    Murati u ka bërë thirrje aplikuesve që të sigurohen se të dhënat janë të sakta, sidomos shifra e konsumatorit, meqë siç ka thënë subvencioni do të bëhet direkt në faturë.

    Sipas tij, nga kjo mund të përfitojnë të gjitha familjet me të ardhura mesatare mujore më pak se 150 euro/muaj/anëtar, kualifikohen për të aplikuar për subvencionim.

    “Pra nëse një familje ka 4 anëtarë dhe ka të ardhurat mujore më pak se 600 euro/muaj, mund të aplikojë për subvencion. Nëse familja ka 5 anëtarë duhet të ketë të ardhura më pak se 750 euro/muaj për t’u kualifikuar, e kështu me radhë”, ka shkruar Murati.

    Murati ka thënë se shuma e subvencionit të plotë shkon deri në 900 kËh/vit për një anëtar, dhe do të jetë e shpërndarë nëpër muajt e dimrit.

    “Nëse një familje 4-anëtarëshe ka 300 euro të ardhura mujore, mund të përfitojë gjysmën subvencionit, pra 450 kËh/vit për anëtar. Nëse familja nuk ka fare të ardhura, atëherë mund të përfitojë subvencionin e plotë prej 900kËh për anëtar. Me fjalë tjera, sa më pak të ardhura të ketë familja, aq më e lartë është vlera e subvencionit, e që mund të shkojë deri në 900kwh/vit/anëtar”, ka deklaruar Ministri.

    Për familjet që nuk kanë qasje në internet, apo kanë vështirësi të aplikojnë, Murati ka thënë se mund të drejtohen në Qendrat për Punë Sociale për udhëzime dhe ndihmë.

    Ky është linku ku mund të aplikoni

  • Bie ashensori, lëndohen rëndë dy persona në Gjakovë

    Bie ashensori, lëndohen rëndë dy persona në Gjakovë

    Dy persona kanë pësuar lëndime trupore të enjten mbrëma pasi u këput kavo e ashensorit në një objekt banesor në Gjakovë.

    Ashensori kishte rënë në bodrumin e banesës, ndërsa të lënduarit janë dërguar për trajtim në Spitalin e Gjakovës dhe janë jashtë rrezikut për jetë.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

    Elezaj tha se fëmijët nuk janë lënduar.

    “Rreth orës 21:15 është këputur kavo e një ashensori në një objekt banesor në Gjakovë. Ashensori ka rënë në bodrum. Dy persona kanë pësuar fraktura. Në ashensor kanë qenë katër persona, prindërit dhe dy fëmijë të vegjël (foshnja)”, ka thënë Elezaj.

    Për këtë rast është arrestuar një person, i cili me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

  • Sondazhi: Trump mund të rimarrë pushtetin

    Sondazhi: Trump mund të rimarrë pushtetin

    Presidenti i SHBA, Joe Biden po përballet me rënie të popullaritetit, ndërkohë që synon një mandate të dytë në krye të shtëpisë së Bardhë.

    Gjysma e amerikanëve mendojnë se çdo kandidat republikan do të ishte një president më i mirë se sa Biden për të udhëhequr Shtetet e Bashkuara në vitin 2024.

    Konfirmimi vjen nga një sondazh i fundit i publikuar nga media prestigjioze CNN.

    Jopopullariteti i Bidenit mund t’i japë Trumpit mundësinë e tij për të rimarrë pushtetin.

    Sipas të dhënave, performanca e Biden në detyrë është tepër negative: Vetëm 39 përqind miratojnë punën e tij dhe 58 përqind thonë se politikat e 80-vjeçarit kanë përkeqësuar kushtet ekonomike në Shtetet e Bashkuara.

    Qytetarët amerikanë shprehin shqetësim edhe për moshën e presidentit, me një shumicë të madhe që e konsiderojnë atë të paaftë nga ana fizike dhe mendore për të përfunduar dhe një mandat tjetër në drejtim të Shtëpisë së Bardhë.

    Ndërkohë, 61 për qind e amerikanëve besojnë se Biden është përfshirë në problemet ligjore të të birit. Sipas sondazhit të CNN, 42 për qind mendojnë se presidenti veproi në mënyrë ilegale, ndërsa 18 për qind thanë se veprimet e Biden ishin pa etikë profesionale.

    Shifrat nuk janë pozitive as brenda partisë së kreut të Shtëpisë së Bardhë. 67 për qind e demokratëve preferojnë një kandidat tjetër për garën presidenciale në vend të Biden.

  • ​Policia: Komuna s’ka kërkuar asistencë për largimin e strukturave paralele nga objekti në veri

    ​Policia: Komuna s’ka kërkuar asistencë për largimin e strukturave paralele nga objekti në veri

    Zëvendësdrejtori i Policisë në Mitrovicën e Veriut, Veton Elshani tha se komuna nuk ka kërkuar ende asistencë për largimin e strukturave paralele serbe nga objekti që ndodhet në Lagjen e Boshnjakëve.

    Ai tha para mediave se janë të gatshëm qe të ofrojnë asistencë, pavarësisht orës.

    “Është e vërtetë që herën e kaluar e kemi pasur një kërkesë për asistencë dhe ne kemi qenë të gatshëm të asistojmë. Kësaj radhe deri në këtë moment kur flas me juve nuk kemi kërkesë për asistencë. Sidoqoftë ne jemi të përgatitur që në qoftë se kërkohet asistenca, ne ta ofrojmë të njëjtën. Ne nuk e kemi problem, sepse kemi krijuar përvojë tash në pjesën veriore për intervenime. Por nuk ka pasur një kërkesë të tillë”, tha Elshani.

    Ai shtoi se nuk ka njohuri për ultimatumin që i është dhënë nga komuna këtyre strukturave.

    “Nuk kemi njohuri se çfarë ultimatumi ka pasur, deri kur kanë pasur afat komuna, në çfarë kohë kanë dhënë afat. Ne nuk e kemi atë informatë. Atë çka e di është se në momentin që nga ana jonë do të kërkohej asistenca ne jemi të gatshëm ta ofrojmë”, shtoi ai.

    Ai para mediave foli edhe për aksionin e njësive policore në një fabrikë, në afërsi të Zubin Potokut.

    “Normaliteti është duke u kthyer sa i përket institucioneve, agjencive të ndryshme në veri të Kosovës. Ne kemi asistuar AKP-në, e kemi asistuar sot. Nuk është diçka e jashtëzakonshme kjo. Ne kemi pranuar një kërkesë për asistencë nga ana e AKP-së, para disa ditëve dhe ne sot kemi ofruar asistencën tonë. Kanë qenë njësitë e veriut që kanë asistuar në atë vend…Sipas AKP-së, ata kanë pronë aty dhe kanë shkuar të vizitojnë pronën e vet dhe të evidentojnë disa pajisje që janë aty. Në fakt është hera e dytë që kemi ofruar asistencë në atë vend aty, sepse herën e parë kur kanë shkuar ka, qenë e mbyllur dhe sot kanë kërkuar ta hapin me forcë. Ajo është hapur dhe verifikuar nga ana e AKP-së dhe është kryer procedura me ta”, deklaroi ai.

    Elshani nuk ka dhënë detaje sa i përket hetimeve në rastin ku është gjetur armatim para disa ditëve, me arsyetimin se nuk duan ta dëmtojnë procesin e hetimeve. /kp

  • Presidentja e uron ngrohtë Pendarovskin për Ditën e Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut

    Presidentja e uron ngrohtë Pendarovskin për Ditën e Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut

    Presidentja Vjosa Osmani ka uruar homologun e saj nga Maqedonia e Veriut, Stevo Pendarovski, si dhe popullin e këtij vendi për Ditën e Pavarësisë.

    Osmani tha se pret që të punojnë bashkë për t’i ngritur marrëdhëniet mes dy shteteve.

    “Gëzuar Ditën e Pavarësisë Presidentit Stevo Pendarovski dhe miqve tanë në Maqedoninë e Veriut. Mezi pres të vazhdojmë të punojmë së bashku për ta çuar partneritetin tonë në lartësi të reja dhe për të kontribuar së bashku për një të ardhme më të ndritshme euroatlantike për të dyja vendet tona demokratike”.

    Në vendin fqinj, ditë më parë kishte shkuar për vizitë jozyrtare kryeministri Albin Kurti, i cili në komunën me shumicë shqiptare të Tetovës u prit me tubim. Vizita dhe fjalimi i tij aty nxitën reagime në Maqedoninë e Veriut, derisa pat edhe akuza ndaj Kurtit se po ndërhyn në punë të brendshme të këtij shteti. Po ashtu, edhe prezenca e një flamuri “Autochthonous” çoi në komente të tilla që po nxitet një retorikë e “Shqipërisë së Madhe”.

    Maqedonia e Veriut feston Ditën e Pavarësisë më 8 shtator. Kjo ditë ka qenë festë kombëtare që nga viti 1991, kur, pas një referendumi për pavarësi, Maqedonia fitoi pavarësinë e saj nga Jugosllavia, ku ishte një shtet federal dhe u bë një demokraci sovrane parlamentare.

  • ​AAK numëron gjetjet në terren për çështjen e librave shkollor

    ​AAK numëron gjetjet në terren për çështjen e librave shkollor

    Vendimi i Ministrisë së Arsimit për sigurimin e teksteve shkollore është i kundërligjshëm, shuma e ndarë 50 euro për libra dhe 30 euro për pajisje tjera shkollore, nuk është e mjaftueshme, aplikimi po del të jetë problematik, e tekstet e vjetra shumica janë të papërdorshme. Këto janë disa nga gjetjet në terren e grupit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

    Grupi parlamentar i AAK-së, në kuadër të ciklit të diskutimeve lidhur me ‘gjendjen e rëndë në vend’, bashkë me disa Drejtori të Arsimit dhe SBAShK-un, po mbajnë një tryezë që për temë ka situatën në arsim pas vendimit të fundit në lidhje me sigurimin e teksteve shkollore. Aty janë prezantuar disa nga të gjeturat qe kanë hasur në terren nga fillimi i vitit shkollor.

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se ky vendim nga MAShT-it, është shqetësues dhe i gabuar. Sipas tij, kjo formë e pajisjes me libra i kushton shtetit 12 milionë, ose mbi gjashtë milionë euro më shumë se viteve të kaluara.

    “Disa shqetësime lidhur me arsimin i kemi ndarë të gjithë, statusi financiar i mësimdhënësve, është vështirë të kërkohet cilësia e angazhimeve nëse nuk ka trajtim financiar për mësimdhënësit. Kemi shpresuar se Qeveria do ta bëjë një zgjidhje duke i ngritur pagat, dhe na ka ardhë keq se në kohën e grevës, trajtimi nuk ka qenë meritor. Jemi të shqetësuar me situatën me tekstet shkollore, nuk kemi deshtë të ndërhymë në marrëdhënien me mësimdhënës, prindër e fëmijë, sikur të kishte ndodh një ofertim i drejtë e me kohë. Në mënyrën si po implementohet sot, shpërndarja e tekstit e kalon 12 milionshin, 6 deri në 8 milionë është kostoja më e shtrenjë, më së paku 6 milionë më shtrenjtë. Ekziston rreziku që fëmijëve t’i mungojnë tekstet gjatë gjithë vitit shkollor, kush e garantoj që të gjithë fëmijët i kanë tekstet. Ju bëjë thirrje qytetarëve të bëni kujdes, t’i siguroni tekstet, jo të vonoheni e të vendosni në plan të dytë, për shkak se pasojat janë të mëdha në procesin e nxënies së dijes”, tha Haradinaj.

    Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj derisa ka ngritur disa nga shqetësimet që po përballen mësimdhënësit, shtoi se vendimi i MAShT-it për sigurimin e teksteve shkollore po rezulton të jetë problematik.

    “Lajmi parë ishte kogja i keq por i dyti ishte i tmerrshëm. Nëse qeveria Kurti nuk paska mjete për laptop e projektorë për shkolla që t’i ngjajmë shekullit XXI, konsideroj se tekstet shkollore është dashur të jenë të reja nga klasa një deri tek e nënta. Dhe deklarata e Nagavcit ishte skandaloze kur tha se po e ruajmë buxhetin e Kosovës, harronte që librat janë në librari e do e rrisin çmimin. Dhe e lus Haradinaj që ta ngritni zërin në Parlament për arsimin në tërësi dhe jo vetëm për tekstet. Ka shtatë muaj që Nagavci mban inatin në greva e nuk na takon. Paska ndonjë mësimdhënës që po bënë presion që nuk kanë tekste, dhe iu kisha lutur që të keni kujdes për këta nxënës që nuk kanë tekste, sepse ata nuk janë fajtor. Shqetësim tjetër është se po përballemi me punëtorë arsimorë me sëmundje të rënda, këta po duhet të shkojnë në shkollë për të ruajtur vendin e punës e pagën, duhet t’iu ndahet një buxhet dhe në vend të tyre të aktivizohen kuadro të reja”, tha Jasharaj.

    Ndërkaq, kryetari i grupit parlamentar në këtë parti, Besnik Tahiri ka prezantuar disa gjetje që kanë hasur nga fillimi i vitit shkollor.

    “Ajo që ne kemi si gjetje të parë është se ky vendim është i kundërligjshëm, që bie ndesh me ligjin që iu garanton nxënësve që tekstet shkollore të jepen falas. Shuma 50+30 për fletore nuk mjafton, vetëm për klasën e parë janë mbi 70 euro që kushtojnë tekstet shkollore, gjetjet që ne kemi, është se aplikimi për një numër të madh të qytetarëve është i vështirë, dhe për rrjedhojë ka probleme në kërkesën që Qeveria e ka bërë me këtë vendim të kundërligjshmen. Tekstet e vjetra shumica e tyre janë të papërdorshme, që nënkupton se prindërit sërish po shkojnë të blejnë tekste të reja, një numër i teksteve të vjetra as nuk është në shkolla për shpërndarje. Derisa është bërë një javë prej kur ka filluar mësimi shumica dërmuese e shkollave nuk i kanë kompletuar të gjitha tekstet. Një numër i caktuar i familjeve, kanë probleme serioze me xhirollogari, për shkak se disa janë të bllokuara e disa kanë obligime në banka, dhe ajo shumë merret pastaj, një numër as nuk kanë të hapura. Cili është instrumenti që garanton një prind që ai prind nuk i qon në destinacione tjera”, tha Tahiri.

    Drejtoresha e Arsimit në Gjakovë, Eranda Kumonva-Baçi ka shprehur sfidat që po përballet kjo komunë në këtë drejtim.

    Baçi tha se rreth 45 për qind e nxënësve deri tashmë në këtë komunë janë pa libra. E njëjta shtoi se shqetësuese është edhe fakti që ka prindër të pandërgjegjshëm nga diaspora që po aplikojnë t’i marrin paratë, siç tha ajo po shfrytëzojnë nga rasti.

  • “Të zotuar për forcimin e partneritetit”, Osmani njofton për takimin e djeshëm me ambasadoren Smith

    “Të zotuar për forcimin e partneritetit”, Osmani njofton për takimin e djeshëm me ambasadoren Smith

    Presidentja Vjosa Osmani ka dhënë detaje për takimin që ka zhvilluar me Ambasadoren e ShBA-së në NATO, Julianne Smith, në kuadër të vizitës shtetërore në selinë e NATO-s në Bruksel.

    Osmani ka thënë se ka falenderuar ambasadoren për rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në lirinë, shtetësinë dhe të ardhmen euroatlantike të Kosovës.

    Osmani ka thënë se janë të përkushtuar për forcimin e partneritetit.

    “Falënderova Ambasadoren e ShBA’së në NATO, për rolin kryesor të ShBA’së në lirinë, shtetësinë dhe të ardhmen euroatlantike të Kosovës. Si aleatë të qëndrueshëm, ne jemi të përkushtuar për paqen dhe sigurinë rajonale dhe globale, si dhe për forcimin e partneritetit tone”, ka shkruar Osmani.

  • Kurti: Greqia, afër njohjes së Kosovës

    Kurti: Greqia, afër njohjes së Kosovës

    Në një intervistë për mediumin polak “TVP World”, Kurti ka theksuar se Kosova po punon në planin diplomatik të saj për të arritur njohjen nga pesë vendet e mbetura të BE-së.

    “Kemi punuar fuqishëm në aspektin diplomatik, që ato t’i bashkohen shumicës së vendeve të BE-së. Greqia është e para kur vie në radhën e vende për t’u afruar drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës’, ka theksuar Kurti.

    Ky i fundit ka deklaruar se Kosova ka aplikuar për pranim në Bashkimin Evropian dhjetorin e vitit që lamë pas pavarësisht faktit që nuk e njohin pesë vende të BE-së.

    Kurti ka deklaruar se dëshira e Kosovës për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian nuk ushqehet vetëm nga interesat vetjake, por se dhe vet Kosova do të donte të kontribonte në BE.

    “E bëjmë për vendin tonë duke plotësuar vlerat, standardet dhe parimet, por në të njëjtën kohë, kemi nevojë për ndihmën e Bashkimit Evropian. Gjithëpërfshirja jonë në BE nuk i shërben vetëm interesit tonë sepse edhe ne duam të kontribuojmë”, ka deklaruar Kurti.

    Ai tha gjithashtu se Kosova, duke pasur parasysh kostot e saj të ulëta të funksionimit për sa i përket marrjes me qira të lokaleve dhe fuqisë punëtore, mund të jetë një destinacion ideal për investitorët e huaj.

  • Reagon Albulena Haxhiu pasi Deliu-Kodra e paditi për shpifje

    Reagon Albulena Haxhiu pasi Deliu-Kodra e paditi për shpifje

    E para e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pasi deputetja e PDK’së, Blerta Deliu-Kodra, e paditi për shpifje lidhur me deklaratën e saj se Deliu-Kodra ka marrë 2 mijë e 500 euro mëditje pa shkuar në Komision për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

    Haxhiu tha se do ta bëjnë publik raportin financiar i cili dëshmon që deputetja Deliu ishte paguar në mënyrë të paligjshme.

    “Ne do ta bëjmë publik raportin financiar i cili dëshmon që e njëjta ndonëse nuk kishte qenë pjesëmarrëse në shumicën e mbledhjeve te Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, ishte paguar për këtë në mënyrë të paligjshme”, u shpreh ajo.

    Më tej, Haxhiu shtoi se Deliu-Kodra do të duhej t’i kthente mjetet.

    “Para disa javëve, për këtë e kam njoftuar me shkrim Kryetarin e Komisionit për Legjislacion dhe po ashtu kam folur publikisht. Në fakt veprimi i duhur do të ishte kthimi i mjeteve që i ka përfituar paligjshëm”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

    LEXO EDHE:

    Deliu-Kodra padit Albulena Haxhiun për shpifje: NuK frikësohemi për të denoncuar korrupsionin e këtij pushteti

  • Liberalizimi e rrezikon Kosovën të mbetet pa punëtorë, bizneset fillojnë t’i marrin nga vendet aziatike

    Liberalizimi e rrezikon Kosovën të mbetet pa punëtorë, bizneset fillojnë t’i marrin nga vendet aziatike

    Përfaqësuesit e bizneseve në Kosovë deklaruan se shumë biznese nga frika e ikjes masive pas liberalizimit të vizave, kanë filluar që të marrin punëtorë nga vendet e huaja.

    Sipas tyre pjesa me e madhe e këtyre punëtorëve vijnë nga vendet aziatike dhe Turqia. Ata kanë kërkuar që sipërmarrësit kosovarë t’i ngrisin standardet për punëtoret e Qeveria t’a subvencionojë sektorin privat, në mënyrë që me rritje pagash të mos largohen punëtorët.

    Kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, tha se deri më tani në Kosovë kanë ardhur 500 punëtor të huaj, nga Turqia dhe Bangladeshi në mungesë të fuqisë punëtore vendase.

    Shahini tha se me liberalizimin e vizave i cili pritet që të bëhet me 1 janar 2024 vendi rrezikohet qe ta lënë një numër i madh i punëtorëve.

    “Liberalizimi i vizave në Kosovë do të merr me veti nga një janari 2024 një numër të madh të punëtorëve por edhe njerëzve të tjerë që nuk janë në punë, shqetësimi më i madh është i tregut të punës ku mesatarisht neve na ikun edhe sot mbi 50 mijë veta me viza të punës. Kurse pas datës një janar ne do të kemi më shumë të interesuar për të gjetur një jetë më të mirë. Por në këtë rast me siguri që ndërmarrësit Kosovarë nuk do të rijnë duar kryq do të bëjnë zgjidhje dhe janë duke bërë zgjidhje për të gjetur krahë të punës, fuqi punëtore nga vendet e ndryshme të botës dhe sidomos nga vendet e Azisë. Me këtë rast kemi një numër të konsiderueshëm të punëtorëve që kanë ardhur nga Turqia, nga Bangladeshi dhe sipas shënimeve tona brenda një periudhe të shkurtër kanë hyr në treg të punës fuqi punëtore rreth 500 punëtor të huaj të cilët janë duke punuar në Kosovë në mungesë të fuqisë punëtore të kosovarëve”, tha ai.

    Kryetari i AKB-së tha së në mënyrë që të parandalohet ikja e punëtorëve nga vendi sipërmarrësit vendas duhet që të ngrisin standardet dhe kushtet e punës për punëtorët.

    E sipas tij qeveria duhet që ti subvenciono më shumë sektorin privat në mënyrë që ata ti ngrisin rrogat për punëtoret.

    “Në si AKB kemi bërë thirrje tek sipërmarrësit kosovarë që ata të ngritin standardet më të larta për punëtorët aktual, ti ngritin pagat, kushtet e punës në mënyrë që me çdo kusht ti mbajmë punëtorët aktual aktiv që janë në punë. E dyta i kemi ftuar institucionet e Kosovës që të subvenciono më shumë sektorin privat sidomos tekët pagat në mënyrë që të kemi rrite të pagëse sepse dallimi mesë pagës së sektorit privat dhe publikë është i lartë dhe kjo e bënë që të mos jenë të barabartë në paga punëtorët e një profesioni të njëjtë. Kjo do ti ndihmonte punëtoret por edhe do të ulëte interesimin e njerëzve për të ikur nga Kosova”, tha ai për EO.

    Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva, tha se mungesa e punëtoreve është duke u ndier në gjithë sektorët, por sipas tij, situate ende nuk është në atë stadin për tu shqetësuar.

    “Kjo jo vetëm në hoteleri dhe turizëm por edhe në veprimtarit tjera ndihet kjo mungesa e punëtoreve por ende mund të them lirisht që ende nuk kemi në atë stadin e lartë që mu shqetësuar aq shumë sepse edhe në kohën e diaspora që i patëm në Kosovë edhe pse është ndier nevoja për më shumë punëtor, megjithatë gjitha subjektet hoteliere në forma të ndryshme janë gjetur dhe nuk kemi ndonjë shqetësim në lidhur me këtë”, tha ai.

    Sogojeva tha se shumë kompani nga frika se shumë punëtor mund të largohen pas liberalizimit të vizave, janë duke nënshkruar kontrata për sjelljen e punëtoreve nga vendet e huaja.

    Sipas tij, këta punëtor viejn nga vendet Aziatike, Turqia por edhe nga disa vende të tjera.

    “Vetë fakti që pritet që në janar të kemi liberalizimin e vizave dhe të ju jepet mundësia me dal do të thotë në një far forme secila kompani është duke menduar se çka mas dy janarit të vitit të ardhshëm nëse kish me pas një migrim më të madh të popullatës e sidomos këtyre të rinjve. Kemi informata nga krejt Kosova veç disa kompani kanë nënshkruar kontrata për sjelljen, sidomos atyre profesioneve deficitare që edhe sot janë prezentë. Kemi informata që prej vendeve aziatike zakonisht por kemi edhe prej Turqisë, sidomos kuzhinierët janë duke ardhur më të madhe, ka disa qe janë me standarde më të larta që marrin edhe prej Italisë, por kjo veç ka filluar si trend edhe kjo ka filluar si rezultat i asaj që pritet që pas janarit të kemi një fluks të largimit. Secili biznes i gjënë format e veprimit, për shembull ka raste që disa biznese janë duke menduar edhe në kalimin e sistemit të vetëshërbimit. Do të thotë që vetë të shërbehen, kjo i mundëson që me një punëtor të zëvendësohen 3-4 punëtor”, tha ai.

    Ai bëri thirrje që qeveria të ju dalë në ndihmë bizneseve me mjete financiare që ata tu rrisin pagat punëtorve, kështu që ata të mos e lëshojnë vendin.

    “E para duhet që të ju ndihmohet këtyre bizneseve që të punojnë që të kenë ata një stabilitet në biznesin e vetë, momentin kur është stabil ai mendon që të kemi edhe rritjen e pagave tekë punëtoret. Në momentin kur kemi rritjen e pagave të punëtorëve unë jam i bindur që nuk kanë llogari edhe të rinjtë që të shkojnë për 1700 euro që me punuar diku jashtë nëse këtu i bëhet një pagë e mirë kur dihet që atje ka shpenzime të tjera si qerja”, tha ai.