ATV

Blog

  • Kosova – Zvicra përballje e shqiptarëve në ‘Fadil Vokrri’

    Kosova – Zvicra përballje e shqiptarëve në ‘Fadil Vokrri’

    Përgatiti: Ylber Kelmendi

    Nesër, kombëtarja e Kosovës në futboll e zhvillon ndeshjen e pestë kualifikuese për kampionatin evropian.

    Kosova në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë si kundërshtar do ta ketë Zvicrën.

    Takimi kundër ‘helvetikët’ do të jetë shumë interesant por edhe emocionues për disa futbollistë si te kombëtarja e Kosovës po ashtu edhe te ajo e Zvicrës.

    Lojtarët si Florent Hadergjonaj, Kreshnik Hajrizi dhe Betim Fazliji të cilët tani janë reprezentues të Kosovës në të kaluarën kanë qenë pjesë e kombëtarëve zingjir të helvetikëve.

    Kurse te Zvicra janë ftuar katër lojtarë me orgjinë nga Kosova: Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri, Andi Zeqiri dhe Uran Bislmi. Madje ky i fundit braktisi në momentet e fundit kombëtaren ‘dardane’ për Zvicrën.

    Kur jemi te këto dy shtete, në Grupin I. ku bëjnë pjesë, Zvicra është lidere me 10 pikë, kurse Kosova renditet e parfundit me vetëm 3 pikë pas katër ndeshjeve të zhvilluara.

    Kosova dhe Zvicra janë takuar vetëm njëherë edhe ajo ka qenë ndeshje miqësore e cila kishte përfunduar 1:1.

  • Kosova ende larg anëtarësimit në Partneritetin për Paqe

    Kosova ende larg anëtarësimit në Partneritetin për Paqe

    Përgatiti: Nora Luta

    Në maj të vitit të kaluar kryeministri Albin Kurti kishte paralajmëruar që shumë shpejt do të dorëzoj aplikacionin për anëtarësim në Partneritetin për Paqe të NATO-s.

    Por më shumë se një vit pas, nuk është ndërmarrë asnjë hap tutje në këtë drejtim.

    Ministri i mbrojtjes Ejup Maqedonci mos anëtarësimin në këtë program që ofron kornizë politike për bashkëpunim me NATO-n, nuk e konsideron dështim të Qeverisë.
    Maqedonci thekson se pengesë janë vendet anëtare që nuk e njohin shtetin e Kosovës.

    Ish komandanti i Fsk-së Kadri Kastrati thotë se Forca e Sigurisë së Kosovës ka kapacitete të plota të jetë anëtare, por sipas tij Ministria duhet të ndërmarrë disa hapa.

    Aktualisht, pjesë e Partneritetit të Paqes janë 21 shtete, përfshirë Shqipëria, Serbia, Bosnjë e Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut.

    Sipas NATO-s, ky program që është krijuar në vitin 1994, ka për qëllim të ulë kërcënimet për paqe dhe të ndërtojë raporte të sigurisë ndërmjet partnerëve dhe NATO-s.

  • Edhe pas një jave, nxënësit pa disa libra

    Edhe pas një jave, nxënësit pa disa libra

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Me këtë problem po përballen nxënësit edhe pas 1 jave prej kur ka nisur procesi mësimor.

    Furnizimin me disa libra ende po e ka të vështirë një pjesë e nxënësve, pasi ka mungesë të tyre nëpër librari.

    Të vështirë mbarëvajtjen e orëve pa libra po e vlerësojnë mësimdhënësit.

    “Sa për fillim jemi munduar në disa mënyra me punu me këto libra sa i kemi, por deri të furnizohen, vështirësi është edhe për ne, por besoj që do të arrijmë të punojmë ashtu sa mundemi”, thotë Hava Krasniqi, mësimdhënëse.

    50 euro për tekste shkollore janë ndarë për secilin nxënës nga klasa e 1 deri në të 5-tën, derisa ata nga klasa e 6 deri në të 9-tën janë duke i shfrytëzuar librat e viteve të kaluara. Ndërsa, për të gjithë janë ndarë nga 30 euro për materiale të tjera shkollore.

    Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka paralajmëruar prindërit se nëse i keqpërdorin mjetet që MASHT-i ua ka ndarë për blerjen e teksteve shkollore për fëmijët, do të përballen me ligjin.

    Por një gjë e tillë po konsiderohet e pamundur, derisa nuk kërkohet dëshmi për këtë.

    “Vlerësoj monitorimi është i pamundur..”, tha ish-zëvendësministri i Arsimit, Xhavit Rexhaj.

    Rexhaj, madje, kritikon Ministrinë se mori vendimin për t’i subvencionuar prindërit për t’i blerë librat, vetëm pak javë para se të nisë mësimi.

    “Të gjithë ne duhet të veprojmë që ta ndihmojnë furnizimin e suksesshëm të fëmijëve me libra e qeveria të marrë mësim nga gabimet. Dhe mësimdhënësit duhet të jenë të durueshëm gjatë këtij muaji”, tha Rexhaj.

    Por, ministrja Nagavci deklaroi se kjo metodë ka bërë që shpenzimet për blerjen e librave këtë vit të jenë më të ulëta. Sipas ekzekutivit, këtë vit janë shpenzuar afër 13 milionë euro, derisa vitin e kaluar mbi 16 milionë euro.

  • ​Haradinaj: Shpërndarja e tekste do t’i kushtojë shtetit 6 milionë euro më shumë se vitet e kaluara

    ​Haradinaj: Shpërndarja e tekste do t’i kushtojë shtetit 6 milionë euro më shumë se vitet e kaluara

    Vendimi i Ministrisë së Arsimit për sigurimin e teksteve shkollore është i kundërligjshëm, shuma e ndarë 50 për libra dhe 30 për pajisje tjera shkollore, nuk është e mjaftueshme, aplikimi po del të jetë problematikë, e tekstet e vjetra shumica janë të papërdorshme. Këto janë disa gjetjet në terren nga grupi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

    Grupi parlamentar i AAK-së, në kuadër të ciklit të diskutimeve lidhur me ‘gjendjen e rëndë në vend’, në tryezën e diskutimit bashkë disa Drejtori të Arsimit dhe SBAShK-un, kanë mbajtur një tryezë diskutimi me temë për situatën në arsim pas vendimit të fundit në lidhje me sigurimin e teksteve shkollore. Aty u prezantuan disa nga të gjeturat qe kanë hasur në terren nga fillimi i vitit shkollor.

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se ky vendim nga MAShT-it, është shqetësues e i gabuar. Sipas tij, kjo formë e pajisjes me libra i kushton shtetit 12 milion, pra mbi gjashtë milionë euro më shumë se viteve te kaluara.

    “Disa shqetësime lidhur me arsimin i kemi ndarë të gjithë, statusi financiar i mësimdhënësve, është vështirë të kërkohet cilësia e angazhimet nëse nuk e jep mbështetjen, trajtimin meritor financiar të mësimdhënësve… Na ka ardhë keq që në kohen e grevës trajtimi nuk ka qenë meritor dhe ai negocimi për 50 euro, lënia e shkollave mbyllur, ka qenë një situatë jo e mirë, poashtu më ka ardhë keq për sindikatën që e kanë trajtuar në mënyrë poshtëruese… Jemi të shqetësuar me situatën me tekstet, nuk kemi dashtë të ndërhymë në marrëdhënien me mësimdhënës, prindër e fëmijë. Na shqetëson mënyra si është shpjeguar kjo çështje, të paktën nuk kishte një sinqeritet të dalin e të shpjegojnë, sikur të kishte ndodh një ofertë e drejtë e me kohë, tekstet Kosova i kish siguruar me kosto më të arsyeshme. Në mënyrën si po implementohet sot, shpërndarja e tekstit do të kalojë 12 milionëshin, pra në 4 e 6 që ka qenë kostoja, po e kap 12 milion, që i bie gjashtë deri në tetë milion është kostoja më e shtrenjtë, do t’i kushtojë buxhetit të Kosovës më së paku 6 milion më shtrenjtë, dhe nuk kemi marr shpjegim. Ekziston rreziku që fëmijëve t’i mungojnë tekstet gjatë gjithë vitit shkollor, kush e garanton qe të gjithë fëmijët i kanë tekstet”, tha Haradinaj.

    Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj derisa ka ngritur disa nga shqetësimet që po përballen mësimdhënësit, shtoi se vendimi i MAShT-it për sigurimin e teksteve shkollore po rezulton të jetë mjaftë problematik.

    “MAShT-i ka zgjedh mënyrën më të mbrapshtë, më të keqe rreth teksteve shkollore. Nëse Qeveria Kurti nuk paska mjete për lloptop e projektor për shkolla që kanë nevojë sot qe duhet t’i ngjajmë shekullit XXI, konsideroj se tekstet shkollore është dashur të jenë të reja nga klasa një deri tek e nënta. Dhe deklarata e ministres Nagavci ishte skandaloze kur tha se po e ruajmë buxhetin e Kosovës, harronte qe librat janë në librari e do e rrisin çmimin. Dhe e lus Haradinaj që ta ngritni zërin në Parlament për arsimin në tërësi dhe jo vetëm për tekstet…Ka shtatë muaj qe Nagavci mban inatin në greva e nuk na takon. Paska ndonjë mësimdhënës që po bënë presion që nuk kanë tekste, dhe ju kisha lut që të kenë kujdes për këta nxënës që nuk kanë tekste, sepse ata nuk janë fajtor”, tha Jasharaj.

    Jasharaj po ashtu tha se shqetësim tjetër është se arsimi po përballet me punëtorë me sëmundje të rënda, të cilët detyrohen të dalin në shkollë për të ruajtur vendin e punës e pagën, për çfarë kërkoi të ndahet buxhet për këta mësimdhënës, dhe në vend të këtyre të aktivizohen kuadro të reja.

    Ndërkaq, kryetari i grupit parlamentar në këtë parti, Besnik Tahiri ka renditur disa nga gjetjet që kanë hasur në terren nga fillimi i vitit shkollor.

    “Ajo që ne kemi si gjetje të parë është se ky vendim është i kundërligjshëm, që bie ndesh me ligjin që ju garanton nxënësve që tekstet shkollore të jepen falas. Shuma 50 për tekste dhe 30 për fletore nuk mjafton, vetëm për klasën e parë janë mbi 70 euro që kushtojnë vetëm tekstet shkollore, gjetjet qe ne kemi është se aplikimi për një numër të madh të qytetarëve është i vështirë, pak a shumë është i pa mundshëm dhe nuk ka mundësitë të ndodhë pa një asistim të dytë, dhe për rrjedhojë ka probleme në kërkesën që Qeveria e ka bërë me këtë vendim të kundërligjshëm. Tekstet e vjetra shumica e tyre janë të papërdorshme, që nënkupton se prindërit sërish po shkojnë të blejnë tekste të reja, një numër i teksteve të vjetra as nuk është në shkolla për shpërndarje. Derisa është bërë një javë prej kur ka filluar mësimi shumica dërmuese e shkollave nuk i kane kompletuar të gjitha tekstet. Një numër i caktuar i familjeve, kanë probleme serioze me xhirollogari, për shkak se disa janë të bllokuara e disa kanë obligime në banka, dhe ajo shumë merret pastaj, ndërsa një numër as nuk kanë të hapura. Cili është instrumenti që garanton, e penalizon një prind që ato para për arsyeje të ndryshme që nuk i qon në destinacione tjera”, tha Tahiri.

    Edhe drejtoresha e Arsimit në Gjakovë, Eranda Kumonva-Baçi konsideron se vendimi i MAShT-it, është tejet i gabuar.

    Baçi derisa tha se rreth 45 për qind e nxënësve janë pa libra, shtoi se shqetësuese është edhe fakti që ka prindër të papërgjegjshëm nga diaspora qe po aplikojnë t’i marrin paratë që janë të dedikuara për fëmijët e Kosovës.

    “Komuna e Gjakovës ka 45 shkolla, dhe ka mbi 15 mijë nxënës, dhe për momentin gjenda aktuale është se në nivelin e parë deri në pestë i kemi mbi 5 mijë nxënës dhe nga ata mbi dy mijë janë pa libra ose 45 për qind, pa tekste shkollore, me arsyeje të shumta, prindërit pa xhirollogari bankare që janë raste sociale, prindër me xhirollogari bankare të bllokuara, fëmijët me nevoja të veçanta që nuk i pranohet aplikimi, pra nuk ka qasje në platformë. Fenomeni tjetër është aplikimi nga diaspora që po bëhet nga prindër të papërgjegjshëm dhe po marrin mjetet që janë të dedikuara për fëmijët tanë… Librarit poashtu po keqpërdorin kohë pas kohë dhe po shesin tekste tjera kur prindërit nuk janë në dijeni dhe nuk kanë listë të teksteve”, tha Baçi.

    Kujtojmë se Qeveria e Kosovës ka ekzekutuar rreth 13 milionë euro për subvencionimin e prindërve për blerjen e teksteve shkollore nga klasa e 1-9. /KP

  • Jimmy Fallon kërkon falje për pretendimet e “mjedisit toksik” të punës

    Jimmy Fallon kërkon falje për pretendimet e “mjedisit toksik” të punës

    Prezantuesi i njohur Jimmy Fallon i ka kërkuar falje stafit të “Tonight Show” pas akuzave se ai kishte krijuar një mjedis “toksik” pune.

    “Ndihem aq keq sa nuk mund t’jua them”, tha prezantuesi i famshëm për stafin, shkruan BBC.

    Krejt kjo erdhi pas një hetimi nga revista “Rolling Stone”, e cila ekspozoi akuza të dëmshme nga stafi aktual dhe i mëparshëm i emisionit televiziv amerikan.

    Stafi i tha “Rolling Stone” se për vite me radhë ndiheshin të nënçmuar dhe të frikësuar dhe vuajtën shëndetin mendor.

    Ata e përshkruan sjelljen e Fallonit si “të çrregullt” – në varësi të faktit nëse ai po kalonte një “ditë të mirë” apo një “ditë të keqe”.

    Sipas hetimit të bërë nga “Rolling Stone”, dhomat e zhveshjes së të ftuarve quheshin si “dhoma për të qarë”.

    NBC ka lëshuar një deklaratë për këtë çështje, teksa ka thënë se të gjitha çështjet e ngritura nga punonjësit janë trajtuar.

    “Jemi jashtëzakonisht krenarë për ‘The Tonight Show’, dhe ofrimi i një mjedisi pune të respektueshëm është një përparësi kryesore… Si në çdo vend pune, kemi pasur punonjës që kanë ngritur çështje; ato janë hetuar dhe është marrë masa aty ku ka qenë e nevojshme”, tha në një deklaratë, një zëdhënës i NBC.

    Megjithatë, disa punonjës aktualë të emisionit i kanë dalë në mbrojtje Fallonit.

    “Fallon ishte një djalë vërtet, vërtet pozitiv”, i tha revistës “People” një punëtor.

    “Ai të lavdëron kur bën një punë të shkëlqyer dhe kur është i lumtur”, tha punonjësi, i cili kërkoi të mbetet anonim.

  • Bislimi takon eurodeputetin Reuten, flasin për procesin e dialogut

    Bislimi takon eurodeputetin Reuten, flasin për procesin e dialogut

    Gjatë qëndrimit në Holandë, zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, u takua me eurodeputetin nga radhët e grupit të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve (S&D), Thijs Reuten.

    Zëvendëskryeministri Bislimi e informoi eurodeputetin me ritmin dhe dinamikën e punës së zhvilluar në përmbushjen e reformave evropiane.

    Po ashtu, ai tha se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, duhet të njohë hapa tutje të vlerësimit dhe marrjen e pyetësorit që të kemi vlerësim kredibil dhe të barabartë të reformave krahas vendeve të tjera të rajonit.

    Në takim u diskutua dhe mbi procesin e dialogut, ku zëvendëskryeministri Bislimi ritheksoi se Marrëveshja Bazike duhet të zbatohet në plotni, pa vonesa e kushtëzime dhe përmes një plani të sekuencimit të drejtë, të balancuar e të barabartë.

    Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi eurodeputetin Reuten për takimin dhe diskutimet e shpeshta e produktive.

  • ATK-ja arrin mbi gjysmë miliardi të hyra tatimore për tetë muaj

    ATK-ja arrin mbi gjysmë miliardi të hyra tatimore për tetë muaj

    Administrata Tatimore e Kosovës vlerëson se ka pasur një performancë të shkëlqyer, pasi ka arritur të ketë mbi gjysmë miliardi të hyra tatimore për tetë muaj.

    ATK-ja thotë se kjo shifër është rritur për 92 milionë euro krahasuar me periudhën e njëjtë 2022-2023.

    “Administrata Tatimore e Kosovës ka pasur një performancë të shkëlqyeshme në mbledhjen e të hyrave gjatë periudhës janar-gusht 2023, ku janë mbledhur 579.2 milionë euro, e që në krahasim mes periudhave të njëjta 2022-2023 kemi rritje për 92 milionë euro. Këto rezultatet pozitive tregojnë një përmirësim të qëndrueshëm të punës së këtij institucioni kyç për të hyrat shtetërore”, thuhet në njoftim.

  • Jep dorëheqje kryetari i Odës së Farmacistëve, Arianit Jakupi

    Jep dorëheqje kryetari i Odës së Farmacistëve, Arianit Jakupi

    Kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Arianit Jakupi, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.

    Arsyet e dorëheqjes thuhet të jenë personale.

    Kuvendi i Odës së Farmacistëve, më 25 janar të këtij viti, e kishte shkarkuar Jakupin me 29 vota pro, në një mbledhje të jashtëzakonshme. Arsyeja e shkarkimit ishte se gjatë procedurave të zgjedhjeve që i ka pasur kjo odë në muajin qershor të vitit të kaluar, thuhet se ai ka shkelur një rregullore.

    Megjithatë, Jakupi kishte vazhduar të ushtronte detyrën e tij, duke mos e pranuar vendimin e Kuvendit.

    E më 21 mars, Gjyqi i Nderit në kuadër të Odës së Farmacistëve të Kosovës, e kishte konsideruar të jashtëligjshëm vendimin për mocionin e mosbesimit të Kuvendit të kësaj ode për shkarkimin e kryetarit, Arianit Jakupi.

    Këtë e kishte bërë të ditur vet Jakupi, duke thënë thënë se ankesa e tij është aprovuar dhe se votimi i delegatëve llogaritet në shkelje statutare dhe ligjore nga Gjyqi i Nderit.

  • Dallaveret me biletat e ndeshjes Kosovë-Zvicër, reagon FFK-ja

    Dallaveret me biletat e ndeshjes Kosovë-Zvicër, reagon FFK-ja

    Federata e Futbollit të Kosovës ka thënë se do ta paraqesë në polici çdo abuzim të mundshëm me biletat e ndeshjes Kosovë-Zvicër.

    Përmes një njoftimi, FFK-ja ka bërë të ditur se biletat janë të personalizuara dhe nuk mund të transferohen te një person tjetër.

    “Federata e Futbollit e Kosovës njofton edhe një herë opinionin se biletat e ndeshjes Kosovë – Zvicër janë të personalizuara dhe nuk mund të transferohen te një person tjetër. Në secilën hyrje të stadiumit funksionon sistemi digjital dhe do të bëhet kontrolli i poseduesve të biletave të personalizuara. Çdo abuzim me biletat do të paraqitet tek organet e rendit, me të cilat jemi duke bashkëpunuar ngushtë në parandalimin e keqpërdorimit të biletave për ndeshje. Andaj, FFK fton qytetarët që të mos bien pre e mashtruesve në tregun e zi dhe çdo abuzim me bileta ta paraqesin tek organet e rendit”, thuhet në njoftim.

    Ndeshja Kosovë-Zvicër luhet nesër me fillim nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian.

  • Vuçiq thotë se serbët “nuk do t’i dorëzojnë” ndërtesat në veri të Kosovës

    Vuçiq thotë se serbët “nuk do t’i dorëzojnë” ndërtesat në veri të Kosovës

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 8 shtator se nuk ka kurrfarë diskutimesh lidhur me atë që serbët në veri të Kosovës “t’ua lëshojnë ndërtesat dhe pronat atyre të cilëve ato nuk iu përkisnin kurrë”.

    Ai i bëri këto deklarata në ditën kur skadon afati për largimin e katër institucioneve të Serbisë nga një ndërtesë komunale në Mitrovicë të Veriut.

    “Ne kemi treguar vullnet të mirë, kemi biseduar me përfaqësuesit e serbëve që të pranojnë dialogun për mbajtjen e zgjedhjeve në veri”, tha Vuçiq.

    Ai tha se të mërkurën ose të enjten e javës së ardhshme, delegacioni i Serbisë do të shkojë në Bruksel për bisedime me delegacionin e Kosovës, takim në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

    “Është obligim për ne. Ne gjithmonë e kemi konsideruar dialogun si mënyrën e vetme për të zgjidhur problemet, dhe problemet vetëm po akumulohen”, tha Vuçiq.

    Autoritetet në Kosovë kanë paralajmëruar se deri më 8 shtator, katër institucione serbe duhet të largohen nga një objekt në Lagjen e Boshnjakëve, pasi kanë argumentuar se i përket komunës së Mitrovicës së Veriut.

    Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Drejtoria e Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor, Qarku Administrativ i Mitrovicës së Kosovës dhe Qendra për Punë Sociale prej kohësh përdorin këtë ndërtesë komunale.

    Një aksion për largimin e këtyre institucioneve të Serbisë nga objekti komunal në Mitrovicë të Veriut, fillimisht ishte paraparë të zhvillohej më 25 gusht, por ishte shtyrë për dy javë.

    Para kësaj, inspektorati komunal u kishte dërguar këtyre institucioneve një paralajmërim që të lironin zyrat pasi ato nuk kishin dorëzuar dokumente apo kontrata për të dëshmuar se kanë leje ta shfrytëzojnë objektin.

    Zyra për Kosovën, por edhe Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar – ditëve të fundit janë shprehur kundër largimit të institucioneve serbe nga objekti komunal në Mitrovicë të Veriut.

    Autoritetet në Mitrovicë të Veriut kanë argumentuar se objekti u përket atyre dhe se i njëjti duhet të lirohet për shkak të disa “punimeve”. Megjithatë, në një deklarim të mëhershëm për REL-in, ato nuk specifikuan për çfarë lloj punimesh bëhet fjalë.

    Mitrovica e Veriut gjendet në veri të Kosovës, zonë e banuar me shumicë serbe. Kjo komunë, së bashku me tri komuna të tjera në veri, që nga prilli kanë kryetarë shqiptarë, të cilët u zgjodhën në votimet e bojkotuara nga popullata serbe.

    Në fund të majit, tensionet në veri të Kosovës u rritën, pasi kryetarët e rinj shqiptarë, me asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale.

    Në kuadër të hapave të ndërmarrë për shtensionimin e tensioneve, autoritetet në Kosovë kanë prezantuar një bazë ligjore që do të mundësonte largimin e kryetarëve të komunave përmes një peticioni.