ATV

Edhe pas një jave, nxënësit pa disa libra

Written by

in

Përgatiti: Benita Zeneli

Me këtë problem po përballen nxënësit edhe pas 1 jave prej kur ka nisur procesi mësimor.

Furnizimin me disa libra ende po e ka të vështirë një pjesë e nxënësve, pasi ka mungesë të tyre nëpër librari.

Të vështirë mbarëvajtjen e orëve pa libra po e vlerësojnë mësimdhënësit.

“Sa për fillim jemi munduar në disa mënyra me punu me këto libra sa i kemi, por deri të furnizohen, vështirësi është edhe për ne, por besoj që do të arrijmë të punojmë ashtu sa mundemi”, thotë Hava Krasniqi, mësimdhënëse.

50 euro për tekste shkollore janë ndarë për secilin nxënës nga klasa e 1 deri në të 5-tën, derisa ata nga klasa e 6 deri në të 9-tën janë duke i shfrytëzuar librat e viteve të kaluara. Ndërsa, për të gjithë janë ndarë nga 30 euro për materiale të tjera shkollore.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka paralajmëruar prindërit se nëse i keqpërdorin mjetet që MASHT-i ua ka ndarë për blerjen e teksteve shkollore për fëmijët, do të përballen me ligjin.

Por një gjë e tillë po konsiderohet e pamundur, derisa nuk kërkohet dëshmi për këtë.

“Vlerësoj monitorimi është i pamundur..”, tha ish-zëvendësministri i Arsimit, Xhavit Rexhaj.

Rexhaj, madje, kritikon Ministrinë se mori vendimin për t’i subvencionuar prindërit për t’i blerë librat, vetëm pak javë para se të nisë mësimi.

“Të gjithë ne duhet të veprojmë që ta ndihmojnë furnizimin e suksesshëm të fëmijëve me libra e qeveria të marrë mësim nga gabimet. Dhe mësimdhënësit duhet të jenë të durueshëm gjatë këtij muaji”, tha Rexhaj.

Por, ministrja Nagavci deklaroi se kjo metodë ka bërë që shpenzimet për blerjen e librave këtë vit të jenë më të ulëta. Sipas ekzekutivit, këtë vit janë shpenzuar afër 13 milionë euro, derisa vitin e kaluar mbi 16 milionë euro.

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *