ATV

Blog

  • Arrestohet një zyrtar i ATK-së për keqpërdorim të pozitës zyrtare

    Arrestohet një zyrtar i ATK-së për keqpërdorim të pozitës zyrtare

    Policia e Kosovës njofton se është arrestuar një zyrtar i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) me inicialet NN.

    Sipas policisë, i arrestuari dyshohet se ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar zyrtar i ATK-së, pasi që dyshohet që ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtar. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e 24-orësh të policisë.

  • Vdes pasi rrotullohet me traktor

    Vdes pasi rrotullohet me traktor

    Një person ka mbetur i vdekur pasi i njëjti është rrotulluar me traktor në pyll të fshatit Qabiq të Klinës.

    Në raportin e Policisë bëhet e ditur se i njëjti është dërguar në Spitalin e Pejës e më pas nga mjekët është informuar se viktima ka vdekur.

    “Fsh. Qabiq, Klinë. 19.09.2023 – 12:00. Raportohet se viktima mashkull kosovar është rrotulluar me traktor në pyll dhe si pasojë ka pësuar lëndime trupore. Viktima është dërguar në Spitalin e Pejës dhe më pas nga mjekët është informuar se viktima ka vdekur”, thuhet në raport.

    Bëhet e ditur se rasti është duke u hetuar.

  • Hovenier rikonfirmon mbështetjen e ShBA-së ndaj BE-së si ndërmjetësuese e dialogut

    Hovenier rikonfirmon mbështetjen e ShBA-së ndaj BE-së si ndërmjetësuese e dialogut

    Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka kërkuar zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit.

    Në samitin e Paqes dhe Demoracisë(KDPS), Hovenier tha se vetëm normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi i sjell dy vendet më pranë institucioneve trans-atlantike.

    Ai nënvizoi edhe mbështetjen që e ka ShBA ndaj Bashkimit Evropian si ndërmjetësues të dialogut.

  • Vritet një person në Malishevë, i dyshuari dorëzohet në Polici

    Vritet një person në Malishevë, i dyshuari dorëzohet në Polici

    Një person dyshohet se është vrarë në orët e para të mëngjesit të së mërkurës në fshatin Banjë të Malishevës. Ndërsa një person është dorëzuar në Stacionin policor në Malishevë, dhe i njëjti dyshohet se ka qëlluar viktimën.

    Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, tha se vdekja e personit është konstatuar në vendin e ngjarjes.

    Ai ka bërë të ditur për KosovaPress se rasti ka ndodhur rreth orës 07:15, kur edhe është raportuar se në fshatin Banjë-Malishevë, viktima mashkull i moshës madhore është gjetur pa shenja jetë.

    “Dyshohet të jetë qëlluar me armë zjarri. Ekipi mjekësor i cili ka dalë në vendin e ngjarjes ka konstatuar vdekjen e tij. Një person, po ashtu mashkull i moshës madhore, është dorëzuar në Stacionin Policor në Malishevë dhe nga hetimet e para dyshohet se i njëjti, për motive ende të panjohura, ka qëlluar viktimën me armë zjarri”, ka thënë Elezaj.

    Siç ka thënë ai, njësitet e nevojshme policore dhe prokurori i shtetit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke u ndërmarr veprimet e nevojshme hetimore.

  • Çanak: Serbia po tolerohet që të mos drejtohet kah Rusia

    Çanak: Serbia po tolerohet që të mos drejtohet kah Rusia

    Ish-kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës, Nenad Çanak, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se zvarritja e gjetjes së një zgjidhje mes Serbisë dhe Kosovës po ndodh për shkak se nuk po sanksionohet ai që po e saboton zgjidhjen.

    “Mësimi i parë në Fakultetin Juridik thotë, fjalia e parë e së Drejtës Romake: ‘nuk ka drejtësi pa sanksione’. Atëherë nuk munden të keni shtet ligjor nëse pas saj nuk qëndrojnë të sanksionuarit të cilët nuk e respektojnë të drejtën. Tani doni sikur të ndihmonit në zgjidhje të mosmarrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë e njëkohësisht nuk po e sanksiononi atë që po e saboton zgjidhjen”, tha Çanak.

    Ai tha se në Serbi ka baza të fuqishme të agjenturave ruse dhe për shkak që ky shtet të mos rrëshqasë në konceptin e një shteti “Proxy” si Bjellorosua, po tolerohet nga bashkësia ndërkombëtare.

    Për këtë, sipas tij, çmimin po e paguan Kosova.

    “Aktualisht për shkak të ndikimit rus në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinën verilindore, me qëllim nuk e përmendi Republikën Srpska por them Bosnje sepse Vojvodinën e quajnë Serbia veriore dhe kështu përpiqem t’u tregojë se sa bizare është kjo sidoqoftë, aty ka baza të fuqishme të agjenturave ruse e pastaj tani që Serbia të mos rrëshqiste në konceptin e një shteti ‘proxy’ si Bjellorusia, Serbia tolerohet sepse nëse u bëjmë presion do të drejtohen kah Rusia. Dhe kush e paguan çmimin? Po dikush tjetër e kush është ai dikush tjetër? Në këtë rast Kosova. Shumë e thjesht, personalisht mendoj se nëse do të donin vërtet zgjidhje si njohja e ndërsjellë, njohja de facto, por hajde t’i normalizojmë raportet që mos të turpërohemi me stikerë në targa sepse askush fundja nuk e di se çfarë shkruan nën stikerë, kinse askush në Prishtinë nuk e di që jemi nga Serbia por kemi stiker në targë, këto janë gjëra vërtet fëmijërore dhe nga jashtë duket ashtu”, tha Çanak./atvlive.tv

    Intervistën e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Poeti Lulzim Tafa mysafir nderi në Kongresin Botëror të Poetëve, mbahet në një anije gjigante

    Poeti Lulzim Tafa mysafir nderi në Kongresin Botëror të Poetëve, mbahet në një anije gjigante

    Poeti i njohur kosovar, Lulzim Tafa do të jetë i ftuar si mysafir nderi në Kongresin Botëror të Poetëve.

    Ky kongres, i 42-ti me radhë, sivjet për herë të parë mbahet në një anije gjigante dhe do të marrin pjesë poetë nga mbarë bota.

    Kongresi do nisë në Romë-Itali dhe do të lëvizë bashkë me vargjet e poetëve nëpër ujërat e Mesdheut, në Maltë, në Greqi dhe përsëri do të kthehet në Itali.

    “Poezia mbi ujë”, shprehet poeti Lulzim Tafa teksa tregon që është i lumtur që do të jetë pjesë e kësaj eksperience e njëkohësisht për faktin që në këtë kongres do të jetë prezente edhe letërsia shqipe.

    “Jam i lumtur që do t’i takoj shumë nga miqtë e mi poetë nga të gjitha anët e globit, po ashtu jam i lumtur që në këtë kongres do të jetë prezente edhe letërsia jonë”, shprehet Tafa.

    Kongresi Botëror i Poetëve do të mbahet më datë 22 deri më 29 shtator.

  • ​Ligjit për zyrtarët publikë, Presidenca: Ndryshimi i neneve, përgjegjësi e Kuvendit

    ​Ligjit për zyrtarët publikë, Presidenca: Ndryshimi i neneve, përgjegjësi e Kuvendit

    Një ditë më parë Partia Demokratike e Kosovës ka kritikuar presidenten e vendit, Vjosa Osmani për dekretimin e Ligjit për zyrtarët publikë, pasi Gjykata Kushtetuese kishte kontestuar disa nene të këtij ligji.

    Lidhur me këtë Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes ka thënë se sa i përket pastrimit të Ligjit për zyrtarët publikë duhet adresuar Kuvendit të Kosovës.

    “Sa i përket pastrimit të Ligjit për Zyrtarë Publik, ju ftojmë që për këtë t’i adresoheni Kuvendit të Kosovës si autoritet që ka pasur përgjegjësinë kushtetuese dhe ligjore për ta pastruar ligjin nga nenet e kontestuara”, ka thënë ai.

    Ai ka thënë se përgatitja e tekstit konform aktgjykimit të gjykatës kushtetutese, është detyrë dhe përgjegjësi e Kuvendit (komisionit funksional) dhe jo e presidentes.

    “Edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, edhe rregullorja e Kuvendit (Neni 91, para 2 i Rrregullores), përcaktojnë një përgjegjësi të tillë. Sipas rregullores, nëse Gjykata Kushtetuese shfuqizon ndonjë nen të aktit para hyrjes në fuqi të të njëjtit, kryetari i Kuvendit kërkon nga komisioni funksional që në përputhje me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese ta përgatisë tekstin e aktit për shpallje nga Presidenti. Pra, përgatitja e tekstit konform aktgjykimit të gjykatës kushtetutese, është detyrë dhe përgjegjësi e Kuvendit (komisionit funksional) dhe jo e Presidentes. Presidentja nuk ka kompetencë të ndërhyjë në përgatitjen apo përshtatjen e ligjit me aktgjykimin e gjykatës. Nese ka ndodhur ndonjë gabim teknik në procesin e përgatitjes së Ligjit nga ana e Kuvendit, Presidentja do të kërkojë nga Kuvendi që urgjentisht të rregullohet ky lëshim në përputhje me praktikat ekzistuese të së kaluarës kur ka pasur lëshime teknike”, vijoi ai.

  • Sveçla: Nëse Vuçiq futet pa leje në Kosovë, do të arrestohet

    Sveçla: Nëse Vuçiq futet pa leje në Kosovë, do të arrestohet

    Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka paralajmëruar se do ta arrestojnë presidentin serb nëse futet pa leje në Kosovë.

    “Për me leje, te Kryeministri, për pa leje te unë”, ka deklaruar Sveçla në emisionin DPT te Fidani në ATV.

    “Është çështje vendimmarrëse e Kryeministrit në qoftë se ka kërkesë, a i jep leje apo jo Vuçiqit. E, për pa leje, pastaj dihet cilat institucione merren me të”.

    “Nëse futet në Kosovë, pa asnjë dyshim. Si po mendoni ju që dikush, shtetas i huaj mund të futet në Republikën e Kosovës pa lejen e institucioneve të Kosovës.”

    “Cilat janë pasojat? Pasoja është që thjesht nuk ke shtet nëse kreu i shtetit tjetër futet pa leje në territorin tond”, mirëpo, ka deklaruar Sveçla, “unë nuk besoj që Vuçiq është aq i krisur që të vijë në Kosovë pa leje”, deklaroi ai.

  • Shqipëria kryeson sot Këshillin e Sigurimit në OKB, Rama drejton debatin

    Shqipëria kryeson sot Këshillin e Sigurimit në OKB, Rama drejton debatin

    Shqipëria kryeson sot Debatin e Hapur të Nivelit të Lartë të Këshillit të Sigurimit në Kombet e Bashkuara.

    Debati i hapur në Këshillin e Sigurimit, i cili do të drejtohet nga Kryeministri Edi Rama, do të ketë në fokus temat e sigurisë, paqes dhe luftës në Ukrainë.

    Debatin e hapur, kryeministri Rama do e drejtojë në krah të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, dhe presidentit amerikan, Xho Bajden (o. Joe Biden).

    Po ashtu, gjatë kësaj të mërkure,kreu i qeverisë shqiptare do të takohet dhe me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenski (Zelensky), me të cilin do të nënshkruajë dhe një deklaratë.

    Një ditë para mbajtjes së debatit të hapur, kryeministri Rama dha një videomesazh nga Nju Jorku (Neë York) ku bëri me dije se Shqipëria do të vërë theksin te nevoja për një veprim efektiv shumëpalësh, si metoda më e mirë, sipas tij, për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta, sidomos të paqes e sigurisë.

    Sakaq, të pranishëm në javën e nivelit të lartë të sesionit të 78-të të OKB, ka qenë Ministri i Jashtëm, Igli Hasani dhe Presidenti Bajram Begaj.

    Ky i fundit ka mbajtur dhe një fjalë në takimin e nivelit të lartë, ku theksoi se zhvillimi i qëndrueshëm “është garancia më e fortë për një botë të karakterizuar nga paqja e stabiliteti”.

    Po ashtu, kreu i shtetit shqiuptar ka zhvilluar një sërë takimet me personalitete të larta të shteteve apo qeverive në botë.

    Begaj u takua gjithashtu edhe me Përfaqësuesin e Lartë dhe njëherazi zv.presidentin e Komisionit Evropian, Xhosep Borel (Josep Borrell).

    Gjatë takimit, Begaj ka falënderuar Borel për mbështetjen dhe vëmendjen e treguar për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe veçanërisht, për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Kreu i shteti ka theksuar se një perspektivë e qartë evropiane e rajonit është garanci për sigurinë dhe të ardhmen e tij.

  • Bashkimi Evropian i vlerësoi “pretendime të pabazuara” akuzat e kryeministrit Kurti ndaj Lajçakut

    Bashkimi Evropian i vlerësoi “pretendime të pabazuara” akuzat e kryeministrit Kurti ndaj Lajçakut

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Përkundër akuzave nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për anim dhe veprim të bashkërenduar me Serbinë, Bashkimi Evropian shprehu mbështetje të plotë për dy përfaqësuesit e saj në procesin e dialogut, Josep Borrell dhe Mirolav Lajçak.

    Krahas një deklarate të lëshuar në mëngjes, BE-ja kërkoi angazhim në mirëbesim dhe ruajtje të parimit të konfidencialitetit nga të dyja palët.

    “Para së gjithash, lidhur me komentet nga zotëri Kurti, ne nuk komentojmë komentet e të tjerëve, veçanërisht kur ato përmbajnë pretendime të pabaza. Mendoj se vendet anëtare të BE-së e kanë bërë të qartë se mbështesin plotësisht Përfaqësuesin e Posaçëm, Miroslav Lajçak, e po ashtu edhe Përfaqësuesin e Lartë në rolin e tij si lehtësues i dialogut Beograd – Prishtinë”, tha zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano.

    Duke i vlerësuar të pamjaftueshme veprimet nga Kosova dhe duke konstatuar se nuk janë përmbushur kërkesat për heqjen e masave, BE-ja nuk përjashtoi shtimin e tyre apo vendosjen e tyre për Serbinë.

    Pasi vlerësoi se dialogu është në një fazë bllokade, opinionisti Bekim Kabashi theksoi se akuzat nga kryeministri janë formë presioni për të fituar më shumë në proces, jo për ta larguar ndërmjetësin.

    “Tash, duhet të ketë veprime nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, pra duhet të presim se si të operojnë ata, duhet të gjendet një metodë, të vazhdohet me shuttle-diplomacy apo ndonjë formë tjetër të ngjashme, dhe të sillen palët sërish në dialog dhe të procedohet tutje”, tha Kabashi.

    Teksa konstatoi se asnjëra palë nuk dëshiron zbatimin e marrëveshjes bazë dhe shtojcës, Kabashi tha se Serbia po përfiton nga veprimet e Kosovës.

    “Të dy palët nuk janë të interesuara për ta implementuar marrëveshjen, por meqë veprimet po i bën pala kosovare, po i merr edhe ndëshkimet nga BE-ja. Në anën tjetër, Serbia, presidenti Vucic, po është pozicion më komod”, tha Kabashi.

    Krahas vlerësimit se akuzat për anim nuk priten mirë nga faktori ndërkombëtar, opinionisti Fitim Mulolli theksoi se “kryeministri Kurti po dështon ta kuptojë ose po e injoron faktin se ShBA-ja është unike me BE-në, në procesin e dialogut”.

    “Nga të gjitha këto, përfitues është presidenti Vucic, sepse dialogu po stërzgjatet, veriu po mbetet si çështje e pazgjidhur – që është narrativë e tyre. Shqiptarët, sipas Vucicit, po tregojnë që s’dinë me menaxhu, që nuk dinë me i respektu pakicat e kështu me radhë. Me apo pa vetëdije, po ndihmohet kjo narrativë e Vucicit, e cila është shumë e rrezikshme për Republikën e Kosovës”, tha Mulolli.

    Referuar takimeve të 14 Shtatorit në Bruksel, kryeministri Albin Kurti dhe zëvendësi i tij, Besnik Bislimi, akuzuan emisarin Miroslav Lajçak për anim dhe bashkërendim të veprimeve me presidentin e Serbisë, në dëm të Kosovës.