ATV

Blog

  • Kaq biznese u regjistruan dhe u shuan nga viti 2000 deri në mars 2023

    Kaq biznese u regjistruan dhe u shuan nga viti 2000 deri në mars 2023

    Gjithsej janë analizuar 96,995 biznese aktive nga 227 mijë e 759 biznese të regjistruara në Kosovë nga viti 2000 deri në mars 2023, prej tyre 78,7 për qind janë në pronësi të burrave, 18 për qind në pronësi të grave, 2,3 për qind janë në bashkëpronësi të paktën të një gruaje, ndërsa për 1 për qind tjetër nuk dihet gjinia e pronarëve.

    Përveç kësaj, në raportin “Profilet e bizneseve: Ndërmarrësia e grave dhe pakicave etnike në Kosovë” të Institutit GAP thuhet se në Kosovë janë 33 mijë e 3 biznese të shuara nga viti 2000 deri në mars 2023. Prej tyre, 64% janë në pronësi të burrave, 12% janë në pronësi të grave, 0.3% janë në pronësi të paktën të një gruaje dhe për 23.7% të bizneseve nuk dihet gjinia e pronarëve/eve.

    Ky raport identifikon profilet e bizneseve në pronësi të grave dhe atyre të pakicave etnike, duke analizuar praninë e tyre në Kosovë sipas madhësisë së biznesit, vendndodhjes gjeografike dhe sektorit ekonomik në të cilin ato operojnë. Për më tepër, raporti analizon jetëgjatësinë e bizneseve në pronësi të grave krahasuar me bizneset në pronësi të burrave.

    “Raporti tregon se bizneset mikro, të vogla dhe të mesme përbëjnë 99% të numrit të përgjithshëm të bizneseve në pronësi të grave në Kosovë. Nga bizneset e analizuara, 5,253 prej tyre janë në pronësi të individëve të pakicave etnike në Kosovë; 30% serb, 28% turq, 10.5% boshnjak, 2.7% goran, 2% ashkali, 1.7% rom, 1.7% egjiptian, 0.1% malazez, ndërsa 22% e tyre nuk janë të kategorizuar. Nga numri i përgjithshëm i bizneseve në pronësi të pakicave etnike, 79% janë në pronësi të burrave dhe 21% të grave”, thuhet në raport.

    Ndërsa, bizneset në pronësi të grave me jetëgjatësinë më të madhe operojnë në sektorët: tregtia me shumicë dhe pakicë (6.71 vite), dhe transport dhe magazinim (6.53 vite).

    Bazuar në gjetjet e raportit, Instituti GAP rekomandon që Qeveria e Kosovës të ofrojë një përkufizim të saktë të asaj që konsiderohet “biznes aktiv” dhe të ofrojë mekanizma për mbledhjen e të dhënave të besueshme në mënyrë që të shmangen mospërputhjet e të dhënave, si në këtë rast ku shifrat e ofruara nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, Administrata Tatimore e Kosovës dhe Agjencia e Statistikave të Kosovës nuk përputhen. Të kuptuarit e profileve të bizneseve në pronësi të grave dhe në pronësi të pakicave mund të ndihmojë qeverinë dhe palët e tjera të interesuara të hartojnë dhe zbatojnë politika dhe programe që mbështesin në mënyrë adekuate këto kategori të bizneseve.

  • ​Shpalosen detaje për maratonën “Prishtina 2023″

    ​Shpalosen detaje për maratonën “Prishtina 2023″

    Federata e Atletikës e Kosovës (FAK) në konferencën për media ka dhënë detaje për maratonën “Prishtina 2023”.

    Maratona “Prishtina 2023” do të mbahet më datën 24 të këtij muaji, respektivisht këtë të diel në kryeqytet, raporton KosovaPress.

    Kryetari i FAK-ut, Halil Sylejmani tha se organizimi i kësaj maratone ka filluar para 22 vitesh dhe nuk është ndalur deri më sot, pasi që e ka bërë punën e vetë, e jo vetëm në Kosovë.

    “Ne këtë maratonë e kemi nisur në kushtet e mëhershme që 22 vjet më parë dhe nuk e kemi ndalë organizimin e kësaj gare sepse ka bërë punën e vetë jo vetëm në Kosovë që të sensibilizohen gjegjësisht edhe të vetëdijesohen edhe disa persona të cilët janë të fuqishëm që të marrin pjesë në këtë garë, por edhe nga bota e jashtme, do të thotë këtu do të jetë një garë, bota në miniaturë”, tha Sylejmani.

    Ndërkaq, zyrtari për sport në Komunën e Prishtinës, Granit Makolli u shpreh i lumtur që maratona do të organizohet sërish në kryeqytet, ndërsa siguroi FAK-un se do të ketë mbështetjen e plotë nga komuna.

    “Është kënaqësi që Maratona 22 do të organizohet përsëri në kryeqytet. Sigurisht që ne si komunë e kemi mbështetur dhe do ta vazhdojmë ta mbështesim çdo herë Federatën e Atletikës në këtë organizim”, tha Makolli.

    Për Fitim Arifin, përfaqësuesin e Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), ky edicion i maratonës është shumë i rëndësishëm, pasi që është në kohën e lajmit të organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.

    “Prej vitit në vit çdo herë maratona ka shku duke u ngrit, duke e rrit nivelin. Kjo maratonë ndoshta është shumë e rëndësishme, ose ky edicion i kësaj maratone është shumë i rëndësishëm për shkak se në këtë kohë është ardhë edhe lajmi i organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, besoj që do ta ketë rëndësinë edhe ma të madhe të kësaj maratone”, tha Arifi.

    Ndërkaq, zyrtari për informim, njëherësh anëtar i kryesisë së Federatës së Atletikës, Adrijan Mazreku, shpalosi edhe detajet e kësaj maratone.

    “Përpos maratonës së plotë në 44 kilometra, kemi edhe gjysmë-maratonën në 21 kilometra, pastaj vrapimin në 10 kilometra dhe pesë kilometra. Gjithashtu është edhe një ecje që e kemi mundësua atyre që kanë dëshirë për rekreacion në distancën pesë kilometra ka edhe ecje normale që mund ta bëjnë edhe të moshuarit apo personat me mjete ndihmëse, me shkop apo me diçka të ngjashme. Pastaj ka edhe një garë për personat me nevoja në zhvillim, me karroca, por gjithashtu është edhe një disiplinë e nxënësve dy kilometra, regjistrim ky që bëhet në ditën e garës”, tha Mazreku.

    Nga kjo maratonë do të ketë shpërblime edhe për atletët që zënë tetë vendet e para, ku shpërblimet do të jenë njëjtë sikurse për meshkujt ashtu edhe për femrat.

    Shpërblimet për vrapimin Maratonë (42.195 kilometra) te meshkujt dhe femrat: Vendi i parë (1 mijë euro), vendi i dytë (700 euro), vendi i tretë (400 euro), vendi i katërt (200 euro), vendi i pestë (150 euro), vendi i gjashtë (100 euro), vendi i shtatë (70 euro) dhe vendi i tetë (50 euro).

    Shpërblimet për vrapimin Gjysmë Maratonë (21.0975 kilometra): Vendi i parë (250 euro), vendi i dytë (200 euro), vendi i tretë (150 euro), vendi i katërt (100 euro) dhe vendi i pestë (50 euro). /KP

  • ​“S’ka rikthim të COVID-it”, Vishaj: Situata epidemiologjike është e qetë

    ​“S’ka rikthim të COVID-it”, Vishaj: Situata epidemiologjike është e qetë

    Situata epidemiologjike me COVID-19 mbetet e qetë, pavarësisht se u krijua një shqetësim ditëve të fundit për një rikthim të mundshëm të virusit që më 2020 mbylli të gjithë botën. Drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj deklaroi për KosovaPress se nuk ka asnjë arsye për panik.

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) njoftoi se në dy javët e fundit (30.08.2023 – 12.09.2023) në Kosovë janë raportuar 67 raste pozitive dhe 1 rast i vdekjes me COVID-19. Sipas grupmoshave, rezulton se numri më i madh i rasteve i takojnë grupmoshave 50-59 vjeç (me 16 raste) dhe 60-69 vjeç (me 15 raste) me moshë mesatare 52 vjeç.

    Mirëpo, Vishaj u shpreh se numri i te infektuarve është në suazat e normales ndërsa për personin që ka humbur jetën u shpreh se COVID-i nuk ka qenë shkaktari kryesor i vdekjes.

    “Kemi numër të rëndomtë të infektuarve, kemi një pacient i cili është infektuar me COVID-19 dhe ai ka një sëmundje tjetër kronike dhe ka rënë në kontakt me virusin e COVID-19, pra është një situatë e qetë epidemiologjike dhe asgjë diçka risi në këtë drejtim nuk ka… Ne kemi pasur një pacient i cili ka përfunduar me fatalitet por paraprakisht ka pasur sëmundje malinje, stadi terminal i sëmundjes, dhe nuk mund të themi që shkaktari drejtpërdrejt ka qenë infeksioni me COVID-19. Por shakatari kryesor i përfundimit me vdekje i pacientit ka qenë sëmundja, pikërisht sëmundja stadi terminal i sëmundjes malinje dhe njëkohësisht ka rënë në kontakt me virusin corona” tha Vishaj

    Drejtori i Infektivës tha se njerëzit duhet të kuptojnë se COVID do të qëndrojë gjatë por 67 rastet e raportuar nuk është numër i lartë.

    “Tash popullata duhet të dijë se do të jetë masë me siguri për një kohë shumë të gjatë, askush nuk mund të thotë se sa do të qëndrojë masë me siguri për një kohë shumë të gjatë bëhet fjalë për shumë vitet e ardhshme por ajo që është duke u vërejtur sepse tashmë nuk kemi forma sie kemi pasur më përpara dhe një testim prej 67 personave të prekur pozitiv që janë grumbulluar për një javë nuk do të thotë që është një numër shumë i madh i të infektuarve. Në shkallë të një popullate që gjatë periudhës së ardhjes së mërgimtareve mbase ka qenë një popullatë 2 milionëshe kemi pasur dy tre raste dhe nuk bëhet fjalë asnjëherë për ndonjë rikthim të COVID-it ose ndonjë situatë paniku” tha Vishaj.

    I pyetur për simptomat nëse ka ndonjë ndryshim nga ato që tashmë dihen, Vishaj tha se ato mbesin të njëjtame temperaturë, ethe, lodhje, plogështi, rrjedhje hundësh e dhimbje barku.

    Tutje, Vishaj bëri thirrje për qytetarët të cilët nuk janë të vaksinuar të vaksinohen, ndërsa për qytetarët të cilët kanë simptoma të këtij infeksioni të paraqiten tek mjeku familjar në mundësinë e parë.

    “Ne çdo herë ka tashmë tri vite që bëjmë apel njerëzve të pavaksinuar që të vaksinohen, unë nuk mund të imagjinoj një qytetar të vendit tonë i cili e ka mundësinë të vaksinohet dhe të rrezikojë që të mos vaksinohet, asnjë horizont që të mos vaksinohet nuk ekziston por njerëzit e bëjnë varësisht çfarë e kanë… Në qoftë se pacientet diagnostikohen sigurisht duhet të trajtohen te mjeku familjar në mundësitë e para që kanë dhe në qoftë se manifestohet ndonjë formë më të avancuar siç është prekja e sistemit respirator ose sistemeve të tjera për pasojë të drejtpërdrejt të COVID-it të vijë në Klinikën Infektive për trajtim” u shpreh Vishaj.

    Vishaj apeloi që të gjithë ata persona me simptoma të COVID-it nuk duhet të qëndrojnë në hapësira të mbyllura ku potencialisht mund të rrezikojnë edhe të tjerët.

    “Higjiena e duarve në çdo lloj situate duet të përfillet sigurisht, tashmë nuk jemi në situatën e distancës edhe atyre shtrëngimeve epidemiologjike që kemi pasur por popullata duhet të ketë një vëmendje të shtuar sepse qytete tona tashmë e kanë marrë formën e qytete moderne, kemi grumbullim të madh të popullatës në një hapësirë dhe gjithmonë mundësia e shpërthimeve të tilla ekziston, por për momentin e kemi një situatë shumë të qetë dhe asgjë për të krijuar ndonjë panik apo situatë të rikthimit të COVID-19… Kur të jeni jo vetëm me COVID por edhe me grip tjetër e cila është sëmundje infektive nuk është e preferueshme dhe është si e tillë jo e pranueshme që personat e tillë të shkojnë në hapësira publike ku ka turma të mëdha atë njerëzve posaçërisht ku janë të mbyllura sepse mundësia e përhapjes infeksionit ekziston”, tha Vishaj për KosovaPress

    Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), prej 67 rasteve të konfirmuara me COVID-19, sipas komunave rezulton se numri më i madh i rasteve është raportuar nga komuna e Prishtinës (25 raste), Pejës (8 raste) dhe Gjakovës (7 raste) kurse incidenca më e lartë e rasteve është raportuar në komunën e Prishtinës me 13 raste në 100,000 banorë dhe Kaçanikut me 12 raste në 100,000 banorë./KP

  • Berjani: Politikat fiskale sa i përket sektorit të naftës janë në nivelin më të mirë

    Berjani: Politikat fiskale sa i përket sektorit të naftës janë në nivelin më të mirë

    Kryetari i Shoqatës së Natarëve, Fadil Berjani, në emisionin A LIVE në ATV, tha se politikat fiskale sa i përket sektorit të naftës janë në nivelin më të mirë.

    “Politikat fiskale sa i përket sektorit të naftës janë në nivelin më të mirë. Dihet që ligjin i naftës, Albin Kurti, e ka kalu pas një dekade, kjo është një kënaqësi për neve. Punën që e ka bërë Rozeta Hajdari, e ka bërë një punë fenomenale, një punë të cilën sot, një licencë paguhet vetëm 50 euro. Përpara kemi pagu 3000 e 4000 euro një licencë. Shumë gjëra janë bërë të mira në sektorin e naftës. Problemi global është rritja e çmimit. Nuk ka vetëm te ne në Kosovë dhe kjo po i bjen kësaj Qeverie një ngarkesë në shpinë”, tha Berjani. /atvlive.tv

  • “Naftarët fitojnë 20-30 centë për litër”, Berjani: Shteti duhet të marrë masa ndaj të gjithë atyre që abuzojnë me çmime

    “Naftarët fitojnë 20-30 centë për litër”, Berjani: Shteti duhet të marrë masa ndaj të gjithë atyre që abuzojnë me çmime

    Gjatë ditës së djeshme, ATV raportoi se naftëtarët mesatarisht fitojnë nga 20 deri në 30 centë për litër naftë. Çmimi mesatar i importit në 18 ditët e para të muaji, sipas të dhënave të doganës, llogaritet të jetë 1 euro e 20 centë, përfshirë edhe taksat. Megjithatë, në disa pompa, çmimi i naftës arrin në 1.58 centë për litër, apo 38 centë më shtrenjtë se mesatarja e importit.

    Për të folur për këtë, në emisionin A LIVE në ATV ishte i ftuar kryetari i Shoqatës së Natarëve, Fadil Berjani.

    Ai në këtë emision mohoi se mazha e fitimit të natarëve mund të jetë 28 cent.

    “Mazha e fitimit sa i përket kanë qenë dy-tri vendime, po ato vendime nuk kanë qenë aq profitabile që kanë mujt me ulë çmimin. E kemi pasë muajin e kalum një vendim të tillë, ai vendim i cili ndoshta na ka dëmtu konkurrencën treg me bo, se konkurrenca treg e ul çmimin. Për momentin konkurrenca e madhe është në treg, që rast konkret unë sot punoj me 8 centë mazhë fitimi, mazha e fitimit ka qenë dymbëdhjetë centë përpara me pakicë, ndërsa importi ka qenë 2 centë”, tha Berjani.

    Ai tha se, në qoftë se këto të dhëna janë të sakta, shteti duhet të marrë masa.

    “Ju lutem, mos të ketë dezinformata. Në qoftë se ka dikun, Qeveria duhet me marrë masa. 28 centë, ju lutem, është shumë e madhe. Unë s’e kam dëgjue deklaratën e ministrit Murati, po unë nuk di që ka dikun mazhë të fitimit 28 centë. Ajo është fitim i madh. Aty duhet ndërmarrë masa shteti, të kontrollon qysh duhet shteti. Unë i gjykoj ata në qoftë se ata fitojnë 28 centë. Atëherë shteti duhet të merr masa të ndryshme, si është e mundur. unë për veti po fola më herët, se unë mazhën e fitimit sot e kam 8 centë, bruto. Ku është punëtori, ku janë taksat, ku janë ato obligime tjera, ama 28 centë mos është një dezinformatë se mua nuk ma merr mendja, mos e ka edhe dogana gabim, sepse unë s’kam këso informata. Edhe apeloj te kryeministri dhe te ministri Murati, te Rozeta Hajdari, të gjithë ata të cilët abuzojnë me çmime, merrni masa”, u shpreh Berjani. /atvlive.tv

  • Çmimet e energjisë elektrike në Kosovë më të lirat në Rajon dhe Evropë

    Çmimet e energjisë elektrike në Kosovë më të lirat në Rajon dhe Evropë

    Sipas Zyrës së Statistikave të Komisionit Evropian (Eurstat), Kosova kishte bindshëm çmimet më të lira të energjisë elektrike në Evropë, për vitin 2022, kur edhe janë bë matjet e fundit vjetore. Çmimet mesatare për shpenzimin mesatar të konsumit janë 6 cent për kilovat/orë që është afro 25 për qind më lirë se e dyta më e lira, që është Serbia me çmim 7 cent për kilovat/orë. Shqipëria, Bosna e Hercegovina dhe Mali i Zi kanë çmimet nga 8 cent për kilovat/orë apo më tepër se 35 për qind më shtrenjtë se në Kosovë.

    Maqedonia e Veriut është edhe më e shtrenjtë, duke shënuar çmimi prej 10 cent për kilovat/orë që i bie afro 70 për qind më shtrenjtë se Kosova.

    Në këto matje janë të përfshirë vetëm konsumatorët e përmasave të mesme me një konsum vjetor prej 2500 kWh deri në 4999 kWh.

    Të gjitha vendet e BE-së kanë çmime së paku dyfish më të larta se Kosova. Vendi më i populluar i BE-së, Gjermania ka një çmim prej 28 cent për kilovat/orë apo 4.75 herë më tepër se në Kosovë.

    Ndërkohë, Danimarka, Belgjika dhe Italia janë tri vendet e Bashkimit Evropian të cilat vazhdojnë të paguajnë çmimin më të lartë për energji elektrike, bazuar në të dhënat e Eurostat-it për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2022. Kurse sa i përket Rajonit, çmimet më të larta të energjisë elektrike për konsumatorët shtëpiakë i kanë Romania, Greqia dhe Kroacia.

    Sipas Eurostat, në Danimarkë, 1 kilovat/orë energji elektrike kushton mesatarisht 47 cent, në Belgjikë 42 cent, kurse në Itali çmimi arrin në 33 cent.

    Në Kosovë, çmimi për kilovat/orë është 6 cent, që i bie se është gati pesëfish më i ulët se në Romani, ku 1 kilovat/orë kushton 29 cent.

    Çmimet në Evropë:

    Kosova – 0.06 € kWh
    Serbia – 0.07 € kWh
    Bosnja dhe Hercegovina – 0.08 € kWh
    Shqipëria – 0.08 € kWh
    Mali i Zi – 0.08 € kWh
    Hungaria – 0.09 € kWh
    Bullgaria – 0.10 € kWh
    Maqedonia e Veriut – 0.10 € kWh
    Malta – 0.12 € kWh
    Holanda – 0.12 € kWh
    Islanda – 0.12 € kWh
    Kroacia – 0.13 € kWh
    Polonia – 0.15 € kWh
    Sllovakia – 0.16 € kWh
    Sllovenia – 0.17 € kWh
    Portugalia – 0.19 € kWh
    Finlanda – 0.19 € kWh
    Norvegjia – 0.19 € kWh
    Luksemburgu – 0.19 € kWh
    Franca – 0.19 € kWh
    Austria – 0.20 € kWh
    Moldova – 0.20 € kWh
    Lituania – 0.20 € kWh
    Suedia – 0.20 € kWh
    Lihtenshtajn – 0.22 € kWh
    Estonia – 0.22 € kWh
    Greqia – 0.23 € kWh
    Latvia – 0.25 € kWh
    Qipro – 0.28 € kWh
    Gjermania – 0.28 € kWh
    Romania – 0.29 € kWh
    Irlanda – 0.30 € kWh
    Çekia – 0.31 € kWh
    Spanja – 0.32 € kWh
    Italia – 0.33 € kWh
    Belgjika – 0.42 € kWh
    Danimarka – 0.47 € kWh

  • Promovohen tabletët, të shurdhërit do të marrin shërbime më të lehta në gjykata

    Promovohen tabletët, të shurdhërit do të marrin shërbime më të lehta në gjykata

    Komuniteti i të shurdhërve në Kosovë do të kenë më të lehtë të marrin shërbime nga gjykatat, pasi sot u promovuan tabletët që do t’i mundësojë të shurdhërve qasjen dhe komunikimin me stafin e gjykatave përmes lidhjes online me interpretët e gjuhës së shenjave.

    Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, duke ofruar mbështetjen ndaj këtij komuniteti, tha se në çdo hyrje të gjykatave do të ketë tabletë që do t’i mundësojnë të shurdhërve të marrin shërbimet e tyre.

    “KGJK-ja gjatë këtyre dy viteve ka miratuar edhe memorandumet e bashkëpunimit me disa prej organizatave të personave me nevoja të veçanta. Mundem me konfirmu se ndihem tepër i lumtur që kemi pasur mundësi t’i bëjmë pjesë të gjykatave pasi ky aktivitet ka me vazhduar. Rrjedhimisht sot po e promovojmë këtë inovacion i cili iu mundëson personave të shurdhërve të kenë qasje direkt në qendrën e interpretëve dhe lehtësimin e marrjes së shërbimeve nga gjykata. Ky aktivitet do të zhvillohet në të gjitha gjykatat e Kosovës dhe kemi qenë shumë të vëmendshëm që objektet e reja të gjykatave që po ndërtohen të kenë të gjitha mundësitë e qasjes në gjykatë për të gjithë qytetarët”, tha ai.

    Ndërkaq, kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, në të cilën u promovua tableti, Albina Shabani-Rama shprehu përkushtimin e saj për përmirësimin e qasjes në drejtësi të personave me aftësi të kufizuar.

    “Si Gjykatë Themelore në Prishtinë jemi shumë të përkushtuar në përmirësimin e qasjes në drejtësi të personave me aftësi të kufizuar. Kemi ndërmarrë një sërë masash, një prej tyre tash është edhe tash tabloidi i cili do të promovohet sot dhe do t’iu mundësojë këtyre personave të kenë qasje të lehtë dhe të marrin informacione nga gjykata, pasi online do të lidhen me interpretin i cili do t’iu ndihmojë dhe komunikojë të gjitha ato që kërkojnë në gjykatë”, theksoi ajo.

    Ofrimi i këtyre shërbimeve për personat e shurdhër u mundësua me mbështetjen e USAID-it në Kosovë. Me këtë rast, drejtori i Zyrës për demokraci dhe qeverisje pranë USAID-it, Noel Bauer tha se personat e shurdhër duhet të njihen si individë të vlefshëm në shoqërinë kosovare.

    “Java e të drejtës së personave të shurdhër është një moment i rëndësishëm që të gjithë ne t’i njohim këta individë të vlefshëm në komunitetin tonë. Ndaj jam shumë i kënaqur që mund ta shfrytëzojmë këtë rast për të nxjerrë në pah shërbimet e reja për komunitetin e të shurdhërve. Këta tableta elektronikë të ri në Gjykatën Themelore të Prishtinës, mundësojnë komunikim të drejtpërdrejtë 24/7 për komunitetin e të shurdhërve përmes video thirrjeve në qendrën e dedikuar të thirrjeve. Ky sistem është një risi e mirëpritur e teknologjisë së lartë për Kosovën dhe është gjithashtu një përpjekje pioniere për Ballkanin në përgjithësi. USAID përmes aktivitetit për drejtësi dhe së bashku me partnerët tanë është e përkushtuar që të vendosë njerëzit në qendër të drejtësisë përmes inovacioneve të drejtësisë si këta tableta elektronik”, tha ai.

    Në anën tjetër, drejtori i Shoqatës të Shurdhërve në Kosovë, Enver Kurtalani, u shpreh i lumtur me përmirësimin e shërbimeve ndaj tyre, teksa nënvizoi se të shurdhërit nuk duhet të jenë prapa në shoqëri.

    “Shpresoj që komuniteti i të shurdhërve do të përdorë dhe të ketë qasje në të gjitha gjykatat në Kosovë. Kjo përveç që i ndihmon komunitetit të shurdhërve, të njëjtën kohë i jep qasje në shërbime profesionale edhe interpretërve të gjuhës së shenjave. Jo familjarë apo interpret të tjerë por profesional…Komuniteti i të shurdhërve nuk do të jetë prapa por do të jetë i përfshirë si qytetarë i barabartë i shoqërisë. Kur t’i jepet e drejta në këtë rast të gjuhës së shenjave ata do të ndihen të barabartë”, deklaroi ai.

    Më 23 shtator shënohet Dita Ndërkombëtare e Gjuhës së Shenjave, ndërkaq këto ditë po shënohet edhe java e komunitetit të personave të shurdhër./KP/

  • ​Konjufca arsyeton Kurtin: Lajçak po kryen punën në mënyrë të papërgjegjshme

    ​Konjufca arsyeton Kurtin: Lajçak po kryen punën në mënyrë të papërgjegjshme

    Kryeparlamentari Glauk Konjufca deklaroi se çelësi për avancimin e dialogut është asociacioni bashkë me njohjen. Sipas tij, është në përgjegjësinë e Kosovës që të gjejë formën e asociacionit, që është në përputhje me kushtetutën dhe që nuk cenon rendin juridik. Konjufca tha se deklarimet e kryeministrit Albin Kurti për të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, nuk janë akuza por konstatime. Tutje, ai u shpreh se i njëjti po e kryen punën e tij në mënyrë të papërgjegjshme.

    Para gazetarëve, kryetari i Kuvendit të Kosovës deklaroi se dialogu nuk mund të ecë përpara pa njohjen e shtetësisë së Kosovës.

    “Vetëm një çelës është i mundshëm për të ecur dialogu përpara, asociacioni bashkë me njohjen, përndryshe nuk ka avancim të dialogut, është problem… Serbia duhet që të pajtohet se kur ta kalon kufirin në Merdare është në një shtet tjetër. Duhet ta njoh, flamurin, simbolet nuk duhet që të na pengojë kur aplikojmë ne në organizata ndërkombëtare. Pastaj është në përgjegjësinë e Kosovës të gjejë një formë të asociacionit që është në përputhje me Kushtetutën dhe nuk e cenon rendin juridik. Nëse mundoheni me shkatërrua ide atëherë jeni në favor të Serbisë. Është përfaqësim i pozicionit të Serbisë. Nuk është akuzë kjo, kjo është thjesht identifikim i një njeriu i cili po e kryen punë e vet goxha në mënyrë të papërgjegjshme”, tha ai.

    Ai mohoi që ka pasur akuza ndaj Lajçak, veçse tha se shefi i ekzekutivit ka konstatuar mënyrën e punës së tij, ku siç tha Konjufca, “është pozicionim në krahun e Serbisë”.

    “Së pari nuk mendoj që ato ishin akuza, ishin disa konstatime të mënyrës së punës së z. Lajcak. Është vërejtur me thënë të drejtën qysh në fillim që zotëri Lajcak më shumë qëndrimet të cilat i artikulon, më shumë janë le të themi ato marrje e pozicionit të Serbisë fillimisht, e pastaj përpjekje që përmes mekanizmave të ndryshëm edhe formulimeve që ai i vendos në zgjidhjet që i propozon, të mund të jenë pikënisje e pozicionit të Serbisë, qysh të mund të akomodojë në mënyrë sa më të përshtatshme pozicionimin e Serbisë. E cili është pozicionimi i Serbisë? Pozicionimi i Serbisë është që Kosova duhet ta bëjë një asociacion jashtë çdo ombrelle politike të procesit i cili e ka arrit këtë pikë ku jemi tash”, deklaroi Konjufca.

    Konjufca u shpreh se Kosova nuk mund ta bëjë asociacionin, nëse nuk është në horizont njohja nga ana e Serbisë, për çka u shpreh se ka devijim nga ideja origjinale.

    “Qasja origjinale ka qenë kjo që meqenëse Kosova nuk mund ta bëjë asociacionin, sepse përndryshe do ta kishte bërë prej 2013 do ta kishte bërë në qeverinë e Isa Mustafës, ose Hashim Thaçit, ose më të hershme tash me VV është më vështirë që të bëhet. Sepse ne e kemi marr një mandat goxha të fuqishëm politik me disa premtime tjera. Cilat kanë qenë ato premtime, ato kanë qenë se Kosova nuk mund të ecë as një hap përpara në procesin e dialogut nëse nuk e ka në horizont njohjen nga ana e Serbisë. Pikërisht duke pas këtë parasysh ekspertët që e kanë përpiluar marrëveshjen e Ohrit e kanë zgjeruar ombrellën. Zgjerimi i ombrellës është që aty të jetë njohja dhe asociacioni. Tash Lajçak po thotë që aty është vetëm asociacioni. Njohja i përket Serbisë kur don ajo, do të thotë ky është pozicion i Serbisë. Nëse Lajçak e artikulon atë dhe thotë që ky është pozicion i Serbisë. Nëse Lajçak e artikulon këtë dhe thotë që ky është pozicion i BE atëherë ne mund të themi që Lajçak paska kontribuar që ky pozicion zyrtar i BE-së të jetë kjo që e përfaqëson Serbia. Mua nuk më duket kjo e drejtpeshuar fare. Është devijim prej idesë origjinale”, shtoi më tej Konjufca.

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano i ka quajtur të pabaza deklarimet e kryeministrit Albin Kurti drejtuar të dërguarit të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak. Ai tha se shtetet anëtare të BE-së në vazhdimësi e kanë mbështetur për Lajçak dhe Borrel. Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se në takimin e 14 shtatorit, Lajçak ishte pozicionuar me Serbinë. /kp

  • Rama përmend Kosovën në ShBA: Jemi një komb i vogël, por me dy shtete – shqiptarët janë kudo

    Rama përmend Kosovën në ShBA: Jemi një komb i vogël, por me dy shtete – shqiptarët janë kudo

    Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mori pjesë në takimin vjetor të “Iniciativës Globale Klinton”, që u mbajt në New York.

    Aty ai ka folur për ngjarje prej asaj të dhënies së ndihmës së afganëve por edhe punën që do ta bëjnë në Këshillin e Sigurimit.

    Gjithashtu Rama ka përmendur edhe Kosovën para të ftuarve në kontekstin se “ne jemi një rast mjaft i veçantë sepse jemi një komb i vogël, por me dy shtete, Shqipëria dhe Kosova dhe shqiptarët jetojnë kudo”.

    “Ne vërtetë shpresojmë që kjo nismë do të zhvillohet dhe kjo urë midis të gjithë njerëzve vullnetmirë, kompanive vullnetmira, organizatave vullnetmira dhe Kombeve të Bashkuara do të ndërtohet duke tejkaluar edhe paragjykimin që është aty domethënë, që Shtetet e Bashkuara janë të ngadalta e kështu me radhë por shpresojmë që kjo do të zhvillohet. Kur u goditëm nga tërmeti qemë të bekuar se patëm miq dhe nuk na lanë vetëm as Bashkimi Europian, as Turqia, nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe nga shumë të tjerë të cilët na ndihmuan ndërkohë që qysh prej momentit të parë ishte e jashtëzakonshme të shihje ekipet e shpëtimit të vinin nga mbarë Evropa e madje dhe nga Izraeli për të të ndihmuar me shpëtimin e njerëzve që ishin ende gjallë nën rrënoja. Po kështu ishte e jashtëzakonshme të shihje vetë shqiptaret nga të gjitha vendet ku jetojmë, sepse ne jemi një rast mjaft i veçantë sepse jemi një komb i vogël, por me dy shtete, Shqipëria dhe Kosova dhe shqiptarët jetojnë kudo dhe ju e dini ndoshta më mirë se unë se nëqoftëse doni të hani mirë, shkoni në një restorant të mirë shqiptar në New York dhe gjithë ndihma prej tyre ishte e jashtëzakonshme”, ka thënë Rama ndër të tjera.

  • Lajçak për takimin ku ishte edhe Osmani: Iu përgjigjem pyetjeve dhe shqetësimeve të liderëve

    Lajçak për takimin ku ishte edhe Osmani: Iu përgjigjem pyetjeve dhe shqetësimeve të liderëve

    Emisari i BE-së, Miroslav Lajcak, ka shkruar për takimin që kanë pasur në Nju Jork me krerët e shteteve të Ballkanit Perëndimor.

    Lajcak ka thënë se kanë pasur diskutime interesante dhe se kanë biseduar në detaje për procesin e zgjerimit dhe se u janë përgjigjur të gjitha pyetjeve legjitime dhe shqetësimeve që krerët e gjashtë shteteve kanë pasur.

    “ Diskutim interesant dreke i organizuar nga Josep Borell me gjashtë Presidentët e Ballkanit Perëndimor në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ne folëm në detaje për zgjerimin dhe iu përgjigjëm pyetjeve dhe shqetësimeve legjitime që kishin liderët”, ka shkruar Lajcak.