ATV

Blog

  • BE-ja kërkon sa më shpejt zgjedhje në veri, Qeverisë nuk i ngutet

    BE-ja kërkon sa më shpejt zgjedhje në veri, Qeverisë nuk i ngutet

    Përgatiti: Armand Hoti

    Kosova duhet të gjejë zgjidhjen më të shpejtë që do të mundësonte organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, në katër komunat veriore të Kosovës. Kështu u deklarua Bashkimi Evropian përmes një komunikate të publikuar në mëngjesin e së martës.

    “BE-ja rikujton rëndësinë e mbajtjes së shpejtë të zgjedhjeve të parakohshme lokale në veri të Kosovës, për të ndihmuar në zbutjen e tensioneve. Është e nevojshme zgjidhja më e shpejtë për të mundësuar shpalljen e zgjedhjeve. Ne inkurajojmë serbët e Kosovës që të angazhohen plotësisht në procesin zgjedhor dhe të deklarojnë publikisht pjesëmarrjen e tyre të pakushtëzuar”, thuhet në komunikatën e BE-së.

    Por, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, vazhdon të insistojë se peticioni i iniciuar nga qytetarët, siç parashihet edhe në udhëzim administrativ, është ajo çfarë Qeveria e Kosovës ofron për mbajtjen e zgjedhjeve.

    Megjithatë, ministri Krasniqi tha se ende nuk ka nisur ndonjë iniciativë e tillë në veri të vendit.

    “Deri tani nuk kemi pranuar ndonjë informacion që ka nisë ndonjë peticion për largimin e kryetarëve. Mirëpo, kjo është pjesa e qytetarëve dhe këtë nuk mund ta komentoj. E rëndësishme ka qenë vullneti i Qeverisë së Kosovës që t’i përmbushë të gjitha obligimet e saj edhe nga diskutimi i fundit në Bratisllavë”, tha Krasniqi.

    Kurse, sa i takon dorëheqjes së kryetarëve, ai përsëri tha se kjo është kërkesë e Beogradit zyrtar.

    “Nuk ka asnjë autoritet që mund të kërkojë dorëheqjen, ai është akt moral. Unë kam vazhdueshëm takim me kryetarët e komunave, ata e kanë mbështetur procesin e peticionit dhe mendoj se kjo është demokracia dhe ne duhet të përkujdesemi për demokracinë e jo për dëshirat e kujtdo qoftë. Dorëheqja e kryetarëve është kërkesë e Beogradit, ne nuk jemi këtu që të brengosemi se çka mendon e çka kërkon Beogradi”, tha Krasniqi.

    Teksa mbështet opsionin e dorëheqjes së kryetarëve, politologu Fidan Ukaj thotë se zvarritja e procesit të mbajtjes së zgjedhjeve në komunat veriore, bart pasoja për Kosovën.

    “Unë mendoj që është një humbje kohe, për arsye se masat po e dëmtojnë Kosovën. Dhe duket se BE-ja është e vendosur rreth plotësimit të kushteve dhe kritereve të saj, unë besoj që pa plotësimin e kushteve masat do të jenë në fuqi”, tha Ukaj.

    Në një intervistë për Zërin e Amerikës, i dërguari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimorë, Gabriel Escobar, deklaroi qartë se rruga më e shpejtë dhe e lehtë për zgjedhjet e reja do të ishte dorëheqja e kryetarëve shqiptarë në komunat veriore.

  • KEK-u me ushtrues detyre, as pas 5 muajve s’ka konkurs për kryeshef

    KEK-u me ushtrues detyre, as pas 5 muajve s’ka konkurs për kryeshef

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Tash e pesë muaj, Korporata Energjetike e Kosovës vazhdon të funksionojë me ushtrues detyre.

    Qëkur Nagip Krasniqi u arrestua, më 19 prill, teksa 6 ditë më vonë u suspendua bordi i drejtorëve i KEK-ut nuk e ka konsideruar shkarkimin e tij dhe shpalljen e konkursit për kryeshef të ri të ndërmarrjes.

    Pas vendimit të fundit të Gjykatës së Prishtinës, për lirim nga paraburgimi, duke ia zëvendësuar me masën e sigurisë që i ndalon Krasniqit afrimin ndaj dëshmitarëve, bordi i drejtorëve nuk ka kthyer përgjigje. Paraprakisht, kishin thënë se për këtë çështje do të vendoset pasi të ketë një vendim nga organet e drejtësisë.

    Bazuar në afate ligjore për funksionim të ndërmarrjeve, sipas drejtorit të organizatës “Çohu”, Arton Demhasajt, Krasniqi është dashur të shkarkohet dhe të hapet konkursi.

    “Po flasim potencialisht për një kohë për të cilën është konsumuar ky gjashtëmujori që ligji e lejon me qenë ushtrues detyre. Prandaj mendoj se Bordi është dashur ta shkarkojë dhe t’i hapë procedurat për zgjedhjen e një drejtori të ri. Sepse, ushtruesi i detyrës momentalisht që është, është i cunguar sa i përket kompetencave për me e udhëheqë një ndërmarrje kaq të rëndësishme publike siç është KEK-u”, tha Demhasaj.

    Sipas Demhasajt, mos-hapja e konkursit të ri, mund të jetë edhe e qëllimshme.

    “Në një formë nëse bordi shpall konkurs i bie se po a pranon kushtimisht se ka diçka të vërtetë në ato pretendimet për shkelje që kanë qarkulluar” , tha Demhasaj.

    Nagip Krasniqi, i cili u arrestua më 19 Prill nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, u lirua nga paraburgimi më 15 shtator. Megjithëse, hetimet ndaj tij janë duke vazhduar, aktakuza nga Prokuroria nuk është ngritur akoma.

    Krasniqi dyshohet për keqpërdorime në tenderin në vlerë 3.5 milionë euro për riparimin emergjent të kaldajës së njësisë A5 dhe një tjetër kontratë për konsulencë në vlerë 60 mijë euro.

  • Keqtrajtimi i trevjeçarit në çerdhe, ndalohen dy edukatore për 48 orë

    Keqtrajtimi i trevjeçarit në çerdhe, ndalohen dy edukatore për 48 orë

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Masa e ndalimit prej 48 orëve u është shqiptuar dy prej 3 edukatoreve të dyshuara për keqtrajtimin e një fëmije 3 vjeç. Sipas njoftimit të Policisë, në ndalim janë N. M, 64 vjeçe dhe N. H 56 vjeçe.

    Keqtrajtimi i trevjeçarit dyshohet të ketë ndodhur në çerdhen publike të Fushë Kosovës, “Gëzimi ynë.” Videon e publikoi xhaxhai i fëmijës e mëngjesin e së martës, institucionin arsimor e vizituan hetues policorë e inspektorë të Ministrisë së Arsimit.

    Por, rastin në Polici e denoncoi nëna e trevjeçarit.

    “Jam mami. Sapo e përfundova deklaratën time në Polici, jam shumë e stresuar emocionalisht. Drejtësia vlen”, tha nëna e fëmijës, Fitore Geci.

    “Siç është parë në video, punëtoret e kopshtit kanë kryer vepër penale. Pos kësaj, është dashur të denoncojnë këtë rast, edhe pse drejtoria e kopshtit ka qenë konstruktive dhe komuna e Fushë-Kosovës paralajmëroi se do të marrë vendime për punonjëset”, tha avokati i familjes Geci, Nasuf Hasani.

    Pas përfundimit të punës në objekt, hetuesit policorë sekuestruan pamjet e kamerave derisa inspektorët e MASHTI-t nuk u deklaruan.

    Njëkohësisht në Stacionin Policor po bëhej intervistimi i tri edukatoreve të përfshira në rast.

    “Akuzë nuk ka ende, ajo po akuzohet për sjellje jo të mirë e që nuk është e vërtetë. Është një punëtore që punon qe 24 vjet në këtë institucion dhe që nuk ka qenë në asnjë procedurë gjyqësore. Unë i kam shikuar pamjet dhe ajo fillimisht është ndalesë që të mos dalë jashtë dhe nuk ishte duke e përballuar vendosjen në çerdhe”, tha Bajram Zogiani, avokat i N.M.

    Megjithatë, deri në zbardhjen e rastit dhe ndërmarrjen e veprimeve tjera, Policisë i duhet ende kohë.

    “Aktualisht zyrtarët policorë po vijojnë punën për mbledhjen e të gjitha provave që janë të arritshme, intervistimin e personave që në çfarëdo rrethane dhe çfarëdo cilësie kanë mundur të jenë të implikuar në rast, po shqyrtohen raportet mjekësore, pamjet e publikuara si dhe po analizohen ato”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

    Derisa ngjarja ngjalli reagime të shumta trajtim serioz të rastit premtuan ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe drejtori i Arsimit në Komunën e Fushë Kosovës, Fatlum Berisha.

    “Ne jemi në proces të rekrutimit të 20 inspektorëve, ka përfunduar procedura. Janë në proces të shqyrtimit të ankesave eventuale dhe pas këtyre 20 inspektorëve do të vazhdojë menjëherë punësimi i së paku edhe rreth 20 të tjerë”, tha Nagavci.

    “Do t’i ndërmarrim të gjithë hapat konform ligjeve në fuqi…”, tha Berisha.

    Drejtoresha e kopshtit, megjithatë, nuk pranoi të deklarohej por prindër të tjerë janë të shqetësuar me atë çfarë ndodhi.

    “Femijën tem kanë dashtë me ma largu vec pse ka qenë hiperaktiv…”, tha Mimoza Gjurkaj, prind.

    Kopshti “Gëzimi ynë” ku dyshohet se u keqtrajtua trevjeçari është i vetmi institucion publik parashkollor në Fushë Kosovë.

  • Nga 12 vjet burgim dy të akuzuarve për shpërthimin në Zhur, ku kishte vdekur një polic

    Nga 12 vjet burgim dy të akuzuarve për shpërthimin në Zhur, ku kishte vdekur një polic

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Me 12 vjet burgim unik është dënuar Iran Badalli, në shtëpinë e të cilit ishte gjetur eksploziv. Si pasojë e shpërthimit të një pjesë të eksplozivit, kishte mbetur i vdekur një polic, teksa ishin lënduar disa të tjerë.

    Ai u gjet fajtor për dy vepra penale, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “armëmbajtje pa leje”. Për të njëjtat vepra penale u dënua edhe i akuzuari i dytë Arben Gashi, me 12 vjet burg unik.

    Por, dënimi u konsiderua i ulët nga avokati i familjes së policit Sami Thaçi, i cili kishte vdekur si pasojë e shpërthimit.

    Ankesë do të parashtrojë edhe avokati i policit të lënduar rëndë në këtë shpërthim, Artur Mrasori.

    Por, ndryshe mendojnë familjarët e Iran Badallit, të cilët vendimin e quajtën skandaloz.

    Ndërkaq, në oborrin e Gjykatës ndodhi edhe një përplasje verbale mes dy palëve, ku u nevojit edhe ndërhyrja e policisë.

    Rasti kishte ndodhur në janar të vitit 2020, derisa sa po kryhej një bastisje në shtëpinë e Iran Badallit në fshatin Zhur të Prizrenit, pas një thirrje për dhunë në familje. Aty njësitet policore kishin hasur në eksploziv, një pjesë e të cilit kishte shpërthyer në duar të policit Sami Thaçi, i cili kishte mbetur i vdekur, ndërsa të plagosur mbetën polici Artur Mrasori dhe disa të tjerë, përfshirë edhe djalin e Badallit.

    Sipas aktakuzës, Badalli së bashku me Arben Gashin, ishin furnizuar me eksploziv nga i akuzuari Valbon Çollaku, i cili e kishte pranuar fajësinë për import, prodhim ose shitje të armëve apo materialit plasës, dhe Gjykata në Prizren i kishte shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 1.000 euro dhe dënim me kusht në kohëzgjatje prej 6 muajve.

  • PSD me aksion para Ministrisë së Shëndetësisë

    PSD me aksion para Ministrisë së Shëndetësisë

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Me letra tualeti dhe fotografi të ndryshme që pasqyrojnë gjendjen higjienike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, u mbulua gjatë të martës objekti i Ministrisë së Shëndetësisë.

    Ky aksion simbolik është zhvilluar nga aktivistë të Partisë Socialdemokrate, të cilët kërkuan veprim urgjent nga ministri Arben Vitia.

    “Gjendja është kaq e rëndë, ma shumë se në këto fotografi. Ka mungesë të stafit, barnave, aparaturave. Çka t’ju shkon në mend ka mungesë. Dështimi i Qeverisë është kjo pamje që po e shohim sot. Nuk kemi nevojë për ministër pedant, por për pastërti e kushte më të mira”, tha Donjetë Demolli, aktiviste e PSD-së.

    Sipas Demollit, qytetarët shkojnë në spitale të shërohen e jo të marrin infeksione të ndryshme.

    “Pasi që ministri nuk po del nga zyra, kemi ardhur t’ia sjellim këto fotografi me fakte për gjendjen në spitalet në vend. Edhe ta ftojmë me pa gjendjen në terren, e kur ta sheh gjendjen nuk mundet pa ndërmarrë hapa. Gjendja është shqetësuese e banale, aty ku qytetarët shkojnë të shërohen, ka mundësi të sëmuren”, tha Demolli.

    Po ashtu, përmes këtij aksioni, PSD-ja kërkoi nga Ministria e Shëndetësisë që sa më shpejt ta implementojë tenderin për mirëmbajtjen e QKUK-së e spitaleve rajonale.

  • Shtrenjtohet nafta, naftëtarët përfitojnë deri në 30 centë për litër

    Shtrenjtohet nafta, naftëtarët përfitojnë deri në 30 centë për litër

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Për të tretin muaj me radhë, naftëtarët mesatarisht fitojnë nga 20 deri në 30 centë për litër naftë.

    Çmimi mesatar i importit në 18 ditët e para të muaji, sipas të dhënave të doganës, llogaritet të jetë 1 euro e 20 centë, përfshirë edhe taksat.

    Megjithatë, në disa pompa, çmimi i naftës arrin në 1.58 centë për litër, apo 38 centë më shtrenjtë se mesatarja e importit.

    Ngjashëm ishte edhe në muajin gusht, kur një litër naftë shitej me çmim prej 1 euro e 49 centësh apo 21 centë më shtrenjtë se mesatarja e importit që ishte 1.28 centë.

    Edhe korriku ishte pothuajse i njëjtë. Rreth 27 centë fitonin naftëtarët në një litër, teksa mesatarja e importit sillej rreth 1.16 centë e shitej me 1.43 centë.

    Në raste të tilla, sipas ish-ministrit të Tregtisë e Industrisë, Ismet Mulaj, do të duhej reaguar shteti me mekanizmat e tij.

    “Autoriteti i Konkurrencës dhe Ministria e Tregtisë, përmes inspektoratit të tregut do të duhej që të hetoheshin a ka ndonjë marrëveshje mes bizneseve të mëdha, që të mbajnë çmime të larta, ose të mbajnë çmime në kundërshtim me ligjin dhe që shkojnë në dëm të tregut në Kosovë”, tha Mulaj.

    E nga autoriteti i Konkurrencës, përmes telefonit thanë se janë duke e monitoruar situatën nëse ka marrëveshje mes naftëtarëve për rritje të çmimit të naftës.
    Por ani pse janë plot 3 muaj që çmimet janë të larta, ende nuk ka diçka konkrete.

    Kësisoj, sipas Mulajt, mundësi tjetër është edhe vendosja e çmimit tavan.

    “Ministria e Tregtisë përmes një udhëzimi administrativ ka mundësi që të vendosë çmime tavan, nëse heton që kompanitë e mëdha kanë krijuar marrëveshje dhe këto marrëveshje në mënyrë jo të drejtë i mbajnë çmimet e larta në Kosovë”, tha Mulaj.

    Megjithatë, një masë e tillë ishte vendosur muajin e kaluar nga ana e Ministrisë por që ka skaduar, dhe nga kjo ministri nuk treguan nëse të njëjtën do ta vendosin prapë.

    Ndërkaq, në anën tjetër, Shoqata e naftëtarëve rritjen e çmimeve e arsyeton me rritjen në bursë, pa e komentuar fitim enorm.

  • Tri javë nga nisja e vitit të ri shkollor, disa nxënës vazhdojnë të mos i kenë të gjitha tekstet

    Tri javë nga nisja e vitit të ri shkollor, disa nxënës vazhdojnë të mos i kenë të gjitha tekstet

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Disa nxënësve ende u mungojnë tekstet shkollore.

    “Mua më mungon njeriu dhe natyra”, thotë një nxënëse.

    “Mua më mungon libri i artit figurativ”, thotë një nxënës.

    Por të tjerët i kanë kompletuar të gjitha.

    “Të gjitha librat i kam, nuk më mungon asnjë”, thotë një tjetër nxënës.

    Në shkollën fillore “Ismail Qemali” në kryeqytet, sipas drejtoreshës Mimoza Krasniqi, 90% e nxënësve kanë libra, por mungesë të disa teksteve ka nga klasa 6-të deri në të 9-tën.

    “90% e nxënësve në ciklin e lartë janë kompletuar me libra, ndërsa ata të ciklit të ulët nuk e kanë aty-këtu ndonjë libër, por në përgjithësi librat bazë i kanë të gjithë nxënësit”, tha Krasniqi.

    Megjithatë, me këtë nuk pajtohet SBASHK-u. Sipas Sindikatës së Arsimit, shumë shkollave në Kosovë u mungojnë librat.

    “Nga bisedat mund të ketë ndonjë klasë që kjo përqindje ka arritë, por ka ende shkolla që ka nxënës që ka mungesë të tërësishëm të librave apo të pjesshme”, tha Jasharaj.

    E para e Arsimit, Arbërie Nagavci, megjithatë, deklaroi se dikasteri i saj nuk ka pranuar ndonjë ankesë.

    “95% që kanë aplikuar janë realizuar pagesat. Nga shkollat gjegjësisht nga komunat nuk kemi asnjë raportim për mungesë në klasa. Nga vizitat e zyrtarëve të arsimit është raportuar javën e kaluar, gjendja ka qenë relativisht e mirë, por zyrtarisht nga komunat nuk kemi njoftime për mungesa”, tha Nagavci.

    Qeveria kishte ndarë 13 milionë euro për subvencionimin e teksteve shkollore.

  • Saranda me tre fëmijët e saj jeton në kushte shumë të rënda, fondacioni “Golden Eagle” merr përsipër ta ndihmojë me 300 euro në muajt

    Saranda me tre fëmijët e saj jeton në kushte shumë të rënda, fondacioni “Golden Eagle” merr përsipër ta ndihmojë me 300 euro në muajt

    Saranda Hoti, një nënë vetushqyese nga Fushë Kosova që jeton vetëm me trinjakët e saj, pasi burri i kishte vdekur kohë më parë, në emisionin STUDIO A në ATV, është rrëfyer për problemet e përditshme ekonomike me të cilat përballet pothuajse çdo ditë.

    Ajo tregon se pas vdekjes së burrit, jeta për të dhe fëmijët e saj u bë shumë e vështirë.

    Saranda, problemin e vendbanimit e ka zgjidhur pas ndihmës që i kishte bërë Halil Kastrati dhe një donator, por tani përballet me problemet e jetesës, ku shpesh thotë se nuk ka as me çka t’i ushqejë fëmijët e saj.

    Në një lidhje direkte në këtë emision u inkuadrua biznesmeni Shaqir Palushi nga Fondacioni “Golden Eagle”, i cili mori përgjegjësinë për ta ndihmuar Sarandën me nga 300 euro në muaj, nga 100
    euyro për secilin fëmijë.

    Në këtë lidhje direkte, Palushi njoftoi se ky rast ka prekur edhe bashkëpunëtorin e tij Arlin Gashi, ku edhe ky i fundit zonjën Saranda e ndihmoi me 500 euro shtesë. /atvlive.tv

  • ​3 milionë euro për komunitetet joshumicë, Kurti: Mbështetje për të kontribuar në zhvillimin ekonomik

    ​3 milionë euro për komunitetet joshumicë, Kurti: Mbështetje për të kontribuar në zhvillimin ekonomik

    99 përfitues për përkrahjen e bizneseve nga komuniteti joshumicë kanë nënshkruar të martën kontratat në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim. Në ceremoninë e nënshkrimit të këtyre kontratave ka marrë pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, i cili tha se pakoja prej 3 milionë euro do u ndahet përfituesve të ndryshëm, të cilët do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik.

    Kryeministri Kurti theksoi se nga e njëjta pako kanë përfituar më parë 57 organizata të shoqërisë civile të angazhuara në realizimin e projekteve sociale dhe kulturore, ndërsa 103 fermerë të vegjël janë mbështetur me pajisje moderne bujqësore.

    “Është nder dhe kënaqësi për mua që po bëhemi bashkë me një ceremoni kaq të rëndësishme, ku edhe pakoja prej 3 milionë euro do t’i ndahet përfituesve të ndryshëm që janë këtu për të punuar e për të kontribuar për zhvillim ekonomik, për shoqërinë civile dhe për mirëqenie për të gjithë”, u shpreh Kurti.

    Nga pakoja mbështetëse për komunitetet joshumicë, Kurti shtoi se kanë mundësuar vende të reja pune për bizneset ekzistuese, fermerët dhe prodhuesit e vegjël në zonat rurale.

    “Të tre shtyllat e paketës mbështetëse janë të dizajnuara për të krijuar mundësi për praktikë pune, zhvillim të aftësive, punësim, prodhim dhe në fund mirëqenie për komunitetet jo shumicë në Republikën tonë. Po ashtu, vitin e kaluar Ministria për Komunitete dhe Kthim financoi 123 projekte për biznese të vogla dhe kompani start up, për komunitetet joshumicë, prej të cilave 48 ishin për komunitetin serb në Kosovë. Komunitetet jo shumicë përbëjnë 17% të subvencioneve të Ministrisë së Ekonomisë për pajisje efikase si pjesë e masave tona të efiçiencës së energjisë, dhe 9% e praktikantëve të paguar përmes programit të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve Kosova Generation Unlimited vijnë nga radhët e komuniteteve joshumicë, kështu që kjo është padyshim një përqindje përfaqësuese në raport me numrin e përgjithshëm të popullsisë”, deklaroi ai.

    Më tej, Kurti theksoi se në buxhetin e shtetit për komunat me shumicë serbe për këtë vit janë planifikuar gjithsej 149 projekte kapitale.

    “Ndërkaq, në buxhetin e shtetit për komunat me shumicë serbe në vitin 2023 janë planifikuar gjithsej 149 projekte kapitale në vlerë prej 12.35 milionë euro. Qasja jonë është holistike, qëllimi ynë është mirëqenia për të gjithë përmes politikave që janë gjithëpërfshirëse, që do të thotë se gjithë përfshirja është qasja jonë”, përfundoi ai.

    Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq tha se personat përfitues kanë të drejta dhe obligime.

    “Pjesa më e rëndësishme e këtij procesi është që ju si përfitues keni të drejta dhe obligime brenda objektit. Llogaritet një përgjegjësi e juaj, që duhet të jetë një përkushtim për të ardhmen. Kjo do të thotë se ne do të ju përcjellim, për çdo dy vjet kemi obligim të vlerësojmë punën tuaj dhe nëse ai vlerësim tregon që ju jeni të gatshëm dhe të aftë të pranoni më shumë mbështetje, ministria do të ofrojë mbështetje shtesë. Ky është një projekt, i cili është si partnership për të ardhmen. Kjo është një strategji afatgjatë, e cila ju siguron që gjithmonë do të keni institucionet pranë jush”, tha Rashiq.

    Më tej, ai theksoi se janë të përkushtuar që viti i ardhshëm të jetë më i rëndësishmi sa i përket stimulimit të komuniteteve në Kosovë. /KP

  • ​Inzaghi merr lajm të keq para sfidës me Real Sociedadin

    ​Inzaghi merr lajm të keq para sfidës me Real Sociedadin

    Lajme jo të mira për Simone Inzaghin para ndeshjes së nesërme të skuadrës së tij, Interit kundër Real Sociedadit.

    Interi do të jetë nesër pa shërbimet e mesfushorit, Hakan Calhanoglu në ndeshjen si mysafirë i Real Sociedadit në Ligën e Kampionëve, raporton KosovaPress.

    Arsyeja e mungesës së Calhanoglut do të jetë një lëndim në kofshën e tij të majtë.

    “Hakan Calhanoglu nuk do të jetë i gatshëm për Simone Inzaghin për ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Real Sociedadit për shkak të një lodhjeje në kofshën e majtë”, shkruante në komunikatën e Interit.

    Tani Inzaghit do t’i duhet të mendojë për zgjidhjen më të mirë për ta zëvendësuar Calhanoglun. Kristjan Asllani shihet si favoriti për ta zëvendësuar ish-mesfushorin e Bayer Leverkusenit.