ATV

Blog

  • Kuvendi anulon mbledhjen e kryesisë dhe të komisioneve

    Kuvendi anulon mbledhjen e kryesisë dhe të komisioneve

    Me kërkesën e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, mbledhja e Kryesisë, e paraparë për sot, anulohet.

    Kjo është bërë sipas vendimit të presidentes Vjosa Osmani-Sadriu, për shpalljen e zisë shtetërore në Republikën e Kosovës, ditën e hënë.

    Kuvendi ka hequr nga njoftimet edhe dy komisione të cilat janë paraparë të mbahen sot.

  • Roth i thotë Vuçiqit: Vrasja e njerëzve është krim i tmerrshëm

    Roth i thotë Vuçiqit: Vrasja e njerëzve është krim i tmerrshëm

    Ish-ministri gjerman për Europën, Michael Roth i ka reaguar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq duke i thënë se vrasja e njerëzve është një krim i tmerrshëm.

    “Për mua nuk ka rëndësi se nga vijnë viktimat dhe autorët. Nuk më interesojnë fare kombësitë apo etnitë. Edhe kosovarët edhe serbët meritojnë të jetojnë në paqe, siguri, dinjitet, liri dhe kufij të sigurt”, ka shkruar ai në X.

  • Sot mbahet mbledhje komemorative për rreshterin e vrarë Afrim Bunjaku

    Sot mbahet mbledhje komemorative për rreshterin e vrarë Afrim Bunjaku

    Policia e Kosovës ka njoftuar se sot do të mbahet mbledhje komemorative për rreshterin Afrim Bunjaku që u vra dje në Zveçan nga një sulm terrorist i serbëve.

    Kjo mbledhje do të nisë në orën 12:30, në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare.

    “Nën patronatin e Ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Republikës së Kosovës, me rastin e rënies heroike në kryerje të detyrës në veri të Republikës së Kosovës, të rreshter Afrim Bunjaku, organizohet mbledhje komemorative, ku do të marrin pjesë familja e rreshter Afrim Bunjakut, personalitetet më të larta vendore dhe ndërkombëtare si dhe eprorë e zyrtarë policorë”.

  • Maliqi: Sulmuesit synonin inskenimin e një masakre ku do të vriteshin pelegrinët dhe murgjit serbë

    Maliqi: Sulmuesit synonin inskenimin e një masakre ku do të vriteshin pelegrinët dhe murgjit serbë

    Analisti politik Shkelzen Maliqi vlerëson se terroristët e shërbimeve sekrete serbe dhe ruse, si duket e kanë pas qëllimin e inskenimit të masakrës në Manastirin Banjska, ku viktimat do të ishin pelegrinët nga Vojvodina dhe murgët serbë, për ta akuzuat pastaj policinë e Kosovës si terroriste dhe kështu nxitur rebelimin e serbëve më veri dhe arsyetuar intervenimim ushtarak për gllabëritjen e Veriut të Kosovës.

    Sipas tij, ky nuk është skenar i panjohur.

    “Kështu ka qenë e organizuar masakra në kazermën e Paraqinit ku u vranë në gjumë pesë ushtarë të armatës jugosllave dhe si vrasës u akuzua shqiptari Aziz Kelmendi, i cili u gjet i vramë në një pyll afër kazermës dhe u tha se e ishte vetëvrarë. Pas rastit të Paraqinit Sllobodan Milisheviqi morri pushtetin e plotë në Serbi dhe nisi projektin e shkatërrimit të Jugosllavisë për ta krijuar Serbinë e madhe”, tha ai.

    Sipas Maliqit, i ngjashëm ka qenë edhe rasti i vrasjes së 5 të rinjëve serbë në kafiterinë “Panda” në Pejë, për të cilin vetë presidenti Vuçiq ka pranuar publikisht se ka qenë i organizuar nga shërbimet sekrete serbe për ta paraqitur si krim të UÇK-së dhe shpallur atë .organizatë terroriste dhe jo çlirimtare. Prindëritë e viktimave në rastin Panda prej kohësh kërkojnë nga Vuçiq që të tregojë në prokurori të vërtetën se kush janë vrasësit e të rinjëve serbë, por ai po i shmanget premtimit se do ta bën këtë, me gjasa u bë pishman se e ka përmend fare.

    “Banjska mundët të jetë rast që të ndriçohen edhe strategjia e inskenimit të krimeve makabre për të arritur kthesa historike jo vetëm si atë në Paraqin dhe Pejë por edhe në disa raste të ngjashme në luftën e Bosnjës, p.sh. Vrasjen me snajper të qiftit të dasmorëve serb në Sarajevë pas të cilit akt filloi lufta dhe rrethimi gati katërvjeçar i Sarajevës”

    Nëse kjo sipas Maliqit vërtetohet në hetimet, e informatat dhe gjurmët çojmë në atë drejtim, policia dhe inteligjenca kosovare, me gjasa në bashkëpunim me atë perëndimore, do të arrijë një fitore të madhe në demaskimin e kësaj ligësie makabre me rrezik për paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë.

  • Një formacion paraushtarak ishte aktiv: Rashiq zbulon se kush ishin terroristët serbë në veri

    Një formacion paraushtarak ishte aktiv: Rashiq zbulon se kush ishin terroristët serbë në veri

    Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq ka folur për ngjarjen në veri të Kosovës, të ndodhur të dielën.

    Rashiq theksoi se nata në Banjskë të Leposaviqit ka kaluar e qetë, pavarësisht se ngjarja tensionuese ka ndodhur dje.

    “Askush nuk e di se çfarë mund të ndodhë më pas. Dje ka qenë në punë një lloj formacioni paraushtarak që veproi në një mënyrë që, së pari, për mendimin tim është absolutisht jonormale dhe se ndodh një vrasje e një polici dhe më pas që manastiri dhe rrethinat e tij përdoren për veprime të mëtejshme, dhe besoj se kjo nuk na ndodh kurrë ne besimtarëve serbë. E gjithë kjo e bën edhe më absurde këtë ngjarje. Është e sigurt që hetimet për autorët do të vazhdojnë, ju e dini që ishin rreth tridhjetë të tillë”, tha Rashiq dhe shtoi se shumica e serbëve jetojnë në jug dhe shumë prej tyre kanë frikë se situata mund të përshkallëzoi.

    Rashiq theksoi se terroristët serbë që vranë policin Afrim Bunjaku dyshohet të jenë të paguar.

    “Besohet se janë paguar për këtë, nuk e di se kush e ka organizuar, por jam i sigurt se nëse ka ndodhur kështu, jam i sigurt se autoritetet e rendit në Serbi do ta dinin”, ka thënë ai.

    Sipas asaj që ka thënë Rashiq, ata dyshohen të kenë marrë pjesë në trajnime nga policia ushtarake dhe strukturat e sigurisë në Serbi.

    Në Kosovë është shpallur ditë zie, vendimi është marrë nga presidentja Vjosa Osmani në shenjë respekti për policin e vrarë në afërsi të Banjskës.

    Presidentja Osmani, në përputhje me kushtetutën, ka vendosur që e hëna e 25 shtatorit të shpallet ditë zie kombëtare për nder të policit Afrim Bunjaku, i vrarë në veri të Kosovës.

  • Gazetari Mema fton që sonte të ndizen qirinj në Tiranë në nderim të policit të vrarë Afrim Bunjakut

    Gazetari Mema fton që sonte të ndizen qirinj në Tiranë në nderim të policit të vrarë Afrim Bunjakut

    Gazetari shqiptar Marin Mema përmes një njoftimi ka ftuar qytetarët atje për ndezje qirinjsh për nder të rreshterit të Policisë së Kosovës të rënë në detyrë, Afrim Bunjakut.

    Mema kërkoi nga qytetarët e Shqipërisë që të bëjnë homazhe te sheshi “Nënë Tereza” në Tiranë për ta nderuar veprën e policit të ndjerë.

    “Pa fjalë, pa ngjyra politike e patriotizëm bosh, por me vepra!🇦🇱 Sonte në ora 19:00 takohemi tek sheshi “Nënë Tereza” në Tiranë për ti bërë homazh Afrim Bunjakut, policit që u vra nga terroristët serbë në Kosovë! Kosova nuk është vetëm”, ka shkruar ai.

    “Sonte në ora 19:00 jepi kohë dashurisë për Kombin! Homazhi ndaj dëshmorit Afrim Bunjaku është respekt ndaj Kombit! Të ndezim një qiri për shpirtin e një heroi që jetën e dha për të mbrojtur trojet shqiptare! Ky homazh nuk ka lidhje me politikën, por vetëm me Kombin! Vetëm me Kombin! Bëhu pjesë! Sot është dita të jemi bashkë me ngjyrat e flamurit! Unë do të jem, duhet të jemi të gjithë”, përfundon postimi i tij.

    Kujtojmë se mbrëmë në Prishtinë u ndezën qirinj në nderim të rreshterit Bunjaku.

  • Policia e Kosovës bllokon të gjitha qasjet në Banjskë, Jarinje dhe Bërnjak

    Policia e Kosovës bllokon të gjitha qasjet në Banjskë, Jarinje dhe Bërnjak

    Në fshatin Banjskë të Komunës së Zveçanit as sot në mëngjes nuk mund të hyhet e as të dilet.

    Të gjitha lëvizjet janë të bllokuara nga njësitet policore dhe nuk dihet ende se kur do të zhbllokohen.

    Të tria qasjet për në fshatin Banjskë, nga drejtimi i Zveçanit, Zubin Potok dhe nga rruga kryesore Mitrovicë-Leposaviq, janë të bllokuara.

    Vendkalimet kufitare në Jarinje dhe Bërnjak janë ende të mbyllura për qarkullim.

    Situata në vendkalimet administrative Jarinje dhe Bërnjak nuk ka ndryshuar, kështu qytetarët mund të largohen nga Kosova, si dje gjatë gjithë ditës, por në Kosovë nuk mund të hyjnë veturat e pasagjerëve dhe madje as këmbësorët.

  • Billboarda falënderues për Policinë e Kosovës shfaqën në ‘Times Square’ të New York-ut

    Billboarda falënderues për Policinë e Kosovës shfaqën në ‘Times Square’ të New York-ut

    Policia e Kosovës ka marrë mbështetje të madhe pas aksionit të djeshëm kundër terroristëve serbë në Banjskë të Zveçanit, ku fatkeqësisht mbeti i vdekur polici, Afrim Bunjaku nga Samadrexha e Vushtrrisë.

    Mesazhe falënderuese për Policinë e Kosovës kanë ardhur edhe nga New York-u.

    Në Times Square, në zemër të New York’ut janë shfaqur billboarda falënderues për Policinë e Kosovës.

    Të vdesësh për atdhe është sikur të rilindësh përsëri -Afrim Bunjaku”, “Faleminderit heronjve tanë Policisë të Kosovës”, janë mesazhet që janë shfaqur në Times Square.

    Këto billboarde janë vendosur nga Platforma e patundshmërive, kompania shqiptaro-amerikane Tafingo, tashmë e njohur në komunitetin shqiptarë që gjithmonë për festen e Pavarësisë mbush sheshin e New Yorkut si dhe billlboarda të tjera nëpër Amerike me flamuj të Kosovës.

  • Vrasja e policit, Ambasada e Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe ul flamurin në gjysmështizë

    Vrasja e policit, Ambasada e Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe ul flamurin në gjysmështizë

    Ambasada e Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, ka ulur flamurin në gjysmështizë për t’u solidarizuar me Kosovën e cila sot është në zi për vdekjen e policit Afrim Bunjaku.

    “Kosova sot mban zi për vrasjen e një polici, i cili u vra në krye të detyrës gjatë një sulmi terrorist të kryer nga grupet kriminale të Serbisë në komunën e Zveçanit të Kosovës”, ka shkruar në një postim në X, Xhabir Hamiti, ambasador i Kosovës në këtë vend.

    Ambasada e Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe e ka ulur flamurin e Kosovës në gjysmështizë.

  • Sulmuesit e arrestuar në veri mund të dënohen nga 10 vjet deri në burgim të përjetshëm

    Sulmuesit e arrestuar në veri mund të dënohen nga 10 vjet deri në burgim të përjetshëm

    Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se janë ndaluar gjashtë persona për sulmin ndaj Policisë. Ata dyshohen për katër vepra penale, pas sulmit në fshatin Banjskë të Zveçanit e njëra nga to është për vepra terroriste.

    Avokati, Arbër Jashri, i tha Ekonomia Online se veprat penale kundër rendit Kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, janë veprat më të rënda që parashihen në Kodin Penal.

    Ai ka sqaruar se legjislacioni ka paraparë dënime, nëse të arrestuarit shpallen fajtor më së paku 10 vjet burgim e deri me burgim të përjetshëm.

    “Veprat penale kundër rendit Kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, janë prej veprave më të rënda penale që i ka paraparë legjislacioni jonë penal, janë ato që e hapin Kodin Penal dhe për to janë paraparë dënime shumë të rënda”.

    “Personat që janë arrestuar po dyshohen për katër vepra penale, sulm ndaj rendit Kushtetues, vepra të rënda penale kundër rendit Kushtetues, përgatitja e veprave penale terroriste dhe vepra penale për armë mbajtje pa leje”.

    “Tek këto vepra të rënda kundër rendit Kushtetues, legjislacioni ka paraparë dënime të cilat vepra rezulton me vdekjen e ndonjë personi siç ka ndodhur dje, atëherë personat përgjegjës nëse shpallen fajtor do të dënohen ose mund të dënohet më së paku 10 vjet burgim e deri me burgim të përjetshëm”.

    Po ashtu, Prokuroria ka thënë se nga aksioni i Policisë janë sekuestruar automjete të mbushura me sasi të konsiderueshme të armatimit të llojeve të ndryshme.

    Të ndaluarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.