ATV

Blog

  • Në BE kërkohen masa ndaj Serbisë nëse dëshmohet lidhja me sulmet në Banjskë

    Në BE kërkohen masa ndaj Serbisë nëse dëshmohet lidhja me sulmet në Banjskë

    Përfaqësuesit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian kanë diskutuar të martën mbrëma për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe disa prej tyre kanë kërkuar që të vendosen masa ndaj Serbisë, nëse dëshmohet lidhja e saj me sulmet ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.

    Sipas burimeve diplomatike të BE-së, masa duhet vënë këtij vendi edhe nëse dëshmohet roli i Serbisë në dërgimin e armatimit në territor të Kosovës, i gjetur së fundi nga Policia e Kosovës në veri.

    Më 24 shtator, në atë zonë, Policia e Kosovës është përleshur me një grup të armatosur dhe për pasojë janë vrarë një zyrtar policor dhe tre sulmues.

    Tetë të dyshuar tjerë janë arrestuar.

    “Ajo që ka ndodhur të dielën në veri të Kosovës, sasia e armëve që është gjetur, dhe informacionet që po i marrim nga terreni vazhdimisht, janë duke e ndryshuar lojën”, kanë thënë burimet brenda BE-së.

    Sipas tyre, në takim kanë folur përfaqësues të misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) dhe më pas i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

    Gjatë diskutimit është thënë të jetë shprehur mbështetje e plotë ndaj Lajçakut për vazhdim të dialogut mes dy vendeve dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani.

    Rundi i fundit i dialogut të nivelit të lartë, i mbajtur më 14 shtator, ka përfunduar pa ndonjë rezultat.

    Vendet anëtare të BE-së e kanë dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës, kanë kërkuar që të zbardhet rasti dhe disa prej tyre kanë kërkuar edhe qasje të balancuar të BE-së ndaj Kosovës dhe Serbisë.

    Edhe para sulmeve të 24 shtatorit, disa vende i kanë kërkuar kryediplomatit evropian, Josep Borell, të mos e mbajë vetëm Kosovën përgjegjëse për përshkallëzimin e situatës në veri, në maj të këtij viti.

    Atëbotë, tensionet kanë qenë të larta dhe situata, me raste, është përshkallëzuar në dhunë, pasi serbët lokalë të komunave veriore – të banuara me shumicë serbe – nuk i kanë pranuar kryetarët e rinj shqiptarë, të dalë nga zgjedhjet e bojkotuara prej komunitetit serb.

    Bashkimi Evropian pati prezantuar masa ndëshkuese ndaj Kosovës për atë situatë, ndonëse më vonë dy palët kanë arritur marrëveshje për shtensionim.

    Një prej pikave ka qenë mbajtja e zgjedhjeve të reja në veri, por datë për to nuk ka ende. /rel

  • Qeveria ndan edhe 6 milion euro shtesë për rrugën Prishtinë-Podujevë

    Qeveria ndan edhe 6 milion euro shtesë për rrugën Prishtinë-Podujevë

    Qeveria e Kosovës ka ndarë sot edhe 6 milionë euro për ndërtimin e rrugës Prishtinë–Podujevë.

    Vendimi është marrë me kërkesë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se rruga ka qenë nevojë e kamotshme e trevës së Llapit për t’u lidhur me kryeqytetin sa më shpejtë.

    Ndërsa, ministri i Financave Hekuran Murati tha se parashikimi është që deri në fund të vitit nevojitet kjo shumë e parave.

    “Kemi parë dinamik të shtuar në Ministrinë e Mjedisit, dhe parashikimi është që deri në fund të vitit nevojiten edhe 6 milionë euro të tjera. Si rezultat propozojmë që këto mjete të ndahen dhe të merren nga kontigjencat për shpenzime kapitale”, deklaroi ministri Murati.

  • Kuvendi mban nesër seancë, ky është rendi i ditës

    Kuvendi mban nesër seancë, ky është rendi i ditës

    Kuvendi i Kosovës nesër do ta mbajë seancën e radhës.

    Seanca do të fillojë nga ora 11:00.

    Në rend dite janë 23 pika.

    Rendi i ditës:

    1.    Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme,

    2.    Deklarimet jashtë rendit të ditës,

    3.    Pyetjet parlamentare,

    4.    Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,

    5.    Votimi i Projektligjit nr.08/L-221 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFË, Frankfurt Am Main (KFË) për Projektin -Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit,

    6.    Votimi i Projektligjit nr.08/L-222 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”,

    7.    Votimi i Projektligjit nr.08/L-223 për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë,

    8.    Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-207 për tekstet shkollore,

    9.    Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-234 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar,

    10.    Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-236 për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze,

    11.    Zgjedhja e Komisionerit Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës,

    12.    Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e dy (2) anëtarëve nga radhët e komunitetit shqiptarë në Komisionin e Pavarur për Media,

    13.    Shqyrtimi i rekomandimit të Komisionit për ekonomi, industri, ndërmarrësi dhe tregti për shkarkimin e kryesueses dhe anëtarët e Bordit të Komisionit për Pavarur për Miniera dhe Minerale,

    14.    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-125 për Pronën Publike,

    15.    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-168 për Prokurorinë Speciale,

    16.    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-188 për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës,

    17.    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/-L-187 për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit nr.08/L-032 të Procedurës Penale,

    18.    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-194 për Sistemin Qendror të Evidencës Penale të Kosovë,

    19.    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-245 për artin dhe kulturën,

    20.    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-241 për vlerësimin strategjik mjedisor,

    21.    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-242 për performancën energjetike të ndërtesave,

    22.    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-246 për administrimin e ndërtesave dhe lagjeve të banimit në bashkëpronësi,

    23.    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-240 për Agjencinë e Regjistrimit Civil.​

  • Albin Kurti për ngjarjen në veri: Suksesi më i madh i Policisë së Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë

    Albin Kurti për ngjarjen në veri: Suksesi më i madh i Policisë së Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë

    Mbledhja e Qeverisë së Kosovës filloi me një minutë heshtje për nder të policit kosovar që mbeti i vrarë në veri, Afrim Bunjaku.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përsëri tha se në sulmin e veriut janë përfshirë individë të saksionuar nga SHBA-të dhe Mbretëria e Bashkuar për aktivitete kriminale.

    “Të dielën është cenuar sovaraniteti shtetror, integriteti territorial dhe siguria kombëtare. Me vlerë mbi 5 milionë euro të armatimit ushtarak,është dëshmuar skenari për gjakderdhje në Kosovë. Aty janë përfshirë individë të saksionuar nga SHBA-të dhe Mbretëria e Bashkuar për aktivitete kriminale. Ata janë në kërkim të institucioneve tona të drejtësisë për vepra penale në Kosovë”, tha Kurti.

    Kurti tha se ky është suksesi më i madh i Policisë së Kosovës qysh nga shpallja e Pavarësisë.

    “Përballë kësaj është dëshmuar profesionalizimi i jashtëzakonshëm i Policisë së Kosovës, është dëshmuar edhe kapaciteti i tyre i plotë për të mbrojtur Republikën. Ky është suksesi i tyre më i madh që prej shpalljes së Pavarësisë. Kjo na bën krenar të gjithëve”, tha tutje Kurti.

    “Ju ftojë të gjithëve që të falënderojmë pjesëtarët e PK-së kudo që i shihni”, shtoi ai.

  • Miftaraj: AKI-ja është dashur të ketë informata për grupin në veri, Presidenca e Kryeministria ta vlerësojnë situatën

    Miftaraj: AKI-ja është dashur të ketë informata për grupin në veri, Presidenca e Kryeministria ta vlerësojnë situatën

    Drejtori ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, tha për Ekonomia Online se nëse Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) nuk ka pasur informacione mbi sulmin e së dielës në veri të Kosovës, atëherë kjo është dështim i këtij institucioni.

    Sipas tij, presidenca dhe kryeministria do të duhej ta bënin një vlerësim të situatës.

    “Jemi në një fazë ku janë ditë e para mbas aksionit, unë jam i sigurt që institucionet e Republikës së Kosovës, me theks të veçantë presidenca dhe kryeministria do të duhej që të vej një vlerësim të situatës, nëse AKI-a ka pasur dhe nëse i ka ndarë këto informata me grupet e caktuara në Kosovë, me theks të veçantë Policinë dhe institucionet tjera të sigurisë dhe nëse ky informacion nuk ka ardhur prej AKI-së atëherë kjo mund të konsiderohet si dështim i këtij institucioni, i cili nuk ka mundur të parapri ose të ketë informacion se mund të ndodh një gjë e tillë, po flasim për një armatim masiv, i cili ka hyr në territorin e Republikës së Kosovës”.

    Ai tha se institucionet e inteligjencës do të duhej të kishin informacione rreth asaj që ndodh në Kosovë dhe kjo çështje duhet të ngrihet në nivel institucional për të kuptuar edhe dështimet, por edhe të merret mësim.

    “Po flasim për një grup i cili ka qenë së paku, prej 30 personave dhe sigurisht që institucionet e inteligjencës në Kosovë do të duhet të kishin informata se çka ndodh në territorin e Republikës së Kosovës, unë besoj që në ditët në vazhdim , në javët në vazhdim do të duhej që kjo çështje të ngrihej në nivel institucional për të kuptuar edhe dështimet por edhe përvojat, mësimet që mund të marrim nga raste të tilla”.

    Miftaraj shtoi se institucionet e Kosovës do të duhej të shkëmbenin informacione, të bënin takime me të institucionet ndërkombëtare që veprojnë në atë pjesë nëse ka pasur një informacion të tillë dhe nëse është ndarë me kosovarët.

    “E para, në çdo shtet edhe Kosova i ka agjencitë e inteligjencës, që është Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, por edhe inteligjenca brenda policisë së Kosovës, dhe qëllimi kryesor i këtyre institucioneve është që në popull, në publik, të mbledh, të marr informacione të cilat sigurisht nuk mund të kuptohen nga organe të tjera të shtetit, të gjitha këto informata duhet të përpunohen, të analizohen për të ardhur deri në një konkluzion i cili mund të iu shërbej pastaj institucioneve të drejtësisë por edhe institucioneve tjera për të parandaluar apo për të luftuar dukuritë që cenojnë rendin kushtetues, juridik në Republikën e Kosovës”

    “Ne e dimë që veriu i Kosovës është në një gjendje tjetër, ku kemi KFOR-in, kemi EULEX-in, kemi një pjesë të personave të cilët fatkeqësitë janë të ndikuar nga strukturat serbe nga strukturat e sigurisë, janë të frikësuar dhe është e kuptueshme që AKI nuk mund ta ushtroj mandatin e saj në çdo pjesë të vendit, por kur flasim për një armatim të tillë, kur flasim për një numër kaq të madh të personave të përfshirë do të duhej që AKI të kish informacione të tilla, institucionet e Kosovës do të duhej të shkëmbenin informata po edhe takime me KFOR-in dhe të gjitha institucionet e tjera ndërkombëtare që veprojnë në atë pjesë nëse ka pasur një informacion i tillë dhe nëse është ndarë me kohë në institucionet e Kosovës”.

  • ​Çeku: Qëllimi i grupit terrorist ishte dëmtimi i marrëdhënieve ndërfetare dhe ndëretnike

    ​Çeku: Qëllimi i grupit terrorist ishte dëmtimi i marrëdhënieve ndërfetare dhe ndëretnike

    Qeveria e Kosovës ka ndarë 50 mijë euro për mbështetje të familjes së rreshterit të rënë në detyrë, Afrim Bunjaku. Në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar, u tha se në sulmin e së dielës, ku nga grupet terroriste u vra Bunjaku, qëllimi i tyre ishte edhe dëmtimi i marrëdhënieve ndërfetare dhe ndëretnike në Kosovë

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se do të jenë gjithmonë pranë familjes, e cila dha një hero.

    “Në mbështetje të familjes të heroit Afrim Bunjaku të rënë në detyrë, propozoj që të aprovohet ndarja e mjeteve buxhetore në shumën prej 50 mijë euro, e cila ndahet nga shpenzimet e paparashikuara”, njoftoi Murati.

    Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku tha se sulmi terrorist i sponsorizuar nga shteti i Serbisë, përveç që i mori jetën një polici kishte edhe një dimension të rrezikshëm dhe të dëmshëm të përdorimit të një aseti të trashëgimisë kulturore.

    “Manastiri ortodoks në fshatin Banjskë të Zveçanit, monument i trashëgimisë kulturore i mbrojtur me ligjet e Kosovës, u përdor si strehë nga grupi terrorist, përfshirë armatimin e tyre. Për dijeninë e të gjithëve, Manastiri i Banjskës u ndërtua në pjesën e parë të shekullit 14 mbi rrënojat e një kishe të vjetër të hershme, paleokristiane. Ndërsa supozohet që në atë lokacion gjendej edhe një vendbanim antik romak, pasi që aty janë gjetur mbishkrime epigrafike, të periudhës romake. Nga ajo çfarë kemi parë, terroristët kanë shkaktuar dëme jo të vogla në strukturën fizike të këtij manastiri. Besoj thellë që qëllimi i pjesëtarëve të këtij grupi, por edhe i urdhërdhënësve të tyre, ka qenë që përveç dëmit fizik në manastir, të dëmtohen edhe marrëdhëniet ndërfetare dhe ndëretnike në Kosovë”, deklaroi ai.

    Tutje, Çeku u shpreh se qeveria deri më tani ka dhënë dëshmi të panumërta për të mbrojtur trashëgiminë kulturore, e në veçanti kishat dhe manastiret ortodokse.

    “Ne jemi duke pritur krijimin e kushteve të nevojshme që ekipet tona profesionale nga autoritetet e trashëgimisë kulturore të vizitojnë monumentin për të bërë vlerësimin e dëmeve. Menjëherë pas kësaj do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme në bashkëpunim me të gjitha palët relevante për ndërhyrje profesionale, me qëllim të sanimit të dëmeve të strukturën fizike të këtij manastiri”, shtoi ai.

    Në orët e para të mëngjesit të ditës së diel është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa janë plagosur edhe policë të tjerë.

    Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjska të Zveçanit ku terroristë serbë kanë sulmuar patrullën policore.

    Tre sulmues kanë mbetur të vrarë ndërsa janë arrestuar tetë persona.

    Policia e Kosovës ka gjetur në Manastir të Banjskës arsenal armësh./kp

  • ​Pas humbjes ndaj Atleticos, Reali synon sot fitoren ndaj Las Palmas

    ​Pas humbjes ndaj Atleticos, Reali synon sot fitoren ndaj Las Palmas

    Sonte me fillim nga ora 19:00 stadiumi “Santiago Bernabeu” do të jetë nikoqir i ndeshjes mes Real Madridit dhe Las Palmas, e vlefshme kjo për xhiron e shtatë të këtij sezoni të La Ligas.

    Në xhiron e fundit të zhvilluar, Reali humbi 3:1 nga Atletico Madridi, kurse Las Palmas e mposhti 1:0 Granadan, raporton KosovaPress.

    Momentalisht, Reali zë vendin e tretë në tabelë me 15 pikë, krahas Las Palmas që renditet në vendin e 17 me pesë pikë të arkëtuara.

    Takimi i fundit mes këtyre dy skuadrave daton në muajin mars të vitit 2018, ku asokohe Reali e mposhti Las Palmas me shifrat 3:0.

    Sa i përket ndeshjes së sotme, të dy skuadrat do të kenë probleme me mungesa të lojtarëve, ku për Realin nuk do të paraqiten Courtois, Guler dhe Militao, kurse te Las Palmas mungojnë Gonzalez, Marmol, Moleiro, Ramirez dhe Sandro Ramirez.

    Formacionet e mundshme të dy skuadrave i gjeni më poshtë.

    Real Madrid (4-3-1-2): Arrizabalaga; Vazquez, Rudiger, Alaba, Garcia; Valverde, Kroos, Camavinga; Modric; Bellingham, Rodrygo

    Las Palmas (4-5-1): Valles; Araujo, Suarez, Coco, Cardona; Pejino, Rodriguez, Perrone, Loiodice, Viera; Munir

  • Qeveria ndan 5 milionë euro për subvencionimin e pajisjeve efiçente për ngrohje

    Qeveria ndan 5 milionë euro për subvencionimin e pajisjeve efiçente për ngrohje

    Qeveria e Kosovës ka ndarë pesë milionë euro për subvencionimin e pajisjeve efiçente për ngrohje.

    Në mbledhjen e sotme, ekzekutivi ndau edhe gjashtë milionë euro shtesë për ndërtimin e rrugës Prishtinë-Podujevë.

    Po ashtu, u ndan mbi 1 milion euro për kompensimin e dëmeve natyrore në bujqësi në 14 komuna.

    Ndërkaq, iu dha drita e gjelbër vendimit për rindërtimin dhe renovimin e shtëpive të dëmtuara gjatë viteve 1998-1999.

  • ​Osimhen po e konsideron ta padisë Napolin, shkak një video në “TikTok”

    ​Osimhen po e konsideron ta padisë Napolin, shkak një video në “TikTok”

    Sulmuesi i Napolit, Victor Osimhen po konsideron të bëjë padi ndaj klubit të tij, pasi që kampioni italian postoi një video të çuditshme në “TikTok” duke u tallur me yllin nigerian.

    Kjo video vjen pasi që Osimhen e ndihmoi Napolin ta fitonte titullin e Serie A sezonin e kaluar, titull ky i pari për klubin italian pas tre dekadave, raporton KosovaPress.

    Pavarësisht se Osimhen shënoi plot 31 gola me Napolin në të gjitha garat, ai u bë cak i një videoje të çuditshme, tashmë të fshirë, që u shpërnda në faqen zyrtare të “TikTok-ut” të kampionit italian.

    Agjenti i Osimhen, Roberto Calenda lëshoi një komunikatë mbrëmë për incidentin në fjalë.

    Ai shkroi në “Twitter”: “Ajo çfarë ndodhi sot në profilin zyrtarë të Napolit në platformën ‘TikTok’ është e papranueshme. Një video duke u tallur me Victor u bë publike, dhe më pas u fshi menjëherë. Një fakt serioz që bën dëm serioz në lojtarin, dhe i shtohet asaj që lojtari po e pëson së fundmi mes mediave dhe lajmeve të rreme”.

    “Ne e kemi të drejtën që të marrim masa ligjore dhe çdo iniciativë që ndihmon për ta mbrojtur Victor”, shtoi më tej Calenda.

    Në video shihet Osimhen kur e humbet penalltinë ndaj Bolognas të dielën, me një zë të çuditshëm në të.

  • ​Banka evropiane rrit parashikimin për zhvillim për vitin 2023

    ​Banka evropiane rrit parashikimin për zhvillim për vitin 2023

    Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) të mërkurën rriti parashikimin e saj për zhvillim për këtë vit në rajonet e saj – Evropën, Azinë Qendrore dhe Afrikën e Veriut.

    Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) i rajoneve të BERZH-it, i cili mbulon afro 40 ekonomi, parashikohet të rritet me 2.4% në 2023, një rishikim 0.2 pikë përqindjeje në rritje krahasuar me parashikimin e saj në muajin maj, thuhet në një raport të bankës.

    Kjo erdhi nga rishikimet e mëdha në rritje në Turqi dhe Azinë Qendrore, e kompensuar pjesërisht nga një perspektivë më e dobët e rritjes në Evropën në zhvillim, thuhet në raport.

    Rritja ekonomike pritet të rritet në 3.2% në vitin 2024, pasi presionet inflacioniste do ulen gradualisht. Shifra u rishikua në rënie me 0.2 pikë përqindjeje nga raporti i mëparshëm, për shkak të efektit bazë të rritjes më të lartë të pritur në vitin 2023, raporton AA.

    “Rritja e fuqishme e ekonomive të Azisë Qendrore dhe performanca më e dobët e atyre në Evropën Qendrore dhe shtetet baltike reflektojnë pasojat e ndryshme të çmimeve të energjisë, inflacionit dhe modeleve të ndryshimit të tregtisë,” tha Beata Javorcik, kryeekonomistja e BERZH.

    Rritja në Evropën Qendrore dhe në shtetet baltike pritet të arrijë në 0.5% në vitin 2023 dhe të përshpejtohet në 2.5% në vitin 2024.

    PBB-ja në Azinë Qendrore parashikohet të rritet me 5.7% këtë vit dhe 5.9% vitin e ardhshëm.

    Banka parashikon që ekonomia ruse të rritet me 1.5% në 2023 dhe 1% në 2024.

    Rritja e PBB-së në Turqi, përfituesi më i madh i fondeve të BERZH-it, u rishikua me 0.1 pikë përqindjeje në 3.5% në vitin 2023, duke reflektuar stimulin fiskal parazgjedhor, megjithëse rritja pritet të ngadalësohet në gjysmën e dytë të vitit. Ekonomia turke parashikohet të rritet me 3% vitin e ardhshëm.