ATV

Blog

  • Shqipëria del kundër deklaratës së Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi

    Shqipëria del kundër deklaratës së Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi

    Shqipëria nuk ka dalë në mbështetje të deklaratës së BE për dialogun Kosovë-Serbi, të bërë nga shefi i Politikës së Jashtme të BE-së Josep Borrel më 19 shtator.

    Kjo është hera e parë që Shqipëria nuk është në të njëjtën linjë me Bashkimin Evropian në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, raporton Euronews Albania duke u thirrur në burime.

    Duke parë dhe zhvillimet e fundit, ku një efektiv i policisë së Kosovës u vra nga terroristët serbë, Shqipëria konsideron se qëndimet e BE-së në lidhje me dialogun, nuk janë të përshtatshme për situatën aktuale, pasi përgjegjësia nuk qëndron më tek Kosova.

    Në deklaratën e datës 19, pas dështimit të dialogut, Borrel u shpreh: “BE-ja u kërkon palëve të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim. Kjo nënkupton fillimin e zbatimit bazuar në propozimin e BE-së pa vonesa të mëtejshme, i cili gjithashtu përfshin detyrimin e të dyja palëve për të zbatuar plotësisht të gjitha marrëveshjet e dialogut të kaluar. Puna për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe duhet të fillojë pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejshëm”.

    Pas takimit më 14 shtator, nga Bashkimi Evropian deklaruan se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ishte i gatshëm të ecë përpara me dialogun, ndryshe nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili “e ka pranuar propozimin e tyre” për zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Borrell pas takimit të 14 shtatorit deklaroi se Kurti kishte këmbëngulur që fillimisht të formalizohet njohja de facto e Kosovës nga Serbia.

    Kurti në Bruksel tha se “kushtëzimi i Serbisë” për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe “është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së”. Kryeministri kosovar tha se në takim kishte paraqitur një plan të tij për zbatimin e marrëveshjes, por shtoi se ky propozim u refuzua nga blloku evropian dhe Beogradi.

    Më 18 shtator, Kurti tha se i dërguari i posaçëm i BE-së, Mirosllav Lajçak, gjatë takimit në Bruksel “u pozicionua” kundër Kosovës, duke e akuzuar atë se e ka “deformuar procesin duke mos u përqendruar në zbatimin e plotë dhe të hollësishëm, të menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj”.

  • Zëdhënësi i BE-së tregon se a do të ketë masa ndëshkuese ndaj Serbisë pas sulmit në Veri

    Zëdhënësi i BE-së tregon se a do të ketë masa ndëshkuese ndaj Serbisë pas sulmit në Veri

    Zëdhënësi i Komisionit Evropian Peter Stano tha se Bashkimi Evropian (BE) do të presë përfundimin e hetimeve të plota për sulmin terrorist të së dielës në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, para se të marrë një vendim dhe konkluzione për çfarëdo mase dhe pasojë, duke mos dashur të komentojë pretendimet se disa shtete anëtare kanë kërkuar vendosjen e masave ndaj Serbisë.

    “Nuk është kompetencë ime të jap informacione nga bisedat konfidenciale dhe informacionin për mbledhjen e Komisionit për Politikë dhe Siguri të martën”, ka thënë Stano, shkruan N1.

    Stano ka theksuar se BE-ja ka thënë edhe më herët se masat e vendosura ndaj Prishtinës mund të zbatohen edhe për Serbinë, dhe kur shtetet anëtare të BE-së të marrin një vendim formal për to, kur dhe cilat masa, për çfarë arsye, do të shpallen publikisht.

  • Gazetari i sportit zbulon rrogën marramendëse të Armand Dukës si zv.president i UEFA-s

    Gazetari i sportit zbulon rrogën marramendëse të Armand Dukës si zv.president i UEFA-s

    Gazetari i ATV-së, Lorik Gërbeshi, në emisionin A LIVE në ATV, tha se me zgjedhjen e Arman Dukës si zv.president i UEFA-s, e bënë atë që të jetë shqiptari i parë që mbanë pozitën më të lartë në hierarkinë e futbollit evropian.

    “Po flasim për një arritje goxha të madhe për futbollin shqiptar në përgjithësi. Është çështja e Armand Dukës, ku gjatë ditës së djeshme, në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, në Limassol të Çipros është zgjedhur si zëvendës president i UEFA-s dhe njeherit është shqiptari i parë që mban një pozitë kaq të lartë në nivel të udhëheqësisë së futbollit evropian. Kur jemi te Duka, ai ka qenë edhe në të kaluarën dhe vazhdon te jetë pjesë e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s”, tha ai.

    Gazetari në këtë emision tregoi se cila do të jetë paga e Dukës në pozitën e tij të re në UEFA.

    “Është përfolur paga, por realisht paga e tij mujore sillet të jetë rreth 21 mijë euro në muaj, pagë goxha e lartë kjo. Faktikisht, kjo pagë është e arsyetueshme pasi që pozita që mbanë është goxha e lartë”, tha Gërbeshi. /atvlive.tv

  • Haradinaj pas takimit me Osmanin: Rreziku në veri vazhdon, të koordinohemi me aleatët

    Haradinaj pas takimit me Osmanin: Rreziku në veri vazhdon, të koordinohemi me aleatët

    Ish-kreu i Qeverisë, Ramush Haradinaj tha se rreziku për eskalim të situatës sërish në veri ekziston, raporton Ekonomia Online. Ai tha se përgjegjës për këtë situatë është Serbia dhe se për këtë duhet edhe një hetim ndërkombëtar.

    Haradinaj pas takimit me presidenten, Vjosa Osmani pohoi se për këtë çështje duhet të ketë një hetim ndërkombëtar. Madje kreu i AAK-së, tha se koordinimi me aleatët është i domosdoshëm në këtë fazë.

    Haradinaj tha se institucionet e sigurisë të vendit u treguan të suksesshme, por se të njëjtën duhet ta bëjënë edhe politikanët në pushtet.

    Ish-kryeministri tha se duhet që të kryhen edhe hetime për të vërtetuar atë që dihet se Serbia qëndron pas sulmit terrorist që vrau policin Afrim Bunjaku.

    “Biseda ishte kryesisht lidhur me situatën e sigurisë ne vend gjatë ditëve të fundit të ndërlidhura me sulmin terrorist që ndodhi më veri ku humbi jetën një epror i Policës së Kosovës. Kosova edhe në të kaluarën është përballur me situata të sigurisë. Kjo që ndodhi tani është e pastër terrorizëm. Është e logjikshme që të bashkëbisedohet në situata të tilla. Për shkaka se rreziku vazhdon edhe me tutje, është prezent rreziku”.

    “Duhet që të bëjmë kujdes që edhe vendimmarrësit politik ta kryejnë me sukses punë  e vete. Përballja me rreziqe e sigurisë nuk behet duke e bartur përgjegjësin vetëm te profesionistët, dihet ndihmesa politike edhe dihet një kurs politik i besueshme me aleatët. Serbia nuk e fsheh faktin se është sponzorisese, i ka stërvit dhe i ka dhënë udhëzimit këtij grupi terrorist. Është mirë që të zhvillimet një hetim që Serbia është faktorë, kjo dihet por të vërtetohet edhe nga hetuesit ndërkombëtar me mundësi të një gjykate”, tha ai.

    Haradinaj tha se një situatë e tillë është mjaft komplekse dhe se etapat që vijnë kërkojnë një koordinim të të gjithëve.

    “Askush nuk duhet të mungojë për të bërë pjesën e vet, askush në Kosovë. ne do ta kryejmë detyrën tonë në shërbim të vendit. Kemi nevojë për aleatët e sigurisë. Vetëm imagjinoni nëse aty në veri të mos ishte KFOR-i, ushtarët amerikanë. Pra, kini parasysh.  Është mjaft e mirëseardhur që e kemi KFOR-in atje, si dhe EULEX-in”.

  • Sveçla: Në mesin e të vrarëve në Banjskë edhe truproja e Vulinit

    Sveçla: Në mesin e të vrarëve në Banjskë edhe truproja e Vulinit

    Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka bërë të ditur identitetin e njërit nga terroristët e vrarë e që është Bojan Mijailoviq.

    Sveçla ka konfirmuar se Bojan Mijailoviq ishte truproja e shefit të BIA-s serbe, Aleksandar Vulin.

    “Aleksandar Vuçiq në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit: Milan Radojçiq, si nënkryetar i Listës serbe dhe truproja e Aleksandër Vulinit, shef i BIA-s. Të dy këta po ashtu të sanksionuar në listën e zezë të ShBA-ve. Të dy këta nga njerëzit më të afërt të presidentit të Serbisë.

    Këto fakte janë dëshmi tjetër se synimet e Serbisë ndaj Republikës së Kosovës nuk kanë ndryshuar aspak nga koha e regjimit të Millosheviqit, ish-ministri i Propagandës së atij regjimi, tash president i regjimit aktual në Serbi”, ka shkruar Sveçla ndër të tjera.

    Postimi i plotë:

    Dje përmes video-pamjeve dëshmuam prezencën e kryekriminelit dhe udhëheqësin e aksionit terrorist Milan Radojiçiq. Ndërkaq, sot është konfirmuar që njëri nga të vrarët që ishte po ashtu pjesëmarrës i atij akti është edhe Bojan Mijailoviq, trupëroja e shefit të BIA-s serbe, Aleksandar Vulin, në vizitën e tij në Republikën e Kosovës në vitin 2013.

    Shteti i Serbisë është këmbë e krye i përfshirë në këtë sulm terrorist me qëllim destablizimin e Republikës së Kosovës. Për këtë gjë tashmë ekziston edhe lidhja formale e strukturore e përfshirjes së Aleksandar Vuçiq në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit: Milan Radojçiq, si nënkryetar i Listës serbe dhe trupëroja e Aleksandër Vulinit, shef i BIA-s. Të dy këta po ashtu të sanksionuar në listën e zezë të ShBA-ve. Të dy këta nga njerëzit më të afërt të presidentit të Serbisë.

    Këto fakte janë dëshmi tjetër se synimet e Serbisë ndaj Republikës së Kosovës nuk kanë ndryshuar aspak nga koha e regjimit të Millosheviqit, ish-ministri i Propagandës së atij regjimi, tash president i regjimit aktual në Serbi. Edhe optimistët më të mëdhenj që deri tash e kanë gënjyer veten për ndryshimet në këtë shtet besoj janë bindur për të kundërtën këto ditë.

    Dua të shpreh edhe njëherë mirënjohje për qendresën e Policisë së Kosovës atë ditë dhe për profesionalizmin e pashoq, aksion në të cilin nuk është lënduar lënduar asnjë civil.

  • Sa kushton një Mercedes G-Class i blinduar dhe kush mund të bëjë porosinë e tyre? Flet eksperti i veturave

    Sa kushton një Mercedes G-Class i blinduar dhe kush mund të bëjë porosinë e tyre? Flet eksperti i veturave

    Eksperti i veturave, Adri Bugari, në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin A LIVE në ATV, tha se veturat e sekuestruara i përkasin gjeneratës së Mercedesve G-Class që janë prodhuar ndërmjet viteve 2013-2018 dhe çmimi i tyre është duke filluar prej 100 mijë eurove.

    Ai tha se këto vetura, nëse janë të thjeshta mund të gjenden në treg, ndërsa në rast se janë të blinduara, duhet të porositen, të cilat kapin vlerën prej 500 mijë eurove e më lartë.

    “Siç e pash ne video, janë dy Mercedesë G-Class, duken që janë Mercedes G-Class AMG. Vlera e këtyre dy veturave sillet prej 100-120 mijë eurove. Në këtë rast të këtyre siç janë, të modifikuar, të vitit prej 2013 e më lartë që fillon me 110 mijë euro. Janë të veçanta sepse këto vetura janë të njohura për në mal, nuk ke kurrfarë problemi me u blloku në mal dhe me mbetë keq diku me të. Këto të thjeshta mundem me u ble në treg, por nëse janë të blinduara, shkojnë me porosi. Kur janë të porositura, çmimi i tyre sillet diku prej 500 mijë euro e më lartë”, tha Bugari.

    Ai tregon se porosia e veturave të blinduara mund të bëhet vetëm përmes ndonjë institucioni që është i certifikuar për sigurim apo mbrojtje të personave, të cilat mund të jenë edhe institucione shtetërore, ndërsa njerëzit privat nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë. /atvlive.tv

  • Abdixhiku deklarohet pas takimit me Presidenten dhe drejtorin e AKI-së

    Abdixhiku deklarohet pas takimit me Presidenten dhe drejtorin e AKI-së

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se mbrëmë ka pranuar ftesë nga presidentja Osmani për takim me të dhe me drejtorin e AKI-së, Petrit Ajeti.

    Abdixhiku ka thënë se në këtë takim është informuar për gjendjen e sigurisë në veri të vendit dhe për angazhimin e institucioneve shtetërore në përballje me sulmet terroriste gjatë së dielës.

    “Mbrëmë, kam pranuar ftesë nga Presidentja e Kosovës për takim të përbashkët me të dhe Drejtorin e AKI-së. Këtë mëngjes, në takimin e përbashkët, jam informuar mbi gjendjen e sigurisë në veri të vendit dhe angazhimin e institucioneve shtetërore – veçmas ato të sigurisë e inteligjencës – në përballje me sulmet terroriste gjatë ditëve të fundit; dhe jo vetëm”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

    Ai ka thënë se ka shprehur mirënjohjen e LDK-së për të gjithë në shërbim dhe ka shprehur domosdoshmërinë e unitetit nacionale në përballje me sfidat që mund të vijnë nga Serbia.

    “Kam shprehur mirënjohjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të gjithë në shërbim. Kam shprehur po ashtu domosdoshmërinë e unitetit nacional në përballje me sfidat që mund të vijnë nga Serbia; si shtet sponsorizues e strehues i terroristëve. Djemtë e vajzat tona fituan betejën kundër terrorizmit në terren. Është koha ta fitojmë atë diplomatike në politikë. Në këtë përpjekje jemi bashkë. Në këtë përpjekje na duhen aleatë”, ka shkruar ai.

  • Elshani: Policia s’pati qëllim ta vrasë askënd por vetëm çlirimin e këtij vendi nga kriminelët

    Elshani: Policia s’pati qëllim ta vrasë askënd por vetëm çlirimin e këtij vendi nga kriminelët

    Veton Elshani, ka thënë se Policia nuk ka pasur qëllim ta vrasë asnjërin nga sulmuesit në Manastirin e Banjskës, raporton Ekonomia Online.

    Elshani, në një konferencë për medie nga veriu i vendit, ka thënë se qëllimi i Policisë ka qenë vetëm ruajtja e territorit dhe çlirimi i vendit nga kriminelët.

    Tutje, ai ka thënë se hetimet nuk do të përfundojnë për një kohë të gjatë e se zona rreth Manastirit do të qëndrojë e mbyllur nën dyshimet se ka ende mjete të paeksploduara.

    “Hetimet nuk do të përfundojnë edhe një kohë të gjatë sepse edhe për neve është interesante pse është zgjedhur ky vend për sulm dhe cili ka qenë qëllimi i këtyre njerëzve të armatosur. Ndoshta, për shkak që është afër kufirit”.

    “Bastisja ka përfunduar. Ne konsiderojmë që kemi bërë një punë të mirë. Nuk lejohet lëvizja e qytetarëve sepse kemi gjetur shumë mjete të paeksploduara dhe ka mundësi të ketë ende”.

    “Do të kemi njësi tjera speciale. Por, konsiderojmë që rreziku ende nuk ka kaluar”.

    “Ne nuk kemi pasur qëllim t’i vrajmë 30 vetë. Nuk kemi pasur qëllim me e vra asnjë njeri. Qëllimi jonë është që ta ruajmë territorin tonë dhe që ta çlirojmë vendin nga grupet kriminale këtu dhe nëse gjatë këtij procesi ka të vrarë, nuk kemi çfarë të bëjmë”.

    “Fshatarët e këtij fshati nuk kanë qenë të rrezikuar as nuk ka dëme anësorë. I kemi bërë planifikimet tona dhe kjo për neve është çudi”.

    “Do të jetë pjesë e hetimeve nëse kanë bashkëpunuar edhe qytetarët, por nuk mund të them asgjë për këtë. Armatim ka pasur në çdo vend, ka pasur shumë armatim, në zonat e jashtme, rreth shtëpive”.

  • Hapet rruga për në Banjskë

    Hapet rruga për në Banjskë

    Rruga që të çon në fshatin Banjskë të Zveçanit është hapur në mesditën e së mërkurës.

    Më 24 shtator, në këtë fshat Policia është përleshur me një grup të armatosur dhe për pasojë ka mbetur i vrarë një zyrtar policor dhe tre sulmues.

    Rruga ka qenë e mbyllur prej asaj dite.

    Policia e Kosovës ka përfunduar bastisjet nëpër shtëpitë dhe objektet në dhe përreth fshatit Banjskë të Zveçanit, në pasditen e së martës.

    Grupi, që fillimisht sulmoi Policinë e cila që po tentonte të largonte një bllokadë nga rruga, u strehua në manastirin e Banjskës prej ku vazhdoi sulmet ndaj Policisë.

    Më 25 shtator, Policia e Kosovës ekspozoi armët dhe pajisjet e tjera që tha se i gjeti në Banjskë. Po ashtu, më 26 shtator, autoritetet e rendit bënë të ditur se në Banjskë kishin konfiskuar edhe më shumë armatime të llojeve të ndryshme.

    Gjatë ekspozimit të armëve në Mitrovicë të Jugut më 25 shtator, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se në dhe përreth manastirit në Banjskë janë gjetur armatim i kalibrave të ndryshëm, raketahedhës, eksplozivë, detonatorë emblema të ndryshme, dronë, letra ngjitëse me shenjën e KFOR-it, uniforma – disa prej të cilave me emblema të ushtrisë italiane – tabela veturash me akronime të qyteteve të ndryshme të Serbisë, granatahedhës dore (zolla), shumica e të cilave janë të prodhuara në vitin 2021./REL/

  • E konfirmon Prokuroria: Lirohen katër të dyshuar për rastin e Banjskës, s’kishin të bëjnë me rastin terrorist

    E konfirmon Prokuroria: Lirohen katër të dyshuar për rastin e Banjskës, s’kishin të bëjnë me rastin terrorist

    Katër persona të cilët janë janë arrestuar gjatë aksionit të Policisë së Kosovës, në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, larg nga vendi i ngjarjes janë liruar në mungesë të provave të paraqitura nga Policia e Kosovës.

    Lajmi u bë i ditur nga zyra e informimit të Prokurorisë Speciale të Kosovës.

    “Ju njoftojmë se katër (4) perona të cilët janë arrestuar gjatë aksionit të Policisë së Kosovës, në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, larg nga vendi i ngjarjes, të njëjtit janë liruar dje (26 shtator 2023), nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në mungesë të provave të paraqitura nga Policia e Kosovës”, thuhet në njoftim.