ATV

Blog

  • ​Kurti: Të dielën është cenuar siguria e integriteti territorial i shtetit

    ​Kurti: Të dielën është cenuar siguria e integriteti territorial i shtetit

    Kryeministri Albin Kurti deklaroi se në sulmin e së dielës nga grupet terroriste serbe, është dëshmuar profesionalizimi i policëve të Kosovës, e që është suksesi i tyre më i madh prej shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Gjatë sulmit në veri, ai shtoi se është dëshmuar edhe rreziku dhe qëllimi i grupeve kriminale, me mbi pesë milionë euro vlerë të armatimit ushtarak. Shefi i ekzekutivit u shpreh se ky sulm terrorist ekspozon nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar më të madh për ruajtjen, mbrojtjen dhe kontrollin e kufirit me Serbinë.

    Anëtarët e kabinetit qeveritar kanë mbajtur një minutë heshtje në nderim të rreshterit të rënë në detyrë, Afrim Bunjaku.

    Në adresimin e tij, para fillimit të mbledhjes së qeverisë, kryeministri Albin Kurti tha se të dielën është cenuar sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe siguria kombëtare.

    “Po atë ditë është dëshmuar rreziku, qëllimi, potenciali dhe gatishmëria e grupeve kriminale dhe terroriste të cilët i kemi luftuar për më shumë se dy vjet e gjysmë. Me mbi pesë milionë euro vlerë të armatimit ushtarak dhe sasi të mjaftueshme për një grup qindra luftëtarë, është dëshmuar skenari për gjakderdhje në Kosovë. Aty janë përfshirë individë të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar për aktivitete kriminale. Ata janë në kërkim të institucioneve të drejtësisë për vepra penale në Kosovë. Ata shfaqën në krahë e përkrah e në një tryezë në Beograd e në Rashkë me presidentin e Serbisë, Vuçiq duke paralajmëruar rolin e drejtpërdrejt të shtetit serb në këtë mes”, u shpreh ai.

    Në sulmin e së dielës, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, Kurti shtoi se është dëshmuar profesionalizimi i jashtëzakonshëm i Policisë së Kosovës.

    “Përballë kësaj është dëshmuar profesionalizmi i jashtëzakonshëm i Policisë së Kosovës, institucioneve tona të sigurisë në përgjithësi. Është dëshmuar kapaciteti i tyre i plot për të mbrojtur republikën. Ky është suksesi i tyre më i madh që prej shpalljes së pavarësisë, kjo na bën krenar të gjithëve dhe secilin. Andaj sot ju ftoj të gjithëve juve këtu dhe të gjithë qytetarët e Kosovës që t’i falënderojmë pjesëtarët tanë të policisë në uniformë kudo dhe kurdo që i shihni. Në mëngjes, gjatë ditës, a në mbrëmje, në rrugë, në sheshe, në vend të punës, në lagje, në trafik, ju faleminderit për shërbimin tuaj”, shtoi Kurti.

    Më tej, shefi i ekzekutivit potencoi edhe nevojën e bashkëpunimit më të madh ndërkombëtar për ruajtjen dhe mbrojtjen e kufirit me Serbinë.

    “Sulmi terrorist i së dielës gjithashtu ka ekspozuar edhe vështirësitë sa edhe nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar edhe më të madh për ruajtjen, mbrojtjen dhe kontrollin e kufirit me Serbinë. E bashkë me të edhe nevojën për dënim të hapur me gjuhë të qartë e të përveçme dhe kërkesa të prera ndaj Serbisë nga komuniteti ndërkombëtar. Sepse kufirin me Serbinë më shumë se sa vija e gjatë kufitare dhe terreni malor, veçanërisht në pjesën veriore të rrezikshëm dhe të vështirë e bëjnë sjellja dhe apetitet e Beogradit zyrtar. Njëkohësisht pas dokumentimit të pjesëmarrjes në këtë sulm terrorist, të nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojiçiq është vërtetuar edhe një gjë që meriton vëmendjen e të gjithëve, rëndësia jetike e ringjalljes së pluralizmit politik të serbëve në Kosovë. Nuk ka demokraci e liri pa pluralizëm, serbët e Kosovës duhet të çlirohen nga tutelat e Serbisë”, përfundoi ai.

    Afrim Bunjaku i u vra më 24 shtator në krye të detyrës, në mbrojtje të rendit dhe ligjit, në Banjskë të Zveçanit.

    Deri më tani janë konfirmuar tre terroristë të vrarë dhe tetë persona të arrestuar nga Policia e Kosovës. /KP

  • ​Tunelet sekrete të Luftës së Dytë Botërore do të hapen për publikun

    ​Tunelet sekrete të Luftës së Dytë Botërore do të hapen për publikun

    Janë zbuluar planet për atë që premton të jetë atraksioni turistik më spektakolar i nëndheshëm i Londrës ndonjëherë-transformimi prej 268 milionë dollarësh i një serie tunelesh të gjatë të Luftës së Dytë Botërore në një eksperiencë të mrekullueshme.

    Pra, ato mbroheshin dikur nga Akti i Sekreteve Zyrtare të Mbretërisë së Bashkuar, ish-tunelet e spiunazhit janë vendosur të rinovohen nga një ekip që përfshin arkitektët e “Singapore’s Gardens by the Bay” dhe “London’s Battersea Power Station” – nëse siguron miratimin e planifikimit më vonë këtë vjeshtë, raporton CNN.

    Tunelet “Kingsway Exchange”, rreth 40 metra nën stacionin e metrosë Chancery Lane në High Holborn, u ndërtuan në vitet 1940 për të strehuar londinezët nga fushata e bombardimeve Blitz gjatë Luftës së Dytë Botërore.

    Kjo ishte hera e fundit që ata ishin të hapur për publikun e gjerë.

  • Reagon ASHAK për zhvillimet e fundit në Kosovë

    Reagon ASHAK për zhvillimet e fundit në Kosovë

    Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK), ka dalë me një reagim për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.

    “Ndihemi thellësisht të indinjuar me këto zhvillime, me sulmet e koordinuara terroriste mbi institucionet e Republikës së Kosovës, mbi sovranitetin dhe integritetin e saj dhe jemi njëkohësisht mbështetës të palëkundur të veprimeve të domosdoshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të organeve të rendit dhe të sigurisë, të koordinuara me bashkësinë ndërkombëtare”, thuhet në reagimin e ASHAK-ut.

    Reagimi i plotë:

    Reagim i Akademisë për zhvillimet e fundit në Kosovë

    Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Kryesia e saj, është duke ndjekur me shqetësim ngjarjet më të fundit në veriun e Kosovës. Ndihemi thellësisht të indinjuar me këto zhvillime, me sulmet e koordinuara terroriste mbi institucionet e Republikës së Kosovës, mbi sovranitetin dhe integritetin e saj dhe jemi njëkohësisht mbështetës të palëkundur të veprimeve të domosdoshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të organeve të rendit dhe të sigurisë, të koordinuara me bashkësinë ndërkombëtare.

    I dënojmë me ndjenjën më të fuqishme të revoltës dhe indinjatës këto akte terroriste të Serbisë, të drejtuara kundër sovranitetit të shtetit të Kosovës, kundër qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe kundër rendit të saj kushtetues. Ne kemi tërhequr vërejtjen me shumë se një herë, se Serbia është kthyer në faktorin kryesor destabilizues të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë.

    “Bota serbe”, versioni ballkanik i “botës ruse”, nga një program nacionalist i institucioneve akademike është kthyer tashmë në kredo politike dhe ideologjike të institucioneve shtetërore dhe vendimmarrëse të Serbisë. Jemi po ashtu të shqetësuar që një akt terrorist, siç është ky i fundit, synohet të përdoret si pretekst nga qarqe arriviste shqiptare, për të “ridizajnuar” historinë, tashmë të përmbyllur, të themelimit të Republikës së Kosovës.

    Gjithashtu, ndihemi të prekur nga humbja e jetës së oficerit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjakut. Bashkëndjejmë me të afërmit dhe familjen e të ndjerit dhe përulemi para sakrificës dhe ndjenjës së përgjegjësisë të çdo mbrojtësi të rënë për liri dhe sovranitet.

    Kryesia e Akademisë
    Prishtinë, më 25 shtator 2023

  • Kurti: Bashkësia ndërkombëtare të dënojë Serbinë për sulmin terrorist në Veri

    Kurti: Bashkësia ndërkombëtare të dënojë Serbinë për sulmin terrorist në Veri

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se sulmi terrorist i së dielës në veri ka cenuar sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe sigurinë kombëtare.

    Ai kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare që të dënojë Serbinë si dhe vigjilencë më të madhe të kontrollit të kufirit me Serbinë.

    Kurti shtoi se dëshmia për pjesëmarrjen e në kryetarit të Listës Serbe, Milan Radojinçiq në këtë sulm terrorist paraqet nevojën për pluralizëm politik të serbëve në Kosovë.

    Ndërkaq, tha se pas këtij sulmi terrorist është dëshmuar edhe profesionalizmi i policisë dhe institucioneve të sigurisë në Kosovë.

  • Qeveria ndanë 50 mijë euro në mbështetje të familjes së Afrim Bunjakut

    Qeveria ndanë 50 mijë euro në mbështetje të familjes së Afrim Bunjakut

    Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme ka ndarë një shumë prej 50 mijë eurosh për mbështetje të familjes së rreshterit Afrim Bunjaku.

    Rreshteri Afrim Bunjaku, ishte pjesëtar i Policisë së Kosovës nga viti 2001. Ai u vra mëngjesin e 24 shtatorit pas përplasjes me një grup të armatosur në Banjskë të Zveçanit në pjesën veriore të vendit të banuar me shumicë serbe.

    Sulmuesit e armatosur, rreth 30 persona, ishin vendosur në manastirin e Banjskës, nga ku shkëmbyen të shtëna me organet e rendit.

    Autoritetet konfiskuan edhe një sasi të madhe armatimi. Autoritetet e Kosovës bënë përgjegjës Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi fajësoi zyrtar serbët e Kosovës.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, për rreshterin Afrim Bunjaku ka urdhrin më të lartë të Kosovës, “Hero i Kosovës”.

    Osmani ka thënë se polici Bunjaku u vra në mbrojtje të rendit, ligjit, integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës. /atvlive.tv

  • ​Digjet një veturë në Leposaviq

    ​Digjet një veturë në Leposaviq

    Në Leposaviq, dy persona i kanë vënë flakën një veture me targa të Serbisë.

    Një grua kosovare ka lajmëruar se para derës së shtëpisë së saj i kanë djegur veturën dy persona të panjohur.

    Policia njofton se janë duke hetuar rastin në fjalë.

    “Ankuesja femër kosovare ka raportuar, se dy persona të panjohur i kanë djegur veturën (me targa të Serbisë) të cilën e kishte të parkuar para shtëpisë. Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.

  • Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, dëshmia e dëshmitarit të 27-të vazhdon në seancë të mbyllur

    Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, dëshmia e dëshmitarit të 27-të vazhdon në seancë të mbyllur

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të mërkurën po vazhdon dëshmia e dëshmitarit të 27-të në këtë çështje (me kodin 04781), në seancë të mbyllur.

    Ky dëshmitar ka filluar dëshminë në seancën e djeshme, po ashtu edhe atë në seancë të mbyllur pas miratimit të kësaj kërkese nga trupi gjykues, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Para mbylljes së seancës, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Charles Smith ka dhënë urdhër me gojë lidhur me kërkesën e mbrojtjes për të zgjatur afatin për përgjigje ndaj mocionit të tretë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për pranim të provave.

    Gjykatësi Smith ka thënë se mbrojtja ka demonstruar arsye bindëse për zgjatje të kohës duke pasur parasysh volumin e punës dhe përmbajtjen e këtij dokumenti dhe se miratimi i zgjatjes së afatit për mbrojtjen nuk cenon palët e tjera dhe pjesëmarrësit dhe sipas tij nuk shkakton vonesë të procesin gjyqësor.

    Por se ai ka thënë se trupi gjykues ka vlerësuar se zgjatja e këtij afati deri më 27 tetor do të ishte e tepërt dhe do të vononte zgjidhjen e çështjes, andaj edhe afati është zgjatur deri më 17 tetor 2023.

    Në anën tjetër, trupi gjykues ka zgjatur edhe afatin për ZPS-në për t’iu kundërpërgjigjur deri më 31 tetor 2023.

    Seanca po vazhdon të jetë e mbyllur për publikun.

    Ndryshe, gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.

    Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.

    Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill, 12 prill, 13 prill dhe më 17 prill.

    Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka përfunduar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë, kurse më 10 maj ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt, dëshmia e të cilit përfundoi më 17 maj.

    Tutje, dëshmitari i pestë ka filluar dëshminë më 17 maj dhe e përfundoi më 22 maj, ku filloi dëshminë dëshmitari i gjashtë i cili përfundoi dëshminë më 23 maj, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e shtatë.

    Kurse, më 12 qershor ka filluar dëshminë e tij dëshmitari i tetë, i cili përfundoi dëshminë e tij më 14 qershor, ndërkaq me 15 qershor ka përfunduar dëshmia e dëshmitarit i nëntë.

    Më 19 qershor ka përfunduar dëshminë dëshmitari i dhjetë, në ditën ku ka filluar dëshminë dëshmitari i 11-të i cili e ka përfunduar dëshminë e tij më 20 qershor. E më 10 korrik ka filluar dëshminë dëshmitari i 12-të, i cili ka përfunduar dëshminë më 11 korrik, në seancën ku ka filluar dëshminë Rrustem Mustafa, ish-komandat i zonës operative të Llapit.

    Mustafa ka vazhduar dhënien e dëshminë së tij në seancën e 12, 13, 14, 17 dhe 18 korrikut.

    Ndërsa dëshmitari i 14-të me radhë, Francis Ladwidge, oficeri britanez që shërbeu në Kosovë filloi dëshminë po më 18 korrik dhe e mbaroi më 19 korrik, ku nisi dëshminë dëshmitari i 15-të, i cili e përfundoi më 20 korrik.

    Kurse, më 14 gusht filloi dhënien e dëshmisë dëshmitari i 16-të, e që e përfundoi më 16 gusht dhe më 17 gusht përfundoi dëshminë dëshmitarja e 17, Dragica Bozhaniq.

    E dëshmia e dëshmitarit të 18-të ka filluar më 28 gusht dhe ka mbaruar më 29 gusht, në ditën kur filloi dëshminë dëshmitari i 19-të, i cili përfundoi dëshminë më 30 gusht.

    Më 4 shtator përfundoi në të njëjtën ditë dëshminë dëshmitari i 20-të, kurse pa masa mbrojtëse, dëshmitari i 21-të, Agim Idrizi filloi të dëshmojë, i cili përfundoi dëshminë më 5 shtator, ku edhe filloi dëshmia e zyrtarit nga organizata ndërkombëtare “Human Rights Watch”, të Frederick Abrahams, i cili përfundoi më 11 shtator.

    Më 11 shtator ka përfunduar edhe dëshmia e dëshmitarit të 23-të, ndërkaq më 12 shtator ka filluar të dëshmojë dëshmitari i 24-të.

    Në të njëjtën ditë ka filluar dëshminë dëshmitari i 25-të Douglas Young, ish-oficer i ushtrisë britanike, i cili ka përfunduar dëshminë më 14 shtator.

    Kurse, më 25 shtator ka filluar dëshminë dëshmitari i 26-të, i cili ka përfunduar më 26 shtator, ku në seancë të mbyllur ka filluar dëshminë dëshmitari i 27-të.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020

  • Ankthi i mëngjesit, pse ndodh dhe si ta menaxhojmë atë?

    Ankthi i mëngjesit, pse ndodh dhe si ta menaxhojmë atë?

    Mëngjesi është momenti i fillimit të një tjetër dite të jetës tonë dhe për shumë njerëz, ky moment mund të shoqërohet me ndjesinë e ankthit.

    Në fakt, ankthi në mëngjes mund të jetë një problem i zakonshëm që ndikon në shëndetin dhe performancën tonë gjatë gjithë ditës.

    Hulumtues të Universitetit Stenford në Shtetet e Bashkuara pohojnë se çdo i treti person mund të përjetojë ankth, së paku një herë në jetë.

    Sidoqoftë, sipas po të njëjtëve hulumtues çrregullimet dhe pasojat e ankthit mund të trajtohen me sukses.

    Por përse ndodh kjo ndjesi e pakëndshme në mëngjes dhe si mund të menaxhohet?
    Kortizoli njihet si hormoni i stresit sepse është i përfshirë në reagimin e trupit ndaj stresit.

    Gjatë 30 deri në 45 minutat e para që jeni zgjuar çdo ditë, nivelet e kortizolit rriten.

    Në momentin kur zgjoheni, mund të ndjeheni të pasigurtë për atë që do të ndodhë gjatë ditës.

    Hulumtimet thonë se më shumë se 50% e të rriturve, raportuan se ankthi i tyre shpesh shkaktohet nga mendimet që tentojnë të parashikojnë ngjarje të ardhshme, të cilat nuk kanë ndodhur ende dhe mbase mund të mos ndodhin asnjëherë.

    Gjumi i keq ose mungesa e tij është një faktor kryesor që mund të shkaktojë ankth në mengjes sepse ndikon në humorin dhe nivelet e energjisë.

    Sheqeri I ulët në gjak, mund të shkaktojë simptoma ankthi, si nervozë, dridhje dhe rritje të rrahjeve të zemrës, të cilat mund ta rrisin ankthin.

    Stresi i përditshëm, si detyrat e punës, marrëdhëniet personale, ose shqetësimet financiare, mund të bëhen një peshë shtesë në kohën e mengjesit.

    Njohja e një problemi dhe burimi i tij është hapi i parë për t’i kushtuar vëmendjen e duhur dhe drejt përmirësimit.

    Sigurohuni që të keni një rutinë të rregullt të gjumit dhe të kujdeseni për cilësinë e tij.

    Vendosni një orar të caktuar për të shkuar në gjumë dhe për të zgjuar në mënyrë të qetë.

    Planifikimi i punëve dhe detyrave për ditën mund të ndihmojë në zbutjen e ankthit.

    Në këtë mënyrë, do të ndiheni më të organizuar dhe të gatshëm për sfidat e ditës.

    Për të qetësuar ankthin e mëngjesit, hani një mëngjes të shëndetshëm, gjithashtu preferohet të shmangni kafeinën.

    Menaxhimi i ankthit ka shumë metoda të ndryshme, dhe metoda fizike mund të jenë efektive për disa njerëz si relaksimi I muskujve, ushtrimet e frymëmarrjes së qetë dhe të thellë, preferohet të mbahet frymës për 7 sekonda dhe lëshimi I saj për 8 sekonda, kjo metodë del të jetë efektive për shumë njerëz.

    Aktiviteti fizik është një mënyrë e shkëlqyeshme për të ulur nivelet e ankthit. Ushtrimi i rregullt, si ecja, noti, ose stërvitja, lëshon endorfinat, të njohura si “hormonet e lumturisë,” që mund të ndihmojnë në ndjenjën e mirëqenies dhe zbutjes së ankthit.

    Me ndihmën e një rutine të rregullt të gjumit, teknikave të relaksimit, dhe ndryshimeve të thjeshta në mënyrën e jetesës, ju mund të menaxhoni këtë ndjesi të pakëndshme dhe të filloni ditën me më shumë energji pozitive./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme: 

  • Edita Tahiri: Pa u ndëshkuar Serbia, Kosova nuk duhet të shkoj në dialog

    Edita Tahiri: Pa u ndëshkuar Serbia, Kosova nuk duhet të shkoj në dialog

    Ish-kryenegociatorja Edita Tahiri ka thënë se Kosova nuk duhet të shkoj në dilaogë, pa u ndëshkruar Serbia.

    Pas situatës në veri BE-ja dhe ShBA-ja u kanë bërë thirrje të dyja palëve që t’i kthehen dialogut dhe të shmangen veprimet që nxisin më tej tensione.

    Postimi i saj i plotë:

    Pa u ndeshkuar Serbia, Kosova nuk duhet te shkoj ne dialog – eshte njesoj sikur ‘Ti me bisht e une pa djale’ thenie e vjeter e jona e fuqishme!

  • Donald Trump shpallet fajtor për mashtrim financiar

    Donald Trump shpallet fajtor për mashtrim financiar

    Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka mashtruar për vite të tëra duke e ndërtuar perandorinë e vet të pasurisë së patundshme e cila e bëri atë të famshëm dhe e çoi në Shtëpinë e Bardhë, sipas vendimit të një gjykatësi amerikan më 26 shtator.

    Gjykatësi Arthur Engoron – në verdiktin e tij për padinë civile ndaj Trumpit e cila u ngrit nga prokurorja e Nju Jorkut Letitia James – gjeti se Trumpi dhe kompania e tij i kishin mashtruar bankat, siguruesit dhe të tjerët duke i mbivlerësuar shumë asetet e tij dhe duke rritur tej mase vlerën e pasurisë së tij në dokumente të përdorura për të arritur marrëveshje dhe për të marrë hua.

    Engoron urdhëroi që Trumpit t’i hiqen licencat e disa prej bizneseve të tij si ndëshkim, duke ia bërë atij të vështirë apo të pamundur të bëjë biznes në Nju Jork. Ai tha se një vazhdues i pavarur do të vazhdojë t’i mbikëqyrë aktivitetet e Organizatës së Trumpit.

    Trumpit do t’i hiqet autoriteti për të marrë vendime strategjike dhe financiare në disa prej pronave kryesore në Nju Jork, nëse ankesa e tij ndaj këtij vendimi nuk është e suksesshme.

    Në një sërë deklaratash, Trumpi u ankua ashpër ndaj vendimit, duke e quajtur atë “joamerikan” dhe pjesë të një komploti të vazhdueshëm për ta dëmtuar fushatën e tij për t’u kthyer në Shtëpinë e Bardhë.

    “Të drejtat e mia civile janë shkelur, dhe Gjykata e Apelit, qoftë ajo federale po shtetërore, duhet ta shfuqizojë këtë vendim të tmerrshëm”, shkroi ai në rrjetin e vet social, Truth Social.

    Ai nguli këmbë se kompania e tij ka “bërë punë të shkëlqyer për shtetin e Nju Jorkut” dhe se ka bërë biznes “në mënyrë të përsosur”, duke e quajtur vendimin “një ditë shumë pikëlluese për sistemin e drejtësisë në shtetin e Nju Jorkut”.

    Avokati i Trumpit, Christopher Kise, tha se do të ankohet ndaj vendimit, të cilin e quajti “aspak në përputhje me faktet dhe ligjin”.

    Përtej mburrjeve për pasurinë e tij, Trumpi bashkë me kompaninë dhe ekzekutivët e vet gënjyen vazhdimisht për pasurinë në deklaratat vjetore financiare, duke siguruar shpërblime si, hua të favorshme dhe sigurime të lira, tha Engoron në vendimin e tij.

    Këto taktika e kaluan kufirin dhe e shkelën ligjin, tha gjykatësi.

    Prokurorët e Manhatan kishin shikuar mundësinë të ngrinin aktakuzë penale për veprat e njëjta, por dështuan ta bëjnë, duke e lënë Jamesin ta padisë Trumpin dhe të kërkojë ndëshkime të cilat do t’ia pamundësonin atij dhe familjes së tij bërjen biznes.

    “Sot, një gjykatës mori vendim në favorin tonë dhe gjeti se Trumpi dhe Organizata Trump mashtruan financiarisht për vite”, tha prokurorja James.

    Avokatët e Trumpit i kishin kërkuar gjykatësit ta hidhte poshtë padinë, duke argumentuar se nuk kishte prova se publiku ishte penguar nga veprimet e Trumpit.

    James, një demokrate, e paditi Trumpin dhe Organizatën Trump para një viti, duke i akuzuar se i kishin fryrë rregullisht vlerat e aseteve, si rrokaqiejve, fushave të golfit dhe pronën e tij Mar-a-Lago në Florida.

    Engoron gjeti se Trumpi vazhdimisht e mbivlerësoi Mar-a-Lagon, duke e fryrë vlerën e saj në një deklaratë financiare për hiç më pak se 2.300%. Trump kishte gënjyer edhe për madhësinë e apartamentit të tij në Manhatan. Ai kishte pretenduar se ndërtesa e tij trekatëshe Trump Tower ishte gati tri herë më e madhe se madhësia e vërtetë e saj, duke vlerësuar atë 327 milionë dollarë.

    “Një mospërputhje e kësaj madhësie nga një zhvillues i pasurisë së patundshme, i cili e ka rritur hapësirën e vet të jetesës për dekada, mund vetëm të cilësohet mashtrim”, tha Engoron.

    Padia e Jamesit është vetëm njëra nga kokëçarjet ligjore për Trumpin, liderin e garës së republikanëve për kandidatin për president të Shteteve të Bashkuara në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

    Ndaj Trumpit janë ngritur katër aktakuza në gjashtë muajt e fundit, në të cilat akuzohet në Xhorxhia dhe Uashington se u përpoq ta zhbënte humbjen në zgjedhjet e vitit 2020. Në Florida për mbajtjen e jashtëligjshme të dokumenteve të klasifikuara dhe në Manhatan për falsifikimin e regjistrave biznesore. /REL