ATV

Blog

  • Sulmohet një 9 vjeçar nga qentë endacakë në Gllavatin të Vushtrrisë

    Sulmohet një 9 vjeçar nga qentë endacakë në Gllavatin të Vushtrrisë

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Ermal Klinaku, ditën e hënë, nuk e nisi si zakonisht në shkollë.

    Para se të hynte në objektin e shkollës, “Liria”, në fshatin Gllavatin të Vushtrrisë, ai u sulmua nga tre qen endacakë.

    Babi i 9-vjeçarit, derisa tregon ngjarjen se si ndodhi, thotë se për të mos u përsëritur këto raste, duhet sa më shpejt të ndërmerret diçka.

    “Rasti ka ndodhur në oborrin e shkollës, kjo është një gjë që mua më shqetëson personalisht si prind, kur ka ndodhur rasti unë nuk kam qenë aty, e që tani pas trajtimit mjekësor djali është mirë dhe nuk ka lëndime shumë të rënda, që mund të ketë pasoja në të ardhmen”, tha Tafil Klinaku babai i Ermalit.

    “Mësuesja na ka njoftuar dhe na ka treguar dhe ndihmën e parë ajo ia ka dhënë djalit. Shteti duhet ta marrë më seriozisht për trajtimin e qenve endacakë, sepse qentë po ua sulmojnë fëmijët tanë”, tha ai.

    Veç Klinakut edhe banorë të tjerë të këtij fshati flasin me shqetësim për qentë endacakë. Sipas tyre, më së shumti mund ta pësojnë fëmijët nga ta.

    “E kam parë që fëmijët janë frikësuar nga ky rast, janë të vegjël dhe e kishin marrë një lloj frike, traume prej qenve endacakë, andaj iu bëj thirrje organeve komunale që të ndërmarrin diçka rreth qenve endacakë, derisa ka edhe disa që qentë endacakë i sjellin nga komunat e tjera në fshatin tonë”, tha Behar Duraku, përfaqësues i fshatit.

    Mirëpo, zyrtarë në Komunën e Vushtrrisë thonë se po merren me trajtimin e qenve endacakë. Madje, sipas përgjigjes së tyre për ATV-në, ata tashmë kanë ndarë buxhet edhe për vitin e ardhshëm.

    “Komuna e Vushtrrisë, gjatë hartimit të buxhetit 2024, vëmendje të veçantë i ka kushtuar edhe çështjes së trajtimit të qenve endacakë, prandaj për këtë çështje, si Komunë kemi ndarë 200 mijë euro”, thuhet në përgjigjen e Komunës Së Vushtrrisë.

    Gjatë muajit maj është miratuar edhe Udhëzimi Administrativ për Kushtet dhe Kërkesat Teknike, që duhet plotësuar nga Strehimoret e Kafshëve Shoqëruese, të nënshkruar. Sipas këtij udhëzimi është vendosur themeli i bazës ligjore për trajtimin e qenve endacakë nga secila Komunë në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

  • Hashim Thaçi telefonon familjen e Afrim Bunjakut për ngushëllime

    Hashim Thaçi telefonon familjen e Afrim Bunjakut për ngushëllime

    Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka folur sot në telefon me familjarët e policit hero, Afrim Bunjakut.

    Telefonatën e ka bërë përmes Sami Lushtakut në kohën kur ai po qëndronte për ngushëllime tek familja Bunjaku.

    “Me miq, bashkëpunëtorë e bashkëluftëtarë, vizituam familjen e heroit Afrim Bunjaku, për të shprehur ngushëllimet më të thella për sakrificën e heroit më të ri të Republikës, i cili ra heroikisht në mbrojtje të sovranitetit të shtetit të Kosovës. Nga Haga, përmes telefonit, familjarët e Afrimit i ngushëlloi edhe Presidenti Hashim Thaçi, i cili është prekur thellësisht nga rënia e tij, duke shprehu mirënjohje për sakrificën e lartë të tij në shërbim të atdheut” shkruan Lushtaku në njoftim.

  • Tre ditë pas sulmit terrorist në Banjskë, Daçiq takon ministrin britanik

    Tre ditë pas sulmit terrorist në Banjskë, Daçiq takon ministrin britanik

    Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, dhe ministri i Shtetit për Evropën në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, Leo Dockerty, ranë dakord se vazhdimi konstruktiv i dialogut Kosovë-Serbi ës është çelësi i stabilitetit rajonal dhe i sigurisë.

    Siç njofton MPJ-ja e Serbisë, Daçiq e ka njoftuar ministrin britanik për zhvillimet e fundit në Kosovë pas sulmit terrorist të së dielës ku u vra polici Afrim Bunjaku.

    Në bisedë u theksua rëndësia e forcimit të mëtutjeshëm të dialogut mes Britanisë dhe Serbisë në nivelin më të lartë dhe më të lartë, thuhet në njoftimin e ministrisë që drejtohet nga Daçiqi, transmeton Klankosova.tv.

    Ky takim vjen tre ditë pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit ku u vra polici Afrim Bunjaku.

  • Blendi Fevziu me vlerësime të larta për policët e Kosovës: Duken si amerikanë, s’kanë lidhje me Ballkanin fare

    Blendi Fevziu me vlerësime të larta për policët e Kosovës: Duken si amerikanë, s’kanë lidhje me Ballkanin fare

    Gazetari dhe publicisti nga Shqipëria, Blendi Fevziu ka vlerësuar lartë aksionin e Policisë së Kosovës të zhvilluar së fundi në veri të vendit.

    Derisa gazetari Artan Hoxha po fliste për aksionin fantastik që e realizoi Policia e Kosovës në veri ndërhyri Feziu i cili u shpreh se edhe policët e thjeshtë kur të ndalojnë në rrugë, duken si amerikanë.

    “Edhe policët që të ndalojnë në rrugë janë si amerikanët, s’kanë lidhje me Ballkanin fare”, tha Fevziu.

    Theksojmë se sot në Mbledhjen e Qeverisë së Kosovës u morë vendim për ndarjen prej 50 mijë eurove për familjen e reshterit të rënë në detyrë Afrim Bunjaku.

  • ​Shevchenko emërojet këshilltar i Zelenskyt

    ​Shevchenko emërojet këshilltar i Zelenskyt

    Andriy Shevchenko konsiderohet futbollisti më i mirë ukrainas i të gjitha kohërave dhe së fundmi ka drejtuar Genoan në Itali.

    Por, nga tani e tutje, ish-sulmuesi i Milanit do të jetë këshilltar politik i presidentit të Ukrainës Volodimir Zelensky, përcjellë KosovaPress.

    Shevchenko është një nga futbollistët më të famshëm në historinë e Ukrainës. Ai dikur luajti për klubet më të mira evropiane si AC Milan dhe Chelsea. Futbollisti u bë disa herë golashënuesi më i mirë në kampionatin italian, fitoi Champions League dhe Superkupën e Evropës.

    Shevchenko gjithashtu fitoi Topin e Artë në vitin 2004 dhe u votua si sulmuesi më i mirë i UEFA-s në vitin 2006.

  • Sveçla publikon edhe një dokument: Vërtetim që ushtria e Serbisë i ka dhënë grupit me rastin e dorëzimit të lansuesit të granatave

    Sveçla publikon edhe një dokument: Vërtetim që ushtria e Serbisë i ka dhënë grupit me rastin e dorëzimit të lansuesit të granatave

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka publikuar edhe një dokument ku thotë se është vërtetim që ushtria e Serbisë i ka dhënë grupit me rastin e dorëzimit të lansuesit të granatave, që më pas u zu nga Policia e Kosovës në aksionin e 24 shtatorit.

    Sveçla ka shtuar se atë që e kanë deklartuar në vazhdimësi tash po e mbështesim edhe me fakte e dokumente.

    “Shtohen një pas një dëshmitë e lidhjes zyrtare mes shtetit të Serbisë dhe grupit terrorist që kreu vrasjen e policit Afrim Bunjaku dhe përgatitjen e aksionit kundër rendit kushtetues me qëllim destabilizimin e Republikës së Kosovës”, shkruan Sveçla.

    Shkrimi i plotë:

    Shtohen një pas një dëshmitë e lidhjes zyrtare mes shtetit të Serbisë dhe grupit terrorist që kreu vrasjen e policit Afrim Bunjaku dhe përgatitjen e aksionit kundër rendit kushtetues me qëllim destabilizimin e Republikës së Kosovës.

    Ky dokument është vërtetim që ushtria e Serbisë i ka dhënë grupit me rastin e dorëzimit të lansuesit të granatave, që më pas u zu nga Policia e Kosovës në aksionin e 24 shtatorit.

    Atë që e kemi deklaruar në vazhdimësi tash po e mbështesim edhe me fakte e dokumente të pakontestueshme se shteti i Serbisë mbështet këto grupe terroriste politikisht, financiarisht, logjistikisht.

  • Ky do të jetë fundi i Vuçiqit, sipas Limajt

    Ky do të jetë fundi i Vuçiqit, sipas Limajt

    Kryetari i Nisma’s Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha presidenti Vuçiq tani i ka ngarkesë ata që i ka dërguar në Kosovë.

    Sipas Limajt, fundi i Vuçiqit do të jetë, ose ky i fundit do ti likuidoi ata, ose ata do ta likuidojnë këtë.

    “Vazhdimisht ka politikë shantazhuese, prandaj Vuçiqi thotë unë nuk e njoh kurrë Kosovën, se karta e vetme që e mban në pushtet Vuçiqin është Kosova. Ekonominë e ka llom, politikën e ka llom, mediat i ka llom, demokracinë i ka llom, çdo send e ka llom në Serbi, kurrë Serbia nuk ka qenë më keq. Çka e mban Vuçiqin atje, vetëm karta nacionaliste, veç Kosova. Nuk përfundon ai punë me Kosovën sepse duhet me shku në shtëpi. Në fakt ata kurrë nuk përfundojnë në shtëpi, njerëzit e tillë, sepse nuk është duke e bërë punën dhe ka me pasë telashe me të vet. Sot i ka ngarkesë ata që i ka çun ë Kosovë, i ka ngarkesë. Ja ai ka me i likuidu ata, ja ata këto. Kështu përfundojnë këto situata, kur ju bëni martesë me krimin, ky është përfundimi i juaj, me nëntokën. S’ka qare pa përfundu kështu. /atvlive.tv

  • Zelensky thotë se trupat ukrainase po “përparojnë” në Donjeck

    Zelensky thotë se trupat ukrainase po “përparojnë” në Donjeck

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se forcat ukrainase po bëjnë përparim kundër forcave ruse në rajonin lindor të Donjeckut, përderisa Moska ka kryer sulme të reja me artileri në rajonin jugor të Nikopolit dhe Hersonit gjatë natës, duke plagosur civilë dhe duke shkaktuar dëme nëpër shtëpi dhe infrastrukturë.

    “Po përparojmë në drejtim të Donjeckut”, tha Zelensky pas një konference online me zyrtarët e ushtrisë, duke shtuar se ai po ashtu u informua për situatën në rajonin pjesërisht të çliruar të Hersonit, që për muaj të tërë ka qenë cak i granatimeve ruse.

    “Rusët po vazhdojnë të terrorizojnë territoret që artileria e tyre mund të arrijë”, tha ai.

    Më herët gjatë 27 shtatorit, Oleksandr Prokudin, kreu i administratës ushtarake në Herson shkroi në Telegram se 12 persona janë lënduar në rajon si pasojë e granatimeve ruse.

    Në rajonin e Nikopolit, dy persona janë lënduar nga granatimet ruse tha kreu i administratës ushtarake, Serhiy Lysak.

    Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase tha se forcat e këtij shteti po vazhdojnë operacionet sulmuese në drejtim të qytetit lindor të Bahmutit dhe në rajonin jugor të Melitopolit, duke shtuar se në total janë realizuar 26 beteja në 24 orët e fundit.

    Që kur u tërhoq nga marrëveshja për drithërat në korrik, Rusia ka shpeshtuar sulmet ndaj infrastrukturës në portet ukrainase në Odesa dhe Mikolajiv./REL/

  • Luftimi i korrupsionit mbetet sfidë për institucionet – kërkohet bashkëpunim i mirëfilltë

    Luftimi i korrupsionit mbetet sfidë për institucionet – kërkohet bashkëpunim i mirëfilltë

    OJQ “Aktiv” ka mbajtur konferencë për transparencën e administratës lokale në kuadër të projektit “Forcimi i transparencës dhe sundimit të ligjit në komunat serbe në Kosovë”, raporton Ekonomia Online.

    Tamra Geig, nga Byroja për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, tha se ShBA-ja do ta vazhdojnë mbështetjen për Kosovën. Madje tha prioritet i ShBA-së mbetet bashkëpunimi për një Kosovë më të sigurt.

    “Siç e dini ShBA kanë qenë partner të Kosovës për më shumë se dy dekada dhe ne do të vazhdojmë me mbështetjen tonë. Ne po mundohemi t’i ngrijmë kapacitetet e shoqërisë civile në Kosovë. Ne e dimë që kjo do të forcoj institucionet e Kosovës dhe për këtë është shumë e rëndësishme kjo konferencë”.

    “Ne jemi të gjithë së bashku që të sigurohemi që komunitetet do të bashkëpunojnë për një Kosovë më te sigurt, kjo është prioritet edhe për ShBA-të”.

    Miodrag Miliceviq, drejtor ekzekutiv i OJQ “Aktiv”, shtoi se kanë hartuar një program për dixhitalizimin e raportimit kundër korrupsionit.

    “Ajo çfarë do doja të ndaja për ne është pikërisht çështje kyçe është aplikacioni “ABER” që është bërë në 6 gjuhë të ndryshme me agjencinë kundër korrupsionit, që mundëson dixhitalizimin e raportimit kundër korrupsionit”.

    Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, tha se prioritet kryesor mbetet trajtimi i barabartë i të gjitha rasteve.

    “Prioriteti ynë është që të kemi një trajtim të barabartë në të gjitha lokalitetet e Kosovës, këtu kemi pasur sfida, por jemi munduar që gjithmonë të iu ofrojmë bashkëpunim edhe me komunitetet jo-shumicë. Secili mandat i qeverisjes duhet të jetë i ndërlidhur me shoqërinë civile, për transparencë të plotë”, shtoi tutje Buleshkaj.

    Drejtori ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, tha se duhet punë më intensive në luftimin e korrupsionit. Ai kërkoi më shumë përfshirje të qytetarëve nga niveli lokal e ai qendror.

    “Si komunat si niveli qendror duhet te ketë më shumë bashkëpunim si me qytetarët edhe me institucionet. Prokurorët krejt punën e tyre e bazojnë në letra, sot ka mundësi të llojllojshme se si me luftuar korrupsionin, hetimet, përgjimet nuk ekzistojnë fare”, shtoi Miftaraj.

    “Si nga komunat ashtu edhe nga Qeveria duhet të ketë më shumë përfshirje të qytetarëve, publikut dhe grupeve të interesit. Transparenca dhe llogaridhënia nëse do të zbatoheshin në praktikë do të kishim me pak raste të korrupsionit

    Ismet Kryeziu, drejtor i Institutit Demokratik i Kosovës (KDI) tha se Kosova ka ende sfida në luftimin e korrupsionit, raporton EO.

    “Kosova edhe pse ka pasur një suksese, dhe ka bërë një hap tutje, megjithatë ka sfida në miratimin e politikave të ligjeve dhe në zbatimin e këtyre ligjeve që garantojnë transparencë”.

  • ​Murati: Jemi në proces të përcaktimit të shtesave të rrezikshmërisë për policët

    ​Murati: Jemi në proces të përcaktimit të shtesave të rrezikshmërisë për policët

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekruan Murati, tha se janë në proces të përcaktimit të shtesave të rrezikshmërisë për policët.

    Në një konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë, Murati tha se gjithmonë do t’iu qëndrojnë pranë atyre që i shërbejnë vendit.

    Këto deklarata Murati i ka bërë disa ditë pasi rreshteri policor Afrim Bunjaku humbi jetën nga një grup terrorist derisa po kryente detyrën e tij në Banjskë të Zveçanit.

    “Është një proces që ka të bëjë edhe me Ligjin e pagave në tërësi. Ka qenë një proces paksa më kompleks dhe më i komplikuar pasi bëhet fjalë për mbi 80 mijë zyrtarë publik, pra është një sistem i tërë që është dashur të reformohet. Ka shumë kategori të tjera që po trajtohen në vijimësi, qoftë nga MPB-ja apo MFT-ja. Tani jemi në proces të dakordimit dhe në proces të defenimit apo përcaktimit të të gjitha këtyre shtesave por edhe të kompetencave apo përgjegjësive që parashihen dhe plotësohen me ligj. Besoj se shumë shpejt do të kemi edhe përafrim të këtyre kërkesave apo gjërave në mënyrë që të sigurohemi që çdo gjë vjen në vendin e vet ashtu siç e parasheh ligji. Një gjë dua t’i siguroj qytetarët se shteti gjithmonë do t’iu qëndrojë pranë të gjithë atyre që shërbejnë për shtetin”, theksoi Murati.

    Ndërsa ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka thënë se ende nuk kanë informacione zyrtare për rolin e klerikëve fetarë të Manastirit të Banjskës gjatë sulmit terrorist të 24 shatorit në veri.

    Ai tha se hetimi po zhvillohet ende nga institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë, mirëpo në bazë disa publikimeve në rrjete sociale që menaxhohen nga zyrtarët e Kishës Ortodokse serbe është bërë një lloj përpjekje për t’u distancuar nga ato veprime.

    “Çështjet që i ngritët janë shumë legjitime dhe meritojnë përgjigje përfundimtare, të cilat besoj se do të merren pas hetimeve profesionale të hollësishme në lidhje me krejt çka ka ndodhur në atë moment nga ai sulm terrorist mbi Republikën e Kosovës. I gjithë informacioni që kemi janë disa publikime në rrjetet sociale të cilat menaxhohen nga klerikët ose zyrtarët e Kishës Ortodokse serbe ku është bërë një lloj përpjekje për t’u distancuar nga ato veprime. Megjithatë ajo çka jemi zotuar ne sot është që të mbrojmë monumentin sepse edhe ligjet tona dhe fakti që ai monument është i mbrojtur me ligjet e Republikës na obligon që të kujdesemi për strukturën fizike që është dëmtuar nga grupi terrorist në atë rast. Por unë nuk kam më shumë informacion dhe besoj se hetimet që po zhvillohen dhe pastaj procedura mëtutjeshme gjyqësore do t’i jap përgjigje këtyre dilemave që i kemi”, tha ai.

    Çeku në konferencë për medie pas mbledhjes së qeverisë, theksoi nevojën që objektet e kultit të mos përdorën për aktivitete kriminale, derisa tha se kanë mjete financiare për restaurimin e Manastirit të Banjskës pas dëmeve të shkaktuara nga sulmi terrorist më 24 shtator.

    “Ne si ministri për shkak të mandatit për mbrojtjen e trashëgimisë kemi komunikim të përhershëm gjithmonë me të gjithë pronarët, shfrytëzuesit dhe poseduesit e aseteve të trashëgimisë kulturore. Duhet pranuar që në të kaluarën jo gjithmonë kemi hasur në dyer të hapura nga klerikët e kishës ortodokse në Kosovë, mirëpo veprimet tona profesionale dhe ndërhyrjet që kanë ndodhur sivjet në tri kisha ortodokse në Kosovë në bashkëpunim me BE-në dhe UNDP tregojnë se kemi komunikim dhe kemi zotim. Ajo çka kemi thënë sot është se ne duhet të bëjmë maksimumin për t’i mbrojtur këto monumente, por duke artikuluar se objektet e kultit nuk duhet të përdoren për aktivitete kriminale”, shtoi Çeku./KosovaPress /