ATV

Blog

  • Ministri britanik: I kënaqur që forcat tona do të përforcojnë KFOR-in në Kosovë

    Ministri britanik: I kënaqur që forcat tona do të përforcojnë KFOR-in në Kosovë

    Ministri britanik për Çështje Evropiane, Leo Docherty, është shprehur i kënaqur që forcat e Mbretërisë së Bashkuar do t’i bashkangjiten KFOR-it në Kosovë.

    Ministri britanik Docherty ka thënë se kjo demostron përkushtimin e tyre ndaj NATO-s dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

    Ai ka thënë se rruga e vetme drejt paqes në Kosovë është përmes paqes.

    “Ne kërkojmë qetësi dhe de-përshkallëzim nga të gjitha anët. E vetmja rrugë e qëndrueshme drejt paqes në Kosovë është përmes dialogut”, ka shkruar ministri britanik për Çështje Evropiane, Leo Docherty në platformën “X”.

  • Sot varrosen tre terroristët serbë që u vranë në Banjskë

    Sot varrosen tre terroristët serbë që u vranë në Banjskë

    Tre pjesëtarët serbë të grupit që kreu sulmin terrorist të dielën në Banjskë, do të varrosen sot, raporton portali serb KO.

    Trupat e tyre u morën dje nga familjarët nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, ku u krye autopsia e tyre.

    Familjarët e tyre dje tërhoqën trupat e pajetë pranë institucioneve të mjekësisë ligjore në Prishtinë.

    Mëngjesin e 24 shtatorit ky grup terrorist vranë policin kosovar Afrim Bunjaku në fshatin Banjskë të Zveçanit.

  • Moti sot me diell dhe pjesërisht i vranët

    Moti sot me diell dhe pjesërisht i vranët

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se në ditën e parë të muajit tetor, moti do të mbajë me diell dhe pjesërisht i vranët.

    Sipas IHKS-së, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 7-9 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 20-23 gradë Celsius.

    “Të dielën parashihet të mbajë mot me diell dhe pjesërisht i vranët. Vranësirat vende-vende, kryesisht rreth relievi malor parashihen të sjellin riga shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 7-9 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 20-23 gradë Celsius. Do të fryjë erë kryesisht nga juglindja me shpejtësi 1-5m/s”, thuhet në njoftim.

  • Mbyti vëllain dhe babanë në Mitrovicë të Veriut, 28 vite burgim të akuzuarit

    Mbyti vëllain dhe babanë në Mitrovicë të Veriut, 28 vite burgim të akuzuarit

    Gjykata e Apelit ka ndryshuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prizren për të akuzuarin M.B duke i shqiptuar dënim me 28 vite burg për vrasjen e vëllait dhe babait të tij në Mitrovicë të Veriut.

    Në aktgjykimin e shpallur me 8 gusht 2023 nga gjyqtarja Kadrije Goga Lubishtani, gjykata e Apelit kishte anuluar vendimin e shkallës së parë për dënim me 18 vite burg si dhe trajtim të detyrueshëm psikiatrik me ndalim për të akuzuarin M.B.

    Mbrojtja e të akuzuarit, avokati Mahmut Halimi ka thënë për “Betimi për Drejtësi” se janë duke e përgatitur kërkesën për mbrojtje ligjore në Gjykatën Supreme.

    “Jemi duke përgatitur kërkesën për mbrojtje ligjore në Gjykatën Supreme”, tha Halimi, transmeton klankosova.tv

    Kundër aktgjykimit të shkallës së parë, ankesë kishte parashtruar Prokuroria Themelore në Mitrovicë, përfaqësuesi i të dëmtuarës L. M, avokati, Miodrag Bërklaqi dhe avokati mbrojtës i të akuzuarit, Mahmut Halimi.

    Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se Gjykata e Apelit, ka konstatuar se pretendimet ankimore të Prokurorisë dhe palës së dëmtuara janë të bazuara.

    “Kolegji penal i kësaj Gjykate, të akuzuarit M. B, për veprën penale Vrasje e rëndë nga neni 173 par. 1 nën par. 1.3, 1.4 dhe 1.11 të KPRK-së, i shqipton dënim me burgim në kohëzgjatje prej 28 vitesh, i cili dënim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi..”, thuhet në këtë vendim.

    Ndërsa, ndaj ankesës së mbrojtjes së akuzuarit, avokatit Mahmut Halimi, Apeli ka vendosur

    Ndryshe, i akuzuari për vrasje të rëndë të babait dhe vëllait të tij, M.B., vrasje e cila është kryer më 27 maj 2022 në Mitrovicë të Veriut, ishte dënuar me 18 vite burgim nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, pasi u konstatua se veprën e ka kryer në gjendje të aftësisë së zvogëluar mendore.

    Ndaj të akuzuarit M.B., gjykata ka shqiptuar edhe masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik, me ndalim në institucionin e kujdesit shëndetësor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Aktgjykimi është shpallur me 3 prill 2023 nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Mentor Hajraj.

  • Shqiptarët nderojnë Afrim Bunjakun në Uashington, i pranishëm edhe William Walker e kreu i ushtrisë shqiptare

    Shqiptarët nderojnë Afrim Bunjakun në Uashington, i pranishëm edhe William Walker e kreu i ushtrisë shqiptare

    Në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në SHBA, pjesëtarët e komunitetit të diasporës shqiptare në Uashington janë mbledhur sot për të nderuar rreshterin Afrim Bunjaku, pjesëtar i Policisë së Kosovës i cili u vra në krye të detyrës nga sulmi terrorist organizuar nga Serbia.

    “Bashkatdhetarët tanë kanë nderuar aktin heroik të rreshterit Bunjaku, i cili dha jetën në mbrojtje të rendit dhe ligjit, integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Kosovës në SHBA.

    I pranishëm në ceremoninë e nderimit për policin kosovar ka qenë edhe ambasadori William Walker.

    Në Ambasadën e SHBA-së në Uashington kanë qëndruar edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, Arben Kingji dhe ambasadori i Shqipërisë në SHBA Ervin Bushati.

    “Për nder të heroit Afrim Bunjaku, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, gjeneralmajor Arben Kingji dhe ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Ervin Bushati, vizituan Ambasadën e Kosovës në Uashington, D.C”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Kosovës në SHBA.

  • Pas vërshimeve në Nju-Jork, shpallet gjendje e jashtëzakonshme

    Pas vërshimeve në Nju-Jork, shpallet gjendje e jashtëzakonshme

    Gjendje e jashtëzakonshme është shpallur në qytetin e Nju-Jorkut pasi stuhitë e forta sollën përmbytje të shpejta.

    “Po shpall një gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë qytetin e Nju-Jorkut, Long Island dhe Luginën Hudson për shkak të reshjeve ekstreme që po shohim në të gjithë rajonin”, tha Guvernatorja Kathy Hochul në platformën X, raporton BBC.

    Shumë prej sistemeve të metrosë, rrugëve dhe autostradave të qytetit janë përmbytur, ndërsa të paktën një terminal në aeroportin LaGuardia u mbyll të premten përpara se të rihapet më vonë.

    Deri në 20 cm shi ra në disa pjesë të qytetit, por qiejt ishin qetësuar pak nga mbrëmja.

    “Kjo është një stuhi e rrezikshme, kërcënuese për jetën”, tha guvernatorja.

    Ndërsa nuk është raportuar për vdekje apo lëndime kritike.

    Një gjendje e jashtëzakonshme u shpall gjithashtu në qytetin Hoboken të New Xhersit, pikërisht përtej lumit Hudson nga qyteti i Nju-Jorkut.

    Kryebashkiaku Eric Adams, paralajmëroi njerëzit se ishte koha për vigjilencë të shtuar dhe kujdes ekstrem pasi u vendos gjendja e jashtëzakonshme.

    “Disa nga metrotë tona janë të përmbytura dhe është jashtëzakonisht e vështirë të lëvizësh nëpër qytet”, tha ai në një konferencë për shtyp.

  • Shkolla me pesë ndërrime në Viti, puna për objektin e ri nuk ka përfunduar as pas 7 vitesh

    Shkolla me pesë ndërrime në Viti, puna për objektin e ri nuk ka përfunduar as pas 7 vitesh

    Ndërtimi i objektit të ri të shkollës fillore “Halil Alidema” në fshatin Pozheran të Komunës së Vitisë ka filluar prej 7 vitesh, por ende nuk është finalizuar. Nxënësit e kësaj shkolle janë detyruar të vijojnë mësimin në objektin e shkollës së mesme “Kongresi Manastirit” por jo në kushte të rregullta të procesit mësimor. Ndonëse autoritetet thonë se janë katër ndërrime, në fakt mësimdhënësit dhe nxënësit tregojnë se janë pesë ndërrime me vetëm 25 minuta për një orë mësimi.

    Investitor i projektit për ndërtimin e kësaj shkolle është Ministria e Arsimit, ndërsa menaxhimi i ishte lënë Ministrisë së atëhershme të Administratës Publike, që tani me riorganizimin e ri i bie Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.

    Punët e vrazhda dhe lyerja e hapësirave, së bashku me instalimet elektrike ka përfunduar, por nga brenda ende ka shumë punë për të bërë që kjo shkollë të jetë funksionale. Sipas projektit, punimet e të cilit kanë filluar në vitin 2016, shkolla duhet të ishte gati në vitin 2019.

    Drejtohesha e shkollës “Halil Alidema”, në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, tha se ndërtimi i objektit të shkollës ka ngecur për shkak se operatori ka qenë i papërgjegjshëm, derisa kërkon nga Ministria e Arsimit që të ketë prioritet ndërtimin e objektit të shkollës.

    “Ndërtimi i objektit të ri shkollor është ndërprerë pasi që operatori nuk ka qenë i përgjegjshëm, ku si pasojë e kësaj, lënda së fundmi është dërguar edhe në OSHP (Organin Shqyrtues të Prokurimit). Ndërtimi i këtij objekti shkollor është projekt i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Kërkesë e vazhdueshme e stafit të shkollës, prindërve, është që MASHT-i dhe Ministria e Punëve të Brendshme të kenë prioritet përfundimin e objektit tonë shkollor sa më parë, sepse duhet respektuar gjithë përfshirja edhe nxënësit tanë duhet të kenë të drejtën për të mësuar në objektin e tyre shkollore”, tha Pira.

    Shkolla “Halil Alidema” dikur kishte një objekt të sajin të vetin, por tërmeti i nëntorit të vitit 2019 që goditi Shqipërinë, lëkundjet e të cilit u ndjenë edhe në Kosovë, e bëri të papërdorshëm atë.

    Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Vitisë, Arta Ajeti deklaroi për KosovaPress se institucion kanë bërë kërkesa tek institucionet qendrore që të përfundojë objekti i ri.

    “Shkolla fillore në Pozheran që është ‘Halil Alidema’ ka filluar të ndërtohet që nga viti 2016 d.m.th. tash shtatë vite ka ngecur ndërsa shkolla e vjetër që ka qenë aty është dëmtuar nga tërmeti (nëntor 2019) në Shqipëri. Nga ekspertë është vërtetuar që nuk është objekt që mund të zhvillohet procesi mësimor, prandaj jemi detyruar ta rrënojmë. Ndërsa nxënësit e shkollës fillore i kemi zhvendosur në objektin e shkollës mikse që e kemi ‘Kongresi Manastirit’ atje janë katër ndërrime. Rregullisht bëjmë shkresa si Drejtori e Arsimit bashkë me Komunën, rregullisht bëjmë shkresa atje, ende nuk kemi asnjë përgjigje” tha Ajeti.

    Ajeti u shpreh se kjo situatë po dëmton nxënësit dhe mësimdhënësit , derisa theksoi se kanë pasur edhe protesta për ndërtimin e shkollës.

    Drejtoresha Ajeti tha se nga Ministria e Arsimit kanë marrë përgjigje se lënda është në shqyrtim por deri më tani asnjë hap nuk është ndërmarrë.

    “Kërkesa ime është që sa më shpejt të bëhet një zgjidhje sepse është viti i tretë që fëmijët tonë janë më katër ndërrime dhe ora është 20 minuta e cila nuk ka efekt d.m.th. jo që shkon në dëmtim të nxënësve po ashtu edhe për normal edhe tek mësimdhënësit, kështu kemi pasur edhe ankesa nga prindërit, kemi pasur vitin e kaluar edhe protesta dhe i kuptoj plotësisht… Ishim në kontakt me Ministrinë e Arsimit dhe ata vetëm na kanë informuar se lënda është në OSHP”, shtoi Ajeti

    Mësimdhënësit e kësaj shkolle fillore janë të shqetësuar së procesi mësimor nuk është efektiv dhe kështu po dëmtohen nxënësit.

    Profesori Drilon Pira thotë se një orë mësimorë prej 25 minutash është e pamjaftueshme për mësimdhënie dhe mëximnxënie.

    “Pa dyshim që është mjaftë e vështirë sepse 25 minuta janë të pamjaftueshme nevojat e nxënësve, sidomos nga një mësimdhënës por edhe mësimnxënia nuk është efektive në këtë aspekt, prandaj thirrjet tona duhet të jenë ndaj të gjithëve… Ne kemi vazhduar mësimin në këtë objekt ku jemi tani po mundohemi të rikuperojmë ato mungesa që kanë nxënësit por presim, lutemi në çfarë do forme procedurat administrative mos me qenë problematike për ndërtimin e shkollës se re”, tha Pira.

    Ndërsa profesoresha Fitore Halili tha se orën e saj të artit figurativ e ka të pamundur të zhvillojë për vetëm 25 minuta.

    “Është e pamundur për të realizuar një orë mësimore sa i përket sidomos lëndës time të artit figurativ të zhvillohet një orë e mësimit tash si duhet me një kohë kaq të shkurtër… Gjithmonë është kërkesa jonë tash e sa vjet por është e pamundur më mbërri atë çka ne po e duam”, tha Halili.

    Prindërit nuk janë aspak të kënaqur me situatën aktuale. Liridona Alabaku, e cila ka dy fëmijë në këtë shkollë, bëri të ditur se mësimi për fëmijët e saj zgjat vetëm dy orë.

    “Procesi mësimor që katër vite është tmerr i Zotit, djalin e kam klasën e tretë, të madhin në klasën e pestë, mësimi fillon në 12:15 mbaron në 14:15. Vetëm dy orë është shumë pak po ishalla bëhet mirë, edhe për neve, edhe për fëmijët se mësimi është katastrofë. Shkolla është ndërtuar vetëm se nuk është kompletuar sa duhet qe sa vite, fëmijët e mi me këtë orarë, katastrofë” tha Alabaku.

    Edhe nxënësit nuk janë aspak të kënaqur. Lorjana Halabaku, nxënëse e klasës së pestë, thotë se mësimi fillon shumë vonë dhe nuk po ndikon mirë tek ajo.

    “Jam në klasën e në ndërrimin e pestë dhe mësimi fillon në ora 17:20 dhe mbaron në 17:55 dhe nuk kemi shumë efekte të mira të mësimit dhe shpresojmë që sa më shpejt me u ndërtuar shkolla e re”, u shpreh Halabaku

    Edhe Lejla Pira, nxënëse në këtë shkollë, tha se presin që ndërtimi shkollës të përfundojë sa më shpejtë dhe t’i rikthehen procesit normal mësimor.

    “Ora mësimore tek ne është vetëm 25 minuta kemi dëshirë me ndërtuar shkollën e re që me pas orën si shkollat tjera”, shtoi Pira

    Në lidhje me përfundimin e objektit të ri të shkollës “Halil Alidemi”, KosovaPress ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Arsimit, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

  • Sonte super derbi në Angli, Tottenham-Liverpool

    Sonte super derbi në Angli, Tottenham-Liverpool

    Sonte do të zhvillohet derbi mes Tottenhamit dhe Liverpoolit, që i takon javës së shtatë në Premierligë.

    Të dyja ekipet e kanë nisur mirë sezonin e ri dhe gjenden në katër pozitat e para në tabelë.

    Liverpool është në vendin e dytë me 16 pikë, dy më pak se lideri Manchester City.

    Në anën tjetër, Tottenham është në vendin e katërt me dy pikë më pak se ekipi i drejtuar nga Jurgen Klopp.

    Ndeshja fillon nga ora 18:30 dhe zhvillohet në stadiumin “Tottenham Hotspur” në Londër.

  • Tre trupat e terroristëve të vrarë sot iu dorëzohen familjarëve

    Tre trupat e terroristëve të vrarë sot iu dorëzohen familjarëve

    Trupat e tre të vrarëve në Bansjkë të Zveçanit do t’ju dorëzohen sot familjarëve.

    Burime brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore kanë konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se trupat e të vrarëve sot i marrin familjarët e tyre.

    Aksioni në Bajsnkë të Zveçanit kishte nisur në orët e hershme të së dielës ku ishte vrarë një polic e plagosur dy të tjerë.

    Pastaj, Policia kishte vrarë tre të dyshuar ndërsa sulmuesit tjerë kishin arritur të largoheshin pasi ishin strehuar për disa orë në Manastirin e Bajnskës.

    Ky aksion është cilësuar si terrorist nga Policia e Kosovës, ambasadorët dhe nga BE-ja.

  • Borell i bën thirrje Serbisë ta tërheqë ushtrinë nga kufiri me Kosovën

    Borell i bën thirrje Serbisë ta tërheqë ushtrinë nga kufiri me Kosovën

    Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i bëri thirrje Serbisë të shtunën ta ndalë menjëherë zhvendosjen e ushtrisë përgjatë kufirit me Kosovën dhe t’i tërheqë trupat e vendosur deri tani.

    Zhvendosja trupave serbe përgjatë kufirit me Kosovën vjen rreth një javë pas sulmit të 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë një zyrtar policor.

    Shefi i diplomacisë së BE-së tha për disa media ndërkombëtare se blloku është duke diskutuar me partnerët dhe aleatët e vet për gjendjen e tanishme veri të Kosovës, ku sasia e armatimit të gjetur nga Policia e Kosovës “është shumë serioze”.

    Policia e Kosovës e gjeti dhe konfiskoi një arsenal armësh pas sulmit.

    Përgjegjësinë për organizimin e sulmit e mori Millan Radoiçiq, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

    “Në të njëjtën kohë grumbullimi ushtarak i Serbisë në afërsi të linjës administrative kufitare është shumë shqetësuese. Kjo duhet të ndalet menjëherë”, tha Borrell, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Ai nguli këmbë se “nuk ka vend për grumbullim të ushtrisë dhe forcave të sigurisë në kontinentin e Evropës. Forcat duhet të tërhiqen“.

    Të premten, Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje Serbisë t’i tërheqë trupat nga kufiri, duke e quajtur zhvendosjen e tyre “zhvillim shumë destabilizues”.

    Borell pret që përgjegjësit për sulmin e 24 shtatorit të ndëshkohen dhe Kosova dhe Serbia t’i kthehen dialogut.

    “Duhet të kthehemi prapa në situatën në të cilën palët bisedojnë dhe të kthehemi në dialogun e lehtësuar nga BE-ja i cili është e vetmja platformë për normalizimin e raporteve mes tyre“ shtoi ai.

    Sulmi ndodhi rreth dy javë pasi Kurti dhe Vuçiqi dështuan të arrijnë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve gjatë takimit të nivelit të lartë të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimit Evropian më 14 shtator në Bruksel.

    Prishtina beson se duhet të jetë një njohje reciproke, ndërsa Beogradi insiston në një zgjidhje kompromisi.

    Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e shpallur më 2008, dhe ka mbështetjen e aleatëve Rusisë dhe Kinës kundër saj për këtë.