ATV

Blog

  • Abdixhiku: Radojiçiq t’iu dorëzohet organeve kosovare të drejtësisë

    Abdixhiku: Radojiçiq t’iu dorëzohet organeve kosovare të drejtësisë

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Milan Radojiçiq duhet t’iu dorëzohet organeve kosovare të drejtësisë.

    “Një përpjekje e kot dhe gjithsesi e vonshme e Serbisë dhe Presidentit Vuçiq për t’u distancuar nga organizimi dhe strehimi i terroristëve të Banjskës. Tani që stërvitja, armatosja, mbështetja logjistike e vet strehimit të terroristëve kanë dalë në shesh botërisht përpjekjet e tilla janë lëvizje dëshpëruese për distancim”.

    “Terroristi Radojciq duhet t’i dorëzohet organeve kosovare të drejtësisë, si pjese e pashmangshme e bërjes se drejtësisë për vrasjen e heroit Bunjaku. Një vend kandidat për në BE nuk duhet të tolerohet me një politikë të tillë”.

    “Komuniteti ndërkombëtar duhet të mbaje përgjegjës institucionet udhëheqëse te Serbisë, politike dhe ato të sigurisë, për një tendence te tille. Për Kosovën, në të njëjtën kohe, është e domosdoshme fitorja e betejës diplomatike sot dhe rikthimi i pozicionit tonë të drejtë në raport me Serbinë”.

  • FFK vazhdon me projektin për zbuilimin e talentëve në futboll

    FFK vazhdon me projektin për zbuilimin e talentëve në futboll

    Projekti ‘Elite Youth Development Programe U15’ po vazhdon ritmin e tij të punës tash e disa javë me ndeshjet e përzgjedhjeve të rajoneve. Këto ndeshje po zhvillohen çdo të martë e të mërkurë, duke i dhënë mundësi secilit prej lojtarëve të këtij projekti të tregojnë aftësitë dhe talentin e tyre, por njëkohësisht edhe zhvillimin e tyre të mëtutjeshëm. Paraqitjet e secilit ekip e lojtar po vëzhgohen me vëmendje nga përgjegjësi i këtij projekti, Edmond Rugova dhe stafi i trajnerëve tjerë të përfshirë në këtë program, si dhe nga stafi i Kombëtares U15 në krye me përzgjedhësin, Ilir Nallbanin.

    Ky i fundit përmes këtij projekti është duke e krijuar ekipin me të cilin do të paraqitet në turneun ndërkombëtar që mbahet në fund të këtij muaji në Shqipëri, e ku krahas nikoqirëve dhe Kosovës marrin pjesë edhe Maqedonia e Veriut dhe Hungaria.

    Përgjegjësi i këtij projekti, Edmond Rugova vlerëson se puna e bërë deri më tash është shumë pozitive dhe se gjithçka po ecën sipas dinamikës dhe planprogramit. “Është e jashtëzakonshme të shihet dallimi ndërmjet dy apo tri xhirove të para me atë ku jemi sot. Përgjegjësia e lojtarëve, rrjedhshmëria në lojë, kuptimi i lojës dhe shprehja e aftësive të tyre, por edhe përmirësimi i aspektit fizik është i jashtëzakonshëm”, ka thënë Rugova. Atij i ka lënë përshtypje të jashtëzakonshme fakti që në fundjavën e kaluar një talent i cili është pjesë e këtij programi, Elvir Gashjani ka arritur të bëjë debutimin në fanellën e Llapit dhe atë duke shënuar gol.

    “Moment i jashtëzakonshëm të shohësh një lojtar që doli nga ecuria e këtij projekti duke e realizuar debutimin e tij në Superligë me fanellën e Llapit dhe atë me gol. Ndoshta nuk është i vetmi dhe sigurisht se do të ketë edhe shumë të tjerë, por e përgëzoi Tahir Batatinën me stafin e tij që ia kanë dhënë besimin dhe mundësinë këtij djaloshi 17-vjeçar t’i shprehë vlerat e tij në elitë. E ky në fakt është qëllimi ynë, që këtyre djemve t’u krijojmë kushte dhe t’i japim mundësi për ta shprehur talentin e tyre. Ky projekt me vazhdimësinë e tij mund të shndërrohet në një program ushqyes stabil për kombëtaret zinxhir deri në ekipin A. E ky njëherësht është thelbi i punës sonë që në të ardhmen e afërt të shndërrohemi një akademi të qëndrueshme”, ka shtuar Rugova.

    Ai ka bërë të ditur se faza e turneut ndërajonal në kuadër të këtij projekti do të përmbyllet javën tjetër, kurse më pas do të mbahet një punëtori me të gjithë trajnerët e përfshirë në këto projekt, ku do të jepen vlerësimet për punën e deritashme dhe udhëzimet për punën e mëtejshme, e cila do të vazhdojë me stërvitje nëpër regjione.

    Ndërkohë, në fillim të vitit të ardhshëm do të nisë puna edhe me gjeneratën 2010, teksa deri në korrik do të vijojë puna edhe me gjeneratën aktuale 2009.

    E të kënaqur me tërë ecurinë e këtij projekti, por edhe punën që po bëhet aty janë shprehur edhe vetë lojtarët.

    Ernest Rama nga regjioni i Gjakovës ka vlerësuar faktin se në këtë projekt ka konkurrencë të fortë dhe kjo po i ndihmon ata të zhvillohen edhe më shumë si lojtarë. “Në këtë projekt ka shumë konkurrencë, ka lojtarë shumë të mirë dhe na ka ndihmuar ta shprehim talentin tonë. Tash po kemi edhe lojë në kampionat. Këtu i kemi zhvilluar 10 ndeshje. Ato po janë shumë konkurruese, ku po ka lojtarë të fortë si në aspektin teknik edhe në atë fizik. Kemi një raport shumë të mirë me stafin e trajnerëve të këtij projekti, të cilët janë njerëz që e njohin futbollin dhe gjithçka po shkon si duhet. Ku e shoh të ardhmen? Duke filluar me hapa të vegjël në Superligën e Kosovës, e më pas pse jo edhe më lart në ligat e Evropës. Me punë, çdo gjë arrihet”, është shprehur Rama. Ndërkaq, Bebart Selmani nga regjioni i Prishtinës theksoi se ky projekt ia ka mundësuar atyre si lojtarë që ta shprehin talentin e tyre. “Kemi pasur deri tash 10 lojë, të cilat besoj janë të mjaftueshme për ta treguar potencialin tonë. Jam i lumtur me këtë projekt, derisa edhe trajnerët janë përkujdesur për ne për t’u përmirësuar në vazhdimësi. E ardhmja ime? Shpresoj që një moshë të re edhe unë të debutoj në Superligë, e pse jo të arrij edhe më shumë”, ka thënë Selmani.

  • Szunyog viziton veriun e Kosovës: Dëgjova perspektiva të ndryshme për situatën aktuale

    Szunyog viziton veriun e Kosovës: Dëgjova perspektiva të ndryshme për situatën aktuale

    Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog e ka vizituar veriun e Kosovës. Pas kësaj vizite, ai deklaroi se nga atje dëgjoi perspektiva të ndryshme rreth situatës aktuale.

    Në një postim në “X”, Szunyog ka thënë se zhvillimet e fundit tregojnë rrezikun që kanë qytetarët që jetojnë në atë pjesë.

    “Në një vizitë në veri të Kosovës, dëgjova zëra dhe perspektiva të ndryshme për situatën aktuale në terren. Zhvillimet e fundit janë një përkujtues i ashpër dhe tragjik i asaj çfarë rrezikohet për njerëzit që jetojnë në veri të Kosovës, për sigurinë e të gjitha komuniteteve të saj dhe për rajonin më të gjerë”, ka shkruar ai.

    Tutje ai ka bërë të ditur se ka theksuar rolin dhe rëndësinë që kanë aktorët për të kontribouar në uljen e tensioneve.

  • Stërvitja e terroristëve me “Humvee”/ “Pretendim Serioz”, DASH-i për ATV-në: Po e trajtojmë këtë çështje

    Stërvitja e terroristëve me “Humvee”/ “Pretendim Serioz”, DASH-i për ATV-në: Po e trajtojmë këtë çështje

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke i trajtuar seriozisht video-dëshmitë e prezantuara nga Policia e Kosovës, në të cilat grupi terrorist i cili kreu sulmin në Banjskë, shihen teksa kryejnë stërvitje me automjetet amerikane “Humvee” në bazat ushtarake serbe.

    Këtë e konfirmoi Departamenti Amerikan i Shtetit në një përgjigje për ATV-në.

    “Shtetet e Bashkuara e marrin seriozisht secilin pretendim përfshinë pajisjet e dhëna nga SHBA-ja kudo në botë. Ne jemi duke e trajtuar këtë çështje”, i tha ATV-së një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit.

    Në pamjet e stërvitjeve të grupit terrorist të udhëhequr nga Milan Radojicic, të marra nga dronët e konfiskuar, shihen dy automjete “Humvee” të cilat dyshohen se janë donacion i SHBA-ve për ushtrinë e Serbisë. /atvlive.tv

  • Para arrestimit, policia serbe kontrolloi banesën dhe ambientet e tjera të Milan Radoiçiqit

    Para arrestimit, policia serbe kontrolloi banesën dhe ambientet e tjera të Milan Radoiçiqit

    Para pak minutash MUP-i serb ka njoftuar për arrestimin e Milan Radoiçiqit.

    Fillimisht punonjësit e policisë së Drejtorisë së Policisë Kriminale kanë kontrolluar banesën dhe ambientet e tjera të Milan Radoiçiqit.

    Pas kësaj a është dërguar në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd me kallëzim penal, njoftoi MPB.

    I njëjti është ndaluar nga policia deri në 48 orë.

    Radoiçiq më 30 shtator iu përgjigj ftesës së autoriteteve shtetërore të Republikës së Serbisë, për të dhënë deklaratë si qytetar për rrethanat e ngjarjes tragjike në qytetin e Banjskës, e cila ndodhi më 24 shtator.

    Nga ky sulm terrorist i përbërë nga 30 persona mbeti i vrarë një polic i Kosovës.

    Si pjesë e grupit Radoiçiq u zbulua nga një dron, pamjet e të cilit i publikoi Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës Xhelal Sveçla. /24

  • LAJMI I FUNDIT: Arrestohet Millan Radojçiq

    LAJMI I FUNDIT: Arrestohet Millan Radojçiq

    Milan Radoiçiq, biznesmeni kontrovers, i cili sipas pretendimeve të tij është organizator i konfliktit të armatosur në Banjskë të Kosovës ku humbën jetën katër persona, është arrestuar sot, njoftoi MPB-ja e Serbisë.

    “Më 3 tetor 2023, punonjësit e policisë së Drejtorisë së Policisë Kriminale kanë kontrolluar banesën dhe lokalet e tjera të Milan Radoiçiqit, i cili është urdhëruar që policia të ndalojë deri në 48 orë. Ai me kallëzim penal është sjellë në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd”, thuhet në MPB.

  • Tre persona të vrarë nga të shtënat në Bangkok, arrestohet i dyshuari 14-vjeçar

    Tre persona të vrarë nga të shtënat në Bangkok, arrestohet i dyshuari 14-vjeçar

    Tre persona janë vrarë si pasojë e të shtënave me armë zjarri në një qendër tregtare në qendër të kryeqytetit tajlandez, Bangkok.

    I dyshuari, 14-vjeçar, është arrestuar. Ai dyshohet se e ka përdorur armën në incident.

    Në disa pamje në rrjetet sociale janë parë shumë njerëz duke ikur nga qendra tregtare.

    Ky objekt, dhe një stacion i afërt metroje, janë mbyllur.

    Sulmet me të shtëna masive janë të rralla në Tajlandë, ndonëse përqindja e personave që posedojnë armë është relativisht e lartë për rajonin.

    Në tetor të vitit të kaluar, një ish-zyrtar policor pati vrarë të paktën 37 persona, shumica prej tyre fëmijë, në një qendër për fëmijë në provincën Nong Bua Lamfu.

    Më 2020, një ushtar i këtij shteti i ka lënë të vdekur 29 persona dhe i ka plagosur dhjetëra tjerë në qytetin Nakhon Ratçasima./REL/

  • Aksident trafiku në rrugën Prishtinë-Ferizaj, vdes një person

    Aksident trafiku në rrugën Prishtinë-Ferizaj, vdes një person

    Një person ka vdekur si pasojë e një aksidenti në rrugën Prishtinë-Ferizaj.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila tha se në aksident kanë qenë të përfshira dy automjete, një kamion dhe një veturë.

    “Sot rreth orës 13:15 kemi pranuar informatën se në rrugën Prishtinë – Ferizaj, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira, dy automjete (një kamion dhe një veturë), të cilat kanë qenë në lëvizje. Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar një person e cila nuk ka arritë të përballojnë plagët dhe e njëjta ka ndërruar jetë . Vdekjen e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Me rastin po merret hetuesia nga njësiti i trafikut rrugor”, tha Ahmeti.

  • Kjo është komuna e parë në Kosovë që ka nisur përdorimin e inteligjencës artificiale, këto janë rezultatet

    Kjo është komuna e parë në Kosovë që ka nisur përdorimin e inteligjencës artificiale, këto janë rezultatet

    Komuna e Pejës për herë të parë transkriptoi me inteligjencën artificiale në Seancën e rregullt të Kuvendit komunal.

    Kështu bëhet e ditur në komunikatën e Komunës së Pejës në të cilën thuhet se sot u bë një hap i rëndësishëm drejt të ardhmes duke përdorur inteligjencën artificiale për të transkriptuar seancën e Kuvendit të Komunës së Pejës të datës 29.09.2023, ku u diskutua dhe u aprovua buxheti i Komunës për vitin 2024, ky transkriptim u bë në vetëm 20 minuta.

    “Përmes Shqip.ai, arritëm të transkriptojmë 230 minuta të diskutimeve te pikave të rendit të ditës e edhe miratimit të buxhetit për vitin 2024 në Kuvendin Komunal të Pejës në vetëm 20 minuta, duke mbuluar një saktësi prej mbi 95%.”, thuhet në komunikatë.

  • Dëshmitari Koqinaj: Gjatë luftës nuk kam dëgjuar për ndonjë person me nofkën “Ujku”

    Dëshmitari Koqinaj: Gjatë luftës nuk kam dëgjuar për ndonjë person me nofkën “Ujku”

    Dëshmitari i tretë i mbrojtjes në gjykimin ndaj Pjetër Shalës, Naser Koqinaj, ka thënë se gjatë luftës nuk ka dëgjuar për ndonjë person me nofkën “Ujku”.

    Këto komente, dëshmitari i bëri pas pyetjes së avokatit të palës mbrojtëse, Jean-Louis Gilissen lidhur me atë se a ka njohur ndonjë person me këtë nofkë gjatë kohës së luftës, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    I pyetur se gjatë qëndrimit të tij në Fabrikën e Metalit në Kukës a ka dëgjuar për ndonjë person me emrin Pjetër Shala, (dëshmitari nuk është dëgjuar).

    Ndryshe, në sesionin e paradites dëshmitari Koqinaj i është përgjigjur pyetjeve të palës mbrojtëse, të cilën e ka përfaqësuar avokati Jean-Louis Gilissen.

    Ai nga avokati Gilissen është pyetur për periudhën nga fillimi i kyçjes në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e deri në përfundim të luftës.

    Me këtë rast, dëshmitari Koqinaj ka thënë se në UÇK është kyçur në vitin 1998 dhe ka vazhduar angazhimin e tij në Magazinën numër 2 në Kukës, si person i caktuar për shpërndarjen e uniformave të UÇK-së deri në përfundim të luftës, ku bashkë me ushtarët gjermanë të KFOR-it është kthyer në Kosovë, respektivisht në Prizren.

    Ndërsa, për angazhimet në magazinën e lartcekur, dëshmitari ka thënë se ai vetë e ka hapur dhe mbyllur këtë magazinë, aty nuk ka fjetur askush në të sepse sipas tij në magazinë ka pasur vetëm uniforma.

    Ai ka thënë se person përgjegjës i magazinës ka qenë Rexhep Kelmendi.

    Po ashtu, dëshmitari është pyetur se a kishte njohuri kush ishin Zijadin Hoxha dhe Bedri Dervishaj, dhe për doktorin Ilir Rakaj. Ndërsa, përgjigjet e dëshmitarit në disa pyetje të avokatit të palës mbrojtëse nuk janë dëgjuar.

    Naser Koqinaj fillon dëshminë në gjykimin ndaj Pjetër Shalës

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj Pjetër Shalës, të martën ka filluar dëshminë dëshmitari i tretë i mbrojtjes, Naser Koqinaj, i cili njëherësh është dëshmitari i 15-të me radhë në këtë çështje.

    Emri i dëshmitarit Naser Koqinaj, është përmendur edhe dje në seancën ku ka dëshmuar dëshmitari i dytë i mbrojtjes Bedri Dervishaj, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Ndryshe, gjatë muajit shkurt ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

    Në mars ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht ka filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.

    Dëshmitari i parë ka filluar dëshminë e tij më 27 mars dhe e ka përfunduar më 28 mars, dëshmitarja e dytë ka filluar dëshminë më 28 mars dhe e ka përfunduar më 29 mars, dëshmitari i tretë ka filluar më dëshminë më 29 mars dhe e ka përfunduar më 30 mars, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e katërt.

    Kurse, dëshmitari i pestë e filloi dëshminë më 1 maj, ndërsa e përfundoi më 2 maj, ku edhe filloi dëshmia e dëshmitarit të gjashtë, e cila përfundoi më 3 maj. Më pas, dëshmia e dëshmitarit të shtatë filloi më 30 maj, e vazhdoi më 31 maj dhe e përfundoi më 6 qershor.

    Ndërkaq, dëshmitari i tetë, ekspert për identifikimin e ADN-së ka dhënë dëshminë e tij më 16 qershor, kurse dëshmitari i nëntë, eksperti mjekoligjor ka filluar dëshminë më 26 qershor dhe e përfundoi më 3 korrik.

    Dëshmitari i 10-të me radhë, eksperti Ëilliam Goodëin ka përfunduar dëshminë e tij më 4 korrik.

    Ndërkaq më 21 gusht ka filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave, kur janë dëgjuar në të njëjtën kohë dëshmitaret 11-të dhe 12-të, konkretisht dy ekspertet mjeko-ligjore Karin Dune-Prinsen dhe Lozano Parra. E më 20 shtator filloi dëshminë dëshmitari Bardhyl Mahmuti, i cili e përfundoi më 21 shtator.

    Kurse, më 3 tetor 2023 filloi dhe përfundoi dëshminë dëshmitari Bedri Dervishaj.

    Ndryshe, Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

    Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

    “Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.