ATV

Blog

  • Mandl: Vuçiq do përshkallëzim, njerëzit në Kosovë janë të frikësuar

    Mandl: Vuçiq do përshkallëzim, njerëzit në Kosovë janë të frikësuar

    Eurodeputeti austriak Lukas Mandl, ka kritikuar Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell bashkë me anëtarët e tjerë të Komisionit, të cilët nuk morën pjesë në seancën e sotme në Parlamentin Evropian.

    Sipas Mandl, Komisioni ka dështuar me politikën e vetë në Ballkanin Perëndimor.

    “Komisioni nuk duhet t’i kthehet punës së vet të përditshme, sikur çdo gjë është në rregull. Duhet t’ia bëjë të qartë regjimit të Vuçiqit dhe të gjithë të tjerëve në atë anë, se njerëzit në Kosovë s’mund të provohen e duhet të ketë deeskalim”, tha Mandl.

    Më pas, ai shtoi se kosovarët janë të frikësuar pasi sjellja e Serbisë u kujton luftën, teksa ajo çka dëshiron Vuçiqi është vetëm përshkallëzimi.

    “Pas ngjarjeve të fundit njerëzit në Kosovë janë të frikësuar. Kujtimi i luftës dhe mizorisë është i pranishëm. Me udhëheqësit serbë, Komisioni Evropian nuk duhet t’i kthehet punës si zakonisht. Liderët e Kosovës mund të mos lejojnë të provokohen. Përshkallëzimi – çfarë dëshiron Vuçiq. Depërshkallëzimi – ajo që meriton bota” shtoi Mandl.

  • Gjuajtja me armë te “Kodra e Trimave” – Plagosen dy persona

    Gjuajtja me armë te “Kodra e Trimave” – Plagosen dy persona

    Një gjuajte me armë ka ndodh sonte në lagjen e njohur si “Kodra e Trimave” në Prishtinë.

    Si pasojë e gjuajtjeve kanë mbetur të plagosur dy persona.

    Njëri nga të plagosurit është T.K.

    Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e cila ka treguar se “rreth orës 19:45, është raportuar për gjuajtje me armë zjarri në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë”.

    “Me të marrë informatën, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para është bërë e ditur se ngjarja ka ndodhur brenda një dyqani dhe për pasojë dy persona kanë marrë plagë nga arma e zjarrit”.

    Policia ka njoftuar se të lënduarit janë dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor.

    “Policia ka vazhduar me veprime të tjera operativo-hetimore dhe atyre të ekzaminimit me ç’ rast ka gjetur dhe sekuestruar edhe një armë zjarri”.

    Bëhet e ditur se dy persona janë arrestuar nga Policia.

    “Dy persona janë arrestuar nga policia nën rrethana që ndërlidhen me ngjarjen, ndërkaq vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në rast si dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”.

  • Aksident i rëndë në Itali, 20 viktima dhe 40 të plagosur

    Aksident i rëndë në Itali, 20 viktima dhe 40 të plagosur

    Një ngjarje e rëndë raportohet të ketë ndodhur mbrëmjen e kësaj të marte në Itali.

    Një autobus, me shumë persona në bord ka rënë nga mbikalimi në Mestre, Venezia, duke përfunduar në shinat e trenit, që ndodhen ngjitur me rrugën.

    Paraprakisht, sipas asaj që shkruan La Repubblica, raportohet për të paktën 20 të vdekur dhe mbi 40 të plagosur.

    Dinamika e ngjarjes së rëndë, që ndodhi rreth orës 19:30, nuk dihet ende, as nëse bëhet fjalë për një autobus me turistë apo të linjës.

    Në vendin e ngjarjes ndodhen shërbime të shumta zjarrfikëse, ambulanca dhe policia. Po ashtu, mediat fqinje shkruajnë se në gjendje gatishmërie janë vënë të gjitha spitalet që ndodhen pranë.

    Linja hekurudhore mes Mestre-s dhe Venezia-s është bllokuar për shkak të aksidentit. /tvklan.al/

  • SHBA: Serbia ka filluar të tërheqë forcat nga kufiri me Kosovën

    SHBA: Serbia ka filluar të tërheqë forcat nga kufiri me Kosovën

    Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, John Kirby tha të martën se Serbia ka filluar tërheqjen e forcave serbe përgjatë kufirit me Kosovën.

    “Që kur deklaruam publikisht se kishim parë forcat serbe përgjatë kufirit, i kemi parë se kanë filluar t’i tërheqin ato forca nga aty. Kjo është diçka pozitive, do të ndihmojë për të shtensionuar situatën. Nuk do t’i eliminojë tensionet, por do ta zbusë situatën”, u tha Kirby gazetarëve në Uashington, raporton Zëri i Amerikës.

    Reagimi nga Uashingtoni për tërheqjen e forcave ushtarake serbe përgjatë kufirit me Kosovën vjen disa ditë pasi Shtetet e Bashkuara shprehën shqetësimin për një grumbullim të madh ushtarak nga Serbia përgjatë kufirit me Kosovën, që sipas tyre përfshinte artileri të avancuar, tanke dhe njësi ushtarake të mekanizuara. Shtetet e Bashkuara e quajtën këtë grumbullim “të pashembullt”.

    Kirby tha se Shtetet e Bashkuara nuk planifikojnë të shtojnë numrin e trupave paqeruajtëse amerikane në KFOR, ndërkohë që NATO-ja ka paralajmëruar se do të rrisë numrin e trupave në kuadër të misionit të saj në Kosovë pas sulmit të grupit të armatosur serb në pjesën veriore të vendit më 24 shtator.

  • “Rasti i 53 milionëshit”, Hoti thotë se buxheti i Kosovës s’ishte i mjaftueshëm për ta përballuar

    “Rasti i 53 milionëshit”, Hoti thotë se buxheti i Kosovës s’ishte i mjaftueshëm për ta përballuar

    Përgatiti: Nora Luta

    Kjo ka qenë përgjigjja më e shpeshtë e deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti, gjatë dëshmisë së tij në rastin e 53-milionëshit.

    Hoti ka qenë shumë i rezervuar të japë vlerësime financiare rreth kostos dhe nënshkrimit të aneks-kontratës për zgjatjen e punimeve në autostradën që lidh Prishtinën me Shkupin.

    Deputeti që kishte ardhur në postin e ministrit të Financave, pasi ishte nënshkruar kontrata me Bechtel Enkën, kishte qenë anëtar i Komitetit ndërministror, është pyetur edhe për dallimet e kostos financiare të dy kontratave për zgjatjen e afatit të punimeve për të njëjtën periudhë kohore.

    Ai tha se autoriteti kontraktues ka pasur për obligim t’i zbatojë rekomandimet e kompanisë për mbikëqyrjen e punimeve.

    Hoti, aktualisht deputet LDK-së, është ballafaquar me pyetje edhe nga trupi gjykues. Ai ka theksuar se nuk është mbetur pa u paguar asnjë faturë rreth shpenzimeve për autostradën.

    Gjykimi në këtë rast pritet të vazhdojë gjatë muajit nëntor, ku është në plan të dëshmojnë përfaqësuesit e “Betchel Enkes” dhe “Hill International”.

    Sipas aktakuzës, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe si kryesues i Komitetit Ndërministror, bashkë me të akuzuarit e tjerë, i kanë shkaktuar dëm buxhetit të shtetit, në vlerë prej rreth 53 milionë eurove.

    Para ishin paguar për kompaninë amerikano-turke “Bechtel&Enka” në emër të penalltive për vonesat në ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”, Prishtinë – Hani i Elezit, derisa opinioni i kompanisë mbikëqyrëse “Hill” kishte rekomanduar vlerën mbi 14 milionë.

  • 800 mijë euro i kanë kushtuar buxhetit 129 punonjësit serbë pa shkuar fare në punë

    800 mijë euro i kanë kushtuar buxhetit 129 punonjësit serbë pa shkuar fare në punë

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Vitin e shkuar, 129 punëtorë të komunitetit serb janë paguar pa u evidentuar fare në punë. Kjo buxhetit të Kosovës i ka kushtuar 800 mijë euro.

    “Nga 199 sa ishin në vitin paraprak, në vitin 2022 kanë mbetur 129 punonjës të shpërndarë në 4 ministri, dy ministri veçse kanë marrë masa për akomodimin apo largimin apo ndaljen e pagesave për punonjës që nuk e vijojnë punën”, tha Vlora Spanca, auditore e përgjithshme.

    E për pagesat e serbëve që nuk paraqitën në punë, si dhe mungesat e deputetëve në përgjithësi, u hodhën kritika mes opozitës e ekzekutivit. Nga opozita u kërkua që këto paga të mos ekzekutohen më.

    Këtë vit kjo organizatë është shpallur terroriste dhe kur kjo organizatë është shpallur terroriste të gjithë ata pjesëtarë që kanë qenë pjesë e kësaj strukture, besoj që është dashur të mos paguhen më. A vazhdojnë t’i paguajmë ata njerëz që kanë punuar për institucionet që janë shpallur terroriste?”, tha deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj.

    Gjatë raportimit në Komisionin për mbikëqyrjen e financave publike, auditorja e përgjithshme njoftoi se Zyra Kombëtare e Auditimit gjatë vitit 2022, nuk ka arritur ta kryejë auditimin e pasqyrave financiare për katër komunat në veri.

    Ndërsa, u theksua se borxhi shtetëror në fund të vitit të kaluar ka shënuar rritje për katër për qind.

  • Kurti: Çështja më urgjente është siguria për Kosovën dhe ndëshkimi për Serbinë

    Kurti: Çështja më urgjente është siguria për Kosovën dhe ndëshkimi për Serbinë

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Kryeministri Albin Kurti kërkoi që Serbia të ndëshkohet për rolin e saj si shtet në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, në të cilin u vra rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy zyrtarë policorë.

    Pasi tregoi se shumica e të identifikuarve janë pjesëtarë të dy organizatave terroriste “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, kryeministri theksoi përfshirjen e shtetit serb në sulmin e udhëhequr nga Milan Radojicic.

    “Çështja më e rëndësishme dhe urgjente sot është siguria për Kosovën e sulmuar dhe ndëshkimi për sulmuesit. Ndëshkimi për sulmuesit nënkupton ndëshkimin e Serbisë, e cila e mbështeti financiarisht, ushtarakisht, logjistikisht, politikisht, publikisht, zyrtarisht atë që ndodhi në Banjskë të Zveçanit, të dielën e 24 shtatorit”, tha Kurti.

    Pa e përmendur direkt dialogun, kryeministri Kurti tha se asnjë forum apo samit nuk mund të jetë njësoj pas sulmit terrorist ndaj Kosovës.

    “Derisa unë kam qenë në tavolinën e dialogut në Bruksel dhe në samitet e Procesit të Berlinit, për t’i lidhur marrëveshjet për të ardhmen, siç kemi parë para një jave Serbia po punonte në plane ushtarake për aneksimin e territorit tonë. Kjo tregon që fqinji ynë në veri nuk është i interesuar për bashkëpunim rajonal, për anëtarësim në BE. Por, në vend të kësaj ka orientime alternative gjeopolitike të cilat janë në frymën e ambicieve hegjemonike ndaj fqinjëve. Është me rëndësi që pas sulmit terrorist të Serbisë ndaj Kosovës të mos vazhdohet sikur asgjë nuk ka ndodhur”, tha Kurti.

    Më pak se dy javë nga takimi në Tiranë, në kuadër të Procesit të Berlinit, kryeministri Albin Kurti tha se bashkëpunimi rajonal duhet të bazohen në parimet e barazisë dhe reciprocitetit.

    Ai theksoi keqardhjen që Samiti i 16 Tetorit pritet të mbahet pa nisjen e zbatimit të tri marrëveshjeve të nënshkruara në Nëntor të vitit të kaluar, në Gjermani.

  • Në Dhomat e Specializuara në Hagë, të martën, ka vazhduar gjykimi ndaj Pjetër Shalës

    Në Dhomat e Specializuara në Hagë, të martën, ka vazhduar gjykimi ndaj Pjetër Shalës

    Përgatiti: Nora Luta

    Pa masa mbrojtëse, Naser Koqinaj, është paraqitur në bankën e dëshmitarit në procesin gjyqësor për krime lufte ndaj Pjetër Shalës, që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës, në Hagë. Koqinaj, që është dëshmitari i tretë i mbrojtjes, ka pohuar se gjatë periudhës së luftës nuk ka pasur njohuri për asnjë person me nofkën “Ujku”.

    Koqinaj është pyetur për periudhën kur ishte pjesë e Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e deri në përfundim të luftës. Ai ka rrëfyer për angazhimin e tij në Kukës, që kishte për shpërndarjen e uniformave të UÇK-së deri në përfundim të luftës.

    Sipas tij, në magazinën në Kukës nuk ka fjetur askush në të asnjëherë, pasi ishte e destinuar vetëm për uniforma. Ai ka thënë se personi përgjegjës i saj ishte Rexhep Kelmendi.

    Pjetër Shala po mbahet në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021, dhe akuzohet për krime lufte gjatë majit dhe qershorit të vitit 1999, të kryera sipas aktakuzës në fabrikën e metalit në Kukës të Shqipërisë, e cila pretendohet se u përdor nga UÇK-ja.

  • Pikëkalimet kufitare me Serbinë, Jarinja dhe Bërnjaku, vazhdojnë të jenë të mbyllura

    Pikëkalimet kufitare me Serbinë, Jarinja dhe Bërnjaku, vazhdojnë të jenë të mbyllura

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Për më shumë se 1 javë, asnjë mjet transportues nuk ka kaluar përmes dy pikave kufitare, Jarinjë e Bërnjak, që lidhin Kosovën me Serbinë.

    Këto dy pika të kalimit kufitar u mbyllën më 24 shtator, ditën e sulmit ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i armatosur serb. Sipas të dhënave doganore, përveç këtyre dy pikave, vendkalimet e tjera kufitare janë të hapura për qarkullim.

    Sidoqoftë, ndryshimi i kahjes së transportit, sipas ekonomistit Medain Hashani, ndikon në ngritje të kostos për këtë shërbim.

    “Çdo mjet transporti kur ndërron drejtimin atij automatikisht i duhen kilometra shtesë për import, gjë që ndikon në ngritjen e çmimit, është njëra nga efektet negative për ekonominë e vendit”, tha Hashani.

    Edhe ekonomisti, Safet Gërxhaliu, thotë se situata po e pengon zhvillimin ekonomik të vendit.

    “Kosova është duke pësuar në ulje direkt të zhvillimit në sektorin ekonomik, sidomos këto kohët e fundit, sidomos në investimet e sektorit privat…”, tha Gërxhaliu.

    Ndër të tjera, ai Kosovën e sheh si vend të pasigurt për investimet e huaja.

    “Investitorët e huaj do të hezitojnë të investojnë në Kosovë për shkak të ndikimit negativ, që prodhojnë tensionet pasi nuk ndihen të sigurt, përveç importit do të bjerë edhe eksporti…”, tha Gërxhaliu.

    Përveç bartjes së mallrave, pikat kufitare Jarinjë e Bërnjak, sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, do të vazhdojnë të jenë të mbyllura edhe për një kohë për të gjitha mjetet motorike.

  • Puna e policëve, PDK pritet të propozojë në seancën e së enjtes rezolutë për përmirësimin e kushteve

    Puna e policëve, PDK pritet të propozojë në seancën e së enjtes rezolutë për përmirësimin e kushteve

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Për secilën situatë janë të gatshëm të ndërhyjnë, por zyrtarët policorë të Kosovës tash e 8 muaj nuk ka marrë asnjë cent nga buxheti i Qeverisë për rrezikshmërinë në punë.

    Pikërisht për këtë, Partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, do të propozojë rezolutë në seancën e së enjtes.

    Por veç kësaj rezoluta do të propozohet edhe me dy kërkesa të tjera.

    Këto kërkesa do të kenë edhe afate.

    Se policët kanë nevojë për përmirësim të kushteve të punës, e thotë edhe partia në pushtet, por ende nuk e ka një vendim nëse do ta përkrahë rezolutën e opozitës.

    Pikërisht për përmirësimin e kushteve të punës, Sindikata e Policës së Kosovës dorëzoi në Kuvend një peticion për të cilin ishte paraparë të diskutohej të martën në Komisioni për të Drejtat e Njeriut. Por në mbledhjen e cila zgjati pak minuta, nuk u vendos as për datën se kur do të ftohen përfaqësuesit e kësaj sindikate për diskutim.

    Ndërkaq, për gjithë punëtorët e sektorit publik, Qeveria kishe paraparë që shtesat të ekzekutohen në formë retroaktive, por një gjë e tillë nuk ndodhi asnjëherë që nga muaji shkurt.