ATV

Blog

  • Arrestohen tre persona për posedim dhe shpërndarje të substancave narkotike

    Arrestohen tre persona për posedim dhe shpërndarje të substancave narkotike

    Policia e Kosovës ka arrestuar tre të dyshuar për posedim dhe shpërndarje të paautorizuar të substancave narkotike. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Josip Rela” në Prishtinë pasditen e së enjtes.

    Sipas njoftimit të Policisë, gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar dy qese të vogla të mbushura me marihuanë me peshë prej 2.9 gram, tre telefona si dhe 6 mijë e 500 euro, 50 funta dhe 210 franga.

    “Në konsultim me prokurorin kujdestar është bërë bastisje në banesën e të dyshuarve te cilën e kanë marrë me qira dhe gjatë bastisjes kanë hasur dhe konfiskuar: 51 qese të mbushura me substancë narkotike të llojit marihuanë me peshë 115.6 gram, një peshore digjitale, një foli, një grinder, një sasi e madhe me qese të zbrazëta. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit kujdestar, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.

  • Osmani takohet me kryeministrin kroat, e njofton për sulmin ndaj Policisë në veri

    Osmani takohet me kryeministrin kroat, e njofton për sulmin ndaj Policisë në veri

    Presidentja e vendit Vjosa Osmani, ka takuar kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, gjatë Samitit të Komunitetit Politik Evropian.

    Osmani tha se me Plenkoviqin diskutuan mbi zhvillimet e fundit të sigurisë në Kosovë.

    “E informova për provat mbi aktin e agresionit të Serbisë. Ne e vlerësojmë mbështetjen e qëndrueshme të Kroacisë për vendin tonë, për paqen dhe prosperitetin në të gjithë rajonin”, tha Osmani.

  • Suedia nis ndihmë shtesë ushtarake në Ukrainë

    Suedia nis ndihmë shtesë ushtarake në Ukrainë

    Suedia do të dërgojë në Ukrainë ndihmë të re ushtarake, në vlerë të 199 milionë dollarëve, ka thënë ministri suedez i Mbrojtjes, Pal Jonson.

    Ai ka thënë se pjesa më e madhe e ndihmës përbëhet prej municionit.

    Jonson ka thënë në një konferencë për media se Qeveria u ka kërkuar zyrtarisht forcave të armatosura që të vlerësojnë nëse Suedia do të mund të dërgojnë aeroplanët luftarakë Jas Gripen në Ukrainë.

    Më vonë, Jonson e ka përmendur që për çështje të brendshme të sigurisë, Suedia fillimisht duhet të bëhet vend anëtar i NATO-s, para se të mund të shpërndajë pajisje të tilla.

    Suedia shpreson që do të mund t’i bashkohet aleancës veri-atlantike këtë vjeshtë, dhe të marrin fund procedurat e ratifikimit nga ana e Turqisë dhe Hungarisë.

    Ndihma e re ushtarake do të jetë e 14-ta që Suedia nis në Ukrainë, prej nisjes së luftës, në shkurt të vitit 2022.

    Liderët evropianë janë mbledhur në Granada të Spanjës për të diskutuar rreth përkushtimit për t’i ndihmuar Ukrainës, pas turbulencave të fundit politike në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat i kanë rritur dilemat në këtë drejtim.

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar të enjten se Rusia mund t’i sulmojë edhe shtetet tjera brenda pesë vjetëve nëse Evropa zbeh mbështetjen.Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL/

  • Shtatë të vdekur e mbi 40 të plagosur nga zjarri që përfshiu një ndërtesë banimi në Indinë perëndimore

    Shtatë të vdekur e mbi 40 të plagosur nga zjarri që përfshiu një ndërtesë banimi në Indinë perëndimore

    Shtatë persona u vranë dhe më shumë se 40 të tjerë u plagosën pasi një zjarr masiv shpërtheu në një ndërtesë banimi në shtetin perëndimor Maharashtra të Indisë, thanë autoritetet lokale të premten.

    Zjarri shpërtheu në ndërtesën shtatëkatëshe rreth orës 03:00 të mëngjesit sipas orës lokale në periferi të Mumbait të Goregaon, sipas Korporatës Komunale Brihanmumbai (BMC), shkruan AA, transmeton KosovaPress.

    BMC tha se nga 51 të plagosur, shtatë persona kanë humbur jetën nga zjarri dhe katër janë në gjendje kritike. Rreth 35 persona janë ende nën trajtim në spitale.

    Zjarri u shua rreth orës 06:54 sipas orës lokale.

    Zëvendëskryeministri i Maharashtra, Devendra Fadnavis, shkroi në X: “Ne jemi në kontakt me zyrtarët e BMC dhe policisë së Mumbait dhe e gjithë ndihma po ofrohet.”

  • “Contour Globali” e fiton Arbitrazhin 20 milionësh – Gërxhaliu: Do të dëmtohet buxheti, po frikësohen investitorët

    “Contour Globali” e fiton Arbitrazhin 20 milionësh – Gërxhaliu: Do të dëmtohet buxheti, po frikësohen investitorët

    Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu tha se dëmshpërblimi prej 20 milionë euro që Kosova do të detyrohet t’ia paguajë konsorciumit “Contour Global”, në bazë të vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit Ndërkombëtar, është goditje e rëndë për ekonominë e vendit.

    Gërxhaliu i tha Ekonomi Online se kundërshtimi i marrëveshjes për ndërtimin e Termocentralit kishte ngjyrime politike, dhe se ata që e kanë përgatitur këtë skenar kanë pritur se do të fitojnë më shumë. Sipas tij, kjo nuk është hera e parë që Kosova dëmtohet në këtë mënyrë nga veprime të papërgjegjshme të politikanëve.

    Ai pohoi se po të realizohej projekti, Kosova jo vetëm që do të siguronte energji për vete, por edhe do të mund të eksportonte. Gërxhaliu thotë se edhe ato pak investime që kanë qenë ta parapara tash do të tkurren për shkak të kësaj gjobe, ngase do të rëndohet buxheti.

    Madje shton se do të frikësohen dhe investitorët seriozë që të investojnë në Kosovë.

    “Ky informacion nuk është befasi për mua ngase më kujtohet që në vitin 2020 kur ka ndodhur një kundërshtim i tillë, kam komentuar që ka pasur ngjyrë politike dhe kam thënë që do të adresohet drejtpërdrejt në Gjykatën e Arbitrazhit. Pritjet e atyre që e kanë përgatitur gjithë këtë skenar kanë qenë që do të fitojnë shumë më tepër… Kosova në këtë drejtim nuk dëmtohet vetëm në aspektin ekonomik po dëmtohet edhe në aspektin integrues, social mbi të gjitha në aspektin emocional”.

    “Nuk është hera e parë, e dini çka ka ndodhur edhe me Telekomin. Ky është vetëm dëshmi e një katrahure që e ka kapluar Kosovën vitet e kaluara që shumë më tepër ka dominuar interesi i grupeve i partive politike sesa interesi i shtetit. Sot kur bota ballafaqohet me krizë energjetike, Kosova kishte pasur mundësi me eksportuar energji. Mirëpo ky është eksperimenti i quajtur Republika e Kosovës. Është koha për reagim është koha kur drejtësia ta thotë verdiktin e vet”.

    “Definitivisht do të jetë një goditje për buxhetin e Kosovës, do të jetë goditje për ekonominë, për qytetarin. Në fund të fundit duhet të kuptojmë që buxheti i Kosovës nuk bëhet nga politikanë po bëhet nga bizneset dhe qytetarët dhe do të ketë tkurrje të investimeve. Vërtet kjo po e dëmton shumë Kosovë, shumë kompani në të ardhmen do të ketë paragjykim se çka mund të ndodh në Kosovë, dhe do të jetë vështirë që të priten investitorë serioz”.

    Përderisa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se vendimi do të kontestohet. Pas humbjes së arbitrazhit, Kosova do të detyrohet t’ia paguaj “Contour Globalit” mbi 20 milionë euro.

    Kontrata me “Contour Global” ishte nënshkruar gjatë vitit 2017 për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, për të cilin planifikohej të ishte investimi më i madh i huaj në vlerë 1.3 miliard euro.

  • Osmani takohet me kryeministrin hungarez: E domosdoshme që Serbisë t’i kërkohet llogari për agresionin ndaj Kosovës

    Osmani takohet me kryeministrin hungarez: E domosdoshme që Serbisë t’i kërkohet llogari për agresionin ndaj Kosovës

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka takuar kryeministrin e Holandës, Mark Rutte, me të cilin folën për situatën e sigurisë në Kosovë gjatë Samitit të Komunitetit Politik Evropian që po mbahet në Granada të Spanjës.

    Gjatë këtij takimi, Osmani theksoi domosdoshmërinë për t’i kërkuar llogari Serbisë për agresionin në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

    “Theksova domosdoshmërinë për t’i kërkuar llogari Serbisë për aktin e saj terrorist dhe aktin e agresionit kundër Kosovës, i cili paraqet kërcënim për paqen dhe sigurinë në të gjithë rajonin”, tha Osmani.

    Kujtojmë se e para e shtetit përveç Ruttes, gjatë ditës së djeshme i ka kërkuar edhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron, kryeministrit britanik, Rishi Sunak, e liderëve të tjerë evropianë që Serbia të mbahet përgjegjëse për agresionin ndaj Kosovës.

    Osmani ka refuzuar që të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përpara se të vendosen sanksione ndaj shtetit serb.

  • Policia jep detaje për mbetjet mortore që u gjetën dje në Prishtinë

    Policia jep detaje për mbetjet mortore që u gjetën dje në Prishtinë

    Sektori për Hetimin e Personave të Zhdukur gjatë luftës në Kosovë, në bazë të informacioneve ka identifikuar një dëshmitar i cili kishte njohuri për mbetje eshtërore të një trupi të njeriut i cili figuron në Listën Kombëtare të Personave të Zhdukur me Forcë gjatë periudhës së luftës së vitit 1998/99.

    Sipas raportit të Policisë së Kosovës rasti ka ndodhur të enjten në Prishtinë.

    Tutje bëhet e ditur se gjatë gërmimit janë hasë gjetje eshtërore me interes forenzik që besohet se janë të trupit të njeriut dhe i përkasin periudhës së luftës së fundit.

    “Me datë 05.10.2023 Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, përkatësisht Sektori për Hetimin e Personave të Zhdukur gjatë luftës në Kosovë, në bazë të informacioneve ka identifikuar një dëshmitar, i cili ka njohuri për mbetje eshtërore të një trupi të njeriut, i cili figuron në Listën Kombëtare të Personave të Zhdukur me Forcë gjatë periudhës së luftës së vitit 1998/1999. Së bashku me dëshmitarin, në vendin e ngjarjes kenë dalë edhe Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Institutin e Mjekësisë Ligjore. Është identifikuar lokacioni dhe pas gërmimit/ekshumimit, janë hasë gjetje eshtërore me interes forenzik që besohet se janë të trupit të njeriut dhe i përkasin periudhës së luftës së fundit”, thuhet në raport.

  • Trajneri i Dinamos uron Ballkanin, pas humbjes po e konsideron dorëheqjen

    Trajneri i Dinamos uron Ballkanin, pas humbjes po e konsideron dorëheqjen

    Trajneri i Dinamo Zagrebit, Sergej Jakiroviq, e ka uruar Ballkanin për fitoren ndaj kroatëve në Ligën e Evropës.

    Sidoqoftë, kjo humbje nga kampioni kosovar mund t’i kushtojë me shkarkim Jakiroviqit i cili edhe në kampionat nuk e ka bilancin e dëshiruar.

    “E uroj Ballkanin për fitoren absolutisht të merituar. Ata bënë atë që doja ne ta bënim sot”, ka thënë Jakiroviqi.

    “Ne tentuam të bëjmë diçka me ndryshime, mirëpo nuk funksionoi. U kërkoj falje të gjithë fansave të Dinamos që nuk e merituan këtë. Marr përgjegjësinë për këtë, mirëpo edhe lojtarët në thellësi të shpirtrave të tyre duhet të pyesin se çfarë po bëjnë sepse një klub si Dinamoja nuk e meriton këtë”, ka thënë Jakiroviqi, sipas Index.hr.

    “Nuk e di nëse është kjo ndeshja e fundit për mua. Kur të fle, do ta marr një vendim sepse mendoj që jam gjithashtu përgjegjës për këtë”, ka shtuar ai.

  • Mesazhi i presidentit të Zvicrës për Kosovën drejtuar ndërkombëtarëve në Samitin e Granadas në Spanjë

    Mesazhi i presidentit të Zvicrës për Kosovën drejtuar ndërkombëtarëve në Samitin e Granadas në Spanjë

    Presidenti zviceran Alain Berset deklaroi sot, përpara fillimit të Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Granada, se vendi i tij dëshiron një Ballkan Perëndimor paqësor dhe të qëndrueshëm, njofton gazeta zvicerane në shqip ‘Le Canto27.ch’ duke ju referuar burimeve nga Berna.

    ‘Një situatë e qëndrueshme në Ballkan është e rëndësishme për Zvicrën’, tha presidenti zviceran.

    Situata midis Serbisë dhe Kosovës, megjithatë, ka qenë e tensionuar për një kohë të gjatë: “Kjo nuk është e re”, tha Alain Berset për Keystone-ATS të enjten në Granada, citon Le Canton27.ch

    Ai ka folur për këtë temë gjatë javëve të fundit si me presidentin serb Aleksandar Vuçiq ashtu edhe me kryeministrin kosovar Albin Kurti. Në margjinat e samitit të Granadës janë planifikuar edhe përpjekje për ndërmjetësim diplomatik ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

    Presidenti i Konfederatës nënvizoi gjithashtu rëndësinë e samiteve të tilla për mbajtjen e kontakteve me krerët e tjerë të shteteve dhe qeverive evropiane. Ai ka planifikuar disa takime dypalëshe dhe mundohet të flasë sa më shumë me secilën prej tyre. Ky është i vetmi samit në Evropë në të cilin Zvicra është e ftuar në nivel të krerëve të shteteve dhe qeverive.

  • Hajnat hyjnë në shtëpinë e një mërgimtari në Ferizaj, Policia jep detaje

    Hajnat hyjnë në shtëpinë e një mërgimtari në Ferizaj, Policia jep detaje

    Një burrë në Ferizaj ka raportuar në Polici se ka vërejtur që dyert e shtëpisë së vëllait të tij dhe objekteve përcjellëse kanë qenë të hapura me force.

    Përmes raportit 24 orësh, Policia ka bërë me dije se është kontaktuar pronari i shtëpisë që punon dhe jeton në Zvicër, derisa rasti po hetohet si “vjedhje e rëndë”.

    “VJEDHJE E RËNDË-Fsh.Dardani-Ferizaj 05.10.2023-NN. Dëshmitari mashkull kosovar ka raportuar se ka vërejtur që dyert e shtëpisë së vëllait të tij dhe objekteve përcjellëse kanë qenë të hapura me forcë. Përmes telefoni është kontaktuar pronari i shtëpisë, i dëmtuari mashkull kosovar i cili punon dhe jeton në Zvicër. Policia ka iniciuar rastin dhe është duke e hetuar”, thuhet në raport.